Sokol Paja/
Libri i shenjtë i Biblës dhe Kuranit u sulmua pa ndërprerë përgjatë dikaturës në Shqipëri. Komunistët shqiptarë pasi vranë barbarisht dhe persekutuan klerikët e të gjitha besimeve fetare në Shqipëri, pasi shkatërruan fizikisht institucionet fetare, pasi ndaluan fenë me ligj, propagandistët komunistë filluan të sulmojnë pandërprerë bazën shpirtërore të fesë, vendet e shenjta të besimeve dhe librat e shenjtë si Bibla, Kurani, ikonat e bazën shpirterore të fesë në Shqipëri. Komunistët me kalimin e viteve, luftën ndaj fesë e kaluan nga veprimet fizike brutale, te lufta ideologjike ndaj fesë në organet e shtypit që kontrolloheshin nga partia – shtet.
Ideologjia fetare dhe ideologjia komuniste ishin të papajtueshme me njëra-tjetrën. Përgjatë diktaturës 1945-1990, ateistët komunistë sulmuan fenë, klerikët dhe institucionet fetare me qindra mijëra artikuj, kronika, opinione, komente, reportazhe, telereportazhe, analiza, intervista, letra nga populli, denoncime etj në organet e shtypit të partisë – shtet.
Tri shembujt më poshtë ilustrojnë më së miri barbarinë e propagandës ateiste të regjimit komunist:
Libri më i rëndësishëm për besimin Musliman, Kurani, shënjestrohet nga shkrimi “Ç’është Kurani?” i gazetës “Mësuesi” 21 prill 1967, Kurani sipas propagandistëve ateistë të regjimit komunistë, quhet një kopjim i Biblës dhe se Kurani nuk ka as lidhje kronologjike as logjike. Sipas artikullit ateist në fjalë, në Kuran qoftë edhe nga titujt e sureve (krerëve) dhe nga vendosja e materialeve, libri i shenjtë i myslimanëve, s’ka sens. Kapitujt e Kuranit, sipas ateistëve në shtyp, janë radhitur pa kurrfarë sistemi e lidhje dhe është marrë parasysh kryesisht madhësia e tyre. Në shumë raste titujt e kapitujve, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me përmbajtjen dhe janë vënë rastësisht”.
Kurani, në këtë shkrim thuhet se ka përmbledhur në vetvete e jo vetëm supersticionet dhe dogmat e arabëve paganë, por edhe të të krishterëve, të hebrenjve, të magjistarëve, të budistëve; kështu ka mundur t’u përgjigjet, së paku pjesërisht, mendimeve të pasuesve të të gjithë feve. Kurani sipas këtij shkrimi propagandistik të kohës, me pikëpamjet shoqërore që predikon, të cilat janë reaksionare ku në emër të Allahut ato konsakrojnë sistemin shfrytëzues.
Në Bibël sipas E. Jarosllavskijt, në shkrimin “Bibla, për ata që besojnë dhe ata që nuk besojnë”, botuar në revistën “Ylli” të vitit 1961, zbulohen dhe mishërohen kontradiktat dhe absurditetet mbi botën. Bibla sipas ateistevë komunistë nuk është aspak libri më i vjetër, pasi ka edhe libra të tjerë që e tregojnë krijimin e botës dhe të njeriut në një mënyrë tjetër. Teoritë fetare, që gjenden në Bibël nuk janë të vërteta të vetme sipas autorit, dhe se mitet biblike janë trillim i një njeriu të egër, të paditur, injorant, i cili nuk ka mundur të mbështetej në sukseset e shkencës, nuk ka pasur instrumentet astronomike për të studiuar hapësirën qiellore.
Në librin e Biblës sipas autorit, gojëdhënat biblike kanë karakter antishkencor për origjinën e botës, të tokës, bimëve, kafshëve e njeriut dhe gojëdhënat biblike pasqyrojnë përfytyrimet naive të njerëzve primitivë mbi botën që i rrethon.
Bibla, sipas autorit, justifikon skllavërimin e njerëzve dhe shpall të përhershëm ndarjen në klasa shfrytëzues dhe të shfrytëzuar dhe e ligjëron ekzistencën e marrëdhënieve të sundimit, nënshtrimit si edhe pabarazinë shoqërore. “Feja e mbyt mendimin e lirë krijonjës, mendjen kureshtare duke kërkuar përulje dhe nënshtrim përpara perëndisë që nuk ekziston”, por feja shkon edhe më tej duke penguar njerëzit që të luftojnë për çlirimin e tyre, frenon zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë. Sipas autorit, Jarosllavskij, vetëm ideologjia marksiste-leniniste jep kuptimin shkencor të botës dhe na mëson si ta shpjegojmë botën, por edhe si ta ndryshojmë botën në të mirë të gjithë njerëzimit.
Pano Çuka, në shkrimin “Dërrasa të pikturuara”, botuar në gazetën “Pararoja” të datës 21 gusht 1972, demaskon ikonat e besimit të krishterë, ku i zhvesh nga “shenjtëria” e tyre dhe i quan një mjet për pasurimin e tregtarëve dhe të priftërinjve e të klerit. Futja e ikonës si element në besim, sipas autorit, u bë me trillime nga më të ndryshmet nga priftërinjtë për të sunduar më lehtë besimtarët duke shpikur mrekulli dhe duke ua veshur ikonave dhe duke i paraqitur para masës së besimtarëve si të shenjta. “Vraponin pra naivë në kishat e “shenjta” dhe te shërbëtorët e tyre të “shenjtë”, që t’i shpëtojnë me forcën e tyre çudibërëse. Dhe në të njëjtën kohë, dridhen. Po thatë një fjalë, ikonat e “shenjta” dhe etërit e “shenjtë” mund t’ju hedhin në zjarr dhe t’ju përvëlojnë”.
Propaganda e kohës i quan ikonat, që gjenden në objektet fetare, si një tmerr për besimtarët dhe se te këto dërrasa të kalbura binin pre naivët fetarë.
Shtypi ateist përgjatë diktaturës komuniste dha një kontribut të pa imagjinueshëm në formësimin e Shqipërisë ateiste ku shkatërrimi i botës shpirtërore të njerëzve, i familjes shqiptare, i traditave të pasura kulturore dhe zëvendësimi me “revolucionaren proletare” ka lënë pasoja të tmerrshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, efekte afatgjata që ndjehen edhe për kohën që jetojmë.