
Skender Karaqica/
Qyteti i Çikagos, me frymën e jetës urbane dhe të njerëzve të lirë, me tiparet e demokracisë në shtetin e Ilinoisit, është vendi ku jetojnë, punojnë dhe integrohen shqiptarë nga të gjitha trevat etnike, të mirëpritur nga institucionet e shtetit amerikan. Nëpër vite, në këtë qytet pati shumë veprimtari politike dhe kombëtare në kërkim të lirisë së Kosovës, të ndryshimit të sistemit totalitar komunist në Shqipëri, si dhe për avancimin e barazisë së shqiptarëve në hapësirën etnike të shpërndarë në vendet fqinje ballkanike.
Gjatë këtyre viteve, në Çikago u kultivua një frymë e fortë kombëtare përmes shumë organizatave dhe veprimtarëve, të cilët tashmë kanë hyrë në historinë e diasporës shqiptare në Amerikë, në krah të çështjes shqiptare në Ballkan. Ata punuan për të mbajtur gjallë kujtesën e historisë së dhimbshme të marrëveshjeve të fshehta të regjimeve serbe, përmes krijesës ogurzezë për shqiptarët – Jugosllavisë – të papranuar si shtet i tyre, si dhe përballë skenarëve të shpërnguljeve drejt Anadollit dhe planeve të tjera shfarosëse të kohëve vrastare.
Në shumë ngjarje në Çikago, veprimtarët nuk e ndalën rrugën kombëtare, sepse ata nuk kishin tjetër atdhe veç tokës së shqiptarizmës. Përmes protestave, takimeve me kongresmenë e senatorë, si dhe me përfaqësues të Departamentit të Shtetit në Uashington, në qendër të vëmendjes ishte fati i Kosovës, pozita kushtetuese e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë e Medvegjë, në Ulqin, në Çamëri, si dhe synimi për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.
Në qarqet kombëtare të shqiptarëve në Çikago kishte dalë fjala se në hapësirën etnike të Rekës së Epërme, në rrethin e Gostivarit, po rilindte si lule shpirti shqiptar, dikur i ndaluar dhe i fshehur përmes “ligjeve të regjimeve” dhe përmes kishës ortodokse nën etiketimin “popull maqedonas”. Kjo odise nisi të shpalosej në Çikago nga veprimtarët e vijës së parë kombëtare: Ilaz Kadriu, Faik Hajro, Azem Begzadi, Xhevat Prespa, Mahmut Skenderi, Qazim Ismaili, Skënder Karaçica, Tefik Avdullahu, Vllaznim Sherifi, Fanol Cami e të tjerë, në takimet e shpeshta me Branko Manoilovskin.
“Thuaje të vërtetën, vëllai ynë shqiptar, Branko Manoilovski nga Reka e Epërme…!”
Në takimet tona me veprimtarët shqiptarë në Çikago, tema me frymë kombëtare ishte atdheu dhe kombi shqiptar, si dhe padrejtësitë historike të regjimeve pushtuese të shekullit të kaluar. Sa herë që vinte nëntori, mërgimtarët shqiptarë shpalosnin historinë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë (1912), fatin e kombit dhe pjesën më të dhimbshme të pushtimit serb të Kosovës, si dhe plagën e përgjakur të Çamërisë.
Prisnim festën e Flamurit të Pavarësisë së Shqipërisë, tashmë traditë festimi në Çikago, kur në mesin tonë erdhi vëllai ynë Branko Manoilovski nga Reka e Epërme shqiptare në Maqedoninë e Veriut. U zhvillua një bisedë e ngrohtë për historinë shqiptare të Rekës së Epërme, për kohën e regjimeve dhe hijet e harresës, të veshura me petkun fetar të kishës ortodokse, për ta shndërruar një popull shqiptar në një “popull ortodoks” brenda kornizave të një shteti të krijuar si balancë nga boshti serbo-rus dhe trashëgimia e Jugosllavisë.
“Nëna ime nuk dinte dhe nuk fliste maqedonisht”, nisi bisedën Branko Manoilovski me veprimtarët në Çikago.
Kjo fjali na erdhi si dritë dielli; nuk e kishim dëgjuar më parë. Fjala e tij nuk kishte të mbaruar. Koha për ne u bë si ora e historisë, që mbante brenda vetes brengën e viteve të regjimit, në dilemën shekspiriane: “Të jesh apo të mos jesh!”
Dhe ai e tha të vërtetën në Çikago:
“UNË JAM SHQIPTAR!”
U hap perdja, ranë përdhe maskat dhe u thye koha e harresës.
Fjala e Branko Manoilovskit hapi një kapitull, shpalosi një histori, riktheu kujtesën te rrënja shqiptare e Rekës së Epërme. Shpirti i Arbërit (sipas termit të De Radës) po kthehej në tokë, në gjak, në gjuhën shqipe të një populli të ndaluar e të paharruar në historinë e regjimeve me skenarë të fshehtë. Fjala e vëllait Branko na mbushi zemrat dhe na dha forcë për të ecur më tej.
I thamë me zë të lartë: dil në shtyp, fol në radio e televizion, sepse Branko Manoilovski dhe Reka e Epërme janë shqiptare!
Në Çikago u hap perdja, ranë maskat e sajuara nga regjimet e kohës. Në Rekën e Epërme të rrethit të Gostivarit ka frymë, jetë dhe besim të një populli jo maqedonas, por shqiptar, me tipare të gjuhës shqipe, të kulturës, të traditës, të flamurit, të familjes dhe të mikpritjes: bukë, kripë e zemër shqiptare.
Në Çikago, Reka e Epërme nisi të flasë shqip dhe e bëri lajm të kohës se është SHQIPTARE!