• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Debati Bullgari – Maqedoni e Veriut nën lenten shqiptare

July 4, 2022 by s p

Nga Akri Çipa*/

Mbledhja e fundit e Këshillit Europian (KE) dështoi ta zhbllokojë rrugën integruese të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Për më shumë se dy vjet, të dy vendet kanë ngelur peng e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut, nisur nga konflikti për interpretimin e çështjeve historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare.

Teksa ka një përpjekje të orëve të vona për ta hequr veton dhe zhbllokuar procesin, binjakëzimi absurd i Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut në këtë stad të rrugëtimit drejt BE-së (binjakëzim i paargumentuar deri më sot nga Brukseli) ka shkaktuar një bllokim të pajustifikuar për Shqipërinë.

Shumë komente dhe analiza u shpenzuan në javët e fundit për procesin integrues të të dy vendeve. Pashmangshmërisht ishte kështu edhe për faktorin që përcaktoi zyrtarisht mungesën e progresit në këtë drejtim – mosmarrëveshjen e bartur ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, çuditërisht vazhdon mungojë një reflektim shqiptar në raport me substancën e debatit identitar ndërmjet dy vendeve, mbi të gjitha për impaktin që ka mbi interesat më të gjerë të shqiptarëve në Maqedoni dhe përtej.

Në gjithë këtë situatë, kryeministri Edi Rama mori kohët e fundit një pozicion përkrah Shkupit për tejkalimin e konfliktit me qëllim heqjen e vetos për rrugëtimin drejt BE-së. Megjithatë, nëse impakti më i drejtpërdrejtë aktualisht lidhet me ngërçin për fillimin e negociatave, nuk do të duhej të neglizhohej as thelbi dhe mbi të gjitha rezultati i mundshëm i një debati identitar në një shtet ku gati 30% e popullsisë (në mos më shumë) është shqiptare.

Debati ndërmjet Shkupit dhe Sofjes ka ardhur në një farë forme dhe më herët në Shqipëri, përpara se ta prekte drejtpërdrejt integrimin në Bashkimin Europian. Në vitin 2017, ligjvënësit në Shqipëri po punonin për një ligj mbi pakicat kombëtare dhe gjatë asaj kohe Bullgaria ushtroi trysni për njohjen e “minoritetit bullgar” në Shqipëri. Ky pretendim u kundërshtua nga minoriteti maqedonas në vend.

Kjo temë u përmend rishtazi edhe nga kryeministri Rama në kuadër të vetos bullgare, por duke ofruar një lavdërim të pakuptueshëm për zgjidhjen e atëhershme të “çështjes së minoritetit bullgar”. Kjo për faktin se një telefonatë ndërmjet tij dhe kryeministrit të atëhershëm bullgar Boyko Borisov, sikurse u pohua nga vetë kryeministri shqiptar, mjaftoi që të neglizhohej çdo lloj konsultimi faktologjik për ekzistencën ose jo të pakicës. Në mënyrë arbitrare u njoh një minoritet bullgar në Shqipëri, nën trysninë edhe të Komisionit Europian dhe madje edhe përkundër qëndrimit mospajtues të vetë kryediplomatit të atëhershëm të Shqipërisë.

Prandaj, pathosi i tanishëm i kryeministrit të Shqipërisë për të ndërhyrë në çështjen identitare ndërmjet dy vendeve të tjera të Ballkanit është më së paku i pavend. Mbi të gjitha, diçka e tillë nuk duhet të bëhet pa marrë parasysh implikimet e mëdha të debateve të tilla.

Rishtazi, profesori amerikan Edward Joseph nga Johns Hopkins University parashtroi në një shkrim në Foreign Policy idenë se për ta tejkaluar ngërçin ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, SHBA duhet të “afirmojë identitetin maqedonas”. Ai sugjeron që kjo të bëhet nëpërmjet një marrëveshjeje kulturore nën petkun e procesit të Dialogut Strategjik, të cilin SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut e njoftuan para pak javësh. Si shembull për referencë, Joseph merr Marrëveshjen e Prespës, në të cilën bëhet një diferencim i popullsisë për t’i ndarë banorët e shtetit, që u pagëzua me emrin Maqedoni e Veriut me banorët e rajonit të Maqedonisë antike.

Problemi është se — megjithëse profesori Joseph nuk e artikulon këtë në mënyrë eksplicite — një gjë e tillë do t’i vishte një identitet “maqedonas” vetë Republikës së Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare. Nëse në vetvete çështja identitare ndërmjet maqedonasve dhe bullgarëve i takon tjetërkujt për ta debatuar dhe zgjidhur, sugjerimi për ta imponuar këtë identitet “maqedonas” nga jashtë ndaj vetë shtetit nuk mund t’i anashkalojë shqiptarët. Këtu jo vetëm për shkak të natyrës thelbësore shtetformuese të faktorit shqiptar në Maqedoni, por edhe për hir të trendeve demografike.

Nisur nga shifrat, nuk është i paimagjinueshëm një realitet në të cilin, në censusin e radhës, maqedonasit e vetëdeklaruar të jenë ende komuniteti më i madh në Maqedoninë e Veriut, por jo komunitet shumicë. Largpamësia është në paraprirjen e një fakti të tillë dhe të pasojave që mund të ravijëzohen për shtetin, për komunitetin shqiptar, por edhe për gjithë rajonin.

Debatet dhe kundërshtitë e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut, sikurse dhe ato mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut më herët, ndikojnë jo vetëm në formësimin e marrëdhënieve bilaterale, por edhe në ndërtimin e realiteteve ballkanike. Për këtë arsye është pak shqetësuese mungesa e artikulimit të një pikëpamjeje shqiptare në raport me këtë debat. Mbi të gjitha kur marrim parasysh se, sikurse në rastin e Marrëveshjes së Prespës, shqiptarëve në Maqedoni u kërkohet përgjithësisht të luajnë një rol të dorës së parë në finalizimin e proceseve të ndërlidhura me zgjidhjet e konflikteve.

Largimi nga pushteti i ish-kryeministrit Gruevski dhe zhvillimet politike të viteve të fundit kanë parë krijimin e një realiteti politik të ri për shqiptarët e Maqedonisë. Në qasjen ndaj atij momenti, që ishte tepër delikat për vetë stabilitetin e Maqedonisë dhe të të gjithë rajonit, Tirana zyrtare tregoi një maturi për t’u admiruar dhe një aftësi brilante për të parë drejt së ardhmes.

Qëndrimi i Tiranës është zbehur disi kohët e fundit, ndoshta për hir të të ashtuquajturave nisma të bashkëpunimit rajonal, që po tërheqin më shumë vëmendje dhe energji sesa duhet. Në këtë moment kyç për Maqedoninë e Veriut, por dhe për të gjithë rajonin, duhet ripërtërirë ajo aftësi.

*Shkrimi është publikuar fillimisht në Sbunker.

Filed Under: Analiza Tagged With: Akri Cipa

ITALIANËT, PAQJA DHE HESHTJET MBI KRIMET E MOSKËS

July 2, 2022 by s p

Përktheu: Eugjen Merlika / Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA /

A do të gjindet shpejt a vonë n’Itali ndonjëri, i gatshëm për të harxhuar emrin e tij, duke quajtur disa gjëra me emrin e tyre? A do të gjindet gjithashtu, shpejt e vonë, ndonjë intelektual mendimtar, ndonjë aktor I njohur apo akademik, ndonjë kishtar i lartë, i njohur nga kronikat ose së paku ndonjë drejtues i bisedave televizive, i gatshëm për të folur qartë e për të thënë se ajo që autoritetet ruse janë duke kryer në Ukrainë, është diçka që para së sotmes vetëm Hitleri e Stalini kishin guxuar t’a bënin. Nuk flas për luftën që Putini ka shpërthyer më 24 shkurt. Lufta, dihet,  është një punë e ndyrë në të cilën nuk shkohet për së holli. Janë të shenjta orvajtjet për t’I dhënë ndonjë rregull, natyrisht, por duhet t’I përulemi faktit se, më të shumtën e herëve, këta rregulla lënë kohën që gjejnë. Asgjë dhe askush, përshëmbull, nuk do të jenë në gjëndje t’I ndalojnë një ndërluftuesi përdorimin e një arme t’ashtuquajtur “të ndaluar” (si bombat bistak rrushi që rusët në fakt I hedhin me lehtësinë më të madhe) përveç frikës se edhe kundërshtari mund të përdorë të njëjtën armë kundër atij.   

Por këtu bëhet fjalë për gjëra të ndryshme, që me luftën, me ndeshjet ndërmjet luftëtarëve, nuk kanë të bëjnë fare. Këtu bëhet fjalë për dhjetra e dhjetra rastesh të vrasjeve për hakmarrje të civilëve ukrainas të paarmatosur, jashtë çdo lloj ndeshjeje ushtarake në veprim. Të zhdukjeve n’asgjë (pra të vrasjeve të hamendësuara) të autoriteteve vendore të qyteteve ukrainase, të pushtuara me forcë nga Moska. Për një orvajtje të egër e rrënjësore shkombëtarizimi  të gjithë territoreve të pushtuara, në bazë të librave në gjuhën ukrainase të ndaluar e të shkatërruar, për ndalimin e arsimimit në shkolla simbas programeve të zbatuara deri tani, të heqjes së të gjitha mjeteve të komunikimit (radio, Tv, telefoni) e lidhje interneti që nuk janë ato ruse. E së fundi bëhet fjalë – për një mizori të papërfytyrueshme, të neveritëshme për çdo shpirt njerëzir – shpërnguljen në Rusi, nuk kuptohet se me çfarë qëllimi (thjesht për t’i hequr armikut fuqitë e s’ardhmes? Për t’i “riedukuar” Për t’i birësuar?) të mijra e mijra (dikush thotë se janë treqind mijë) fëmijëve ukrainas. Mbani parasysh: për secilin prej këtyre veprimeve të kryer nga autoritetet ruse ka shumë lajme të vërtetuar me hollësi, shumë prova të mbledhura në terren, shumë dëshmi të drejtpërdrejta, për të mundur të lindëte ndonjë dyshim i arsyeshëm mbi atë që është e dhëna qëndrore: në territoret e Ukrainës që pushton, Moska po vë në veprim një politikë të llojit gjenocidar që synon të fshijë në të vërtetë identitetin kombëtar t’atij populli. Një politikë krejtësisht e ngjajshme me atë që Gjermania zbatoi, për shëmbull, gjatë Luftës së Dytë botërore, në pjesën e Polonisë së pushtuar që ajo dëshëronte t’a bashkëngjiste. A nuk ka edhe sot Putini të njëjtin qëllim?

Mirë, por nëse kjo është e vërtetë, duhet thënë haptas, me zë të lartë e të fuqishëm se është e kotë, madje qesharake, që një Vënd të shpalosë në të gjithë rastet kujtesën e saj kundërfashiste, të kremtojë çdo vit “ditën e kujtesës” dhe “ditën e kujtimit”, të mos pushojë së kujtuari në çdo rast fajet e atij që kundër poshtërsive të totalitarizmit, tetëdhjetë vite më parë, “duhej të fliste por nuk foli”, për të vërejtur ndërkaq një heshtje thelbësore mbi atë që po ndodh në anët e Donbasit e rreth tyre.

Po, siç e keni kuptuar,ai Vënd është Italia. Jemi ne: Si është e mundur që biseda jonë publike, por edhe ajo kulturore e fetare (sigurisht, edhe ajo kulturore e fetare), e mësuar të frekuentojë të drejtat njerëzore, solidaritetin, drejtësinë, parapëlqen të flasë për “paqen”, por në fakt prej javësh vazhdon të mos thotë asgjë rreth krimeve që në shkallë të gjërë Rusia po kryen në Ukrainë? E vetmja shpresë për t’i ndaluar ata është ndërkaq që të flitet, që të flitet shumë (në mënyrë që, ndërmjet të tjerash, Shkëlqesia e Tij ambasadori Razov të njoftojë mjaftueshëm qeverinë e tij) e ndoshta të mos mjaftohet vetëm në të folur. Por madje edhe për t’uruar që organet e drejtësisë ndërkombëtare të punojnë më shumë për të mbledhur prova dhe emra të kriminelëve të dyshuar rusë, të përgjegjësve rusë, për t’i zvarrisur nesër në gjykim, siç ndodhi tetëdhjetë vite më parë në një qytet gjerman që të gjithë e dijmë si quhej.

“Corriere della Sera”, 25 qershor 2022   Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Themelet e shtetit të Kosovës janë ngritur mbi vendimin e delegatëve të 2 Korrikut 1990

July 2, 2022 by s p

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë

Mesazhi i Presidentes Vjosa Osmani me rastin e 32 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese

Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut të vitit 1990 shënon hapin vendimtar për realizimin e ëndrrës shekullore për shtetin e Kosovës.

114 delegatë të Kuvendit të Kosovës, atëkohë morën guximin që në rrethana dhe kushte të jashtëzakonshme nëpërmjet këtij akti heroik e juridik ta artikulojnë vullnetin e popullit të Kosovës për trajtim të barabartë.

Më tepër se tri dekada më parë, gra e burra patën guximin që Kosovës t`ia japin drejtimin e duhur, ta krijojnë bazën për subjektivitet të shtetit në ardhje, ndaj në këtë përvjetor falënderoj secilin që vuri një gur në projektin tonë historik për shtet.

Themelet e shtetit të Kosovës janë ngritur mbi vendimin e delegatëve të 2 Korrikut, ndaj sot Kosova është shtet i pavarur, i lirë dhe sovran!

Urime 2 Korriku!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!

Filed Under: Analiza

Përkujtohet veprimtari i shquar i arsimit shqip Ahmet Gashi

July 1, 2022 by s p

Bardhyl Selimi/

Shpesh edhe veprimtari “të vogla” si kjo që u organizua sot në sallën e kinemasë së Laprakës, Tiranë, tingëllojnë më fort se ato “zyrtare”. Familja e profesorit të nderuar Ahmet Latif Gashi, veprimtarit arsimor, atdhetar dhe shkencor, emrin e të cilit e mbajnë tashmë dy shkolla, një në Tiranë dhe një në Prishtinë, organizoi një takim me mësues dhe miq që kanë ndihmuar në dhënien e titullit “Nderi i Kombit” gjeografit të parë shqiptar, ish drejtorit të Normales së Elbasanit dhe nëndrejtorit të Institutit “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë, më vonë drejtor I Normales së Prishtinës (1944) “Sami Frashëri”,  e pjesëmarrësit të tre kongreseve arsimorë në vitet 1920, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës dhe më herët në atë për çlirimin e Prishtinës më 1912.

Përveç një pjesë të kolektivit të mësuesve, ishin edhe ish nxënës të profesorit në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, profesorë dhe publicistë nga Kosova, pasardhës të mësuesve që shkuan të jepnin mësim në Kosovë gjatë viteve 1941-1944.

Djali i profesorit shpërndau, në emër të familjes, “Mirënjohje” personale dhe i njohu të pranishmit me disa nga momentet kryesore të jetës së të atit. Drejtori, Luigj Marku, përshëndeti në emër të kolektivit të mësuesve. Ish ministri i arsimit të Kosovës (2000-2004), prof. Rexhep Osmani, foli për bashkëpunimin midis dy shteteve tona për unifikimin e sistemit arsimor. Profesor Jusuf Osmani, ish drejtor I Arkivit të Kosovës dhuroi kompletin prej shtatë vëllimesh të veprës së tij “Muhaxhirët e Nishit, 1877-1878”. Ish mësuesi n ga Shtimja, Banush Imeri, dhuroi librat e tij të fundit kushtuar ish mësueve të parë të shkollës shqipe në vendlindjen e tij, bashkëshortëve Shpendi, që përfaqësoheshin sot nga e mbesa. Zoti Behadin Rexhepi solli shumë kopje të numrit të parë të revistës “Zëri I Gjimnazistit”, botuar nga gjimnazi “Ahmet Gashi” në Prishtinë. Përshëndeti, në emër të ish nxënësve, zoti Bedri Alimehmeti, kurse doktori I shkencave filozofike, Laurant Bica, evidentoi, ndër të tjera, kryeveprën e prof. Gashit, Hartën Etnike të Shqipërisë, për të cilën, në kohën e mbretërsië, autoritetet e Beogradit I ofruan shuma të mëdha parash vetëm mos ta botonte.

Veprimtaria u zhvillua e qetë, pa pompozitet, pa praninë e gazetarëve apo të ndonjë përfaqësuesi të shtetit, por, me siguri, jehona e saj do përhapet shpejt në mbarë vendin, nga ata që ishin të pranishëm.

Filed Under: Analiza, Emigracion

KOSOVA PARA 32 VITEVE: DEKLARATA KUSHTETUESE PËR PAVARËSI E 2 KORRIKUT 1990

July 1, 2022 by s p

-Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i LDK paralajmëronte dhe përshëndeste Deklaratën për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990/

-Në ditën e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990 gazeta tradicionale Rilindja doli me mbështetje të fuqishme, edhe me komentin “Reprizë nuk do të këtë” pasuar me redaksionalin “Fillim i së nesërmes”. Autor i të dy shkrimeve atëherë redaktori i Rilindjes – tash korrespondenti në Kosovë  i Gazetës DIELLI/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 1 Korrik 2022/ Kosova para 32 viteve shpallte pavarësinë.

“Duke u nisur nga vullneti i shprehur vendosmërisht anembanë Kosovës nga ana e shumicës së popullsisë së Kosovës…” Kështu fillonte  Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, e cila shpallte pavarësinë e Kosovës, që atëherë nuk u njoh ndërkombëtarisht, megjithatë ishte dhe njihej si deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik.

“Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë”, theksonte në fund në pikën e pestë Deklarata Kushtetuese.

“Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike…”, theksohej në vendimin historik, që merrej në seancën para dyerve të mbyllura e snajperëve në rrethana të shtetrrethimit ushtarako-policor që kishte vendosur regjimi i Beogradit, pasi me “kushtetutën e tankeve” në marsin 1989 kishte suprimuar autonominë që kishte Kosova element konstituiv i federatës me të drejtë vetoje me Kushtetutën e vitit 1974.

 “Deklarata Kushtetuese është hapi i parë drejt pavarësisë së Kosovës, që u ndërtua me Lëvizjen paqësore për çlirim, ndërsa kulmoi me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’u realizuar e plotë në 17 Shkurt 2008”, shprehet nënkryetari në kohën e 2 Korrikut 1990 e pastaj edhe kryetari i Kuvendit, Ilaz Ramajli.  Ai udhëheqte Kuvendin e Kosovës kur miratoi Kushtetutën dhe më të shpalli Kosovën Republikë në një mbledhje në Kaçanik në 7 Shtator 1990, edhe kur u mbajt Referendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur nga 26 deri 30 Shtator 1991, në të cilin pro votuan 99,87% në pjesëmarrjen masive të 87,01% të qytetarëve me të drejtë vote.

Skenari i delegatëve të Kuvendit të Kosovës për aktin historik të 2 Korrikut të para 32 viteve ishte: Seancën do ta udhëheqë Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, Deklaratën do ta lexojë Muharrem Shabani nga Vushtrria…dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre…

Delegati që e lexoi Deklaratën Kushtetuese të Pavarësisë së Kosovës, Muharrem Shabani, kujton:
“Ishte marrë qëndrimi që unë ta lexoj Deklaratën. Më thanë kolegët delegatë të ulem afër një shtylle te hyrja e poshtme e ndërtesës së Kuvendit, që të mos më rrokte ndonjë plumb, sepse snajperistët shiheshin mbi ndërtesën Bankës së Kosovës, që tash është kjo ku jemi e Qeverisë së Republikës së Kosovës…Snajperistë kishte edhe në ndërtesa tjera përreth. Por, kishim vendosur që me çdo kusht ta shpallnim Deklaratën Kushtetuese, dhe qëndruam pa u ulur. Lexuam, miratuam dhe nënshkruam Deklaratën. Rreth nesh ishin edhe qytetarët, kishim përkrahjen e madhe të popullit…”

 Në prag të ditës së Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të Kosovës të 2 Korrikut 1990, të dielën e 1 Korrikut, në gazetën tradicionale të Kosovës Rilindja isha redaktori kujdestar për ngjarjet e ditës.

Në atë ditë të 1 Korrikut 1990 pjesë e sulmeve të Serbisë kundër Kosovës e shqiptarëve ishte edhe një “referendum për Kushtetutën e re serbe” të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpallja e “shtyerjes” së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmërur për 2 Korrik, e për të cilën përfaqësuesit e popullit-delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për Deklaratën Kushtetuese…

“Shtyrja” shpallej si vazhdimësi e bllokimeve e ndërprerjeve të punimeve të Kuvendit të Kosovës…“Reprizë nuk do të ketë”, me këtë titull shkruajta komentin në mbështetje të delegatëve që të mbahet gjithësesi mbledhja e Kuvendit me axhendë vullnetin e kërkesat e popullit – Deklaratën Kushtetuese për pavarësi të Kosovës.

Në koment mes tjerash shkruaja:

“Kurdo që të mbahet kjo mbledhje, një gjë është e sigurt: Kuvendi i Kosovës është i popullit dhe në të mund të vendoset vetëm sipas vullnetit e kërkesave të popullit. Asnjë shtyerje nuk mund të ndalë realizimin e këtyre kërkesave e këtij vullneti gjithpopullor, të shprehur me urti e vendosmëri, në qetësi paqësore e në frymim të thellë demokratik në çdo mjedis në Kosovë.

Kjo është garanci se reprizim të skenarit të vjetmë të dramës tragjike e të humbjes së autonomisë në Kosovë nuk do të ketë as sot, as nesër, as kurrë më. Populli dhe përfaqësuesit e tij legjitimë – delegatët janë të vendosur që vetëm me urti e demokraci të realizojnë të drejtat dhe interest e veta jetike të patjetërsueshme.”

 Komenti u botua në numrin e 2 Korrikut 1990 të gazetës Rilindja, e cila që nga faqja e parë kishte raportime e shkrime me tiujt “Kosova duhet të ruajë subjektivitetin e vet në federatë”, “Populli vendosë në Kuvendin e vet”, “Kosova e re – sipas vullnetit të popullit”…

Në gazetën historike Rilindja raportohej se “vazhdojnë tubimet legale dhe protestat e shqiptarëve në Kosovë” dhe se “kërkesë unanime” ishte që mbledhja e Kuvendit të Kosovës “të mbahet sot dhe të ketë në rend dite kërkesat gjithëpopullore”. Poashtu raportohej se në Gjakovë përfundoi Kongresi i parë i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili përkrahu delegatët e Kuvendit të Kosovës edhe për iniciativën për shpalljen e Kushtetutës së re të Kosovës, e cila Kushtetutë e Repoublikës së Kosovës e miratuar në 7 Shtator 1990 pasonte Deklaratën Kushtetues të 2 Korrikut të po atij viti.

Deklarata Kushtetuese, bashkë me aktet e tjera madhore që e pasuan, Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit të po atij viti e Referendumin për Pavarësi të  ditëve të fundshtatorit 1991, shënonte kthesën historike drejt së nesërmes – të sotmes së Kosovës së lirë tashmë 23 vjet nga Qershori 1999, Kosovës shtet  14 vjet – Pavarësisë së shpallur në 17 Shkurt 2008, të njohur deri tani nga 117 shtete të botës, anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Delegatët kosovarë të 2 Korrikut 1990 kujtojnë e vlerësojnë mbështetjen e fuqishme që u dhanë në atë kohë gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja, me të cilën në duar u panë edhe në seancën ku e votuan e nënshkruan Deklaratën Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës, si dhe Radio Televizioni i Prishtinës.

 “Fillim i së nesërmes” ishte titulli i redaksionalit tjetër që kam shkruar në 2 Korrik 1990, duke qenë me delegatët në ngjarjen historike, të botuar të nesërmen në ballinën e gazetës tradicionale të vetme shqipe kosovare në atë kohë Rilindja, ku theksoja se, “Deklarata Kushtetuese e delegatëve të Kuvendit të Kosovës është deklarim i popullit për barazi e subjektivitet të plotë të Kosovës e të shqiptarëve… është fitore e akt historik i shprehjes së vullnetit gjithëpopullor demokratik, është fillimi i fundit të pabarazisë e padrejtësive…Kosova e re, ajo me rregullim kushtetues sipas Deklaratës të sapo aprovuar do të jetë një djep kombëtar dhe i bashkëjetesës për të gjithë, i të drejtave të plota…”

Deklarata Kushtetuese për Pavarësi të Kosovës e 2 Korrikut 1990 edhe këtë 32-vjetor e pret në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku para tre vitesh e dërgova  me këtë shënim bashkangjitur në një letër shoqëruese të veçantë:

“Kjo është Deklarata Kushtetuese e Kuvendit të Kosovës e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal që sapo u lexua e mora dhe e ruajë prej atëherë, kur edhe e kam cituar në redaksionalin që shkruajta për gazetën Rilindja me titull ‘Fillim i së nesërmes’ botuar në faqen e parë në numrin e 3 Korrikut 1990.  Prishtinë, 30 Maj 2019  Behlul Jashari”.

 Dërgimin e shumëmirëpritur të origjinalit të Deklaratës Kushtetuese në Pallatin e dokumenteve historike e kisha paralajmëruar në takime e komunikime me atëherë Kryeshefin Ekzekutiv të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Ramë Manaj dhe Drejtorët Hamit Shala e Ruzhdi Panxha, si dhe me Kryeinspektoren Dijana Dushullovci Haziri, e cila e mori në dorëzim.

Ku ta dërgoja ekzemplarin e Deklaratës Kushtetuese që ishte në duart e delegatit Maharrem Shabani që e lexoi në Kuvendin e Kosovës në 2 Korrik 1990 kemi biseduar me të dhe me udhëheqësin e Kuvendit në atë kohë, Ilaz Ramajlin…

 Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990, ekzemplari origjinal, për herë të parë është ekspozuar në një ekspozitë të Arkivit Shtetëror të Kosovës në 2 Korrik 2019. Deklarata Kushtetuese për Kosovën e pavarur e 2 Korrikut të vitit 1990, e cila më është dhënë në Kuvendin historik,  ishte e shkruar me makinë shkrimi vetëm në një faqe, në një letër, fotografinë e së cilës për botim për herë të parë e kam dërguar  në Agjencinë Shtetërore Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë – Agjencinë Telegrafike Shqiptare si korrespondent nga Kosova që nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste në rrethana të rënda okupimi, në të cilat President i  parë i Kosovës u zgjodh Dr. Ibrahim Rugova.

DR. IBRAHIM RUGOVA PARALAJMËRONTE DHE PËRSHËNDESTE DEKLARATËN PËR PAVARËSINË E KOSOVËS TË 2 KORRIKUT 1990

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, para zgjedhjes President, si kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një intervistë të botuar në 15 Prill 1990 në revistën “Fjala” në Prishtinë, duke komentuar debatet që zhvillohen në atë kohë thotë: “Ne si LDK pak më vonë do të dalim me një deklaratë kushtetuese që do të inkuadrohemi në këto debate për Kushtetutën e re”, duke paralajmëruar në këtë mënyrë Deklaratën e njohur Kushtetuese apo të Pavarësisë, siç do të quhet më vonë, të 2 Korrikut 1990, të Kuvendit të Kosovës.
Pak më vonë Presidenti historik Rugova do të deklarojë se, “pa shqiptarët si subjekt i barabartë politik nuk mund të ekzistojë as federata dhe as konfederata jugosllave” (“Hrvatski rubikon”, qershor Zagreb-Kroaci).
Në 2 Korrik 1990 në Prishtinë deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallin Deklaratën Kushtetuese. Rugova si kryetar i LDK-së, e cila tashmë tubonte rreth 700 mijë anëtarë, përshëndet dhe mbështet i pari këtë Deklaratë, duke e quajtur një dokument historik dhe Deklaratë për Pavarësinë.

ARKIV – 2 KORRIK 2018: RAMAJLI E HARADINAJ PËRGJIGJEN NË PYETJET E KORRESPONDENTIT TË GAZETËS DIELLI

Në 2 Korrik 2018 Kryetari i Kuvendit të Kosovës në kohën e viteve të 90-ta të zhvillimeve historike, Ilaz Ramajli, dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit, në konferencën për shtyp u janë përgjigjur pyetjeve të korrespondenit në Kosovë të Gazetës DIELLI.

PYETJA: Po prezantohem pak më ndryshe se tjera herë, si gazetari që kam qenë bashkë me delegatët në atë kohë para Kuvendit.

Prandaj, një pyetje kam për zotin Ramajli: Nuk ishte vetëm 2 Korriku, ishte edhe Kushtetuta e Kaçanikut e 7 Shtatorit po në 1990, pastaj Referendumi ku thuaja qind për qind e atyre që morën pjesë në votim votuan për Shtet Sovran e të Pavarur të Kosovës në atë kohë. Si i vlerësoni nga kjo distancë 28 vitesh ato tre ngjarje të mëdha historike?

Ndërsa për Kryeministrin e kam pyetjen: Cili është statusi i delegatëve të 2 Korrikut e 7 Shtatorit 1990 sot në shtetin e Kosovës?

PËRGJIGJIET:

Kryeministri Haradinaj: Faleminderit. Së pari Kryetari Ramajli.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramajli: Behluli ëahtë gjithmonë i interesuar për 2 Korrikun e 7 Shtatorin, duke pasur parasysh që ka marrë pjesë në  Mbledhjen e 2 Korrikut dhe është gazetari që e ka ruajtur tekstin origjinal të Deklaratës Kushtetuese.

Dhe, t’iu them, këto tre akte, sot ashtu i përmendëm, përbëjnë bazën kushtetuese-juridike të rregullimit të shtetit të ri – Republikës së Kosovës.

 Unë po shfrytëzoj rastin të përmendi që kemi mund t’i kryejme këto tre akte duke iu falënderuar një uniteti apsolut të faktorëve shqiptarë në Kosovë, 

të cilët pa asnjë hezitim dhe pa asnjë ekuivok e kanë përkrah punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Edhe me përkrahjen unanime të popullit ne i kemi kryer krejt këto punë.

Unë këte e potencova për shkak se besoj që Kosova në këtë kohë është në një situatë shumë delikate, siç na njoftoi Kryeministri janë në përgatitje edhe zhvillimi i diskutimitmeve për përmbylljen e raporteve, kontratës përfundimtare me Serbinë dhe disa çështje tjera.

Unë besoj duke u mbështetë në përvojën e viteve 90-ta edhe sot është i nevojshëm një unifikim apsolut i faktorit politik në Kosovë, edhe faktorit të institucioneve, ta quaj ashtu, për ta arritë qëllimin përfundimtar.

 Kryeministri Ramush Haradinaj: Faleminderit Kryetar.

 Sa i përket Statusit ka një iniciativë ligjore, ajo ndodhet tani në Parlament, është në fazën e një propozimi, pra koncept-dokumenti.

Mund të ndodhë që do të procedohet më tutje në seancë plenare si Ligj për statusin e delegatëve-deputetëve të vitit 1990.

Nëse kalon nga Parlamenti ne do ta përkrahim si Qeveri, ka një kosto që është modeste, kosto modeste vjetore.

Nëse jo, atëherë mund ta hartojmë ne një ligj, koncept-dokument për Statusin e delegatëve të atëhershëm edhe t’ia kalojmë Parlamentit.

Por, mendoj që është me rëndësi që kjo të ndodhë.

Qeveria e Kosovës, në këtë rast Qeveria që udhëheqi, në vitin që shkoi ka ndërmarrë një veprim të njëherëshëm, po ato nuk janë zgjidhje – këto të njëhershmet, ka qenë një urgjencë ashtu që me e mbulu, ta quajë ashtu, një vakuum të madh kohor pa përkujdesje.

Po shpresoj që do të kalojmë në ligj dhe nuk është ndonjë ngarkesë, po e përsëris është një ngakesë krejt modeste financiare për Kosovën, është më shumë një nderë që ju bëhet kësaj kategorie, që është shumë me rëndësi nderimi i atyre që në momentet kyçe kanë kryer detyrat e tyre në shërbim të vendit. Ju faleminderit!

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 173
  • 174
  • 175
  • 176
  • 177
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT