


Mbusha 27 vjeç,/ Në këtë moshë vdiq Migjeni,/Kurse unë s`kam bërë asgjë të rendësishme./Qelia si një vagon absurd treni,/po rrokulliset po rrokulliset.”-shkruan Visar Zhiti në poezinë “Ditëlindja ime” e shkruar në burg. Mund ta krahasonte qelinë me vagonin që shtynte në minierë, por e shmang, ndoshta ngaqë vagoni i galerive kishte për intenerar ferrin. Me ndihmën e Pegasit krijoi galerinë e personazhëve e të poezive të fshehura, pasurinë e tij letrare. Prej poezive i erdhi dënimi, po prej tyre po e priste shpëtimin. I arrestuar për vjersha hermetike e mbyllin në një burg hermetik. Për çudi, në burg, nuk ia ndjeu nevojën alegorisë ambiguitive, as metaforave të rrafinuara, (vetes do t`i fshihej), shfaqet qartësisht i qartë, krahasuar me poezitë të shkruara në liri i thënçin. Mos ky ndryshim duhet parë në vetëdijë, ku nga një “armik i fshehur” tani bëhet i deklaruar? Gjithsesi, shkaku i dënimit ishte më i thellë. “Moj e bukura me nam,/Me ngadalë se dogje fshanë,/E ç`i bëj unë fshatit shkretë,/se shkoj poshtë e përpjetë?!” Njihet rrezikshmëria e së bukurës. Bukuria që vret, do thoshte Migjeni. “Kurse ata, të shëmtuarit, me dhëmbët jashtë si sharrë/Thoshin se ti s`je e ndershme,/je e huaj duhesh vrarë/se u prish mendjen njerëzve.”-vazhdon më tej poeti, duke bërë dallimin midis së Bukurës dhe Bishës. E bukura, jo vetëm si hijeshi, por dhe si art, ka një fuqi të atillë ndikuese, sa ta prish mendjen. Propaganda me trushplarjen dhe indoktrinimin fuqinë ndikuese ia njihte vetes, të tjerat ishin molepsje. Ndaj thoshin se ndërgjegjia e të riut është një letër e bardhë, varet se kush shkruan në të: udhëheqësi me citate apo poeti me vargje? Të duket, si një luftë për teritore. “Ti që më lehtësoje jetën, më të rëndë ma bëre burgun.”-i drejtohet poeti së dashurës, jo si qortim, por si një mungesë, që shkakton vuajtje. E vetmja psherëtimë që tingëllon, si pasthirmë dëshirash.I lënë vetëm po prisnin vdekjen e poetit, ndërsa ai merr pjesë në funeralin e persekturit të tij, jo për ta nderuar, por për ta përcjellë në varr, ta kallte në gropën që ai kishte hapur për të tjerët. Pikërisht heroi lirik, poeti i librit “Dorëshkrimet e fshehta të burgu”, është personazhi i vetëm në romanin “Funerali i pafundmë”. S`ka tjetër veç tij, të tjerët janë hije dhe fantazma. I dalë nga ferrri i çarë gjendet në një kortezh. Personazhi i dytë i romanit është diktatori, i mbyllur në arkëmort, të cilit poeti i drejton këto vargje: “Triumfator rri mbi poltrone,/dhe lexon fjalimet e tua shterpë/Po si kështu, ti na rrënove, ndërsa ngremë uzina dhe monumente?!” Në ndërtimin e socializmit morëm pjesë të gjithë, me hir apo pahir, ndërsa në ushtrimin e diktaturës si një grup i gatshëm u rreshtuan: të zellshmit, të angazhuarit, të besuarit, denoncuesit, qoftë me letra anonme apo letra të hapura. (“Sofra u prish dhe s`ka mikpritje/si gjellë të thartuar besën e flake./Lëkurën tënde e bëre postiqe/si lëkurë dhënsh ia shtrove kasapëve.”-janë vargjet e tij në “Dorëshkrime të fshehta të burgut”) Sikurse dihet, diktatorit i pëlqente të fotografohej i rrethuar nga librat në bibliotekën personale. Po, pse i trëmbej librave? Libri ishte dhe një nga komponentët e trekëndëshit revolucionar? (Pushonte në Drilon, në qytetin e poetit dhe, kurrë nuk e ftoi të pinte një kafe Lasgushin. Këta të sotmit e luftojnë njëri-tjetrin me foto kriminelësh e trafikantësh, me të cilët hanë e pijnë dhe, u thonë intelektualë atyre, që s`kanë lexuar një libër në jetën e tyre.) Si mund ta duash librin, kur e urren poetin e dënon atë? *** Marrshime, rreshtore, parakalime, parada, radhët e qumshtit, jo Rruga e Qumshtit dhe, në fund: funerali. Ky është përshkallëzimi i rënies së diktaturës në romanin “Funerali i pafundmë”, që me sa duket: ende s`e ka prekur fundin. Edhe Sizifi do ta kishte më të lehtë të ngjiste gurin në majë të malit nga mortorët arkëmortin në piramidë, e cila do përfundonte në një lokal i pagezuar “Mumja”. Rrugëtimi i funeralit, me gjasa, nis me partizanin Meke në krevatin e perandorit dhe sos me shvarrimin e diktatorit nga Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. (Statuja e Partizanit të Panjohur ende dhe sot duket sikur jep kushtrimin për t`u hedhur në sulm. Thua ta ketë shpëtuar fati i anonimit?) “Ju kishte lindur nëna për një botë të re”, u thuhej të rënëve, ku nuk harronin t`u thoshin fjalë të përgjumura ngushullimi: “Flini të qetë!”, ndërkohë që shqiptarëve ua prishnin gjumin, jo vetëm me alarme. Një i pagjumë ishte dhe Visari. Me sa duket dëshmorët kishin marrë me vete dhe premtimin për një “botë të re”, protagonistë të së cilës janë “bijtë e shekullit të ri”. Si të rënët dhe të rrëzuarit po ngjanin njësoj. Atë, që të rënët e njihnin për komandant, të gjallët po e quanin diktator dhe, i futur në një arkëmort: nis një funeral i dytë. “E tmerrshme ishte mërzia/kudo e gjeje/Bëhej këpucë dhe vinte me ty/bëhej polic dhe të bërtiste/bëhej bukë e si ta haje?”-shkruan poeti në qeli, ndërkohë që “bijtë bastard të etërve dinakë” po rivrisnin të vrarët.Në kohën e “vullneteve të ndrydhura”, u duk se protagonizmin e kishin “birtë e shekullit të ri,” të cilët mburreshn se plakun e lanë në “shejtnin” e tij”, kur “paçavrat zënë myk ndër tempuj”? “Dielli alegorik” i Migjenit u duk si një shpresë, duke tejekaluar dhe Naimin, i cili tek “Fjalët e qiririt”, digjej për t`u dhënë shqiptarëve “pakëz dritë”. Por, drita nuk ishte më prioritet i poetëve, monpolin e saj e kishin “komisarët e dritës”. (Mësues ishte dhe Visari dhe autori i këtyre rreshtave.) Pavarësisht hidrocentraleve që ngriheshin: “shumë po shndrit aj diell dhe pak po nxeh”, shfaqet polarizim midis shkëlqimit të rremë dhe ngrohtësisë. Instancat nis të ankoheshin se “populli po ftohej me udhëheqjen, revolucionin, partinë”, pavarësisht se propaganda e toroliste miletin me “dorën e ngrohtë”. Ka dhe një film me këtë titull. Rrallkush e vuri në dyshim shkëlqimin e rremë të “diellit alegorik”, që Migjeni e parapa të trukuar, me gjasa. “Unë gabova, e mora për diell/ngrohtësinë e mjelmtë të qefinit.”-reflekton poeti i prangosur. “I burgosuri/gjithmonë ndodhet pas një dere të mbyllur.”, ndërkohë që poetit po i hapeshin qiejt, ku endej Pegasi.Të gjithë i mbanin sytë tek largpamësi, pa i peshuar fjalët e Migjenit, i cili shfaqte një mëdyshje, një dilemë hamletiane: “Na të birtë e shekullit të ri,/S’duem me humbë/në lojë të përgjaktë të historis njerzore,/jo! jo! S’i duem humbjet prore-/duem ngadhnim!/ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!/S’duem, për hir/të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shejtnim”,/të zhytemi prap në pellgun e mjerimit/që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,/kangën monotone, pa shpirt, të skllavnis”. (Kur u duhej të demaskonin regjimin e mbretit Zog, i referoheshin Migjenit, “poetit revolucionar” sikurse e quanin, ama i padënuar për këtë këngë trishtimi, kur poeti 27-vjeçar dënohet për “nxirje të realitetit”?!) Sa e sa herë lexoheshin këto vargje në diktaturë dhe cili mund të thotë se e kuptoi kumtin e poetit? Ndërkohë poeti Dritero Agolli do shfaqej në llogoren e gabuar: “Bërtasin narkomanët:/ Etërit janë mykur,/ Me ta në paqe ne,/ modernët,/ s`rrojmë,/ Në pleqërinë e tyre janë zhdukur./ Dhe në mes anakronizmave jetojnë.”, duke iu kundërvënë pa dashur dhe Migjenit, ku “kalbësinat e vjetra” mbanin peng atdheun. U deshën vite që, Driteroi, t`i bashkohet shqetësimit të Migjenit, ku në kongresin e socialistëve do deklaronte: “Ju ma vërtetuat mendimin tim të fshehur në vetvete, se Partia e Punës nuk reformohet. Bërtitjet tuaja (“Bërtasin narkomanët” F.R) janë jashtë çdo civilizimi dhe jashtë çdo kohe të qytetëruar, janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt. (“Etërit janë mykur” F.R) Ju bërtisni, pasi ajo që ju polli ju, (“Unë komunisti nga Devolli!” F.R) po jep shpirt në shtratin e vdekjes. Unë, kot mora mundimin ta shpëtoja. Shpëtojeni vetë po mundët! Unë do të largohem, pasi nuk e duroj dot erën e këtij të vdekuri dhe aq më tepër bërtitjet tuaja pranë të vdekurit!” Më në fund dhe Driteroi bëhet pjesë e funeralit. Kohë më vonë tentoi Blushi ta përsëriste këtë histori me “funeralin e Rilindjes”. Indicjet për të shkruar romanin Visari e merr gjithandej, sikurse dhe ne për ta aktualizuar. IPjesë e një funerali bëhet dhe poeti i dënuar, personazh i romanit “Funerali i pafundmë”, që, më së shumti, të lë përshtypjen e një romani në vargje, nxitur kjo ndjesi dhe prej formatit të faqeve, por më shumë: rrëfimi i pandërprerë i autorit, në shembullin e at Zef Pllumit: “Rrno për me tregue”. Nuk po rrëfehet para hetuesëve, as para një prifti, pse të mos e themi: para historisë. Autori përshkruan me një intensitet emocional, pa ankth, një funeral në dy kohë: vajtje-ardhje, ku kufoma në arkëmort mbetet e pakallur, edhe pse ka ndodhur përmbysja e regjimeve, edhe pse shtatorja është thjeshtë një xhenaze. Një rrëfim i shkruar nën diktaturë të pandemisë, me dëshmi të nisura që pa lindur, në qytetthin e internimeve, në Lushnje, ku të vdekurit përcjellin një të gjallë, sqaron autori për të na thënë, se ideja për të shkruar këtë roman e ka “përndejkur” gjatë gjithë jetës. Vazhdimisht do e kujtojë burgun, edhe kur ndodhet para Statujës së Lirisë në Amerikë, edhe kur shkruan “Kartela të realizmit të dënuar”, (“letërsi morgu” do e quaj letërsinë e realizmit socialist një tjetër poet), edhe kur jep intervista, kur takohet me papët, edhe kur shkon në kisha, ku pret të ringjallet Krishti, sepse misioni i dhkrimtarit e detyrin ta çoje deri ne fund betejën me të pakallurin. I bindur se tema, subjekti apo ideja e romanit nuk i përkasin vetëm së shkuarës, por se ato mbartin përditshmërinë e aktualitetit. Kjo është arsyeja, që një i përndjekur merr pjesë në varrimin e diktatorit, jo për ta nderuar, por për ta çuar në varr apo be “koshin e historise”. Nëse do përdornim një shprehje të Marksit: të vdekurit ende rëndojnë në shpirtin e të gjallëve. S`keni pse çuditeni për citimin: komunizmi fillimisht u vërtit si një fantazmë dhe si fantazmë vazhdon të sillet edhe sot e kësaj dite, pavarësisht se komunistëve do t`u dilte për zot një poet si Hysni Milloshi. Për ta ilustruar idenë, po i referohem poezisë së Izet Shehut “Horizonti i ngrirë”: “U gremis një shekull, trokon shekulli i ri,/Ngordhi një kuçedër, u ngjallën dy-tri/Dhe pyesim: ku vemi?/Dhe pyesin: ku qemë?/Nga Ferri dolëm a në Ferr vemë?” Një brez i humbur nën valvitjen e flamujëve të fitores, i mburrur dikur se ishte zot në vendin e tij: “atdheu im”, “populli im”, “shekulli im”, “partia ime”, ndërsa ai që s`ndahej me cilindo, ishte: i pavdekshmi, i lavdishmi, mësues i të gjithë popullit, udhëheqësi, që u përkiste “bijëve bastardë të etërve dinakë”. Persekutorët me Hoxhën të dënonin dhe viktimat në xhaminë e tij shkonin të faleshin. Ata, që të vrisnin për Enverin, nuk po i njeh kush më për enveristë, sepse ata njësoj si dikur nuk hoqën dorë nga e drejta për të akuzuar. Funerali të përngjan dhe me një marrshim. Me raste dhe, si një eskursion. Dikush pyet: “-Nuk ke imagjinatë ti?” dhe tjetri i përgjigjet:”-Jo nuk lejohet.” Kështu krijohet turma e trushkulërve që ndjekin verbërisht arkëmotin, sikurse ndodh në zullulandin e Konicës. Pavarësish se në gjallje Enver Hoxhës i pëlqente të krahasohej me Skënderbeun, postmortumin e donte si të Lek Dukagjinit, i cili udhëhiqte me kanun dhe ky shpresonte ta bënte me serinë e veprave. Kjo është arsyeja që mortorët jetojnë në ditë zie, duke mbartur arkëmortin e një të pakalluri, me shpresën që të udhëhiqen nga një i vdekur. “Njerëz pa fund, vargan me rreshta të çrregullt, vërtet ngjanin me punëtorët që shkonin në fabrikë, por më shumë me të dëbuarit, iknin.”-shkruan Visari, duke plotësuar më tej: “Duhej të qe më i rëndësishëm funerali se i vdekuri dhe mortja vetë.” Pra, ceremonia, procesioni, peligrinazhi vlejnë më shumë nga nderimi i të vdekurit apo i hyjnive. (Edhe në Mekë turma shkel më këmbë besimtarin.) “Dhe i vdekuri në arkëmort bën si i vdekur që të besojmë që ne jetojmë.”-ironizon autori. “Mespërmes fushtirës së përdhunuar, një hulli e gjerë dhe tepër e gjatë, që s`niste aty dhe nuk mbaronte kurrkund, të jepte ndjesinë sikur toka qe lëruar egërsisht, jo me plugje, por me tanke… Mbi baltën e tharë gjeje këpucë njeriu, çizme të mbetura, taka të thyera andej-këndej dhe tmerri arrihej kur zbuloje këmbë të harrua-ra, zhytur përgjysmë në llucën e dikurshme, si të ishin kër-cunjë.”-me këtë përshkrim dandesk nis romani, imazhe që na i sjellin përditë ekranet nga lufta në Ukrahinë. Sepse barku që pjellë përbindësha nuk është shterpësuar, do thoshte autori i dramës “Artur Ui”, Bertolt Brecht. “Të qenët bashkë, shumë njerëz njëherësh, të ngjall ndjenjën e fuqisë, e cila shtohet nga e ecura.”-shprehet heroi i romanit. Bashkimi në një kortezh nuk është dukuri e fuqisë, por e nënshtrimit ndaj kultit. “Vetëm të ecësh. Ka më siguri, kur mendimi mungun fare. Sepse ideali asfiksohet në një epidemi ideologjish.”-zhbiron autori. Të kërkohet vetëm të ecësh, të marrshosh, pa pyetur se ku po shkon se në rrugët e pashkelura ka udhërrëfyes që s`e dinë udhën, ka largpamës të qorrollepsur nga madhështia e rreme. “Gjersa nuk mbërrin gjëkundi, më mirë është të mos ecnim.”-kjo do ishte gjëja më racionale, që mund të bëhej, por logjika, arsyetimi nuk hyjnë në punë aty ku duhet berihaja. Këta duket, sikur janë nga të paprekurit e vi-RUSIT Covid -19, tallet autori. “Me të gjithë je gjithçka”-uniformizohet turma e ndjekësve, ku heroi i trembet njehësimit me ta. Në epidemi lejohet morti, por jo funerali, ndaj: “Qiparisat po pakësoheshin, sikur i përzinte dikush.” Pse po habiteni, po ju duket sikur po lëviz pylli në tragjeditë e Shekspirit, kur u shkretuan pyje të tëra dhe druvarin e bët me pushtet? I vetmi që lë përshtypjen e të qënit krenar, është shkëmbi, që iu shtua dhe një graniti më pas, pavarësisht se të ruash karakterin ka një kosto të lartë?! “Ti gjithnjë ke dyshuar, por si mund të jem spiun në një funeral të paktën?”-i kthehet i persekutuari mbikqyersëve të funeralit. “A mund të spiunohet i vdekuri?” Por, vigjilentët e shtetit sigurojnë “mbarëvajtjen e kurrëgjësë së madhe”, duke shprehur habinë: “Pse, pjatat që shtroni nëpër dreka mortore, përdorni dhe në dasma?!” Krejt ngjashëm me Hamletin: ku ende pa u ftohur gjellët e zisë shtrohen banketi i dasmës.Gjithsesi duhej kapur kreu i funeralit, të prekje me dorë arkëmortin apo t`i vije supin, gjë që mund të sillte përfitime. Dhe heroi i romanit, e thamë që ai s`ka emër, nxiton për ta arritur, në mos e merr turma para. “Pa atë peshë do të ndihej dhe vetë i papeshë, i lehtë, fluturak, i kollajrënshëm. Të Kreu me çdo çmim, të mbartte dhe ai, me të paktën, arkën e hatashme, lavdidhënëse.” Përngjashëm me ushtarët turq, që merrnin copa nga eshtrat e heroit tonë, bënin me to hajmali, që të mos vriteshin në luftë. Nëse tek njeriu i zakonshëm pret t`i lënë uratën, ai tjetri i karierës pret bekimin. Sepse nuk bëhesh dot vetë pa një miratim nga lart, për më tepër po qe amanet i të vdekurit, sikurse i ndodhi Ramiz Alisë. Po ky cilin bekoi? “Njeriu s`i di të gjitha ç`ka vendi i vet.”-ngaqë i përkasim një atdheu, ku gjithkush fsheh të shkuarën e tij. Në kushte trysnie, ku shkatërrohen neurozat: o do bëhesh konspirativ, o do vuash nga mania e persekutimit? “Le të thonë se s`ka si mesi, është ndryshe, vend pëllumbash, aty gjen dhe heshtjen olimpike të Kreut dhe çmendurinë e fundit në radhë.” Ata të “mesit të artë” kuptojnë se shanset u vijnë përherë, kur ndodh një vdekje, qoftë kjo dhe e palajmëruar, sepse ai që ikën duhet zëvendësuar. “Në vdekje diktatorësh mbizotron një hije e rëndë në të gjithë shtetin dhe një ankth, sikur të ketë vdekur dhe vetë vendi. A do të gjendet shtypës tjetër kaq i suksesshëm?” Por, frika më e madhe është pas vdekjes së diktatorëve. “Jemi në një varrim, dhembja të kthehet në forca dhe forca në gëzim.” Ndërkohë grave nuk u lejohet të lyejnë buzët me të kuq dhe dasmat u ndaluan deri në një afat të pacaktuar, ku velloje e nuses po quhej zakon prapanik, njësoj si ferexheja?! “Përderisa nuk mbërrini në asgjëkundi, më mirë do të ishte të mos ecnim.” “Urdhërat për të ecur qenë egërsur, sikur të vinin ga bishat.” Nuk ka ndëshkim më të madh për një popull, që i thuhet të eci, kur vendi i tij ka ngecur dhe bën vendnumëro. Rrëfyesi pohon se shkon shpesh nëpër varrime, ngaqë e ndjen thellë përcjelljen e fundit. Sidomos kur nuk e njeh, të ndejrin. “Të panjohurit janë më të dashur dhe në përgjithësi vlejnë kur përcillen.”-nënvizon ai, jo pa ironi. “Ç`fat i keq, si mbeta kështu mes kësaj turme të madhe, absurde, që ikën pas një të vdekuri?! Që e mbartin vetë dhe s`e hedhin në asnjë gropë?” Fantazma nga arkëmorti duket, sikur thërret: “Hidheni në Lanë!” (Ty të përshfaqet arkivoli i Azemit në bulevard drejt kryeministrisë, sikurse shëtiteshin në kohën e qoftëlargut, ata që vriteshin në kufi.) IIPoeti i pëndjekur, jo autori, kërkon t`i vidhet këtij funerali të pakuptimtë dhe mizor. Ka frikë se mos diktohet. “Na shkoi jeta dëm pas një arkivoli.”-i ankohet vetes. “I persekutuari kështu mbetet gjithmonë, mërmërit”, në kohë zhurmuesish. Fjalë të reja, sikur i binin nga xhepat e grisura. Arnat në rroba ngjyra-ngjyra, si harta e botës. “Më mirë i grisur se sa i krisur.”-ngushullon veten. E kap mëdyshja: duhet ta braktisë apo jo funeralin? Pse po e lënë kren e funeralit dhe po shkojnë drejt fundit të kortezhit? Mos kanë qëllim t`i heqin ceremonisë mortore autoritetin, që i jep shtrati i topit, ndërkohë i bërë leckë topi? Një tym duhani për të është më i shtrenjtë se të gjithë tymrat e Luftës së Parë, të Dytë dhe i së Tretës. Shfaqet “armiku i padukshëm”, viRusi, që po e mban botën në zi. Pse friken? Tani është hequr dhe dënimi me vdekje. Ndërruan drejtuesit kryesor të funeralit. “Por nga vijnë, kush i cakton, si zgjidhen? Me mënyra dhe mjete të ndryshme, qendër zëri, thashetheme, fletushka, gazeta e re e funeralit, mërmërimë, fjalime, porosi që duhej t`i përcillje tek tjetri, të gjitha në ecje e sipër.” Me hapjen e agjensive të funeralit nisin sfiladat, karvani i veturave me flamuj partiakë, radhët në ambasadët e huaja, turma që i shkojnë pas “kufomave politike”. Po kërkohej dështimi i funeralit, helmimi i të vdekurit, i cili rrezikonte të përhapte një pandemi. “Ekipi i ri i drejtesëve kishte përvojën. Jo vetëm të këtij funerali, dhe shumica ishin me tituj shkencorë e kishin drejtuar beteja të mëdha.” Aludimi është i qartë, bëhet fjalë për “xhaketat e kthyera”, per ata qe bderrojne pllaken. Dhe ndodh ndryshimi i parë: kreu i funeralit u bë fundi dhe fundi u bë kreu. Si të thuash u dha komanda: prapaktheu! Nis avazi: funerali mashtron veten, duke ardhur rrotull, por e gjitha kjo i shënohej si ecje përpara. “Po vdiste gjithçka që s`duhej të vdiste dhe po rronte gjithçka që s`duhej të rronte.”-nervozohet dëshmimtari i ngjarjeve. “Ne s`kemi qenë funeral, por e kundërta endacakë të ligj.” Një ushtri robërish. Arkivoli është një laborator. Një thesar i shtetit apo një krim i pazbuluar. Dhe sa më i vjetër të jetë krimi aq më e vështirë është ta zbulosh atë. Ndoshta aty është arkivi. Dokumente që zbërthejnë historinë. Kutia e Pandorës apo varka e Nojës. Dhe iknin herë me të në krye dhe herë me të nga pas, duke mbajtur mbi supe boshin. Nëse do shkoni pas ithtarëve, “bijëve bastard të etërve dinakë” keni për të qenë përherë në një funeral, ku i vdekuri mbetet i pakallur. Nëse do besoni tek “bijtë e shekullit të ri” vello e zisë ka për të rënë, si perdet në teatrin shekspirian. Koka “plot tru” nuk ka për t`u përkulur para “tutkunit të art”, sikurse poeti nuk iu nënshtrua diktatorit dhe, virtyti s`do i kërkojë ndjesë vesit… Fatbardh Amursi (Rustemi)