• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova para 32 viteve: Serbia ua ndaloi shqiptarëve edhe gazetën e vetme të përditshme Rilindja

August 8, 2022 by s p

-Mëngjesi i 8 Gushtit 1990  Kosovën e gjeti pa gazetën e vet tradicionale Rilindja, të vetmen të përditshme shqiptare në atë kohë që botohej në  Prishtinë, në terrin e natës së gjatë të okupimit forcat serbe e kishin ndaluar në Shtypshkronjë. Por, gazeta historike Rilindja edhe kur u ndalua nuk u ndal…/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

 PRISHTINË, 7 Gusht 2022/  Në Kosovë para 32 viteve edhe helikopterët e forcave okupatore të Serbisë me fluturime mbi Pallatin Rilindja në Prishtinë – shtëpinë e gazetës tradicionale shqiptare Rilindja ishin pjesë e shtetrrethimt.   Në 8 Gusht 1990, gazeta  Rilindja – në atë kohë e vetmja e përditshme në gjuhën shqipe e Kosovës nuk doli, natën ishte ndaluar dhunëshëm në shtypshkronjë, derisa edhe gjatë ditës forcat policore serbe të armatosura i bënin shtetrrethim redaksisë së gazetës, që edhe në ato rrethana kërcënimi e represioni nuk ndaloi punën, e edhe pas ndalimit nuk u ndal…

As nuk ishte ndalur, gazeta Rilindja kishte dalur më shumë se një muaj përkundër masave të dhunëshme të Serbisë, që e përfshinin edhe ate në ditën e 5 Korrikut 1990 të suprimimit të institucioneve të Kosovës e mbylljes së Radio Televizionit të Prishtinës. “Okupim klasik”, ishte reagimi dhe kundërshtimi i Rilindjes në komentin në faqen e parë në ditën e 6 Korrikut. Beogradi, edhe pse në ditën e masave të dhunëshme kishte marrë vendimin, kurrë nuk arriti ta bëjë gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja “organ të Kuvendit të Serbisë”. Asnjë punëtor i gazetës Rilindja nuk e pranoi këtë, të gjithë e kundërshtuan dhe e hodhën poshtë. Kryeredaktor i gazetës Rilindja vazhdonte të jetë Nazmi Misini, i mbështetur nga punëtorët e ndërmarrjes, që nuk pranuan dhe kundërshtuan fuqishëm masat e dhunëshme të Serbisë.

Masat e dhunëshme pasonin 2 Korrikun historik 1990, kur në shtetrrethim dhe para snajperëve serbë, Kosova me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të saj shpallte Pavarësinë, e cila atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit”, theksonte komenti që u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite këkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Republikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Edhe në një film dokumentar të shfaqur në seancën solemne të Kuvenditë të Kosovës në 25 vjetorin e Deklaratës Kushtetuese shihej gazeta Rilindja në duart e delegatëve, në mbledhjen para dyerëve të mbyllura të Kuvendit të Kosovës të 2 Korrikut 1990.  

Rilindja ishte me delegatët e Kuvendit të Kosovës në ngjarjen historike për të cilën raportoi gjerësisht me ekip gazetarësh e fotoreporterësh dhe kishte edhe redaksionalin tim me titull “Fillim i së nesërmes”, të botuar në ballinë në 3 Korrik 1990, ku theksonte se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota”…

Në ditën kur Serbia ia ndaloi Kosovës gazetën e vetme të përditshme në gjuhën shqipe Rilindja bëja edhe një shkrim rezistence e proteste. “Rilindja e popullit jeton edhe e pashkruar”, me këtë titull shkruaja reportazhin herët në mengjesin 8 Gushtit 1990 duke ecur rrugëve e shesheve të Prishtinës dhe duke përshkruar reagimin e popullit në nisjen e ditës pa gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja.

Me reportazhin e shkruar rrugëve më shumë në mendje e në fragmente me laps në një copë letre, përkundër ndalimit shkova në Pallatin Rilindja dhe pasi e daktilografova me makinë shkrimi nga redaksia e gazetës ngjita shkallëve të kateve më lart për te kryeredaktori i revistës për kulturë Fjala, Milazim Krasniqi.

 I tregova reportazhin dhe idenë që bashkë me lajmet kryesore që do i merrnim nga terreni nga korrespondentët e gazetës Rilindja (në atë kohë isha redaktor-shef i korrespondentëve) t’i botonte në Fjala. Revistën Fjala, për herë të parë edhe si gazetë, e nxori që të nesërmen, pa pritur dyjavëshin kur dilte.

Në katër faqet e mesme me reportazhin dhe lajmet e ngjarjeve të ditës ishte “Rilindja e fshehur brenda Fjalës”, siç thonin shumë njerëz që e mbanin në duar e lexonin revistën që u botua e shtyp në tirazh rekord.

Botimi i shkrimeve-informacioneve të gazetarëve të gazetës së ndaluar Rilindja që e nisi së pari revista Fjala me shpeshtime daljesh edhe si gazetë vazhdoi edhe te revistat tjera – Shkëndija, Kosovarja, Zëri i Rinisë…dhe për të pasur informacione edhe në ndonjë ditë më shumë gjatë javës doli edhe ideja që të nisë të ridalë edhe revista Bujku, e cila ishte e përdymuajshme për fshatin e bujqësinë dhe kishte vite që nuk kishte dalë fare. Fjala, Shkëndija, Kosovarja, Bujku e të tjera revista ishin të Ndërmarrjes së Revistave, që ishte një nga gjashtë ndërmarrjet sa kishte Ndërmarrja Shoqërore e Përbërë Rilindja, pjesë e së cilës dhe më e madhja ishte Gazeta Rilindja…

Ishte 17 Janari 1991. Për ridaljen një herë në javë të revistës Bujku dolën disa ide e propozime, edhe për fizionomi, edhe për kryeredaktor të revistës, por jo ndonjë zgjedhje e pranim detyre dhe po përfundonte mbledhja në lokalet e gazetës Rilindja…

Mora ushtrimin e detyrës së kryeredaktorit, kisha idenë dhe shkasin për ta nxjerrë Bujkun, jo si revistë, por si gazetë dhe të përditshme “përkohësisht”.

Atë ditë kishte nisë lufta në Gjirin Persek…Edhe me këtë shkas, shkruajta “Fjalën e Redaksisë” me titull “Përsëri ‘Bujku’…”, për faqen e parë të gazetës, ku theksoja se del si “gazetë e përkohëshme…edhe për shkak të nevojës që edhe lexuesit shqiptarë në Kosovë, në mungesë të gazetës së përditëshme, të kenë informacione sa më të gjera e me kohë në gjuhën shqipe për ngjarjen që filloi të tronditë botën – fillimin e Luftës në Gjirin Persik. Për këtë shkak edhe me fizionomi e edhe me përmbajtje ky numër është i jashtëzakonshëm”.

Me përmbajtje të ngjashme, se nga e nesërmja do dalë një gazetë në terrin informativ të Kosovës shkruajta një letër për ta njoftuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd – kryeqytetin e federatës së atëherëshme, pasi kontaktova me Ambasadën e Shqipërisë dhe ua dërgova atyre me telefax që ta përcjellnin. Ajo letër sigurisht do të ketë gjetur mbështetje për ne, pasi edhe vazhdoi të dalë gazeta, në ballinën e së cilës Bujku shkruhej me shkronja të vogla nën një B të madhe logo. Ishte si Gazeta B, që zëvendësonte Gazetën A – Rilindjen e ndaluar.

E nxjerrë pikërisht nga gazetarët dhe punonjësit e tjerë të gazetës Rilindja, me guxim dhe sakrifica, me standarde profesionale, Bujku ishte gazetë e rezistencës, e lëvizjes gjithëpopullore të shqiptarëve në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, gazetë e parë e pavarur kosovare, me orientim e përcaktim të fuqishëm properëndimor, euroatlantik.

Gazeta e përditshme Bujku doli deri në prag të vitit 1999, derisa u dëbua me dhunë nga Pallati i Rilindjes nga administrata dhe forcat okupatore serbe.

Por, përsëri, gazetarët dhe punonjësit e tjerë të  gazetës Rilindja nuk u ndalën, në muajt e parë të vitit 1999, në kushtet e luftës, rikthyen dhe nxorën gazetën e përditshme Rilindja në Prishtinë,  duke punar nëpër shtëpitë e tyre,  dhe në këto rrethana përkundër rreziqeve të mëdha gazeta doli nga  22 Shkurti derisa gazetarët dhe punonësit e saj u dëbuan bashkë me popullin edhe nga shtëpitë e tyre dhe nga Kosova. Kryeredaktor i gazetës Rilindja që dilte në Prishtinë në kohë lufte në Kosovë ishte Binak Kelmendi, e para tij kryeredaktorë të gazetës Bujku, pas të parit – meje, ishin edhe Xhemajl Rexhepi, Ruzhdi Demiri, Hydajet Hyseni e Avni Spahiu.

Ekipi Rilindjes, ku ishim bashkë me korrespondentin në Maqedoni Bedri Sadiku, hyri në Kosovë me tanket e para të NATO-s në 12 Qershorin historik 1999, dhe të nesërmen u shpërnda në Prishtinë dhe në zona të tjera, ku po ndodhte liria, gazeta numër special e botuar në Shkup, të cilën e solli prej atje korrespondenti i Zërit të Amerikës, Isak Ramadani bashkë me gazetarin tjetër nga Shkupi, Arben Ratkoceri.

Në faqen e parë, ku shkruhej se “Dje në orën 5.17  Trupat e NATO-s hynë në Kosovë”, editoriali i Blerim Rekës kishte titullin “Normandizimi i Kosovës dhe kapitullimi serb”.

Në Kosovën e lirë, gazeta Rilindja u rikthye në Prishtinë dhe vazhdoi të dalë përditë, kryeredaktor fillimisht ishte Berat Luzha, pastaj Ramush Tahiri dhe i fundit isha unë.

Gazeta Rilindja nuk u ndal, vazhduam të punojmë e ta nxjerrim edhe kur administratori i UNMIK për të na bërë presion të largohemi na e ndali ujin në Pallat disa muaj dhe na jepte afate ultimative për vetëlargim, që nuk i pranuam. Edhe në ato kushte, gazeta Rilindja doli përditë deri në 21 Shkurt 2002, kur na ndalën edhe rrymën elektrike dhe pastaj na i mbyllën me grila hekuri të gjitha hyrjet në Pallatin e Rilindjes.

Gazetën Rilindja e dëbuan e mbyllën kundërligjshëm e padrejtësisht pak ditë pasi festoi 57 vjetorin,  ditën e saj – 12 Shkurtin.

Në numrin festiv të Rilindjes së 12 Shkurtit 2002 në faqen e parë “‘Sundimi i Ligjit’ apo ‘Sundimi i Bandave’? Kosova Duhet të Vendosë”, ishte titulli i shkrimit ekskluziv nga Ambasadori Xhon Menzis, Shef i Misionit, Zyra e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.

“Sot shënohet 57 vjetori i gazetës ditore ‘Rilindja’, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në Kosovë”, niste ambasadori amerikan shkrimin-editorialin, ku mes tjerash theksonte edhe se, “si shef i misionit të Zyrës së SHBA-ve në Prishtinë, unë e di mirë rolin që e ka ‘Rilindja’ në shoqërinë demokratike që është duke u krijuar në Kosovë”.

“Në këtë përvjetor të 57-të të gazetës ‘Rilindja’, e uroj Z. Behlul Jashari, Z. Ramush Tahiri dhe gjithë kolektivin për punën e mirë që e bëjnë me shkrimet mbi çështjet e ndërlikuara politike në Kosovë, shkrime këto të drejta dhe të balancuara. Nuk është punë e vogël të botohet një gazetë për 57 vite me radhë dhe ju mund të jeni krenarë që e keni arritur këtë. Ne duhet të punojmë së bashku duke përdorur fuqinë e penës, fuqinë e diplomacisë dhe fuqinë e opinionit publik në mënyrë që të sigurojmë mosndryshimin e vazhdimësisë së përparimit demokratik të Kosovës, dhe që sundimi i ligjit do të mbizotërojë gjithnjë mbi sundimin e bandave”, theksonte në përfundim të editorialit Ambasadori Amerikan Menzis…       

 Edhe pas dëbimit, përsëri Rilindja nuk u ndal, me punë nëpër shtëpia si në kohë lufte, për të ruajtur emrin e traditën e për të vijuar të jetë histori e Kosovës, doli në raste të veçanta me numra të jashtëzakonshëm e protestues, të kohëpaskohëshëm, edhe kur kishte festa. 

Gazeta Rilindja, kronikë e zhvillimeve historike të Kosovës, pasi doli me botime speciale edhe për ngjarjen historike të shpalljes së Pavarësisë dhe njohjet ndërkombëtare që pasuan, ka përmbyllë daljet e afër 40 numrave të jashtëzakonshëm të kohëpaskohëshëm në 30 Dhjetor 2008, me numrin festiv të Vitit të Ri 2009, në ballinë me kryetitullin e ëndërres dhe  të ardhëmes: Kosova shtet në OKB. Dhe me paralajmërimin: Duke besuar në sundimin e ligjit në shtetin e Kosovës presim që nga numri i ardhshëm Rilindja të dalë përditë.

 Pas 10 vitesh nga botimi i fundit i printuar në letër, gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja në ndërrim motesh – në mbrëmjen e 31 Dhjetorit  2018 të pritjes së 2019-tës, ridoli simbolikisht (botim digjital) për protestë dhe me kërkesën e përsëritur për t’u rikthyer e përditshme – për privatizim, sipas shembullit të gazetave në rajon e në botë që kishin status të njëjtë ndërmarrje shoqërore e që janë privatizuar e vazhdojnë të dalin…

Gazeta shqiptare tradicionale e Kosovës Rilindja ka nisë të dalë në Prizren para më shumë se 75 viteve, në 12 Shkurt 1945, në frymën e Konferencës së Bujanit e me angazhimin e intelektualëve më të shquar të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana.

 “Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e  Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kam shkruar në monografinë “Rilindja 60 vjet”, botuar shtojcë speciale e gazetës në 12 Shkurt 2005.

Në monografi theksohet se, “numri i parë i gazetës Rilindja, që kishte katër faqe, u radhit me dorë për rreth 72 orë dhe për këtë u deshtën katër arka shkronja shqipe të derdhura në plumb, që u sollën nga Tirana”.

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës Rilindja, që mbanë datën 12 Fruer (Shkurt) 1945 e që kishte çmimin edhe 1 Lek, e që sipas shkrimeve Kosovën e përcaktonte si një vend të veçantë.

“Jehona e vendit” ishte rubrika, ku janë të botuara 6 lajme e informata nga Kosova, e të 4 lajmet e tjera janë të jashtë vendit nga fronte të ndryshme të Luftës së Dytë Botërore, që ende vazhdonte (Froni i Lindjes, i Perëndimit, i Jugosllavisë dhe ai i Italisë)…

Edhe pse pati dëbime e mbyllje të dhunëshme, gazeta tradicionale e historike Rilindja arriti të jetë histori e Kosovës që nga koha e Konferencës së Bujanit të Rezolutës për të ardhme të vullnetit kombëtar e demokratik të popullit e deri në Pavarësinë e shpallur në 17 Shkurt 2008 e në njohjet ndërkombëtare.

Edhe sot, si në raste tjera pas ridëbimit e rimbylljes së gazetës Rilindja, e shohim të nevojshëm një sqarim për opinionin: Ndonjë portal që ka “huazuar” emrin, po edhe logon, nuk është as nuk mund të jetë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, e cila mund të ridalë vetëm në një proces të ligjshëm privatizimi, ku të gjithë punëtorët e saj realizojnë të drejtat e tyre, ashtu si është kërkuar edhe në shkresat drejtuar institucioneve të Kosovës.

Kërkesa për privatizim-ridalje të gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja i është bërë edhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila është themeluar si një organ i pavarur publik, në bazë Ligjit të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, si pasardhëse e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit e themeluar nga  UNMIK – Misioni  i OKB i pas luftës në Kosovë.

Në arsyetimin e  kërkesës për privatizim theksohet edhe se emri dhe tradita e gazetës Rilindja është një vlerë shumë e madhe, e krijuar gjatë mëse shtatë dekadave, është pasuri me vlerë më të madhe se e çdo pallati,  dhe kjo duhet të vlerësohet edhe në procesin e privatizimit.

 “Dhe, ai që do ta blejë gazetën Rilindja dhe natyrisht do e nxjerrë këtë të përditshme historike dhe tradicionale të Kosovës do jetë pronar i një pasurie të madhe mediale kombëtare, do të jetë trashëgimtar i ligjshëm i firmës-emrit, traditës. Rilindja ishte, është dhe mbetet edhe si një shenjë identiteti”, theksohet në kërkesën drejtuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit në 12 Shkurt 2014.

 Ndërmarrja Shoqërore Gazeta Rilindja në vitin 2017 ka hyrë në procesin e likuidimit, gjatë të cilit punëtorët e saj kanë bërë kërkesat e tyre bazuar në ligje në Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, e edhe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës…

 NGA ARKIVI I GAZETËS TRADICIONALE TË KOSOVËS RILINDJA:

VLERËSIMI DHE PËRKRAHJA E PRESIDENTIT HISTORIK RUGOVA PËR RILINDJEN EDHE NË INTERVISTA EKSKLUZIVE

“Kosova e pavarur në NATO e në BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA”, citoja kështu Presidentin Dr. Ibrahim Rugova në kryetitull të ballinës së gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja në fundvitin 2002, në intervistën ekskluzive që kisha zhvilluar pas kthimit nga festimet në Vlorë të 28 Nëntorit dhe takimit që kishte me Sekretari Amerikan të Shtetit Igëllberger. Në Rezidencën Presidenciale në Velani – Prishtinë Presidenti Ibrahim Rugova mbante në duarë dhe në tryezë gazetën Rilindja botim special festiv për jubileun e 90 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë…

“‘Me emrin ‘Bujku’, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë”, e vlerësonte  gazetën e rezistencës Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova në funddhjetorin 2002 në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë në pritjen që më bëri si kryeredaktor i gazetës Rilindja, me ç’rast dha një intervistë ekskluzive, duke i dhënë kështu edhe mbështetjen e fuqishme institucionale krijimit të mundësive dhe kushteve për rifillimin e botimit të gazetës simbol i traditës së informimit në Kosovë, të cilën administrata e UNMIK e kishte dëbuar kundërligjshëm e padrejtësisht nga Pallati Rilindja në 21 Shkurt 2002.

Pjesa përmbyllëse e intervistës së gjatë botuar në gazetën Rilindja në 31 Dhjetor 2002 ishte kjo:

RILINDJA: Z. President, falemnderit për këtë intervistë për botimin special të gazetës “Rilindja” për Vitin e Ri. Kemi edhe një falënderim të madh për Ju zoti President i Kosovës për mbështetjen dhe angazhimet për një zgjidhje institucionale për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, të cilës shpresojmë se së shpejti do t’i krijohen kushtet dhe mundësitë të rifillojë botimin e rregullt. Mendojmë që është një rast shumë i mirë që “Rilindja” të rifillojë botimin e rregullt në ditën e përvjetorit të saj të 58-të, më 12 shkurt 2003. Shfrytëzojmë rastin, dhe kemi nderin dhe kënaqësinë, që qysh tash t’Ju ftojmë në festën, në solemnitetin që do të bëjmë, edhe për Ditën e Rilindjes edhe për rifillimin e botimit të gazetës “Rilindja”.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë ju kam premtuar përkrahje edhe më herët. Duhet të shikojmë, po flas praktikisht, si ta aktivizojmë gazetën, që ka një traditë. S’po flasim më shumë, e dimë të gjithë.

Pastaj, me emrin “Bujku”, këtu dhjetë vite ka mbajur të gjallë informimin e brendshëm në Kosovë, pra derisa bëmë edhe Televizionin Satelitor. Kjo ka qenë shumë e rëndësishëme. Pra, ishte një bazë e informimit në Kosovë. Dhe, një mirënjohje për ju dhe të gjithë ata që në këto vite të vështira punuan dhe mbajtën të gjallë informimin në Kosovë.

Duhet të shikojmë praktikisht si të aktivizohet gazeta “Rilindja”, t’i sigurohet vendi. Duhet të bisedohet dhe të shihen mundësitë. Edhe zyra ime për informim do të interesohet për këtë çështje; besoj edhe komisioni për media i Parlamentit, që është krijuar tash së voni, edhe institucionet e tjera. Duhet parë punën e statusit të “Rilindjes”. Ju mund të jeni si gazetë e pavarur, por duhet të shikojmë sa mund të ndihmoheni nga institucionet tona.

Është shumë mirë që gazeta “Rilindja” edhe në këto kushte gjatë kësaj kohe të fundit ka dalë me botime të kohëpaskohshme për ngjarje e data të rëndësishme, duke vazhduar të jetë histori e shkruar e Kosovës, dhe ruan në një mënyrë vazhdimësinë deri në rifillimin e botimit të rregullt.

RILINDJA: Z. President, Ju falënderojmë shumë për këtë përkrahje të madhe për “Rilindjen”. Shfrytëzojmë rastin, kemi nderin dhe kënaqësinë, që t’ Ju urojmë: Gëzuar Vitin e Ri 2003, më shumë shëndet, mbarësi, suksese për Ju dhe gjithë Kosovën.

PRESIDENTI RUGOVA: Urime, poashtu, edhe Juve, me shumë suksese dhe për punën që po bëni, për “Rilindjen”, që ta kemi së shpejti përditë. Falemnderit.

 Gazeta Rilindja e ditës së 60 vjetorit të saj – 12 Shkurtit 2005 botonte edhe një intervistë tjetër ekskluzive me Presidentin Ibrahim Rugova me titulliun në ballnë “Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin”.

Me rastin e pritjes që më bëri në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit Presidentit Rugova i dhurova Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës.

Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja gjashtë dekada në jetën dhe në familjet e kosovarëve,  duke u shprehur, mes tjerash:

“Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60 vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejtë të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmediumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!”

RILINDJA PËR 17 SHKURTIN HISTORIK 2008 TË PAVARËSISË SË KOSOVËS

 Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, kryeredaktor i së cilës isha,  për 17 Shkurtin historik 2008 doli numër i jashtëzakonshëm festiv me kryetitullin me shkonja ngjyrë ari: KOSOVA SHPALLI PAVARËSINË BOTA E NJEH SHTETIN MË TË RI.

Po në ballinë, nën imazhet e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, të Flamurit e Stemës së shtetit të ri evropian dhe fishekzjarreve të festimeve në Prishtinë, Rilindja shkruante poashtu me shkronja ngjyrë ari: 17 SHKURTI 2008 DITA MË E MADHE SHQIPTARE PAS 28 NËNTORIT 1912 TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË.

Lart te logoja po në faqen e parë shkruante: Rilindja ju uron shpalljen dhe njohjen e Kosovës Shtet i Pavarur.

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

 1. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja – 3 Korrik 1990, foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari

2.Viti 1990-Pallati Rilindja në Prishtinë okupohet nga Serbia edhe me helikopter – Foto Ilaz Bylykbashi –

3.Viti 1990-Forcat serbe në hyrje të Pallatit Rilindja në Prishtinë – Foto Arkivi Rilindja

 4. Në prag të 12 Shkurtit 2005: Behlul Jashari, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Drejtues – Kryeredaktorit, Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova i dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të Rilindjes, punar me ar e argjend nga zejtarët e Prizrenit, qytetit ku ka dalë numri i parë i gazetës tradicionale e historike të Kosovës në 12 Shkurt 1945

5. Pllakati i Jubileut të 60-vjetorit të gazetës Rilindja

6. DRITARE NE HISTORI-Faqe arkivi të gazetës tradicionale të Kosovës RILINDJA – foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari

 7. Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova dhe kryeredaktori i Rilindjes Behlul Jashari – Dhjetor 2002

8.  Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja për 17 Shkurtin historik 2008 të shpalljes së pavarësisë – botim festiv – foto Gazeta DIELLI – Behlul Jashari

(Behlul Jashari – në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja nga Shtatori 1973 – gazetar, reporter i lirë, komentator, redaktor, kryeredaktor i parë-themelues i gazetës së përditëshme të rezistencës Bujku që nisi të dalë në 18 Janar 1991 dhe kryeredaktor nga Janari 2002 i gazetës Rilindja, e cila me numrin e fundit të shtypur ka dalë në 30 Dhjetor 2008, ndërsa pas 10 viteve kishte edhe një ridalje simbolike protestuese, botim digjital, në 31 Dhjetor 2018)

Filed Under: Analiza Tagged With: Behlul Jashari

Propaganda…

August 6, 2022 by s p

Agim Baçi/

Shumica e studiuesve dhe filozofëve që janë marrë me komunikimin dhe me pasojat e propagandës në shoqëritë e sotme, qofshin fetarë apo jo, qofshin mbështetës apo kundërshtues të propagandës, bien dakord se përkeqësimi apo përmirësimi i shoqërisë gjendet i pasqyruar në gjuhën me të cilën komunikohet. Pra, nëse një gjuhë shfaqet “e sëmurë”, atëherë edhe shoqëria do ta pasqyrojë këtë lëngim, pasi është pikërisht gjuha që mbart më shumë se gjithçka tjetër frikërat, ngërçet, dëshpërimin e, sidomos, urrejtjen. Propaganda, e mbështetur te reagimet instiktive, nuk mund t’i frenojë këto lëngime që i vijnë shoqërisë së sotme, pasi për propagandën nuk vlen e djeshmja e aq më pak shqetësohet për atë që ëndërrojmë ne për të nesërmen.

Përballë mungesës së leximit të së djeshmes dhe paaftësisë për të projektuar të nesërmen, ne kemi nevojë që të gjejmë rrugën se si të ndërtojmë një urë mes fjalës dhe qëllimeve tona. Kjo nuk është aspak e lehtë në një shoqëri që funksionon nën pushtetin e frikës se mund të humbim atë që kemi. Ndaj, ringritja nuk mund të nisë nëse nuk fillojmë të besojmë se frika nuk duhet të na udhëheqë në jetët tona, pasi frika ushqen vetëm emocionet tona duke u kthyer në parathënien e humbjes sonë, sidomos të humbjes së shpresës.

Filed Under: Analiza

SHQIPTARËT DHE POLITIKA 

August 4, 2022 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Çdo popull ka pushtet politik të tillë, siç e meriton.

Qualis rex, talis grex – Si bariu, ashtu kopeja (proverb latin)

(Si është bariu, e tillë është edhe kopeja)

Meaning as the flock, so the king (Si kopeja, ashtu edhe mbreti)

Si është kopeja, i tillë është edhe mbreti)

*   *   *

Pluralizmi në hapësirat shqiptare filloi në vitin 1991. Që atëherë e deri më sot, hapësirat shqiptare ndodhen në fazën e tranzicionit. Tranzicioni në Kosovë filloi pas çlirimit të saj nga pushtuesit serbë. Shtetet e konsoliduara si Sllovenia dhe Kroacia, ka kohë që kanë dalë nga tranzicioni. Ato janë bërë edhe pjesë të organizmave euro-atlantikë, të NATO-s dhe të BE-së.

Gjatë tri dekadave të lëna pas, në hapësirat shqiptare lulëzoi dhe mbizotëroi nepotizmi dhe korrupsioni. Aty ku ka nepotizëm dhe korrupsion nuk ka shtet ligjor. Aty ku s’ka shtet ligjor, integrimi në BE është një ëndërr e largët.

Gjatë tri dekadave të tranzicionit, partitë “politike” shqiptare e kanë zbatuar me përpikëri përzgjedhjen negative. Pjesëtarë të organeve legjislative apo ekzekutive janë bërë individë me njohuri të kufizuara. Midis tyre ka pasur individë me arsimim të pamjaftueshëm apo me arsimim të dyshimtë. Të tillët quhen persona joprofesionalë apo diletantë dhe mediokër.

Kriter për emërimin e personave me njohuri të kufizuara apo me kualifikime të diskutueshme ka qenë dhe vazhdon të jetë përkatësia partiake. Hyrja e një individi në nomenklaturën partiake bëhet mbi baza familjare, fisnore, miqësore. Personi me ndikim në parti promovon me dinakëri dhe dredhi njeriun e familjes së vet apo të fisit të vet.

Në hapësirat shqiptare pozitat e larta në pushtetin qendror blihen edhe me para. Partia ia shet individit të kamur postin.

Zënia e pozitave të larta bëhet edhe me amoralitet. Me fjalë të tjera, për post shitet edhe morali dhe nderi.

Ndodh shpesh që në Maqedoninë e Veriut të vijnë në pozita të larta ata shqiptarë që janë të pranueshëm për sllavo-maqedonasit. Për të qenë i pranueshëm prej tyre, duhet të jesh për multikulturë dhe për shtet qytetar me mbizotërim të plotë të sllavo-maqedonasve. Të pranueshëm për sllavo-maqedonasit janë edhe bijtë e familjeve që e kanë çuar mirë me të gjitha sistemet dhe me çdo pushtet. Pra, bijtë e familjeve që i janë përshtatur çdo ideologjie dhe që kanë qenë anacionalë. Po qe se je për shtet dyetnik, shqiptar dhe sllavo-maqedonas, mund të konsiderohesh nacionalist dhe njeri me ide të tejkaluara. Multikultura s’është asgjë më pak se vëllazërim-bashkimi i Josip Broz Titos.

Në fund të viteve ’80 të qindvjeçarit XX, shtypi i Beogradit afirmoi sintagmën shqiptarë të ndershëm. Sipas tyre, të ndershëm ishin ata shqiptarë që shanin Shqipërinë dhe lëvdonin Jugosllavinë, përkatësisht serbosllavinë. Fatmirësisht, numri i shqiptarëve të ndershëm ishte i vogël. Sot ekziston rreziku që ky numër shqiptarësh të ndershëm në Maqedoninë e Veriut të shtohet.

*   *   *

Në hapësirat shqiptare rëndom avancohen personat që janë të dëgjueshëm, poltronët, oportunistët, konformistët, puthadorët dhe karrieristët. Avancohen dhe promovohen edhe demagogët, lakmitarët, të pangopurit, mashtruesit, intrigantët, tregtarët e flamurëve, ushtarët partiakë, militantët partiakë, të dëgjueshmit, pakurrizorët (butakët), oportunistët, konformistët, demagogët, mercenarët, të pamoralshmit, të pandershmit. Ky dance macabre nuk përfundon me kaq.

Në rrethana të tilla kemi politizimin dhe partizimin e plotë të të gjitha poreve të shoqërisë dhe të shtetit. Në hapësirat shqiptare s’kemi të bëjmë me shtet ligjor. Kemi të bëjmë me shtet partiak. Për më tepër, ndodh që të rrëmbejë pushtetin një parti e fisit, e zonës apo e krahinës. Një parti e tillë nuk mund të drejtojë shtetin as të ndjekë politikë shtetërore. Cila parti është në pushtet, i asaj është shteti. Atëherë shtrohet pyetja: Cili është dallimi midis shtetit partiak të periudhës moniste dhe shtetit partiak të periudhës pluraliste?!

Në shtetet partiake nuk funksionon as sistemi politik, as sistemi juridik. Sistemi politik dhe sistemi juridik në shtetet partiake nuk është veçse një nocion fiktiv. I tërë shteti kontrollohet nga lideri partiak i partisë liderike, nga koniunktura partiake dhe nga nomenklatura. Në shtetet partiake apo të partizuara, është utopi të flitet për institucione publike të pavarura apo të depolitizuara. Çdo institucion është nën kontrollin dhe nën kthetra e partisë. Për zbatim ligji nuk mund të bëhet fjalë. Pa ndërhyrjen e partisë nuk mund të bëhesh as shërbëtor shkolle fshati.

Në shtetin partiak profesionalizmi dhe dituria nuk janë veçse iluzion. Shumë pak çmohen, për të mos thënë fare. Me rëndësi është të jesh i taborit tonë. S’ka fort rëndësi se je gjysmanalfabet. Ia dalim disi.

Në të gjitha hapësirat shqiptare ka tri dekada që lulëzon nepotizmi. Pushtetari i hapësirave shqiptare punëson: gruan e vet, djalin, vajzën, renë, dhëndrin, anëtarët e tjerë të familjes. Ky farë pushtetari fare nuk çanë kokën për vlerat profesionale dhe morale të anëtarëve të familjes së vet apo të fisit.

Nepotizmi në hapësirat shqiptare nuk nënkupton punësimin e rëndomtë të anëtarëve të familjes. Pushtetari me ndikim nuk kënaqet me punësimin e djalit, të vajzës, të resë, të dhëndrit apo të anëtarëve të tjerë të familjes. Pushtetari me ndikim fëmijët e vet synon t’i bëjë pasanikë, t’i bëjë milionerë.

Në rrethana të tilla pësojnë shtyllat vitale të shtetit apo të shoqërisë: sistemi i drejtësisë, organet e rendit, sistemi i arsimit, sistemi shëndetësor, institucionet e urbanizmit etj.

Shteti me karakteristika të sipërthëna ka një diplomaci të atrofizuar dhe pa autoritet ndërkombëtar.

Shteti partiak ka administratë të partizuar dhe të politizuar. Administrata e shtetit ku nuk gjen zbatim ligji është e stërngarkuar me ushtarë dhe anëtarë të partisë. Administrata e tillë është joprofesionale. Administrata publike e hapësirave shqiptare, si të nivelit vendor ashtu edhe të nivelit qendror, është shndërruar në ent për punësimin e militantëve të partisë, të votuesve të partisë, të atyre që në ditën e votimit vjedhin vota, i mbushin kutitë e votimit apo i thyejnë kutitë e votimit. Një administratë me tepricë punonjësish që i kanë zaptuar zyrat pa bërë asnjë punë efektive, i kushton shtrenjtë shtetit dhe shoqërisë. Me një administratë të tillë nuk shkohet në Evropë dhe nuk pranohesh në BE.

Në hapësirat shqiptare shumë pushtetarë kanë blerë dhe vazhdojnë të blejnë diploma universitare, tituj akademikë, magjistratura, doktorata – për vete, për gratë e veta, për djemtë e vet, për vajzat e veta, për rejat, për dhëndurët.

Nëpër universitete shqiptare punësohen pa kriter profesional të mirëfilltë dhe pa kriter moral, si asistentë apo si ligjërues, bij e bija pushtetarësh, reja e dhëndurë pushtetarësh, me njohuri të kufizuara dhe me kualifikime të dyshimta.

Shteti i katandisur në një vorbull të tillë:

– nuk mund ta ndërtojë ideologjinë kombëtare;

– nuk mund ta përkufizojë interesin kombëtar;

– nuk mund të hartojë program politik kombëtar;

– nuk mund të ndjekë politikë kombëtare.

Demokracia në shtetin ku nuk zbatohet ligji është një nocion fiktiv. Institucionet arsimore, kulturore dhe shkencore, përfshi edhe universitetet dhe akademitë e shkencave, janë nën kontrollin e politikës. Në mungesë të demokracisë, të lirisë së fjalës, lirisë së shprehjes, inteligjencia shqiptare është strukur në lëvozhgën e vet. Ajo i ruan interesat e veta meskine dhe i mbyll sytë para problemeve të shtetit dhe të shoqërisë. Përveç kësaj, pushtetarët autoritarë as që e përfillin inteligjencien.

Në shtetin ku nuk gjen zbatim ligji vendimet janë arbitrare. Aty ku s’ka demokraci, ka autoritarizëm, autokraci, tirani, despotizëm, diktaturë dhe totalitarizëm që në thelb nuk dallohet nga sistemi totalitar stalinist.

Shumë pushtetarë të hapësirave shqiptare janë pasuruar, madje janë bërë edhe milionerë. Si mund të bëhesh pasanik apo milioner, kur një rrogë ose pagë mujore në hapësirat shqiptare është 500 apo 1000 euro?! Nga erdhën, si u krijuan dhe si lindën gjithë ato ndërtime, ndërtesa, ndërmarrje, depozita bankare, brenda dhe jashtë shtetit, me një rrogë prej 500 apo 1000 eurosh?! Janë bërë milionerë edhe pushtetarë të cilët në shkollë të mesme kanë pasur nga nota të dobëta.

Hapësirat shqiptare konsiderohen ndër më të varfrat në rajon dhe në Evropë. Atëherë shtrohet pyetja: Si kanë mundur politikanë dhe pushtetarë të caktuar shqiptarë të pasurohen dhe të bëhen milionerë?!

Nga kjo del se pasuritë e politikanëve dhe e pushtetarëve shqiptarë janë krijuar në mënyrë të paligjshme. Pasuritë dhe milionat e tyre janë produkt i abuzimeve dhe i korrupsionit, i shkeljes së ligjit, i shpërdorimit të detyrës, i shpërfilljes së sistemit politik, juridik dhe financiar. Këta farë politikanë, para se të ishin pasuruar, në kontot e tyre s’kanë pasur as edhe 1000 euro. Me fjalë tjera, këta paskan hyrë në politikë, jo për të ndërtuar shtet ligjor, por për t’u pasuruar në kurriz të popullit të varfër. Ndër më të varfrit e rajonit.

Është për t’u habitur sesi ky popull i voton këta mizorë.

Para abuzimeve të tilla të pushtetarëve dhe të politikanëve i kanë mbyllur sytë organet e pushtetit, sistemi i drejtësisë ndërkaq, s’ka funksionuar fare. S’kanë funksionuar organet e rendit, të urbanizmit, organet doganore, institucionet bankare apo financiare, organet kadastrore, ato të gjeodezisë etj.

“L’État c’est moi!” (Shteti – jam unë) – ka thënë mbreti i Francës Luigji XIV (Louis XIV, 1638-1715). Prej madhështisë së mbretërimit të tij u mbiquajt “Luigji Dhuratë prej Zotit” (Louis Dieudonné), “Luigji i Madh” (Louis le Grand), “Mbreti Diell” (Le Roi Soleil). Mbretërimi i tij përfaqësonte majën më të lartë të dinastisë Burbone dhe të fuqisë së Francës në Evropë. Gjatë mbretërimit të tij (1643-1715) lulëzuan arti dhe letërsia frënge.      

*   *   *

Në shtetet ku s’ka ligj nuk mund të flitet për mediume të pavarura. Një pjesë e madhe e mediumeve në hapësirat shqiptare kontrollohen nga shteti, nga qeveria apo nga qeveritë, nga partia në pushtet, nga qendrat financiare të pushtetshme dhe influente. Ka mediume që kontrollohen nga qendra dhe shërbime të jashtme, të huaja – ruse, greke, serbe, nga qendra dhe shërbime të vendeve arabe, nga Turqia, nga Irani, nga vende perëndimore.

Shumë analistë politikë janë mercenarë të qendrave të sipërthëna. Ka klerikë që janë mercenarë të demonëve. Shumë shoqata humanitare janë në shërbim të djajve. Ka shoqata joqeveritare që janë shërbëtorë të politikës, të pushtetit apo të partive në pushte.

Për ta ruajtur qetësinë, pushtetarët dhe politikanët e hapësirave shqiptare ndjekin edhe politikën panem et circenses që e kanë ndjekur para dymijë vjetëve perandorët romakë. Jepi popullit të varfër bukë dhe argëtim dhe sundo mbi të sa të duash.

Në hapësirat shqiptare kemi vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, trafikim lëndësh narkotike, armësh dhe qeniesh njerëzore, prostitucion, amoralitet, shkurorëzime, vjedhje, vjedhje me thyerje, reketime, shantazhe, përqindje të lartë aksidentesh rrugore, vetëvrasje, hakmarrje apo gjakmarrje, ngujime.

Në hapësirat shqiptare kemi papunësi, varfëri, skamje, lypës nëpër rrugë, keqtrajtim të kafshëve, keqtrajtim të qenve endacakë. Duke i helmuar qentë rrugëve në mesnatë nuk shkohet në Evropë. Akte johumane, barbare.

Politika është shkaktare dhe përgjegjëse e shtimit të numrit të kazinove, të bastoreve, të lojërave të fatit, të klubeve të natës.

Janë skena që t’i përkujtojnë ato të romaneve të shekullit XIX, të romancierit anglez Çarlz Dikinz (Charles Dickens, 1812-1870), të romancierit anglez, student I Kembrixhit,  Uilliam Thekeri (William Makepeace Thackeray, 1811-1863), romancierit francez me prejardhje italiane, Emil Zol (1840-1902), të romancierit dhe novelist rus Fjodor Mihajlloviç Dostojevsk (1821-1881).

Shënim: Emil Zola, meqë nuk arriti ta kalojë provim e maturës, hoqi dorë nga shkollimi i mëtejmë. Është themelues i drejtimit letrar dfhe artistik të natyralizmit. Heronjt tč romaneve natyraliste janč robërit e pasioneve, njerëzit që jetojnë në burgun e fatkeqësive të veta, personat që janë të ngarkuar me vetitë trashëguese. Natyralistët e pasqyrojnë natyrën e njeriut në çastet më vulgare dhe më të arrëta të tij.

*   *   *

Në hapësirat shqiptare s’kemi as majtizëm, as djathtizëm. Për ideologji të tilla duhet pasur ekonomi, industri, teknikë, teknologji, prodhim, eksport, sjellje mjetesh devizore nga eksporti i mallrave. Duhet pasur kapital, potencial financiar dhe jo borxhe deri në fyt, që dita-ditës shtohen.

Askush s’do t’u ndihmojë shqiptarëve po qe se ata vetë nuk i ndihmojnë vetes. Nuk jetohet me dekada duke pritur ndihma të huaja. Njeriu ndihmohet njëherë-dy dhe e merr veten. Ndryshe, ai njeri nuk është për ndihmë, nuk është i zoti i vetes.

Në hapësirat shqiptare ka shfrytëzim të egër të fuqisë punëtore, mu si në mesjetë dhe si në shekullin XIX. Ka punëtorë me paga mujore prej 150 eurosh. Në anën tjetër ka të tillë të cilëve një darkë u kushton 500 apo 1000 euro. Kështu nuk mbahet shtëpia. Kështu s’krijohet dot kombi. Skena bizare dhe groteske në Evropën e shekullit XXI.

Pranë sofrës i pangrënë; pranë dritës, i paparë; pranë detit, i palarë – thotë Noli, ky vigan liberator.

Në hapësirat shqiptare mungon mendimi kritik, kritika politike, kritika shoqërore. Ka censurë dhe autocensurë. Kemi edhe shpëlarjen e trurit nga mediumet, nga studiot televizive, nga radiostacionet, nga gazetat, nga revistat, nga mediumet elektronike, digjitale.

Kemi polarizimin e skajshëm të shoqërisë. Shkalla e ulët e zhvillimit të sektorit privat ndikon që njerëzit, qytetarët, të rinjtë të preokupohen me partinë, me politikën. Nëpërmjet partisë dhe politikës shpresojnë të punësohen. Jashtë partisë dhe politikës s’ke sesi punësohesh. Sektori privat nuk përthith fuqi punëtore.

Arsimimi funksionon pa plan. Kush mbërrin regjistrohet në fakultet. Edhe nxënësi me dhjetë nota të dobëta, ndjek studime universitare. S’ka as kriter as përzgjedhje për regjistrim. Në hapësirat shqiptare vlojnë universitetet, publike dhe private. Çdo qytezë ka themeluar universitet. Arsimi është shndërruar në biznes fitimprurës. Kemi inflacion diplomash, që s’janë veçse letra pa vlerë. Cili është ai shtet i vogël dhe i varfër në botë që mund ta punësojë gjithë këtë armatë të diplomuarish?! Një pjesë e tyre janë kualifikuar dhe janë certifikuar me kritere të dyshimta.

Arsimimi profesional figuron formalisht. Një shkollim i tillë kërkon të kesh ekonomi dhe industri. Përgjegjësi për devalvimin e arsimit është partia, janë partitë, është politika. Shumë punë partitë i bëjnë për vota, për asgjë tjetër.

Tri dekada i ke në skenën politike të njëjtët njerëz. Rrotullohen, enden e sillen nga një post në tjetrin.

Në hapësirat shqiptare nuk ka votues të lirë. Ka votues partiakë. Secili e di paraprakisht se për kë do të votojë. Askujt s’i intereson programi partiak që e shpërndajnë shtabet partiake një muaj para zgjedhjeve. Programi është letër. Ajo duron çmos. Askush s’i lexon ato. Madje as krerët e partive. Ato hartohen sa për të thënë se dalim para elektoratit me program politik dhe ekonomik. Shqiptarët janë të ngopur me premtime në letër. Edhe të lodhur. Shumë shqiptarë janë të dëshpëruar, të zhgënjyer, të deprimuar. Ka edhe të tillë që ndjehen të tepërt në shoqëri, të harruar, të lënë pasdore, të shpërfillur, të margjinalizuar, të nëpërkëmbur.

Elektorat të lirë, qytetar, asnjanës nuk ka. Çdo parti i ka votuesit e vet. Rëndom e votojnë partinë që hyn në qeveri, që bëhet pjesë e qeverisë, me shpresë se nëpërmjet saj do të punësohen. Kur vjen puna tek ekzistenca, i papuni s’çanë fort kokën për ideologjinë kombëtare, për historinë kombëtare, për flamurin, për heronjtë. Tanimë ai është i zhveshur nga iluzionet dhe idealet. Ata ku ka papunësi, skamje, paga të ulëta, aty s’ka ideal as ideologji. Aty kemi luftë për ekzistencë, për mbijetesë. Është politika, janë politikanët shqiptarë që e kanë katandisur në atë gjendje të mjerë.

Pushteti që nuk bën punë të mëdha, e reklamon dhe e propagandon në mediume, në gro plan, edhe punën më të vogël. Në shtetin me probleme të mëdha politike, ekonomike, sociale, morale përplasjet midis pozitës dhe opozitës janë të tensionuara, përtej normales. Në hapësirat shqiptare nuk kursehen fyerjet, sharjet, ofendimet, fjalët denigruese, kërcënimet, shantazhet. Nuk respektohet as autoriteti i kryetarit të shtetit, as i kryetarit të kuvendit, as i kryeministrit, as i udhëheqësit të opozitës. Përdoren fjalë fyese nga më të rëndat, deri edhe tradhtar kombi. Fjalë të rënda që s’i duron as letra, që s’i pranon arsyeja njerëzore. Kjo s’ndodh në asnjë vend, jo të rajonit, po të botës.

Kështu nuk shkohet në BE, nuk dilet nga tranzicioni. Këto përplasje në botën shqiptare e zvarrit konsolidimin e Shqipërisë, e dëmton imazhin e Kosovës para botës. Shqiptarët diskreditohen si komb. Për çdo disfatë nuk duhet fajësuar të tjerët apo tragjizmin historik.

Derisa luftonin për t’u çliruar nga pushtimi serb, shqiptarët ishin më të mobilizuar, më të ndërgjegjshëm. Kishin ideal. Pas çlirimit, në pluralizëm dhe në demokraci treguan nivel politik të ulët dhe aftësi shtetformuese të pamjaftueshme. Bota nuk pranon politikë fisesh, zonash dhe krahinash. Bota njeh politikë shtetërore.

 Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: xhelal zjeneli

Shqiptarë, kujt ia kërkoni dorëheqjen? 

August 4, 2022 by s p

Ilir Levonja/

Shumë nga shqiptarët sot habiten me reagimet e vonuara të Kryeministrit, ministrit përkatës apo ministreshës për turizmin etj. Ashtu si shumë të tjerë mërziten me reagimet brutale të disa analistëve nën hijen e qeverisë. Kjo për ngjarjen e hidhur në plazhin e Potamit Himarë. Madje kjo dhimbje njerëzore nxorri në pah edhe faktin se sa i pa fuqishëm është shteti karshi atyre që dominojnë turizmin në bregdet. Shkurt mos u habisni, janë pjellë e kulturës sonë të përmbledhur në një postulat, për inat të sime vjehrre po shkoj me mullixhinë e fshatit. U rraskapitët një javë me shashkat e qeverisë se, ka qënë apo nuk ka qënë spiun i sigurimit ish Presidenti Ilir Meta. Madje është e neveritshme kur shikon një tërësi gjoja intelektualësh të cilët se kanë për gjë të varrosin gjithë kulturën e tyre për postulatin e  mësipërm, atë inatin me vjehrrën. Ndodhi kjo fatkeqësi që të harroni sigurimsin Ilir Meta. Kushedi se çfarë do ndodhi nesër që të harrohet edhe fatkeqësia e një familje emigrantësh të cilët humbën dritën e syve, vajzën, bash në pushimet në vendin amë. Emigrantët tashmë nuk i kanë dhënë vendit të tyre vetëm suport ekonomik, por edhe frymën. Megjithatë vendi nuk denjon t’u ofroj as të drejtën e votës. Eshtë një kaos social që sado përpiqesh t’i japësh emër, këdo që takon të thotë, ikni, mos e ktheni kokën se këtu ka vdekur gjithçka. Dhe a e dini pse ndodh kjo, e para nga vet ju. Dhe e dyta nga që çdo shtetar që vjen aty e konsideron shoqërinë shqiptare, si anëtarësinë e partisë. 

Dhe fyerja më ulët që u bëhet, është fakti se kur shikon në internet që ankohet për skafet ta zëmë Erjon Braçe, është kulmi. Nuk e di se kujt i ankohet një ish zëvendës kryministër. Se ka dy shpjegime…, e bën për t’u mashtruar. Ose nga budallallëku. Kur nuk di se çfarë ndodh në bregdet bash në kulmin e sezonit një qeveritar i lartë, ju të tjerët rroni në mëshirën e Zotit. Tek dorëheqja është një kulturë e vdekur. Dhe kur e qëllon të ndodhi, të tallin. Ashtu sikur shikon analistin tek mbron vrasësin etj. Harruat që para pak kohësh, dolën plot emra analistësh apo gazetarësh studiosh që paguheshin nga ujësjellësi i Tiranës si këshilltarë. Kurse ai profesori pensionist pyet, përse e kam kaq të ulët pagën? Po ja këta gjakpirës janë shkaku. Jeni dhe ju me mendësinë stoike që vdisni ta mbani në pushtet një qeveritar mbi 20 vjet e sipër. Keni alergji nga rrotacioni. Takova shumë socialistë të mirë dhe më thoshin të njëjtin refren, ka mbaruar gjithçka. Vjen ky i gjati jonë, vet vjen, vet flet, vet ikën. Ne jemi mumje. Megjithatë votën nuk ia jap as Ilir Metës, as Sali Berishës etj. Për ironi të fatit, ia dha votën Ilir Metës në 2013, kur Edi Rama ua kërkoi publikisht. Madje bën koalicion të gjerë frontal se mundën ”kriminelin” Berisha. O popull, nuk japin dorëheqje këta. Kanë gjetur. Dorëheqja zë fill si kulturë kur ndryshoni ju. Kur të hiqni ju, kur qeverisni ju, jo këta. 

Filed Under: Analiza

Mbaji për vete ato fjalë, zoti kryeministër

August 4, 2022 by s p

Frano Kulli

C:\Users\Vitore\AppData\Local\Temp\Rar$DRa0.322\Frano_color_2.jpg

“Madhësia e tragjedisë së djeshme në Himarë e bën edhe më të madhe se çdo herë tjetër ligësinë e verbër të vampirëve politikë e mediatikë që s’lenë plagë pa futur në gojën e tyre të përdalë, duke kërkuar përfitimet e tyre mizerabël në shkelje të çdo kodi moral, familjar, kombëtar ! – paskeni shkruar dje në Twiter-in tuaj, zoti kryeministër. Pra, sipas jush, vetë tragjedia qenka e vogla  që paska ngjarë…

Si the, si the ????

Në përmasat e tragjedisë e mos më shumë të rënda,  për nga e ithta që mbartin janë fjalët e tua, zoti kryeministër. Si qenka më e madhe se madhësia e tragjedisë, “ligësia e verbër  e vampirëve politikë e mediatikë”, siç merrni kurajon të etiketoni njerëz, vetëm Ju, zoti kryeministër ? Jo mor jo, asgjë tjetër në gjithçka e rrethoi këtë tragjedi nuk është kurrë sa vetë tragjedia. Një polic, një oficer policie, në ekstazën e orgjisë së vet i mori jetën një fëmije. Një fëmije që thurte e çthurte ëndërra e lodra në të drejtën e në pafajsinë e vet aty, në breg të detit. Dhe ai polici që shkaktoi tragjedinë është polici juaj, zoti kryeministër. Nuk e kam veshur e xhveshur unë atë policin oficer, që ende qenkërka në ndjekje për trafik lëndësh narkotike, zoti kryeministër. Ky tipi, që sa i drogës dhe i skafeve qenkërka edhe oficer i policisë është gjetje e produkt i shtetit të pushtetit tuaj, zoti kryeministër. Nuk është polici im ai, eej… As i miqve të mij, që mbrëmë, në një marshim homazh dhimbjeje ndezëm nga një qiri e hodhëm në det nga një karafil. E që u lutëm për shpirtin e vogëlushes Jonada, të prirë nga dom Gjergj Meta Ipeshkëv. Me lutjen e përbotëshme “Ati ynë…” . Nuk është polici im, ai zoti kryeministër, as i Zef Çobës, as i Romeo Gurakuqit, as i Stefan Çapalikut, që me zonjat tona kryem aktin modest e të përdëllyer të dhimbjes dhe shfaqëm revoltën tonë të paqme për krimin e policit tënd, zoti kryeministër. As i Adrian Pacit, që, ardhur nga Italia e i ndodhur në Shëngjin iu bashkua marshimit tonë, zoti kryeministër. As i Alfonsit, Linditës, Ladit, Fatmirës, Agostinit e shumë të tjerëve që ishin bashkë me ne. Ai është polici juaj, zoti kryeministër. Ju nuk mund të lani duart prej mëkatit të tij si Ponc Pilati. Siç bëni rëndom pas çdo të keqeje që na sjellin ne të qeverisurve prej jush, policët tuaj, zoti kryeministër. E ministrat e policëve tuaj, zoti kryeministër. Unë nuk besoj se është më pak vampir se vampirët e vërtetë ai polici juaj, zoti kryeministër që këput në mes ëndërra dhe jetë të pafajsisë së fëmijëve. “Ligësinë e verbër të vampirëve politikë” kërkojeni brenda vetes, zoti kryeministër. Se politika jeni ju, se shteti , krejt i padashtun për ne, megjith çka po bëni, jeni ju, zoti kryeministër. Ne prangat kemi. E duresën tonë, që ju s’e  meritoni. Se meriton duresën tonë kaq të gjatë, e keqja që na sillni ne përditë ju”vampirët e politikës”. Por, ja që edhe duresa sonë ju bezdiskërka ju!!! 

Edhe “vampirët mediatikë” janë tuajët zoti kryeministër. Po, po, tuajët janë, “mediatikët” që ndërtojnë pallate(???) ju i keni fryrë si kacek me para e pasuri nga paratë tona publike shpurën e neveritëshme të tyre. E kaceku i tyre shfryn përditë përmbi ne llum e baltë propagande. Nga propaganda juaj. Për mostrat e “mediatikëve” të pasur e ka dhënë heret devizën Indro Montanelli i madh: “Nëse takoni një gazetar të pasur, mos i besoni. Gazetaria nuk sjell pasuri… gazetari i pasur është një gazetar që qelbet erë, sepse e ka përdorur zanatin për të arritur objetiva të tjerë”. Ata “mediatikë” që sillen përreth jush, për t’ju lëpirë ju e për t’u poshtnuar prej jush, gjithashtu,  janë të ju “politikëve”, zoti kryeministër, ata s’kanë asgjë të përbashkët me opinionin publik; ata s’janë tanët. Edhe ata, si polici juaj, vrasin. Po, po vrasin përditë ëndërrat dhe besimin tonë; ata ushqejnë përditë, bashkë me ju, mëdyshjen e madhe nëse Shqipëria është ende e jona !

Filed Under: Analiza Tagged With: Frano Kulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 162
  • 163
  • 164
  • 165
  • 166
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT