Kosta Nake/
Një zbritje në fushën e përballjes, një dalje nga hullia e romanit për të rikrijuar një tragjedi. I bindur për analogjinë që vendos autori me realitetin shqiptar dhe me sistemet diktatoriale të të gjitha kohërave, për herë të parë në anët e faqeve kam bërë shënimet “tak”, “trak”, “trak- truk”, “shtrak”, “shtraka-shtruk”, sipas intesitetit me të cilin ekspozohet aktualiteti pavarësisht se dukjet janë në qiell, në tokë, apo nëntokë. Këto shënime janë aq të shumta, sa do të zinin një hapësirë të konsiderueshme, prandaj po sjell vetëm një përzgjedhje.
“Në Olymp diçka po ndodh. Kurse ca syleshë ose që hiqen ashtu, duan të na bindin për të kundërtën: punët venë mirë e më mirë, e ardhmja është e ndritur, uniteti midis zotave s’ka qenë kurrë kaq i fortë.” (f. 17) Ne, që e kemi jetuar atë kohë, i kemi dëgjuar sa herë deklaratat për unitet brenda radhëve të partisë. “Nuk është hera e parë që ndodh kjo: hapet fjala se po bëhet një mbledhje për thatësirën dhe pastaj del se qenka zbuluar një komplot.” (f. 24) “Tani pritet një valë e re spastrimesh.” (f. 87) Vitet ’70 të shekullit që lamë pas, ishte krijuar ideja sikur atmosfera ishte mbushur me grupe armiqësore.
“Kur ka ndonjë përleshje, na thërresin. Përherë si rrogëtarë. Pastaj, me të mbaruar punë, na vënë shkelmin.” (f. 34) Edhe pse këto fjalë vendosjen në bisedën midis të burgosurve politikë, ajo ka vlerë përgjithësuese për shumë shtresa të popullsisë, madje shtrihet edhe mbi tranzicionin tonë, po të mbajmë parasysh se tragjedia u shkrua në vitin 1996. “Kështu ka qenë gjithmonë në Olymp. Të gjithë e përfytyrojnë jetën këtu si parajsë. Muzikë, këngë të nimfave, pasdite të prillit me gotën e nektarit përpara, duke filozofuar. Kurse në të vërtetë, është tjetër gjë. Ankth, dyshime. Komplote të qena e të paqena.” (f. 38) “Kur me një banor të Olympit jam kaq i pamëshirshëm, e merrni me mend si do të jem me ju të tjerët.” (f. 88).
Këtu nuk është e vështirë të thuash që jemi te Blloku. Ja dhe një tablo përmbledhëse e veprës: Të dënuarit në farefis dhe dëbimet; krahasimi mes Athinës dhe Spartës, mes demokracive demagogjike dhe diktaturave të deklaruara hapur; Eskilit i kërkojnë që dramën, para se ta sjellë në teatër, duhet ta çojë te strategu, çka nënkupton censurën; braktisja e Athinës prej Eskilit na çon menjëherë te ikja e vetë Kadaresë.
Antagonizmi Zeus – Promethe mund të shikohet në disa rrafshe duke kapur përmasa universale. Nga njëra anë kemi një zot/njeri të kapur fort pas fronit të pushtetit që për ta mbajtur atë, gjithkush i duket komplotist, nga ana tjetër kemi një zot/njeri tjetër që ekzistencën e vet e lidh me njerëzimin. Regjimet tiranike janë monstra që kryejnë krime të përbindshme. Pas mbërthimit në shkëmbin e Kaukazit, Zeusi e qëllon me rrufe dhe e gropos në një kthinë pranë ferrit, pastaj e rikthen për ta mbërthyer në shkëmb nën goditjet e shkabës që ia ha mëlçinë. Në dukjen e trembëdhjetë, rikthimi i Prometheut në Olymp duket si komedia “Shumë zhurmë për asgjë”, por nuk është kështu dhe shpjegimin e bën vetë Zeusi: “Ka patur raste kur heronjtë e pamposhtur që s’i theu as shpata e as rrufeja, i mposhti froni ose posti i lartë.”
Ka dhe një shpjegim tjetër për këtë antagonizëm dhe është përsëri Zeusi që flet: “Unë kam menduar se njeriut nuk i duhet dhënë as përkryerje e as liri pa cak. Ti ke qenë për të kundërtën. Unë kam menduar se truri njerëzor është bisha më e lemerishme, ndaj duhet të jetë i lidhur me vargonj. Ti, përkundrazi, ke qenë për lirinë dhe harlisjen e tij.” Pastaj vjen një shpjegim kadarejan që lidhet me ndarjen e aktit të sjelljes së zjarrit me mosmirënjohjen njerëzore, madje ka një fare pezmi se njerëzimi po shkon drejt një krize të ngjashme me atë që ndodhi gjatë pandemisë së covidit.
Reabilitimi i Prometeut kërkon flijimin e shkabës që nuk është e vështirë të identifikohet me sigurimin e shtetit në tërësi ose figura të veçanta të tij, por kjo do realizohet me dorën e Herkulit dhe vetë ai duhet të helmohet – një zinxhir vrasjesh për të cilat Poseidoni thotë: “Kjo punë, ashtu siç nis, ashtu mbaron, me gjak.”
Është e njohur lehtësia me të cilën Kadare lëviz gjeografikisht në perandorinë e vet letrare, po në këtë vepër, krahas lëvizjeve vertikale qiell – tokë – nëntokë, kemi edhe një lëvizje me shpejtësi drite nga antikiteti, te lindja e Krishtit dhe në ditët tona. Hapësira dedikuar Krishtit që kthehet në apel pacifizmi, përligjet nga vetë Prometeu me thënien “bota s’është veç një zëvendësim shembëllimesh”; kjo mund të sjellë qejfmbetje nga muslimanët, prandaj bën një shtesë zbutëse: “Pastaj e braktisën Krishtin dhe gjetën të tjerë, Muhametin, Budën, Jehovain, Leninin, Djallin.”
Monologu i Prometeut në dukjen e trembëdhjetë mund të ishte më i kursyer, (ai zë tri faqe) pasi shumë nga mesazhet ishin përcjellë. Kadaresë i rri ngushtë kostumi dramatik, prandaj ai brenda kllapave shpjeguese të përshkrimit të skenës dhe lëvizjeve, nuk i ka shpëtuar tundimit prej romancieri për informacion që është i padukshëm kur bëhet inskenimi. Kjo bie në sy sidomos në përfundim të dukjes së gjashtë kur shkruan: “Dramaturgu matet t’i klithë fajtorit ‘Ç’bëre kështu?’; në përfundim të dukjes së njëmbëdhjetë dhe në fillim të dukjes së trembëdhjetë gjejmë dy pyetje retorike: “Krijohet përshtypja se mund të vijë një çast që ato do të jenë të nevojshme. Për të pranguar prapë Prometheun? Që Prometheu, në acarimin që mund të ketë me Zeusin, të mund t’ia tundë mu në turi, duke klithur: me këto ti kujtove se do të më mposhtje?” Duke lexuar për shkrimtarin zvicerian Karl Spiteler, zbulova se edhe ai pati shkruar në vitin 1881 një prozë poetike alegorike me emrat e dy vëllezërve “Prometheu dhe Epimetheu”.
(Tragjedia “Stinë e mërzitshme në Olymp” e Ismail Kadaresë, Tiranë, 2002)