Analizë stilistike, nga Rafael Floqi/
Një autobiografi duhet të përmbajë disa cilësi të rëndësishme që e bëjnë të vlerësueshme dhe tërheqëse për lexuesin. Në këtë kontekst, mund të theksojmë disa nga këto cilësi që pasqyrohen edhe në librin “Porosia e kullës” nga Dr. Pashko R. Camaj ose në anglisht “Dreaming from the Trunk of an American Car„( Endërrime në bagazhin e një makine amerikane“, kjo sepse në anglisht autori i drejtohet një audience tjetër për të cilët emigracioni nga Meksika është më i njohur se kulla/tower në arealin shqipfolës, qofshin këta edhe emigrantë të brezit të dytë, gjë që në pamje të parë e bën titullin të duket si më komercial. “Vijmë kështu te kuptimi i titullit të librit në shqip, Porosia e kullës, në shqip ka kuptim të plotë, por e përkthyer si “The order of tower”në anglisht do të krijonte keqkuptime, a mund t’ja sqarosh dot një amerikani që Tower në shqip nënkupton edhe shtëpinë /banesën, e kuptuar edhe si “amaneti i kullës”, siç thotë në parathënien e librit shkrimtari, Besnik Mustafaj.
Në jetën e shqiptarëve të Veriut, kulla është njëherësh një simbol i rëndësisë së veantë dhe një realitet konkret. Ajo është një arketip i egzistencës. E tillë na shfaqet ajo edhe në jetën dhe veprën e Pashko R. Camajt. Vepra është një rrëfim sa emocionues po aq edhe intrigues, përmes të cilit autori na sjell grimca nga e kaluara e vet, në formën më të bukur të mundshme, duke rrëfyer, se edhe në Bibël edhe legjendat shqiptare rrëfimi është elementi bazë. Kështu ai trajton një temë aq të pranishme në të gjitha trojet shqiptare, mërgimin, si temë e përbotshme, me të përbashkëtat e veta, por tejet specifike, në të veçantat e veta, si një realitet që nuk ka nevojë për shumë imagjinatë për t’u kuptuar, s’ka nevojë për fiksion.
Autenticiteti dhe ndershmëria
Një autobiografi duhet të jetë një reflektim i sinqertë i jetës dhe eksperiencave të autorit dhe autori Pashko R. Camaj, ka arritur të paraqesë jetën e tij pa përpjekje për t’u paraqitur, si hero ose viktimë, por duke u fokusuar tek përballjet dhe zgjedhjet e vështira që ka bërë në jetë. Ai ka shmangur dramatizimin dhe ka treguar përvojat e tij në një mënyrë të natyrshme dhe të vërtetë. Ai ka porositë eë asaj kullës së vjetër që janë e gjithë e shkuara e tij dhe fëmijëria e familjes. Një porosi që është vlera e identitetit të tij dhe kjo e vërtetë sado përzierje e objektives me subjektiven është boshti mitik i egzistencës,- kështu kujtimi nuk është një element për ta shtyrë para rrëfimin, por elementi që e lidh atë.
Rrëfimi i ndërlikuar dhe retrospektiva
Autobiografia duhet të mundësojë një kuptim të thellë të eksperiencave të autorit, duke i lidhur ato me pasojat dhe refleksionet e mëvonshme. Pashko R. Camaj e përdor retrospektivën për të sjellë kujtimet dhe përballjet e tij me realitetin social dhe politik dhe persekutimet ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi por dhe fatin e malësorëve të emigruar në SHBA. Ky lloj rrëfimi na ofron një pasqyrë të brendshme të autorit dhe një hapësirë për reflektim personal, duke e bërë veprën tërheqëse dhe të pasur me mesazhe. Digresionet për jetën e fëmijërisë dhe ato të rinisë, përplasja me denigrimin e shqiptarëve pa të drejtë që në shkollë, persekutimi në shkollën e mjekësisë dhe në ushtri, pamundësia për të arritur qëllimin e jetës, që qe dhe motivi i largimit nga vendlindja, si dhe realizimi më vonë i ëndrrës së tij në SHBA, e deri tek puna shkencore në ruajtje të shëndetit të banorëve të Mitrovicës në Kosovë, mund të shihen si një farë shpagimi për fatin e jetës së tij ” Të njeriut që do t’i kthejë diçka Atdheut pavarësisht largimit të tij”.
Vijmë kështu te kuptimi i titullit të librit, në shqip, “Porosia e kullës”. Në jetën e shqiptarëve të Veriut, kulla është njëherësh një simbol i rëndësisë së veçantë dhe një realitet konkret. E tillë na shfaqet ajo edhe në jetën e Pashko R. Camajt. Si simbol ajo mishëron identitetin e spikatur shqiptar, me të cilin është mbrujtur brenda familjes malësore protagonisti i prozës në fjalë.
“Jetonim në një shoqëri patriarkale, shkruan ai, dhe në Malësi, të gjithë i njihnin të gjithë. Në shumicën e rasteve, shumë nga fqinjët tanë ishin kushërinjtë tanë dhe rrethanat e të gjithëve ishin të njohura për të gjithë. Të gjithë e dinin historinë e familjes së vet, që shkonte brez pas brezi. Fëmijët njiheshin nga ajo se fëmijët e kujt ishin. Unë nuk njihesha as nga emri as nga mbiemri. Përkundrazi, më përmendnin si djalin e Rrokut dhe nipin e Pjetrit, të dy shumë të respektuar dhe madje të nderuar, veçanërisht në rastin e babait tim. Jeta e tyre i ishte përkushtuar kujdesit për familjen, miqtë, besimin dhe kombësinë e tyre. Gjithmonë ngrija kokën lart kur njerëzit flisnin për mua, si për djalin e Rrok Pjetër Zekut. Kjo ishte po aq e vërtetë atëherë, sa është tani.“
Edhe pse elementet personalë e bëjnë të veçantë rrëfimin, ndjenja e mëkatit për lëshimin e trojeve të të parëve, me të cilën ballafaqohet autori, është diçka me çka ballafaqohet gjenerata e parë e emigrantëve, ngado që janë, por dhe një forcë që ka mbajtur gjallë shpirtin e familjes, pavarësisht sfidave të shumta. Ta shijojmë atë në këtë pasazh: “Nga lart, mrekullohesha duke parë çdo pëllëmbë tokë, çdo kreshtë dhe luginë në kodrat dhe malet që rrethonin shtëpinë time. Nga aty lart pothuajse mund të prekja vendin ku kishin jetuar të parët e mi, brez pas brezi, në Hotin e Malësisë, në fshatin Spi. Emri i tij mund të ketë ardhur nga fjala shpija, që do të thotë shtëpi. Aty tani kanë mbetur vetëm disa shtëpi dhe kulla, një shtëpi prej guri dykatëshe e ndërtuar gati dy shekuj më parë, si e dëshpëruar, sikur kërkonte mëshirë, më foli. Atje lart në qiell ku isha, më dukej sikur kulla e gurit po thoshte: “Unë jam këtu. Eja, mos më lër të vetmuar.”
Subjektiviteti dhe zëri personal
Kujtimet janë natyrisht subjektive, të formuara nga emocionet, perspektiva dhe reflektimet e autorit. Ky subjektivitet i jep autobiografisë një zë sa unikal dhe personal, i cili është ndryshe nga llojet e tjera të shkrimit. Autori fokusohet në detaje ose përvoja të caktuara që ngjallin emocione të thella, duke ofruar një dritare në botën e tij të brendshme. Përdorimi i detajeve sensorialë—si përshkrimi së një vendi ose ndjenja e një momenti—e bëjnë kujtimin/rrëfimin më të gjallë dhe angazhues, duke e lejuar lexuesin ta përjetojë atë, tani siç ishte një herë atje atëbotë. Vetë kujtimi synon ringjalljen e përjetimit. Të ndjekim një shembull nga fillimi i librit dhe të vlerësojmë zërin e brendshëm të rrëfimtarit.
“Nga taksia mund të dëgjoja “rrapamën” e gomave teksa goditnin këta shënues, pothuajse si një orkestër e sinkronizuar, e caktuar saktësisht për t’u “përplasur” çdo disa sekonda. Shoferi, një burrë rreth të dyzetave, kishte një fytyrë miqësore, të stolisur edhe me një palë mustaqe të holla e të gjata që mezi ia fshihnin puçikët në faqe. Edhe pse i kufizuar në aftësinë tonë për të komunikuar me të, u gjet një gjë që na bashkoi menjëherë. Ishte dashuria jonë e ndërsjellë për futbollin!
Vlerat dhe ndjenja e identitetit
Autobiografia është një mundësi për të trajtuar lidhjen e thellë me vendin, familjen dhe kulturën dhe unin e narratorit. Libri i Camajt është i mbushur me vlerat e identitetit shqiptar, me pasionin për të ruajtur traditat dhe me ndjenjën e forcës, që buron nga këto rrënjë. Ai tregon se si kulla familjare është jo vetëm një simbol i identitetit, por është kujdesur të ndërtojë një stil të sofistikuar, me figura artistike dhe shprehje që pasqyrojnë një kulturë të gjerë etniko sociale. Kjo e bën veprën më tërheqëse dhe i jep thellësi çdo përshkrimi, qoftë ai për jetën e përditshme, për vështirësitë e emigrimit, apo dhe për reflektimet filozofike mbi jetën. Por aty figuracioni nuk është qëllim në vetevete, figuracioni buron vetevetiu nga të rrëfyerit. Fakti që libri është hartuar fillimisht në anglisht nga një njohës i gjuhës shqipe, por i sjellë në shqip nga i vëllai Nikolla, është interesant se nuk i ka zbehur vlerat figurative, përkundrazi e ka gjallëruar atë, edhe pse rrëfimi me fjali të shkurtra e bën librin mjaft dinamik plot detaje stilistike.
Stili mund të përfshijë momente introspektive ku autori pyet saktësinë e kujtimeve të tij ose shqyrton se si kuptimi i atyre ka ndryshuar me kalimin e kohës si tek ky pasazh:
“ Në atë kohë, nuk e pyeta veten nëse ky kishte qenë vendimi i duhur – diçka që më vonë gjatë jetës do ta pyesja shpesh, jo aq për mua, jo aq për të ardhmen time, por më tepër për të kaluarën time. A ishte i gabuar vendimi im për të lënë vendlindjen time, shtëpinë time? …. A përfundoi trashëgimia e tyre, për mua dhe vendlindjen time, me largimin tim – a kam mëkatuar ndaj tyre?
Pashko R. Camaj është i hapur për të folur për realitetin e emigrantëve dhe për vështirësitë që ai ka kaluar, pa e zbukuruar ose idealizuar jetën e tij. Kjo e bën veprën më të sinqertë dhe më të lidhur me lexuesin, i cili mund të ndiejë lidhjen me të përmes përvojave të përbashkëta.
Në këtë autobiografi, kujtimet luajnë një rol thelbësor në formimin e stilit narrativ, tonit dhe strukturës së shkrimit. Ato nuk janë thjesht përsëritje faktike e ngjarjeve, por janë të mbushura me emocion, reflektim dhe njohuri personale. Mënyra se si kujtimet janë ndërtuar në narrativë lejon që kjo autobiografi të kalojë përtej thjesht shkrimit të ngjarjeve, duke u bërë një eksplorim të fuqishëm të identitetit, rritjes dhe kalimit të kohës të vetë rrëfyesit.
” Në moshën njëzetvjeçare dhe të dëshpëruar për të arritur në Amerikë, nuk kishte asgjë për t’u frikësuar – çfarë janë tridhjetë minuta, në fund të fundit? Megjithatë, derisa kapaku po mbyllej, shikova diellin që po venitej dhe shkëlqimin e qiellit portokalli përpara se të mbyllja sytë. Pyesja veten nëse lutja ime e heshtur do të na udhëzonte mua dhe Dritën që të shihnim përsëri dritën e diellit. Kur errësira e bagazhit të makinës gëlltiti diellin, më kapi paniku. Një mori fjalësh “po sikur të” rrotulloheshin në mendjen time… Po sikur të kenë nevojë të fshehin gjurmët dhe të ikin nga patrulla kufitare që mund t’i zbulojë; po sikur të mos marrin pagesën që u takon… dhe të vendosin thjesht të hedhin makinën në hendek, me ne të mbyllur në bagazhin e saj të errët? Jetët tona ishin në duart e njerëzve që nuk i njihnim. Nuk kishim askënd që të na fliste dhe të na qetësonte ankthet.”
Epilog
Në përfundim, ky libër ka thellësi dhe sinqeritet tërheqës, dhe ka mundur të ofrojë një pasqyrë të vërtetë të jetës së autorit, dhe të lidhet me lexuesin përmes temave të përgjithshme dhe atyre specifike, por gjithsesi, strumbullari është kulla dhe arketipi i saj.
Atje lart në qiell ku isha, më dukej sikur kulla e gurit po thoshte: “Unë jam këtu. Eja, mos më lër të vetmuar.”
Kjo është porosia që Pashku, sic duket e shleu me këtë libër, që i ka të gjitha këto cilësi që përmenda, duke e bërë veprën e tij, sa tërheqëse aq edhe të vlefshme për shumë lexues, si në shqip dhe në anglisht dhe i jep asaj kuptime të shumfishta me vlerë universale për çdo të mërguar në botë.