
Çerçiz Loloçi/
Botimi më i ri i poetit dhe studiuesit të njohur Sadik Bejko, titulluar “Ad infinitum”, botimet Onufri 2025, është një ndihmesë në ndriçimin e ngjarjeve, të librave dhe autorëve të hapësirës mbarëshqiptare. Intelektuali që për rreth katër dekada ka punuar si mësim dhënës i letërsisë në të gjitha nivelet e arsimit shqip, nga nëntëvjeçarja, e mesjma dhe universitet, përkatësisht atij të Gjirokastrës dhe të Tiranës vjen me këtë libër eseistik duke analizuar prodhimin letrar nga Pjetër Budi e deri te Bashkim Shehu.
Titulli paksa i veçantë, më një shprehje latine, por jo krejt i vetëm, ka një kuptim të parë “vijon përgjithmonë, pa kufij”, çka do me thënë që për letërsinë shqipe janë shkruar dhe do të shkruhet vazhdimisht ku secili autor lë gjurmën e vet, ka këndvështrimin e tij pa përsëritur paraardhësit. Kujtojmë se një titull të tillë e përdorur edhe shkrimtari i shquar britanik i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Xhonatan Suift në një poemë satirike.
Libri është konceptuar në pesë kapituj, ose pesë botime në një, ku në të parin hidhet dritë për magjinë e pavdekshme të baladave, të cilat janë në bazë të çdo letërsie, e madhe apo e vogël qoftë. Prej këtej autori trajton imazhin e madhështisë së përzishme në vajtimin e Ajkunës, rapsoditë arbëreshe që mbajnë gjallë gjakun tonë të shprishur, dashuria dhe martesa në këngën e Tefta Tashko Koços “Kur më vjen burri nga stani”, pikëtakimet midis Çirçes së Homerit dhe këngës shqiptare “Moj kunadheja”, këngës kushtuar mbretëreshës Xheraldinë, këngës himariote me tipare bregdetase e ballkanike, polifoninë e Bregut me princin e saj Lefter Çipën dhe me priftin që edhe pse kryente shërbimin ushtarak në brigatë pune dhe në një shtet që ishte vetëshpallur ateist lexonte thirrjet e Ungjillit. Ky kapitull mbyllet me intermexon: Gilgameshi, një e treta fatale dhe qytetërimi i sotëm.
Kapitulli i dytë merr në analizë vepra të veçanta të disa personaliteteve të kulturës shqiptare me Pjetër Budin, Jeronim de Radën, Naim Frashërin, përfqësuesit më sipërorë të romantizmit dhe neoklasicizmit, Ndre Mjedën që tejkalon kohën, Gjergj Fishtën, Fan Nolin dhe përfundon me intermexon: Shekspiri im.
Në kapitullin vijues kemi të tjerë protagonistë dhe të tjera vepra, mes të cilëve Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Millosh Gjergj Nikolla dhe romancierin Sterio Spasse.
Në kapitullin e katërt zënë vend dy autorë të rëndësishëm të letërsisë arbëreshe, Dushko Vetmon dhe Lluka Peronen, por gjithashtu edhe Martin Camaj me temën e vdekjes dhe të vetmisë në poezinë e tij dhe mbyllet me intermexon: Letërsia dhe globalizmi.
Kapitulli i pestë trajton poezinë e Dhori Qiriazit, prozën dhe poezinë e Ismail Kadaresë – e para që e rrok historinë me frymë shekspiriane dhe e dyta me kohështrirje gati pesëdhjetë vjeçare, duke thyer tabutë dhe konvencionet e kohës kur u shkruan dhe që rilexohen edhe sot nga miliona lexues, vendas dhe të huaj. Po ashtu në këtë kapitull të fundit autori i kushton vëmendje prozës së Vath Koreshit, poezisë së Frederik Reshpjes, krijimtarisë së Ali Podrimjes dhe mbyllet me intermexon: Poezia e viteve ’60, vështirësitë e rikthimit në modernitet.
Janë të zakonshme dhe të përhershme antologjitë poetike apo ato të prozës së shkurtër, por Sadik Bejko ka krijuar një antologji eseistike me autorë dhe vepra që janë shndërruar në maja të kulturës shqiptare. Të shkruara në kohë të ndryshme, disa prej tyre edhe të publikuara apo të mbajtuar në konferenca brenda dhe jashtë vendit, ato rilexohen për mënyrë e trajtimit të tyre, për mjetet shprehëse të përdorura dhe për stilin dinamik dhe këndvështrimin e pangjashëm që rrallë e gjejmë në studiues të tjerë.