Eshtë zilia, jo paraja, që e bën botën të lëvizë, ndërsa barrierat, fortesat, hendeqet, gardhet, kufinjtë janë vetëm disa forma për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj. /
Nga Astrit Lulushi/
Loja është mënyrë rituale dhe pandërgjegje e të vepruarit – pjesëmarrja në ‘të do të thotë që njerëzit duhet të pranojnë rezultatin. Mundësitë për të fituar janë të barabarta, kushtet jo. Sepse të ardhur nga shtresa të ndryshme njerëzit nuk janë të përgatitur të gjithë njësoj. Ashtu si demokracia, e cila garanton vetëm barazinë e mundësive, dhe njerëzit japin pëlqimin për t’u qeverisur – edhe kur janë në anën e humbjes. Politikanët u luten njerëzve për të dalë për të votuar, sepse votimi është forma më e thjeshtë dhe më e lehtë për t’u shprehur; edhe kur pjesmarrja është minimale, të gjithë nënshtrohen për t’u qeverisur, pavarësisht se kush fiton.
Eshtë zilia, jo paraja, që e bën botën të lëvizë, ndërsa barrierat, fortesat, hendeqet, gardhet, kufinjtë janë vetëm disa forma për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj. Por mendjet e kujdesshme kanë si dhuratë natyrore një tjetër mbrojtje që quhet Skepticizëm. Nëse e ruani këtë, nuk do të keni frikë nga asnjë e keqe, u thoshte njerëzve Demosteni (384 B.C.-322 B.C.)
Kur shoqëria dominohet nga një besim kolektivist, udhëheqja e saj në mënyrë të pashmangshme bëhet autokratike dhe një ditë do të shkatërrojë vetveten. Autokrati është si fëmija që nuk i përgjigjet asnjë të bërtiture për t’i kushtuar vëmendje. Nëse situata, problemet nuk i interesojnë, vëmendja e tij përqëndrohet në atë që i intereson, dhe asnjë lloj kërcënim nuk e kthen atë nga rruga deri sa përmbyset. Një mësues nuk është kurrë dhënës i së vërtetës – ai është një udhëzues, një tregues i së vërtetës që secili nxënës duhet të gjejë për vete. Liria është parandaluese së keqes së mendjes, shoqërisë dhe individit. Sipas një reference të Platonit, mendja e shkallës së tretë është e lumtur vetëm kur mendon me shumicën. Mendja e shkallës së dytë është e lumtur vetëm kur mendon me pakicën. Mendja e shkallës së parë është e lumtur thjesht vetëm kur mendon. Çështja është se njerëzit që nuk dinë janë kokëfortë dhe inteligjentët plot dyshime.