• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Gra mos heshtni

December 23, 2023 by s p

Nga Organizata e Gruas “Shpresë & Paqe” SHBA/

Anëtaret e Organizatës se Gruas “Shpresë & Paqe” në SHBA u takuan sëbashku për të dhënë opinionet e tyre rreth krimit që ndodhi në familjen shqiptare, ku bashkëshorti vrau gruan e tij me pagesë në sy të fëmijëve të mitur. Ajo që lëndon është se edhe një 14 vjeçare nga Maqedonia, Liridona Ademaj 30 vjeç dhe një 22 vjeçare nga Italia që u vranë nga familjarët apo partnerët e tyre u varrosën në një ditë.

Sa i përket medias, mendojmë se sensibilizimi që media i bën këtyre fenomeneve ka ndikim pozitiv. Ishte një mision i munguar i medias, mënyra më e mirë për të parandaluar krimet e dhunën. Duhet të ndihemi të falenderuar nëse edhe mediat në Kosovë do të veprojnë me të njëjtin ritëm, pasi jemi një komb, një gjuhë, paçka se dy shtete e hallet së pari duhet ti “qajmë” e ti zgjidhim sëbashku. Dhunë ndaj grave ka patur edhe gjatë viteve në komunizëm por media ka qenë nën çensurë, sot media është e lirë dhe e pavarur.

Një term tjetër që kemi hasur është feminicidi që nënkupton përgjegjësinë që kanë institucionet shtetërore dhe shoqërore. Sipas raportit më të fundit të UNODC vetëm në vitin 2022 janë regjistruar 89000 femicide në mbarë botën.

Ilir Havolli psikolog në Kosovë gjatë një interviste thotë: “Kur një individ kryen një krim plotëson kënaqësinë e tij psikologjike, rrit adrenalinën e tij dhe jeton me të…Ai është një person keqdashës i pasigurtë për shoqërinë”…

Ja si e përshkruan dhunën fizike një nga anëtaret e organizatës: “Dhunimet deri në vrasje janë mos edukim i mirë i fëmijëve që në start nga prindërit e tyre e pastaj nga shoqëria. Po qe se do të rriteshin ata fëmijë me dashuri, respekt e kulturë nuk do të kishin ardh deri te këto gjëra të pa pëlqyeshme që po ndodhin në shoqërinë tonë. Duhet që në çdo institucion arsimor të ketë psikolog që ata të punojnë me fëmijët që rriten në një familje ku ka dhunë e mos respekt në çift”. Më poshtë kemi opinionet tona dhe përkrahëseve të kësaj kauze, disa prej të cilave biseduan online në Zoom.

Ing. Merita Shkupi aktiviste, bashkëthemeluese e Organizatës së Gruas “Shpresë & Paqe” SHBA: “Kjo ngjarje i indinjoi të gjithë si gratë ashtu edhe burrat sepse nuk kish ndodhur kurrë një vrasje e tillë e kurdisur aq poshtërsisht në sy të fëmijëve të mitur. Arsyet e vërteta akoma nuk po dalin qartë por fakti që krimi është bërë me aq gjak të ftohtë na dëften se ky njeri është pervers. Këto dhunime kaq të egra e të përsëritura ndaj grave në shekullin 21 tregojnë se drejtësia deri më sot ka qenë shumë e butë ndaj dhunuesve. Ata meritojnë varjen në litar”.

Flora Selfo aktiviste, SHBA. Ish e persekutuar politike nga regjimi komunist në Shqipëri, dekoruar nga Senatorja Nathalia Fernandez në New York: “Jam shumë dakort me parafolëset. Solidarizohem totalisht me kërkesën e tyre që vrasësi i Liridonës të ndëshkohet me dënim kapital. Dhe jo vetëm vrasësit e Liridonës por të gjithë burrat që vrasin gratë e tyre të marin dënimin kapital”.

Lindita Zoraqi një nënë, një motër në SHBA: “Eshtë e tmerrshme, shumë keq. Po nuk u ndërgjegjësuan njerëzit për veten e tyre është e vështirë…. Shoqëria bën punën e saj, por është gjithçka e programuar”.

Sanije Vojka aktiviste, SHBA. Ish e persekutuar politike nga regjimi komunist në Shqipëri, gëzon titullin Presidencial Shqiptar “Pishtar i Demokracisë”, dekoruar nga Senatorja Nathalia Fernandez në New York: “Si mund të dhunosh e të vrasësh një nënë, nga një nënë që je krijuar, nga ajo që ke marë jetë…Dhunimi i grave duhet urgjentisht të marë fund. Shteti duhet urgjentisht të veprojë me ligje dhe të vendosë drejtësi për dhunën ndaj grave”. Z. Balla aktiviste SHBA, unë me tim vëlla u rritëm me prindër të divorcuar. Babai ishte i dhunshëm. Vrasja e Liridonës dhe mbetja e fëmijëve të tyre jetim më pikoi në shpirt. Unë bashkohem me parafolësen kur thotë, se nëpër shkolla duhet të vendosen psikologë. Sa për dënimin bashkohem me Znj. Merita Shkupi. Etj…

Filed Under: Analiza

Revista LIFE në Nju Jork

December 23, 2023 by s p

Kriza shpirtërore e Nënë Terezës sipas sociologut Gëzim Alpion

Arben Çokaj

Frankfurt am Main

11 dhjetor 2023

Ne korrik 2020, Bloomsbury Academic botoi në gjuhën angleze në Indi, Angli, Amerikë dhe Australi monografinë e Gëzim Alpion Mother Teresa: The Saint and Her Nation (Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj). Edicioni i dyte i librit doli në 2022 and i treti më 10 Tetor 2023, që përkoi me përvjetorin e lindjes së autorit. Libri është botuar me kopertinë standarde, speciale dhe si eBook dhe reçensuar në dhjetra revista shkencore dhe gazeta prestigjioze.

Në qershor të këtij viti, libri u vlerësua në Amerikë me ‘Çmimin e Ekselencës në Botime’ për vitin 2023 në kategorinë e ‘biografisë’ nga Shoqata e Botuesve Katolikë (Association of Catholic Publishers – ACP). Për këtë vepër Alpion ka folur në Amerikë në Nju Jork dhe në universitetet e Harvardit dhe Georgetown. Në maj 2024, pas një turneu ligjëratash në Azi, do të jetë i ftuar në Tiranë.

Dr Alpion është diplomuar në Universitetet e Kajros dhe Durham. Aktualisht ai është Profesor i Asociuar i Socologjisë në Universitetin e Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar.

Që nga viti 2013 Alpion po lobon për ndërtimin e Rrugës së Arbërit, ndërsa në vitin 2014 filloi lobimin për shenjtërimin e Nënë Terezës. Në vitin 2019, Kryeministri i Shqipërisë i akordoi Alpion çmimin ‘Ambasador i Kombit’. Ndërsa në 2021 ai u nderua nga Presidenti i Shqipërisë me ‘Medaljen Nënë Tereza’ në shenjë mirënjohje për “kontributin e tij të çmuar akademik në studimin e plotë të jetës dhe veprës së Shën Nënë Terezës, si dhe promovimin e saj si përfaqësuese e vlerave të kombit shqiptar”.

Libri i fundit i Alpion tërhoqi menjëherë vëmendjen e studiuesve dhe mediave, perfshirë revistës së mirënjohur katolike THE TABLET në Londër, që e ftoi Alpion para se të botohej libri të shkruante një artikull të posaçëm. Që monografia dhe shkrimi i Alpion u vlerësuan nga revista duket edhe nga fakti që për kopertinën e datës 8 gusht 2020 u zgjodh portreti i Nënë Terezës i shoqëruara me këto fjalë: ‘Mother Teresa’s lost childhood – Gëzim Alpion’ (Fëmijëria e humbur e Nënë Terezës).

Shkrimi i Alpion në këtë revistë ngalli interesimin e studiuesve, përfshirë edhe të gazetarit amerikan David Van Biema, autori i librit ‘Mother Teresa: The Life and Works of a Modern Saint’ (Nënë Tereza: Jeta dhe Veprat e Një Shenjtore Moderne). Van Biema ishte kryeredaktori i fesë në revistën TIME nga 1998-2008.

Në mesazhin që Van Biema i dërgoi Alpion, po më 8 gusht 2020, theksoi se ai e kishte lexuar shkrimin e tij në THE TABLET “me shumë interes”, dhe se në bazë të tij kishte konkluduar se libri i ri i Alpion “duket si kontributi i parë madhor prej disa kohësh në literaturën e besueshme” rreth jetës së Nënë Terezës. Në të njëjtin mesazh, Van Biema e ftoi Alpion për të zhvilluar një intervistë.

Intervista e parë që Van Biema zhvilloi me Alpion në gusht 2020 u pasua nga 5 intervista të tjera në Zoom, dhjetra telefonata e qindra emaile gjatë një periudhe dy veçare. Gjatë kësaj kohe, Van Biema u njoh me të gjithë librat dhe studimet e Alpion në revista shkencore dhe ndoqi ligjëratat e tij në Zoom me audienca në Nju Delhi, Londër dhe Melburn. Van Biema gjithashtu komunikoi edhe me disa studiues që kanë shkruar për monografinë e Alpion Mother Teresa: Saint or Celebrity? (Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?), botuar në gjuhën angleze nga Routledge në vitin 2007 dhe italiane nga Salerno Editrice ne 2008, si dhe reçensues të librit të botuar nga Bloomsbury.

Van Biema i kushtoi studimeve prej dy dekadash të Alpion për Nënë Terezën dhe veçanërisht librit të tij të fundit, shkrimin e titulluar ‘Shenjtore për çdo kohë’ (A Saint Forever), që revista LIFE në Nju Jorkut e përfshiu në numrin special të gushtit 2022 dedikuar shenjtores në përvjetorin e njëzetë e pestë të vdekjes.

Kjo është hera e parë që shkrimi i gazetarit Van Biema për veprën e Alpion botohet i përkthyer në gjuhën shqipe.

LIFE Magazine

Shenjtore për çdo kohë

David Van Biema,

Nju Jork, 19 gusht 2022

Kërkimet e fundit zbulojnë një të vërtetë më të errët për historinë e Nënë Terezës. Por janë pikërisht shqetësimet e saj të hershme që mund të sigurojnë rezonancën e saj në një botë që po përballet me fatkeqësi të ngjashme.

Askush nuk ka vënë në dyshim ndonjëherë se Gonxhe Agnes Bojaxhiu, Nënë Tereza, ishte një grua e jashtëzakonshme. Nje studim i ri skrupuloz, që përqëndrohet në vitet e saj të trazuara të formimit, dëshmon se ajo ishte edhe më e veçantë nga sa mendonim.

Jeta e gruas se re ishte e mbushur me ankth dhe humbje. Kur ajo ishte dy vjeçe, armiqtë e popullit të saj pushtuan Shkupin, qytetin e saj të lindjes, çarmatosën popullsinë, vranë qindra njerëz dhe vendosën një regjim armiqësor. Kur ajo ishte nëntë vjeçe, u dërgua për të gjetur një prift që t’i krynte ritet e fundit babait e saj të ri, i cili vdiq nga dhimbje të tmerrshme një ditë më vonë. Në moshën 12 vjeçe, jeta e saj shpesh ishte një rrëke lotësh. Në atë kohë, përveç babait, ajo kishte humbur edhe shtatë njerëz shumë të afërt të familjes. Jeta e saj e hershme u dominua nga varrime njerëzish të dashur që humbën jetën për shkaqe në dukje palidhje.

Vitet e hershme të Nënë Terezës mund të kenë qenë shumë më të errëta se c‘kemi ditur.

Në vitin 2011, Gëzim Alpion, sociolog dhe studiues i Terezës në Universitetin Birminghamit në Britani mori një ftesë të rrallë për të takuar Rosa Çuni-Kuka, vajzën e motrës së bijësuar të Terezës. Siç tregon ai në librin e tij të fundit Mother Teresa: The Saint and Her Nation (Nënë Tereza: Shenjtorja dhe Kombi i Saj), Kuka i rrëfeu atij një kapitull të çuditshëm dhe të pazbuluar më parë të rinisë së shenjtores në qytetin ballkanik të Shkupit. Nga viti 1919 deri në vitin 1922, kur ajo ishte nga mosha 9 deri në 12 vjeçe, përveç babait, Tereza humbi edhe dajën e saj të vetëm, bashkëshorten e tij, pesë anëtare të familjes së dajës si dhe nënëdajën, njëri pas tjerit, për shkaqe të ndryshme që përfshinin meningjitin dhe ajo, që Kuka e përshkruan si “thyerje zemre”. E vetmja që mbijetoi nga ajo familja ishte e ëma e Kukës (Filomena), të cilën e bejësoi familja Terezës.

Pas takimeve me Kukën në Melburn në vitin 2011 dhe 2013, Alpion e shikoi të domosdoshme të vizitonte Shkupin përsëri. I lindur në Shqipëri, ai flet gjuhën e komunitetit të fëmijërisë së Shën Terezës, që ende përbën 21 për qind të popullsisë së qytetit. Për arsyje që shpjegohen në libër, Alpion nuk mundi të gjente dokumenta përse familja e Filomenës u shua pothuajse plotësisht. Por ai arriti në një teori të besueshme. Sipas tij, kur Gripi Spanjoll – që shkaktoi vdekjen e 50 milionë njerëzve në mbarë botën – mbërriti në Ballkan, nëse jo të gjithë, disa anëtarë të kësaj familje u bënë viktima të epidemisë.

Alpion thekson se kjo paradë e kobshme erdhi menjëherë pas humbjes më të madhe (të përmendur shpesh) që Tereza kishte përjetuar disa muaj më parë: vdekjen e papritur të babait, Nikollë Bojaxhiu, një biznesmen i shquar, ndoshta nga helmimi. Si pasojë, ai i kaloi momentet e fundit të jetës në agoni të tmerrshme.

Mund të thuhet se Tereza e rritur me siguri nuk do t‘i kishte kushtuar vëmendje zbulimeve të Alpion. “Familja ime ishte shumë e lumur”, ajo i tha nje biografi. “Kam një vëlla dhe një motër por nuk dua të bisedoj për ta. E rëndësishme është të ndjekësh rrugën e Zotit.”

Shumica e kronikanëve kanë ndjekur këshillën e saj në lidhje me këtë, duke e portretizuar atë si një vajzë të devotshme, duke prekur vetëm shkurt vdekjen e Nikollës, përpara se të trajtojnë momentin kur Tereza 18-vjeçare, duke vepruar sipas ‘thirrjes’ së Zotit, që ajo ndjeu për herë të parë në moshën 12-vjeçare, u nis drejt fatit te saj në Indi. Ky ishte vendi ku ajo filloi aktivitetin për të cilin njihet më shumë – përkujdesjen për më të vobektit dhe njerëzit e injoruar nga shoqëria.

Megjithatë, magjepsja e sociologut britanik me vitet e saj të formimit vazhdoi. Përveç vdekjeve që Tereza përjetoi në vitet e hershme, Alpion filloi të analizonte edhe stresin e vazhdueshëm që me siguri përjetonte çdo qytetar shqiptar në Shkupi në atë kohë, dhe veçanërisht Tereza si fëmija e një drejtuesi të komunitetit si Nikolla. Gjatë kësaj periudhe, qyteti ishte vazhdimisht objekt sulmesh. Kur Tereza banonte në Shkup dhe pas largimit të saj, qyteti i lindjes përjetoi dy luftëra ballkanike, dy luftëra botërore, dhe tre pushtime të huaja: nga Franca, Bullgaria dhe Serbia. Milicët dhe ushtria serbe kryen mizori të shumta mbi popullatën shqiptarë para se ta vinin nën kontroll Shkupin dhe Maqedoninë.

Në dekadat në vijim, serbët përdorën represionin kulturor dhe shpërnguljen e detyruar për të realizuar planin e tyre për të zëvendësuar popullsinë shqiptare dhe turke me kolonë sllavë. Justin Elliott, student post doktorature pranë Fondacionin Shoah në Universitetin të Kalifornisë Jugore, që studion formimin e identitetit kombëtar shqiptar, thotë: “Të rriteshe si shqiptar në Shkup në atë kohë duhet të ketë qenë një stres i jashtëzakonshëm.”

Po qe se dikush do t’i kujtonte Terezës së rritur realitetin e hidhur që kishte përjetuar në Shkup, ka shumë mundësi që ajo do ta trajtonte këtë temë si një devijim jo të mirëpritur. Fundja, përse duhet zbehur mesazhi i saj për të bërë punën e Zoti me histori të dhimbshme betejash për mbijetesë etnike që ajo i kishte lënë pas? Megjithatë, Alpion beson se ‘trauma’ që përjetoi Tereza e re ishte farka ku u formua shenjtorja. “Stresi i vazhdueshëm që përjtonte, të qënit dëshmitare e agonisë që i ati i saj kaloi në momentet e fundit dhe efekti që pati te ajo humbja e kaq shumë njerëzve të dashur nga epidemia spanjolle”, thekson Alpion, “së bashku, bënë që te Tereza të zgjohej një dëshirë e thellë për të ndihmuar njerëzit për të cilët nuk kishte asnjë shpresë shpëtimi, për t’u ofruar atyre sado pak rehati, edhe pse në orët e fundit të jetës së tyre”. Tereza përjetoi ‘thirrjen e parë’ si misionare, thekson Alpion, kur ishte 12 vjeçe në 1922, menjëherë pas humbjes së nënëdajës, që ishte edhe vdekja e fundit e dhimbshme në familje.

Për Alpion, këto trauma të hershme hodhën themelet e fenomenit më të dhimbshëm që ajo do të përjetonte më vonë: ‘natën e errët të shpirtit’, nga e cila ajo vuajti për 50 vjet. Kjo gjë u bë e njohur me zbulimin e letrave dhe shkrimeve të Terezës dy vite pas vdekjes së saj në 1997. Si rezultat i krizës shpirtërore, Tereza shpesh ndihej sikur Jezusi e kishte braktisur plotësisht. Perceptimi i saj i braktisjen hyjnore, sugjeron Alpion, është pjesë e përjetimit të humbjes së babait të saj dhe pyetjes së vështirë pa pergjigje: “Ç’kuptim ka të jetosh kur njerëzit më të dashur zhduken papritur?” Tereza e gjeti ‘rrugëzgjidhje’ në misionin e saj fetar. Megjithatë, ajo vazhdoi ta përjetonte rregullisht boshllëkun që lanë tek ajo vdekjet e lartpërmenduara nëpërmjet ‘natës së errët’ që, në rastin e saj, nuk u fashit kurrë.

Në pamje të parë, kjo lloj shkakësi (causality), që propozon Alpion, mund të duket pavend. Që një tronditje e mbajtur kyçur që në fëmijëri mund të rishfaqet për të thyer – dhe/ose fisnikëruar – zemrat tona si të rritur, nuk është më një ide e re: trauma dhe çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) kaluan shumë kohë më parë nga literature psikiatrike në përdorim të zakonshëm dhe në filma me superheronj. Megjithatë, trauma dhe çrregullime të tilla vazhdojnë të konsiderohen disi të pazakonta kur bëhet fjalë për jetën e shenjtorëve, ku tendeca është për të shikuar Zotin, dhe jo teorinë frojdiane apo forca konfliktuese historishë jo personale, si shkaku krysor për çdo rezulat.

Alpion, që e konsideron veten si ‘racionalist shpirtëror’ (spiritual rationalist), e shikon të nevojshme të theksojë: “Nuk kam asgjë kundër atyre që mendojnë se çfarë ndodhi me Terezën ishte ‘ndërhyrje hyjnore’. Por si studiues i shkencave sociale, është e natyrshme që të jap mendimet e mia në mënyrë që aspekte të tjera të mos injorohen.”

Atyre që u pëlqejnë që shenjtorët e tyre të jenë ‘jo të ndërlikuar’ mund të zgjedhin të mos i kushtojnë vëmendje Alpion. Por Nënë Tereza ka kohë që nuk ka qenë një qënie e ‘pa ndërlikuar’. Dhe At James Martin, një jezuit që shkruan shpesh për Terezën, vëren se katolicizmi pranon idenë se mirësia rrjedh nga një bazë. “Le të marrim një shembull nga familja”, thotë ai. “Nëse dikush është keqtrajtuar si fëmijë, ai person kur të rritet mund të jetë më i predispozuar t’i kuptoj fëmijët e keqtrajtuar. Zoti i përdorë këto përvoja dhe mund t’i transformojë ato, duke i bërë objekte mirësie për njerëzit e tjerë.”

Kjo do të ishte me vlerë të kihet parasysh ndërsa më shumë boshllëqe vazhdojnë të plotësohen në jetën e hershme të Terezës. Alpion do t’i vazhdojë hulumtimet. Dhe Ati Brian Kolodiejchuk, postulatori i Kishës, që grumbulloi një dosje të madhe në mbështetje të shenjterimit të saj, pritet të botojë një biografi.

Zbulimet e reja që do të pasojnë, edhe pse mund të interpretohen nga dikush si ‘zbehje’ e shenjtërisë së saj, në fund të fundit, me siguri do të nxjerrin më mirë në pah një Terezë edhe më të ndërlikuar, nën efektin e faktorëve historikë – etnikë, politikë dhe epidemologjikë – dhe që për pasojë e influencuan atë në mënyrë të dukshme apo të padukshme. Kjo ka vlerën e saj.

Ndërsa po lexojmë këtë shkrim – bota e madhe vazhdon të rrotullohet duke mbetur në thelb e njëjtë – mijëra refugjatëve të rinj u ka therur në palcë humbja e të dashurve nga pandemia apo janë detyruar të largohen nga vendet e tyre, për të shpëtuar nga tiranët e kohës tonë. Të kapur në kurthin e historisë, secili përpiqet të gjejë kuptim dhe shpresë.

Aktualisht, shumica në këtë grup të veçantë jenë të krishterët ortodoksë e jo katolikët romakë. Megjithatë, shumë nga admiruesit e Terezës, kur ajo ishte gjallë, nuk ishin katolikë. Për ta, ajo ishte një shenjtore me ‘S’ të vogël. Në këtë kontekst, siç shprehet At Martin, Tereza “mund të jetë shenjtorja e momentit”.

Ashtu si më parë!

Përktheu Arben Çokaj

Filed Under: Analiza

Letrat

December 22, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Megjithëse njerëzit kanë dërguar korrespondencë në një formë ose në një tjetër që nga antikiteti, shekulli i 18-të konsiderohet si epoka e madhe e shkrimit të letrave, kur rrugët postare u zgjeruan me shpejtësi dhe romani epistolar u shfaq si një zhanër popullor.

Përgjatë pjesës më të madhe të dy shekujve në vijim, letrat mbetën mjeti kryesor i komunikimit nga formal në atë jashtëzakonisht personal. Epistolarët kishin fuqinë për të formësuar historinë dhe nxitur njeriun.

Me ardhjen e telefonit dhe tani të mediave sociale, arti i shkrimit të letrave ka humbur kryesisht – por jo plotësisht. Për fat të mirë, ende mund të lexohen disa nga letrat më të paharrueshme në histori, qofshin ato politike, romantike apo humoristike.

“Gjithnjë e jotja. Gjithnjë e imja. Gjithnjë e jona”; vjen nga një nga letrat e shumta që Ludwig van Beethoven i shkroi më 1812, një gruaje identiteti i së cilës nuk dihet.

“Nëse skllavëria nuk është e gabuar, asgjë nuk është e gabuar”. Lincoln e përdori këtë letër për të shpjeguar besimin e tij në emancipim.

“Në vend që të mblidhni të rinjtë e vërtetë të zgjuar, mblidhni vajzat e vërteta të zgjuara, nxirrini ato nga balta, jepini atyre një shtytje lart në shkallët e jetës dhe shpërblehuni me sukses si nga suksesi ashtu edhe nga mos-harrimi i atyre që qëndruan përpara”. Nellie Bly, 1885

Kur ishte vetëm 20 vjeç, gazetarja Nellie Bly e shkroi këtë në një letër drejtuar redaktorit të “Pittsburgh Dispatch”.

“Gjëja kryesore është TI poshtë rrobave dhe lëkurës – aftësia për të bërë, vullneti për të pushtuar, vendosmëria për të kuptuar dhe njohur këtë botë të madhe, të mrekullueshme, kurioze. W.E.B. Du Bois i shkroi më 1898 vajzës së tij 13-vjeçare Yolande pasi ajo u largua nga shtëpia e familjes në Nju Jork për të studiuar në Bedales School në Angli.

“Besoj se kjo luftë, në të cilën hyra si një luftë mbrojtëse dhe çlirimtare, tani është bërë një luftë agresioni dhe pushtimi”. Më 1917, Siegfried Sassoon ia dërgoi këtë letër oficerit të tij komandues dhe e cila më pas u lexua në Dhomën e Komunave. Poeti anglez i luftës ishte vlerësuar më parë me Kryqin Ushtarak për heroizëm, por refuzimi i tij i guximshëm për të vazhduar luftën u pa nga shumë si tradhti.

“Kryetari im i dashur, më pëlqen kapela juaj. Sa herë që shikoj brenda saj, do të mendoj për ju dhe për qytetin e Kembrixhit. Unë të heq kapelën”. H.G. Wells i shkroi këtë mosfalje gazmore kryetarit të bashkisë së Kembrixhit, Ernest Saville Peck, pasi Wells aksidentalisht mori kapelën e kryetarit.

“Mos u shqetësoni për humbjen. Nëse është e drejtë, ndodh – Gjëja kryesore është të mos nxitoni. Asgjë e mirë nuk ikën”.

John Steinbeck, 1958, e shkroi këtë këshillë atërore në një letër drejtuar djalit të tij.

“Padrejtësia kudo është një kërcënim për drejtësinë kudo. Ne jemi kapur në një rrjetë reciproke, në një rrobë të vetme fati. Çfarëdo që prek një person drejtpërdrejt, ndikon të gjithë në mënyrë indirekte”. Martin Luther King Jr.,

në një letër të hapur nga burgu i Birminghamit, më1963, argumentoi se njerëzit kanë një përgjegjësi morale për të thyer ligjet e padrejta dhe për të ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta për të marrë drejtësi.

Filed Under: Analiza

ANGELA KOSTA BOTON VËLLIMIN E RI POETIK LIBRI NËN RRËNOJA

December 21, 2023 by s p

Sapo doli në qarkullim vëllimi i ri me poezi i shkrimtares dhe poetes Angela Kosta: “Libri Nën Rrënoja”. Libri publikohet nga Shtëpia Botuese Lena Graphic – Prishtinë. Kopertina e librit u realizua nga poetja dhe piktorja rumune Steliana Natasha. Ja ç’thotë autorja në lidhje me relizimin e botimit të këtij libri

Vargjet e poezive në këtë libër trajtojnë temat aktuale që çdo individ dhe shoqëria përjetojmë në jetën e përditshme. Titulli i këtij libri mbart në vetvete rilindjen time nga rrënojat e sëmundjes së rëndë 4 – vjeçare që përballova. Kurrë nuk e besoja dhe nuk e mendoja se do të isha këtu sot të ndaj me ju gëzimin per publikimin e këtij libri të ri. Zoti dhe Jeta na rezervojnë shumë të papritura. Sëmundja ime e rëndë dhe Terri në të cilin isha zhytur nuk i linin hapësirë qoftë edhe për një çast se do ia dilja të shihja një rreze drite dhe shprese. Falenderoj familjen time, miqtë të afërmit që m’u gjendën pranë gjatë gjithë atyre muajve që nuk dua t’i rikujtoj por t’i fshij nga kujtesa përgjithmonë duke shpresuar që asgjë mos të ketë rikthim.

Falimentimi qëndron tek njerëzit që rrëzohen në tokë por nuk ngrihen më, kurse unë u mëkëmba sërish edhe pse nuk jam më gruaja e djeshme, sepse kam vërtet më pak forca, por kam në shpirt Diellin e Shpresës së Madhe!!!

Angela Kosta ka lindur në qytetin e Elbasanit më 13 mars 1973. Aktualisht ajo jeton në Itali që nga viti 1995. Ajo është shkrimtare, poete, përkthyese, promovuese, gazetare dhe eseiste.

LIBRAT E TJERË TË AUTORES JANË:

“Shpirti i burgosur” – roman (2003)

“Më fal” – novela (2004)

“La collana magica – Varësja Magjike” – roman (2007)

“Loti i shkëlqyeshëm – Lacrima lucente” – poezi (2008) përfitimi i të cilit iu dhurua Shoqatës ONLUS për kërkimin shkencor ndaj Amyotrophic Lateral Sclerosis (SLA)

“Sytë e nënës – Gli occhi della madre” – thriller (2011)

“Milioneri i varfër – Il milionario povero” – roman (2017)

” Të jetosh – Vivere” – poezi (2018)

“Oltre l’oceano – Përtej oqeanit” – roman (2019)

“Ylberi dhe Sara e vogël – L’arcobaleno e la piccola Sara” – përrallë (2020) përfitimi i cilit iu dhurua Shoqatës ONLUS Daniele Chianelli për kërkimin shkencor ndaj Leuçemisë, Tumoreve dhe Limfomave tek të rriturit dhe fëmijët.

Lulja Nën Rrënoja – poezi (2023)

Sëshpejti del në treg një tjetër libër i ri i saj i cili po të publikohet në Itali.

Poezitë e Angela Kostës janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë të huaja si: arabisht, hindu, spanjisht, greqisht, gjermanisht, bengalisht, rumanisht, kroatisht, maqedonisht, kineze, talamishte, polonisht, koreane, mayamalishte, hungareze, etjer…

Gjithashtu ajo vetë ka përkthyer dhe botuar poetë të shquar si: Lasgush Poradeci, Dritëro Agolli, Luigi Pirandello, Gabriele D’Annunzio, Cesare Pavese, Giovanni Pascoli, Giosuè Carducci, Federico García Lorca, Emily Dickinson, Hermann Hesse etjer… dhe së fundi përktheu librin e Mehdi Krasniqit në gjuhën italisht “Io Oso Di Amarti – Unë guxoj me të dashtë” i cili u botua në Kosovë.

Ajo është Zv. Drejtore & Zv. Kryeredaktore në Albania Press, shkruan artikuj, intervista, prozë, poezi, socologji, për Gazetën Calabria Live, Revista Saturno, Confidenze, Alessandria Today, e gjithashtu bashkëpunon dhe përkthen në Gazetat: Dritare, AlbaniaPress, Rrënjët – Le Radici, Nacional, Destinacioni, Revista Letrare Mesdheu, Perqasje – Approccio, Sprint News Al, Gazeta Bulevard, Gazeta Fjala, Ciceroni, Revista Orfeu, Revista Psikologjia, Atunis, Patriotik Media, Revista Letrare, Fjala e lirë, Tekste Shqip, Telegrafi etjer…

Ajo është gjithashtu Ambasadore e Kulturës dhe Paqes në Marok (ICFH – International Creativity Federation Humanity), lëshuar nga Dr. Aziz Mountassir ashtu sikurse, kohët e fundit u nderua me titullin Doktor në Letërsi nga Administrata e Elitës së Krijuesve Ndërkombëtarë Arabe, Unioni Ndërkombëtar i Shkrimtarëve dhe Federata Ndërkombëtare e Paqes lëshuar nga Prokuri i përgjithshëm i Pallatit Mbretëror, Lartësia e tij, Princi Dr. Ahmed Ali Shaker Al Samad dhe Lartësia e saj, Princesha Dr. Narzine Bani Hashem si edhe Anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Greqi dhe Ambasadore e (SAPS) Shoqatës së Artistëve dhe Shkrimtarëve në Botë – Poloni, Anëtare e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Hungari dhe Itali.

Angela Kosta është vlerësuar me Çertifakata Nderimi nga Regjisori dhe Kryeredaktori i Revistës “Orfeu” në Prishtinë – Kosovë (Dibran Fylli), nga Drejtori i Gazetës “Rrënjët – Le Radici” (Hasan Aliaj), Revista International Culture Literature, Windsmith, Certificato nga Unioni i Paqes dhe Letërsisë – Egjipt, etjer…

Mediat shqiptare, italiane, amerikane, greke, indiane, bengalese, libanese, arabe, hungareze, koreane etjer, kanë botuar shumë artikuj për veprimtarinë e saj letrare.

Po përmendim disa prej tyre…

Gazeta Dielli, Gazeta Diaspora, Shqiptari i Italisë, Albania Letteraria, Gazeta Bulevardi, Gazeta Destinacioni, portali Alb-Spirit, revista Obelisk, Gazeta Nacional, ATV.it, Gazeta Il Corriere dell’Umbria, Gazeta La Nazione; Il Messaggero, Vivo Umbria, Il Quotidiano d’Italia, Umbria 7, QN – La Nazione, Italy Press 24, la Rivista Confidenze, Informazione Locale – Umbertide, Umbria 24, Alessandria Today, Élite Magazine (Liban), Homo Universalis (Grecia), Polis Magazino (Grecia), Himalaya Darly (Azia), The Dayli National Global, (America), Spillwords (Amerikë), Ahkbar 7 (Marok), Netrazol Literary Magazine (Brazil), Micro Poetry (India), PLOTS Mawanette (America), Atunis (Belgio) Revista Letrare (Hamilton), Patriotik Media (Shtutgart), The Dayli Ponters (Uashington), Newspaper Newsnjeju (Korea e Jugut), etjer…

Ja çfarë shkruan kritika për Angela Kosta:

“Tek Angela Kosta poezia është e përbërë edhe nga heshtja: një pjesë e kësaj bëhet me fjalë dhe me vargje të rrjedhshme, të lira, që çlirohen nga çdo kufizim metrikë, herë – herë ajo guxon në formë duke u shfaqur pikërisht në një inovacion të guximshëm; një pjesë hesht për t’i dhënë thelbin shfryrjes së lëmshit të emocioneve sëbashku me vibracionet që çlirohen nga shpirti njerëzor, duke u gjallëruar dhe duke u rigjeneruar.”

(Elena Caruso – Gazetare)

“Angela Kosta, shqiptare, poete, shkrimtare dhe përkthyese, është një paradigmë: ajo e integrimit më të mirë shoqëror, kulturor e njerëzor, është më e çmuara.”

(Corriere dell’Umbria – Korrieri i Umbrias)

“Angela Kosta përdor fjalët në poezitë e saj sikur të ishin penelatat e një artisteje të madhe”.

(Adriano Bottaccioli – Shkrimtar)

“Gjatë shkrimit, Angela Kosta tregon një talent të jashtëzakonshëm, i cili, duke u përzierë me dhimbjen e së shkuarës dhe të tashmes, aty ku ngjyen penën, e bën atë një grua e cila ka shumë për të rrëfyer.

(La Nazione – Kombi – Paolo Ippoliti)

“Angela Kosta dhe shkrimi i saj, i vetmi mjet i për të shpëtuar nga kufizimet e diktaturës në këmbim të lirisë” (Enzo Beretta – Umbria 24).

“Veprat e Angela Kostës janë romane të një ndjeshmërie të papërsëritshme dhe të jashtëzakonshme, dhe kjo, falë personalitetit të autores, bujare dhe gjithmonë e gatshme për të ndihmuar të tjerët” (Federica Mastroforti – Vivo Umbria).

“Temat në librat e Angela Kostës janë vërtet të bukura dhe efektive; personazhet skaliten dhe gdhenden një nga një. Në librat e saj ka një halo thriller dhe misteresh të një pasioni me zell të vërtetë, që arrin të shfaqet si vepra e një piktori që kompozon veprën e tij të plotë”. (Fabrizio Ciocchetti – Gazetar).

“Angela Kosta poetesha, shkrimtarja dhe përkthyesja e talentuar që ndan jetën mes Shqipërisë dhe Italisë, është një zë i veçantë i letërsisë bashkëkohore shqipe” (Gazeta Nacional)

“Tek Angela Kosta, poezia prek fijet e shpirtit, duke e ftuar lexuesin të reflektojë mbi brishtësinë dhe forcën e natyrshme në përvojën njerëzore. Nëpërmjet vargjeve intensive dhe introspeksionit të thellë, poetja na çon në një udhëtim emocional që luhatet midis dhimbjes dhe rilindjes, duke na lënë një ndjenjë shprese dhe vlerësimi për bukurinë dhe kompleksitetin e jetës. (Pier Carlo Lava- Alessandria Today).

“Angela Kosta nëpërmjet veprimtarisë së saj, përcjell dhe kalon pishtarin e kulturës botërore në këtë periudhë përkeqësimi të situatës katastrofike që po përjeton i gjithë njerëzimi në këtë moment” (Dr. Narzine Bani Hashem – Presidente e Lidhjes Ndërkombëtare së Shkrimtarëve Arabi, Skenariste, Regjisore, Drejtore e Revistës “Élite Magazine”)

Filed Under: Analiza

Lavdi flamurit dhe kombit shqiptar*

December 20, 2023 by s p

Imam Edin Gjoni/

Në këto ditë dhe netë të festes sonë më të madhe kombëtare, kur qëndrojmë reth flamurit të përbashkuar me një zemër, me një dëshirë dhe qëllim, përkujtojmë ditën e vjeshtës së vonshme të vitit 1912, kur etërit tanë të udhëhequr nga Ismail Qemal bej Vlora, firmosën deklaratën e pavarësisë së shtetit të Shqiprisë, dhe ngritën në Vlorë flamurin kuq e zi me shqiponjën dykrenare. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë vjenë si fryt i përpjekjeve vëllazërore të shqiptarëve anë mbanë tokave të tyre etnike, të cilat tejkalonin kufijtë në të cilat Shqipëria eventualisht do të ngelë. Në këtë kontekst duhet detyrimisht përmendur figurën historike të Ded Gjo Lulit dhe ngritjen e flamurit në Deçiq e cila, madje, do t’i paraprijë Vlorës. Përpjekjet e tilla të gjithmbarshme e të cilat do të arrijnë kulmin me aktin më monumental në historinë tonë – Deklaratën e Pavarësisë dhe ngritjen e flamurit në Vlorë – paraqesin pikërisht atë që Hegeli në “Fenomenologjinë e Shpirtit” e quan vetë-realizimin (vetë-aktualizim) kombëtar të një populli (Selbst-verwirklichung). Dhe duke marë parasyshë aspiratat dhe orekset ekspansioniste të fqinjëve tonë të uritur, përkrahjen e luhatshme nga fuqitë e mëdha, kjo patjetër është arritja e jonë më e madhe si komb, prandaj edhe me plot të drejtë sot jemi këtu të kremtojmë. 

Si figurë fetare që jam, nuk mund t’i mos magjepsem rolit që patën figurat fetare në këtë vetë-realizim tonë kombëtarë. Krahas Hafiz Ali Strugës dhe Ferid Vokopoles, si figura të shquara fetare, me këtë rast sidomos kisha përmendur Myftinë Vebi efendi Agollin (apo Vebi Dibrën) dhe Dom Nikollë Kaçorin. Që të dy ata jo vetëm që ishin në rradhën dyzet e ca të firmosurve në Deklaratën e Pavarësisë, por rroli i tyre shkoi më tepër se kaq. Dom Nikollë Kaçori u emrua nënkryetar i qeverisë së përkohshme së Vlorës, kurse kryetar i Pleqnisë (Senatit), me propozim të Luigj Gurakuqit, u vendos Vebi efendi Dibra. 

Si konkludim, për ta mbajtur frymën kombëtare të Nëntorit to 1912 është me rëndësi, pa dyshim, ta ngrejmë flamurin kuq e zi në ditët të festes (por edhe në ditët e zisë dhe hidhërimit tonë kombëtare), qoftë në vendlindje apo kudo jashtë saj. Kam përshtypje se çdo bijë dhe bir Shqiptari që sot ngreh flamurin, e bën këtë me të njëjtin zell dhe sentiment, ama njëjtë si atë ditë që ngrehet për here të pare në Vlorë.  Në këtë kontekst më lejoni ta bëj një digresion të vogël dhe ta përmendi një emër tjetër, po ashtu një bir të madh të Malësisë, (e i cilit vetëm para pak kohëve u nda nga ne) të ndjerin Xhemal Nikaj.  Ai në kohën e syrgjynosjes së vetëdijes kombëtare Shqiptare në Mal të Zi, në vitet e 60’ ngreh flamurin kuq e zi për ta këndell sërish flakën e atëdhedashurisë në zemrat e Shqiptarëve të Malësisë dhe Malit të Zi në përgjithithësi, për çfarë edhe si pasojë u burgos.  E them tërë këtë, për ta theksuar këtu para jush se, sa është me rëndësi të ngrehet ky flamur, qoftë në gëzim a në hidhërim, në liri dhe syrgjyn (internim), poaq është me rëndësi ta afirmojmë dhe ngrisim sentimentin e vëllezërisë i cili dominonte në mes Shqiptarëve pa dallim fisi, treve, apo feje. Dhe kjo frymë duhet mbrojtur, kultivuar dhe respektuar poaq sa respektohet ky flamur. Ngase kjo është ajo çfarë në realitet bëri që ky flamur të nderohet dhe valojë lartë, dhe pikërisht kjo është ajo çfarë e solli këtë pavarësi. Dhe si tha Ismail Qemali: e ardhmëja e Shqipërisë është sigurue. Ju porosis, duke u mbështetur fatit të atdheut, të punoni bashkë e si vëllezër.” Ngjajshëm, artisti jonë i famshëm Nikoll Nikprelaj do të këndojë sonte, “gjithë shqiptarët kudo janë, nuk kanë tjetër veç një nanë.” Lus Zotin e Madh të na ndihmojë në këtë drejtim! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe popullin shqiptarë kudo që të jetë, Zoti e bekoftë këtë tokë për të cilin Zoti e ka lidhur fatin tonë si popull dhe komb, Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Zoti ju bekoftë gjithë juve!

*Fjalim me rastin e Festës së Flamurit tek Shoqata Malësia e Madhe, New York 2023.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 112
  • 113
  • 114
  • 115
  • 116
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT