Nga MURAT GECAJ/
Këtë pyetje, mund ta bëjmë jo vetëm për një kryeqytet, siç është në rastin konkret Tirana, por dhe për qytete të ndryshme të vendit tonë. Gjëja e parë, që të bie në sy edhe këtu, janë gjallëria e veçantë, lëvizjet e shumta të njerëzve, automjeteve, biçikletave etj.
I afrohemi qendrës dhe shohim se ende janë “gjurmët” e festimeve madhështore, që u bënë në 100-vjetorin e Pavarësisë dhe të Shtetit të parë Shqiptar. Kudo valëviten flamuj kuqezi, shohim postera me simbolet tona kombëtare. Po, sa mirë, që gjithandej përsëri sundon mjedisi festiv, tanimë, kushtuar festave të bukura të fundvitit: Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2013. Në sheshin “Skënderbej” lartësohet një bredh mjaft i lartë, i zbukuruar më së miri dhe me drita të shumta e të bukura. Ai, sikur na thotë: “Ja, ku më keni, o njerëz të dashur! Ju ftoj që dhe ju, në shtëpitë dhe vendet e përbashkëta, ta zbukuroni mjedisin, se festa të tjera të bukura po na vijnë!”
Duke ecur nëpër qendrën e Tiranës, ngado e ndjen afrimin e këtyre festave tradicionale. Kjo gjë e gjen shprehjen e vet edhe në veprimtaritë kulturore e artistike, që janë organizuar ose pritet që të zhvillohen, deri në fundin e muajit dhjetor dhe fillimin e janarit 2013. Ja, në një afishe të madhe mësojmë se Radiotelevizioni shqiptar do të organizojë Festivalin e 51-të të Këngës, nga data 20-22 dhjetor 2012. Në të do të marrin pjesë edhe disa kangëtarë të rinj, me tekste e muzikë të zgjdhur, nga autorë të njohur. Ndërsa në Teatrin Kombëtar vazhdon të shfaqet pjesa “Doktor Shuster”, me aktorin e njohur Robert Ndrenika dhe regjisor Spiro Dunin. Sigurisht, shfaqje të bukura janë dhënë ose do të jepen edhe nga Teatri i Metropolit, Cirku i Tiranës, Teatri Kombëtar i Famijëve etj.Në një sallë të Bibliotekës Kombëtare ende vazhdon të qëndrojë dhe të vizitohet me kureshtje dokumenti i parë i gjuhës së shkruar shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut. Por aty janë edhe vepra të rralla të disa autorëve të tjerë të vjetër shqiptarë, si: Matranga, Budi, Frang Bardhi, Pjetër Bogdani, Gjon Nikollë Kazazi, Jul Variboba etj.
Po kështu, me mjaft interes vijojnë vizitat e qytetarëve të kryeqytetit, të moshave të ndryshme, por sidomos të shkollarëve, për t’i parë nga afër armët e kryetrimit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, të cilat u sollën përkohësisht nga Vjena e Austrisë, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Ndërsa, po në këtë Muze, qëndron e hapur ekspozita fotografike e disa autorëve italianë, për Shqipërinë e para Luftës së Dytë Botërore. Përmes tyre, njihemi me pamje të asaj periudhe, si nga kryeqyteti Tiranë, por dhe qytetet Shkodër, Durrës, Berat etj. Emrat e fotografëve italianë janë: Bruno Kastilioni, Mario Manjani, Ferdinando Milone, Roberto Almanja, Antonio Buladaci etj. Ekspozita është hapur nga Shoqata e Fotografëve Italianë, nën kujdesin e Nadia Fuskos.Pra, jeta e kryeqytetit Tiranë, këto ditë, zien nga mjedisi i prag-festave të fundvitit. Njerëzit. sikur i harrojnë për disa çaste shqetësimet e problemet jetësore. Ata janë të prirur për të shpresuar e besuar, se Viti i Ri 2013 do t’u sjellë të gjithëve, në jetën familjare e shoqërore, më shumë gëzime, mbarësi, begati e lumturi. Prandaj, këtë gjë, e urojmë dhe ne nga zemra, për të gjithë bashkëqytetarët , bashkëvendësit dhe bashkëkombësit tanë, kudo që ata ndodhen, nëpër botë!
Tiranë, 14 dhjetor 2012