• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Glauk Konjufca: Republika e Kosovës është në rrugën e duhur

December 22, 2022 by s p

Në prag të festave të fundvitit, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë organizoi sot pritje për korin diplomatik në Kosovë, në të cilën mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Hapjen e eventit në emër të Komisionit për Punë të Jashtme e bëri kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, i cili në fjalën e tij të rastit falënderoi ambasadorët për punën dhe mbështetjen e dhënë përgjatë tërë vitit. Ai numëroi sukseset e Komisionit, duke thënë se është bërë një punë dinamike gjatë vitit që po lëmë pas. Deputeti Abazi po ashtu përmendi liberalizimin e vizave dhe angazhimin që duhet vazhduar në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe organizatave tjera ndërkombëtare.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke falënderuar ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë diplomatikë të akredituar në Prishtinë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe qyetetarëve të saj, theksoi se partneriteti me shtetet mike po krijon të ardhme për të gjithë qytetarët e vendit tonë.

Tutje kryetari Konjufca theksoi se përkundër sfidave gjatë këtij viti, në nivel vendi dhe më gjerë, ka pasur edhe zhvillime të frytshme të cilat i kanë dhënë Republikës së Kosovës imazh shumë të mirë ndërkombëtar.

Duke uruar për një vit edhe më produktiv, kryetari Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është në rrugën e duhur dhe se institucionet shtetërore janë dhe do të jenë gjithmonë pranë qytetarëve tonë.

Filed Under: Analiza

ECE JAKET E GOMONEVE NË LA MANSH DHE SHQIPËRIA E SHKRETUEME

December 20, 2022 by s p

Malet kanë humbur kreshtat. Kodrinat kanë humbur gjallërinë njerëzore. Fushat janë kthyer në dete ose në moçalishte sa herë bie shi. Qytetet vuajn nga pluhrat sy lotuese, gazrat helmuese, mungesa e oksigjenit, nga pesha e vuajtjeve plagë sterrosura. Fshatra e qytete janë ngarkuar me lotët e trishta e dhimbjen e nanave, baballarëve, vogëlusheve e nuseve. Shkollat po mbyllen varg se s’ka mësues e nxanës. Ndërsa politika kakarizet mbi muskujt e kockat e fosilizuar të këtij populli që i shtohet çdo ditë, muaj e vit, mosha e mplakjes.  E vërtet, vallë, gjithe kjo mynxyrë shqipëtare?

   Për të mos mbetur në dhimbjen rrënqethëse poetike, po gërmojm me anë të  hetimeve të trishtueshme, disa fakte, që kush i shikon me sy, dëgjon me vesh ose lexon sadopak, makinën e madhe të komunikimit modern do t’iu besoi: ‘’Nga viti 2021 në vitin 2022, mosha mediane (mesatare) e popullsisë shqiptare u rrit nga 37 vjeç e 7 muaj në 38 vjeç e 2 muaj. Edhe varësia e të moshuarve mbi 65 vjeç ndaj të rinjve, u rrit nga 22,3% në 23,1%.,, (ISTAT)

  Kjo si rezultat i rrutullimit të mokrave të politikës që në vend që bluajn miell zero për gatim e ushqim, bluajn helme pluhur për popullin (në kuptimin e propogandës rozeë  tallëse e korrupsion i gjallë), fabrikojn para për vete, duke mbajtur kështu peng piramidën shtetërore. Që materialit tonë t’i japim besueshmëri, do të zbresim atje ku çelin, hapen, qelbëzohen, plagët. Atje ku ndihet deri në fijen e fundit të nervit e aortës, shuarja e fshatrave, mplakja e parakohshme e tyre të braktisura nga engjejt e tyre. Atje ku shteti nuk ka qenë e nuk është, ndjerë, dukur, përkujdesur dhe parë ato drejt në beben e syrit. Ai është bërë sumull e pakicës borgjeze  me veprime, ide, politikat ortakore. Ja ku godasin silurët e varfërisë e shkretizimit të malve, kodrinave, luginave mbi njerëzit e braktisur, fëmijët e pa shkolluar, lanun në vetminë qorre:‘’…Vëlla më dhemb shpirti kur po shoh largimin e të rinjëve nga Bulqiza. Isha një natë te motra, në Kokërdhak. Mora vesh se në një natë kanë ikur 13 djem për në Gjermani. Është boshatis fshati. Furgoni që ka qarkulluar në këtë fshat 3 dekada (për 30 vjet, S.M) sot nuk funksionon.,, (Y. Keta  fb 17.10.2022.)

    Pra shuhen lëvizjet e dobishme, prodhuese, energji dobi prurëse. Meket dëshira për punë.  Vyshket gjallëria që ju jep rinia rrugëve e rrugicave të fshatrave.  Atëhere vegjeton bujshëm në kalbësirën morale të fshatarëve e qytetarëve, duke kundëruar gaz sulfurik, fosilje te vdekurish, psimizëm, degradim shpirtëror. Kuptohet trojet vetëshkatërrohen, fshatarin, të riun e shqyejn  kohërat e ndërtuara për së mbrapshti, nga politkanët sharlatan, pa bosht moral e ndjenja njerëzore dhe kombëtare. Natyrisht kështu vdesin njëri pas tjetrit fshatra nga Konispoli në Vermosh. Shtëpia me çati të shkaflime, të ngërdheshura kthehen faqe muresh, dritaresh, kasollesh, stanesh. Peisazhe që kullojn dhimbje. Vetmi tunduese. Mjedise që veç lotojn.  Natyrë e egër ku ariu, ujku e dhelpra ngren strofujt e tyre, në vend të familjeve. Edhe pse shikojn ndonjë dritare me drita të zbehta.  Janë kandilat, se telat që përcjellin elektricitet, nuk shpien energjinë elektrike. Pleqtë presin bijtë, t’iu vijnë e t’i marrin  edhe ato me vete, në dhe të huaj, qoftë edhe me gomone në La Mansh.

    Ngushtica ujore e Otrantos me gomonet e klandestinëve shpresë humbur shqiptar, ka hyrë nën krahët e legjendave.  Një tjetër ngushtice i jemi vërsulur me gomone, produkt i ri  i murtajës të politikës së qeverisë E. Rama 3,  muajit e kaluar dhe në këtë sythë dimri të vitit 2022 që sapo ka hyrë.  Me hidhërim të madh, me përulësi, me dhimbje shuarje kombëtare, historia e mafies së trasportimit të mallit të gjallë, po përsëritet me të njëjtin intensitet, me fytyra te reja njomëzake, të egëra, të zemrueme, të trishtueme. Sigurish janë bijë nanash  në deje rrjedh gjaku i rinisë shqipëtare. Të humbur shpresash, të përkulur flamurin e krenarisë, i kthejne shpinën vendlindjes, ikin për të shpenzuar energjitë e vrullshme rinore, intelektuale e fizike, në Angli, Gjermani, Suedi, Zvicër, Danimark, duke dalun biles jashtë vendeve  mesdhetare.

    Natyrshëm shtrohet pyetja: Cilët mosha e profesione të shkolluar ose jo, arratisen për motive të ndryshme nga atdheu i tyre? Nga ato shtëpia pranë burimeve ujë pastër, pranë shermeneve të rrushit e drurë frutorëve, kumbulla, molla e dardha, ku blegërinte qingji e kërcejn kecat, mjaullin macja e lehën qeni, për tu kthyer nga krenar e ushqyer mirë nga prodhimet e tyre, në shërbyes kokë ulur e vuajtës shumë të kapitalit prendimor.  Edhe këto që i poetizuam sa mundëm, po japim shembullin konkret, real, marrë  nga vendi ku zhvillohen ngjarjet e braktisjet ma të kobëshme të atdheut tonë:

‘’… nga shokët e mi të arsimuar, që kanë ikur nga puna e shtetit ashtu siç ika edhe unë, janë: 5 inxhinier pyjesh, 2 ekonomist, 5 arsimtarë, 3 infermierë, 1 doktor… dhe  së fundmi një ish kolegu im inxhinier pyjesh, pas 18 vitesh punë në shtet, detyrohet të ikë në Angli me gomone, për të punuar si skllav, pasi nuk mbijeton dot në Shqipëri me ata rroga mjeruese.,,(Ylber Cami. Fb, 2.10.2022) Ja gurra njerëzore që rrjedh për Angli e shtetet prendimore etj. Janë truri i kombit. Jane bijë e bija të pregatitur në universitete e shkollat shqiptare, nga taksa paguesit e popullit. Janë qytetar të një vendi qe ikiin, syrgjinosen nga qeverisja e mizerabel pa strategji ekonomike kombetare.  Dhe ja për ta kuptuar më mire po shkruajm: ‘’Fakti që vetëm gjatë dekadës së fundit janë larguar rreth 700 mijë shqiptarë, është një tregues që ky tashmë është një eksod, është një deformim shumë i rrezikshëm për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.(Zef Prenci ’’Panorama.com.al.,, 09.11.2022) Jemi në situatën e një hemoragjie njerëzore dhe intelektuale e shkaktuar nga politika qorre e qeverisë te sotme Rama 3, një katastrofë kombëtare, po pregatitet me shpejtësi marraramendëse.

       Ndërsa lajmi më i freskët që tund  male e qytete azmatike, me kullat me themele droge e korrupsioni mafiozësh, me bulevarde mjerane, pa gjallërine, të qeshurat, freskinë e rinisë, pa të ardhmen,  pa vrullin, energjitë  e reja mendore e fizike. Ja dhe lajmet drithëruese me shkaqet e vërteta: ‘’Gjeologu më shkruan, “ E LASH EDHE UNË SHQIPËRINË.,, Nuk ka më asnjë të ri atje. Kanë ikur të gjithë mbeta vetëm unë. Kur ikin edhe punojnësit e shtetit që janë me rrogë “rrogë i thënshin se nuk mbulon dot as shpenzimet javore.,, Ilmiu. (Y. Cami, Fb. 2.10.2022) Dhe me tej e vërteta nën dritën e diellit:   Revista‘’Monitor,,  e datës 06.12.2022 shkruan:‘’Pse ikin?! 69% e të punësuarve në Shqipëri, nuk plotësojnë nevojat mujore, rekord në Europë për këtë…,,

    Ndërsa ajka e propgandës roze nga faraoni i qeverisë shqiptare,   E. Rama thotë: ‘’ …se shqiptarët nuk ikin për shkak të politikanëve, por sepse kanë ikur historikisht; dhe se këtij problemi po i vjen fundi.,,(Kamëz 06.11.2022)  Një kryeministër që nuk njeh realitetin e hidhur të nje vendi qe po shkretohet, gabimet e tija në politiken sociale, në politkat ndaj bujqësisë, pyjeve, pronësisë, minierave etj, nuk pranon alternativa dhe reforma efektive për të dalë nga ky kolaps tragjik i popullit që e ka zgjedhur me vota.  Nuk e shpëtojn një popull e ekonomi të tanë sëmurë randë, me shumë qeliza indore kanceroze, as Skavica, as ‘’Durrës Jacht Marina,, as airoporti i Vlorës, apo kullat shtatëlart e maje mmprehta të Tiranës etj. Jo atë e shpëton një opozitë e re, e fortë me programe të qarta e konkrete, për shpetimin e saharizimit të atdheut tonë, thesar pasurishe, punonjësish e intelektualësh. Dhe ja një udhë tjetër shpëtimi:‘’Madje, më shumë kërkohen reforma. Ato që shprehen si vullnet politik të materializohen si projekte ku të ketë faturë financiare, të rishikohet buxheti, përparësitë buxhetore në mënyrë që krijimi i vendeve të reja të punës, shfrytëzimi i potencialeve që ka vendi, ndryshimi dinamik i pagave, përmirësimi i kualifikimit profesional etj., të mund të reflektohet edhe në nivelin e jetesës që mos të mbetet Shqipëria ndër vendet më të varfra të Evropës,…,, (Z. Preçi Panorama .com.al. 09.11.2022)  

    Realiteti ekonomiko shoqëror, pasuritë natyrore e njerëzore, demokracia vetë në thelb duhen njohur më së miri, për të shëruar shqipërine e semurë më shume se kurrë.

09.12. 2022                                                       Dr. Selman Meziu

Filed Under: Analiza

E SËMURA E BALLKANIT – SERBIA – KFOR-i – E VETMJA FORCË USHTARAKE E ARMATOSUR E LEJUAR NË KOSOVË REZOLUTA 1244 KA KOHË QË KA VDEKUR

December 17, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, përkatësisht Marrëveshjes së Kumanovës, e vetmja forcë ushtarake e armatosur e lejuar në Kosovë është KFOR-i, i cili si mision i NATO-s në kuptimin ushtarak, është i ngarkuar për sigurinë në Kosovë.
Në pikën 4 të Rezolutës parashikohet që “një numri të dakorduar të personelit ushtarak dhe policor jugosllav dhe serb, t’i lejohet kthimi në Kosovë, për të kryer detyra në përputhje me aneksin dy”, ndërsa në pikën 6 të këtij aneksi thuhet se “ky personel do të mbajë lidhje me UNMIK-un dhe me KFOR-in, do t’i shënojë dhe do t’i pastrojë fushat e minuara dhe do të jetë e pranishme në vendet e trashëgimisë kulturore serbe si dhe në vendkalimet kufitare kryesore.
Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, e qershorit të vitit 1999, me të cilën u kërkua fundi i konflikteve luftarake në Kosovë dhe tërheqja nga Kosova e ushtrisë dhe e policisë së RF të Jugosllavisë së atëhershme, jep mundësinë që në kushte të posaçme një pjesë e personelit të mundë të kthehet, “me mbikëqyrjen e pranisë ndërkombëtare të sigurisë, e pikërisht në masë të kufizuar të darkorduar (qindra vetë dhe jo mijëra vetë”.
* * *
E ashtuquajtura rezolutë 1244 ka vdekur qëmoti. Pas kësaj rezolute:
– Kosova e ka shpallur pavarësinë e saj;
– Kosovën e kanë njohur 117 shtete të botës;
– Kosova e ka krijuar policinë e vet;
– Kosova e ka ndërtuar ushtrinë e vet;
– Policia e Kosovës ruan rendin edhe në veri të Kosovës;
– Policia e Kosovës kontrollon edhe disa pika kufitare midis kufirit Kosovë – Serbi.

Kërkesa e Beogradit për të vendosur në Kosovë një numër të caktuar ushtarësh të Serbisë, është bizare, groteske dhe absurde. Vetë kryetari i Serbisë – Vuçiqi, ka deklaruar: “E di se kjo kërkesë do të refuzohet nga KFOR-i”.
Kjo kërkesë e Vuçiqit dëshmon për qëndrimin destruktiv të Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj mbarë rajonit. Kjo kërkesë groteske e tij, nuk është veçse një ëndërr e parealizueshme për të ripushtuar Kosovën.
Një numër policësh serbë që ishin pjesë e policisë së Kosovës, luanin rolin e kalit të Trojës. Ata, në vend që të ruani rendin dhe rregullin në Kosovë apo në veri të saj, punonin për Serbinë. S’ka shtet në botë që e lejon një destruksion të tillë. Të hash bukën e Kosovës dhe të punosh për Serbinë.
Barrikadat në veri të Kosovës janë të orkestruara nga Beogradi dhe nga Vuçiqi. Këto farë barrikadash mbështeten vetëm nga Vladimir Putini si dhe nga bashkëmendimtarët e tij – Lukashenko dhe Kim Jong-un.
Kosova ka paraqitur kërkesë për t’u bërë anëtare e BE-së, Beogradi ndërkaq paraqet kërkesë për rikolonizimin e Kosovës. Kjo tregon se ora e Serbisë është ndalur në mes të shekullit XIX, në kohën e Garashaninit. Sikur akademikët dhe politikanët serbë të ishin racionalë dhe të shkonin në hap me kohën, aplikimin e Kosovës për t’u bërë pjesë e familjes demokratike, do ta përshëndetnin. Kosova në BE është interes i të gjithë qytetarëve të saj, po edhe i rajonit. Sikur Serbia nuk është në Evropë, sikur nuk është në shekullin XXI. Politika serbe është metaforë e konfliktit, e konfliktit me të gjithë – me Kosovën, me shqiptarët, me kroatët, me malazeztë, me boshnjakët, me bullgarët. Ata ende mendojnë se kundër tyre na qenkëshin: CIA, Vatikani, Berlini dhe Vjena.
A ka inteligjencie kjo Serbi?! Turp!
Evropë, Amerikë! Serbia s’mbushte dot me mend pa ia bërë me dije në mënyrë të prerë se kolonializmi serb në Kosovë ka marrë fund sot e mot.
Ka zgjidhje për marrëzinë serbe: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës, në BE dhe në NATO, ndërsa Serbisë t’i mbyllen të gjitha dyert e kancelarive perëndimore. Le t’i mbeten të hapura dyert e Kremlinit, të Bjellorusisë dhe të Koresë së Veriut.
Serbia është shndërruar në të sëmurën e Ballkanit. E sëmurë për mend. Si ajo komedia e Molierit “I ligu për mend”. Gjithë Ballkani shikojnë para, serbët shikojnë Putinin dhe Sergej Lavrovin.
Para ca ditësh, ministrja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë Annalena Baerbock deklaroi: “S’ka hyrje të trupave ushtarake serbe në Kosovë”.

Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza

“Serbia e vetëRrezikuar nga riciklimi i luftës me NATO-n”

December 17, 2022 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Bota mbarë po ndjek me zemër të ngrirë luftimet e dimrit të përgjakur në Ukrainë. Kancelaritë perëndimore, Institutet dhe komuniteti i sigurisë/kolegë në Washington, Bruksel, Berlin,  Londër, Paris, sigurisht në Prishtinë, Tiranë, Podgoricë, Sarajevë dhe Shkup po vleresojmë (të zhgënjyer nga z. Vučić) me shqetësim kërcënimet e Beogradit Zyrtar mbi: “ri-kthimin e ushtrisë së Serbisë në kufijtë e sovranitetit të Kosovës të vendosur mbas fitores së fuqisë ushtarake të Aleancës Euroatlantike (NATO/SHBA), mbas rezolutës së OKB-1244 si dhe Marrëveshjes Ushtarake të Kumanovës”!

Gjithësesi, kam heshtur me vetëdije të bëhem pjesë e “tallavasë mediatike” me Pushtetarë dhe Kuvendarë “të emëruar për tu (sh) përdoruar nga superKryetarët e radhës”; me opinionist të gjithëditur apo rambo-strategë të (de) graduar duke e shpjeguar “luftën, pra marrëzinë e agresioneve ushtarake në kohët moderne me konceptet dhe parimet e luftës së II-të botërore, në mos edhe më herët”! 

Gjithësesi për të vijuar në linjë me ndoshta 100-ra analiza gjatë 30 viteve të para/pas luftës Ballkanike si dhe duke besuar se opinioni mbarëKombëtar ka nevojë kritike për arsye racionale, pse jo dhe optimiste, në vijim po paraqes një analizë strategjike me 8 kërcënimet e Beogradit Zyrtar (kryesisht të ekspozuara pëgjatë vitit 2022),  në radhë të parë ndaj vetëvetes, por edhe ndaj paqes,  stabilitetit demokratik si dhe axhendës së integrimit në BE të 6 vendeve ballkanike:

Rreziku nr 1, paranoja e rikthimit me lavdi në vendin e krimeve kundër njerëzimit, si dhe riciklimi i opsionit të luftës edhe mbas humbjes turpëruese (23 vjet dhe 6 muaj më parë), duke kërcënuar zyrtarisht me ndërhyrje të trupave ushtarake ndaj tëresisë teritoriale të Republikës se Kosovës, për më saktë në kufijtë që mbeten nën përgjësinë e KFOR-it qysh prej nënëshkrimit të Marrëveshjes Ushtarake të Kumanovës (09 Qershor 1999) mes palësës fituese/NATO dhe palës humbëse/Serbisë.

Rreziku nr 2, përpjekjet cinike të Beogradit Zyrtar për të testuar kohezionin mes 30 vendeve të NATO-s, të cilat si përgjigje edhe në këtë rast, konfirmuan se: “kur kërcënohet paqa, kufijtë e rendit demokratik dhe interesat Euroatlatike nuk bëjnë kompromise, pavarësisht konstumit perëndimor që është përpjekur të veshë në 10 vitet e fundit z. Vučiç ish-Ministri i Millosheviçit dhe i përkëdheluri i Kremlinit. 

Gjithësesi, besoj z. Vučič e kujton në vetë të parë nga “sytë e gjakosur të Millosheviçit” shpresën dhe zhgënjimin për të bllokuar vendimarrjen nga 2 vende të NATO, kur në mesnatën e 23 duke gdhirë 24 Marsi 1999, nga frengjitë e bunkerit presidencial pa produktet e marrëzisë së Tij gjakatare: “Makinerinë kriminale të gjunjëzuar nga fuqia e pakonkurueshme Ajrore e SHBA dhe e Aleancës së Atlantikut të Veriut”. Nga pikpamja ushtarake, shtoj se ZERO kapacitete, jo vetëm kundërajrore,  përfshi Mig-29, etj reaguan në vitin 1999. Po ashtu edhe pse vitet e fundit Serbia shpenzon rreth një Miliarda € për mbrojtjen, ka ZERO këllqe të sfidojë fuqinë ushtarake të NATO-s. 

Rreziku 3, reagimi delekuent  i Beogradit (nën ispektimin diskretitues të Ambasadorit Rus!)  ndaj një detashmenti policor për reciprocitetin e targave dhe standartet e sigurisë publike në gjithë territorin, duke ekspozuar  80 % të kapaciteteve ushtarake në kufi të Kosovës si dhe përballë trupave të NATO-s. Prandaj, si rrezik e çmoj edhe bojkotimin nga lista Serbe të Kuvendit, policisë dhe zyrtarëve të angazhuar në institucionet e Republikës së Kosovës, pasi edhe kjo ndërrmarrje “çorri maskën e axhendës perëndimore” të Beogradit dhe në terren u provua si një aventurë e dështuar. Për edhr më keq shërbeu si fuçi me karburant në dobi të krimit të organizuar, kontrabandistëve dhe axhendës së ultranacionalistëve jo vetëm në Serbi. 

Rrreziku Nr. 4, fatmirësisht vetë-diskretitimi i Beogradit që pas çdo riciklimi të tensionit në veri të Kosovës akuzon qeverinë e Prishtinës se po kërcënojnë “ekzistencën e pakicës Serbe” si dhe ultranacionalistët shqiptarë si “Fitili i fuçisë së luftës ballkanike“, krejt të ngjashme me ato që Rusia përdori në 2014 e Krime si dhe mbas shkurtit 2022 ndaj sovranitetit të Ukrahinës! Por ashtu si edhe Millosheviçi në 1999, Beogradi zyrtar mori “mesazhe të forta”  nga Washingtoni & Brukseli duke konfirmuar se: “kurrësesi nuk do të tolerohet  një ndërhyjë me trupa ushtarake brenda terësisë teritoriale të Kosovës“ e cila siç e përmendëm, prej Qershorit 1999 mbetet nën përgjegjësinë e NATO-s.

Rreziku Nr. 5,  armatosia  deri në dhëmbë dhe prishja e balancave të fuqisë ushtarake rrezikon paqen si dhe kërcënon interesat e SHBA-ve dhe NATO-s në Rajon. Kjo pasi Serbia shpenzon rreth 1 miliard € çdo vit (ose 2 herë më shumë se 5 vende, RSh, MV, RK, MZ, B&H të marra së bashku) për tu armatosur (kryesisht nga Rusia por edhe Kina) me Tanke, Mig-29, Helikopter luftimi Mi-35, raketa Pantsir-S dhe FK-3, etj ndërsa asnjë nga vendet që ndajnë kufij shtetërore nuk ka pretendime teritoriale ndaj Serbisë!

Megjithatë më duhet ta përmend, që vetëm  SHBA ka demostruar vëmendje të shtuar, duke dërguar në terren përfaqësues të Senatit për: “të ndalur modernizimin e MIG-29, Raketave Pantsir-S, etj” por Beogradi nuk e ka përmbushur duke përfituar edhe nga “burokracia pa timon” e Brukselit.

Rreziku Nr. 6, shpërdorimi konstant nga Moska për të shmangur vëmendjen strategjike nga Ukrahina duke nxitur Beogradin për të hapur një front të ri konflikti. Rasti flagrant ishte mbas humbjes turpëruese në Kherson, të vetmin kryeqytet të pushtuar dhe të shpallur “si pjesë të Mëmës Rusi”. Kështu, nuk mbetet më asnjë pikpyetje nëse po përpiqet Kremlini ta manipulojë Beogradin për qëllimet e saj gjeopolitike në Rajon dhe Mesdhe, si e kapur në “në borxh” për bllokimin e Kosovës në OKB, varësia energjitike, linjat e gazit, etj. 

Rreziku Nr 7, z. Vučić e kaloi vijën e kuqe të besimit me marrëveshjen e partneritetit strategjik me Rusinë (të nënëshkruar cinikisht në New York) duke e diskretituar Serbinë krah 5 shteteve terroriste. Prandaj, pa u tharë ende boja e kësaj Marrëveshje, si përgjigje morri rezolutën e Parlamentit Europian: “BE të vijojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë vetëm NËSE ky vend u përmbahet sanksioneve kundër Rusisë”. Megjithëse duhet ta pranojmë që 10 vitet e fundit z. Vučić ja ka dalë me sukses që: “mbi jelekun antiplumb të Millosheviçit të veshi kostumin e perëndimorit duke dominuar deri diku axhendën personale, Kombëtare dhe ndërkombëtare”. Për rrjedhojë Serbia u ka rrëshqitur përgjegjësive të  krimeve të pushtuesit dhe të bëjë edhe viktimën duke ngritur pikpyetje kritike për aftësitë shtetformuese të Kosovës. 

Rreziku Nr. 8, përpjekjet delirante të z. Vučić, për ta shitur dhe imponuar vetëveten para perëndimit si faktor i vetëm i moderuar përkundër “rivaleve ektremistë” në Beograd, për stabilitetin demokratik dhe të ardhmen europiane të Serbisë. Po ashtu përpjekjen e Tij për “të pirë” nga dy nëna (Moska & Brukseli), si dhe për të luajtur me disa porta ose vende jo-miqësore me NATO-n, të tilla si marrëveshja me Kinën edhe në fushën ushtarake për raketat e gjeneratës së fundit (FK-3), etj. Por edhe kjo qasje është e destinuar të dështojë me turp, ashtu si Millosheviçi mbas Marrëveshjes së Dejtonit. 

Në përmbledhje, e përsëris më fortë se: “për sa përsa kohë ka dhe do vijojë të ketë prezencë të SHBA në Kosovë, agresioni ushtarak kundër tërësisë teritoriale, e cila në të njëjtën kohē është nën përgjegjësinë e NATO-s, përveçse aventurë vetëvrasëse e Serbisë mbetet një mision tërësisht i pamundur”.

Po ashtu oshilacionet e Z. Vučić mbi: “Kufijtë e rinj shtetëror dhe trimërimin pas lufte për (mos) njohjet e Kosovës”, kurrësesi nuk mundet ta trembin fuqinë e sprovuar (1999!) të NATO-s, por vetëm rrezikojnë axhendën e integrimit të Serbisë drejt BE. 

Thënë këto, rreshtimin i Beogradit Zyrtar si kërcënim ndaj vetëvetes, paqes dhe stabilitetit demokratik ne vendet e Rajonit, si dhe interesave të NATO-s, SHBA & BE, i gjej si një oportunitet strategjik ndaj interesave kombëtare.  

Si e tillë, përkundër riciklimit të luftës barbare besoj edhe me fort se paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm, në mënyrë që siguria të perceptohet dhe konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, pronës, prosperitetit të qytetareve, interesave të shoqërive edhe në 6 vendet e Ballkanit ende të pa integruara në BE.

Në shtesë, historia e pas-konflikteve na tregojnë, se marrëveshje Paqe & Stabiliteti (me çdo lloj emërtimi) nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar themelet e mirëbesimit reciprok. Krimea, është shëmbull i gjallë, ku arritjet nga Marrëveshja e Paqes-2014, po shpaguhen me gjakun e qytetarëve Ukrainas dhe Rusë.  

Me kapacitetin e një eksperti, me eksperiencë në çështjet e sigurisë kombëtare, Rajonit, NATO-s etj, do sygjeroja aktorët dhe strategjistët/kolegët në Washington dhe Bruksel që perspektivën e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës ta para-kushtëzojnë me vetëm dy Masa të Mirëbesimit Reciprok, nëpërmjet të cilave Beogradi dhe Prishtina Zyrtare të “imponohen” se : (1) do të ruajnë balancat e fuqisë ushtarake (me kapacitete ushtarake, Mig, Raketa, etj deri në nivelin që reciprokisht të mos kërcënojnë integritetin teritorial); (2) nuk do të vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore dhe 5 tokësorë), në kufijtë shtetërore mes dy vendeve sovrane si dhe këto dy kushte të monitohen nga USA/NATO/BE, të cilat mbeten faktor kritik për paqen dhe axhendën e integrimit në Rajon.  

Nga ana tjetër, do t’i këshilloja vllazërisht faktorët politik të Prishtinës që: “kërcënimet e Beogradit ndaj integritetit të Kosovës, ndaj prezencës së NATO-s, SHBA dhe vlereve perëndimore”, kurrësesi të mos i konsiderojnë me triumfalizëm populist si vetëm si një rrethanë të favorshme por mbi të gjitha një sfidë shtetërore dhe përgjegjësi fisnike për të projektuar dhe ndertuar Kosovën moderne përtej prezencës së NATO-s (që sigurisht nuk mundet të jetë e përjetshme…) ku mbi të qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin të rolit të Saj nga konsumatore në kontribuese për paqen, stabilitetin demokrartik dhe për integrimin në NATO dhe BE! 

Në të njejtën kohë, do të ri-sygjeroja faktorët institucional në Tiranë dhe Prishtinë, që për interesa jetike kombëtare të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore duke jetësuar një Patformë Strategjike: “Dy Shtete një Komb” dhe atij “Smart/mënçur” mbi sovranitetin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, duke garantuar SHBA dhe NATO se kjo “qasje e vonuar” nuk kërcënon por do të kontribuojë si balancë racionale për paqen afatgjatë ndërmjet vendeve të rajonit.

Së fundmi, më duhet të konfirmoj, se ashtu si në të gjitha angazhimet në mbi 30 vjet në fushën e sigurisë kombëtare, Rajonit & NATO-s: “mbetem ushtar i Atdheut, më i përkushtuar, më i përulur dhe më i përgjegjshëm  për të kontribuar me experiencë dhe eskpertizë strategjike në mbrojtjen si dhe zhvillimin e interesave Kombëtare në Rajon, Mesdhe dhe më gjerë” !

* Ekpert për SK, Rajonin dhe NATO,

Zv/Pesident i Këshillit të Atlantikut, dhe Ish:

Këshilltar i Presidentit të RSh & Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Kombëtar Ushtarak në NATO.

Filed Under: Analiza

FATURA E TË GJITHA KOMPROMISEVE ME KOSOVËN KA MBËRRI NË TAVOLINËN E ALBIN KURTIT

December 16, 2022 by s p

Prof.Milazim KRASNIQI/

Edhe pse Albin Kurti ka hyrë në skenën politike dhe ka ardhë në pushtet me sloganin “Jo negociata, Vetëvendosje”, ai tashmë ka hyrë thellë në negociata me Serbinë, madje edhe për çështje banale siç është çështja e targave të veturave. Çka ka ndodhë me Albin Kurtin e dikurshëm, që zdërhallej mitingjeve e shkërryhej shesheve, sulmonte e digjte institucionet, sulmonte zyrtarët qeveritarë, shpallte tradhtarë secilin që kishte ndonjë kontakt me serbët në Procesin e Vjenës e në Procesin e Brukselit? Cinikët mund të bëjnë pyetjen retorike: “Albin, a je ti?”, për ta portretuar një person të shfytyruar politikisht, deri në masën sa më nuk njihet në është ai apo nuk është. Ndërsa simpatizantët e tij thjesht nuk arrijnë ta kuptojnë që Kosova ka problem shumë më të madh se sa “guximin” e liderit. Pra, nuk është problem guximi i liderëve, problem themelor është dobësia e Kosovës. Pse? Sepse përveç konfliktit me Serbinë, Kosova që nga fillimi i krizës së ish Jugosllavisë në vitet nëntëdhjetë e deri sot ka problem me faktorët ndërkombëtar. Faktet janë kokëforta: fillimisht Kosova u injorua nga komisioni i Badenterit. Mandej u mor në dorë ad hoc nga Grupi i Kontaktit, që organizoi Konferencën e Rambujesë. Pastaj, pas bombardimeve të NATO-s, kaloi në kompetencë të OKB-së. Më vonë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, një segment të problemit të Kosovës (dialogun me Serbinë) e kaloi edhe në duart e Bashkimit Evropian. Natyrisht, këto gjëra i ka ditur mirë Albin Kurti, në çdo fazë e në çdo detaj. Por duke luajtur rolin e një Robin Hudi, ndër vite ka sulmuar, dobësuar e kompromentuar institucionet e brishta të Kosovës, pra e ka sulmuar palën e dobët. Me ato taktika zjarrvënëse e ka fituar pushtetin. Por tash është edhe vetë viktimë e pozitës që i është rezervuar Kosovës nga faktorët ndërkombëtar, si shtet i konceptuar prej tyre për të dështuar.

Albin Kurti në “labirinthin e vet”

Fanatikët e Kurtit e meritojnë një shpjegim korrekt se përse po i ndodhë ky plastenilizim heroit të tyre të legjendarizuar. Përgjigja për modifikimin e qëndrimeve të Kurtit është e thjeshtë, gati argëtuese: Albin Kurtit, nuk po i ndodhë asgjë, që nuk u ka ndodhë para tij edhe udhëheqësve të tjerë të Kosovës, Ibrahim Rugovës, Bajram Rexhepit, Nexhat Dacit, Fatmir Sejdiut, Hashim Thaçit, Bajram Kosumit, Agim Çekut, Isa Mustafës, Ramush Haradinajt, Abdullah Hotit. Pra, Albin Kurtit po i ndodhë i njëjti trajtim me të cilin janë trajtuar nga institucionet ndërkombëtare edhe pararendësit e tij. I vetmi dallim është se Kurti me taktikat e tij zjarrvënëse dhe anarkiste, sa ishte opozitar, i ka ndihmuar institucionet ndërkombëtare për të qenë më efikase me presionet e tyre mbi Kosovën. Ky është i vetmi dallim i tij me pararendësit e tij, po edhe me konkurentët e tashëm të tij, të cilët po bëjnë opozitë konstruktive e jo destruktive, siç e bënte Kurti.

Në detyrën si kryeministër, Kurti po detyrohet të kolovitett edhe vetë në “Shtratin e Prokrustit”, që është konstruktuar që nga Konferenca e Rambujesë, Marrëveshja Teknike-Ushtarake, rezoluta 1244, Marrëveshja Hakerup-Qoviq e 5 nëntor 2001, Gjashtë Pikat e Ban Ki Munit 26 nëntor 2008, Plani i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës, e cila esencialisht është kompilim i të gjitha dokumenteve, qëndrimeve dhe vendimeve e propozimeve të huaja, të bëra për Kosovën postrambujeane. Zbatimi i tyre nga Albin Kurti e zbulon një gjë të hidhur për aspektin moral të politikave të tij: ose e ka pasë keq atëherë, kur fyente e etiketonte barbarisht, ose e ka keq tash, kur ka hyrë në një spirale të kompromiseve evidente. Të dashuruarit në politikat e Albin Kurtit nuk e kanë problem këtë kundërthënie, sepse ata mendojnë se Kurti e ka mirë edhe kur e ka keq. Jashtë përjetimeve të tyre, Kurti tashmë është si në labirinth. Mbase titulli i romanit të Markesit, “Gjenerali në labirinthin e vet” mund të asocojë deri dikund me dramën e tij.

Pavarësia e Kosovës nuk ishte në plan

Hyrja e labirinthit është Konferenca e Rambujesë. Në Konferencën e Rambujesë ideja e Grupit të Kontaktit ishte e qartë dhe koncensuale: një autonomi substanciale e Kosovës brenda Jugosllavisë së mbetur. Këtë gjë e pati deklaruar solemnisht presidenti i Francës, Zhak Shiraku, në hapje të Konferencës së Rambujesë, me këto fjalë: “ “ Korniza e këtyre bisedimeve është përkufizuar shumë qartë nga Grupi i Kontaktit. Ju do të keni këtu parimet e një autonomie thelbësore. (…) Unë dëshiroj që diskutimet tuaja t’ju udhëzojnë drejt masash praktike nëpërmjet të cilave kjo autonomi e dëshiruar të jetë e siguruar dhe në fakte.” Ndërsa, sekretarja amerikane e shtetit, Medlin Ollbajt në kujtimet e saj pohon: “Qëllimi ynë ishte arritja e një zgjidhjeje përmes bisedimeve midis Millosheviqit dhe shqiptarëve, e cila do t’i siguronte krahinës një shkallë të madhe vetëqeverisjeje.” Xhejms Pardju nga ana e vet, e vërteton: “Millosheviqi mund t’i ishte shmangur pavarësisë për Kosovën, por e bëri nje gabim strategjik, me peshë kritike, në periudhën ndërmjet tetorit të 1998-s dhe marsit të 1999-s. Po të kishte bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare, ta kishte kthyer në normale shkallën e forcave të sigurisë, ta kishte negociuar autonominë për Kosovën dhe t’i lejonte paqeruajtësit ndërkombëtarë ta monitoronin marrëveshjen, ai me siguri se do ta kishte zvarritur pavarësinë e Kosovës dhe mund t’i ishte shmangur pavarësisë si rezultat i pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare. Në vend të kësaj, Millosheviqi zgjodhi konfrontimin, duke e garantuar në të vërtetë më herët pavarësinë.“ Pra, akterët kryesorë shprehin të njëjtin qëndrim se pavarësia nuk ishte në planet e tyre në kohën kur u mbajt Konferenca e Rambujesë. Fatkeqësisht as Marëveshja Teknike-Ushtarake e as rezoluta 1244 e OK të OKB-së nuk kanë evoluar asnjë milimetër nga korniza e ofruar në Rambuje. Rrjedhimisht edhe administrimi civil e ushtarak pas 10 qershorit 1999 ishte brenda të njëjtës kornizë, të një autonomie substanciale. Ndërsa Plani i Ahtisarit, i cili e propozoi pavarësinë e mbikëqyrur dhe Kushtetuta që u hartua mbi termat e atij plani, vetëm sa e modifikuan në disa aspekte kornizën rambujeane, por pa u shkëputur plotësisht prej saj dhe produkteve të mëvonshme të OKB-së, sikundër ishin Marrëveshja Hakerup- Qoviq e datës 5 nëntor 2001 dhe Gjashtë Pikat e Ban Ki Munit të datës 26 nëntor 2008. Për të pasur një ide më të qartë lexuesi harrestarë, po edhe për t’i kuptuar më qartë problemet e tashme si ato për targat si për bashkësinë e komunave serbe, ia vlen të evokohen këtu pikat e marrëveshjes Hakerup-Qoviq, të cilat i kanë brenda vetes këto çështje. Ja pikat e Marrëveshjes Hakerup-Qoviq të datës 5 nëntor 2001: 1.“vendosja e vetadministrimit substancial”

2. “konstituimi i gjyqësisë multietnike në Kosovë”

3. Gjyqtarët e prokurorët serbë do të punonin në komunat me shumicë serbe

4. Shkollimi i serbëve nga fillorja deri në universitet sipas sistemit arsimor të Republikës së Serbisë,

5. themelimi i medieve serbe të pavarura,

6. dhënia e tabelave të automjeteve falas për serbët.

Ndërsa në dokumentin “Dialogu me Beogradin” të Ban Ki Munit, i cili është miratuar nga KS i OKB-së më 26 nëntor 2008, çështjet që konsiderohen të hapura dhe për të cilat propozohen diskutime janë: policia, doganat, drejtësia, komunikacioni dhe infrastruktura, linjat administrative dhe trashëgimia kulturore serbe. Pra, nëse mund të nxirret një përfundim, që Grupi i Kontaktit, NATO, OKB, OSBE dhe Bashkimi Evropian, janë angazhuar për Kosovën, por nuk e kanë pranuar si realitet të pakthyeshëm pavarësinë e saj. Në faza të ndryshme kanë bërë edhe përpjekje për ta restauruar në Jugollavinë e mbetur. Kur është parë që ajo nuk është e mundshme, e kanë konceptuar si shtet për një periudhë kalimtare. Rrjedhimisht edhe ideja e shkëmbimit të territoreve e ka të njëjtën adresë, të akterëve ndërkombëtar që nuk kanë gjetur një zgjidhje më të mirë dhe në ndërkohë kanë dashur ta mbyllin disi këtë dosje, pra, duke e çmontuar Kosovën si “shtet kalimtar.” Meqë ende ka politikanë që trumbetojnë idenë e shkëmbimit të territoreve, ia vlen t’ua kujtojmë edhe atyre pasojat që mund të prodhonte një iniciativë e atillë shkatërrimtare.

Cili nga planet është më i keq se tjetri

Ideja e shkëmbimit të territoreve ka qenë e ish ambasadorit amerikan në Beograd, Kameron Manterit, pastaj e Xhon Bolltonit, e Federika Mogerinit dhe e shumë zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë e europianë. Por, e sigurt është se shkëmbimi i territoreve ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk e zgjidh asnjë problem, përveç që mundëson zhbërjen e shtetit të Kosovës. Ja pse? 1. Problemi më i madh në konfliktin tonë është qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe, sipas të cilës Kosova është “tokë e shenjtë serbe” dhe “Jerusalem serb.” Pra, shkëputja eventuale e veriut të Kosovës nuk ndikon asnjë gram në këtë qëndrim, sepse objektet kryesore të Kishës Serbe janë në Pejë (Patrtiarkana) në Deçan, në Prizren, në Graçanicë, në Gazimestan, pra në thellësi-brendësi të Kosovës. Pretendimet e KOS mbesin në këto objekte dhe në këto hapësira. Aspak në veri. 2. Komunat e formuara me Planin e Ahtisarit (Graçanica, Novobërda, Kllokoti, janë në qendër e në lindje të Kosovës e jo në veri. Bile këto komuna kanë ndërlidhje teritoriale, konkrete ose lehtëissht të arritshme, (Graçanica, Novo Bërda, Parteshi, Kllokoti) e cila mund të nxitë formimin e një entiteti të ri autonom serb në zemër të Kosovës. Në rast të shkëmbimit të veriut në Luginën e Preshevës, këto territore mund të rebelohen e të kërkojnë bashkim me Serbinë. Rebelimi do të detyronte qeverinë të ndërhynte, konfikti i armatosur do të ishte i paevitueshëm. 3. Lugina e Preshevës do të shpërbëhej, meqë nuk do të ‘shkëmbehej’ në pako, po vetëm një pjesë e vogël e saj. Rreziku do të ishte që shqiptarët të spastroheshin etnikisht nga Bujanoci, sepse serbët e Bujanocit (40%e banorëve) nuk do të pranonin të shkëputeshin nga Serbia e të bashkëngjiteshin me Kosovën. 4. Shteti i Kosovës do të dukej si një mall në ankand. Rrjedhimisht, do të mund të tërhiqeshin shumë njohje, nuk do të kishe njohje të reja dhe shteti do të izolohej e do të mbikëqyrej nga Serbia, praktikisht do të shndërrohej në një Palestinë ballkanike. 5. Rreziku që konflikti të përhapej në rajon, sikundër i kishte potencialet në vitin 1999, do të ishte minimal, gjë që do të ndikonte vetëm për dështimin e Kosovës si shtet, pa e trazuar rajonin, ngase Serbia me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake e ka të ndaluar të futet në Kosovë, ndërsa, shtetet fqinje të Kosovës, Mali i Zi, Shqipëria e Maqedonia e Veriut janë anëtare të NATO-s, pra kanë mbrojte të plotë kolektive e nuk rrezikohen me asgjë. Rusia pas rezistencës spektakulare të Ukrainës ndaj agresonit të saj ushtarak çdo ditë po dobësohet më shumë dhe izolimi i saj ia pamundëson që të involvohet më direkt në një krizë në Ballkan, prandaj kriza të jetë vetëm ndërmjet serbëve lokalë dhe qeverisë së Kosovës. Natyrisht serbëve lokalë mund t’iu vinin ndihma në armë e njerëz me rrugë ilegale nga Serbia e edhe nga Rusia. Mundet edhe nga Franca. Pikërisht kjo mundësi e bën konfliktin të jetë edhe më i rezikshëm, vetëm për stabilitetin dhe ekzistencën e Kosovës. Në një rast të atillë, konflikti do të gangrenizohej, do të shndërrohej në konflikt që do ta dërrmonte e kompromentonte Kosovën. Dialogu do të shkatërrohej, njohjet do të hiqeshin dhe Kosova do të rikthehej në vatër kronike krize e jo fakor stabiliteti. Pas një kohe të konfliktit dhe pas ndryshimeve të mundshme gjeopolitike, sipas modelit rus në Gjeorgji, veriu do të mund të shpallte pavarësinë dhe funksionalisht të bëhej pjesë e “botës serbe.”

Kërcënimi i ri me zhbërjen e shtetit – nga “patriotizmi i tepruar” i Kurtit

Prandaj Albin Kurti duhet të tregojë maturi në veri e të mos zdërhallet, si në kohën kur ishte opozitar. Konflikti për targat dhe për bashkësinë e komunave serbe është duke e çuar prapë Kosovën drejt copëtimit, gjë që tashmë është testuar me daljen e serbëve nga institucionet e sistemit. Shtyrja e zbatimit të vendimit për targat për dhjetë muaj dhe formimi i bashkësisë së komunave serbe sipas termave të Gjykatës Kushtetuese është e vetmja mënyrë për ta ndaluar copëtimin dhe shpërbërjen e shtetit. Nëse vazhdon me këtë konfikt iracional, rreziku i zhbërjes së shtetit të Kosovës është potencial. Në atë rast ai do të mund të bëhej kryeministri që e ka realizuar zhbërjen e shtetit, për ç’gjë akuzonte të tjerët. Në këtë kontekst, tashmë Kurti e ka rastin të bindet se pararendësit e tij, sidomos Hashim Thaçi, Fatmir Sejdiu, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti jo vetëm që nuk kanë qenë tradhtarë, si i etiketonte Kurti me bandat e tij, po kanë bërë shumë më tepër se sa që Kurti kryeministër, sot mund të ëndërrojë. Megjithatë, brenda “shtratit të Prokrustit” ku është e futur Kosova, kushdo që i shtrin gjymtyrët më shumë se sa hapësira e tij, ka rrezik t’i priten, siç u ka ndodhë Thaçit, Sejdiut, Mustafës, Haradinajt e Hotit. Radhën e ka Kurti. Fatura e të gjitha kalkulimeve, komploteve e poshtërsive të komunitetit ndërkombëtar, tashmë i është lënë Kurtit në tavolinë.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • 148
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje
  • “Exodus” – rrugëve të Çamërisë
  • Prof.Ibrahim Osman Kelmendi, me penë e pushkë për liri
  • Kur historia flet me dinjitet: pasardhësi i Ismail Qemal Bej Vlorës ndan çmimin “Ikona e Diasporës” për Ambasadorin Rexhep Demiri
  • Liria e fjalës dhe besimit
  • MARTIN LUTHER KING DAY: DITA KUR KUJTESA BËHET PËRGJEGJËSI
  • “Eleganca e lotëve”
  • Nga cikli “Humanistë të shquar shqiptar shek XV-XVIII” Mikel Maruli (1451-1500)
  • PERSE SHQIPERIA MBYTET NE DIMER E DIGJET NE VERE?
  • Ohri dhe Diplomacia e Kosovës
  • DR. ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
  • VENDI IM
  • RUGOVA E SHNDËRROI DURIMIN STRATEGJIK NË MEKANIZËM SHTETFORMUES

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT