![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2023/01/image_6487327.jpg)
Vështrim nga përkthyesi i veprës në anglisht, prof. Bashkim Bardhi.
Autori Prend Ndoja kësaj radhe paraqitet para lexuesve me vëllimin me ese “Udhës së mërgimtarit” i cili po ashtu është përkthyer edhe në anglisht: “On the route of the immigrant”. Në fillim të librit, autori paraqet jetën e tij në vendlindje, e cila është përshkruar me jetën e lumtur në mesin e bashkëfshatarëve, ku ka dominuar harmonia, ndihma për të tjerët në momente të caktuara krize, gëzimi apo hidhërimi, gjallëria dhe bukuria e natyrës etj. Në kapitullin tjetër është përshkruar lufta dhe përpjekjet e tjetra të zhvilluara për mbijetesën e kombit. Këtë e ka ilustruar edhe me një këngë të kënduar nga Bik Ndoja, Shyqëri Alushi etj., ku i ka dhënë zjarr zemrave të një populli të tërë. Pasi në këtë mes ka nga ata të cilët e njohin gjuhën angleze këtë këngë e cila ështe shkrir në rimën e gjuhës shqipe do ta lexoj në anglisht në përkthimin e librit:
Echoes Gorge of Kaçanik,
Set on fire these mountains stones
Over the pens of Anadol
Is ignited Albanian cannon
Our castles never broken
Our land to safeguard
“Tirq” soutanes and “xhubleta”
Gunpowder knitted are
Hey, Kaçanik of rock and stone
For flag killed and slaughtered
For the flag of Skenderi
Fighting sons of Idriz Seferi!
Me rastin e shtrembërimit të fakteve për betejën e Kosovës (1389), për të cilat shkruan edhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, autori po ashtu i jep vëmendjen e duhur:
Fusha e mbytur në gjak e kllapi shumëgjuhëshe
Shtrihej tutje.
Bashkë me ditën, ballkanasit, u thyen. Medet!
Gadishulli i madh u gdhi Evropë e u ngrys Azi.
The field flooded in blood and multi language
Delirium spreadingaway.
Along with the day, Balkans were defeated. Oh!
The great Peninsula dawned Europe and twilighted Asia.
Siç pohon Kadare, kjo është nata më e errët dhe më e zezë e historisë së Shqipërisë.
Mjaft prekëse është edhe ndarja me antarët e familjes e sidomos me nënën: “…Ai lot i pastër merrte jetë nga sytë e saj të thellë e thinjat e saj që dridheshin. Oh, kisha ofsha me vete e një drithërimë më kishte përshkuar gjithë trupin. Ajo më kishte falur jetën, më kishte rritur dhe edukuar me shumë mundime, që të më kishte pranë vetës si një shkop ku do të mbështetej në ditët e pleqërisë, e tash…”
“That crystal tear got life in her deep eyes and trembinggrizzled hair. Oh, what… would… talking to myself with a prevalent shiver all over my body. She gave birth, raised and brought me up with lots of hardship just to be with me, a crook like to prop during the days of elderly, now…”
Braktisja e Mëmëdheut erdhi plot vuajtje e lot rrugës së mërgimit, ku njëra pjesë ishte trupi e cila mori rrugën e mërgimit dhe tjetra ishte shpirti i cili qëndroi në tokën e të parëve në atdheun e tij. Po ashtu, janë përshkruar edhe shumë peripeci të tjera gjatë imigrimit. Pas kësaj është përshkruar jeta e tij si imigrant në Amerikë dhe aktivitetet në biznes si dhe aktivitete të tjera në shoqatat shqiptare të formuara ne Amerikë. Në vazhdim të narracionit, autori ka kaluar në vetën e tretë por ka folur për veten, në emër të Sokolit-simbol i rinisë kosovare dhe mospajtimi i tij me regjimin aktual të asaj kohe, duke filluar nga peripecitë e shumta me regjimin e asaj kohe dhe shkuarja e tij në armatën Jugosllave, e përcjellur me mjaft maltretime, kërcënime, fyerje e gjer tek alivanosja e tij, shtrimi në spital etj.
Në kapitullin tjetër është përshkruar aktiviteti tij në organizatat shqiptare me qëllimin që të dalin njëzëri me kërkesat dhe qëndrimet e tyre për çështjen e Kosovës. Pason ndihma mes shqiptarëve dhe mbështetja materiale dhe profesionale e cila më vonë i ndihmoi ata të bëhen punëtorë dhe biznesmenë të vyeshëm dhe të lavdëruar nga vendasit. Kështu u përshtatën dhe u integruan shpejt me rrjedhat kulturore në vendin ku jetonin, duke i respektuar rregullat e vendasve dhe bashkë me të duke ruajtur kulturën, traditat dhe ritualet nga origjina e tyre, me stoicizëm dhe me mburrje.
Në kuadër të aktiviteteve të tjera janë organizuar tubime dhe demonstrata për çështjen kombëtare para Senatit Amerikan, në lobime dhe diskutime të vazhdueshme me Bob Doll, Tom Lantosh, Joe Biden e shumë të tjerë. Këto situata si dhe të tjera, gjatë narracionit nëpër esetë me një temë ndryshe, kanë kërkuar që fjalët, si dhe ndërtimi i fjalive të jetë ndryshe në njërën dhe tjetrën. Kështu, shpesh fjalët për ndërtimin e shprehjeve janë zgjedhur edhe sipas kontekstit në libra të ndryshëm, si: oblivion, hearth, tremble, shiver, shake, callous e shumë të tjera.
Sa përket gëzimit të mërgimtarit, kur ai përgatitet mbas sa kohësh të kthehet për vizitë në atdhe, kjo është pasqyruar me një përshkrim mjaft emocional, që nga përgatitja disa ditë pëpara rrugëtimit, pritja si imigrant nga policia kufitare në aeroport me fjalet emocionuese: “Mirë se vini në atdhe!”, çmallja me antarët e familjes, shikimi se çka ka ndryshuar rrugës për në shtëpi, takimi me shokët dhe antarët e tjerë dhe miqtë e familjes të cilët kishin ardhur me u taku, dhe e tërë kjo është përshkruar me mjaft emocione mallëngjyese.
Më pas, autori tregon për kontributin e komunitetit shqiptar në vende të ndryshme lidhur me çështjen kombëtare dhe pasaçërisht të vetëdijesimit në kancelaritë europiane dhe të diplomacisë amerikane, duke përfshirë edhe ndihmat e tjera të llojeve të ndryshme.
Autori po ashtu shkruan për vrasjet mizore të bëra në lokacione të ndryshme të Kosovës, dhe posaçërisht në Meje të Gjakovës, në Reçak, në kullën e Jasharit e të tjera vende në Kosovë.
Në një kapitull tjetër, ai shkruan për të mirën dhe të keqen të cilën e quan “djall”, konkretisht ato fenomene të cilat i përkasin djallit, si: droga, alkoolizmi, dhuna, vrasjet e qenieve njerëzore, dashuria njerëzore e shndërruar në urrejtje etj.
Poeti i shquar Dritëro Agolli shkruan: “Si engjëlli, edhe djalli, janë bashkë tek i gjalli! Varet nga ne se kujt i japim përparësi e kë e ushqejmë brenda vetes”.
Both the angel and the devil are together in the living! It depends who we give priority to and who we feed inside ourselves”.
Miqësia në këtë vepër na shfaqet si vlerë e spikatur ndër shqiptarë, ku bëhet fjalë saktësisht për besën shqiptare kur është sakrifikuar edhe jeta për ta mbajtur atë, tradita, fjala e dhënë, pastaj ndihma reciproke për personat dhe familjet në nevojë, miqësia etj.
Autori e ka filluar me këtë thënie: “A e ke ndjerë veten ndonjëherë më ngushtë se sot? – e pyetën një burrë malesh përpara pushkatimit. “Po. Kur më ka ardhë miku në derë e nuk kam pasë bukë me i dhënë”, – u përgjegj ai.
“Have you ever felt yourself more embarrassed than today”?, – was asked a mountaineer before being shot. “Yes, when my friend came to my house door and I had no a bit of bread to give him”, he replied.
Po ashtu, autori ka shkëputur disa fjale të mençura nga Bob Marley: “Miqtë janë si yjet! Ju mund t’i shihni ata atëherë kur rreth jush është errësirë!”
“Friends are stars like, you can spot them when around you is darkness”.
Në vazhdim, autori Prend Ndoja shkruan për rëndësinë e gjërave të vogla që në fakt kanë një vlerë të madhe, të cilat jo rrallë herë por me hapa të sigurtë dhe në vazhdimësi i prijnë të arriturave të mëdha. Ky ritëm është i mundur për secilin. Kështu, madhështia e njeriut para se të gjithash vlerësohet sipas modestisë së tij dhe vlerave”. Rëndësinë e gjërave të vogla e ka ilustruar me episodin nga jeta e personazhit të quajtur Daniel.
Në kontinuitetin e narracionit, autori shkruan për përdorimin e gjuhës së shkruar për herë të parë në gjuhën shqipe në trevën e Matit, ku Ipeshkëvi i Durrësit, Pal Engjëlli, ka shkruar: “Unë të pagëzonj në Emër të Atit e të Birit e të shpirtit të shenjtë”. Ndërsa shekuj më vonë, “Meshari” i Gjon Buzukut arriti në Romë si libër i pari i shkruar në shqip, ndërsa Pjetër Bogdani do të shkruante “Çetën e Profetëve” shekuj më vonë. Po ashtu, shkruan për shkatërrimin e kishave dhe të gjitha kulteve fetare, për ndjekjen e klerit katolik dhe jo vetëm duke vazhduar me regjimin komunist dhe “Nënën Rusi”.
Në kapitullin tjetër, Ndoja e përshkruan gjuhën shqipe si themel, kur dihet se me të duhet ta njohim historinë dhe rrjedhën e saj, dhe se gjuha nuk është vetëm një tërësi fjalësh, por është e lidhur ngushtë me atë bashkësi etnike që e flet atë, si burim shpirtëror që rrjedh nga mendja e një bashkësie etnike dhe kështu përbën një ndër dallimet apo themelet e një kombi, apo si e thekson profesor Çabej në librin e tij mbi historinë e gjuhës shqipe: “Rrënjët e shqipes duhet të gjenden në një nga gjuhët e lashta të Gadishullit Ballkanik”.
Shkrimtari falënderon të parët tanë të cilët me sfida të mëdha e ruajtën, e përsosën dhe pasuruan gjuhën gjer në ditët tona. Pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, ndodhi një emigracion i madh i arbërve. Shumë prej tyre u vendosën në Italinë e Jugut, të tjerë ndoqën rrugën e Adriatikut Verior gjer në Zarë. Po ashtu, edhe me rrëzimin e sistemit komunist, shumë shqiptarë imigruan në vende të ndryshme të botës, duke u martuar e lindur fëmijë në tokë të huaj. Ata tashmë përbëjnë diasporën e re, me një kontigjent të madh fëmijësh me shtetësi të vendit ku kanë lindur. Autori i brengosur për këtë fenomen ka shprehur në vargjet e Gjergj Fishtës për gjuhën shqipe.
Përkthimi në gjuhën angleze duket kështu:
So, cursed be that Albanian son
Who this language of God
Heritage inherited by ancestors
Neither to the child taught;
Dried his, yes his, mouth be.
That scorns that divine language;
In foreign language, if not in need
Speaks, and lets his own aside.
Autori shkruan për nevojën e hapjeve të shkollave ku ata jetojnë, edhe pse ka përpjekje në këtë drejtim si dhe qendrave të tjera kulturore në gjuhën shqipe. Imigrantët punojnë por po ashtu ata e duan gjuhën e nënës për të shuar mallin për vendlindje.
Vargjet e poetit Ndre Mjeda në anglisht:
Over the tweet of the nightingale
Albanian Language reverberating
Over the scent of the hyacinth
Keeps my heart comforting
These languages listening to
Beautiful based are
But again like this shadiness sun
For me is much better than any one.
Në kapitullin në vijim: “Ka ardhur koha për paqen dhe bashkimin vllazëror” autori shkruan se njëra ndër virtytet më njerëzore dhe e spikatur ndër ne, është drejtësia e cila është kërcënuar së tepërmi, ka pësuar luhatje dhe shpesh është shoqëruar me drama të mëdha dhe humbje të shumta njerëzore, si në luftën e Kosovës të vitit 1999 ose 11 shtatori kur u shkaktuan krime të tmerrshme kundër njerëzimit. Dhe nëse edhe neve na kërcënon dhe rrezikohet paqja, atëherë ndihet nevoja e pashmangshme për thirrjen e madhe për bashkim, mirërkuptim dhe vllazërim, për dashuri e humanizëm, për paqe dhe kështu t’i vejmë themelet e forta për paqen e madhe.
Shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, shkruan: “Uniteti i popullit shqiptar ka qenë përherë i vështirë, ndaj e rëndë dhe tragjike ka qenë dhe historia e tij…”
“…The Albanian unity has always been difficult, as well so hard and tragic was its history…”
Autori vlerëson lart shembullin e prof. Anton Çettës i cili arriti të realizojë me sukses pajtimin dhe faljet më të mëdha të shekullit si dhe të shumë gjaqeve, duke i shërbyer më së miri çështjes së kombit dhe unitetit kombëtar. Vlerëson qëndrimin e drejtuesve të kishës katolike e po ashtu edhe të institucioneve të tjera fetare për qëndrimin e tyre korrekt me dimensione vlerash unike.
Në kapitullin e radhës është trajtuar çështja e kultit të fjalës ndër shqiptarët si të ndjeshëm ndaj një tradite të hershme. Po ashtu është shkruar edhe për besimin dhe ritet e fjalës së dhënë, të shfaqura në mënyrë të ndryshme dhe vende të ndryshme si institucione të besës e i mbajtjes së fjalës së dhënë, si më i ndrituri në jetën e popullit tonë. Kësaj toke, në çdo epokë i kanë rënë në qafë armiqtë e ndryshëm të nxitur nga padija e besytnia, nga lakmia për pushtet, nga gjykimi i ngushtë i të fuqishmit për pushtet dhe të varfërit për ushqim dhe mirëqenie. Në këtë kontekst janë pasqyruar shumë legjenda lidhur me fjalën e dhënë dhe peshën e fuqisë magjike të saj. Miti i fjalës, sikurse dhe miti i vendeve të shenjta, janë pagëzuar me emra shenjëtorësh, si: Guri i shenjtë në Zogaj të Kabashit në Pukë, Guri i gjallë në Selcë të Sharrit (Malësia e Tetovës) jo larg varreve të fshatit, ku gratë shkojnë për të gjetur shërim etj.
Shkrimtari thekson motivin kryesor që të çon në grindje. Ky është ndryshimi i karakterit njerëzor dhe mosmbajtja e fjalës së dhënë, ashpërsia e luftës për pushtet, gabimet, mashtrimet dhe paaftësia drejtuese e politike të cilat çojnë në konflikt. Në një shoqëri të civilizuar dhe të qytetëruar, fjala e dhënë duhët të mbrohet me ligj për të garantuar sigurinë e çdo njeriu. Në kapitullin e radhës, autori shkruan për kishat që u shndërruan në mburojë si kështjella strehimi për mbrojtjen e popullit tonë, duke i respektuar të gjitha kombet dhe kulturat e tjera. Kur të gjithë e kishin të njëjtin hall për t’i shpëtuar vdekjes si vëllezër e motra nga i njëjti armik, të gjithë se bashku i bashkonin lutjet tek i njëjti Zot. Këtu ka mjaft raste kur priftërinjtë shpëtuan jetë njerëzish. Është veçuar rasti i familjes Zajmi nga Gjakova, ku vëllai i vogël, Naimi, i cili vazhdoi rrugën e vëllezërve për lirinë e atdheut, i plagosur rëndë, qëndronte i strehuar te Pal Sokol Ndoja (Rrustem Sokol Ndoja). Pas bisedës me priftin e kishës për strehimin e tij në kishë, ai kaloi aty për më shumë siguri ku qëndroi për një kohë të gjatë. Naimi shpëtoi nga vdekja por mjerisht jo nga shëndeti, ai nga pjesa e poshtme mbeti i palëvizshëm. Familja Zajmi i ishte mirënjohëse priftit të fshatit, dom Marjanit. Këtë rast shkrimtari e ka dhënë për ta treguar si fenomen i virtyteve të larta krahas besës, mikpritjes, qëndrimit fisnik dhe falënderimit të cilin e dëshmoi edhe babai i Naimit. Më pas, kur pushtuesit komunistë serbë e kishin dënuar dom Marjanin me vdekje, me të dëgjuar Shaban Zajmi i besimit Islam, bëri të pamundurën për ta shpëtuar dom Marjanin, dhe ishte i lumtur që i doli në ndihmë.
Rasti tjetër i shënuar gjatë meshës në kishën e Becit (04.04.1999) kur kisha ishte e mbushur për festën e Pashkëve dhe kur forcat serbe në krye me Millutinin, hynë në kishë në mes të meshës, e ndërprenë atë, torturuan besimtarët dhe i urdhëruan ta braktisin fshatin. Po ashtu, edhe në kishën e fshatit Gllogjan, kur një pjesë e familjeve të lodhura, të raskapitura e të maltretuara, u strehuan në kishën e fshatit të cilën e rrethuan forcat serbe për të vrarë gra, fëmijë dhe çdo njeri që është shqiptar. Në ballafaqim me priftin dom Kelmend Spaqin, ata kërkuan t’i ndajnë besimtarë myslimanë dhe t’ia dorëzojnë atyre. Prifti nuk lejoi, u doli atyre përpara me kryqin në dorë e u tha se së pari të shkelni mbi trupin tim, të vdes unë, pastaj motrat e nderit të cilat ishin renditur pas tij. Pastaj iu tha se këtu nuk ka myslimanë apo katolikë por vetëm shqiptarë. Ngaqë bota i vëzhgonte të gjitha ngjarjet, serbët u larguan.
Në kapitullin “Bashkëbisedimi-çelësi i suksesit” është shtruar çështja e formimit dhe e konsolidimit të shtetit Kosovës në një situatë të re politike, kur edhe faktorët ndërkombëtarë ishin bindur se në këtë vend për më shumë se një shekull ishte ushtruar dhunë ekstreme mbi popullsinë autoktone shqiptare, pasardhës të Dardanëve. Themelimi i shtetit të Kosovës është vlerësuar si vepër madhore dhe historike për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Në vijim, autori vlerëson lart marrdhëniet e besimeve fetare si vlerë tashmë e njohur dhe e vlerësuar edhe nga studiues të huaj. Bashkëbisedimi duhet të çojë dhe të jetë në përputhje me të mirën e të gjithëve, pa cënuar besimin dhe bindjen e askujt. Theksohet dialogu i cili duhet të ketë si qëllim përparimin e përbashkët dhe kapërcimin e paragjykimeve, intolerancave, keqkuptimeve dhe prirjen drejt përparimit dhe zhvillimit ekonomik-kulturor, forcimin e besimit etj.
Në kapitullin e fundit: “Raporti i njeriut me natyrën”, natyra e madhe përshkruhet si paraardhëse e njeriut, e cila është krijuar për të shërbyer si vlerë e pazëvendësueshme. Autori shkruan për origjinalitetin e bukurisë natyrore, lidhjen e njeriut me natyrën. Shpesh herë nga dinamika e jetës harrojmë rolin e saj të jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm në jetën tonë. Asnjëherë më parë njeriu nuk ka qenë aq larg natyrës se sa tani, me një teknologji shumë më të avancuar që kemi tani, dhe bota kurrë nuk ka qenë më e pasur se sa është tani, por mund të themi se njerëzit asnjëherë nuk janë ndier më të zbrazët se tani në brendinë e shpirtit të tyre dhe njerëzimi asnjëhjerë nuk ka qenë në një rrezik global se sa ç’është tani. Nëse shkelen ligjet e saj, nëna natyrë bëhet e pamëshirëshme dhe na dënon. Armët për luftëra nuk i shërbejnë botës. Bota ka nevojë të zgjohet!