
Sokol Paja/
“Buletini Katolik Shqiptar” është ndër revistat më të rëndësishme në botimet me karakter fetar në historinë e shtypit fetar shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Buletini Katolik Shqiptar” doli për herë të parë nga shtypi në vitin 1944, botim i Universitetit “Santa Clara” në Kaliforni të Amerikës. Numri që po ia paraqesim publikut bën fjalë për 40 vjetorin e themelimit. Ky buletin në vëllimin e V-të të tij në numrat 1 dhe 2 të vitit 1984, numër special që i kushtohet persekutimit fetar në Shqipëri, ka për editor Gjon Sinishtën dhe botohet me 94 faqe. Stafi i revistës shkencore ka në përbërje këto personalitete: Leo Gabriel Neal, Ofm. Konv, Pjeter Pal Vani, Jak Gardin, S.J., Zef V. Nekaj, Barbara Kay, Palok Plaku, Ndoc Kelmendi, S.J, Gjon Sinishta, Julio Fernandez, Raymond Frost, Lulash Dajçi, Donald Banas, dhe Sharon Mollerus.
Në faqen e dytë të botimit editorial thuhet se botimi i Buletinit i vitit 1984 i është kushtuar dyzetvjetorit të persekutimit të vazhdueshëm fetar në Shqipëri. Kjo çështje është veçanërisht e karakterit ndërkombëtar, me autorë nga një sërë vendesh dhe kontinentesh të ndryshme. Simbolizon universalitetin dhe solidaritetin që të krishterët kanë për vëllezërit dhe motrat e tyre të përndjekur në mbarë botën. Katolikët thuhet në editorial, në veçanti, duke pasur parasysh karakterin universal të Kishës, duhet të kujtojnë të gjithë vëllezërit e tyre të persekutuar.
Ne i kujtojmë shqiptarëve, thuhet në editorial, në veçanti detyrën e tyre serioze për të ndihmuar ata që kanë mbetur pas që jetojnë në frikë të tmerrshme teksa përpiqen të mbajnë gjallë besimin në familjet e tyre, thuhet në editorialin hapës të përvjetorit të 40-të të “Buletinit Katolik Shqiptar”. Kjo revistë në përmbajtje publicistiko-shkencore për tematikat që trajton, emrat e personaliteteve kombëtare që shkruajnë në të, traditën që krijoi do të mbetet një emër i nderuar dhe shumë i respektuar në historinë e medias shqiptare në Amerikë.
Ky numër special trajton këto tema të rëndësishme: Kisha Katolike në Shqipëri, zhvillimi i Edukimit Ateist në Shqipëri, Misioni i Kishës Arbëreshe, Ateizmi dhe Forca Morale e Fesë, Shqipëria dhe mohimi i fesë, Dëshmorët e Shqipërisë, Rilindja fetare në Evropën Lindore, Nënë Tereza, Lufta për të drejtat etnike në Kosovë, Burgosja e Adem Demaçit nga Jugosllavia, Vatra feston 75-vjetorin e Diellit etj. “Buletini Katolik Shqiptar” dha një kontribut të jashtëzakonshëm në memorizimin e veprimtarisë atdhetare e intelektuale të shqiptarëve në shërbim të çështjes kombëtare e komunitetit shqiptar në Amerikë. Mediat e shkruara janë regjistri më jetëgjatë në përpjekjet publicistike për memorizimin e përpjekjeve sensibilizuese të mërgatës së Amerikës në ndërkombëtarizimin e çështjes kombëtare, lirive e të drejtave të njeriut e çështjes komunitare shqiptare në diasporë. “Buletini Katolik Shqiptar” është një botim ekzemplar që do shërbejë si pikë reference në historinë mediatike dhe historike të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.