NJË LIBËR ME VLERË QË VË NË PAH KONTRIBUTIN SHUMËDIMENSIONAL TË SHTJEFËN GJEÇOVIT-
“At Shtjefën Gjeçovi shkencëtar e atdhetar”, Zym-Prizren, 2020– Përgatiti dhe redaktoi Nue Oroshi–
Libri ”At Shtjefën Gjeçovi shkëncëtar e atdhetar”, është një tjetër kontribut i Gjeçovologëve, i vënies në pah të kontributeve të Gjeçovit, në të gjitha fushat ku ai la gjurmë gjatë 54 viteve të jetës së tij, e cila i ndërpre dhunshëm më 14 tetor 1929
Shkruan: Besim Muhadri
Sapo ka dalë nga shtypi libri ”At Shtjefën Gjeçovi shkëncëtar e atdhetar”, i cili është një libër i hartuar nga kumtesat e lexuara në Sesionin e IV shkencor, të mbajtur në Zym të Hasit, më 30 nëntor 2019, që iu kishtuar 90-vjetorit të shkuarjes në amshim të këtij kolosi të dijes e të kulturës sonë. I paraprirë nga fjala hyrëse e redaktorit dhe përgatitësit të librit, Nue Oroshi, libri përbëhet nga 29 kumtesa, në të cilat “shoshitet” mirë kontributi i Atë Shtjefnit, pothuajse në të gjitha lëmitë ku ai la gjurmë themeluese. Frrok Kristaj në kumtesën e tij “At Shtjefën Gjeçovi mësues i shkollës shqipe”, flet për kontributin e Gjeçovit dhënë shkollës shqipe dhe arsimit tonë kombëtar ku ai la vulën e themelimit. Me hapjen e 11 shkollave shqipe, Gjeçovi përveç që dha kontribut të jashtëzakonshëm, ai mbeti edhe hero. Madje edhe vrasja e tij nga regjimi serb, mund të ndërlidhet me aktivitetin e tij në hapjen e shkollave shqipe kudo që punoi. Në studimin e Kristajt Gjeçovin, përveç si mësues, e shohim edhe si hartues tekstesh mësimore, themelues bibliotekash shkollore, koleksionist etj. etj.
Kumtesa e Nue Oroshit “Bashkëpunimi i At Shtjefën Gjeçovit me studuiesen gjermane Marie Amelie Frein Von Godin në botimin në gjuhën gjermane të Kanunit të Lekë Dukagjinit” hedh dritë mbi një aspekt më pak të njohur deri më tani, siç është bashkëpunimi i Gjeçovit me studiuesen gjermane Marie Ammelie Frein Godiun, e cila kulturës dhe historisë shqiptare nga vitet 1912-1956, të botuara në revistat më prestigjioze, siç tregon autori i shkrimit, i ka dhënë mbi njëzet vepra. Ky bashkëpunim i Gjeçovit ka të bëjë me njohjen dhe studimin e kulturës sonë ndër qarqet e studiuesve gjermanë, prandaj në këtë kontekst, vjen edhe përkthimi në gjermanisht i Kanunit të Lekë Dukagjinit.
Përkthimit të Kanunit në gjermanisht ( i bërë në vitet tridhjetë) i vjen radha e botimit në në vitin 1953, përkatësisht në numrin 56, 57 dhe 58 të revistës “Zetschrift fur vergleichende Rechtswissenschaft einschlieslisch der ethnologischen Rechtsforschung”, që ishte botim i Shtëpisë Botuese “Ferdinant Enke Verlag Stuttgard”, prej faqes 1-46, me titull “Das Albanische Gewohnheitsrech” Marie Amelie Frein von Godin nga Munihu. Oroshi, po ashtu, njofton se autorja në fjalë, përveç kësaj dhe shkrimeve të tjera, në vitin 1951 kishte botuar edhe një studim mbi jetën dhe veprën e Gjeçovit.
Studimi i radhës, pas Oroshit, është ai i Nexhat Çoçajt, i cili na ofron të dhëna në lidhje me aktivitetin kombëtar të Gjeçovit në pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, që sipas studiuesit ishte edhe njëri ndër shkaqet më të mundshme i kurdisjes e më pas edhe i vrasjes së tij nga ana e pushtuesit serb.
Kumtesa e Kastriot Markut “At Shtjefën Gjeçovi në Laç të Kurbinit”, ka të bëjë me kontributin e Gjeçovit në hapjen e shkollës shqipe, bibliotekës së shkollës, organizimin e muzeut të fshatit e shumë e shumë aktiviteteve të tjera kombëtare e arsimore, në fillimet e tij si meshëtar.
Kumtesa e Ndue Kajtazit “Pse u vra Gjeçovi”, mëton të tregojë arsyet, por edhe rrethanat e vrasjes së këtij atdhetari të shquar. Ndërsa ai citon edhe shumë studiues e bashkëkohës të Gjeçovit në lidhje me martirizimin e tij, që mbi të gjitha ishte çështja shqiptare, që e bën këtë një nga personalitetet e dashura dhe martir i shqiptarzimës.
Të njëjtin mesazh ka edhe kumtesa e Besim Morinës me titull “At Shtjëfen Gjeçovi, meshëtari ynë i cili deri në frymën e fundit mbeti besnik i binomit për fe e atdhe”. Ndërkaq kumtesa e Tomë Mrijjat “Në Zllakuqan at Shtjefën Gjeçovi O.F. M gjeti etjen për dije dhe vatrën e ngrohtë kombëtare”, tregon përmasën e përkushtimit të Gjeçovit në fushën e përhapjes së dijes e të atdhetarisë.
Leonora Laçi me studimin “Veprimtaria e at Shtjefën Gjeçovit në Gomsiqe”, sjell kontributin e Gjeçovit në Gosmiqe, që është edhe vendi ku ai shërbeu për një kohë më të gjatë dhe ku zhvilloi një veprimtari të shumashme si mësues, folklorist, etgnograf, arkeolog, historian e shkrimtar.
Enver Sulaj në kumtesën e tij shpalos përmasën e rolit dhe kontributit të Gjeçovit në ndriçimin e vrasjes së Luigj Palajt (1913), një tjetër martiri, ështrat e të cilit ai i zhvarrosi dhe i solli në Zym të Hasit më 1928.
Fatmir Minguli na sjell disa refleksione të reja mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, që kanë të bëjnë me botimin e tij, por edhe me ribotimin dhe përkthimin e tij në gjuhë të shumta të botës, si në gjermanisht, qoftë nga Merie Amelie (në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar) e më pas edhe nga Robet Elsie (2001) dhe së fundi nga Bardhec Berisha dhe Prend Buzhala (2016). Po ashtu ai na njofton edhe me përkthime në gjuhë të tjera, si në spanjisht nga Dr. Erisa Ajazi, që në titullin “El kanun de Lekë Dukagjini” u botua në vitin 2016 nga Botime EDEA, Tiranë.
Po ashtu autori në fjalë tregon për botimin anglisht në Nju Jork në vitin 1989 nga Gjonleka Pulishing dhe në përkthim të Leonard Fox. Minguli flet edhe për botime të tjera të Kanunit,e veçanërishtr për botimin e Botimeve Françaskene të variantit të përgatitur që nga viti 1944 nga At Bedekt Dema dhe Dr. Edmid Tedskini, që u realizua në vitin 2018.
Prend Buzhala në kumtesën e tij flet për antropologjinë dhe etosin nacional të Kuvendit dhe Pleqnisë në vëprën, por edhe në konceptin e Gjeçovit. Ndërkaq, Besim Muhadri, shpërfaq kontributin e studiuesit italian Xhuzepe Kastaleti në lidhje me studimet për Kanunin e Lekë Dukagjinit, të mbledhur e të kodifikuar nga Gjeçovi.
Xhemal Meçi kumtesën e tij e ka titulluar “Atë Shtjefën Gjeçovi Kryeziu për “Kanu vigajsh” në të drejtën kanunore popullore shqiptare”, kurse studiuesi Mark Palnikaj në kumtesën e tij i bën një vështrim kritike veprës së Gjeçovit “Kanuni i Lekë Dukagjinit”; Zog Çoçaj elaboron veprimtarinë kombëtare, fetare dhe arsimore të Gjeçovit në Zym të Hasit, ku edhe u vra.
Studiuesi Isuf B. Bajrami në kumtesën e tij përqëndrohet te kontributi i Gjeçovit në fushën e ilumizmit dhe atdhetarizmit, të cilat sipas tij ishin dhe mbeten tipare qenësore të jetës por edhe veprës dhe veprimtarisë së Gjeçovit, ndërtkaq, Rezehana Hysa, te shumëdimensionaliteti i figurës së Gjeçovit.
Nikollë Loka, fokusohet te raportet dhe bashkëpunimi i Gjeçovit, me krerët e lëvizjeve kombëtare dhe politike të kohës, në këtë rast në Mirditë me, princin mirditor, Preng Bibë Dodën. Autori, në kumtesën e tij, përveç të tjerash, flet edhe për respektin e ndërsjellë që kishin Gjeçovi dhe Prengë Bibdoda, me të cilin, përveç respektit, Gjeçovi kishte kundërshtime dhe mospajtime. Autori në punimin e tij na sjell edhe letërkëmbimin e Gjeçovit me princin e Mirditës Preng Bibë Dodën, që është mjaft me rëndësi për të njohur edhe këtë dimension të Gjeçovit.
Pal Canaj flet për Besën si vlerë autentike të etnopsikologjisë shqiptare: Si normë e hershme etike, si normë e kodifikuar në Kanun, si refleksion i bashkëkohësisë etj.
Mikel Gojani shpërfaq kontributin arsimor të Gjeçovit, në veçanti si themelues i shkollës shqipe në Zllakuqan, që nga viti i largët 1897, ku ai si 23 vjeçar kishte ardhur për të shërbyer si famullitar. Gojani flet për kontributin e Gjeçovit në ngritjen e vetëdijës kombëtare tek popullata e atëhershme, edhe pse shumë i ri, por tepër i formuar si në aspektin kombëtar, ashtu edhe human e intelektual.
Kristinë Oroshi në kumtesën e saj prezanton disa refleksione në lidhje me librin e Don Viktor Sopit “Gjeçovi-tradita dhe qyterërimi shqiptar”, ndërsa Rovena Vata për librin e Nexhat Çoçajt, “Të pathënat për Gjeçovin”, i promovuar në ditën e mbajtjes së sesionit shkencor në 90-vjetorin e vdekjes së Gjeçovit. Sipas studiueses Vata, Nexhat sjell të dhëna interesante për jetën dhe veprimtarinë e Gjeçovit, duke e ilustruar dhe ofruar shumë fakte shkencore, po edhe nga arkiva e kujtesës popullore, që e bëjnë këtë libër më interesant dhe tepër të veçantë.
Në kumtesën “At Shtjefën Gjeçovi famullitar dhe mësues i gjuhës shqipe”, Zeqir Kadriu flet për veprimtarinë kulturore dhe edukative të Shtjefën Gjeçovit në kolegjet françeskane. Kurse kumtesa e Murat Ajvazit, është një kontribut i autorit në ndriçimin e rolit dhe kontributit të Gjeçovit në parandalimin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi si dhe të bashkëpunimit të Gjeçovit me shqiptarët e besimit islam në lidhje me këtë shqetësim kombëtar të kohës.
Ndue Dedaj, sjell një analizë të monografisë së Tonin Alisë në lidhje me ndriçimin e rrënjëve historike të të parëve të tij, rrugëtimi nëpër gjenealogjinë e të parëve të vet, i cili do ta shpie natyrshëm te Gjeçovi, si njëri ndër bijtë e devotshëm të kësaj dere në zë në Pukë dhe në mbarë Shqipërinë e Veriut.
Tonin Alia në këtë libër na prezantohet edhe me vështrimin rreth librit të Gjeçovit “Agimi i Gjytenisë”, kurse Lekë Mrijaj në kumtesën e tij flet për kontributin e lugdrinasve për ndriçimin e veprës së At Shtjefën Gjeçovit.
Libri “At Shtjefën Gjeçovi shkencëtar e atdhetar”, i përgatitur nga Nue Oroshi përmbyllet me shkrimin e Namik Selmanit “Mesha e pambaruar për Shtjefën Gjeçovin”, që është një ese për figurën madhore të Shtjefnit por edhe të Luigj Palajt, ku ai shpërfaq disa ekspresione në lidhje me këto dy figura markante të atdhetarisë e të meshëtarisë shqipe në Kosovë, të cilët u martirizuan për “Atme e fe”.
Padyshim se libri At Shtjefën Gjeçovi shkencëtar e atdhetar është një kontribut i rëndësishëm i studiuesve të shumë, të cilët me kumtesat e tyre mëtojnë të shpalosindisa nga kontributet e pamohueshme të këtij kolosi të dijes, kulturës e të atdhetarisë. Me këtë libër, puna dhe kontributi i Gjeçovit sa vjen e bëhet më i ndritur dhe më e rrëfyeshme, por që mbetet për të bërë ende në ndriçimin e gjithë punës dhe veprimtarsië së tij të gjithanshme,derisa vepra të shumta të tij ende presin të shohin dritën e botimit.