
Sot, Shoqata Shqiptare Amerikane “BIJTE E SHQIPES” feston me krenari 23 vjet punë me përkushtim dhe pasion për të realizuar misionin e saj. Gjatë këtyre dy dekadave, kemi punuar së bashku për të ruajtur dhe promovuar gjuhën, kulturën dhe traditat tona shqiptare, duke organizuar aktivitete dhe ngjarje që kanë forcuar lidhjet brenda komunitetit tonë dhe kanë sjellë një pasqyrë të pasur të trashëgimisë sonë. Organizimi i ngjarjeve historike, letrare, aktiviteteve me nxenesit e shkollës, deri tek veprimtaritë që kanë sjellë së bashku njerëz nga të gjitha shtresat e komunitetit.
Krenaria e shoqatës tonë është shkolla shqipe “Gjuha Jonë” ku për më shumë se 20 vjet fëmijët e komunitetit mësojnë gjuhën e nënës, kulturën dhe historinë e kombit shqiptar. Falenderoj mësueset e shkollës shqipe, nxënësit dhe prindërit e tyre për punën e palodhur dhe me përkushtim.
Ky udhëtim nuk do të kishte qenë i mundur pa punën dhe kontributin e themeluesve të shoqatës që hodhën bazat për gjithçka që kemi arritur sot.
Gjithashtu, falenderoj anëtarët e komunitetit, donatorët dhe vullnetarët, të cilët kanë kontribuar për të bërë këtë rrugëtim të mundur dhe jane mbeshtetesit kryesore te shoqates. Pa angazhimin dhe mbështetjen tuaj, nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Jemi thellësisht mirënjohës për të gjithë ata që kanë dhënë mundin dhe perkushtimin e tyre për të siguruar që Shoqata Shqiptare Amerikane vazhdon të mbetet një qendër e fortë e ruajtjes dhe promovimit të pasurisë tonë kulturore.
Një mirënjohje të veçantë shkon për Keshillin Drejtues të shoqatës, i cili ka udhëhequr me përkushtim çdo hap të këtij udhëtimi VULLNETARISHT. Puna e palodhur e anëtarëve të keshillit drejtues ka qenë thelbësore në organizimin e aktiviteteve që jo vetëm promovojnë kulturën dhe gjuhën shqiptare, por edhe sigurojnë se traditat tona mbeten të gjalla dhe përcillen me krenari tek brezat që vijnë.
Ndërsa shohim pas 23 viteve të kaluara, mbushim zemrat me krenari dhe mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë udhëtim të përbashkët. Ja ku jemi, të bashkuar dhe të gatshëm të vazhdojmë të punojmë për të ruajtur trashëgiminë tonë për brezat që do të vijnë dhe të vazhdojmë të rritemi te bashkuar si komunitet. Mund te arrijmë shumë kur punojmë së bashku!
Faleminderit të gjithëve që e bëtë këtë udhëtim të mundur!
Me mirënjohje dhe respekt
Dritan Matraku
Kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia, 24 Shkurt, 2025