Piktori Bujar Zela rrëfim ekskluziv nga Viena për Diellin e VATRËS – New York, në një intervistë dhënë gazetarit Sokol PAJA. –
ARTI SI EDUKIM DHE ZHVILLIM I AFTËSIVE KRIJUESE
Arti është një ushqim shpirtëror që ushqen çdo njeri dhe aspiron ato në jetën e përditshme, edukohet tek njerëzit frymëzimi, guximi dhe iniciativa. Dinjiteti dhe individualiteti janë veti të njerëzve të mëdhenj, por nëpërmes artit artisti mundohet të personifikojë individualitetin dhe stilizimin e tij në mënyrë që të depërtojë tek publiku. Tek pikturat dhe grafikat e mia shumë piktorë kolegë dhe njerëz të thjeshtë dashamirës të artit e kanë cilësuar artin tim autokton dhe kjo është një meritë për një krijues, pra të jesh vetvetja.
NË KËRKIM TË GJYSMËS TJETËR TË JETËS
Piktura dhe arti arrijnë zhvillimin e aftësisë artistike duke punuar dhe kërkuar gjithë kohen. Gjysmën e jetës piktorët e kalojnë vetëm në studiot e tyre duke punuar dhe studiuar. Një pedagog i piktures më ka thënë është 10% talent dhe 90% punë sepse vetëm nëpërmjet punës vjen frymëzimi e talenti dhe arrin nivelin artistik cilësor që kërkon. Kjo varet dhe nga perceptimi i krijuesit dhe rrymave të ndryshme që dëshiron. Mesazhet e forta artistike më frymëzojne, jeta e përditeshme njerëzore, ngacmimet shpirtërore të njerëzve të punës që mundohen të sigurojnë jetën e përditeshme dhe të ndershme në familjet e tyre, punëtori në fushë, malësori në mal me bageti, ajo nëna që shet zarzavate të mbjellë vetë me aq mundim dhe mundohet të sigurojë familjen, edhe një lyps me qenin e tij për të mbijetuar që të fitojë ndonjë qindarkë. Këto janë motivet më të dashura të jetës sime që më bëjnë të shpërthej dhe ti punoj në studio. Natyra është mësuesi më i mirë. Vjeshta me ngjyrat e saj të vlorijta dhe deti me madhështinë e tij. Një portret të nënës time që më rriti me aq mundim me napën e bardhë mbi kokë dhe thinjat e bardha që është një realitet i kohës së shumë vuajtur, kisha nderin që u ekspozua në ekspoziten e jubileut të 100 vjetorit të Tiranës.
ZOTI, NJERIU, NATYRA
Çdo krijues ka individualitetin e tij. Ai paraqet nëpërmjet ngjyrës apo vizatimit ekspresivitetin dhe koloritin e tij. Unë jam gjithmonë optimist në pikturë dhe në jetë dhe këtë e paraqes sipas imazhit tim si psh: tek peisazhet apo portretet dominon ngjyra e kuqe dhe blu, ku e kuqja tregon gjithmonë optimizëm dhe dashuri ndërsa ngjyra blu tregon shpresë. Ka raste që paraqes hidherim dhe deshpërim dhe përdor ngjyrën e zezë me sfumaturen e saj.
Me emrin Zot unë perceptoj gjithësinë, drejtësinë, dashurinë e njerëzve me njëri tjetrin, ndershmërinë, bujarinë, sinqeritetin dhe humanizmin. Kjo më ka shoqëruar gjithë jetën sepse pa emrin Zot nuk kisha këto hapësira dhe aspirata të artit tim dhe unë prandaj i dedikohem Zotit për arritjet e mia deri tani në art dhe në jetë. Në vitin 1990 kur emigruan shumë shqiptarë për një ekonomi më të mirë, kisha pikturuar portretin e Jezusit si prijës i rrugëtimit dhe ashtu ndodhi dritë ma bëri gjithë udhëtimin.
ARTI SI MJET PËR TË LUFTUAR DIKTATURAT
Arti ka qënë dhe është një mjet për të luftuar sistemin sidomos atë diktatorial që e përjetuam kur merrnim pjesë në ekspozitë kombëtare ku tematikat kanë qënë të kufizuara dhe intepretimi i ngjyrave i kursyer sepse ndoshta shpërndan rrymë dekadente. Si në poezi, muzikë, skulpturë edhe arti figurativ është një armë e fuqishme kundër diktatures por kjo varet nga niveli i popullit, mënyra si e percepton dhe frymëzon popullin. Mendimi im është që arti është një reaksion revolucioni kundër mendimit dhe idesë së diktatures dhe fjala e lirë është forcë e madhe njerëzore frymezimi për të gjithë.
KUSH ËSHTË PIKTORI BUJAR ZELA
Bujar Zela ka lindur në Tiranë 30.1.1956. Ka mbaruar shkollen Artistike “Jordan Misja” në Tiranë, ka marrë pjesë në shumë ekspozita vetjake dhe kombëtare në galerinë e Arteve në Tiranë. U largua nga Shqipëria në vitin 1991 në Austri në Vienë, qytet në të cilin punon dhe jeton duke u marrë me pikturën më vehte, aty ku lindi arti, frymëzimi dhe tradita e tij kombëtare. Natyra ështe mësuesi më i mirë për të, perla e gjithçkaje, por jo ti besosh e të bëhesh skllav i saj, por shpirti i artistit të vërtetë di të përceptojë ndjenjat krijuese. Një tjetër gjini e frymëzimit artistik është grafika e cila i ngjall emocione dhe e frymëzon për krijimtari dhe teknika të reja me kontrastin e thellë bardhe e zi. Forma, natyra dhe ekspresiviteti i hedhur ne Telajo. Pikturat e Bujar Zelës shikohen, flasin dhe ndihen si ai. Bujar Zela ka hapur ekspozita në Tiranë në vitet 1973, 1985, 1986, 1990. Ndërsa në Vienë dhe Tiranë në vitet 1995, 2005, 2009, 2010, 2012, 2016, 2017, 2018, 2019, 2020.