Nuk kishin kaluar vetëm pak minuta pasi Rama kishte nisur fjalën e tij, ish-kryeministri Sali Berisha është ngritur nga karrigia e deputetit, ndjekur edhe nga deputetët e tjerë të opozitës kanë bojkotuar Kryeministrin e ri. Në një prononcim për mediat Berisha theksoi se nuk mund të qëndronte në Kuvend pasi mazhoranca i shpalli luftë opozitës.
“Në dëgjojë një retorikë të ulët. Me sharje dhe fyerje ndaj pozitës mendon se do të mundë të kapërcejë premtime alla Papandreu me të cilat mashtroi dhe mori votën e shqiptarëve. Vetëm me mashtrime publike për shërbim shëndetësor falas, për dëmshpërblim brenda dy viteve të të përndjekurve, për legalizime falas, për ulje të taksave për 95% të shqiptarëve. Në këto rrethana. Nuk kishte hapësirë për të ndjekur ligjeratën paranojave, banale të një piktori dështak që sot flet në emër të qeverisë. I rikujtoj zotërisë se sot janë dy data. 11 shtatori që nderon gjithë njerëzimi viktimat e Nju Jorkut, por dhe 11 shtatori i Pinocetit. Moralisht shprehu nderim për të parim, por në shpirt kishte të dytin. Ne erdhëm këtu, por Rama na shpalli luftë. Ajo që mazhoranca bëri ishte e paparë, nuk ndodh dhe në Korenë e Veriut që diskutimi të behet pa e marrë materialin dhe pa i dhënë qoftë një ditë të vetme. Nëse vijohet ne këtë mënyrë dëshmohet se etërit janë aty. E dëgjuat krahasimin me vitin ‘92, kjo është hakmarrje. Por në këtë rrugë do i ketë ditët e shkurtra. Demokratët nuk mposhtën, pasi demokratët janë të pathyeshëm”, u shpreh ai.
Vetëm Dashamir Shehi i LZHK dhe Gjovalin Kadeli, ish-deputet i PS, kanë ndjekur deri në fund fjalën e Ramës.
Ndërkohë Kryeministri nuk ka vonuar dhe e ka komnetuar këtë situatë edhe në rrjetin social facebook, ku theksoi se programi i Kryeministrit Edi Rama ishte fund e krye sharje, urrejtje dhe poshtërime ndaj opozitës dhe popullit opozitar.
“Demokrate dhe demokratë, shqiptare dhe shqiptarë, këta janë neobllokmenët, të mbushur me urrejtje dhe vetëm urrejtje të etërve të tyre. Ne jemi këtu të gatshëm për çdo qëndresë, çdo sakrificë! Të gjithë jemi dhe do të jemi në këmbë! Të dashur miq, sharje, urrejtje dhe poshtërime ndaj opozitës dhe popullit opozitar, ky ështe programi i Edvin Kristaq Ramës dhe neobllokmenëve në pushtet. Ne jemi dhe do të jemi për çdo qëndresë, për çdo sakrifice, për të mbrojtur vlerat e lirisë nga bijtë e etërve mizorë!” shkruan Berisha në fb.
Ndërkohë që po mbrëmjen e sotme PD ka mbledhur në një mbledhje urgjente grupin e saj parlamentar si dhe aleatët opozitarë, nga ku pritet të ketë një qëndrim të qartë lidhur me mënyrën sesi do të proçedojë opozita, ndërsa programi i qeverisë së re pritet të diskutohet në parlament të shtunën në orën 10:00.