• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

REZISTENCA ANTIFUNGALE: NJË SHQETËSIM GLOBAL SERIOZ PËR SIGURINË USHQIMORE DHE SHËNDETIN PUBLIK

August 14, 2022 by s p

Ph.D. Can Rinalda Proko

Cell and Molecular Biology

University of Arkansas/

Pathogjenët fungal përbëjnë një rrezik për sigurinë ushqimore sidomos në kushtet aktuale kur së pari kërkesat për ushqim janë rritur për shkak të rritjes së popullsisë dhe së dyti, për shkak të ngrohjes globale që mundëson qarkullimin e pathogjenëve fungal në rajone të ndryshme. Humbjet në të korrurat të shkaktuar nga pathogjenët fungal shkaktojnë dëme të konsiderueshme ekonomike. Një nga pathogjenët bimor fungal, që përbën një kërcënim sërioz për sigurinë ushqimore globale është dhe M.oryzae. Ky pathogjen infekton orizin, që është ushqimi kryesor i gjysmës së popullsisë globale, duke kontribuar në 20% të kalorive ditore të konsumuara në mbarë botën. Humbjet e shkaktuara nga M. oryzae shkojnë dëri në 30%, shifër kjo e barasvlerëshme më të ushqyerin e 60 milion njerëzve çdo vit. Gjetjet e fundit tregojnë se M.oryzae ka infektuar madje dhe grurin në vendet si Brazil, Bangladesh dhe Indi. Ky fakt dëshmon për natyrën invasive dhe potencialin katastrofik të këtij pathogjeni fungal sidomos në zonat që zhvillimi i tyre mbështetet në bujqësi. Në këto kushte lipsen ndërhyrje globale për ta parandaluar përhapjën e këtij “vrasësi të drithëravë” të mbështetura në kërkimet shkencore me fokus studimin e proçeseve biologjike të këtij pathogjeni. Ndonëse disa bimë, përfshirë dhe orizin mund të kenë mekanizma për të luftuar pathogjenët fungal, strategjitë aktuale për të luftuar M.oryzae mbështeten në përdorimin e fungicideve, megjithatë përdormi i tyre përbën një sfidë më vete për shkak të rezistencës antifungalë që zhvillohet më kalimin e kohës .

Nga ana tjetër rreth 300 pathogjenë fungal janë njohur të shkaktojnë sëmundje tek njërëzit, duke shkaktuar vdekshmëri në nivele të krahasueshme më atë të shkaktuar nga turbekulozi dhe HIV-i, sipas një studimi të vitit 2018 të shëndetit publik të Imperial College në Londër.

A. fumigatus është një pathogjen oportunist fungal në mushkëritë e njeriut dhe gjendet gjithashtu në tokë pasi luan rol në dekompozimin e materies organike. Sporet e Aspergillus janë të pranishme zakonisht tek kondicionerët, kompostet dhë tek ndërtesat me lagështirë. Megjithatë njihet që sporet e këtij pathogjeni shkaktojnë sëmundje vetëm tek njerëzit që kanë alergji, mushkëri të dëmtuara dhe sistem imunitar të kompromentuar. Sipas CDC (Centers for Disease Control and Prevention) është rritur numri i rasteve i pacientëve me infeksione të rënda të frymëmarrjës siç është gripi dhe COVID-19 dhe që janë diagnostikuar me Aspergillosis. A.fumigatus është përgjegjës për shkaktimin e infeksioneve invasive ose kronike në më shumë së 3 milion njërëz duke shkaktuar më shumë së 600,000 vdekje çdo vit. Trajtimi i vetëm mjekësor efektiv i disponueshëm deri tani për të luftuar infeksionin nga A. fumigatus qëndron në përdorimin e barnave që përmbajnë azole. Këto të fundit kanë gjithashtu përdorim të gjerë edhe në bujqësi si mjet për të luftuar pathogjenet fungal bimor. Mekanizmi i të vepruarit të azoleve qëndron në inhibimin e prodhimit të ergosterolit, që është përbërës i membranës qelizore fungale. Në këtë mënyrë duke shkatërruar membranën qelizore fungale shkatërrohet për pasojë edhe i gjithë pathogjeni. Efektshmëria e azoleve ka çuar në përdorimin masiv të tyre dhe rrjedhimisht është shoqëruar më rezistencën azolike antifungale, duke e futur A. fumigatus në vitin 2019 në Watch Listën e Raportit për Rezistencën Antibiotike të hartuar nga CDC.

Po çfarë është rezistenca antifungale? Disa specie të pathogjenëve fungal janë natyralisht rezistent, pasi është mëkanizmi i tyre biologjik për të mbijetuar nga sulmet e organizmit bujtës, por ka dhe raste që rezistenca fungale zhvillohet më kalimin e kohës për shkak të plasticitetit të gjenomit dhe shpejtësisë së riprodhimit të pathogjenit edhe kur medikamentet antifungal përdoren në dozat e duhura. Një studim i fundit, që ka rritur më shumë ndjeshmërinë e problemit të rezistëncës antifungale, i studiuesve të Universiteti i Georgia, ka treguar se izolantët e A. fumigatus rezistent ndaj azoleve të marra nga mostrat klinike, kishin origjinë nga bujqësia. Kjo tregon që jemi në kushtet që duhet të konsiderojmë peshën dhe impaktin e pathogjenëve fungal me seriozitetin e duhur.

Rezistenca antifungale është rrëziku i ri global, që na kanoset dhe ndonëse janë marrë masa për ta ndaluar, ka ende sfida që kërkojnë bashkëpunim të vazhdueshëm të stafeve të kërkuesve shkencor, klinik dhe politikbërësve për një shoqëri më zhvillim të qëndrueshëm dhe me shëndet publik cilësor.

Referencat

1. Fisher, M. (2018). [PDF] Worldwide emergence of resistance to antifungal drugs challenges human health and food security | Semantic Scholar. Semantic Scholar.

2. Fukagawa NK, Ziska LH. Rice: Importance for Global Nutrition. J Nutr Sci Vitaminol (Tokyo). 2019;65(Supplement):S2-S3. doi: 10.3177/jnsv.65.S2. PMID: 31619630.

3. Gsaller F., Hortschansky P., Furukawa T., Carr P. D., Rash B., Capilla J., et al. (2016). Sterol biosynthesis and azole tolerance is governed by the opposing actions of SrbA and the CCAAT binding complex. PLoS Pathog. 12:e1005775 10.1371/journal.ppat.1005775

4. Jørgensen, L. N. (2021). Azole Use in Agriculture, Horticulture, and Wood Preservation – Is It Indispensable? Frontiers.

5. Kang, E. S. (2020, January 1). Evidence for the agricultural origin of antimicrobial resistance in a fungal pathogen of humans. bioRxiv.

6. One Health: Fungal Pathogens of Humans, Animals, and Plants: Report on an American Academy of Microbiology Colloquium held on Oct. 18, 2017. Washington (DC): American Society for Microbiology; 2019.

Filed Under: Analiza Tagged With: rinalda proko

ENVERISTAT NUK MUND TË BËHEN HERONJ SHOKU VELIAJ!

August 14, 2022 by s p

Mosveprimi dhe indiferentizmi ndaj  ideologjisë kriminale të komunizmit   në këtë  periudhë kohore  postkomuniste ka nxjerrë në rend të ditës fenomenin e rrezikshëm dhe shumë të dëmshëm për shoqërinë, frymën e enverizmit dhe pushtimin e politikës shqiptare  nga enveristat. Enveri ka vdekur , por fryma e enverizmit po njeh rritje në një shoqëri të  traumatizuar nga diktatura 45 vjecare ku nuk u denua nga drejtësia 

Dje u mbushën 39 vite nga vdekja tragjike e luftëtares , patriotes, krijueses së Partisë Social Demokrate shqiptare, shkrimtarja e shquar Musine Kokalari në Rreshen –Mirditë. Bijë e një familje fisnike, antifashiste, dhe antikomuniste. Të gjith shqiptarët e përndjekur politikë dhe antikomunistë, por shqiptarët e ideollogjizuar nderonin këtë shqiptare të madhe nxënse e Sami Frshërit, mbaruar fakultetin e letërsisë Moderne në Universitetin  “La Sapinza” në Romë.Dje nderuam aktivitetin e saj kombëtar e patriotik, studimet e shkrimet e saja me përmasa botrore, vrasjen tragjike të dy vëllezërve të sajë Muntaz e Vesim Kokalari nga diktatori Enver Hoxha një masakrën e nëndorit të 44 kujtuam gjygjin e saj në 1946 ku ajo shfaqi gjith guximin e saj, duke deklaruar në sallën e gjygjit : “Nuk kam nevojë që të jem komuniste për ta dashur vendin tim! Unë e dua vendin tim dhe pse nuk jam komuniste.,  Ju po më denoni për idetë e mia. Unë nuk kërkoi falje , sepse nuk kam bërë asnjë faj.“Ju më denoni mua se jam nxënse e Sami Frashërit. “Dhe agjensia telegrafike shqiptare  ka ilustruar  në një mënyrë shum fisnike foton e saj gjat procesit gjygjësor. Mbasi përballoi me stojtizëm torturat çnjerzore të xhelatëve komunistë,  dhe mbasi kreu 16 vite burg politikë, ajo u internua në Rreshen – Mirditë ku punonte në ndërtim si puntorë llaçi deri kur vdiq në mënyrën më tragjike. Në viti 1980 e dërmuar nga vuajtjet dhe e raskapitur nga punët e rënda u sëmurë nga kanceri, u la pa mjekuar dhe vdiq e vetmuar në Rreshen , ku e varrosën varrhimsit. Mbas ardhjes pluralizmit, ajo është nderuar dhe i jan botua studimet e saja “ Siç më thotë nëna plakë,” 1941, “Rreth vatrës”1944, “sa u tund jeta” 1944

Departamenti i  Shtetit  Amerikan për të nderuar veprimtarinë e Musine Kokalarit ka emërtuan një medalje me emrin e sajë, dhe nderon personalitet e ndryshme shqiptare që sakrifikojnë për shoqërinë dhe demokracinë. Kështu para disa vitesh është nderuar me medaljen “ musine Kokalari ish Z/vëndsë ministria e punës sociale Bardhyla Konspiri kur ishte Ministër Erion Velia.

Musine Kokalari - Wikipedia

 MUSINE KOKALARI NË SAllËN E GJYGJIT KOMUNISTË

Shqiptarët ndodhen përpara fenomenit më të  rrezikshëm për ecurinë dhe zhvillimet e demokracisë, Ato përballen  me  mos denimin  e ideollogjisë  kriminale të diktaturës. Sot mazhoranca aktuale po rikthen dhe po trysnon me   pushtetin politik qeverisës simbolet e diktatures komuniste.

 Mbas 31 vitesh ne përballemi  me një mazhorancë me moshë të re por me mentalitet komunist dhe këmbgulës për të rehabilituar diktatorin dhe simbolet e atij regjimi shfarosëse që vrau dhe torturoi shqiptarë të pafajshëm 

Dje në ditën e përvjetorit të vdekjes tragjike të disidencës Musine Kokalari komanduesi i Bashkisë së Tiranës nderoi Enveristin famkeq , ish bashkëpuntorin e diktatorit Enver Hoxha Sevo Tarifen me me Medaljen e Mirnjohjes, një akt sa i turpshëm dhe aspak ligjor për një sistem demokratike.

Shoku Veliaj! Të shërbejsh në një sistemi demokratik që e ka denuar me ligj regjimin diktatorial të Enver Hoxhës si sistemi më i egër e më vrastarë, një sistem Stalinist  që ka vrarë dhe ka zhdukur kufomat  mbi 6000 shqiptarve që nga fëmija e deri tek pleqt 85 vjeçar, që sot nuk kam një varr, dhe në emër të pushtetit vendor të fyesh Musine Kokalarin në përvjetorin e vdekjes tragjike të saj,  e qindar mijëra familje shqiptare që përballuan atë genocide shterorë diktatorial , që sot nuk kan nuk kan një varr në token e tyre, duke nderuar enveristin Tarifa, kjo është veprim sa i papërgjegjshëm aq dhe anti kombëtar. Në çdo vend që ka kaluar regjimi diktatoriale bashkëpuntorët e diktatorit i  mbyllin vitet e pleqërisë në bugje, dhe jo të nderohen.

Veliaj i dorëzon medaljen e mirënjohjes së Tiranës ...

I kujtojmë monstrave të  enverizmit të  tipit Sevo Tarifa dhe Enveristit të Bashkisë Tiranë me një madalje që jep ty, falë mbështetjes së  politikbërjes për bashkëpuntorët e  diktatorit nuk mund të ja parqitni si një qytetar të devotshëm ata që kan marrë pjesë në krimet e diktaturës. Ne të  perndjekurit politike shqiptare nuk i harrojme krimet dhe humbjen e e jeteve të  familjeve tona, dhe shprehim indinjatën tonë njerzore ndaj  monstrave enveriste  që  prishin ekulibrat e shoqerise postkomuniste që  po ndërotojme me sakrifica demokracine e brishte shqiptare.  I bejmë me dije  ketij  Tarifava dhe Veliajve  se sa të rrojnë krimet makabre të Enver Hoxhes nuk mund ti fshinë me një dekoratë. Është turp kombëtar që Partitë politike si opozita dhe pozita janë në një linjë për mos denimin e enverizmit kësaj ideologjie çfarose vrastare për kombin shqiptar. Heshtja e opoziës për dekorimin e enveristit Sevo Tarifa është akt i turpshëm.Helmatisja e brezit të ri me ideollogjinë primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin përbën aktin më të turpshëm dhe të papranueshëm  për një shoqëri demokratike. Rikthimi i syve nga ato krime që kanë ndodhur në Shqipëri për 50 vite, është thirrja për të kuptuar se përveç përpjekjes për dije, na duhet edhe të kthejmë sytë nga njeriu, nga vetja, nga vlerat, që të mos rrëzohemi sërish. Leximi i së djeshmes është njëkohësisht thirrja që të mos dorëzojmë para asnjë oferte lirinë tonë për të besuar, për të folur, për të guxuar. Por në fillim, ama, le të dimë se cilët jemi… Kjo nevojë ka qenë për të gjitha vendet në ish-diktaturë, që në një mënyrë a në një tjetër kanë gjetur rrugëzgjidhje për të pranuar  të vërteta, duke na lënë të kuptojmë se harresa për atë kohë është thjesht një iluzion.  Do të kujtoj gjithnjë dhe kudo ata që persekutuan dhe ishin fytyra e regjimit komunist. Nuk do t’i harroj kurrë, dhe kështu duhet të bëjë shoqëria, në mënyrë që të kemi një ndërgjegje morale  e të ndërtojme një shoqëri pa konflikte por të dashur e paqesore..

 “Këmbanat bien për të gjithë.. diktatura po troket nga indiferenca jonë. Heshtja vret lirinë.

 Presidenti

Besim Ndregjoni 

Filed Under: Analiza

STRATEGJIA E PUTINIT PËR TË SHMANGUR SAKSIONET EKONOMIKE DHE DËMTUAR MË TEJ EKONOMINË E EUROPËS

August 13, 2022 by s p

Është e qartë për të gjithë se motori i zhvillimit të ekonomisë në çdo komb ndër të tjera është edhe energjia. Në këtë këndvështrim, deri në muajin gusht të vitit 2022 furnizimi i Europës me gaz nga Rusia ka rënë me 80%. Ndërkohë që nga fillimi i luftës në datën 24 shkurt 2022, me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, ky i fundit u përball me disa raunde saksionesh ekonomike nga më të fuqishmet në historinë e sotme të vendosura nga SHBA-të, BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar.

Lufta në Ukrainë vazhdon me intensitet të lartë duke shkaktuar humbje të rëndësishme tek të dy palët e përfshira në konflikt, por në të njëjtën kohë strategjia e luftës së Rusisë e ka habitur Europën. Duhet pranuar se linja gjeopolitike që po ndjek Putini po funksionon më së miri deri tani. Që nga fillimi i konfliktit, Europa po vuan nga rritja e madhe e çmimeve, ndërkohë që inflacioni në drejtim të energjisë është në nivelin 41.9 %, inflacioni i ekonomisë së BE-së në muajin korrik u rrit 10.4 %, GDP-a e 27 vendeve të BE-së po ulet për shkak të krizës ekonomike dhe një nga krizat më të mëdha me të cilat pritet të përballet Europa është afrimi i dimrit.

Me qëllim që të kuptojmë strategjinë e luftës ekonomike të Putinit, duhet të analizojmë konceptin e luftës moderne së bashku me tri elementët e saj të përfshirë në këtë konflikt: 1. Ushqimin. 2. Financat dhe 3. Energjinë.

Nëse do të hedhin një sy dhe të analizojmë tregtinë midis Europës, Rusisë dhe Ukrainës, duhet pranuar se SHBA-të dhe BE-ja kanë bërë ‘detyrat e tyre të shtëpisë’ për të dëmtuar sa më shumë ekonominë e Rusisë gjatë këtyre pesë muajve. SHBA-të ngrinë 300 bilionë dollarë nga rezervat e Rusisë, BE-ja ka vendosur një tarifë shtesë me 35 % për eksportin e votkës ruse, vendet e G-7 kanë vendosur sanksione në tregtinë e arit të Rusisë, ndërkohë kompanitë e mëdha ndërkombëtare si Coca-Cola, Pepsi, Mc. Donald, Starbuck, etj të gjitha janë larguar dhe si pasojë e kanë dëmtuar rëndë ekonominë ruse. Si rrjedhim, mendohej se ekonomia ruse do të shkonte në kolaps dhe Putini do të tërhiqej nga lufta në Ukrainë.

Ndërkohë që BE-ja dhe USA-të në fakt po fitojnë luftën ekonomike sa i përket financave, në dy elementët e tjerë ushqimet dhe energjia situata është krejtësisht ndryshe.

Le të analizojnë fillimisht ushqimet.

Rusia dhe Ukraina janë aktorë të rëndësishëm në tregtinë botërore sa i përket eksporteve në këtë fushë. Të dyja së bashku ofrojnë 29 % të eksporteve të grurit respektivisht 17 % Rusia dhe 12 % Ukraina, rreth 20 % të eksporteve të misrit, më shumë se 50 % të eksportit të vajit të lulediellit (29 % Rusia dhe 21 % Ukraina) por jo vetëm. Në momentin kur eksporti i këtyre elementëve të rëndësishëm ushqimor u ndërpre si pasojë e luftës, në Europë çmimet e tyre u rritën në mënyrë të menjëherëshme.

Ndërkohë sa i përket sektorit të energjisë, këtu padyshim Rusia ka një avantazh të madh në raport me Europën. Dëshiroj të rikujtoj se në vitin 2020, Rusia eksportonte 40 % të energjisë në Europë, ku shumica e së cilës transportohej nëpërmjet gazsjellësit ‘Nord Stream 1’. Ky tubacion konsiderohet si një nga tubacionet më të fuqishme dhe rëndësishme në botë. Ai është ndërtuar krejtësisht nën ujë në Detin Balltik me gjatësi 1224 km, ka kushtuar 7.4 bilion Euro dhe është financuar së bashku nga kompania shtetërore ruse ‘Gazprom’ me katër kompani europiane. Kapaciteti transportues i saj është 55 bilionë litër gaz, shumica e së cilës shkon në Gjermani dhe prej andej shpërndahet në të gjithë Europën.

Për të kuptuar më saktë vartësinë e furnizimit të Europës me gaz nga Rusia, gjatë vitit 2020 vendet e BE-së importonin nga Rusia sasitë e gazit si më poshtë vijon:

Maqedonia e Veriut 100 % vartësi gazi nga Rusia, Finlanda 94 %, Bullgaria 77 %, Sllovakia 70 %, Gjermania 49 %, Italia 46 %, Polonia 40 %, Franca 24 %, etj.

Por në momentin kur BE-ja vendosi sanksione të rënda ekonomike mbi Rusinë, duket se Putini ishte përgatitur për tu përballur me to, duke marrë menjëherë dy vendime të rëndësishme:

1. Ndalimin e eksportit të gazit në vendet e BE-së me 60 %.

2. Vendosjen e kushtit që në rast se vendet jomiqësore me Rusinë duan të vazhdojnë të blejnë gazin dhe naftën ruse, atëherë ata duhet të paguanin me rubla. Këto dy vendime, krijuan tri implikime të rëndësishme:

Së pari, meqënëse Rusia ndaloi 60 % të eksportit të gazit në tregun Europian, menjëherë çmimet e gazit u rritën për shkak të kërkesës së lartë.

Dua të sjell në vëmendjen tuaj se vërtetë 5 vende si Rusia, SHBA-të, Katari, Norvegjia dhe Australia së bashku janë në gjendje të ofrojnë 100 bilionë kubik metër gaz, por në momentin kur Rusia ndaloi transportin e gazit në Europë, katër shtetet e tjera së pari rritën çmimet e shitjes së saj dhe së dyti nuk kishin në dispozicion infrastrukturën për transportin dhe shpërndarjen e saj në vendet e Europës.

Për të kuptuar më qartë këtë element të luftës ekonomike, duhet të sjellim në vëmendjen tuaj çmimin e gazit në fillim të vitit 2022 dhe më pas deri në muajin korrik 2022. Nga muaji janar 2022 çmimi i energjisë në SHBA është rritur me 37 %, në Britaninë e Madhe me 142 % dhe në BE me 144 %.

Në momentin kur Rusia ofroi si kusht blerjen e energjisë me rubla, vlera e saj u rrit shumë. Ndërkohë për shkak të rritjes së çmimit të energjisë në BE, kompanitë e BE-së rritën çmimet duke bërë që në vendet e BE-së të rritet inflacioni. Sipas EuroStat inflacioni në BE është rritur me 9.6 % në muajin qershor 2022, çmimet e prodhimeve industriale janë rritur me 36 %, çmimet e ushqimeve janë rritur me 7.5 % dhe energjia me 144 %, duke arritur shifrat më të larta të 20 viteve të fundit.

Ndërkohë që objektivi i vendosjes së sanksioneve ekonomike ishte shkatërrimi i ekonomisë ruse, shifrat dhe faktet tregojnë se Rusia gjatë këtyre pesë muajve ka grumbulluar më shumë para nga tregtia dhe shitja e naftës dhe gazit të saj nga muaji shkurt deri tani në gusht të vitit 2022 sesa gjatë të njëjtën kohë në vitin 2021.

Si ka mundësi? Pas ndalimit të eksportit me gaz me rreth 60 %, BE-ja ishte e gatshme ta paguante me çfarë do lloj çmimi, për shkak se mungesa e energjisë do të shkatërronte ekonominë e BE-së. Këtu mund të sjellim si shembull çmimet e naftës të cilat ishin 65 $ për fuçi të cilat në kohë rekord shkuan 100 $ për fuçi. Për këtë arsye por jo vetëm, Rusia edhe pse ka shitur sasi më të vogla ka përfituar më shumë para. Nëse marrin si shembull shitjet e gazit gjatë vitit të kaluar gjatë muajve mars-korrik 2021, Rusia përfitoi 50 bilionë dollarë. Gjatë vitit 2022, nën sanksione Rusia gjatë të njëjtës kohë ka përfituar 90 bilionë dollarë ose rreth dyfish. Ndërkohë në raport me vitet e tjera, eksporti i sotëm i energjisë së Rusisë me të gjithë partnerët e tjerë është rritur tri herë.

Së dyti, për shkak se dy ekonomi shumë të fuqishme Kina dhe India nuk kanë pranuar t’i bashkohen sanksioneve ekonomike, sasia e importit të tyre edhe për shkak të një çmimi preferencial në raport me tregjet botërore, ka bërë që Rusia të shtojë volumin e eksportit me tri herë, jo vetëm duke kompensuar humbjet ekonomike me Europën, por në të njëjtën kohë edhe duke shtuar të ardhurat në buxhet.

Pikërisht kjo ka qënë një nga arsyet kryesore pse SHBA-të dhe BE-ja po ushtrojnë presion të madh mbi Indinë, me qëllim që ata të ndalojnë blerjen e energjisë nga Rusia, gjë për të cilën India është përgjigjur se është në interesin e tyre kombëtar që ta blejë energjinë sa më lirë të jetë e mundur.

Mungesa e energjisë në Europë ka shkaktuar një krizë, e cila mund të jetë me të vërtetë problematike gjatë dimrit që po afron. Në rast se hedhim një sy sa i përket sasisë së gazit që konsumuan vendet e BE-së gjatë vitit 2020 në periudhën janar 2020 ka qënë rreth 80.000 milion metër kub.

Por me të drejtë njerëzit pyesin, përse BE-ja është kaq e varur nga gazi dhe nafta ruse, ndërkohë që ka edhe vende të tjera që prodhojnë sasi të mëdha gazi si SHBA-të, Katari, Norvegjia, sasi të mëdha nafte nga vende si Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, etj?

Përgjigja është se këto shtete nuk kanë infrastrukturën e duhur për transportin e saj nga terminalet e ndryshme të Europës për në destinacionet e tjera. Mungesa e shtrirjes së tubacioneve në të gjithë Europën, do t’i kushtonte SHBA-ve por jo vetëm miliarda dollarë edhe disa vite për tu ndërtuar. Duhet sjellë në vëmendje se ndërtimi i tubacionit Nord Stream 1 nga Shën Petërsburgu në veri-lindje të Gjermanisë zgjati rreth gjashtë vite.

Si zgjidhet kjo situatë? Në gjykimin tim BE-ja duhet që urgjentisht në bashkëpunim me fuqitë botërore të gazit si SHBA-të, Novergjinë, Katarin, etj të fillojnë ndërtimin e infrastrukturës, me qëllim shpërndarjen e gazit nëpër Europë dhe heqjen e vartësisë një herë e përgjithmonë nga burimet energjetike të Rusisë.

Së treti, Arabia Saudite nën drejtimin e Princit të Kurorës Muhammed bin Salman (MBS), vendi që eksporton në shumë naftë në botë, për shkak të marëdhënieve të tensionuara me administratën Biden dhe marëdhënieve shumë të mira me Putinin, ka kundërshtuar kërkesën e amerikanëve për të shtuar prodhimin e naftës, ndërkohë që me rritjen e çmimit të saj gjatë këtyre pesë muajve sauditët kanë shtuar më shumë se dyfish përfitimet financiare.

Si përfundim, pavarësisht sanksioneve të forta ekonomike ndaj Rusisë, përsëri Europa edhe këtë dimër do të jetë në ‘mëshirën’ e Rusisë sa i përket burimeve energjetike. Për këtë arsye, gjykoj se dimri i vitit 2022 do të jetë raundi vendimtar i kësaj lufte ekonomike midis tri vendeve të fuqishme SHBA-ve, BE-së dhe Rusisë.

Dritan Demiraj, Ph.D.

11 Gusht 2022.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dritan demiraj

XI NDËRMJET QËNDRUESHMËRISË DHE KOMBËTARIZMIT A DO TË NDJEKË GJURMËT E PUTINIT?

August 13, 2022 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI/

Sikur të mos mjaftonin Ukraina, tronditja energjitike, kriza ushqimore dhe klimatike, mbeturinat e pandemisë… Taivani ka fuqinë të ndezë një luftë të tretë botërore, më shumë se Ukraina.

Joe Biden ka premtuar se do të ndërhynte në mbrojtje të ishullit demokratik, në rast të një sulmi ushtarak kinez. Është parakushti për një ndeshje ndërmjet mbifuqish bërthamore, të cilën Biden-i e ka përjashtuar gjithmonë për Ukrainën. Taivani ka një rëndësi strategjike të përveçme: për vëndqëndrimin e tij mbi rrugët detare ku kalon energjia e domosdoshme për dy aleatët e Perëndimit, Japonia dhe Koreja e Jugut; sepse është një mbifuqi teknologjike që prodhon 60 % të gjysmëpërçuesve botërorë; sepse rënia e tij në duart e regjimit komunist do t’ishte vendimtar në barazpeshat e Indo – Paqësorit, në të cilin luhet e ardhmja e planetit. Shtetet e Bashkuara e quajnë atë zonë të botës si qendrën e interesave të tyre jetike, më shumë se e lashta Evropë.

Shumë pyesin veten për rreziqet për ne, të lindur nga vizita e Kryetares së Dhomës së Deputetëve që mund t’a kishte shmangur. Gjykimet mbi udhëtimin janë më shumë negative në Perëndim. Atmosfera është: “Kemi dhënë mjaft”. Â thuaj se ndihmat tona Ukrainës kanë qënë mbinjerëzore, drobitëse deri në skajshmëri (ndiesi e pasaktë, por e përhapur). Të merremi tani me një tjetër demokraci properëndimore të kërcënuar nga një regjim autoritar na duket shumë. Nëse nuk mund të mbështesim Taivanin, Pelosi ka kryer një gabim të rëndë. Është i dobishëm një vështrim tjetër, që niset nga gjëndja e Xi Jinping-ut. A do të mund të ndiqte gjurmët e Putinit e të ndizte një luftë të dytë? Mos të nxitohemi t’a gjykojmë përgjigjen kineze që sot. Manevrat ushtarake pranë Taivanit dhe sanksionet e shkaktuar ishullit, sado të ashpra, mund të jenë vetëm një shijim i asaj që do të vijë. Xi nuk nxitohet, “zjarri” që i ka premtuar Biden-it mund të presë.

Me që rritja kineze ngadalësohet dhe problemet e brëndëshme grumbullohen, deri ku do të shtyhet Xi? Kina është e përshtjelluar në ekonominë globale shumë më tepër se sa Rusia, pra ka më shumë për të humbur nga një luftë e vërtetë. Megjithatë Xi ka një faktor të përbashkët me Putinin. I ka fryrë në vite një kombëtarizmi hakmarrës e inatçor kundrejt Perëndimit. Ka ndërtuar një gjëndje të brëndëshme t’etur për hakmarrje, të dukëshme në këto orë në mediat shoqërore kineze që grafullojnë agresivitet.

Specialistët pohenikë nënvizojnë faktin që miratimi kundrejt Xi bazohet para së gjithash në mirëqënien ekonomike, në qëndrueshmërinë e në rendin, para krenarisë atdhetare. Kombëtaristët skajorë që shpërthejnë në social media, ai është në gjëndje t’i qetësojë. Dy vite e gjysëm ndalimi shëndetësor kanë përfuqizuar edhe më shumë kontrollin e Vëllait të Madh kinez. Një luftë nuk është e domosdoshme për mbajtjen e pushtetit vetiak të Xi, edhe se duhet të kryejë veprime të fuqishme për të shmanur humbjen e besimit.

Specialistët johenikë vërejnë se përshkallëzimi i jashtzakonshëm i armatimit  në të cilin është hedhur Republika popullore, nuk ka shpjegim nëse ajo fuqi shpejt a vonë nuk vihet në përdorim. Flota ushtarake e Pekinit ka kaluar numërin e anijeve të US Navy, një tejkalim i padëgjuar deri pak kohë më parë, megjithëse nuk ka asnjë kërcënim kufijve të Kinës, që madje brylon për të marrë zona në diskutim me Vëndet fqinjë. Përralla, simbas së cilës Kina komuniste nuk ka ADN e luftës, e fabrikuar nga propaganda e Xi-ut dhe e besuar nga disa perëndimorë, kundërshtohet nga pesë luftëra të kryera nga themelimi i saj më 1949, pothuaj të gjitha të filluara nga një sulm i Pekinit (Tibeti, Koreja, Hindia, BRSS, Vietnami). Bashkëngjitja e  Taivanit mëmëdheut do t’i jepte Xi-ut trofenë që nuk e patën paraardhësit e tij, do t’a ngrinte përmbi Mao Ce Dunin , themeluesin e Republikës dhe Ten Hsiao Pinin ideatorin e boom-it ekonomik.

Përse Xi i ka mbyllur rrugën një ribashkimi paqësor, me pëlqim të dyanshëm? Taivanasit nuk mund t’i besojnë skenarit të “një kombi me dy sisteme politikë”, mbas normalizimit mizor të Hong Kongut. Kyçi i furisë së Xi-ut kundër Taivanit qëndron këtu: për një leninist të vërtetë që beson në parësinë e partisë komuniste dhe në epërsinë e atij sistemi politik, nuk është e lejueshmeqë të mbijetojë një demokraci kineze (Taivani) ashtu siç nuk ishte i pranueshëm një Shtet i së drejtës me liri fjale në Hong Kong. Është kjo gjë në lojë, edhe se rëndësia e saj është e pakuptueshme në Perëndim.

“Corriere della Sera”, 3 gusht 2022   Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza

SHKUPI, SHPREHJE E REVITALIZIMIT SHPIRTËROR E KULTUROR TË HAPËSIRËS SONË KOMBËTARE

August 12, 2022 by s p

Mehmet PRISHTINA/

Në Shkup sërish po bashkohemi për të kujtuar 110 vjetorin e çlirimit nga kryengritësit shqiptarë. Nga këndvështrimi i sotëm, kjo ngjarje sa e lavdishme po aq edhe domethënëse, i bën bashkë aspiratat e së ardhmes dhe mësimet e së kaluarës. Shkupi jo rastësisht e pati peshën e vet në hartat gjeopolitike të të gjitha kohërave, kure sa i përket interesave tona kombëtare, ky qytet, që nga Dardania e lashtë e deri në ditët e sotme, nuk do ta kishte rëndësinë e vet sikur të mos lidhej ngusht me idetë dhe planet e ideologëve tanë që pikërisht Shkupi të bëhej piemont i shqiptarizmës. Por, rrjedha e ngjarjeve nganjëherë është më kokëfortë se aspiratat e popujve, andaj edhe Shkupi e humbi, pa dëshirën e shqiptarëve, shkëlqimin e dikurshëm.

Por, kemi vërejtur se ky shkëlqim viteve të fundit ka filluar të kthehet sërish në horizontin e pritjeve, duke i vendosur disa nga copëzat e lavdisë së dikurshme në algoritmin e kërkesave aktuale për një Shkup ku fryma shqiptare po depërton sërish nëpër kapilarët e këtij qyteti me shumë lavdi… U ndryshuan shumë emra rrugësh, sheshesh, e bulevardesh dhe kjo nuk ndodhi krejt rastësisht. U desht një angazhim vetmohues i ITHKSH në krye me drejtorin prof.dr. Skender Asanin, i mbështetur edhe nga strukturat intitucionale komunale e qendrore, që mbi planimetrinë e vjetër të Shkupit të vendoset një hartë e re me emra patriotësh, veprimtarësh e intelektualësh shqiptarë, sepse vetëm kështu mund t’i kthehet një pjesë e borxhit që brezi ynë ka ndaj Shkupit historik dhe gjithë atyre që e bënë atë epiqendër të zhvillimeve kombëtare.

Me këtë rast nuk mund të mos e fshehi edhe entuziazmin tim sa i përket emërtimit të një bulevardi me emrin e ideologut dhe patriotit tonë Hasan Prishtina, një arterie kjo kryesore që lidhë dy shtetet tona – Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. Dhe të gjithë ata që do të qarkullojnë nëpër këtë bulevard, do të kujtojnë lavdinë dhe krenarinë e një kohe e cila matej jo me akrepat e orës, por me tiktakun e zemrës së patriotëve tanë, të cilët flijuan gjithça për të mirën tonë të përgjithshme. NJë nga ata ishte pa dyshim edhe Hasan Prishtina, lidhja e të cilit me Shkupin kalonte përtej angazhimeve rutinore që ai i kryente në këtë qytet. Ai jo rastësisht e kishte targetuar Shkupin si pikë referuese prej nga do të shpëndahej gjithë energjia dhe kreativiteti i shtendërtimit shqiptar. Lidhja e Hasan Prishtinës me Shkupin ta kujton lidhjen e Anteut antik me tokën dhe kuptimi i kësaj lidhje mund të shpjegohet me faktin se Shkupi në gjeopolitikën e atëhershme shqiptare paraqiste jo vetëm e piqendrën e zhvillimeve kombëtare, por edhe një gurë peshoreje prej ku varej graviteti i politikave ballkanike e evropiane. Prandaj, jo rastësisht të gjitha ushtritë që kanë pushtuar Shkupin, e kanë quajtur si akt të rëndësishëm gjeostrategjik futjen e këtij qyteti në guidat e tyre ekspanonsioniste e hegjemoniste.

Nëse Shkupi në të kaluarën mund të llogaritet si një shansë e parealizuar e shtetndërtimit kombëtar, kjo nuk do të thotë se ky qytet nuk mund ta sendërtojë një kauzë të re e cila do të ishte shprehje e revitalizimit shpirtëror e kulturor të kësaj hapësire kombëtare shqiptare.

Puna që aktualisht po bën ITSHKSH është treguesi më i mirë i këtij revitalizimi, kurse mësimet që do të nxjerrim nga kthinat së kaluarës mund të na shërbejnë si rrugëtregues i hapërimit tonë drejt një konsolidimi kulturor e shpirtëror, përmes ideve e projekteve që janë për nga karakteri evropiane, kurse për nga qëllimi kombëtare.

Duke kujtuar 110 vjetorin e çlirimit të Shkupit dhe gjithë kolosët e atdhetaris shqiptare, siç ishin Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, ne sot ndjejmë edhe pulsin e kohës që na fton të jemi më mirëkuptues në mes veti dhe më bashkëpunues me të miqtë tanë të afërt e të largët, pa harruar bajraktarin e miqëve – Amerikën, e cila na u ndodhë afër si komb atëherë kur e kishim më së vështiri.

Rroftë Shkupi dhe kujtimi për të gjithë ata që sakrifikuan për të!

Lavdi heronjëve dhe miqëve tanë!

Shkup, 12 gusht 2022

Mehmet Prishtina

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 160
  • 161
  • 162
  • 163
  • 164
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT