Agim Baçi/
Shumica e studiuesve dhe filozofëve që janë marrë me komunikimin dhe me pasojat e propagandës në shoqëritë e sotme, qofshin fetarë apo jo, qofshin mbështetës apo kundërshtues të propagandës, bien dakord se përkeqësimi apo përmirësimi i shoqërisë gjendet i pasqyruar në gjuhën me të cilën komunikohet. Pra, nëse një gjuhë shfaqet “e sëmurë”, atëherë edhe shoqëria do ta pasqyrojë këtë lëngim, pasi është pikërisht gjuha që mbart më shumë se gjithçka tjetër frikërat, ngërçet, dëshpërimin e, sidomos, urrejtjen. Propaganda, e mbështetur te reagimet instiktive, nuk mund t’i frenojë këto lëngime që i vijnë shoqërisë së sotme, pasi për propagandën nuk vlen e djeshmja e aq më pak shqetësohet për atë që ëndërrojmë ne për të nesërmen.
Përballë mungesës së leximit të së djeshmes dhe paaftësisë për të projektuar të nesërmen, ne kemi nevojë që të gjejmë rrugën se si të ndërtojmë një urë mes fjalës dhe qëllimeve tona. Kjo nuk është aspak e lehtë në një shoqëri që funksionon nën pushtetin e frikës se mund të humbim atë që kemi. Ndaj, ringritja nuk mund të nisë nëse nuk fillojmë të besojmë se frika nuk duhet të na udhëheqë në jetët tona, pasi frika ushqen vetëm emocionet tona duke u kthyer në parathënien e humbjes sonë, sidomos të humbjes së shpresës.