Dr. Laurant Bica/
Sami Frashëri, diku në enciklopedinë e tij Kamus’ul Alam, Fjalori i Botës, duke folur për shqiptarët, thotë se çamët janë më të zgjuarit e toskëve, dhe kur flet direkt për ata vetë i shquan për inteligjencën dhe mençurinë e tyre, ndërsa Robert d’Anzheli, në librin “Enigma”, duke shkruar për Epirin, e konsideron atë si djepi i burrave të mëdhenj në Bizant e më gjerë gjatë historisë, për personalitetet e shquara ka nxjerrë. Çamëria, apo e thënë ndryshe Epiri, ka qenë vatër trimërie, por edhe një vatër diturie, që e ka dëshmuar këtë në shekuj deri në ditët tona. Ajo i ka dhënë jo vetëm kombit shqiptar personalitete të spikatura, por edhe mbarë botës. Ndihmesa e saj në raport me territorin që zë dhe popullatën që e banon është do të thoshim e jashtëzakonshme. Le t’i referohemi fakteve.
Çamëria i dha botës dy strategë të mëdhenj ushtarakë. Njëri Aleksandri i Maqedonisë shkoi deri në Indi. Çam nga e ëma, Olimbia, ai mori me vete në fushatat e veta ushtarake dhe çamët. Ata ishin ndër gjeneralët më të mirë të tij si Lagosi. Në kthim nga India një pjesë e ushtrisë së tij përfshi edhe çamët u vendosen në pllajat e Indokushit në Afganistan, ku pasardhësit e tyre janë edhe sot dhe kanë ruajtur deri vonë përkatësisht shqipen e lashtë. Pirroja i Epirit me trupat e tij dhe elefantët u erdhi në ndihmë vëllezërve të tij ilirë të Tarantos në Itali dhe u kalli tmerrin romakëve. Ishte gjak çam nga Ledhëza e Gumenicës, si mbarë dinastia e tij që sundoi për shekuj në Epir. Shqiptarët dy herë i kanë kontribuar Egjyptit me dy dinasti, një në kohën e re me Mehmet Aliun e Oparit, që ringjalli dhe lulëzoi Egjyptin në kohën e re, ekonominë dhe kulturën e tij, e cila vazhdoi një shekull e gjysëm deri në 1952 dhe në lashtësi për rreth 3 shekuj dinastinë çame të Ptolemejve, gjatë së cilës u krijua qyteti i Alkeksandrisë me bibliotekën dhe akademinë e vet. Dhe për tre shekuj para erës sonë dhe në fillim të saj lulëzuan veç zhvillimit ekonomik edhe shkencat dhe dijet. Ky lulëzim vazhdoi edhe në sundimin romak edhe për 3-4 shekuj të tjerë. Shkolla Aleksandrine e famshme e dijes ka në themel ndihmesen e kësaj dinastie çame për shqiptarsinë e së cilës na sigurojnë dy eruditët tanë, Sami Frashëri dhe Faik Konica. Ptolemejtë ishin fjesht çamë, shqiptarë, do të shkruajë Samiu. Nuk është rastësi që një dijetar nga Aleksandria me kulturë helene si Klaud Ptolemeu do të përmendet për herë të parë në histori te Albanët dhe qytetin e tyre Albanopolis. Ne mendojmë se ky duhet të jetë një pinjoll i derës çame të Ptolemejve, një stërnip i tyre, por për këtë duhen bërë kërkime.
Çamëria i dha Krishterimit në fillimet e tij një Papë si Shën Eleuteri (Lefteri= greqisht Liria) në shekullin e dytë, i cili e çoi Krishterimin deri në Angli. Një shenjtor tjetër i Kristianizmit është Shën Donati (shekulli IV) . Populli e përjetësoi, duke ja dhënë emrin një qyteti, atij të Paramithisë, i cili në kohën bizantine dhe ate osmane u njoh me emrat Ajos Dhonatos, apo Ajdonat. Çamëria është ajo që i dha Bizantit dhe Patriakanës së Stambollit shumë personalitete në shekuj dhe mijëvjeçarë, por ne po përmendim vetëm patrikun Atenagora, i cili vdiq në 1972 dhe ishte nga një fshat i Konicës as dy hapa matanë kufirit shqiptar, përballë me Leskovikun . Në bashkëpunim me Papën Gjon Pali Katërt, ai u përpoq për afrimin e Kishës Ortodokse me atë Katolike dhe kudo manifestoi shqiptarizmin e tij dhe faktin që ishte bir i Epirit, i Çamërisë. Qysh prej plot 450 vjetësh në Manastirin e Troickut në periferi të Moskës ku është qendra e Kishës Ortodokse Ruse, digjet një qiri që nuk shuhet kurrë në një odë tëp tij. Në të, sipas dëshmitarëve okularë, ruhen reliket e humanistit shqiptar me famë botërore të Rilindjes Evropiane, Mihal Artioti- Trivoli, i njohur në Rusi dhe me emrin Maksim Greku (në kuptimin Ortodoks). Ky shenjtor i Kishës Ruse , bir i Artës së Çamërisë, i ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me mbi 150 veprat e tij, Kishës dhe kulturës Ruse dhe asaj mbarëbotërore. Veprat e tij i gjen të botuara veç rusishtes në gjuhët kryesore të Evropës por, për fat të keq, s’ka asgjë prej tyre në shqip, ndonëse ai ka folur edhe për Skënderbeun dhe s’e harroi kurrë atdheun e tij. Famila nga rridhte ishte një familje fisnike aristokrate shqiptare e Çamërisë, që kishte stemën e vet, kishte një bibliotekë të pasur me libra dhe zaten kjo u bë shkak që djali i ri Mihali të studiojë në shkollat më të mira humaniste të kohes si në Itali, Francë, Spanjë etj. Mihal Artioti është një vigan i mendimit humanist botëror që pret studiuesit e rinj të veprës së tij të lavdishme. Mos lejojmë që me emrin dhe veprën e tij të mburren të tjerët, siç është bërë deri më sot, por të zotët e punës, çamët shqiptarë…. Të dy nga trojet e Epirit, Çamërisë dhe Mehmet Esat Janinasi dhe Jani Koduni. I pari në shekullin XVIII, filozof dhe dijetar, do të përkthejë në osmanisht me çeljen e shtypshkronjës së parë osmane (afërsisht në një kohë me ate të Voskopojës) nga Ibrahim Muteferrika komentarët e veprës së Aristotelit, të bëra me kompetencë të plotë nga humanisti i Rilindjes Evropiane, Jani Koduni në latinisht. Të dy bota i kujton se janë njëri turk dhe tjetri latin, por të dy as më shumë dhe as me pak janë shqiptarë të Epirit. Ka Çamëria, siç do të shprehej ndonjë çam, gjaku inë. Ironi e fatit! Ç’të thuash! Ç’të them për Evgjen Bullgarin, çamin ortodoks i cili është njëri nga themeluesit e Akademisë Ruse të Shkencave, një pus dijesh, një nga më të diturit e kohës së vet. Veç e shpreh keqardhjen që e njohim pak, shumë pak, për të mos thënë aspak! Fqinjët tanë këtë filozof dhe erudit të kombit tonë nuk mungojnë ta lakojnë në të gjitha rasat si të vetin. Emri i Profesor Hoxha Hasan Tahsin Filatit është i dëgjuar për auditorin shqiptar, por veprën e bëmat e tij të nivelit botëror në Perandorinë Osmane e në Francë pak i njohim. Një personalitet që krijoi Universitetin e parë Osman, një përfaqësues i shtetit Osman në Francë, që njihej personalisht dhe me Napolonin III, me akademikët e Francës së Kohës, me shkencëtarë të kalibrit të Lauavazerit, që futi dijet dhe shkencat e reja i pari në krejt perandorinë, një kryemësues i tërë rilindasve shqiptarë, një personalitet që do të krenohej çdo shtet po ta kishte të vetin dhe s’do të kishte lënë asnjë presje të tij pa studiuar. Sokrati i Greqise së lashtë nuk shkroi vetë asnjë gërmë, por ai ka mbërritur deri në ditët tona, sepse ishte një korife i dijes. I tillë ishte dhe Hasan Tahsini ynë, i cili nuk la vepra në përputhje me dijet e tij, por edhe ato që la me turp duhet ta themi, pak i njohim, për të mos thënë ndonjë fjalë më tepër… Këtë kryerilindës nuk na falet të mbetet kështu. Shteti Francez, pa u shkarkuar mirë nga posti i rektorit të Universitetit të Stambollit, i propozoi ta bënte rektor të Universitetit të Bordosë. Hasan Tahsini i Filatit kaloi një pjesë të jetës në Perëndim dhe e përfundoi në Lindje të Europës në Stamboll. Dora d’Istria, bashkëkhohësja dhe bashkëvendesja e tij me rrjënjë nga Parga e Çamërisë, kaloi nga Lindja në Perëndim në tërë Evropën Perëndimore dhe vdiq në Firence të Italisë. Ajo dha një ndihmesë në fushën e letrave, jo vetëm për shqiptarët, por për mbarë Ballkanin dhe për kombet e Evropës. Kjo grua famoze njihej me personalitetet më të shquar të Evropës Perëndimore e më gjerë, akademike, shkrimtare, publiciste etj. Dhe e hyrë bile, që në të gjallë të vet, në enciklopeditë e Evropës, për më tepër ishte grua shkencëtare. Çamët me krenari mund të thonë “ ishte ka Epiri”. Xhaxhai i saj, Jani, apo i njohur në Rumani si Jon Gjika, është themelues i Akademisë Rumune të shkencave dhe përkrahës dhe mbështetës i pakursyer i shoqatave shqiptare në Rumani gjatë Rilindjes Kombëtare. Do të shkonte gjatë të flisnim për stratiotët çamë, që dhanë ndihmesën e tyre me grykën e armëve në shtetet e ndryshme Evropiane dhe ja zbardhën faqen dhe e ngritën lart emrin e shqiptarit dhe të çamit. Nuk mund të la pa përmendur vëllezërit Zosimea, shqiptarë të Janinës, që punuan, jetuan dhe vunë pasuri në Rusi, në Odesë. Ata ngritën një vatër diturie të kulturës helenike, në gjuhën greke që ishte gjuhë e kulturës për mbarë Ballkanin, siç qe latinishtja në Perëndim dhe arabishtja në Lindje. Të tjerët nuk mungojne t’i përvetësojnë siç i kanë përvetësuar deri më sot. Gjimnazi i famshëm Zosimea i Janinës ishte shkolla e ngritur nga çamët shqiptarë për çamët, për veten e tyre, pra shqiptarët në një gjuhë të kulturës së kohës siç qe greqishtja. Aty u shkolluan një pjesë e rilindësve tanë si Jani Vreto, Ismail Qemali, Vëllezërit Frashëri, përfshi dhe çamin e madh Abedin Dino. Detyra jonë është të nxjerrim në shesh të vërtetën.. Abedin Dino që u bë ministër i jashtëm i Perandorisë Osmane, ishte njëkohësisht kryetar i lidhjes së Prizrenit për Jugun shqiptar dhe bëri çmos që Çamëria të mos ndahej nga Shqipëria dhe bashkë me çamin tjeter Hoxha Tahsinin, ja arritën. Të njëjtën gjë bëri 30 vjet më vonë i biri, Rasih Dino në Londër, por pa sukses. Diplomacia Evropiane e kishte dhënë verdiktin. Çamëria kaloi në duar të huaja në vitin 1913, sadoqë çamët dhe lebërit e lanë me gjak Janinën. Por Rasih Dino s’u tërhoq, bashkë me të bijën e tij me të madhe, Lejlanë, që ishte ndihmëse, sekretare, këshilltare, përkthyese etj. në Konferencën e Versajës do të bënte të pamundurën të shpëtonte Çamërinë. Pasurinë e vet e bëri zero, veç të shpëtonte Çamëria. Më kot. Veshi i Evropës ishte shurdh dhe oreksi i fqinjit tonë s’kishte kufi . Epopeja e Dinove për Çamërinë s’mbaron me kaq. Djali i madh i Rasih, Ali Dino, piktor i shquar, do të mbronte çështjen çame nga brenda parlamentit grek (si deputet i tij). Gjysma e Epirit ka shkruar në kujtimet e tij, vëllai i tij më i vogël, piktori i madh Abedin Dino, ka qenë pronë e familjes sonë. Gjithe Çamëria e çoi në banesën e fundme në Athinë kur vdiq, birin e saj që mbrojti të drejtat e saj legjitime. Fatkeqësisht ne s’dimë asgjë për Dinot e brezit të tretë, që u shkrinë për komb e atdhe, për Çamërinë. Ali Dino ka qenë karikaturisiti më i madh dhe një nga piktorët më të mëdhenj të Greqisë dhe pati nderime të shkallës sipërore nga shteti Grek. Në Panteonin Grek, ku shumica e figurave janë të gjakut shqiptar, ka dhe shumë çamë por po përmend vetëm dy: Marko Boçarin e Sulit dhe Kostandin Kanarin e Pargës. Bëmat e tyre janë shkruar me gërma të arta në historinë greke dhe atë shqiptare. Këta janë, siç thotë populli në mënyrë lapidare , Trimat e Shqipërisë që i dhanë lirinë Greqisë.