• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si dështoi komploti i organizuar nga Ismail Qemali për të rrëzuar sulltan Abdylhamidin II

November 30, 2023 by s p

Prof.as.dr. Hasan Bello/

Në janar të vitit 1901 kundërshtarët politikë të Abdylhamidit II, duke përfshirë dhëndërrin dhe dy nipat e tij, Princ Sabahedinin dhe Lutfullahun filluan përpjekjet për organizimin e një kongresi, i cili kishte si qëllim bashkimin e të gjith lëvizjes xhonturke. Ftesën për të marë pjesë në këtë kongres, Ismail Qemali e kushtëzoi me të drejtën e përfaqësimit të të gjitha kombësive dhe që të mereshin në konsideratë kërkesat e tyre.

Kongresi xhonturk u hap në Paris më 4 shkurt 1902, ku merrnin pjesë përfaqësues të të gjithë popujve të perandorisë. Ndërsa nga pala shqiptare përveç I.Qemalit, ishte edhe Ibrahim Temo, Dervish Hima, Hamdi Ohri, Jashar Erebara etj. Kongresi i mbylli punimet më 9 shkurt pa arritur të unifikonte të gjithat rrymat dhe kundërshtarët e Abdylhamidit II.

Pas këtij kongresi I.Qemali vijoi të bashkëpunonte me Princ Sabahedinin. Kjo rrymë brenda lëvizjes xhonturke dallohej nga pjestarët e tjerë për dy qëndrime:

1) Ajo ishte e gatshme që për arritjen e objektivave të saj, të përdorte çdo instrument, duke nënkuptuar përdorimin e forcës dhe bashkëpunimin me shtetet e huaja. Kjo e fundit do të bëhet shkak që ky grupim të përçahet me emrat dhe intelektualët më të njohur të lëvizjes xhonturke.

2) Pjestarët e këtij grupimi konsideroheshin nga pjesa tjetër e xhonturqve si filobritanikë.

Gjatë dhe pas kongresit të Parisit, në takimet që I.Qemali pati me emra të njohur të lëvizjes xhonturke, theksoi nevojën e organizimit të një grushti shteti, si rruga më e shkurtër për rrëzimin e sulltanit. Për realizimin e këtij qëllimi, ai së bashku me Princ Sabahedinin përpiluan një plan, i cili parashikonte përdorimin e ushtrisë. Kjo do të bëhej e mundur duke shfrytëzuar influencën dhe reputacionin e komandantit të ushtrisë osmane në vilajetin e Tripolit, shqiptarit Rexhep Pashë Mati. Ky i fundit njihej si personalitet në radhët e ushtrisë dhe si funksionarë i cili i kishte trajtuar me dashamirësi shumë xhonturq që sulltani herë pas here i internonte në këtë vilajet.

Në një takim që këta tre personalitete patën në ishullin e Maltës ranë dakord, që Princ Sabahedini dhe I.Qemali të merreshin me aspektet politike dhe financiare, ndërsa Rexhep Pashë Mati me aspektin ushtarak. Sipas planit, forcat osmane që ishin nën komandën e Rexhep Pashës në Tripoli do të niseshin drejt Selanikut gjoja për të zhvilluar një stërvitje ushtarake dhe prej aty në Dardanele ku do merrnin nën kontroll Çanakalanë për t`i diktuar më pas Abdylhamidit II kushtet e dorëheqjes.

I.Qemali i cili mendonte se ky plan mund të realizohej vetëm nëse sigurohej përkrahja britanike, i premtoi ambasadorit britanik në Paris, se qeveria që do të vinte pas grushtit të shtetit do të forconte marrëdhëniet dhe pozitat politike dhe ekonomike të Anglisë në Perandorinë Osmane. Për këtë qëllim, në korrik 1902 ai zhvilloi një tur takimesh në Londër ku me ndihmën e Kontrollorit të Përgjithshëm të Egjiptit, Lord Croner kërkoi mbështetje në Forin Ofis. Nga britanikët ai kërkoi gjithashtu të ndihmonin njërin nga djemtë e tij, që në këtë periudhë ishte i internuar në Bitlis.

I.Qemali kërkoi mbështetje edhe nga Khedivi i Egjiptit, Abasi II, i cili për të mbështetur këtë komplot derdhi në llogarinë e një banke angleze 4000 stërlina. Pas dështimit të këtij plani, kjo do të bëhet shkak që Abasi II ta akuzojë për shumë kohë I.Qemalin për përvetësimin e kësaj shume.

Lidhur me shkaqet se përse dështoi ky grusht shteti ka disa hipoteza. Por më kryesoret prej tyre janë:

1-Pasi mori një letër nga Princ Sabahedini, I.Qemali u nis drejt Athinës për të nënshkruar një marrëveshje me tre pronarët e anijeve greke, që ishin marrë me qira për tu përdorur për transportimin e forcave ushtarake osmane nën komandën e Rexhep Pashë Matit. Por kur mbërriti atje, nuk gjeti asnjë anije dhe koha në dispozicion për Rexhep Pashën kaloi. Kjo u bë shkak që një nga anëtarët e Komitet Qendror Xhonturk, Reshid Sadi të vinte në Athinë për të hetuar dhe ndrequr situatën. Ai konstatoi se I.Qemali ishte vendosur në shtëpinë e njërit prej ndihmësve të mbretit të Greqisë. Pas disa bisedimesh u vendos që I.Qemali të nisej drejt Napolit për të siguruar anijet e nevojshme në Itali. Vonesa në fjalë ngjalli skepticizëm si te Rexhep Pasha ashtu dhe te shumë pjesmarrës në këtë komplot.

2-Në kujtimet e disa prej aktorëve dhe dëshmitarëve të këtij komploti thuhet se, Greqia e informuar nga I.Qemali nuk ishte e përgatitur për të nxjerrë maksimumin e përfitimeve politike nga këto zhvillime. Prandaj, ajo vendosi të ndiqte një politikë servile duke informuar Abdylhamidin II mbi këtë komplot.

Kjo do të bëhet shkak që pas Revolucionit Xhonturk kur Rexhep Pashë Mati emërohet ministër i Luftës dhe vdes brenda një kohe të shkurtër, xhonturqit ta akuzojnë Abdylhamidin II si shkaktar të vrasjes së tij. Por një komision i përbërë nga mjekët e ambasadave europiane që morën pjesë në autopsinë e kufomës së Rexhep Pashës konstatuan se ajo ishte një vdekje natyrale si pasojë e një ataku kardiak.

Komploti i vitit 1903 dështoi. Por ai pati si protagonist kryesorë dy shqiptarë të njohur, Ismail Qemalin dhe Rexhep Pashë Matin.

Në foto İsmail Qemali në vitin 1890 dhe Rexhep Pashë Mati (1842-1908).

Filed Under: Analiza Tagged With: hasan bello

Flamur GASHI, do të jetë Drejtor Menaxhues i Televizionit “A2 CNN” në Kosovë!

November 30, 2023 by s p

Bordi Drejtues i kompanisë “Gener 2”, ka vendosur të emëroj Drejtor Menaxhues të Televizionit “A2 CNN” në Kosovë, gazetarin dhe diplomatin Flamur GASHI, një figurë të njohur në fushën e gazetarisë së shkruar dhe kryesisht asaj radio-televizive në Shqipëri, gjithashtu ai është një diplomat i shquar dhe më përvojë të gjatë në diplomaci.

Ky emërim bëhet me qëllimin për të zgjeruar rrjetin e transmetimit të Televizionit “A2 CNN” edhe në Kosovë, si dhe për të fuqizuar pozicionin e Televizionit “A2 CNN” në tregun mediatik në të gjithë hapësirën shqipfolëse. Televizioni “A2 CNN” është partneri ekskluziv i televizionit amerikan me shtrirje globale “CNN”.

Flamur GASHI, ka punuar si gazetar dhe redaktor në disa media në shypin e shkruar si, Redaktor në Revistën “Koha” dhe Gazetën “Kosova” në Tiranë, ai gjithashtu ka punuar si bashkëpunëtor dhe gazetar në Radio dhe Televizionin Shqiptar, ka qenë Kryeredaktor dhe Drejtor i Radio “Kontakt”, radios së parë private në Shqipëri, gjithashtu ka qënë Nënkryetar i Bordit të Mediave të Republikës së Shqipërisë.

z.GASHI, ka kryer funksionin “Këshilltarit” i Ministrit për Informacion dhe Media, si dhe i dy ministrave të Mbrojtës të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Ekzil (1996-2000) – me seli në Tiranë. Gjithashtu ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Asociacionin të Atlantikut të Kosovles, me seli në Prishtinë. Ka qenë Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike – Tiranë, si dhe Drejtor i “Qendrës Ndërkombëtare të Shtypit” gjatë vizitës së Presidentit Xhorxh W. BUSH në Tiranë.

Ambasador Flamur GASHI, për një kohë të gjatë (nga viti 2005) ka shërbyer si diplomat i Republikës së Shqipërisë, fillimisht si Drejtor në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqiperisë në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe Këshilltar për Çështjet e Rajonit dhe Diasporën i disa Presidentëve të Republikës së Shqipërisë.

Flamur GASHI, aktualisht është anëtar i Bordit Drejtues dhe Drejtor për Çështjet e Rajonit dhe Diasporën në Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë në Tiranë (KASH), si dhe Ligjërues i lëndeve “Marrrëdhënie me publikun” dhe “Media dhe politika”, në Kolegjin Universitar “AAB” në Prishtinë.

z.GASHI, për një kohë të gjatë ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon pothuajse me të gjitha televizionet në Shqipëri, Kosovë dhe më gjerë në rajon, si një nga njohësit e mirë të çështjeve të rajonit në veçanti.

Flamur GASHI, se fundmi rikthehet në media në Televizionin “A2 CNN”, me një rol ekzekutiv pas një periudhe të gjatë të shërbimit në diplomaci, me angazhimin që edhe Kosova të jetë e perfaqësuar dënjesisht në hartën e shtrirjes së gjigandit mediatik amerikan dhe global televiziv “CNN”.

Televizioni “A2 CNN”, është një televizion që ka arritur të bëjë një impakt të madh në tregun e televizioneve informative në Shqipëri.

Se fundmi Televizioni “A2 CNN” ka marrë licencën për transmetim në Republikën e Kosovës dhe vazhdon të jetë partneri ekskluziv i Televizionit “CNN” për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë.

Filed Under: Analiza

PJESË NGA HISTORIA TRAGJIKE E ANEKSIMIT TË ULQINIT NGA MALI I ZI

November 29, 2023 by s p

(Komunikimet dhe planet djallëzore të ambasadorëve të Fuqive të Mëdha që i paraprinë këtij aneksimi)

Sa herë që kujtoj thënien e njohur e cila thotë “Fatet e popujve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”, më shkon mendja te dorëzimi i Ulqinit, Malit të Zi nga ana e Fuqive të Mëdha të asaj kohe.

Ulqini do ti bashkangjitet  Malit të Zi,kundër vullnetit dhe dëshirës së banorëve  të tij, të cilët ishin krejtësisht me popullsi  shqiptare, në vitin 1880, dy vite pas vendimeve të Kongresit famëkeq të Berlinit që u mbajt në vitin 1878.

Janë bërë përpjekje të shumta,duke përfshirë edhe rezistencë të armatosur, nga ana e popullit shqiptar për ndalimin e aneksimit të këtij territori shqiptar nga ana e Malit të Zi, por pa sukses.

Pas një demonstrimi të paparë të flotës detare ushtarake të Fuqive të Mëdha në urjrat e Adriatikut, pranë Ulqinit si dhe pas humbjes së luftës në teren të kryengritësve shqiptarë ndaj numrit shumë më të madh të forcave osmane, Porta e Lartë (Perandoria Osmane) përmes Dervish Pashës, me 26 Nëntor 1880, ia dorëzoj Ulqinin Principatës së Malit të Zi.

Në dokumentet  konfidenciale të kohës të cilat më vonë Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe (Foreign Office), do ti publikoi me titull : KORRESPONDECA E MËTEJSHME lidhur me KORIGJIMIN E KUFIRIT MALAZEZ,(mbi 200 faqe të shkruara), paraqesin kumunikimet e ndërsjellta të protokoluara të ambasadorëve të Fuqive të Mëdha të asaj kohe që kanë të bëjnë me përcaktimin e kufirit të Malit të Zi, konkretisht krijimin e mundësive dhe realizimin e një prej vendimeve të Kongresit të Berlinit të vitit 1878, i cili ka të bëjnë pra me anaksimit të qytetit  të Ulqinit nga ana e Malit të Zi.

Gjatë një korrespondence 

kohore prej dy muajve (prej 1 Korrikut  deri me 31 Gusht të vitit 1880 ) janë shkëmbyer mbi 500 telegrame në mes përfaqësuesve diplomatik

të vendeve të tyre përkatëse, kryesisht  të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Italisë dhe Rusisë. Këto shkëmbime janë dëshmi ekskluzive e kohës që nxjerrin në pah planet djallëzore,intrigat, prapaskenat e Fuqive të Mëdha të kohës që janë zhvilliar përmes përfaqësuesve diplomatik në vendet e tyre përkatëse.

Cilët ishin protagonistët e vendimeve të dhimbshme për kombin tonë

Disa nga protagonistët diplomatik të kohës të përfshirë në shkëmbimin e telegrameve ku diskotohej çështja e dorëzimit të Ulqinit Malit të Zi kanë qenë:

1.Henry George diplomat  i “Foreign Office-it”

britanez me detyrë në Vienë të Austrisë

2.Earl Granville, zyrtar  i “ Foreign Office-it ” në Londër

3.Kirby Green, konsuli gjeneral i Austrisë në Shkodër 

4.George J. Goschen, ambasadori britanez në Turqi

5.Augustos Paget, diplomat britanez me detyrë në Romë të Italisë

6.M. de Giers , ambasador i Francës në Rusi;

7.The Earl of Dufferin,

ambasador i Britanisë në Rusi;

8.M. Radonich ( Radonić), përfaqësues i Malit të Zi në Cetinë;

9.Lord Odo Russell , 

përfaqësues i qeverisë gjermane me seli në Berlin; 

10.M. Lippich, konsulli gjeneral i Austrisë në Shkodër;

11.Abedin Pasha, i ngarkuari i Portës së Lartë për çështjet me Malin e Zi , dhe të tjerë.

Objekt i këtyre komunikimeve janë edhe princat gjerman të asaj kohe si , Pinci Bismarck dhe Princi Hohenlohe.

Po shkëpus vetëm një komunikim të shkurtë i cili tregon shumë qartë vendosmërinë e këtyre diplomatëve ndërkombëtar për shkëputjen e Uqinit nga trungu kompakt etnik shqiptar dhe skenarin për bashkangjitjen e tij, Malit të Zi.

Në telegramin numër 421 z. Kirby Green nga Shkodra  i shkruan Earl Granville në Londër se ka pas një komunikim me z. Riza Pasha i cili ka pranuar në parim shkëputjen e Ulqinit dhe bashkangjitjen e tij Malit të Zi por me kusht që “Fuqitë e Mëdha duhen të marrin mbi vehte zbatimin e kësaj marrëveshje, kurse forcat turke mund të kenë misionin e të ruajtjes së kufirit pasi që ai do të vendoset…”.

Është interesant se disa nga këto diplomatë, me rastin e komunikimit të tyre e pranojnë qartas se venbanimet të cilat ata tentonin t’ja dorëzonin Malit të Zi  ishin territore shqiptare sepse iu referohen aryre si “Albanian districts” ( Rrethe apo zona shqiptare), por megjithate dhe përkundër kësaj ata vendosen në mënyrë të dhunshme dhe arbitrare dorëzimin e qytetit tonë bregdetar-Ulqinit, Malit të Zi.

Turpi historik i Fuqive të Mëdha të kohës

Vlen të theksohet se territori  i Malit të Zi para Kongresit të Berlinit në vitin 1878 kishte  4,405 km² kurse pas Kongresit 9,475 km² duke përfshirë edhe daljen në det të tij. Pjesa dërmuese e ekspanzionit dhe dyfishimit territorial të Malit të Zi u arrit kryesisht në dëm të trojeve shqiptare. 

Por sikurse ky ekspanzion në fund të shekullit 19-të, 

të mos ishte i mjaftueshëm, ai pas rreth tre dekadave pasoi me një tjetër, ate të Konferencës së ambasadorëve në Londër e mbajtur në vitet 1912-1913, ku Fuqitë e Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe,Franca, Gjermania,Italia, Austro-Hungaria dhe Rusia), muarën vendimet fatale që prekën gjysmën e territorit të Shqipërisë së pavarur.

Me aneksimine Ulqinit nga ana e Malit të Zi në vitin 1880 është një ndër fillet e tragjedisë së ndarjes dhe të coptimit të trojeve shqiptare dhe turpi historik i Fuqive të Mëdha të asaj kohe të cilat me vendimet e tyre në fund të shekullit 19-të dhe në fillim të shekullit 20-të, lën rreth 40% të popullsisë shqiptare jashtë kufijve të shtetit të sapo krijuar shqiptar- Shqipërisë.

Xheladin Zeneli

Nëntor 2023

Filed Under: Analiza

Përkujtohet me madhështi 111 vjetori i Pavarësisë në Michigan

November 28, 2023 by s p

Nga Rafael Floqi/

Shqipëria, një komb me një histori të pasur dhe kulturë të gjallë, feston me 28 Nëntor Ditën e Pavarësisë së saj me shumë zjarr dhe krenari. Kjo ditë e rëndësishme shënon çlirimin e vendit nga sundimi osman në vitin 1912, duke simbolizuar triumfin e luftës së popullit shqiptar për autonomi dhe vetëvendosje. 111-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë u përkujtua me një sërë ngjarjesh dhe festash që mblodhën bashkë qytetarë nga të gjitha sferat e shoqërisë kudo në diasporën e Amerikës.

28 Nëntori, Dita e Flamurit, e mbushur me krenari dhe lavdi për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë! Kjo ditë e shenjtë na sjellë bashkimin dhe kujtimin e heronjve të kombit tonë. Të festojmë së bashku me zemër të hapur, duke ndezur flakët e lavdisë për atdheun tonë të përbashkët. Në Michigan ditën e ditën e shtunë e të diel janë mbajtur ceremoni për kremtimin e festës të Flamurit tonë kombëtar 28 Nëntorit 111 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare.

Ditën e shtunë në mjediset e Kishës Katolike të Shën Palit u kremtua në praninë e disa qindra bashkatdhetarë përgjithësisht malësorë dita e pavarësisë. Mjediset e sallës të zbukuruar si për festë me panele dekorative, që të kujtojnë këtë ngjarje te madhe te krijonin atmosferën e kësaj feste të madhe. Ceremonia u hap me një recitim kushtuar flamurit kombëtar ne video nga aktori Timo Flloko. Por skena me e bukur si gjithnjë ishte e skena e hyrjes te flamujve kombëtare të shoqëruar nga fëmijët e grupit te valleve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Të drejtuar me dashuri dhe pasion nga koreografja Joli Paparisto. Vetë pamja të bënte të ndjeheshe krenar që je shqiptar.

Himnin kombëtar e këndoi sopranoja e mirënjohur Hermelinda Paparisto, që me gjithë vitet mbi supe notat e këndon me aq përpikëri dhe entuziazëm. Vallëzimet e fëmijëve janë gjithnjë ëmbëlsia e çdo aktiviteti që organizohet në Kishën e Shën Palit, dhe ato momente të gjithë prindërit improvizohen kameramanë.

Ne magjinë e ngjyrave kuq e zi të rrobave dhe të veshjeve kombëtare të fëmijëve, një zë i fuqishëm e mbush plot sallën plot patriotizëm është këngëtarja e ftuar nga Kosova Shpresa Gojani, që me këngën e lavdishme kushtuar Adem Jasharit i entuziazmoi të gjithë të pranishmit.

Pas bekimit te darkës nga dom Ndue Gjergji dhe dom Fred Kalaj, famullitarët e të dy kishave motra ky i fundit theksoi rëndësinë e kësaj feste të 111 vjetorit të pavarësisë për të gjithë shqiptarët. Me tej u caktua dhe tryeza e nderit kur mes se tjerësh shquheshin, veç klerikëve të ftuarit Nikollë Camaj deputet shqiptar i Forumit shqiptar në Mal të zi që mbajti fjalën e nderit, z. Pashko Cama, sekretar i Vatrës, z. Ferid Balliu Berisha ish-komandant i UÇK-së, si dhe drejtues të këshillave të kishave e të shoqatave.

I ftuar për të mbajtur fjalën e nderit z Nikollë Camaj, përpara të pranishmëve shumica bashkatdhetarë të tij, duke evokuar frymën e Pavarësisë dhe bashkimin mes shqiptarëve përmendi sloganin, se “kur shqiptarët, bashkojnë kokat atëherë ata mund të bashkojnë edhe tokat”. Për të pranishmit përgjithësisht shqiptarë, nga trojet tona në Mal të zi, z. Camaj analizoi veprimet e fundit të qeverisë malazeze, dhe futjen e disa partive shqiptare në Parlamentin e Malit të zi ai shtoi, se “Qeveria e Re dhe pika e marrëveshjes për deputetët shqiptarë shtoi se ka qenë presioni i miqve tanë ndërkombëtarë, pasi kjo qeveri të mos ishte e pranueshme as do që do të krijohej, dhe shqiptarët do ta bojkotonin”.

Është e rëndësishme që studiues dhe historianë të njohur të ndajnë njohuri, mbi ngjarjet që çuan në shpalljen e pavarësisë, duke theksuar sakrificat e bëra nga ata që luajtën, një rol kryesor në formësimin e historisë së kombit. Përgjithësisht në evente të tilla fjalimet e gjata s’para pëlqehen, por entuziazmi dhe interesi i malësoreve të pranishëm ishte i dukshëm.

Po aq interes gjeti, dhe përshëndetja e komandantit të UÇK-së Ferid Balliu Berisha, i njohur me nofkën “Shkupi” i cili përshëndeti të pranishmit dhe evokoi rolin e bashkatdhetarëve që “na ndihmuan në luftë e që i shoh ne mes tuaj. Kemi qenë jo aq të bashkuar, sa kemi dashur, jo aq të bashkuar aq sa doni ju, por gjithnjë keni qenë bashkë, se vetëm të bashkuar mund të mbrojmë amanetin e të parëve”.

Këngët e vallet e grupit Gjergj Kastrioti me valle nga të gjitha trevat. Me fëmijë të gjitha moshave nga të rinjtë që morën pjesë në festivalin e Gjirokastrës, i dhanë një larmi te pashlyeshme mbrëmjes por natyrisht edhe një frymë gare, kur interpretuan dhe valltarët e grupit Rrapsha në Mërgim drejtuar nga Anton Juncaj, dhe mbrëmja u mbush nga një zë sa i fortë e aq fëmijëror i këngëtarit 10 vjeçar Valon Gjolaj që i kënaqi të pranishmit me interpretimin e tij të këngës “ Jam shqiptar e jam malësor” .

Z Juncaj u ftua nga konferencierët një djalë dhe një vajzë malësore të lindur në Amerikë, por që flasin aq bukur shqipe të përshëndeste në emër të shoqatës “Rrapsha të gjitha shoqatat, që e mbështetën mbrëmjen, si shoqatën Malësia e madhe, Jehona e Malësisë, Rrapsha, Kosova, Kastrati, Gjergj Fishta etj.

Dhe mbrëmja qe e mbushur me ushqime dhe pije tradicionale shqiptare, ku nuk mungonte as rakia ‘Malësia” dhe as Vera e kuqe e Kosovës “ Stone castle” as edhe bisedat me familjarëve dhe mes miqsh.

Ja dy vajza të vogla kërkojnë një foto me këngëtaren Shpresa Gojani dhe mësuesi i tyre vjen për t’ja mundësuar një foto atyre. Do të ishte pikërisht shpresa me zërin e saj potent që do të plotësonte atmosferën e gëzimit të kësaj mbrëmje. Shqiptarët janë shumicë tani në Michigan dhe një sallë e vetme si nxeh. Shpesh shumë syresh janë bashkuar në evente të ndryshme pranë qendrave fetare dhe organizime private. Po ashtu ditën e shtunë një ceremoni për 111 vjetorin e Pavarësisë u mbajt dhe në Qendrën islamike shqiptare të shtunën si edhe në kishën Ortodokse të Shën Thomait e asaj katolike të Zonjës Pajtore ditën e diel.

Po ashtu dega e Federatës Vatra në Michigan organizoi të dielën pasdite në Teqenë e Baba Rexhepit, që mban emrin e këtij vatrani të vjetër që bashkëpunoi si me Nolin, me famullitar si Dom Prek Ndrevashaj dhe imam Vehbi Ismailin, një ceremoni mjaft dinjitoze për t’u marrë shembull veprimtari të cilën do të paraqesim në veçanti me imtësi .

Paraqitjes së veprimtarisë të Vatrës i kemi kushtuar një kronikë të veçantë. Nga e tij televizioni ALBTVUSA bëri të mundur filmimin dhe transmetimin e të gjitha veprimtarive.

Ndërkohë dhe organizime private si koncerti i organizuar nga LV entertainment e këngëtarja Aurela Gace u mblodhën mjaft spektatorë të shtunën mbrëma në hallin Imperial House.

Festimi i Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë në Michigan në vitin 2023 ishte një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe unitetit të popullit shqiptar. Nëpërmjet një kombinimi të ceremonive tradicionale, ngjarjeve kulturore, programeve arsimore dhe angazhimit të komunitetit, kombi u mblodh për të nderuar të kaluarën e tij, për të festuar të tashmen e tij dhe për të parë përpara për një të ardhme të mbushur me prosperitet dhe unitet. 111-vjetori i pavarësisë shërbeu si një kujtesë e shpirtit të qëndrueshëm që lidh popullin e Shqipërisë së bashku, duke kapërcyer kohën dhe brezat.

Filed Under: Analiza

PAVARËSIA E SHQIPËRISË DHE MIRËNJOHJA PËR KLERIN FETAR SHQIPTAR

November 28, 2023 by s p

Sokol Paja/

Festa e flamurit kombëtar është festa më e shenjtë dhe më e shtrenjtë e popullit e kombit tonë. 28 Nëntori 1912 është dita e lirisë së përjetshme dhe të pavdekshme të popullit shqiptar dhe hedhja e themeleve të shtetit modern shqiptar. Flamuri është simboli më i çmuar i një populli e kombi. Flamuri kuq e zi është krenaria jonë kombëtare, identiteti ynë, frymëzimi ynë. Në themel të pavarësisë është gjaku, mundi, djersa, sakrifica, lufta, përpjekja e patriotëve, heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve e çlirimtarëve shqiptarë që dhanë jetën për komb, për flamur, për atdhe. Vendosmëria, diplomacia dhe këmbëngulja e plakut të urtë të Vlorës Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Lef Nosit, Dom Nikollë Kaçorrit, Vehbi Dibrës, Iljaz Vrionit, Mit’hat Frashërit e shumë patriotëve solli lirinë e shumëpritur. Pavarësia e Shqipërisë përbën ngjarjen më të madhe, unikale dhe të lavdishme në historinë e dhimbshme dhe të mundimshme të kombit shqiptar gjatë shekullit të kaluar. Në këtë ditë pavarësie mirënjohje e veçantë shkon për klerin fetar shqiptar të cilët kanë qenë në ballë të çdo përpjekjeje për zhvillim kombëtar, bashkim kombëtar, përparim kombëtar e pavarësim kombëtar.

Binomi për fe dhe atdhe udhëhoqi veprimtarinë patrotike dhe klerikale në shërbim të popullit, shtetit e kombit shqiptar. Festat kombëtare janë një moment refklektimi se çfarë duhet të bëjmë më shumë për atdheun tonë, për kombin tonë, për njëri-tjetrin, për bijtë e shqipes kudo në botë. Festat kombëtare janë një moment për të shprehur falenderim e mirënjohje të thellë secilit që ka dhënë për flamur e për komb. Pa dyshim kleri fetar i të katër besimeve në Shqipëri e meriton më shumë se askush tjetër vlerësim e mirënjohje. Kleri fetar shqiptar i të katër besimeve fetare ka luajtur rolin më të rëndësishëm në mbrojtje të interesave të atdheut dhe në shërbim të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, gjithashtu edhe në mbrojtjen e konsolidimin e shtetit shqiptar.

Historia e shtetit e popullit shqiptar do të ishte shumë e varfër pa kontributin e jashtëzakonshëm të klerit fetar shqiptar i cili qenë ndër mbrojtësit më të zjarrtë të kombit dhe ka merita të mëdha në fushën e kulturës, arsimit, historisë, enciklopedisë e atdhedashurisë. Vuajtjet pa fund që provoi kombi shqiptar nga valët e njëpasnjëshme të pushtuesve të huaj, e pushtuesve të brëndshëm, diktuan kurdoherë nevojën e qëndresës për të mbijetuar, gjë që i dha shkas dhe hov atdhetarizmit shqiptar me në krye klerin fetar. Kleri fetar shqiptar ndihmoi në mënyrë të ndjeshme bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine, rreth idesë kombëtare ku në të gjitha proceset historike kombëtare klerikët kanë qenë të pranishëm në role kryesore shtetformuese.  Edhe pse vuajtën mizorisht barbarinë e genocidin komunist, kleri fetar shqiptar pas rënies së komunizmit ndërtoi një botë fantastike shpirtërore për besimtarët duke kultivuar dashurinë për atdheun dhe njëri-tjetrin.

Kleri fetar shqiptar përgjatë historisë ndihmoi në forcimin e lëvizjes për liri e pavarësi, rriti atdhedashurinë në popull, nxiti frymën patriotike, forcoi harmoninë fetare e kohezionin e brëndshëm shoqëror, hodhi bazat e kombit shqiptar në ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor shqiptar duke luajtur një rol të jashtëzakonshëm në emancipimin dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në përgjithësi. Shpallja e Pavarësisë në Vlorë përfaqëson fitoren e përbashkët të të gjitha trevave shqiptare dhe vazhdimin e amanetit për bashkim kombëtar të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo festë pavarësie na rikujton nevojën e domosdoshme të ndihmës që atdheu kërkon prej çdo patrioti breda dhe jashtë atdheut: Duaje vendin tënd, investo në vendin tënd, mos e harro vendin tënd, kthehu në vendin tënd, fol gjuhën e bukur shqipe, angazhohu dhe ndihmo në veprimtaritë që lartësojnë kombin, shtetin dhe çdo shqiptar kudo ku lulëzon e përparon.

Kleri fetar shqiptar ka qenë gjithmonë një shtyllë e kombit për të krijuar një shtet të konsoliduar dhe të emancipuar si çdo shtet tjetër i zhvilluar perëndimor. Klerikët historikë si At Gjergj Fishta, Dom Nikollë Kaçorri, At Anton Arapi, At Gjon Shllaku, Dom Lazër Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Dom Ndre Mjeda, Imzot Vinçens Prendushi, Imzot Jak Serreqi, Imzot Luigj Bumçi, Imzot Frano Gjini, Patër Zef Pllumi, Kardinal Mikel koliqi, Kardinal Ernest Troshani, Imzot Zef Oroshi, Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Hafiz Sabri Koçi, Vexhi Buharaja, Sali Myftia, At Fan Noli, At Kristo Negovani, At Stath Melani, At Kristofor Kisi, Baba Rexhebi, Baba Ahmeti, Baba Myftari, Baba Reshati e shumë e shumë klerikë të tjerë të shquar janë në themelet e historisë së kombit shqiptar. Dashuria për atdheun, kombin e njëri-tjetrin, konsolidimi i shtetit shqiptar, ngritja e institucioneve dhe zhvillimi e përparimi i shtetit e shoqërisë shqiptare ishin ndër meritat kryesore që kleri fetar na trashëgoi duke na bërë krenar si komb. Kleri fetar veproi drejtpërdrejtë në zhvillimin moral, kulturor dhe shpirtëror të shoqërisë shqiptare dhe kombit shqiptar. Përjetë falenderues, përgjithmonë mirënjohës.   

Filed Under: Analiza Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 115
  • 116
  • 117
  • 118
  • 119
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES
  • Shkolla Shqipe Vatra në Tampa zhvilloi takimin e radhës
  • FESTA E SHQIPTARËVE
  • Lekë Matrënga, jo vetëm poeti, por dhe mësuesi i parë i shqipes
  • BETIMI I VEDAT GASHIT I ADMINISTRUAR NGA PRESIDENTI CLINTON
  • GAZETA AUSTRALIANE (1929) / NJË RRËFIM PËR GRATË E SHQIPËRISË
  • VATRA SHPALL KUVENDIN E PËRGJITHSHËM ZGJEDHOR MË 25 PRILL 2026
  • VATRA, EMËR I SHENJTË, AMANET I BREZAVE, FLAKA QË NUK SHUHET KURRË…
  • Raif Hyseni, Merita Halili, Ansambli MSU ngrejnë peshë Festivalin e Artë të Muzikës dhe Valleve Ballkanase 2026
  • 17 janar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, forma që mban një komb, kur koha kërkon ta shpërbëjë!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT