-Biblioteka Kombëtare e Kosovës është themeluar në Nëntor të vitit 1944 në Prizren, ndërtesa e saj në Prishtinë është inauguruar në vitin 1982. Këndi Amerikan është pjesë e ambienteve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës/
-Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës sot u hapën dy ekspozita për Profesor Anton Çettën, nesër përurohet kompleti i veprave të tij. Nëntori 2020 në Kosovë është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari
PRISHTINË, 25 Nëntor 2020/ Biblioteka Kombëtare e Kosovës, e themeluar në Nëntor të vitit 1944, në Prizren, sot në Prishtinë shënoi 76 vjetorin me një ceremoni festive dhe hapjen e dy ekspozitave: “Anton Çetta: 100 Vjetori i lindjes” me libra dhe artikuj dhe “Anton Çetta: 30 Vjetori i pajtimit të gjaqeve” me fotografi të publikuara për herë të parë.
Në kuadër të ceremonisë u nënshkrua plani 5 vjeçar i ardhshëm i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe nga drejtori i saj Fazli Gajraku u prezantua historiku i punës së institucionit si dhe u organizuan dy ekspozitat për nder dhe kujtim të profesor Anton Çettës, shkrimtarit, patriotit, mbledhësit të folklorit dhe pajtuesit të gjaqeve.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, kryesuesi i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Osman Gashi dhe shumë personalitete tjera.
Ministrja Dumoshi tha se sot është një datë e shënuar jo vetëm për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sepse nëpërmjet kësaj dite po kujtohen gjithë brezat që kanë dhënë mundin e dijen për këtë institucion të rëndësishëm shtetëror që prej vitit 1944.
“Sot gjendemi në një vend të veçantë, në Bibliotekën Kombëtare ‘Pjetër Bodgani’, ky vend është tempull i dijës, ku kanë studiuar gjenerata të tëra intelektualësh të mëhershëm dhe të sotëm, të profileve e fushave të ndryshme të shkencës, kulturës dhe artit”, u shpreh ministrja Dumoshi, e cila tregoi edhe për rritjen e buxhetit të Këshillit të Librit për botimin dhe pasurimin e sa më shumë titujve të librave të rinj, e që ndërlidhet drejtpërsëdrejti me punën që Biblioteka bën.
Ministrja Dumoshi tha se, për shkak të pandemisë kontakti i lexuesit me librin e bibliotekën ka qenë pothuajse i pamundur, prandaj i është dhënë përparësi digjitalizimit të materialeve dhe fondit bibliotekar ashtu që lexuesi të ketë qasje në materiale të digjitalizuara.
Gjithashtu ministrja foli edhe për Muajin e Anton Çettës, që për nder të figurës së tij Qeveria e Kosovës Nëntorin 2020 e ka shpallur Muaji i Anton Çettës. “Biblioteka e Kosovës po organizon sot aktivitete për këtë figurë të madhe të kombit shqiptar, i njohur për ndikimin e tij si mbledhës i folklorit, përkthyes, shkrimtar, e si veprimtar e prijatar i pajtimit gjatë viteve 90-të”, tha ajo.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, foli për objektivat që ka Biblioteka në të ardhmen, ndonëse ky vit ka qenë shumë i vështirë, vlerësoi ai. “Në kuadër të bibliotekës digjitale tashmë kemi mijëra materiale digjitale dhe është duke u vazhduar digjitalizimi i njësive fizike duke e pasuruar kështu arkivin digjital”, theksoi drejtori kur foli për procesin e digjitalizimit të materialeve në bibliotekë.
Osman Gashi kryesues i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, foli për punën e këshillit dhe bashkëpunimin me menaxhmentin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe ka shtuar se biblioteka ka mbijetuar njëjtë ashtu siç ka mbijetuar Kosova, duke kujtuar dhe vlerësuar rëndësinë që ka luajtur ky institucion i kulturës në Kosovë.
Ndërsa, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka thënë se Universiteti i Prishtinës dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës kanë një bashkëpunim të ngushtë i cili është jetik për institucionet e arsimit të lartë.
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës nesër në mesditë përurohet kompleti i veprave të Profesor Anton Çettës.
Nëntori 2020 në Kosovë është Muaji i Anton Çettës, i shpallur nga Qeveria në 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e shuarjes, si dhe në 30 vjetorin e nisjes së aksionit të pajtimit mes shqiptarëve – pajtimit të gjaqeve, të cilit i printe.
Ndërtesa në Prishtinë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me dritare zenitale – 99 kupola të mëdha të bardha, të cilat e kanë simbolikën të veçantë arkitekturale, si plisat, është inauguruar në vitin 1982. Hapësira e brendshme përfshinë 16.500 m2 . Biblioteka ka sallat e leximit për përdorues me 600 vende – dy salla të mëdha, sallën e periodikut, si dhe sallat e leximit për punëtorë shkencorë. Në bibliotekë, gjithashtu, është edhe Amfiteatri i Madh – me 150 ulëse dhe Amfiteatri i Vogël me 75 ulëse, ku zhvillohen aktivitete dhe veprimtari me karakter informativ, kulturor e shkencor…
Edhe Këndi Amerikan është pjesë e ambienteve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. “Këndi Amerikan është një vend për qytetarët e Kosovës të mësojnë mbi vlerat, traditat dhe kulturën amerikane”, është theksuar në një ceremoni përurimi të hapësirës së renovuar të Këndit Amerikan në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Janar 2020.