• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja Osmani priti në takim Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në EEAS, Charles Fries

May 30, 2023 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Zëvendës Sekretarin e Përgjithshëm për Paqe, Siguri dhe Mbrojtje në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS), z. Charles Fries, i shoqëruar nga Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark.

Ndër të tjera, në takim u diskutua për progresin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar përkushtimin e Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik. Ne veçanti, Presidentja ka informuar Z. Fries për progresin e bërë në fushën e sundimit të ligjit, që përfshinë edhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për reformat demokratike dhe për përafrimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së. Tutje, Zëvendës Sekretari Fries vlerësoi lart bashkërendimin e Kosovës për dënimin publik dhe sanksionet kundër Rusisë si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

Presidentja Osmani dhe Zëvendës Sekretari Fries diskutuan edhe për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës. Presidentja ka përsëritur dënimin e fuqishëm për sulmet e strukturave ilegale serbe të shndërruara në banda kriminale kundër policisë së Kosovës, KFOR-it dhe gazetarëve. Presidentja Osmani ka potencuar se këto banda kriminale, të mbështetura nga Vuçiqi, kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë rajonit, prandaj veprimet e tyre të rrezikshme duhet të dënohen nga të gjithë.

Tutje, Presidentja Osmani vuri theksin në nevojën e koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, si hap i domosdoshëm në mënyrë që të sigurohet paqe dhe stabilitet afatgjatë në vend e rajon, ndërsa ka përmendur rëndësinë e sundimit të ligjit dhe përballjen me drejtësinë për bandat kriminale dhe veprimet e tyre të kundërligjshme.

Filed Under: Analiza

KFOR-KOSOVO FORCE- MEDIA RELEASE

May 30, 2023 by s p

KFOR-KOSOVO FORCE- MEDIA RELEASE

Filed Under: Analiza

Himara, Edi Rama dhe “martirizimi” i Fred Bejlerit

May 22, 2023 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Me një diferencë të vogël votash, vetëm 19 më shumë se rivali, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri ka fituar Bashkinë e Himarës. Posti që nuk do e gëzojë dot pasi ndodhet në qeli për akuzën e “shitblerjes së votave  Në rastin e Belerit situate nuk është e njëjtë, pasi pavarësisht zgjedhjes si kryetar i Bashkisë Himarë, me vetëm 19 vota më shumë se rivali do i duhet të presë gjatë deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Nëse shpallet fajtor nuk do e gëzojë postin e kryebashkiakut, por nëse shpallet i pafajshëm do ulet menjëherë në atë karrige të rëndë të mbushur tashmë me shumë reagime. Me 18 maj 2023 Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme greke, Haris Lalakos, ka vizituar në burgjet e Vlorës Fredi Belerin për të parë nga afër kushtet e paraburgimit dhe gjendjen shëndetësore të tij. Zhvillimet e ardhshme në këtë çështje do të varen nga vendimi i së hënës, i cili ka të bëjë kryesisht me marrjen zyrtare të detyrës së kryetarit të bashkisë nga Fredi Beleri. E gjithë çështja, e cila ka shkaktuar reagime të forta, përtej pakicës kombëtare greke në Shqipëri dhe në Greqi, tashmë trajtohet nga Prokuroria e Luftës kundër korrupsionit (SPAK).   

Dendias: “Pritet vendimi i Gjykatës. Nëse nëse s’ ka prova të forta, e gjithë afera është skandaloze”

Të hënën e ardhshme (22 maj), në mesditë, Gjykata Speciale e Tiranës do të vendosë nëse kryebashkiaku i sapozgjedhur i Himarës Fred Beleri dhe bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi do të lirohen apo do të vazhdojnë paraburgimin. Duke arrestuar Fredi Belerin qeveria Rama rrezikon një keqësim të marrëdhënieve dypalëshe. Dje sipas Prothema Ministri i Jashtëm Nikos Dendias foli për një rast skandaloz, përderisa nuk dalin prova të pakundërshtueshme, që përbën një rrezik të madh për marrëdhëniet greko-shqiptare “Jemi 2-3 ditë përpara një procedure ku do të vendoset nga ajo që na informojnë këshilltarët tanë ligjorë në Tiranë nëse do t’i zgjatet paraburgimi kryebashkiakut Beleris. Që në fillim e kam përsëritur qëndrimin e kryeministrit Rama. Se nëse nuk ka prova të forta, e gjithë afera është skandaloze. Por përtej kësaj, është edhe çështja e rezervimit. Në shtetin e së drejtës, një kryetar i zgjedhur, për një vepër si ajo për të cilën pretendohet se akuzohet, nuk ndalohet. Sigurisht që do të gjykohet, nuk kemi arsye të ndërhyjmë në drejtësinë e pavarur të një vendi mik, por mendoj se ndalimi i tij i kalon kufijtë e logjikës”, thotë Nikos Dendias për Euronews dhe përmend se imazhi i marrëdhënieve me Shqipërinë ishte një. imazhi i një situate në përmirësim. 

“Kam besuar dhe besoj se jemi shumë afër një marrëveshjeje për t’ia referuar mosmarrëveshjes në Hagë. Ka pasur një përzemërsi personale mes kryeministrit Qiriakos Mitsotakis dhe kryeministrit Rama dhe mes meje dhe kryeministrit Rama, arrestimi i kryebashkiakut Beleris duhet të them është një rrezik i madh për marrëdhëniet greko-shqiptare. Shpresoj që mençuria dhe arsyeja dhe shteti ligjor të mbizotërojë dhe ky rrezik të shmanget. Por nuk mund ta nënvlerësoj problemin që lindi papritur”, thotë zoti Dendias.

Fredi Bejleri u arrestua vetëm tre ditë para se të shkonim në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ata që gëzuan më shumë në këtë fitore, ishte politika qeverisëse në Greqi dhe sidomos pjesa e ekstremizmit atje që mban gjallë shpresën e “Vorio Epirit” dhe për ta Beleri duket si hero… 

Hero i kujt ? Sot serbët e quajnë si hero të tyre Esad Pashë Toptanin, madje trupin e tij në Paris mbeti një kohë të gjatë në morg pa u varrosur dhe u varros me pagesë nga qeveria serbe. Interesant tradhtarët e Shqipërisë bëhen hero të fqinjëve . 

Himara historikisht tokë shqiptare

Edhe pse Himara historikisht njihet tokë shqiptare, për një pjesë cilësohet se aty jeton komunitet grek. Por sa greke është Himara , për t’ua vërtetuar këtë po ju sjell një fragment nga libri “Travels in Northern Greece. nga William Martin Leake., v.1., 1777-1860. London,J. Rodwell,1835 ku ne faqet 79-92 flet për Himarën, dhe për të ilustruar qenien shqiptare të Himarës mjafton ky paragraf.  “Gjuhën greke e flasin pothuajse të gjithë burrat dhe italishten ata që kanë jetuar jashtë vendit; por gratë në përgjithësi s’dinë gjuhë tjetër përveç shqipes”. Ai bëri një udhëtim në Himarë dy shekuj më parë që rrëfehet në faqen 79 deri 91. Atëherë s’kishte lindur Greqia as Megalidheja.  

“Himara ka një realitet të pamohueshëm, se një pjesë e fshatrave flasin edhe shqip edhe greqisht. Qyteti, si çdo port, është i miksuar, shqiptarë kryesisht, por edhe grekë, venecianë. Por këto, as gjuha, as mikstura, nuk e bëjnë Himarën gjë tjetër, përveçse bastion i shqiptarizmës. Himara, e njohur në histori, së bashku me malësitë e Alpeve dhe Sulin, kanë pasur kodet dhe kanunet e tyre. Pra, në këtë kontekst, kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare, përfshi edhe ato fshatra që janë bilingualë.

Qirie Qiriako, Qirie Bejleri dhe Qirie Rama. Gjeni tradhtarin ? 

Por aso kohe në Derviçan. Bejleri ishte me qirie Qirjakon, kryeministrin e Greqisë kur u afrua për ta takuar kolegu i tij kryeministri Rama dhe me diplomaci Rama ju drejtua Bejlerit, që “këtu qënka dhe tradhtari Beleri”, duke shtuar që edhe mua si ty më kanë bërë tradhtar. Dhe qirie Micotaqisi e kuptoi nëntekstin e kësaj “shakaje”, një pohim që bënte njëlloj si qirie Fredin dhe qirie Edi Ramën dhe pa humbur kohë, Micotaqisi, bashkangjitur me Fredin, mbas kësaj “shakaje” diplomatike vrapuan drejt Himarës dhe pa as një ndroje dhe si zot i vendit, qirie Qirjako shpalli shqiptarët greqisht folës të Himarës si heronjtë e helenizimit duartrokitur me ovacione nga Fredi Bejleri dhe duartrokitur me heshtjen e tij për këtë deklaratë antishqiptare njëlloj si Fredi Bejleri i posa vetdeklaruar në Derviçan, qirie Edi Rama.

Në qoftë se kryeministri ynë, nuk do të deklaronte para Micotaqisit që unë jam tradhtar si Fred Bejleri, por do të qëndronte me dinjitet si shqiptar, aq më tepër me dinjitetin e një kryeministri, a do të guxonte vallë Micotaqisi t’i shpallte shqiptarët e Himarës heronj të helenizmit?  Ndaj ndërsa Kryeministri i Greqisë Qiriakos Micotaqis në 22 dhjetor 2022 e ngulte zyrtarisht flamurin ilegal të “Vorio Epirit “ në Himarë dhe në Shqipërinë e Jugut. Në fjalimin e mbajtur në qytetin shqiptar të Himarës, Micotaqis shpalli kërkesën zyrtare greke që “Shqipëria është e detyruar të respektojë të drejtën tuaj për vetëvendosje”. Por është hera e parë që një kryeministër grek vjen dhe e shpall në tokën shqiptare, mu në surrat të politikës dhe të publikut shqiptar dhe konkretisht në Himarë. Pse nuk reagoi Rama atëherë?  A është reagimi ndaj Belerit i tashëm reagim patriotik apo diçka tjetër?

Fredi Bejleri dhe platforma e helenizmit

Ka vite që kur flitet për Himarën nuk diskutohet më në bazë të një axhende, që i ndan banorët e kësaj bashkie në grekë dhe shqiptarë, por kandidati për bashkinë i koalicionit “Bashkë fitojmë”, Fredi Beleri e ka rikthyer këtë mënyrë të të bërit politikë, gjatë një interviste për median greke “Protothema”. I pyetur nga gazetari grek se sa të rëndësishme janë zgjedhjet e 14 Majit për “helenizmin” në Himarë, Fredi Beleri përgjigjet se “ne kemi jetuar si grekë prej mijëra vitesh dhe kjo nuk do të ndryshojë”.

“Por është jetike për helenizmin e Himarës që t’i tejkalojë pengesat që e ndalojnë të ketë mundësi, punë të mira, të gëzojë pasurinë që na është mohuar prej 60 vitesh, për të pasur arsimim në gjuhën e nënës për të gjithë dhe për të shkëlqyer, sepse e meriton, në përparimin e procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. (në BE). Prandaj dhe zgjedhja ime do të lehtësojë rrugën e helenizimit me mbështetjen e të gjitha forcave politike të Greqisë, të cilat i falënderoj me gjithë zemër, do të ndihmojë në bashkëpunimin mes dy vendeve, një kusht i nevojshëm për përparimin tonë” ka thënë Beleri.

I ardhur nga radhët e PBDNJ-së në koalicionin “Bashkë Fitojmë”, Beleri e përsërit disa herë premtimin për “helenizimin” e Himarës gjatë intervistës, pa shpjeguar qartë se çfarë do të thotë konkretisht me këtë term. Fredi Beleri mban prej vitesh postin e kreut të OMONIAS. Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ai ishte një nga shoqëruesit e afërt të kryeministrit grek Micotaqis në Himarë bashkë me Pirro Dhimën. Gjatë fjalës së tij, kryeministri grek zbuloi një kusht për mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian: që Shqipëria të sigurojë drejtat e komunitetit grek në vendin tonë.

Armiku i armikut tim është -miku im

Kandidati i “BF” për Himarën aktualisht mban postin e kreut të OMONIA-s. Ai është akuzuar më parë për terrorizëm në lidhje me masakrën e Peshkëpisë, një ngjarje e vitit 1994. Kreu i OMONIA-s i mohoi akuzat dhe më pas u shpall i pafajshëm nga gjykata.  Por si është e mundur që qe po ky, Sali Berisha që më 1914 dërgoi ushtrinë në kufi me Greqinë dhe u vuri viza qytetarëve grek, për shkak se Fred Bejleri dhe një grup militantësh nacionalistë grek morën përsipër sulmin mbi një repart ushtarak në Peshkëpi në Gjirokastër, ku u vranë tre ushtarakë shqiptarë. Tani pas 30 vjetësh Sali Berisha e kish Fred Belerin kandidat të PD për Bashkinë e Himarës  .Kjo është e pagëlltitshme nga të gjitha palët. Fillimisht e pagëlltitshme nga Fred Beleri, të cilit kërkon t’i heqë dhe të vetmin heroizëm që ka bërë si nacionalist grek. E pagëlltitshme edhe nga pala greke që armiqësinë e fundit me Shqipërinë e ka për shkak të Sali Berishës. Por mbi të gjitha e pagëlltitshme dhe nga vet “demokratët” që Edi Ramën kur e shajnë, me zemër i thonë “grek muti”, pasi këtë kanë sharjen më të egër që njohin. Aq më tepër që del dhe nga një fis me Dendiasin nga Vunoi, dhe aq më tepër që Berisha e akuzon Ramën për “Spiro Milon “bis”

Kjo tregon se në politikë nuk ka parime, patriotizëm vetëm etje për pushtet nga të gjitha palët,  shpjegohet me thënien latine Inimicus Inimicus meus est amicus meus.

 Si mund ta justifikojë sot Berisha atë që me të drejtë shkruante për deklaratën e Micotaqisit në Himarë , kur shkruante  “Kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks. Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik. Askush më shumë se himarjotët nuk janë larë në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar.”

Media Greke: Fitorja e Belerit, disfatë politike për kryeministrin Rama

Kjo fitore nuk ka kaluar pa u komentuar nga mediat greke edhe nga vetë drejtuesit e qeverisë atje. “Fitorja e Belerit, është një disfatë politike për kryeministrin Edi Rama”, kështu shkruan media greke Kathimerini, në një analizë të publikuar në faqen e parë, lidhur me çështjen që ka rikthyer përplasjet diplomatike mes Tiranës dhe Athinës. Teksa komenton triumfin pas hekurave të pjesëtarit të minoritetit grek, kandidat i koalicionit “Bashkë fitojmë”, “Kathimerini” thotë se sytë janë kthyer tani nga Tirana, në pritje të reagimit të kryeministrit Rama, që siç shkruan, e kishte kthyer në personale, betejën për Himarën. Sipas medias, Rama do të përdorë sistemin gjyqësor të marrë peng, për të mbajtur kandidatin e arrestuar për blerje votash, jashtë dyerve të bashkisë. 

“Ekziston frika se mund të jemi në fillim të një tjetër hakmarrje, të Ramës ndaj helenizimit të Himarës”, shkruan Stavros Tzimas i Kathimerinit, që e vë theksin tek nevoja e reagimit ndërkombëtar nëse do të ketë përpjekje për të përmbysur vullnetin e votuesve.. 

Martirizimi i panevojshëm i Belerit

Nuk kam dyshim se policia politike ka arritur të sigurojë ndonjë kleçkë kundër Fred Belerit, për të përligjur burgosjen e paimagjinueshme të një kandidati vetëm dy ditë para zgjedhjeve. Duke i ngritur çark ose ndofta duke e përgjuar në mënyrë selektive, ata do i kenë plotësuar një dosje për t’u justifikuar para publikut dhe ndërkombëtarëve, se shteti ligjor ka funksionuar normalisht. Por përpara se të shtrojmë pyetjen a ka i paguar votat e disa minoritarëve të vet kandidati i Omonias, ne duhet të hedhim në tryezë disa të tjera. Si ndodh gjithmonë që në këtë vend votat i blekërka opozita, por fitoret i korr pushteti? Pra të gjitha këto pikëpyetje e çojnë në skajet e pabesueshmërisë fabulën e arrestimit të rastësishëm të kandidatit minoritar.  

Thënë këtë, nuk dua të bëj asnjë apologji të Fred Belerit. Në mendësinë dhe botkuptimin tim, kurrë nuk do ta kisha përkrahur një kandidat të tillë, që i kërkon votat mbi motivet e një nacionalizmi që mëton të ndezë pasionet më të errëta të shtetit fqinjë, që predikon helenizimin e Himarës dhe rrugën e arritjes së këtij qëllimi.  Këtu kemi të bëjmë me një vendim politik të drejtësisë. Rasti i greko -shqiptarit Beleri është njësoj si ai i patriotit tonë me gjak të kulluar, Arben Ahmetaj. Sapo i sulmoi publikisht kryeministri, ia behën prokurorët” shkruan Lapsi.al . 

 Prandaj ajo që ndodhi buzë shëtitores së transformuar nga Rilindja urbane, në Himarë, nuk përbën një rast krimi të thjeshtë elektoral. Ajo natyrisht ka të bëjë me eliminimin e një kandidati të fortë zgjedhor (nuk i mbyllën kufijtë si Vangjel Tavos që do importonte në Shqipëri virusin, por e mbyllën vetë brenda). Ajo ka lidhje me llogaritë e autobusëve me minoritarë që do të vijnë nga Greqia. Ajo nuk mund të shkëputet nga grabitja e pronave të një prej zonave më të bukura të bregdetit, pronarët e të cilave ndryshe nga të ngjashmit e vet në mbarë Shqipërinë, kanë pasur një mbrojtje relative në Athinë.  

E megjithatë, pavarësisht nga të tëra këto, ajo që ka ndodhur në Himarë, është një rast tipik për të ilustruar fytyrën e regjimit që na sundon. E një autokracie ku po s’i pëlqeve shefit, gjithmonë me ligj, mund të të mbyllët televizioni, mund të të hidhet në erë hoteli, ose mund të zihesh duke blerë vota. Fred Beleri nuk u bë viktimë, as sepse nuk fliste mirë shqip, as sepse ushqente një nacionalizëm të verbër. Ai nuk e hëngri si grek, po si qytetar që donte të konkurronte brenda mundësive që të jep ky vend. Por, në hapësira autokratike një gjë e tillë është e pamundur.

Greqia fiton, Shqipëria humbet BE-në

Fakti është se si Micotakis ka diçka për të fituar nga kjo ndodhi. Për kryeministrin grek, ishte shumë simbolike dhe do të kishte përcjellë interesin e qeverisë së tij për të ardhmen e komunitetit, ndërsa mund të ketë qenë gjithashtu një mundësi – në dritën e zgjedhjeve  Greqi – për të shpallur disa ndihmë praktike dhe masa mbështetëse. Arrestimi i Belerit çoi kryeministrin Kiriakos Mitsotakisë të kërcënojë me pengim të procesit të anëtarësimit në BE të Shqipërisë.   Por me  Micotaqisin junior në qeverisje, Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë probleme e tensione, ç’ka kanë qenë “normale” në të shkuarën. Sa për ilustrim, qeveria e Tsiprasit, ishte ajo që i hoqi kryebashkiakut të Himarës shtetësinë greke, duke e bërë nga Jorgo në Gjergji Goro, thjesht se këtë e kërkuan qarqet ekstremiste me Fred Belerin, të mbështetur fort edhe nga Ilir Meta, i cili u dekorua me pompozitet nga mazhoranca e drejtuar nga Syriza.  Beleri, realisht është një person problematik, por fuqia e tij potenciale politike është për tu kthyer në një mollë sherri Tiranë-Athinë 

Çështja Bejleri në Senatin Amerikan

Por te shtunën  Ministri i Jashtëm Nikos Dendias foli për një rast skandaloz, përderisa nuk dalin prova të pakundërshtueshme, që përbën një rrezik të madh për marrëdhëniet greko-shqiptare, në lidhje me çështjen Fredi Beleri njoftonte Proto Thema. Por kjo nuk ka mbetur vetëm mes dy palëve. Në deklaratën e tij, kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit Amerikan, Bob Menendez, e cilësoi problematik arrestimin e Fredi Belerit. “Unë e kuptoj që zgjedhjet e lira dhe të ndershme, përfshirë gjykatat e pavarura, janë elementë themelorë të një demokracie, por jam i shqetësuar për arrestimin e shtetasit me kombësi greke nga Policia shqiptare, Dionisis Freddy Beleris, dy ditë para zgjedhjeve. Ndërkohë që presim të dalin provat, qeveria greke e ka bërë të qartë se kjo do të kishte një zhvillim negativ për perspektivën evropiane të Shqipërisë. Çfarë po bëjmë për të konfirmuar se autoritetet shqiptare po shkelin shtetin e së drejtës dhe cila është lëvizja jonë e radhës?” tha dje gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit, senatori amerikan. Lobi grek e bëri punën. Kështu Rama për shkak të pangopësisë së vet për prona në bregdet po rrezikon anëtarësimin e Shqipërisë në BE. 

Por, megjithatë, martirizimi patriotik grek i Fred Belerit të kujton atë të Spiro Milos, që u bë deputet i Parlamentit Grek, i Vorio Epirit, ndaj në emër të shqiptarëve u bëj thirrje institucioneve:  Dënojeni Fredin! Jo për blerje votash se tregoheni të padrejtë. Për këtë duhet të dënoni pothuajse gjithë politikën shqiptare. Dënojeni për tradhti kombëtare dhe mësojini se Himara është Shqipëri. Pasi dhe këtë Fredin si dhe mikun tim të mirë himarjot Ilia, në Shqipëri, rastis që ta shajnë “Greku i Mutit”,  por në Greqi prapë se prapë. ve bast që e quajnë “Shqiptari i mutit. Apo s’është kështu? 

Filed Under: Analiza Tagged With: Rafael Floqi

Nis ushtrimi Defender Europe 23 – ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake në Kosovë

May 22, 2023 by s p

-Presidentja Osmani: Kam nderin që jam sot me ju në ceremoninë e fillimit të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe Defender Europe ‘23 të drejtuar nga Komanda e Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë/

-Kryeministri Kurti: Sot, këtu, në sheshin që mban emrin e kryeheroit tonë dhe njërit prej strategëve më të njohur ushtarakë që ka njohur njerëzimi – Skënderbeut, po shënojmë fillimin e ushtrimit të madh të drejtuar nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Mbi 1,300 ushtarakë të forcave të Kosovës do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krahë të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 21 Maj 2023/ Në Kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë – në Sheshin Gjergj Kastroti -Skënderbeu sot u mbajt ceremonia e fillimit të ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit “Defender Europe ’23”, me ç’rast Ushtria e Kosovës – FSK do të tregojë kapacitetet e saja luftarake, e po ashtu shkallën e ndërveprimit ushtarak.

Në ceremoni morën pjesë personalitetet më të larta shtetërore, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Zëvendësministrat e Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Adnan Rexheplar, Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, Gjenerali Amerikan – Gjeneral Brigade Derek Adams, Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, gjeneralë të FSK-së, deputetë të Kuvendit të Kosovës, ambasadorë, atashe ushtarakë, si dhe oficerë të lartë të shteteve partnere.

Ceremonia nisi me intonimin e Himnit të Republikës së Kosovës dhe Himnit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nga Orkestra Frymore e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në ceremoni Presidentja Osmani theksoi se objektivi kryesor i kësaj stërvitjeje është shfaqja e fuqisë ushtarake, për të siguruar paqen dhe se ky ushtrim është kujtesë se forca nuk qëndron vetëm në armë, qëndron në lidhjet tona dhe aleancën e përbashkët.

“Kam nderin që jam sot me ju në ceremoninë e fillimit të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe ‘Defender Europe ‘23’ të drejtuar nga Komanda e Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë”, theksoi Presidentja e Kosovës.

Kryeministri Kurti tha se “Defender Europe 2023” është ngjarja më e madhe ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë dhe se FSK në këtë ushtrim, radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse, sa i përket numrit të personelit të angazhuar.

Më tej, Kryeministri Kurti potencoi se kjo është dëshmi e vullnetit për ndërtim të kapaciteteve të mbrojtjes dhe përkushtimit të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në këtë ceremoni, Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, theksoi se përgatitjet për realizimin e suksesshëm të “Defender Europe ‘23” kanë  filluar qe një vit e gjysmë dhe se trajnimet e vazhdueshme, investimi në blerje të pajisjeve dhe sistemeve të armatimit, shkollimet dhe stërvitjet kanë qenë intensive dhe i kanë paraprirë këtij ushtrimi.

“Për ne është shumë e rëndësishme që ngritjen e kapaciteteve tona ta bëjmë gjithmonë sipas standardeve të NATO-s, sepse rrugëtimi ynë është i qartë, destinacioni ynë është një dhe i vetëm, anëtarësimi në NATO. Prandaj ne do të përmbushim çdo detyrë e obligim që të jemi pjesë e kësaj familje të madhe”, tha Ministri Mehaj.

Ambasadori Amerikan në Kosovë, Hovenier, në fjalën e tij, theksoi se kjo ngjarje është arritje e madhe e Kosovës dhe paraqet përforcim të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës dhe se ky ushtrim është përpjekja më ambicioze që FSK-ja ka ndërmarrë deri më sot.

Ushtrimi ndërkombëtar ushtarak “Defender Europe ’23” do të mbahet nga data 21 Maj deri me 2 Qershor, ku do të jenë pjesëmarrës 25 shtete me mbi 22 mijë ushtarë. Republika e Kosovës si vend pritës do të ketë mbi 1300 ushtarë.

PRESIDENTJA OSMANI NË “DEFENDER EUROPE ‘23”: KJO STËRVITJE NDËRKOMBËTARE DËSHMI E FUQISË SË BASHKËPUNIMIT DHE TREGUES SE SA E FUQISHME ËSHTË ALEANCA JONË ME SHBA-të

Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani:

I nderuar Kryeministër Kurti,

I nderuar ambasador Hovenier,

I nderuar Ministër Mehaj,

Ministër Sveçla,

I nderuar Komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Jashari,

I nderuar zëvendëskomandant i divizionit të 34-tët të Këmbësorisë, Gjeneral brigade, Erens,

Gjeneral brigade Bozicevic,

Të nderuar partner të Republikës së Kosovës, partner të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Ushtarakë të forcave partnere dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Të gjithë ju pjesëmarrës në këtë stërvitje historike,

Të dashur qytetarë të Republikës sonë,

Kam nderin që jam sot me ju në ceremoninë e fillimit të stërvitjes së përbashkët shumëkombëshe “Defender Europe ‘23” të drejtuar nga Komanda e Ushtrisë së SHBA-së për Evropë dhe Afrikë.

Sot, qëndroj para jush për të nderuar guximin, përkushtimin dhe angazhimin tuaj të palëkundur në këtë stërvitje ndërkombëtare.

Ju jeni mishërim i trimërisë dhe përfaqësimit të idealeve më fisnike të shërbimit, sakrificës dhe solidaritetit.

Ju jeni gardianë të paqes dhe sigurisë në një botë gjithnjë e më komplekse dhe në zhvillime gjithnjë e më sfiduese.

Në këtë stërvitje ndërkombëtare, ju jeni krahas ushtrive nga kombe të ndryshme dhe shtete të ndryshme.

Megjithatë, ju qëndroni të bashkuar nën një kauzë të vetme, kauzës së përbashkët—për ta forcuar bashkëpunimin, për ta ndërtuar besimin dhe për ta rritur ndërveprimin midis forcave aleate.

Ju jeni mishërimi i punës në grup, duke kapërcyer kufijtë dhe duke punuar së bashku drejt një qëllimi të përbashkët- sigurisë dhe mbrojtjes së vlerave tona.

Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është një kujtesë se forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqinë e armëve tona, por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ne ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta, të cilat çdo ditë po i kultivojmë.

Së bashku ne jemi më të fortë kundrejt forcave që kërkojnë të na ndajnë, duke dëshmuar se uniteti dhe bashkëpunimi ynë janë çelës për një të ardhme më të sigurt e më paqësore.

Objektivi kryesor i Defender 23 është ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të ShBA-ve dhe forcave aleate, kundër agresorëve të mundshëm dhe për t`i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë se kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme.

Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën tonë të Sigurisë.

Pikërisht para dy viteve me sukses shumë të lartë realizuam së bashku Stërvitjen “Defender-Europe’21”, dhe vazhduam pa u ndalur në përgatitjet për stërvitjen e radhës, e cila po fillon sot me ceremoninë në sheshin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, një ndër emrat më domethënës në historinë tonë.  

Skënderbeu është hero jo vetëm për Kosovën, por edhe për Evropën. Njihet si strategu dhe udhëheqësi ushtarak ndër më të mëdhenjtë në historinë e luftërave për mbrojtjen e atdheut dhe mbrojtjen e vlerave civilizuese që ndikuan fuqishëm edhe në mbrojtjen e Evropës kontinentit tonë në përgjithësi.

Nga ana tjetër, ndodhet  shtatorja e liderit historik, udhëheqësit tonë të lëvizjes për pavarësi, njëherit arkitektit të Republikës sonë, Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, vizioni dhe ideali i të cilit, gjatë gjithë rrugëtimit të vështirë, ishte i mishëruar në vlerat properëndimore dhe euroatlantike.

Defender 2023 përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë, e cila është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s,  kundër gjenocidit të  Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Ne ishim viktima, kurse regjimi i Millosheviqit ishte agresori. E, lufta jonë ishte luftë për liri! Kjo është e vërteta e vetme, të cilën do ta mbrojmë çdo herë e kudo!

Prandaj, sot teksa i shohim ushtarët e FSK-së të radhitur në këtë shesh, dua të sjellë në vëmendjen e secilit edhe sakrificën e paraardhësve të tyre, vajzave e djemve të UÇK-së, të cilët e bën të mundshme lirinë tonë, mbrojtën dhe rikthyen dinjitetin tonë. Ata janë mishërimi i vetëmohimit, sakrificës dhe guximit. Të prirë nga komandanti legjendar, Adem Jashari, ata dhe mbi 3 mijë dëshmorë të UÇK-së janë personifikim i lirisë dhe i shtetit tonë.

Prandaj, falënderim dhe mirënjohje e përjetshme për vajzat dhe djemtë e UÇK-së!

Faleminderit edhe për burrat e gratë e popujve të aleancës së lirisë, aleancës së NATO-s dhe gjithë ushtarëve të ShBA-ve për sakrificën në përkrahje të përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi!

Përgjatë, 24 vjetëve të pasluftës na qëndruat pranë me mbështetjen tuaj, duke mbështetur edhe Ushtrinë e Republikës së Kosovës, të cilën  e ngritëm dhe zhvilluam së bashku me ju, e tani në këtë stërvitje do të demonstrojnë praktikisht se ata janë të gatshëm për të realizuar detyrat në kuadër të operacioneve shumëkombëshe të paqes dhe stabilitetit kudo që ka nevojë.

Të nderuar të pranishëm,

Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës, me statusin e vendit pritës në mesin e 25 vendeve në këtë stërvitje me gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë e rreth 1400 trupave të FSK-së përkrah edhe shumë trupave ushtarake amerikane dhe trupave të tjera shumëkombëshe të vendeve aleate dhe partnere e shteteve tjera të NATO-s, konfirmon më së miri edhe besimin e fuqishëm të partnerit tonë strategjik, SHBA-së ndaj Republikës së Kosovës dhe ndaj Ushtrisë sonë.

Rruga jonë përpara është e pandalshme e ne jemi të vendosur fuqishëm në konsolidimin dhe forcimin e institucioneve demokratike të shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit si faktorë jetik në fuqizimin e sistemit të sigurisë dhe të mbrojtjes në vendin tonë.

Në një mjedis shumë të ndjeshëm të sigurisë, kur sfidat dhe kërcënimet sa vijnë e bëhen gjithnjë e më komplekse, rëndësia e bashkëpunimit me aleatët në fushën e mbrojtjes, krahas të gjitha fushave tjera, është e domosdoshme dhe ekzistenciale.

Këtë e konfirmon fuqishëm edhe niveli i lartë i ndërveprueshmërisë gjatë fazës planifikuese të stërvitjes, e cila besojmë se do të kurorëzohet me sukses maksimal edhe në fazën e ekzekutimit me  integrimin në operacion të përbashkët stërvitor të forcave tona me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Krahas stërvitjes “Defender-Europe’23”, kjo shtron edhe nevojën e krijimit të përbashkët të frontit politik, sikurse edhe atij të sigurisë e të mbrojtjes, duke filluar  me Kartën e Adriatikut, SHBA- A5, ku është e domosdoshme të ecet përpara me anëtarësimin e Kosovës, pastaj me hyrjen e Republikës sonë në Programin e Partneritetit për Paqe, e deri tek anëtarësimi në NATO.

Ky fakt, duhet të jetë  tregues i fuqishëm për të gjithë shkaktarët e sfidave, të gjithë shkaktarët e destruktiviteteve dhe tendencave për destabilizim se ata do të dështojnë çdoherë, në përpjekjet e tyre për minimin e paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe të rajonit në përgjithësi.

Vendet tona kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë, sikurse edhe me këtë stërvitje, qëndrueshmëri të plotë falë orientimit të qartë euroatlantik dhe partneritetit të ngushtë me SHBA-të, me vendet e BE-së dhe me vendet tjera anëtare të NATO-s si dhe bashkëpunimit të rregullt e të koordinuar të bazuar mbi vlera dhe objektiva të përbashkëta.

Ushtarë të forcave mike dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Sot do ta kurorëzoni angazhimin tuaj maksimal dhe vetëmohues gjatë fazës së gjatë përgatitore.

Kam besimin e plotë në aftësitë dhe kapacitetet tuaja profesionale dhe nivelin e forcës, qëndrueshmërisë dhe përgatitjeve tuaja intensive.

Le të shërbejë kjo stërvitje ndërkombëtare si një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit, si triumf i shpirtit njerëzor dhe i vullnetit të paepur të ushtarëve si ju. Le të jetë kjo edhe një tregues se sa e fuqishme është aleanca jonë me SHBA-të.

Qëndroni të palëkundur në qëllimin tuaj, mbajuni fort pas vlerave tuaja dhe kthehuni nga ky ushtrim me krenari, përvojë dhe shkathtësi të reja!

Së bashku jemi gjithmonë më të fortë me forcat aleate!

Suksese dhe ju priftë e mbara!

Zoti e bekoftë aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Ju faleminderit!

KRYEMINISTRI KURTI NË DEFENDER EUROPE 23: FSK RADHITET E KATËRTA PËR NGA PERSONELI I ANGAZHUAR NË MESIN E 25 USHTRIVE PJESËMARRËSE, DËSHMI E VULLNETIT DHE PËRKUSHTIMIT TONË PËR ZHVILLUAR SISTEM TË MBROJTJES

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, Vjosa Osmani Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Shkëlqesia juaj, Jeffrey Hovenier, Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë,

I nderuari ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj,

I nderuari ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla,

I nderuari Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

I nderuari Gjeneral Adams,

I nderuari Shef i Stafit të KFOR, John Bozicevic,

Të nderuar shkëlqesi ambasadorë të akredituar në Republikën e Kosovës,

Të nderuar deputetë të Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes,

Kryetarë të Grupeve Parlamentare,

Të nderuar Kryetarë të Komunave,

Të nderuar Gjeneralë të FSK-së, oficerë dhe ushtarakë,

Të nderuar të pranishëm,

Të dashur qytetarë,

Sot, këtu, në sheshin që mban emrin e kryeheroit tonë dhe njërit prej strategëve më të njohur ushtarakë që ka njohur njerëzimi – Skënderbeut, po shënojmë fillimin e ushtrimit të madh të drejtuar nga aleati ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Padyshim, ushtrimi Defender Europe 23 – Mbrojtësi i Evropës 23, është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Republika jonë sot është e nderuar që për herë të dytë është vend nikoqir i ushtrimit që shtrihet prej zonës së Mesdheut e deri në kufijtë lindorë të kontinentit tonë. Mbi 1,300 ushtarakë të forcave tona do të ekzekutojnë detyra stërvitore ushtarake në krahë të 24 mijë ushtarakëve të forcave të armatosura të 25 vendeve të NATO-s dhe vendeve partnere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim. Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes, por edhe përkushtimin tonë të palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike.

Siguria e kontinentit Evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e don: të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. Defender Europe 21 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaq në mënyrën më agresive e brutale synimet e saj të kahmotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Defender Europe 23 po zhvillohet në një realitet të tensionuar, 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë, dhe që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me të ardhmen e Evropës, por edhe mbarë botës.

Prandaj, përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme, ashtu siç është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake e që janë objektivat kryesore të ushtrimit Mbrojtësi i Evropës 23.

I nderuari Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, të nderuar ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të ushtrisë sonë dhe të vendeve tona mike që jeni sot të pranishëm këtu, para monumentit të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, jeta dhe vepra e të cilit na e mësoi se sa të rëndësishme janë aleancat dhe gatishmëria luftarake për të mbrojtur rendin e organizimit dhe të ndërtimit. Madje edhe ky togfjalëshi “Stronger Together” (Bashkë më të fortë), është veçse variacion dhe jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut “Bashkimi bën fuqinë”.

Ju uroj suksese në përmbushjen e objektivave të ushtrimit dhe njëherit ju siguroj që do të vazhdoni të keni mbështetjen e Qeverisë së Republikës dhe institucioneve të shtetit në ngritje dhe zhvillim profesional.

Demokracia, shoqëria dhe vlerat njerëzore kanë nevojë për ushtrinë më shumë se kurrë, sepse demokracia është sistemi më i brishtë pikërisht sepse është sistemi më i hapur.

Duke mos harruar mësimet nga historia jonë kombëtare dhe ajo e mbarë njerëzimit, le të jemi të bashkuar, me vullnet dhe me disiplinën më të lartë në zhvillimin dhe përmbylljen me sukses të këtij ushtrimi kaq të rëndësishëm për të gjithë ne.

Suksese dhe ju faleminderit!

Filed Under: Analiza

HASAN PRISHTINA NË KUVENDIN E JUNIKUT- NJË KOLOS ME DY JUBILE

May 22, 2023 by s p

Karvani ynë që sivjet ka nisur të lëvizë për të shënuar 150 vjetorin e lindjes dhe 90 vjetotin e renies së Hasan Prishtinës, sot është ndalur në Junikun tonë të bukur.

Shkruan: Mehmet Prishtina

Para 111 viteve këto kulla që sot me krenari presin e përcjellin miq e dashamirë nga gjithë hapësira shqiptare, ishin dëshmitare të një ngjarje të madhe e cila në historiografi do të njihet si Kuvendi i Junikut. Ditët plot me diell të majit të 1912-tës, paralajmëronin agun e një zgjimi kombëtar, sepse krerët e shqiptarisë kishin vendosur që në Junik të lidhnin besa-besën për t’i dhënë tokave arbërore lirinë e shumëpritur. Prandaj datat 22-25 maj 1912 do të mbeten në historinë e lavdishme shqiptare si gurët më të çmuar në kalendarin e kujtesës kombëtare, për arsye se pikërisht ato ditë vuajtjet shekullore të shqiptarëve nën robërinë e huaj po shkëputeshin nga vargojt e robërisë dhe po sillnin dritën e shpresës, që do të kurorëzohet pak më vonë, më 28 nëntor 1912 në Vlorë.

Kuvendi i Junikut me nismën e Hasan Prishtinës mblodhi 300 delegatë nga gjithë trevat shqiptare dhe si i tillë paraqet platformën më të kristaltë kombëtare që do t’i paraprijë ngjarjeve të bujshme, duke filluar nga çlirimi i Shkupit, më 12 gusht 1912 e deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më

28 nëntor 1912.

Kjo ngjarje e rëndësishme historike ishte edhe një përgjigje ndaj aspiratave grabitqare të shovinistëve fqinjë, por edhe politikave joparimore të Fuqive të Mëdha ndaj çështjes kombëtare shqiptare, e cila padrejtësisht u cënua në Kongresin e Berlinit. Prandaj Kuvendi i Junikut, përmes përfaqësuesve të katër vilajeteve shqiptare, e artikulonte qartësisht idenë e krijimit të mëvetësisë shqiptare brenda kufijve etnik, duke e integruar këtë ide në një program 14 pikësh, të cilat janë edhe 14 nenet e kushtetutës shqiptare të miratuar në Junik.

Ky program paraqiste në mënyrë të detajuar vizionin politik për një Shqipni të lirë, e cila do të qeverisej nga vetë shqiptarët, ku parashihej:

Kuvendi i Junikut, me programin e tij kombëtar 14 Pikat,ndikoi në zgjerimin e kryengritjes në viset e tjera dhe në shtimin e radhëve të saj me mijëra luftëtarë, ndërkohë që Hasan Prishtina dhe atdhetarë të tjerë iu vunë punës për të vënë në jetë vendimet e Kuvendit të Junikut. Ai lëshoi një shpallje në gjuhën turke dhe në gjuhë të tjera, drejtuar “Shqiptarëve liridashës dhe botës së qytetëruar”, në të cilën theksonte se “pas përpjekjesh të pafrytshme për sigurimin e të drejtave kombëtare me mjete ligjore, përmes zbatimit të kushtetutës, shqiptarëve nuk u mbeti rrugë tjetër veç asaj të rrëmbimit të armëve. Është momenti kur vendoset fati i Shqipërisë: vdekja ose liria e saj”, përfundonte thirrja e Hasan Prishtinës.

Kuvendi i Junikut frymëzoi shqiptarët në luftën e tyre heroike për çlirim, kurse fryti i parë i kësaj përpjekjeje ishte çlirimi i Shkupit në gushtin e vitit 1912-të, i cili rezultoi me thirrjen e Kuvendit të Shkupit ku Hasan Prishtina kërkoi bashkimin e katër vilajeteve në një vilajet të vetëm, me kryeqytet Shkupin.

Historiografia shqiptare ia ka borxh Kuvendit të Junikut një përkushtim edhe më të madh hulumtues e shkencor, për arsye se për nga pesha dhe rëndësia të rangohet në ngjarjet më kulmore të kombit, që nga koha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut e deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Në përmbyllje, do të doja të përçoja tej ju, mesazhin e Kuvendit të Junikut për një unitet më të madh brenda nesh, duke lënë anash ndasitë partiake e ideologjike, sepse Kosova ka nevojë shumë për mirëkuptimin tonë të brendshëm, përballë sfidave të cilat ende nuk kanë mbaruar.

Filed Under: Analiza Tagged With: Hasan Prishtina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 131
  • 132
  • 133
  • 134
  • 135
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT