• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryetari i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, dhe Nënkryetarja e Kolegjit për Austri, Prof. Dr. Lumnije Kqiku-Biblekaj, janë takuar në Vjenë me z. Andreas Minnich, deputet në Parlamentin e Austrisë

January 30, 2024 by s p

Në këtë takim u bisedua për bashkëpunimin mes Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, Parlamentit të Austrisë dhe shtetit austriak në projekte të ndryshme.

Kryetari i Kolegjit, Dr. Latifi tha se në këtë takim shumë të rëndësishëm u bisedua në veçanti për Qendrën e Avancuar të Simulimit dhe Edukimit, si dhe për projekte tjera të rëndësishme për Kolegjin e Kirurgëve të Kosovës dhe shëndetësinë e vendit tonë.

Kurse, deputeti austriak, z.Andreas Minnich, falënderoj Prof. Dr. Latifin për takimin dhe për mundësinë e bashkëpunimit mes Parlamentit të Austrisë dhe Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, duke shtuar se ishte kënaqësi të bisedohej më një ekspert si Dr. Latifi, i cili përmes punës së tij në shumë vende të botës ka ndihmuar në transformimin e shëndetësisë duke përdorur avancimet teknologjike.

Deputeti z. Minnich ka qenë pjesëmarrës edhe në ligjëratën e Prof. Dr. Rifat Latifit të mbajtur kohë më parë në Akademinë Diplomatike në Vjenë, prandaj ky takim ishte bisedë pasuese dhe shumë e dobishme.

Filed Under: Analiza

Kundër shfaqjes së simboleve të diktaturës në ambiente publike

January 27, 2024 by s p

Besim Ndregjoni/

Shkëlqesi ambasadorë! Të shqetësuar nga situata aktuale politike në vendin tonë, ne të mbijetuarit e diktaturës, që përfaqësojmë 40% të popullsisë që u përndoqëm dhe u masakruam nga diktatura staliniste e Enver Hoxhës po ju drejtohemi juve, përfaqësues të vendeve demokratike si mbrojtës të lirisë dhe të drejtave dhe lirive të njeriut dhe si miq ideali të përndjekurve politikë, që për kauzën e lirisë gjatë regjimit komunist frymëzoheshin nga demokracia dhe liria që kishin kombet tuaja. Ju bëjmë thirrjen tonë dhe ju vëmë në dijeni: Brenda këtij 10- vjeçari, me ardhjen në pushtet të socialistëve pasardhës të Partisë Komuniste diktatoriale, që sundoi për një gjysmë shekulli dhe masakroi shqiptarët, kanë filluar të shfaqen simbolet e diktaturës në ambiente publike, të përkrahur nga pushteti politik dhe të shfaqura nga institucione shtetërore.

Zotërinj ambasadorë! Ju sjellim në vëmendjen tuaj një thënie të Xhon Kenedit, ish-President i Shteteve të Bashkuara: “Komunizmi nuk ka ardhur kurrë në pushtet në një vend që nuk është prekur nga lufta, ose nga korrupsioni, ose nga të dyja këto”. Prandaj shqetësimi ynë është se nga Lufta e Dytë Botërore erdhi komunizmi në Shqipëri më 1944 dhe tani po rikthehet nga korrupsioni i këtij pushteti me simbolet e tij. Ju sjellim në vëmendjen tuaj se Shqipëria ka një bilanc tragjik të krimeve të komunizmit. Janë mbi 6000 shqiptarë që i ka pushkatuar komunizmi dhe u ka zhdukur eshtrat, dhe sot ata nuk kanë një varr që familjarët t’i përkujtojnë, pushteti politik nuk lejon as të ngrihet “Muri i Kujtesës” për të memorizuar veprën dhe sakrificën e tyre sublime. Janë mbi 36.000 të burgosur politikë që kaluan kalvarin e persekutimit për gjysmë shekulli dhe për 33 vite pluralizëm njohën vetëm heshtjen dhe përbuzjen e një klase politike antikombëtare, duke heshtur ndaj krimit dhe duke nderuar xhelatët e tyre.

Janë mbi 100.000 familje që u përballën me internimet dhe dëbimet politike dhe u cilësuan me nofkën sovjetike “Kulak”. Prej 10 vitesh që pushteti i korruptuar politik përkujton datat simbol të diktaturës, siç është 29 nëntori 1944 kur u vendos diktatura komuniste në Shqipëri, duke e kamufluar si ditë çlirimi, ku kjo datë ndau Shqipërinë për 50 vite nga Perëndimi. Merren nxënësit e shkollave nën diktatin e mësuesve dhe me bekim të Ministrisë Arsimit nderojnë me grusht në përkujtime të datave festive të diktaturës dhe politika shqiptare si pozita trashëgimtare e diktaturës dhe opozita i kalojnë në heshtje këto veprime vrastare ndaj brezit të ri. Në televizione kombëtare dhe në shtypin e përditshëm shfaqen figurat e krimineleve të diktaturës, me pjesëmarrjen e pushtetarëve aktualë, duke helmuar brezin e ri. Çdo natë në televizionet shqiptare shfaqen filmat e diktaturës.

Më 16 janar 2024 Teatri i Operës dhe Baletit, institucion i Ministrisë Kulturës, jep shfaqje me një valle që i këndohej diktatorit gjatë sundimit të tij barbar. Në një emision të një televizioni kombëtar shfaqen hapur këngët për partinë e diktatorit dhe flitet me superlativa për kohën e diktaturës, duke fyer mbi gjysmë milioni shqiptarë që u mbijetuan masakrave të komunizmit. Politika shqiptare është bërë palë me këto simbole dhe vazhdon heshtjen e saj për 33 vite.

Si mund të përdorin taksat tona këto institucione, duke rikthyer simbolet vrastare të komunizmit. Tirana zyrtare nuk kujton as viktimat e shumta të komunizmit dhe as nuk ka dënuar, zyrtarisht, krimet e komunizmit enveristo-stalinist gjatë tri dekadave të kaluara. Për këtë fajin e ndajnë si pozita aktuale socialiste në qeverisje, ashtu edhe opozita aktuale demokrate në të kaluarën. Shumica e shqiptarëve janë të bindur tanimë se këto tri dekada të tranzicionit “post-komunist” nuk ishin asgjë tjetër veçse një vazhdimësi e regjimit famëkeq, pak më e butë ndoshta se ish-regjimi enverist, por në thelb, antidemokratik, me vlera dhe ideologji të njëjta. Për fat të keq, përjetësimi i së keqes komuniste (the evil of communism) siç e quante dikur Presidenti Ronald Reagan, ka arritur proporcione aq serioze saqë sot nevojitet paralajmërimi i katër komuniteteve fetare në Shqipëri kundër dukurive të tilla. Për më tepër, një gjë e tillë po ndodh në Shqipëri para syve të diplomatëve perëndimorë në Tiranë dhe përballë heshtjes së tyre ndaj këtyre dukurive shqetësuese për një vend anëtar të NATO-s.

Unioni Mbarëkombëtar i Integrimit të të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë dhe katër komunitetet fetare u kanë kërkuar institucioneve shtetërore për t’i dënuar krimet e komunizmit me ligj, siç ka vepruar Europa mbas Luftës së Ftohtë dhe mbas rënies së Murit të Berlinit, por politika vetëm hesht dhe mbron korrupsionin për t’u pasuruar. Ne, të mbijetuarit e diktaturës vite më parë, shpeshherë, kemi paralajmëruar përfaqësitë diplomatike perëndimore në Shqipëri se e keqja e bishës komuniste po përjetësohet në Shqipëri dhe se kjo është tanimë një politikë zyrtare, ndonëse e heshtur, por e qëllimshme dhe se diplomatët e vendeve perëndimore në Tiranë duhet të flasin hapur kundër dukurive të tilla. Shqipëria po shkon drejt një diktature demokratike, rezistenca e të mbijetuarve të diktaturës kundër kësaj diktature duhet të ketë mirëkuptimin e ndërkombëtarëve! Duhet t’u rikujtojmë diplomatëve perëndimorë në Tiranë, miq të vjetër e të rinj të Shqipërisë dhe shqiptarëve; se heshtja e tyre e kohëve të fundit ndaj përjetësimit të asaj që, jo vetëm katër komunitete fetare e shikojnë si një përjetësim të së keqes komuniste në vend, por edhe vërejtës të tjerë vendës dhe ndërkombëtarë mendojnë gjithashtu se nuk është në interesin e demokracisë shqiptare, as në interesin e marrëdhënieve të kombit shqiptar me miqtë e tij në botën demokratike perëndimore, ku të gjithë ne mendojmë dhe besojmë se i përkasin përjetësisht, si njërin prej popujve më të vjetër të Evropës.

Si dhe pse mund të justifikohet heshtja e diplomatëve të vendeve të Evropës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara në Tiranë ndaj dukurive “të herë pas hershme të neo-komunizmit dhe forma të ndryshme të lartësimit të ish-diktaturës komuniste”, sipas rezolutës së katër komuniteteve fetare dhe Unionit Mbarëkombëtar Integrimit të burgosurve dhe Përndjekurve Politikë në Shqipëri.

Të nderuar diplomatë të demokracive perëndimore të akredituar në Tiranë! Ju mund të vazhdoni të heshtni ndaj këtyre dukurive, por ne, bashkëkohësit e dr. Martin Luther King –kampionit të të drejtave dhe lirive të njeriut në Amerikë shekullin e kaluar kur ne përballeshim me diktaturën enveriste se, “Më në fund, ne nuk do të mbajmë mend fjalët e armiqve tanë kundra nesh, por do të kujtojmë heshtjen e miqve tanë” përballë padrejtësive ndaj nesh. Brezi i sotëm i shqiptarëve ka filluar të vërë në dyshim miqësinë e perëndimorve dhe ne të mbijetuarit e diktaturës habitemi me heshtjen tuaj ndaj lartësimit të një regjimi barbar komunist në Shqipëri, madje edhe nga qarqe zyrtare të politikës dhe drejtësisë të një vendi anëtar të NATOS-s. Heshtja juaj, të nderuar miq, ndaj shkeljes flagrante të të drejtave të sanksionuar ndërkombëtarisht, përfshirë kapjen e institucioneve, ne nuk mund të besojmë se është në interesin e shteteve tuaja perëndimore dhe aq më pak në interesin e shqiptarëve të etur për liri dhe demokraci, jo dhe jo. Kjo duhet të jetë kauza e ndërkombëtarëve në marrëdhëniet e tyre me institucionet zyrtare shqiptare dhe me të gjitha entet e tjera të shoqërisë dhe të shtetit shqiptar, përfshirë opozitën dhe shoqërinë civile, ashtu siç janë me mungesa dhe jofunksionale.

Përndryshe, përballë kaosit politik aktual në Shqipëri, taksapaguesit amerikanë dhe evropiano-perëndimore, me të drejtë, duhet të bëjnë pyetjen: Cili është suksesi i demokracisë në Shqipëri, që është premtuar me derdhjen e fondeve marramendëse këto 33-vite të tranzicionit nga taksapaguesit amerikanë dhe everopianoperëndimorë? Kjo, për të mbajtur në pushtet këtë klasë politike aktuale 33-vjeçare, autoritare, neo-komuniste – pozitë dhe opozitë – e lidhur ngushtë jo vetëm ideologjikisht, por edhe biologjikisht me rrënjët e ish-regjimit komunist të Enver Hoxhës; diçka e paparë sot në ndonjë vend tjetër ish-komunist, anëtar i aleancës ushtarake perëndimore, NATO-s, siç është Shqipëria.

*President i Unionit Mbarëkombëtar i Integrimit të të burgosurve politikë

Filed Under: Analiza

E djathta shqiptare që nuk egziston…

January 27, 2024 by s p

Ajet Delaj/

Nuk po them ndonje gjë të re nëse them se përgjatë 34 viteve të fundit nuk ka pasur parti të djathtë madje as te qendrës së djathtë në Shqipëri gjithnjë referuar parimeve dhe vlerave të partive të djathta të vendeve perëndimore.  Nuk dëshiroj të hyj në historikun e demagogjinë komuniste të atyre që e kanë quajtur veten të djathtë pasi edhe ata vetë e kanë ditur se nuk janë të djathtë pasi problemin me madhor të tyre kanë pasur faktin se janë krijuar si formacione politike nga Ramiz Alia.

E djathta klasike mbeshtetet mbi tre parime themelore : prona, familja dhe besimi në Zot në një shoqëri të lirë e demokratike referuar lirive e të drejtave themelore të njeriut të pranuara, firmosur në traktatet e konventat perëndimore duke i sanksionuar edhe në kushtetutën e Shqipërisë por fatkeqësisht nuk janë zbatuar nga asnjë qeveri shqiptare përgjatë 34 viteve të fundit. Nuk dëshiroj të analizoj të majtën shqiptare pasi duke pasur në konsideratë se nga vjen dhe çfarë përfaqëson është pozicionuar mjaft mirë madje në nivelet më të larta të globalistëve duke e tërhequr Shqipërinë zvarrë, teorive ultra liberale me qeveri të mëdha e patronazhistë.

Problemi madhor për Shqipërinë e shqiptarët është mungesa e alternativës së djathtë siç e ka gjithë bota e civilizuar perëndimore. Pra problemi nuk është nëse më pëlqen apo nuk më pëlqen mua apo disa të tjerëve e majta shqiptare, problemi qëndron në mungesën totale të alternativës së djathtë në realitetin politik shqiptar. Shikoni me vëmendje të ashtuquajtura grimca të së djathtës se si kacafyten për ditë me njëri-tjetrin se kush do e ndajë pushtetin me socialistët ashtu siç kanë bërë përgjatë 34 viteve të fundit. Në vitet e para të pluralizmit alla shqiptar të pas 92-shit pushteti u nda me ish-sigurimin e shtetit e figura të rëndësishme të sistemit komunist. Me fuqizimin e tyre si kolonë e pestë në spektrin e djathtë përjashtuan nga partia figura potente të vizionit të djathtë si Petrit Kalakula e bashkëpunuan hapur e pa nderojë me formacione të ekstremit të majtë si PA e Xhuvelit e LSI-ne e Ilir Metes. Shikoni me vemendje partiçkat e vogla të mbetura nga sistemi i “katovicës” nëse kanë ndonjë diferencë në artikulimin e tyre publik me të majtën socialiste.

Fakti që pësojnë humbje të njëpasnjëshme nuk është se shqiptarët janë të majtë por trashigimia ideologjike e gjenetike luajnë me të njëjtat mjete e filozofi si e majta socialiste madje duke shkuar edhe më tej si forcë e ekstremit të majtë duke u shfaqur edhe si antiamerikan. E them me bindje të plotë se Shqipëria ka nevojë për një të majtë pro-Amerikane që realisht egziston me z.Rama ashtu edhe për një të djathte pro-Amerikane që fatkeqësisht nuk egziston. E theksova nevojën e të pasurit të të dy kraheve politik pro-Amerikane për vete historikun e Kombit shqiptar në historinë gjeopolitike të Europës e mbrojtjen e interesave kombëtare të kombit shqiptar në marrëdhëniet ndërkombëtare. A janë shqiptarët të ndërgjegjësuar për realitetin politiko-shtetëror të Shqipërisë e perspektivën e zhvillimeve politiko-ekonomike të së ardhmes në një botë që po ndryshon me shpejtësi? Thellësisht mendoj se po pasi Shqipëria i ka resurset njerëzore, akademike brenda dhe jashtë saj pasi vajzat dhe djemtë e shqipes po edukohen në universitetet më prestigjoze të botës e po bëjnë karrierë në kompanitë e qeveritë e Europës e Amerikës.

Shqiptaret e duan Atdheun dhe origjinen e prinderve të tyre dhe jane të gatshëm të kontribuojnë e sakrifikojnë për gjenezen e tyre. Shqiptarët duhet të kuptojnë se pa Kosovë e Çamëri nu ka Shqipëri ashtu si pa bashkimin shpirtëror të shqiptarëve në Atdhe e diasporë në aleancë me aleatin tonë strategjik, USA e parimet e vlerat e saj nuk ka e nuk mund të ketë prosperitet kombi shqiptar. I bëj thirrje klasës politike në hapësirat shqiptare në gadishullin Ilirik që të njohin e zbatojnë institucionin e dorheqjes si tregues i maturimit politik e faktor i rëndësishëm i qarkullimit të elitave duke i dhënë hapsirë angazhimi e kontributi të gjithë atyre shqiptarëve me vlera, edukim e eksperiencë që të vihen në shërbim të Atdheut. 

Shqiptari nder shekuj ka ditur me falë e madje edhe djalin e veçanërisht diaspora shqiptare që ka jetuar apo lindur në perendimin kristian me siguri janë ndikuar nga mëshira kristiane. Të mos harrojmë e madje të mos vonohemi se djali apo vajza e shqiptarit që ka lindur në 90-tën është shkolluar në universitete prestigjoze të botës është sot 34 vjeç e duhet konsideruar e trajtuar si pasuri kombëtare të kombit shqiptar. Bllokimi i spektrit të djathtë të politikës shqiptare me programin e vazhdimësisë komuniste duhet të marrë fund duke i dhënë Shqipërisë një shans emancipimi e zhvillimi. Dëshiroj të theksoj se duke u larguar vullnetarisht i japin një hapsirë të shpejtë zhvillimi shoqërisë shqiptare pasi falë Amerikës ka ardhur koha që çdo rezistencë do ndëshkohet me ashpërsinë më të madhe e për këtë besoj se askush nuk do kënaqet përveç faktit se shteti ligjor po funksionon në Shqipëri nëpërmjet SPAK-ut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ajet Delaj

…Se çdo epokë mbart një emër! Zemra e bukur rreh edhe pas ikjes…

January 26, 2024 by s p

Shkruar nga Raimonda Moisiu

Author Freelance journalist

Jacksonville Florida USA

Janar, 2024

Poezia, në kuptimin e përgjithshëm, mund të përkufizohet si “shprehje e meditimit dhe imazhit të vërtetë të jetës së rrëfyer në të vërtetën dhe me origjinalitetin e saj të përjetshëm. Poezia heq velin e bukurive të fshehura brenda botës njerëzore, ajo vështron në zemrën e ndjenjave dhe gjërave, dhe prodhon jo vetëm larminë e shpirtit melodioz, por edhe harmoninë e tingujve të emocioneve duke vënë në sprovë veten, me të gjitha figurat, frymëzimin, mendimet dhe veprimet me të cilat poezia bashkëjeton. Poeti është si ai bilbili këndonjës që rri ulur në errësirë, thurr vargje dhe i “këndon” vetë ato. Në këtë gjendje poetin e con kupa e frymëzimit me ngrohtësi, butësi, mirëkuptim, mirësi, dashuri, përzemërsi, kupa e mallit dhe e dhimbjes, e brengave dhe ajo e dertit të një shpirti lakuriq e të lirë-sepse zemra e bukur e poetit rreh edhe pas ikjes së tij në amëshim.

“unë dhe Unë”, titullohet vëllimi i dytë me poezi i liderit dhe politikanit të shquar demokrat, juristit dhe gazetarit, Sokol Olldashi. Vëllim me poezi të cilin unë pata fatin dhe kënaqësinë ta kem në bibliotekën time me autografin e nënës së tij, dhe mikes sime fisnike, Kozeta Mamaqi. Në një bisedë që pata me Kozetën, ajo më rrëfeu, Koli ka qenë pasionant i poezisë që në fëmijërinë e hershme të tij dhe i ka botuar ato në shtypin e kohës. Madje ka botuar edhe përkthime me poezi të poetëve të huaj. Kur ishte student ka botuar vëllimin e parë me poezi të titulluar “Teatri i hijeve”, në shtypshkronjën “Rilindja” e Kosovës, porse asaj kohe operonte në Tiranë.

Menjëherë mbas ikjes tragjike dhe të beftë në amëshim të birit të saj, ajo u kujdes, mblodhi e redaktoi krejt poezitë e pabotuara të Sokolit, duke sjellë për dashamirësit e poezisë dhe për të gjithë miqtë e birit të saj, -librin me poezi “unë dhe Unë”!

Deri në castin që libri pa dritën e botimit, disa nga ne apo disa nga adhuruesit e tij si politikan, nuk e dinim që Sokoli politikan kishte fshehur brenda vetes, Sokolin artist, poetin lirik elitar, alternim i lidhjes së fuqishme që ekziston midis natyrës dhe shpirtit njerëzor.

Në historinë e letërsisë botërore janë të shumtë poetët dhe shkrimtarët që kanë studiuar për drejtësi, shkenca sociale dhe politike, që janë ligjbërës, ligjvënës, profetë, shkencëtarë dhe punëtorë të thjeshtë, janë politikanë dhe artistë. Disa vite më parë poeti i shquar amerikan Michael Levan u prezantua për lexuesin American, atë anglishtfolës e më gjerë, me romanin “Poetët bëjnë dashuri ndryshe”!

Ndërsa unë do të shtoja që Sokoli Poet vërtet bën dashuri krejt ndryshe; përmes vështirësive e sakrificave dhuron vetëm mirësi e dashuri përballë kapricove të jetës në librin e tij të titulluar “unë dhe Unë”. Sokoli i ofron lexuesit mesazhe të ngrohta e frymëzuese nga përjetimet e ciltra, ofron ndjenjë dhe emocion, përherë në kërkim të fjalës së bukur për të ndërtuar figura dhe endur vargjet lirike dhe meditative.

Vëllimi poetik “unë dhe Unë”, i politikanit të njohur dhe poetit Sokol Olldashi, dalë nga shtëpia botuese Gent-grafik vjen si një mozaik i këndshëm, poezitë janë mirëvendosur në dhjetë kapituj me nëntituj respektivë. Sokoli është Poet lirik, me urtësinë e origjinalitetit e mendimit, frymëzimit dhe lirizmit pasionant të artit poetik. Ai është kërkues ndaj vetes, i përgjegjshëm ndaj lexuesit, dhe duket sikur e ka kapur kohën fort për ta ndjekur e mos iu ndarë. Me shpirtin e lirshëm dhe vitalitetin e tij origjinal, gjuhës së pastër shqipe, rrjedhshmërinë dhe harmoninë e vargjeve dhe strofave, Sokoli tregon një kujdes të vecantë në gdhendjen dhe lëmimin e intimitetit lirik, meditativ, erotik, sarkazmë therrëse plot ironi dhe mëncuri, që shpërfaqet në konsekuencën e mendimit varg pas vargu dhe në sjelljen e natyrëshme të figurave dhe metaforave të goditura filozofike e artistike, pa sforco e shtrëngim. Poeti i jep frymë poetike reales dhe emocionit të castit, në harmoni me kontrastet shoqërore, forcës sociale, ekzistencës njerëzore dhe besimin në të vërtetën e sfidës mistike të dashurisë për jetën, në diagramën e dramave të vogla e të mëdha në të përditshmen njerëzore.

Përemri vetor “unë” është i vecantë dhe “i fortë” në libër, ofron një ton bisedor “…unë di si të dua” –thotë Sokoli Poet, – varg që dëshmon jo vetëm meditimin e poetit, por edhe ndjeshmërinë e vargut në detaj, që dëshmon për përvojën dhe kujdesin e vecantë në gdhendjen e atij vargu lirik. Përvojat jetësore janë individuale dhe “të vërteta” dhe ato janë të rrënjosura në realitet, dhe të rrëfyera me një ton balador me kolor romantik, hera-herës erotik, gjeneroz në ndjenjë dhe emocion, njerëzor në komunikim nëpërmjet apelit që bën pengu i ndonjë dashurie të vjetër: “…do të ndalem në prag sic ndalem te ty. /Aty do të të lë, / Siç ke bërë ti më parë. /Më tej do të ecim, / Drejt pikës nga erdhëm, /Për t’u rinisur pa kthim.”

Është një bisedë e lirëshme, realiste dhe rrëfimtare në vetën e parë, ku “unë” nënkuptohet dhe ndihet shpirti individual alegorik i trazuar i poetit, konceptimi i vecantë i kësaj poezie me ndjenjë, dhimbje, mall nga ritmi, rima, gjuha e rrjedhëshme, leksiku i kujdesshëm, tematika e pasur dhe nga erudicioni i karaktereve dhe i vargjeve, që nuk mund të shmangë mistiken e tundimit erotik për të fshehtën dhe irealen. Edhe pse ka bërë një betim, Sokoli dëshmon dashurinë e përjetëshme, me c’rast na intereson ndjenja dhe emocioni që përfitojmë nga leximi i saj.

Që në titullin e poezisë “Ditën që vdiqa linda sërish”, Sokoli Poet ka vendosur kuptimin alegorik dhe shpirtin e tij të lirë; “Pa asnjë pikë hidhërimi/që kënaq vec hipokrizinë tuaj/ ju njoftoj se unë kam vdekur/ E pikërisht në këtë cast ndihem i gjallë/ trup real”.

Poeti demonstron fuqishëm dhe shfrytëzon ndjeshëm me mjeshtërinë e vet artistike dhe filozofike, në marrëveshje me heshtjen dhe shkruar kaq mirë, ku emocionet janë të forta, prekëse e mallëngjyese të rrënjosura këto në imazhet konkrete dhe të mahnitshme, se si në të vërtetë janë dhe se si ne i perceptojmë ato të jenë…

Poeti heton dhe vepron me cdo shqisë të tij përmes integritetit të gjuhës, ndërtimit fizik të poezisë dhe kulturës poetike thellësisht humane, plot figura artistike, kjo dallohet në konceptimin e vargut poetik dhe fizionominë e tij. Cdo varg i kësaj poezie është kaq precize dhe ndjellëse – trimëri e pafajshme- vdekje, lindje, dhimbje dhe trishtim, për të treguar luftën për jetën dhe metafizikën e natyrës njerëzore që është sa e butë dhe e paprinciptë, që ka edhe koston e vet, e mpak, e thinj dhe e tret poetin, dhe i mban peng shpirtin e lirë; “Metamoforzë makabre/ m’i ndryshoi gjymtyrët/ Njeriu si ju më solli mendime reptile/ me të cilat të rend qoftë edhe njëherë.”

Në këtë poezi, imazhi i gjetjes së vetes “Ditën që vdiqa linda sërish”, poeti është literal edhe metaforik në përpjekje për të shtjelluar marrëdhëniet mes “vdekjes dhe lindjes”, mes realitetit të jetës dhe kuptimit të saj, dhe kontraston zbulesën nën petkun vdekjes, legjitimon melankolinë dhe trishtimin dhe shmangjen hedonistike të saj:

“Ju njoftoj me hidhërim të madh/ se s’do ta kënaq hipokrizinë tuaj naïve/”-

Edhe metaforat me intrigë meditative dhe elokuente që i referohen “ndihem i gjallë/ trup real”, – herë-herë janë pozitive, dhe përfaqësojnë një ekulibër në reflektimin “real” me botën dhe me njerëzit në rrugëtimin e lumtur e të trishtë të jetës. Poeti e mban fjalën dhe lind sërish mbas vdekjes, dhe ngjall ndjenjën e të qënit plotësisht në paqe me veten.

Sokoli indentifikon veten si një emocion dhe krijon një dualitet të paqëndrueshëm midis vetë-ndjenjës dhe asaj “hipokrizinë tuaj naïve” që “ju” jeni në realitet. Nëse interpretimi i realitetit nuk përputhet me atë që realiteti portretizon vërtet, ai mund të shkaktojë vuajtje për hipokritët e “lumtur”;

“se unë/ditën që vdiqa/ linda sërish/ për t’iu varrosur (më parë) ju…”

Ndërkohë, jeta ofron dhe konfuzon, një mishmash vlerash dhe idesh prej të cilave nuk mund të jemi gjithmonë të qartë e të mbrojtur. Sokoli poet në të shumtën e poezive ka zgjedhur poezinë e shkurtër me një stil të ndërlikuar nga ana artistike dhe filozofike, gjetjen e detajeve dhe muzën poetike. Vargu, metrika e vargut, ritmi ose theksi ritmik, strofa distik, katërshe, e me disa vargje dhe stansa klasike duke na dhënë një realitet të prekshëm për nga mesazhi, me një përvojë të shndërruar në një realitet original dhe të interpretuar. Për poetin, është e pamundur të jesh i lumtur gjatë gjithë kohës; “Largohu ti instikt i së keqes, /që u zgjove në zemrën time/ se sheh që i prish asaj ëndërrimet”, – sepse lumturia është një emocion që ndjell pas vetes misteret e jetës, trishtimin dhe zemërimin, epshin dhe zilinë, mëkatet njerëzore; “Si bisha, / na cirrnin zhgjëndrat, / që vishnin me të bardha qefinin, / ku gozhdonin shpërthimin e ndrydhjes sonë,/ Marshonim këmbëzbathur, por putrat i përplasnim,/ mbi asfaltin vizkos të shoqërisë moderne,/ urinë e shuanim,/ me maskat hipokrite,/ të fytyrave njerëzore,/Etjen,/me helmin e gjembave,/ që mbinin mbi epitafin e shpirtit.”

Sic duket edhe nga vargjet e mësipërme është përjetimi i ndjenjës dhe pesha e fajshmes dhe e së pafajshmes, ka një analogji natyrale midis Sokolit politikan, intelektual dhe poet, që në mënyrë metaforike paraqet tablonë e rrugëve të fateve njerëzore dhe e shtyn poetin t’i bëjë objekt të artit të të shkruarit dukuritë e dhimbëshme, dhe të shëmtuara të jetës.

Këto përjetime të ciltra e rrëfyese, të dhimbëshme e të trishta, të ngrohta e frymëzuese janë një lloj ngushëllimi apo katharsisi të ngopura me ndjenja dhe emocione. Këto dukuri i vërejmë në përgjithësi në poezitë e këtij libri, të ndërtuara mjeshtërisht me figura të goditura letrare-artistike e filozofike, dhe lirizëm tejet të vecantë: “Valsi i merimangave”, “Vetëm shpirtin kam”, “Pejsazh pijetoreje”, “Dialog me priftin”, Drejt pikës nga erdhem”, “1997”, “Teatri i hijeve”, Pragjet”, “Ne shkuam shumë larg”,etj., – janë poezi për të zbuluar se në cilin drejtim duhet të aspirojmë vërtet. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, Sokoli është dëshmitar e këtyre emocioneve, sepse ky është tagri i Poetit, përjetimi i tyre dhe meditimi paqësor i emocionit të vërtetë që është vetëdija, origjinaliteti. Sokoli Poet, duke shfrytëzuar mjeshtërinë e vet artistike për të shmangur monotoninë, në secilën poezi ka larmi vargu e rimë por që përshkohen nga ndjeshmëria e lartë filozofike dhe artistike. Sokoli demonstron ndjeshëm dhe artin e forcës së fjalës, dramacitetin, tensionin e vargut, alegoritë, paralelizmat, që përbëjnë anën tjetër; “mbi asfaltin vizkos të shoqërisë moderne”, – të asaj shoqërie që përherë ka pasur e do ketë -“maskat hipokrite të fytyrave njerëzore”, -porse janë e do të jenë të ndryshme. Poeti i zbulon këto dukuri, gdhend fjalën dhe vargun, duke aspiruar për qëllimin moral e shpirtëror dhe mesazhin qytetar e filozofik, që i japin një ritëm të fortë poezisë për të mësuar kuptimin e jetës: “Hekurat i shkulnim, / e vetë përkuleshim nga pak…”

Në fillimet e botës, as poetët as vetë admiruesit e tyre, nuk ishin plotësisht të vetëdijshëm për përsosmërinë e poezisë, sepse ajo vepron në mënyrë origjinale dhe hyjnore. Por poezia vepron edhe në një tjetër mënyrë parashikuese dhe ne e shijojmë atë kolorit të pasur dhe konceptimin e vecantë të saj nëpërmjet vargjeve, rimave, metaforave të shprehura me dashuri, me ndjenjë, me dhimbje, me mall, dhe me nostalgji, kurse vetë poeti mbetet skllav i uni-t poetik, të këtij arti hyjnor. Poezia në pak rreshta, ose dhe vetëm me një varg, është pasqyra e një shpirti të trazuar, e cila i jep kuptim dhe e bën të bukur, vitale dhe të vetëdijshme edhe atë paksa imazh që është i turbullt dhe i paqartë:

“ Do të ishte e pamjaftueshme, / për të përballuar zemërimin, e flokëve të tu marinarë, / që më shpojnë mijra herë pa më vrarë, / pa më kursyer gjallë, / duke më lënë thjesht –bosh!”, – temperamente këto të emocioneve individuale, të gjalla e të paharueshme.

Me një fuqi të pashëmbullt stigmatizuese dhe lirizëm pasionant, i guximshëm dhe tejet i sinqertë, për heroin lirik, -Sokoli Poet – kalon në delir erotik drejt tejdukshmërisë së papërmbajtur erotike dhe nostalgjinë elegjiake e dy të dashuruarve dhe e pasuron atë me imagjinata; “Mos u merakos e dashur, /nëse do të kemi uri, / gjokset tona do të hamë,/ njërin unë tjetrin ti.” Shprehjet lirike dhe erotike të Sokolit në këtë poezi, qëndrojnë të forta, goditëse, delikate, duke iu referuar dominimit të ekzistencës dhe njerëzores. I egzaltuar dhe tejet i sinqertë në ndjenjat dhe lirizmin pasionant të tij, poeti sfidon në marrëdhëniet njerëzore dhe bën kompromis me idealin e dashurisë, dhe lirinë e fituar e menaxhon mjeshtërisht dhe artistikisht atë: “Më vonë, / testet e mija dhe mitrën tënde, / e nëse sërish s’do të jemi ngopur, /kraharorët e njëri – tjetrit do të cajmë, / me dhëmbë, / Në grahmat e fundit, / do të kafshojmë, / zemrat”

Poeti shndërrohet në këndonjës jo vetëm i dashurisë por edhe vetmisë së vet dhe me vargje plot tinguj të ëmbël e të larmishëm: “Të dua! / S’kam ndërmend të ngre puthjepritës,/ mbi catinë pa mure,/ që kemi ngritur të dy,/ rri aty!/ Më kthe vetëm akrepat,/ që rrugën të gjej drejt… zjarrit.”, – tinguj që hymnizojne pastërtinë morale të ndjenjës së pastër dhe besnike të dashurisë, porse dalin nga shpirti melodioz i një muzikanti të padukshëm, i cili i ndjen, porse ende nuk e di nga c’shpirt dalin dhe pse. Sekreti i madh i moralit të poezisë është dashuria, e cila forcon interesin për natyrën njerëzore, lartëson shpirtin e lirë, intensifikon aspiratën drejt së mirës dhe së bukurës në gjithçka që na rrethon dhe identifikimin e vetvetes me të bukurën që ekziston. Dhe poezia është vetiu me origjinën e njeriut…

“Ne ecëm/ në monopatin/ e ngushtë/ pa kthim, /skelete zogjsh fluturonin, /mbi pupla të rëna gëmushave, / shpirtrat tanë shqyenin egërsirat.”

Me inteligjencë e grintë ironie, Sokoli penetron me teleskopin e tij poetik, frymëzim dhe imagjinatë që i japin kuptim jetës dhe realitetit të hidhur në dramën cinike, vuajtjes dhe sakrificave të mbarsura nga stereotipet e kontrasteve të mëdha, farsave sociale dhe fatet njerëzore. Kemi poezi lirike në dedikim të atdheut me tematika të vecanta me tendencën e vargut tradicional e bashkëkohor që nxit vetëdijen historike e njerëzore të brezit që jeton dhe atij brezi që i përket. Në libër ka poezi me ton qytetar, social dhe intelektual; “Dhjetor 1996”, “Sirtaret e shpirtit”, “Mes njerëzve humb”, “Fati im një frymëmarrje”, “Puset janë të zinj”, “Krishtlindjet”, etj, – ku shpaloset shpirti human, social, atdhetar, kombëtar dhe politik i poetit, mes të bukurës e së përditshmes njerëzore, nëpërmjet magjisë së artit, dhe forcës së fjalës artistike e filozofike.

Përherë intrigohem prej faktit se cili do të jetë libri i rradhës për të lexuar. Dhe kësaj here ishte libri me poezi “unë dhe Unë”, i liderit të shquar demokrat, Poetit dhe Politikanit Shqiptar Sokol Olldashi.

Sokol Olldashi pati një jetë dhe karrierë aktive dhe elokuente si politikan, jurist dhe gazetar, i cili arriti të eksplorojë në thellësinë e shpirtit njerëzor që flet aq fort përtej historisë së demokracisë dhe politikës shqiptare. Dhe si gazetar e publicist, ai integroi elementët tradicionalë të gazetarisë dhe analizave sociale bashkëkohore dhe eksplorimit thellësisht të temave universale të demokracisë së brishtë shqiptare. Koha dhe historia e vlerëson Sokolin si një nga figurat kombëtare, historike dhe dominante të politikës dhe demokracisë shqiptare.

Virtyti i lirizmit të Sokolit Poet është mishërimi i bukurisë dhe emocionit lirik, origjinal, erotik, tradicional dhe bashkëkohor. Ai dëshironte që poezia e tij të përfshinte kompleksitetin e plotë të jetës, bukurinë dhe dhimbjen e saj, vdekjen dhe lindjen, por vetëm për aq sa imagjinata dhe individualiteti i poetit kishin akses të drejtpërdrejtë në përvojën ose mendimin dhe vetëm për aq sa ato meditime dhe frymëzime transformoheshin nga energjia e artikulimit artistik dhe filozofik bashkëkohor, që Sokoli i mishëroi ato në gjuhën tingëlluese origjinale dhe universale të poezive të tij. Arritjet e tij të shkëlqyera retorike, të forcuara nga fuqitë e tij të konsiderueshme të ritmit dhe frazës poetike, kanë fituar vlerësime të gjera nga lexuesit, veçanërisht, nga miqtë e tij, kritika e kohës dhe poetët më në zë të letërsisë dhe poezisë shqiptare.

Si një politikan dhe si një poet lirik bashkëkohor, me principe thellësisht qytetare, intelektuale, demokratike dhe njerëzore, – Sokol Olldashi përcon emocione dhe mbresa të jashtëzakonshme, jep optimizëm e shpresë se ardhmja u përket brezave që vijnë, i përket jetës e dashurisë njerëzore.

Shëmbull i qytetarisë dhe inteligjencës, Sokol Olldashi politikan, jurist, publicist dhe poet lirik, në kujtesën e kombit do të mbetet e kujtohet si një nga figurat më të respektuara dhe të admiruara, -se cdo epokë mbart një emër!

(Esse analizë rreth librit me poezi lirike; “unë dhe Unë”, e Sokol Olldashit).

Filed Under: Analiza

Ali Pashë Tepelena, kjo figurë komplekse dhe unike e historisë

January 25, 2024 by s p

Albert Vataj/

Ali Pashë Tepelena është ndoshta personazhi më kompleks i historisë së shqiptarëve. Lavdia e tij është e mbuluar nga një mantel i zi kujash dhe krimi të mbrujtura në një mëndje të errët dhe hakmarrëse. Ali Pash Tepelena e farkëtoi emrin e tij të lavdishëm në flakët më të përbindshme të tmerrit, përgjakjes, intrigave dhe poshtërsisë.

Bëri këtë ndoshta ngase nuk kishte tjetër rrugë për të arritur tek qëllimet dhe përmbushur ambicieve e tij. Një veçori e spikatur e “Luanit të Janinës” është menaxhimi që ai i bëri sundimit dhe luftës për pushtet që buronte nga frika që kultivoi dhe sjelljet prej xhelati të një paranojaku. I vetëm kundër të gjithëve, ai mundi të ishte i zoti vetëm si i tillë, siç e përshkruajnë penat e kohës lavdinë e tij prej mizori.

Ai ishte dhe mbeti figura historike shqiptare më e lakuar dhe më e shënjuar nga kronistë, historianë, udhëtarë, piktorë dhe shkrimtarë. Publicitetin e tij do ta kishte zili edhe sot çdo burrështetas. Janë botuar libra, janë shkruar faqe pafund; histori, të vërteta dhe trillime për të, janë realizuar piktura dhe shkruar këngë. Pas Skënderbeut ai është më i njohuri botërisht dhe kjo falë aftësisë së tij për të mbetur i pavdekshëm, një përjetësi të cilën ai e bleu me para, dhurata dhe suvenire të kushtueshme.

Edhe vdekja më 24 janar 1822, ashtu sikurse edhe e gjithë veprimtaria e tij si sundues, është e përshkuar nga një fill tejshpues legjende, siç e thotë edhe kënga… Koka në Stamboll e trupi në Janinë…

Fama dhe lavdia e tij janë të njëjta me shumë sundues dhe fisnikë të tjerë të botës, dhe është pikërisht kjo, magjia që i rrethjen këtij imazhi, kësaj figure, gjithëasaj madhështie të katapultuar në qiell përmes një larmie manifestimesh njohëse dhe promovuese. Ndoshta gjithçka sa është thënë dhe shkruar për të, ishte shumë më shumë se sa ai ishte në të vërtetë. Duke e mitizuar, duke e anatemuar dhe glorifikuar, duke e përngjasuar me satrapë dhe despotë të atyre ambicieve që ai kishte si sundues, koha shkroi jo vetëm historinë e një sundimtari, por arriti të skaliste me daltë të ashpër dhe ngulm të rrëmbimshëm kryeveprën e një shqiptari të famëmadh, i cili nga realiteti hyri në legjendë dhe prej andej kaploi përjetësinë për të mbetur një mit i mbuluar prej aq shumë historish, trillesh dhe të vërtetash që e pamundësojnë gjithkënd që ta deshifrojë në mënyrë tërësore, se kush ai në të vërtetë, më shumë se lavdia që u shtrua për të.

Konica më 1902, në 120-vjetorin e vrasjes së Aliut shkruan: “Ali Pasha, i pamësuar, pa shokë, i rrethuar me armiq, arriti vetëm me forcën e vullnetit të tij në një shkallë pothuaj mbretërore. Njerëz, si lord Bajroni, si admirali Nelson, si mbeti Gustaf Adolf i Suedisë e kishin për nder të piqeshin me të. Shqiptarët u ngjallën, u bashkuan, u ndjenë një komb nën sundimin e tij”.

Për kohën, rrethanat, zhvillimet e stuhishme, ngërthimet hakmarrëse, mosbindja nga Portës së Lartë, nevojat për mbështetje për të bërë qëndresë, duke mos përjashtuar asnjë opsion, sado absurd të ishte në kontekstin kohor, Ali Pashë Tepelena, ishte dhe mbeti i rrallë. Erdhi, sundoi dhe iku, duke qëndruar ikonik në histori, i dritshëm nga ana e dritës dhe i zi stërr nga ana e errët.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT