• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj: Me ndihmën e SHBA shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan

July 28, 2022 by s p

Kënaqësi e veçantë që sot, kremtojmë 100-vjetorin e lidhjeve të marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partnerin tonë më të madh strategjik. Një moment i historisë sonë, lidhet me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e këtyre marrëdhënieve. Këto 100 vite konfirmojnë vendosmërinë për ta vazhduar bashkëpunimin, në kohë të vështira e të mira, në momente kyçe të historisë, në sfida të sigurisë e paqes në rajon dhe në botë. Sot ne qëndrojmë krah për krah partnerit tonë strategjik amerikan dhe punojmë së bashku në fusha me rëndësi jetike. Rezultatet në reformimin, transformimin dhe mirëqeverisjen, si dhe në forcimin e institucioneve të drejtësisë, diplomacisë, sigurisë e mbrojtjes dhe sundimin e ligjit, e kanë shndërruar vendin tonë në një partner i cili përmbush rolin koherent, konstruktiv dhe diplomatik. Falë mbështetjes bujare dhe pa asnjë rezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shqiptarët sot janë një faktor me rëndësi gjeopolitike në Ballkan. Mbështetja e SHBA është e paçmuar për çështjen tonë kombëtare. Me të njëjtat principe dhe me të njëjtën vendosmëri me të cilën u mbështet Shqipëria 100 vjet më parë, u mbështet edhe Kosova për shpalljen e pavarësisë. Marrëdhëniet do vazhdojnë të forcohen edhe qindra mijëra vite të ardhshme. Gëzuar 100 vjetorin.

Filed Under: Analiza

TAKIMI NOLI – WILSON NJË EPISOD I VEÇANTË NË MARRËDHËNIET SHQIPTARO – AMERIKANE

July 26, 2022 by s p

Ndriçim Kulla

(Nderi i Kombit)/

    Në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka disa ditë që mund të quhen si me rëndësi të vecantë historike. I tillë është takimi i Fan Nolit me Presidentin Wilson në 4 korrik 1918. Megjithëse Noli nuk kishte asnjë titull zyrtar për të përfaqësuar Shqipërinë, përveç mandatit të “Vatrës”, ky takim i Nolit me Wdroë Wilsonin mund të quhet si jo vetëm i pari kontakt i një përfaqësuesi të shqiptarëve me qeverinë amerikane, madje në nivelin më të lartë, nga ana amerikane, por edhe nga më të rëndësishmit. Takimi përbën një gurthemeli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Koha e takimit, arsyeja dhe vendi ku u bë takimi, kanë një kuptim të madh.

     Në verën e vitit 1918 kur ishte bërë e qartë se Luftën e Parë Botërore po e fitonte Antanta, ku bënte pjesë edhe SHBA, Presidenti Wilson, duke qenë se dyshonte në qëllimet e pasluftës të aleatëve të tij europianë, vendosi të shpallte programin e Amerikës për mënyrën sesi duhet të bëhej rregullimi i botës së pasluftës. Ky program i përmbledhur në katër pika, dhe që u njoh më vonë me këtë emër “Katër pikat” e Presidentit Wilson, ishte një program i gjeopolitikës etike. 

    Për të shpallur programin e tij, Presidenti Wilson zgjodhi një vend historik, Malin Vernon, ku gjendet varri i George Washinton, një nga etërit themelues të SHBA dhe të parit president të vendit. Me rastin e shpalljes që do të bënte në Malin Vernon, Wilsoni ftoi që ta shoqëronin edhe delegatët pjesëmarrës në Kongresin e Kombeve të Shtypra, që po mbahej në Uashington në atë kohë, me qëllim që të kërkohej ndihma e SHBA dhe e fuqive fituese të luftës për këto kombe. Një nga delegatët pjesëmarrës në kongres ishte edhe Noli, i cili përfaqësonte Shqipërinë, si i dërguar i “Vatrës”. Kështu që edhe Noli e shoqëroi Presidentin amerikan në udhëtimin për në Malin Vernon.

     Megjithëse ka emrin “mal”, Mali Vernon nuk është aspak një mal. Ky emërtim figurativ i është vendosur nga familja e George Ëashington. Në fakt, Mali Vernon është një territor fushor në breg të Lumit Potomac, në Kontenë Fairfax, në Virginia. Presidenti Ëilson shkoi atje duke lundruar me jahtin presidencial Myfloëer nëpër Lumin Potomac, i cili kalon përmes kryeqytetit amerikan Ëashington. Në jahtin presidencial udhëtonin edhe delegatët e kongresit të kombeve të shtypur. Asnjë kryetar shteti i një fuqie të madhe nuk u kishte kushtuar deri në atë kohë një vëmendje të tillë përfaqësuesve të popujve të shtypur. 

    Fan Noli do ta përshkruante shumë herë gjatë jetës së tij takimin historik me Presidentin Wilson dhe çdo herë do të sillte detaje të reja, të rëndësishme. Kështu, në autobiografinë e tij Noli shkruan për takimin me Ëilson:

     Si delegat i Vatrës Fan Noli mori pjesë në Kongresin e kombeve të shtypur që u mbajt në Uashington nën përkrahjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Delegatët e Kongresit shoqëruan Presidentin Uillson deri në varrin e Xhorxh Uashingtonit në Maunt Vermont ku ai mbajti fjalimin e tij të famshëm të Katër pikave, më 4 korrik 1918. Kjo i dha rast Fan Nolit të takohej me Presidentin Uilson në jahtin presidencial “Mejflauer” dhe i bëri thirrje atij të rivendoste pavarësinë e Shqipërisë, e cila ishte shkelur nga ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë Botërore.

     Ky mund të quhet si një tregim i përmbledhur dhe gjakftohtë që Noli i ka bërë takimit me Wilsonin. Por një përshkrim me shumë ndjenjë Noli ia ka bërë këtij takimi historik, pikërisht në mbrëmjen e ditës që ai u bë, në 4 korrik 1918. Atë ditë mbahej kuvendi vjetor i “Vatrës” në Boston dhe Noli, duke rendur ashtu si Marathonomaku i poezisë së tij të famshme, pasi u kthye në mesditë në Washington me jahtin presidencial, i hipi trenit për në Boston dhe shkoi drejt e në sallën ku mbahej kuvendi i shqiptaro-amerikanëve, i cili po e priste atë për të mbajtur fjalimin e hapjes. Dhe Noli, në fjalimin e tij u dha bashkëkombasve lajmin e takimit me Ëilsonin, duke treguar dhe hollësi për takimin, që nga mënyra e pritjes plot nderime:

     Ndofta e dëgjuat që Ditën e Indipendencës Presidenti Ëilson desh ta kremtonte atë ditë si Ditën e Indipendencës për tërë botën. Për këtë arsye guverna amerikane i thirri si mysafirë kryetarët e gjithë kombësive të huaja që ndodhen në ktë vënt bujar. Idea ishte që tërë kombësitë së bashku të mblidheshin atje për të thyer shpirtën e autokracisë. Kryetari i Vatrës u ftua. Në kryeqytet na pritnë me nderime të mëdha. Me automobilla na shpunë gjer në jahtin e Presidentit, ku neve të përunjurit, të varfërit u gjetmë midis tërë dipllomatëve. Atje, Presidenti, e shoqja dhe e bija na përshëndoshnë, dyke na kërkuar emrat dhe përfaqësimin tonë.

Nofta ish e para herë për ta që u bashkuan me një Shqiptar. I shtrënguam dorën të gjithë njëri pas jatërit dhe hymë brënda në anijen e bukur të Presidentit “Mayflower”. Udhëtimi nga Uashingtoni në Malin Vernon ish idealistik. Lumi Potomak dhe rrethet përbënin një panoramë kaq të bukur. Pas zakonit Presidenti në tërë udhëtimin i priti të tërë dipllomatët me të cilët u bashkëfjalos. Duallmë në mal ku ish varri i atij që krijoi këtë shtet. Që të gjithë neve patmë nderin të depozitojmë nga një kurorë mi varrin e tij, i cili ish aq i varfër sa dhe simple 

     Ndërsa të pranishmit në kuvendin e “Vatrës” prisnin të dëgjonin se çfarë kishte thënë Ëilsoni për Shqipërinë, Noli zgjatej duke folur për mënyrën sesi i kishin pritur atë dhe delegatët e tjerë. Por Noli nuk kishte faj këtu, se atij me të drejtë i kishin bërë përshtypje të madhe nderimet me të cilat u pritën nga qeveria amerikane aid he përfaqësuesit e tjerë të kombeve të shtypur, të cilët nuk përfilleshin nga qeveritë e fuqive të mëdha amerikane. Sipas zakonit amerikan, Wilsoni kishte krijuar një atmosferë familjare për të ftuarit, jo vetëm duke i pritur bashkë me familjen e tij, gruan dhe vajzën, por edhe duke u përfshirë ato në bisedat me të ftuarit, kuptohet në pjesën jozyrtare të aktivitetit. Por nga mënyra si flet Noli kuptohet se kjo atmosferë familjare e krijuar nga njeriu më i fuqishëm i botës, kishte ndikuar që delegatët e ndrojtur të kombeve të shtypura të shpreheshin lirshëm. Noli në këtë udhëtim pati rastin që të takohej dy herë me Wilsonin. Herën e parë gjatë qëndrimit në Malin Vernon dhe herën e dytë gjatë rrugës së kthimit në jaht. Në këtë takim të dytë, u fol më tepër për Shqipërinë. Në të njëjtin fjalim para Kuvendit të “Vatrës” Noli thotë për këtë ngjarje:

     Kur u kthyem nga Mali Vernon pata rastin e mirë të fjalosem me Presidentin Ëilson, të cilit i thashë që po të mbretërojnë ato parime që deklaroi në fjalën e tij, s’ ka dyshim që edhe Shqipëria do të fitonjë të drejtat e saj.

    Parimet që u shprehën në fjalimin e Presidentit Wilson ishin të tillë që bota nuk i kishte dëgjuar kurrë deri në atë kohë. Wilsoni shpalli se bota duhet të rregullohej mbi bazën e parimeve mbi të cilët ishte ndërtuar SHBA nga etërit themelues. Wilsoni tha:

“Ky është koncepti i luftës së madhe në të cilën ne jemi angazhuar.”

     Nga të katër pikat, ajo e dyta ishte më e rëndësishmja për shqiptarët:

     “Zgjidhja e çdo çështjeje, qoftë kjo territoriale, e sovranitetit, rregullime ekonomike, ose lidhje politike, mbi bazën e pranimit të lirë të zgjidhjes nga popujt e interesuar drejtpërdrejt dhe jo mbi bazën e interesave material ose të avantazheve të ndonjë shteti ose populli tjetër, që mund të dojë ndonjë zgjidhje të ndryshme për hir të zgjerimit të influencës ose sundimit të tij.”

    Nëqoftëse do të ndodhte kjo do të ishte një përmbysje e madhe në mënyrën sesi bëhej politika e jashtme botërore dhe Noli me të drejtë i shprehu njëfarë dyshimi Wilsonit se një gjë e tillë mund të ndodhte vërtet. Kuptohet, Noli nuk kishte dyshime te Ëilsoni, por te liderët e fuqive të mëdha europiane, të cilët kishin parime krejt të ndryshme. A e dinte Ëilsoni se do të ndeshte kundërshtime të mëdha prej tyre, kur të vinte do të këmbëngulte Wilsoni për të zbatuar parimet e tij? Kjo pyetje e heshtur gjendej në sytë e Nolit, kur bisedonte me Wilsonin dhe ky i fundit e kuptoi këtë gjë. Dhe Noli kishte prekur shqetësimin që e brente Ëilsonin, i cili e dinte se në Konferencën e Paqes e priste një luftë dhëmb për dhëmb me liderët e fuqive të mëdha europiane, të cilët donin që ta ndërtonin paqen mbi parime të tjera, të zonave të influencës, sundimit kolonial etj. 

    Nëqoftëse pjesa më e madhe e përfaqësuesve të kombeve të shtypura flisnin me përkthyes me Wilsonin, dhe të tjerët flisnin një anglishte të thyer, bashkëbiseduesi shqiptar fliste me Wilsonin anglishten e Harvardit ku kishte marrë diplomën pak kohë më parë. Wilsoni, ish-Presidenti i Universitetit Princeton dhe i diplomuari Universitetit “John Hopkins”, që sigurisht i vëzhgonte njerëzit edhe me syrin e studiuesit dhe njeriut me kulturë të madhe, nuk e pati të vështirë të dallonte te Noli njeriun e madh që përfaqësonte një popull të vogël. Ishte ky një kombinim perfekt për të zgjuar simpatinë e Wilsonit, i cili si politikan ishte i dashuruar me kauzat e vendeve të vogla dhe të pafuqishme, dhe si akademik nuk mund të mos kishte simpati për njerëzit me kulturë të madhe, të cilët e dallojnë lehtë njëri-tjetrin, edhe kur kalojnë vetëm pak kohë bashkë. Prandaj Wilsoni nuk u fye nga mosbesimi i shprehur prej Nolit por e e pa si detyrim që t’ i thoshte diçka më tepër atij, si shpjegim. Noli thotë për vazhdimin e bisedës:

     Më tha që ato parime do të mbretërojnë se për to lëftojmë.

    Në këto fjalë të bën përshtypje se Wilsoni tha “lëftojmë”, domethënë e llogariti edhe Nolin si bashkëluftëtar, megjithëse Shqipëria nuk ishte aleate e Amerikës në këtë luftë botërore, dhe në përgjithësi nuk ishte e rreshtuar me asnjërën palë ndërluftuese, por ishte bërë arenë e luftës së ushtrive të dy palëve. Por duket se në këtë çast Ëilsoni iu drejtua Nolit si amerikan, pra i kërkoi që të kishte besim si amerikan, për kërkesën që i kishte bërë si shqiptar. Ky ishte një respekt i veçantë që Wilsoni po i bënte këtij shqiptaro-amerikani të shquar, i cili në fakt nuk e kishte marrë akoma shtetësinë amerikane.   

     Kur Ëilsoni takoi Nolin, nuk mund të thuhet se presidenti amerikan ishte pa njohuri për Shqipërinë. Gjatë mandatit të parë të Wilsonit si president, një ambasador amerikan në Ballkan, George Fred Williams, kishte dhënë dorëheqje si protestë për trajtimin e shqiptarëve. Në Amerikë presidenti e ka për detyrim ta presë një ambasador që bën një gjest të tillë, sepse ambasadorët janë përfaqësues të kryetarit të shtetit. Gjithashtu, Wilsoni patjetër që kishte dëgjuar për Shqipërinë nga miku dhe këshilltari i tij, Charles Crane. Para takimit me Wilsonin Noli e shikonte si plotësisht të errësuar fatin e Shqipërisë. Nga ky takim Nolit iu duk se:

     Atë ditë fati i Shqipërisë ish m’ i ndriçuar.

     Atmosfera familjare e krijuar qëllimisht për të ftuarit nga Presidenti Ëilson, i dha kurajo Nolit duke e bërë që gjatë rrugës së kthimit me jaht për në Ëashington, të hynte në bisedë edhe me zonjën Wilson, duke lobuar edhe pranë saj për Shqipërinë. Noli tregon për këtë në kuvendin e “Vatrës” po atë ditë:

     M’ u duk për mirë që t’ i flisnja dhe zonjës Ëilson. Kur u afëruam afër kryeqytetit, pashë që Zonja e Presidentit ish më nj’ anë dhe kish kthyer sytë në bregonjat anës lumit. Iu afrova dhe i thashë:

    “Zonjë, Shqiptarët më kanë porositur që t’ ju lutem që të kujtoni Shqipërinë, një vënt aq i varfër, pa miq dhe pa nonjë përkrahje. Po nuk qajnë për urinë dhe mjerimet që heqin, po për humbjen e saj.”

“Po, më thotë. Na vjen shumë keq për kombësitë e vogla si Shqipëria, Belgjia e të tjerat.”

“Situata jonë zonjë, i thashë, është shumë e koklavitur dhe e trazuar.”

     Nga mënyra se si iu përgjigj Fan Nolit zonja Wilson kuptohet se ajo kishte dijeni për Shqipërinë dhe problemet e saj. Meqënëse z. Charles Crane ishte mik i familjes Wilson ajo sigurisht që kishte dëgjuar prej tij për aventurën e tij në Shqipëri në 1911, dhe për nismën që ai ndërmori për një fushatë ndihme humanitare në Shqipëri. Noli e kuptoi këtë gjë, ose ndoshta ishte informuar dhe madje ishte nxitur nga vetë zoti Crane, i cili ishte shumë i njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, prandaj mori guximin që ta zgjaste bisedën me Zonjën e Parë të SHBA, duke bërë provë që t’ i shpjegonte asaj se ku qëndronte komplikimi i situatës në të cilën gjendej Shqipëria. Për fatin e mirë të Fan Nolit dhe të Shqipërisë, Presidenti Wilson iu bashkua atyre të dyve dhe Noli pati përsëri rast të fliste me të për Shqipërinë. Ja tregimi i Nolit:

     Presidenti Ëilson, i cili po fjalosej me një dipllomat afër neve, u kthye dhe më thotë: “Me të vërtetë është shumë e koklavitur.” Atëherë unë mora kuxim dhe i thashë: “E vetmja shpresë për Shqiptarët është Amerika dhe ju, z. President.”

“Unë, u-përgjegj ay, do të kem vetëm një zë në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë.”

    I thashë që ay zë është i mjaftë për Shqiptarët dhe ata do të jenë vdekërisht të gëzuar dhe fare të shigurtë për të drejtat e tyre.

    Sidoqoftë Noli e arriti atë që donte duke marrë nga Presidenti amerikan të shprehur qartë atë premtim që dëshironte të dëgjonte prej tij. Dhe Noli i besoi në çast Ëilsonit. Sepse Noli i njihte tanimë amerikanët dhe e dinte se ata nuk e kishin zakon që të gënjenin kur jepnin fjalën për të bërë një të mirë për të cilën nuk kishin ndonjë interes dhe nuk përfitonin gjë, përveç ndjenjës se kishin bërë një vepër të mirë. Në raste të tilla amerikanët nuk jepnin premtime kur nuk kishin ndërmend ta bënin atë gjë që iu kërkohej atyre. Fjalët e Wilsonit, të përcjella nga Noli u bënë legjendare në Shqipëri. Mund të merret me mend se sa xheloz është bërë për Nolin dhe si e ka mallkuar ai diplomat me të cilin ishte duke biseduar Presidenti amerikan, që u shkëput prej tij, sepse i tërhoqi vëmendjen tema e bisedës së bashkëshortes së tij me Nolin. Duke qenë se sigurisht ky diplomat i akredituar në Washington nuk e njihte Nolin, të cilin nuk e kishte parë kurrë, me siguri që ka menduar se duhet të jetë një njeri shumë i rëndësishëm që e tërhoqi kështu dy herë vëmendjen e Ëilsonit. Në përfundim të bisedës Wilsoni si me shaka i dha dhe një këshillë Nolit, që t’ ua përcillte bashkëkombasve të tij:

     Me nënqeshje kryetari i Amerikanëve më tha: “Jo, mos ia u thuaj pikërisht ashtu Shqiptarëve se ahere ata do ta lënë punën e tyre në gjumë. Duhet ata paskëtaj të punojnë ca më tepër se kurdoherë”.

     Me këtë Wilsoni donte që me anë të Nolit t’ u jepte shqiptarëve një mesazh se nuk duhet të rrinin duarkryq dhe të prisnin nga bota që ta begatonte shtetin e tyre, pasi e kishte shpëtuar atë. Amerika do t’ u ndihmoj për të shpëtuar shtetin tuaj nga coptimi, poi u thoshte Wilsoni shqiptarëve, por këtu nis puna juaj, dhe ju pas kësaj duhet të punoni shumë për ta begatuar atë, madje më tepër se ç’ po bëni përpjekje për ta shpëtuar. Kjo këshillë e dytë e Wilsonit vlen për shqiptarët edhe sot e kësaj dite. Në Tiranë ka një statujë të Wilsonit, por atje duhet të ishin shkruar këto fjalë që ai tha si porosi për shqiptarët. Noli, me përshtypje akoma të freskëta nga takimi me Wilsonin, iu tha po atë ditë delegatëve të kuvendit të “Vatrës”:

     Por munt t’ ju thom Zotërinj delegatë: Kur i thashë që ju Z. President munt ta shpëtoni Shqipërinë, ia thashë jo vetëm me gojë po me tërë veten dhe në grykë ndjeva një lëmç të pagëlltitëshmë, se më në funt dolla përpara njeriut që me të vërtetë munt të shpëtonjë Shqipërinë po të dojë.

     Noli ishte i vetëdijshëm se ky ishte një çast historik për të dhe për Shqipërinë. Në këtë çast Nolit i duheshin përpjekje të mëdha për të mposhtur emocionet që e kishin përfshirë në mënyrë të natyrshme, pasi edhe ai vetë nuk e besonte dot se gjendej përballë njeriut më të fuqishëm të botës, i cili ishte gati ta dëgjonte atë t’ i fliste në emër të shqiptarëve. Për një njeri si Noli që kishte ardhur në Amerikë me mundime të mëdha, dhe atje kishte bërë përpjekje të mëdha për të mbijetuar dhe për t’ u shkolluar, takimi dhe biseda me Ëilsonin ishte njëlloj sikur t’ i fliste Statuja e Lirisë dhe t’ i bënte një premtim për Shqipërinë.

     Siç e dimë të gjithë nga historia, Ëilsoni e mbajti fjalën që iu dha shqiptarëve nëpërmjet Nolit. Fan Noli do të tregonte përsëri me emocione të mëdha për këtë takim, në fjalimin e mbajtur në parlamentin shqiptar në 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së Presidentit Ëilson, kujton takimin me të. Tanimë akti i Ëilsonit në dobi të Shqipërisë ishte i njohur për të madh e të vogël në vend dhe Ëilsoni kishte fituar mirënjohjen e çdo shqiptari. Dita e vdekjes së tij ishte një ditë zie për shqiptarët dhe parlamenti shqiptar mbajti zi zyrtarisht për vdekjen e tij. Duke përkujtuar gjestin e Ëilsonit në dobi të Shqipërisë, Noli iu tregoi deputetëve për takimin:

    E kam njohur këtë kalorës të kohëve në një kohë tragjike, më 4 të korrikut 1918, në Yacht-in Presidencial “Mayflower”, ku i rrethuar prej kabinetit, prej trupit diplomatik dhe prej përfaqësonjësve të racave të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, shkonte te varri i Ëashingtonit për të prononcuar të parin diskors luftëtar. Ahere iu afrova dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj ment sikur po e dëgjon sot: “Një zë do të kem në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”.

Në këtë çast Noli u duartrokit nga të gjithë deputetët e parlamentit shqiptar, pa dallime partiake. Le të mos harrojmë se jemi në shkurt 1924, kur konflikti politik në vend kishte arritur kulmin, pas pak ditëve në parlament do t’ i bëhej atentat kryeministrit Ahmet Zogu, pak muaj më vonë do të shpërthente në vend një revolucion, dhe palët politike që ishin gati në çdo çast për të nisur luftën me njëra-tjetrën, bashkoheshin befas për të duartrokitur për Wilsonin! Presidenti amerikan i vdekur kishte fuqi t’ i bashkonte deputetët shqiptarë që ishin gati të vdisnin se të bashkoheshin për ndonjë gjë me kundërshtarët e tyre.

     Noli në takimin e vetëm që pati me Wilsonin, nuk mund të mos e vëzhgonte atë edhe me syrin e shkrimtarit të madh, të aftë për të zbuluar cilësitë e veçanta të personazheve historike. Në këtë këndvështrim, Noli jep këtë përshtypje për Wilsonin:

     Në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu mistiki iluminuar, i dërguar prej Perëndisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Françeskut.

     Më pas, shumë presidentë dhe kryeministra të Shqipërisë kanë pasur rastin të takohen me presidentët amerikanë, por takimi i Nolit me Wilsonin në 1918 mbetet akoma më i rëndësishëm se të gjithë këto takime. Ishte një fat i madh për Shqipërinë që njeriu të cilit i takoi t’ i përfaqësonte shqiptarët para Wilsonit, duke u bërë kështu shqiptari i parë dhe ndoshta i fundit që takoi Wilsoni në jetën e tij, dhe nëpërmjet të cilit presidenti amerikan, formoi një opinion për shqiptarët, ishte pikërisht Fan Noli. Kështu Wilsoni i njohu shqiptarët nëpërmjet një njeriu me formim perëndimor, me kulturë të madhe, me aftësi të mëdha prej oratori. Në 4 korrik 1918 një përfaqësues i shqiptarëve kishte rastin për herë të parë të fliste me Presidentin Wilson për çështjen e Shqipërisë dhe këtu zuri fill shpëtimi i Shqipërisë. Janë të rralla çastet e tilla historike si ky në marrëdhëniet e vendeve të vogla me vendet e mëdha. Nuk ka asnjë çast të ngjashëm në historinë e Shqipërisë, që një përfaqësues i shqiptarëve të jetë trajtuar nga lideri i një fuqie tjetër të madhe, ashtu siç u trajtua Fan Noli nga Wdrow Wilsoni.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ndricim Kulla

KUSHTETUTA E EVROPËS DHE SHQIPËRIA

July 25, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika

Pjesa e I

Evropa ishte emri i një vajze të bukur që, në një lëndinë diku në brigjet aziatike të Mesdheut, mblidhte lule kur Zeusi  me pamjen e një kau të mahnitshëm e rrëmbeu për t’a sjellë përgjithmonë në një tokë që ndodhej në veri të detit që do t’i jepte qytetërimit emrin e tij, ashtu sikurse ajo tokë do të merrte emrin e vajzës së zgjedhur të Zeusit.

Kështu legjenda na shpjegon origjinën e emrit të kontinentit ku bëjmë pjesë gjeografikisht e të cilin, për kohë shumë të gjata që herët e kemi zënë në gojë si Vendin nga do të na vinin liria, drita, qytetërimi, mirëqënia. Në përfytyresën kolektive të shqiptarëve në qindvjeçarë Evropa fillonte duke kapërcyer detin prej nga na vinte “bajlozi”, apo duke kaptuar malet që gjogu  i Kostandinit përshkonte për të sjellë Dhoqinën e “martuar larg”…Në terma konkrete gjeografike kjo përfytyresë çuditërisht përputhet me kufijtë që sot Evropa e Bashkuar ka në Jugë e Juglindje.

Më 29 tetor 2004, në Romën e lashtë të Qezarëve e të Papëve, në sallën e Horacëve e Kuriacëve, një nga më të bukurat e më të njohurat e Bashkisë së saj, 25 kryetarë shtetesh e qeverish, së bashku me ministrat përkatës të punëve të jashtëme, vunë firmat e tyre në një libër të trashë prej 450 faqesh që ishte Traktati Kushtetues i Bashkimit Evropian. Në atë sallë luksoze, përfaqësuesit e zgjedhur me votat e lira të popujve të Evropës, nëpërmjet firmave të tyre, i vunë çatinë godinës së nisur 47 vite më parë në të njëjtin mjedis ku Burra Shteti si Alçide de Gasperi, Konrad Adenaueri, Robert Shumani, Pol Anri Spaku etj. patën guximin dhe largpamësinë t’i hapnin themelet.

Ishin dashur mijëvjeçarë të mbushur me luftëra, shkatërrime, urrejtje mes bashkësive të ndryshme të kontinentit, republika, mbretëri e perandori të fuqishme të ngritura e të shkërmoqura nën vringëllimën e shpatave e malet e kufomave, deri në shifrën makabre të 30 milion viktimave të luftës së dytë botërore, për të bindur përfaqësuesit e shteteve të Evropës se kishte ardhur koha të kthehej fleta e historisë. Lufta, me të gjithë përbërësit e saj, duhej të fshihej si term nga praktika e shteteve dhe psikologjia e popujve evropianë e vëndin e saj duhet t’a zinte Paqja, si ide parësore, sipërore dhe e patjetërsueshme në marredhëniet mes tyre. Ky vendim shënonte fillimin e një epoke të re jo vetëm në marredhëniet mes popujve e shteteve të pjesës perëndimore të Kontinentit, por edhe ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve që drejtonin jetën e tyre politike, shoqërore dhe ekonomike.

Filloi kështu sendërtimi i idesë së bashkimit të Evropës, që kishte qënë synimi i Romës Perandorake, i Karlit të Madh, i Napoleon Bonapartit, por kësaj here jo nëpërmjet forcës së armëve siç ishin përpjekur t’a bënin ata. Kësaj here do të zotëronte forca e arsyes, që do të ngrihej mbi trashëgiminë shumë shekullore të armiqësive, mosbesimit, urrejtjes, interesave të kundërta, prirjeve për pushtim e mbizotërim, motive që kishin përcaktuar epoka të tëra luftërash shkatrrimtare. U hap kështu një periudhë kohe e gjatë në të cilën demokracia, e sajuar mbi dymijë vite të shkuara në Athinën e lashtë të Perikliut e të Platonit, do të gjente sendërtimin e saj në Evropën Perëndimore. Fatkeqësisht pjesa tjetër e saj, në lindje të Oderit e të Adriatikut deri në hapësirat e pamata të Azisë e brigjet e Paqësorit, do të kthehej në “Perandorinë e së keqes”, në një sistem që Paqen do t’a trumbetonte me bujë si një flamur të reckosur, për të ndërtuar një botë ku fjalët “luftë”, “dhunë”, “diktaturë” do të lakoheshin në të gjitha format e mënyrat, duke shkaktuar tragjedi të pafundme brezash e popujsh të tërë.

Kjo qe tablloja e Evropës së ndarë në mes nga muret dhe perdet e hekurta, ku armët nuk do të luanin më simfonitë e tyre të tmerrit, por ku lufta pa to do të vazhdonte e ashpër, “e ftohtë”, mes dy sistemeve shoqërore e mes dy mënyrave të konceptimit e të sendërtimit të botës. Ky qe përfundimi i marrëveshjever të fituesve mes tyre, e ndarjes së “plaçkës”, e shpërblimit që një sistem diktature gjakatare do të kishte për ndihmesën e dhënë për thyerjen dhe asgjësimin e një tjetër sistemi diktature, të ngjyrosur tjetër soj. Kjo “luftë e ftohtë” mes dy sistemesh që kishin idhtarët e tyre edhe në fushat kundërshtare vazhdoi deri në vitin 1989.

Atëhere komunizmi, i brejtur nga krimbi i paaftësisë për t’u përtërirë në ide e për të ndërtuar një ekonomi të qëndrueshme, në përputhje me parimet bazë të shkencës së saj, i infektuar në qelizat e tij nga urrejtja dhe dhuna e mbjellë e kultivuar për tre të katërtat e shekullit, u shëmb. Mbi gërmadhat e tij mbinë filizat e pemëve të lirisë së popujve të skllavëruar. Shpejt ata filiza do të rriteshin e zhvilloheshin, duke u pasuar nga ndryshimet e shpejta e rrënjësore në ecjen drejt modeleve të Shtetit të së drejtës, të demokracisë së zhvilluar, të kalimit nga varfëria në rrugën e gjatë e të vështirë drejt mirëqënies.

Rrëzimi i mureve dhe perdeve të hekurta i kujtoi evropianëve se ishin të gjithë banorë të të njëjtit kontinent, se ndanin së bashku historinë, kulturën, përparimin, se sfidat e botës së sotme e të ardhme i bënin thirrje të ecnin në të njëjtën rrugë, në atë të vlerave njerëzore të respektuara në Perëndim e të nëpërkëmbura në Lindje. Perëndimi i lirë dhe i kamur i kishte një detyrim moral Lindjes së skllavëruar e të varfër. Ai detyrim fillonte që në tryezat e Jaltës e të Teheranit e vazhdonte me vënien në jetë të vendimeve të tyre, që ishin sinonime të heqjes së lirisë e të drejtave njerëzore për popujt e Lindjes. Vazhdonte me indiferencën ndaj tankeve ruse në Budapest apo Pragë, me injorimin e gulagëve, të gjyqeve pa fund, të miliona viktimave, me përkrahjen e hapur apo nën rrogoz të regjimeve të diktaturës së kuqe si pasoje e Ost-politikës apo real-politikës, me marrëzinë e turmave shumëmilionëshe që mbushnin herë pas here sheshet e rrugët, duke mbajtur në dorë portretet e Çe Gevarës apo librushkat e Maos, duke sharë e mallkuar imperializmin amerikan, që në Vietnam, nëpërmjet gjakut të bijve të tij, mundohej të ndalonte sulmin e përgjithshëm komunist në botë.

Kështu Evropa që merrte frymë me dy mushkëri të ndara vendosi të bashkohej në një trup të vetëm, pa i vënë re me imtësi të gjitha detyrimeve të Traktatit të Mastrihtit që është Ungjilli ekonomik i saj. 29 tetori, mbas një majit të të njëjtit vit 2004, qe data e shënuar në historinë e Evropës që sanksionoi bashkimin e saj juridikisht, nëpërmjet një Kushtetute që do të shërbejë si ligji themeltar i saj.

Organizatorët e ceremonisë kishin menduar të ftonin jo vetëm përfaqësuesit e 25 vendeve firmuese por edhe ata të vendeve që presin të hyjnë si Rumania dhe Bullgaria ose të atyre që janë në paradhomën e bisedimeve si Turqia e Kroacia. Qëllimisht apo rastësisht ishin lënë jashtë kësaj ceremonie Shqipëria, Bosnja, Serbia, Kosova e Maqedonia, një lloj “trekëndëshi sunit” i Ballkanit, “fuçia e barotit” e Evropës Juglindore. Përfaqësuesit e këtyre Vendeve, që prej vitesh kanë shprehur vullnetin e synimin për t’u përfshirë në Evropë, nuk do t’a kishin prishur aspak dekorin e ceremonisë. Pjesëmarrja në të, qoftë dhe në rolin e vëzhguesit, do të kishte qënë një stimul për popujt e tyre, për të shtuar përpjekjet në rrugën e plotësimit të atyre kërkesave të domosdoshme për të “hapur” dyert e BE.

Si shqiptar, që jeton në Vendin organizator të ceremonisë së nënëshkrimit të Kushtetutës, mbeta keq kur, në më shumë se tri orë transmetim, dëgjova vetëm një herë emrin Shqipëri. E përmendi komentatori i njohur, shkrimtari italo-dalmat Enco Betica, kur diskutonte për problemin, aqë shumë të rrahur në opinionin publik evropian, atë të fillimit të bisedimeve për hyrjen e Turqisë në Evropë. Ishte fjala për aspektin fetar të problemit, që nxirrte si rrjedhojë dhe praninë e popullsisë myslimane në shumicë në Shqipëri e Bosnje, gjë që për mjaft evropianë përbën sot një shkëmb që frenon idenë e pranimit të këtyre vendeve në Bashkësinë.         

Në një artikull të ditëve të fundit në të përjavëshmen italiane Panorama, të titulluar “Mrekulli në Ballkan”, kushtuar përfundimeve të votimeve për Kuvendin e Kosovës, vlen të vihet në dukje qëndrimi polemik i shkrimtarit e publiçistit të mirënjohur karshi një pjese të shtypit Perëndimor që, kur bëhet fjalë për Kosovën dhe ndërhyrjen e NATO-s më 1999 në të, kërkojnë t’a paraqesin atë si një veprim që ka sjellë vetëm të këqia. Ja si shprehet Betica:

“ ….Veç asaj media të ndryshme perëndimore kanë vazhduar t’a përshkruajnë Kosovën si një Far West të Evropës: një pështjellje bandash kriminale, kontrabandistësh, luftëtarësh të UÇK-së, të kthyer në kusarë, shkurt, një tokë të dëshpëruar, pa emër, pa shtet, pa ligje.

Por nuk kanë parë, nuk kanë dashur të shohin anën tjetër të medaljes. Nuk kanë parë për shembull maturinë e shumicës së një popullsie, në pjesën më të madhe myslimane që, megjithëse e nëpërkëmbur prej së paku një shekulli nga zotërues të krishterë, nuk ka rënë kurrë në prehrin e fanatizmit fetar, nuk ka ngatërruar kurrë fenë me luftën politike. Rruga kryesore e kryeqytetit Prishtinë është emëruar Klinton avenue, si falënderim për ndërhyrjen e NATO-s, me nxitjen e amerikanëve, në mbrojtje të shqiptarëve. Së fundi nuk i është dhënë gjithë pesha që meritonte suksesit të jashtzakonshëm zgjedhor të një njeriu të ekuilibrit e të marrëveshjes si Rugova, të cilit shumica e kosovarëve i ripohoi besimin e saj me 45% të votave….”

Një objektivitet i tillë na jep shumë kënaqësi kur e hasim në opinionin publik të huaj. Sigurisht do të kishim qënë edhe më të kënaqur sikur në Kosovë të mos ishin djegur e shkatërruar kishat dhe banesat e serbëve në këto vite, megjithëse jemi të ndërgjegjshëm se ai vandalizëm është vepër e një pakice shumë të vogël të kosovarëve që nuk duhet marrë si masë vlerësimi e tyre, ashtu sikurse nuk merret ofensiva e organizuar në shkallë planetare nga një pjesë e vogël e botës myslimane, që gjen shprehjen e saj në veprime terroriste të papranueshme e të papërligjura. Por nuk mund të mohohet se këto veprime ndikojnë për keq e përcaktojnë atë opinion që kundërshton Betica e që, për fat të keq, është ai i shumicës së evropianëve.

Duke lënë mënjanë konsideratat për problemin konkret që, simbas mendimit tim, nuk duhet të paraqesë vështirësi të pakapërcyeshme, po të mbahet parasysh fakti se në vetë nenin 2 të Traktatit Kushtetues thuhet: ” Shpallet respekti i jetës private e familjare, të lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të besimit, përveç barazisë ndërmjet burrave e grave dhe së drejtës për t’iu drejtuar një trupi gjykues apo një gjykatësi të paanshëm.”, “mungesa” e Shqipërisë në panoramën evropiane është motiv shqetësimi. Kjo “mungesë” është e përcaktuar nga dy faktorë: imazhi i Vendit dhe interesi për të. Faktori i parë varet kryekëput prej nesh, i dyti më pak.

Imazhin e ndërtojmë jo vetëm nëpërmjet Shtetit, politikës e institucioneve të tij, por edhe përmes sjelljes së përditëshme si qytetarë, në Shqipëri apo kudo ku jetojnë shqiptarët. Deri para pesëmbëdhjetë vitesh Shqipëria deri diku ishte një e panjohur për opinionin evropian. E mbyllur në sprovën e saj frymëmarrëse të komunizmit enverist ishte lënë në harresën e përgjithëshme, në absurditetin e regjimit të saj. Ballafaqimi i parë i madh me botën e huaj qe 2 korriku 1990, kur mijra qytetarë shqiptarë mësynë ambasadat e Vendeve më të mëdhenj evropiano-perëndimorë e iu desh Sekretarit të përgjithshëm te OKB-së të vinte në Shqipëri, për të bindur Qeverinë shqiptare të lejonte largimin e nënshtetasve të saj në drejtim të Vendeve që kishin zgjedhur për të mërguar. Më pas mësymja e detit në perëndim dhe e kufirit tokësor në jugë nga turma shumë mijra vetësh i tregoi Evropës se shqiptarët ishin një popull i mbajtur në zinxhirë e me t’u hequr ata kishin vetëm një synim: të largoheshin sa më shumë nga Vendi i tyre. Sigurisht përshtypja e parë nuk ishte e pëlqyeshme. Më tingëllojnë ende në vesh fjalët e gruas së ish Ambasadorit të Italisë në Tiranë, zotit Kardili, që në një bisedë të rastësishme në Shkodër, në prag të së parës meshë mbas ndalimit me Kushtetutë të besimit, u shpreh: “ Ju doni të gjithë të largoheni nga Vendi juaj, po kush do t’a rindërtojë atë?” Ka shumë për të diskutuar për këtë temë por nuk është në synimin e këtij shkrimi…Ky këndvështrim i dukurisë i la shkas opinionistëve keqdashës të instrumentalizonin ngjarjet duke ngjallur dyshime e mosmirëdashje. 

Ja çfarë shkruante aso kohe regjizori i njohur italian Amelio edhe për filmin “ L’America” me subjekt pikërisht eksodin shqiptar:”…Ja Shqipëria, këta janë shqiptarët. Një popull i tërë i trumatizuar për dhjetëvjeçarë nga regjimi i kaluar i cili, të gjithë urrejtjen e grumbulluar kundër sistemit e shpreh me mohimin e atdheut dhe të origjinës së tij. Nuk kam takuar kurrë një shqiptar që, sinqerisht ose dhe me fjalë të jetë i lidhur me Shqipërinë…” Fjalë të rënda si shkëmbinj, përgjithësim i rasteve të veçanta me të cilat mund të jetë hasur autori, një tregues prirjeje për të paraqitur shqiptarët në një dritë të errët në sytë e opinionit publik italian e evropian. Do të quhej një shprehje bindjeje vetiake, e mund të pranohej edhe si një gjë normale, po qe se shtypi do të ishte i hapur edhe për opinione të kundërta apo të ndryshme nga ai. Fakt është se e përjavëshmja e së majtës “Avvenimenti” (Ngjarje), që kishte botuar artikullin, nuk pranoi të botonte përgjigjen time e në bisedën telefonike që pata me redaksinë, kjo e fundit u justifikua se ia kishte dërguar shkrimin tim z.Amelio…Domethënia ishte e qartë: rruga jonë për në Evropë do të ishte në të përpjetë…

Psikoza e mërgimit me çdo kusht u ushqye tërthoraz edhe nga strategjia e udhëheqjes komuniste që, në synimin të siguronte pushtetin në forma të tjera nga diktatura e hapur, nuk nguroi të bëjë çmos për të nxjerrë jashtë Vendit të gjithë ata që mendohej se mund të merrnin ndonjë copë prej tij. Interesa të mëdha e të vogla të pushtetarëve e kastës së tyre shtynin të përcillnin në Evropë dhe gjithë llumin e rrugaçërisë dhe të kriminalitetit sigurimas. Masa heterogjene që doli nga Shqipëria në vitet e para të ndrrimit të regjimit, me sjelljen e saj në Vende të ndryshme, përcaktoi dhe përshtypjet e para që popujt e Evropës krijuan për ne. Me keqardhje duhet të pranojmë se këto përshtypje nuk qenë të mira në sajë të akteve të rrugaçërisë, të përsëritura në mjaft Vende të kontinentit nga shqiptarët, nga prirja e mjaft prej tyre për të zgjedhur rrugët e lehta në fitimin e jetesës, nga shtypi që i jepte përparësi paraqitjes së këtyre dukurive, edhe nëse nuk ishin zotëruese në kontekstin e përgjithshëm të integrimit të tyre.    

Nga ana tjetër imazhi i Shqipërisë ndjente zbrazësinë dhe mungesat e theksuara që një klasë politike e improvizuar, pas komuniste me fjalë, komuniste në mendësi, shpaloste çdo ditë në qeverisjen e Vendit. E paaftë të kapte çastin politik apo e detyruar të zbatonte një skenar famëkeq e të paracaktuar, nuk pati as zgjuarsinë, as kurajon dhe as vullnetin të kryente ato reforma rrënjësore e të domosdoshme për të vënë bazat e zhvillimit, nëpërmjet thithjes së kapitaleve të mëdha të huaja, rrjedhojë e një politike largpamëse konçesionesh. Ballafaqimi me botën e huaj në këtë drejtim nxori në pah një klasë drejtuese që e shikonte gjithë strategjinë e praktikën e daljes së Vendit nga gjendja katastrofale, në të cilën ndodhej, jo nëpërmjet vënies në shfrytëzim të aftësive potenciale ekonomike të tij, por nëpërmjrt “lëmoshave”, në formën e ndihmave, që institucionet ndërkombëtare apo shtetet e huaja do t’i jepnin Shqipërisë. Bilanci i tyre mbas gati pesëmbëdhjetë vitesh është “avullimi” i më se një miljard dollarësh në asistencën e një populli pa punë, pagesat e një administrate të fryrë dhe pa rendiment, ndoshta dhe në xhepat e pushtetarëve. Këto para, që janë një barrë në shpinën e brezave të ardhshëm që duhet t’i paguajnë, nuk u përdorën për të krijuar pasuri, por për të ruajtur një gjëndje palëvizshmërie ekonomike që duket se e ka paralizuar Vendin. Ajo që ishte më e rëndësishmja dhe më e keqja në sytë e të huajve që vinin në Shqipëri, ishte ideja se haptas ose tërthoras, përfaqësuesit e Shtetit shqiptar, në pjesën e tyre më të madhe, krijonin përshtypjen se interesoheshin më tepër për të mbushur xhepat e tyre se sa për të ringjallur Vendin e tyre të paralizuar nga një gjysëm qindvjeti keqqeverimi. Vite më parë një imprenditor italian, mbasi kishte qëndruar dhjetë ditë në Shqipëri për të parë mundësinë e ndonjë investimi, kur u kthye më tha: “ Në Vendin tënd populli merret me politikë e politikanët me biznes.” Ishin një përgjithësim i goditur ato fjalë për realitetin shqiptar, që paraqiste një pamje aspak joshëse për kapitalin e huaj.                    

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Angjelina Nika dhuroi 300 libra për Bibliotekën e Vatrës

July 23, 2022 by s p

Anëtarja e Këshillit të Vatrës Angjelina Nika “Mjeshtër i Madh”, dhuroi 300 libra për Bibliotekën Shkencore të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA. E shoqëruar nga patrioti Alban Laska, në prani të Editorit të Diellit, koreografja Angjelina Nika bëri aktin human të dhurimit nga Biblioteka e familjes, me qëllim që t’u vijë në ndihmë studentëve shqiptarëe të huaj, kërkuesve shkencorë dhe hulumtuesve të ndryshëm. Libra të fushës së gjuhësisë, letërsisë, historisë, ekonomisë, albanologjisë, shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare, fjalorë të ndryshëm e periodikë të shtypit plotësojnë në cilësi shkencore Bibliotekën e Vatrës.

Federata Vatra e Gazeta Dielli i shprehin mirënjohje dhe falenderim të veçantë për këtë kontribut të jashtëzakonshëm me qëllim kthimin e Vatrës në një pikë referimi për komunitetin shqiptar e kërkuesit shkencor.

Filed Under: Analiza Tagged With: Angjelina Nika

DRAGHI, TRI MERITAT E NJË KRYEMINISTRI “JO POLITIK”

July 23, 2022 by s p

Nga ANTONIO POLITO/

Nuk mund të citohet “marsiani në Romë” I Ennio Flaiano-s, për të thënë se si Pallati e nxiti, e duartrokiti, e rekrutoi, pastaj shpejt e raskapiti e tani uron që të harrohet sa më shpejt. Nuk mundet sepse i hamendësuari “marsian”, pra Mario Draghi, është romak si pakë, studime në liceun Massimo me Giancarlo Magallin dhe në Sapienza me Federico Caffè. Është tifoz romanist, të valëvirur madje edhe para syve të deputetit të Vëllezërve t’Italisë, Lollobrigida, që njëherë pati guximin të shpallej lacial. Më shumë se Flaiano, pra, do t’i përshtatej “nuk ka profet në atdhe” që Jezui tha në Nazaret, përballë trajtimit të pësuar nga bashkëqytetarët e tij; por nuk do të dëshironja në një të nesërme t’isha i paditur se po e krahasoj me Krishtin, edhe se Farisejt e vunë në kryq.

Një gjë është e sigurtë: edhe Draghi, italiani më i ndritur që kishim, e shpresojmë t’a kemi për së shpejti në shërbim të Vëndit të tij, ka paguar ligjin më të pamëshirshëm të qeverive të bashkimit kombëtar. Ajo e tij zgjati një vit, pesë muaj e shtatë dit. Pesë ditë më pak se ajo e Montit. Pesë muaj më shumë se qeveria Andreoti, e lindur në ditën e rrëmbimit të Moros. Shtatë muaj më shumë se qeveria Letta më 2013. Por, shkurt, pak a shumë jemi gjithmonë aty: duket se n’Itali partitë nuk arrijnë t’i mbajnë besën marrëveshjeve të tyre të “gjëra” apo “shumë të gjëra” për më shumë se një vit, më të shumtën një vit e gjysmë. Pastaj “një dëshirë shpërndarjeje” e pakundërshtueshme i pushton dhe përmbys edhe më të mirët.

“Qeveria e më të mirëve” ishte quajtur ajo e Draghit: pak se ishte e vërtetë e pak për t’a vënë në lojë. Ndoshta për këtë e kanë quajtur “një neoliberist”, atë që si bankier qëndror në Frankfurt ka shtypur lumenj monedhash e si kryeministër në Romë erdhi me programin e të bërit “borxh të mirë”.

Por kishte pak për të tallur kur ajo qeveri lindi, në shkurtin e vitit që shkoi, dhe Italia e dyshes Conte-Arcuri po merrej me aguliçen e vaksinimeve që nuk mbinte, e kur u desh një gjeneral i alpinëve, i rekrutuar sa hap e mbyll sytë nga kryeministri i ri, për të imunizuar Vëndin. Sepse madje edhe në shqetësimin e sotëm, ndërmjet shkëmbimit të padivet e tradhëtive të ndërsjellta, është e vështirë të harrojnë ata që kanë mbështetur qeverinë Draghi në Parlament e jashtë tij, që së paku tri merita historike duhet t’i njohin atij: daljen nga tuneli m’i errët i pandemisë dhe i PPI, rifitimi i prestigjit ndërkombëtar për Italinë e të një roli drejtues n’Evropë, vendosmërinë e një vije evro-atllantike kundrejt mësyemjes ruse të Ukrainës, që në një vënd të përshkuar nga përrenj karstikë kundëramerikanizmi e filoputinizmi është në vetvete një gjysëm mrekullie. Partitë do të mund të krenoheshin, ndërsa duket se duan t’a harrojnë.

Ndoshta mallkimi i qeverive të bashkimit kombëtar, madje shkurt i politikës italiane, qëndron pikërisht në këtë: në vështirësinë-pamundësi për të menduar në terma Shteti. Deri edhe në mes të një shtrëngate të përsosur për Evropën, me luftën, inflaksionin, amullinë, rifillimin e pandemisë, kriza italiane është regjur nga një furrë djegieje e plehrave të Romës, nga taksistët e lejet e plazheve: çështje të një rëndësie të madhe, por jo çështje Shteti, për të thënë kështu.

Thuhet: ka qënë një nxjerrje jashtë organizmit të politikës të një “jo politikani”. Sigurisht që ka qënë. Ishte parë në veprim në lojën e Kuirinales, ndoshta Termopilat e vërteta të qeverisë Draghi, kur një rrugëtim që dukej krejt i natyrshëm, kalimi i një tekniku të madh, ish bankieri qëndror evropian dhe yll ndërkombëtar, nga Pallati Kixhi (kryeministria, shen. I përkthyesit) në Kodrinë (pallat presidencial, po ashtu), në fillim u ngadalësua, pastaj u sabotua, e së fundi u varros nga një aleancë e çuditëshme udhëheqësish e rrymash, të armatosur njëri kundër tjetrit, por në rastin konkret të bashkuar për t’i ndaluar një “të huaji” që të bëhej për shtatë vite, ai që do të ndante kartat në krizat e qeverive e në zgjedhjet e mëdha ndërkombëtare. Qe ai një kundërveprim i mirëfilltë i “kastës”, nëse do të mund të shpluhurosim një term që në një kohë u shpërdorua nga populistët e më vonë u përvehtësua përsosmërisht prej tyre në praktikat e tyre parlamentare. E askush nuk mund të ketë dyshime mbi faktin se ”mospranimi i madh” për Kuirinalen ka ndikuar jo pak mbi psikologjinë e njeriut Mario Draghi, për t’a kthyer atë mundësisht në më pak “politik” se më parë, mbas të kuptuarit se “politikanët” e profesionit e quanin atë një të huaj, të cilin e donin për të bërë një rreth, për t’u hequr atyre gështenjat nga zjarri e pastaj për t’i a dorëzuar harresës.

“Jo politikan” Draghi është, edhe dje në Parlament, në një ditë të pështjelluar si ajo e zgjedhjes së Presidentit e të nxehtë si ajo e Papeetes. Kishte qënë edhe pesë ditë më parë, kur ishte dorëhequr mbas përjashtimit të Contes që nuk pranoi t’i votonte votbesimin mbi “dekretin ndihma”. Çfarë do të kishte bërë një politikan? Do t’a kishte ekspozuar armikun e tij sfilitjes, do t’i linte detyrën të zbulonte kaosin e brëndshëm të Pesë Yjeve. Mbi të gjitha kurrë nuk do të dorëhiqej: Kokositja është shenja mbi shqytin e politikanit të rracës, siç e din edhe vetë Grillo. As nuk duhej të ndërtonte vetë një kafaz kushtesh, duke thënë se pa Pesëyjet, ose atyre që mbeteshin, nuk do të kishte vazhduar. Ndërsa, më së fundi, Draghi ka bërë një veprim “jo politik” por “institucional”: shkoi të jepte dorëheqjen në Kuirinale, sepse, siç e shpjegoi dje, mos mbajtja parasysh e mungesës së votbesimit të një përbërësi themelor të qeverisë, ishte njësoj sikur të mos mbante parasysh Parlamentin.

Nuk dua të shkruhem këtu në ndeshjen e lashtë për të vendosur se kush qeveris më mirë, politikanët apo jo politikanët. Secili le të mbajë të vetin. Por ai stil “whatever it takes” (të dalë ku të dalë), ajo mënyrë për të bërë gjërat që duhen bërë, ai humorizëm fshikullues, pak romak e pak anglosakson, vetëposhtërimi ironik i bankierit qëndror, zëmra e të cilit është e përsosur për një trapiant, se nuk është përdorur kurrë, ka përfaqësuar diçka në këta shtatëmbëdhjetë muaj edhe në Vëndin. Nuk do të shpjegohej ndryshe gjysmë kryengritja e shoqatave, e sipërmarrësve, kategorive, kryebashkiakëve, deri edhe në botën e sportit, për të mbajtur Draghin në Pallatin Kixhi. Ka një pjesë tek ne italianët që do të n’a donte më të pjekur, më veprues, më pak fjalëshumë e rrëmujaxhi, një pjesë e ne italianëve  që ngazëllehet, jo vetëm kur fitojmë medaljen e artë në Olimpiadë, por dhe atëherë kur arrijmë një hop rekordi në PPI n’Evropë, ose kur përfundojmë në krye të shkallëzimit të vaksinimeve në kontinent. Është një pjesë prej nesh që i jep rëndësi përmasës ndërkombëtare, për të cilën Draghi ka përfaqësuar shpresën e një stine të re, për suksese një herë, që të mund të n’a bëjnë ”krenarë që jemi italianë”. Pastaj, brënda secilit prej nesh, ka një pjesë që mendon vetëm në terma marrëdhëniesh italo-italiane, më shumë provinciale, sektare si në kohët e komunave dhe kambanoreve, e gatëshme të bëjë sherr për çfarëdo gjëje, e të verë interesin e ngutshëm e vetiak përmbi atë afatgjatë e të përgjithshëm. E kësaj pjese të ne italianëve  – t’a themi – Draghi i ka pëlqyer shumë më pak. Dhe partitë që e kanë varrosur, kanë menduar për votat e kësaj pjese, jo të pakta, duke thelluar goditjen. Zaten, për udhëheqës të vetëshpallur “populistë” si Salvini dhe Conte nuk do të kishte fyerje më të madhe  se sa thirrja popullit me të cilën Draghi ka përfunduar, pothuajse si një bejleg, fjalën e djeshme: “Un jam këtu sepse m’a kanë kërkuar italianët”. Populli, dihet, është gjë e tyre: e çfarë mendon së është ky bankier që e thërret për vete?

Pastaj ka një pjesë jashtë nesh, një pjesë e huaj, që në kohë lufte po bën gjithshka të nevojshme për të sabotuar brënda vijave armikun, madje edhe aleatët e armikut, e që mbas rënies së Boris Xhonsonit mund të festojë sonde dhe atë të Mario Draghit, burrit që i pari kërkoi Ukrainën në Evropë, duke e patur, që i pari ngriti problemin e çbllokimit të grurit ukrainas, duke e arritur. Vetëm koha do të n’a thotë nëse si e kur Russian Connection ka luajtur një rol në rrokullisjen e befasishme të ngjarjeve politike në këto javë.

Në këtë pikë pyetja është: çfarë mbetet nga Draghi? “Legasy”, për t’a thënë siç e ka shkruar në këto shtylla senatori Mario Monti, trashëgimia e qeverisë së tij e stili i tij i qeverisë, a janë të paracaktuara t’i mbijetojnë qeverimit të tij’? A do të ketë një ujë të bekuar zgjedhor? A do të ketë një parti të Draghit pa Draghin, ose një sferë Draghi, ose një rend dite Draghi, mbi të cilin të mund të vihet një kryq në kutitë e votimit kur të votohet?

Nëse është e vërtetë ajo që thamë se një rrymë opinioni reformiste, e moderuar, liberale e mbi të gjitha perëndimore, e ka gjetur veten në këtë një vit e gjysëm në orvatjen Draghi, do të thotë se një “shpirt i vogël skofiar” do të vazhdojë frymëmarrjen në politikën italiane. Makar mund të jetë ngjitësja ose perëndia mbrojtëse ose vetëm shkaku për të ngritur në këmbë një bashkësi të gjithë atyre që donin t’a mbanin këtë qeveri, më përndarësja e gjithë partive që braktisën qeverinë. Por-të themi të vërtetën- një gjë është rendi i ditës Draghi e një tjetër ishte qeveria Draghi. Reformat nuk predikohen, sendërtohen. ose nuk sendërtohen, humbet shpresa, e braktisen. Qytetarët harrojnë shpejt.. Dhe Churchill-i humbi zgjedhjet mbasi mundi Hitlerin. Nuk mund të përjashtohet një kundërveprim, një goditje kamzhiku, një përdredhje mbrapa e Vëndit. Ndodh kur ëndërrat thyhen dhe shpresat zhgënjehen. Secili për vetë e zoti për të gjithë mund të jetë vija e ecjes që do të ndjekë qeverinë Draghi, e kundërta e bashkimit kombëtar. Shpesojmë për jo, sepse kjo do t’a bënte traumën e sotme shumë më të rëndë, më të mbarsur me pasoja se sa duket tani.

“Corriere della Sera”, 21 korrik 2022    Përktheu Eugjen Merlika                 

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • 170
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT