–– Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” , ashtu si gjatë të gjithë historisë së saj 108 Vjecare, është aty ku vendosen fatet e Kombit. Një ekip i Vatrës po i ndjek nga afër bisedimet: Kryetari Elmi Berisha dhe Presidenti i Nderit Agim Rexhaj me bashkëpunëtorët e tyre në Washington janë në kontakt të vazhdueshëm me delegacionin negociues të Qeverisë së Kosovës-
Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, ka deklaruar të enjten se është arritur progres në ndërmjet dy liderëve, të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimi Hoti- Vuçiq është duke u mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington,raporton Evropa e Lire.
“Liderët e Serbisë dhe të Kosovës tash janë duke arritur progres. Diskutimet tona këtë mëngjes janë fokusuar në përforcim të lidhjeve ekonomike dhe në normalizim ekonomik. Në pritje për diskutime të mëtejshme këtë pasdite”, tha O’Brien në një postim në Twitter.
Ndërkaq, i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka përgënjeshtruar një medium, i cili ka raportuar se ai i ka paraqitur presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një dokument për nënshkrimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës.
“E pavërtetë”, ka shkruar Grenell në profilin e tij në Twitter.
Më herët, ministri i Financave i Qeverisë së Serbisë, Sinisha Malli, i cili është pjesë e delegacionit të Serbisë në Uashington, u ka thënë gazetarëve që Serbia, gjatë bisedimeve, “po lufton për çdo fjali dhe për çdo fjalë”.
“Temat ekonomike, është e dukshme që nuk janë përparësi, ashtu siç kemi pritur. Pika e dhjetë e listës që na është prezantuar, flet për njohjen e ndërsjellë, ndërkaq të 16 pikat janë politike dhe jo ekonomike, të cilat i kemi pritur”, tha Malli.
Ai vlerësoi që presioni ndaj delegacionit serb është “i madh”.
“Deri më tash, ky është propozimi më i keq që e kemi parë në historinë e bisedimeve tona me shqiptarët. Por, nuk do të sprapsemi dhe do të luftojmë”, theksoi Malli gjatë një deklarate për gazetarë para Shtëpisë së Bardhë.
Në pyetjen se a mund të pritet që takimet të vazhdojnë edhe nesër, Malli ka theksuar që lidhur me këtë nuk dëshiron të spekulojë.
Përfundon pjesa e parë e takimit
Në Shtëpinë e Bardhë në Uashington është duke u zhvilluar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Avdullah Hoti dhe Aleksandar Vuçiq, lidhur me bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i Posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, janë nikoqirë të takimit.
Arritja e liderëve, të Kosovës dhe atij të Serbisë, ishte konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Twitter, nga Këshilli për Siguri Kombëtare i SHBA-së.
Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.
“Sot jam i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me Perëndimin”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.
“Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar mes dy vendeve që është vetëm njohja reciproke”, ka deklaruar Hoti.
“Sot fillojmë me shumë pozitivitet takimin në Shtëpinë e Bardhë bashkë me delegacionin për të diskutuar projektet e zhvillimit ekonomik në mes të dy vendeve. Pritjet i kemi jashtëzakonisht pozitive me komunikimet që kemi pasur deri më tash. Unë ju falënderoj për interesimin, do të keni informata sapo ta kryejmë raundin e parë të takimeve”, ka shtuar ai.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.
“Ne duam paqe, duam stabilitet, duam përparimin e Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë rajonit tonë, dhe mbi të gjitha do të duhet të kujdesemi për njerëzit tanë në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.
Ai i ka quajtur si arrogante deklaratat e zyrtarëve të Kosovës në lidhje me njohjen e Kosovës.
“Mesazhi im për të gjithë në Serbi është: Dorëzimi asnjëherë nuk ka qenë opsion”, ka thënë Vuçiq.
Të mërkurën O’Brien ka thënë se diskutimet në Shtëpinë e Bardhë, mes përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, do të çojnë përpara paqen përmes bashkëpunimit ekonomik.
Paraprakisht ishte bërë e ditur se diskutimet mes këtyre dy shteteve do të zhvilloheshin më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Për tash, nuk është e sigurt se bisedat do të vazhdojnë edhe pas 4 shtatorit.
“Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, ka deklaruar, në kushte anonimiteti, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë të martën.
Është paralajmëruar se projektet infrastrukturore do të jenë temat e takimit të liderëve, të Kosovës dhe Serbisë, në Shtëpinë e Bardhë. Në kuadër të kësaj, pritet finalizimi i marrëveshjeve për transportin ajror, rrugor dhe hekurudhor mes Kosovës dhe Serbisë, çështjet mbi të cilat Kosova dhe Serbia në fillim të këtij viti kanë arritur pajtim me qëllim të normalizimit të transportit, me ndërmjetësimin e Grenellit.
“Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve, për të cilat kemi rënë dakord tashmë – për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik “, ka thënë një zyrtar i administratës amerikane, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë. Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje” për të cilën palët bien dakord.
“Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej”, tha ai.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se ka mirëpritur ftesën e Shtëpisë së Bardhë për takimin e ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë ditën e enjte, “në kërkim të një marrëveshjeje për paqe”.
“E inkurajoj delegacionin e Kosovës për të bërë hapa të guximshëm drejt paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” po i ndjek nga afër bisedimet KOSOVË-SERBI-
– – Fedrata Panshqiptare e Amerikës “VATRA” , ashtu si gjatë të gjithë historisë së saj 108 Vjecare, është aty ku vendosen fatet e Kombit. Një ekip i Vatrës po i ndjek nga afër bisedimet: Kryetari Elmi Berisha dhe Presidenti i Nderit Agim Rexhaj me bashkëpunëtorët e tyre në Washington janë në kontakt të vazhdueshëm me delegacionin negociues të Qeverisë së Kosovës-
Federeata Panshiptare e Amerikës VATRA është duke i ndjekur nga afër bisedimet Kosovë –Serbi. Kryetari i Vatrës z. Elmi Berisha, I kontaktuar nga kryeredaktori I Diellit, tha nga Ëashingtoni se VATRA ka qenë afër delegacionit të Kosovës dhe ka pasë kontakte edhe para bisedimeve edhe përgjatë bisedimeve.Sot dhe nesër ekipi i Vatrës do të vazhdojë të qëndrojë në Washington.
Gjatë ditës së bisedimeve në Washington janë të pranishëm Kryetari Elmi Berisha, Presidenti i nderit Agim Rexhaj,nënkryetari Besim Malota, arkëtari Marjan Cubi, anëtari i këshillit të Vatrës Mehmet Kadrija e të tjerë. Ndërkohë ekipi i Vatrës ka pasë takime me miq amerikanë të interesuar për Kosovën. Në mbrëmje, vatranët me kryetarin e tyre Berisha e Presidentin e Nderit Rexhaj,do të jenë në një darkë pune me kryeministrin dhe delegacionin negociator.