• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJË PYETJE (NEVE) PËR QËNDRESËN

June 23, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vend të përgjigjes me armë mësymjes ruse, ukrainasit të mos kishin lëvizur asnjë gisht e t’i kishin lënë ushtrisë së Putinit të pushtonte qetësisht Kievin, duke përcaktuar natyrisht rënien e, madje edhe zënien e Zelenskit? Është kjo pyetja që duhet t’i bëhet atyre që vazhdojnë të shprehin dyshime mbi mundësinë dhe kuptimin e qëndresës së atij Vëndi mësyesve. Që duhet t’u bëjmë atyre që me një përçmim kryelartë kanë folur madje për “mistiçizëm të qëndresës”, nga i cili qënkeshin të infektuar ukrainasit e marrë.

Mbi përgjigjen e pyetjes së bërë në fillim  është vështirë të ketë dyshime. Të mos bëhej qëndresë do të thonte thjesht fitore të plotë të Putinit brënda 48 orësh e pra fati I Ukrainës në dorë të tij. N’atë pikë, me shumë gjasë, nuk do të pasonin as sanksionet nga ana e Perëndimit (ose do të kishin qënë sanksione të rreme, si ata mbas Krimesë). Ndërsa qëndresa me armë e popullit ukrainas ka qënë e gjërë dhe e guximëshme. Ajo ka patur pasojën për të përcaktuar dështimin e planir rus (është vërtetë gjë kaq e parëndësishme?), por është duke hedhur parakushtin e një dështimi politik tejet të ahpër të vetë Putinit, me dobësimin e fuqishëm pasues të drejtimit të tij, e në pritmëri  vetë rënien e tij. 

Ka qënë qëndresa e armatosur e popullit ukrainas, së bashku me vetë qënien e saj arsyeja që i ka treguar botës si dështimin e shërbimeve të fshehta, mbi njoftimet e të cilëve Kremlini vendosi rreth katër muaj më parë mësymjen, duke besuar se bëhej fjalë për një shëtitje, ashtu si mungesat materiale (deri edhe ato të racioneve ushqimorë), pështjellimi organizativ e strategjik, rendimenti i pakët veprues dhe mungesa e frymës luftarake të organizmit ushtarak rus.

E dijmë të gjithë që qëndresa ukrainase nuk mund të fitojë, nuk mund të fitojë ushtarakisht. Por politikisht ajo ka stërfituar. Që sot ajo e ka vënë Putinin me shpatulla për muri, në kushte pra të mos ketë alternativë: ose të bisedojë me atë që donte t’a shkatërronte (por nëse don të përmbyllë traktativat duhet të heqë dorë nga projekti fillestar ose të lëshojë pe mbi këtë apo atë pikë), ose të shkojë përpara me luftën. E të fitojë po, më së fundi, por pikërisht në sajë të pranisë së qëndresës, do të jetë i detyruar t’a kthejë Ukrainën në një det rrënojash të banuar nga një popull që e urren. Por në një Vënd të kthyer në një det rrënojash e të vdekurish a do t’arrijë të gjejë një Kuisling që do të pranonte e të ishte në gjëndje të qeveriste n’emër të tij? E sa ushtarë do t’i duheshin, mbas një t’ashtuquajtur fitoreje për të zotëruar një territor sa dy herë Franca? Sa ushtarë duhet të llogarisë të humbasë çdo natë, viktima të mundëshme  të një prite mbas çdo dere e çdo qosheje të rrugës? E atëherë pyesim: e gjithë kjo – kjo katastrofë e vërtetë politike – a nuk  është frut i faktit që ka qënë një qëndresë e armatosur? I faktit që ukrainasit kanë rrokur armët, kanë kërkuar armë për të luftuar, e që Perëndimi u a ka dhënë? Krejt tjetër kushteve të suksesit “haptas i pamundur” me të cilën kanë mbushur gojën shumë në këto ditë.

Që nga fillimi, në fakt nga shumë anë këtu n’Itali (veçanërisht këtu n’Itali më duket), ngrihen zëra mbi kotësinë e madje pamoralshmëninë e qëndresës, mbi pavendshmërinë absolute të furnizimit me armë, mbi “absurditetin” e luftës, të çfarëdo lufte si e tillë që prodhon vetëm vdekje e shkatërrime. Zëra që synojnë të na bindin se përballë mundësisë së një lufte çdo konsideratë tjetër duhet të kalojë në një plan të dytë përballë nevojës së paqës: këtu, menjëherë, me çdo kusht, e pra të bëjmë traktativa, traktativa, traktativa, gjithmonë, me këdo e në çfarëdo mënyre.

Mbas gjithë kësaj është shumë më tepër se sa një marrje të thjeshtë qëndrimi politik. Ndihet një shndërrim i thellë i panoramës kulturore të Vëndit tonë, veçanërisht të klasave të saj të larta. Ndihet harresa tashmë tejet e përhapur e së shkuarës, fshirja e historisë si element strukturor i përvojës dhe i mendësisë. Ndihet harresa e karakterit tragjikisht dramatik që mund të ketë historia. Harresa e ashpërsisë përcaktuese, të padiskutueshme të vlerave politike të përbashkëta (pavarësia kombëtare, vetëvendosja, sovraniteti) nga të cilat shpesh popujt e qeveritë thirren. Në Italinë bashkëkohore, anasjelltas, është e përhapur një mendësi që, në alternativë të historisë, shkon gjithënjë e më shumë duke u frymëzuar jo nga vlerat politike të mësipërme, por nga të drejtat vetiake, të para si thelbi i një etike të hamendësuar paqësuese universale. Një mendësi në të cilën, siç kuptohet, nuk ka vënd për luftën e për gjithshka që ësht në të e arsyeshme dhe e paarsyeshme e morale. Në të cilën përmasat e luftës, të mekanizmave e të ndjenjave fatale që e përcaktojnë, të përmasës së guximit të njerëzve e të dëshirave të popujve, elementi i heroizmit e i poshtërsisë, të gjitha duken si thelbe qëndrimesh të kaherëshme për t’u yshtur. Në këtë mënyrë gjithshka përfundon për t’u vënë në të njëjtin rrafsh: njëzetvjeçarët ukrainas që përgatiten të luftojnë tankset ruse të Putinit që i ka dëguar në Kiev, ata që lëshojnë raketat e ata që i bien mbi kokë. Kështu, nën gjëmimin e armëve që përballen në fushat e Lindjes, harresa e historisë është kthyer në një harresë të mirëfilltë e të thjeshtë të realitetit. Dhe në të njëjtën mënyrë, pa vetë ankorimin në realitet, etika është kthyer fatalisht në moralizëm: hipokrit si të gjithë moralizmat. Një pavërtetësi moraliste ku mbretëron arsyetësia e akullt e mospranimit të forcës, kundërshtia për të ndihmuar të dobëtin dhe të sulmuarin, sepse kështu u dhunuaka detyrimi sipëror i “paqes” e i “traktativës”. Më së fundi, – në mënyrë paradoksale por jo shumë – kultura  që mëton të flasë në emër të viktimave, të qëndërsisë së tyre absolute, kthehet në fakt në aleate të tiranisë që prodhon vetë viktimat.

Nuk kam ndërmënd të turbulloj sigurinë e bekuar të kritikëve të “mistikës së qëndresës”, kaq të shqetësuar për të shmangur pasojat e kobëshme që ajo sjell. Ndoshta do të bënin mirë të kujtonin se liria e tyre e sotme pët të menduar e për të shkruajtur atë që dëshirojnë, nuk ka rrjedhur nga asnjë “traktativë”, nga asnjë përkujdesje përtë vdekur e të plagosur. Liria e tyre është paguar edhe me gjakun e mijra fëmijëve gjermanë të masakruar nga bombarduesit aleatë, është paguar edhe me dhimbjet e mijra grave gjermane të përdhunuara nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe. Sepse historia është e bërë edhe prej këtyre gjërave të tmerrshme: jo nga lloqet e atij që flet për të gjetur kënaqësi nga ndjenjat e tij të mira.

“Corriere della Sera”  Përktheu Eugjen Merlika       

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

GJENOCIDI SERB MBI SHQIPTARËT NUK BËN TË HARROHET

June 23, 2022 by s p

Msc. Agim Aliçkaj

– Kumtesa ime nga promovimi i librit të xhepit “Never Forget” të autorëve Nusret Pllana dhe Agim Aliçkaj në Tiranë

Motra dhe vëllezër shqiptar,

Është nder dhe krenari për mua të marr pjesë në këtë promovim të rëndësishëm bashkë me personalitete eminente kombëtare Dr. Sali Berishën, Profesor Enver Bytyçin, Znj. Edit Harxhi, Profesor Nusret Pllanën, Ambasador Mal Berishën.

Vij para jush si shqiptar nga toka e Kosovës, e ndarë padrejtësisht nga nëna Shqipëri. me zemër të pastërt, të mbushur me dashuri. Por, vij edhe me një brengë të madhe në zemër, ta qaj hallin me nënën Shqipëri, me motrat dhe vëllezërit shqiptar për situatën tonë kombëtare, për harresën tonë të krimeve barbare serbe. Vij edhe si shqiptaro-amerikan nga Mërgata jonë e jashtëzakonshme, jo për të ju shitur mend, por për ta shfrytëzuar të drejtën time për ta dhënë mendimin tim për kombin të cilit i takoj, për të cilin jam gati të jap çdo gjë.

Vijmë këtu bashkë me shokun dhe mikun tim Dr. Nusret Pllana për të folur në emër të më shumë se 1400 fëmijëve të masakruar dhe qindra-mijra viktimave tjera të gjenocidit shekullor serb mbi popullin e pafajshëm shqiptar.

Përpjekjet serbe për zhdukjen e kombit shqiptar jan planifikuar dhe ekzekutuar me përpikmëri nga shteti serb, kisha serbe dhe akademia e shkencave serbe. Ato kanë filluar që nga zbritja e serbëve nga malet dhe shpellat e Karpateve e deri në vitin 1999. Faktet dhe dokumentet për gjenocidin serb janë të pakontestueshme, ai ishte i tmerrshëm. Sipas profesor Pllanës është realizuar në pesë etapa. Pas secilës etapë ne kemi harruar dhe krimet janë përsëritur.

Serbia e udhëhequr nga shovinistë dhe racistë si Vuçiq, Daçiq dhe Vulin nuk është penduar fare për krimet kundër civilizimit. Ata janë në vuajtje e sipër dhe e fajësojnë kriminelin e luftës Milosheviq pse nuk ja ka arritur qëllimit për ta zhdukur kombin shqiptar. Ata po vazhdojnë me urrejtje të hapur kundër shqiptarëve dhe fqinjëve tjerë bazuar në rrena dhe propagandë mashtruese armiqësore.

Mashtrimet e tyre, për interesa të ndryshme, po i han një pjesë e madhe e Europës, disa zyrtarë amerikanë dhe shumë politikanë shqiptarë me përkrahësit e tyre në media, të cilët patrioti Gjergj Fishta do t’i quante me një emër të përbashkët, Zuzarë. Ata janë shumë të preokupuar dhe po veprojnë hapur për ta rehabilituar shtetin primitiv racist serb, me përkëdhelje, falje të krimeve, dhënie territori shqiptar, komunë të pastër etnike serbe dhe ekstraterritorialitet të manastireve ortodokse. Kjo, me qëllim të shkatërrimit të shtetit të Kosovës, ndarjen e tij dhe daljen e Serbisë në detin Adriatik duke e shfrytëzuar projektin mashtrues caristo-komunist “open Ballkan “.

Prej të gjithave, më e dhimbshmja është harresa e jonë dhe përpjekja për faljen e krimeve serbe. Me mijëra kriminel serb kalërojnë të lirë nëpër Beograd e Serbi, ndërsa luftëtarët shqiptar të lirisë gjykohen në Hagë. Familjet shqiptare ende presin me ankth për t’i gjetur 1600 të dashurit e tyre të zhdukur nga Serbia. Profesor Pllana i ka dokumentuar shumë mirë krimet serbe në librin e tij të madh “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”. Nga ky libër doli edhe libri i xhepit “Never Forget” i cili e bën më të lehtë shpërndarjen dhe depërtimin e të vërtetës shqiptare mbi gjenocidin serb kudo në Trojet tona dhe në instancat ndërkombëtare.

Ideja për këtë libër xhepi ishte në mendjen time me vite, lidhet me një libër tjetër pak më të madh me emër “Rescue in Albania” i cili bën fjalë për shpëtimin e Hebrenjëve që jetonin apo erdhën në Shqipëri gjatë Holokaustit. Shënimet për librin “Shpëtimi në Shqipëri” i mori nga ish-presidenti i Shqipërisë Ramiz Alija, kongresisti amerikan me prejardhje arbëreshe, legjendë e gjallë e lobizmit për interesa kombëtare shqiptare në Washington, Joseph J. DioGuardi, në vitin 1990 gjatë vizitës në Shqipëri me kongresistin e njohur për të drejtat e njeriut Tom Lantos.

Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane e ka botuar dhe shpërndarë këtë libër, në Kongresin Amerikan, Knesetin Israelit dhe te zyrtarë të ndryshëm, shumica me prejardhje hebreje. Në një Dëgjim në Kongres, në muajin Mars të vitit 1999, para se të bombardohej Serbisa nga NATO, dëshmuan senatori Bob Dole mik i madh i shqiptarëve, Jeane Kirkpatrick ambasadore amerikane në OKB, Shirley Cloyes DioGuardi këshilltare në LQSHA dhe Henry Kissinger sekretar i shtetit. Të gjithë u deklaruan për bombardim përveç Z. Kissinger, i cili thoshte se nuk është interes strategjik i Amerikës për të hyrë në konflikt me një shtet sovran.

Gjatë pushimit, në mes dy seancave, iu afrova te tavolina, ja dhashë librin “Shpëtimi në Shqipëri” dhe e luta ta lexonte duke i thënë se bën fjalë për një popull fisnik me zemër të madhe, i cili i shpëtoi të gjithë hebrenjtë që jetonin apo erdhën në Shqipëri gjatë Holokaustit. Populli shqiptar i Kosovës, ndër ta edhe babai i im Arif Aliçkaj, mori pjesë në këtë shpëtim. Ky popull sot është i rrezikuar për zhdukje, njësoj si populli hebre dhe ka nevojë për ndihmën tuaj. E mori, e shiqoi, i shfletoi disa faqe dhe më premtoi se do ta lexonte.

Bashkë me mua ishte edhe kolegu im, ambasadori Mal Berisha i cili për disa vite ishte pjesë e aktiviteteve të panumërta të Lobit Shqiptaro-Amerikan në interes të kombit shqiptar në Washington. Jemi dëshmitarë se pas disa ditëve, Z. Kissinger i cili kishte influence të madhe në politikën amerikane, në televizionin e njohur CNN deklaroi se Serbia e kishte kaluar çdo kufi, se duhej të ndalej me çdo kusht dhe nuk ka kthim mbrapa. Një libër i vogël bëri një punë të madhe. Këte shpresojmë ta bëjë libri “Never Forget” i cili po promovohet dhe shpërndahet me sukses gjithandej, përfshirë edhe Kongresin amerikan.

Dënimi i gjenocidit serb në Bosnje e mëpastaj në Kosovë nga Shqipëria do të ishte minimumi i pritjes nga një shtet i civilizuar. Për më shumë, në Kosovë bëhet fjalë për të njëjtin komb dhe të njëjtin gjak vëllazëror. Po të mos ekzistonte Kosova, të njëjtën fatkeqësi do ta përjetonte Shqipëria. Më vjen turp për parlamentarët shqiptarë që nuk e votuan gjenocidin serb në Bosnje. Politika e gabuar pro-serbe e instaluar nga Kryeministri Edi Rama jua ka mbyllur sytë dhe trullosur mëndjen.

Kryeministrin Rama e kam vëlla. Meqë është vëlla i imi ai nuk mund të jetë edhe vëlla i Vuçiqit sepse ky është urrejtës dhe armik i kombit tim. Do të ishte mirë të mësojë për krimet serbe. Ato nuk ishin rrëmujë por gjenocid i vërtetë. Çka mund të iu thotë ai familjeve të fëmijëve dhe civilëve të masakruar në mënyrë shtazarake nga Serbia?! Çka do të bënte nëse ata do të ishin fëmijët e tij ?!

Z. Rama ka marrë rrugë të gabuar. Mund të kuptohet paaftësia e tij që Shqipërinë ta renditë me vendet demokratike të perëndimit. E ka më lehtë në mesin e diktatorëve të lindjes, të cilët ja rrahin krahët dhe e bëjnë të ndihet i rëndësishëm. Shpresoj se kjo është arsyeja e sjelljeve të tij anti-kombëtare dhe ka mundësi të ndryshojë. Të largohet nga rruga e dreqit e Rusisë dhe Serbisë, të kthehet nga rruga e Zotit e Kosovës, Amerikës dhe Evropës demokratike.

Nëse në takimet e fshehta, Vuçiq ia ka arritur ta korruptojë, ai nuk ka kthim, serbët do ta shfrytëzojnë dhe ta hudhin si leckën, kur nuk ju duhet më. Shpresoj që brenda Partisë Socialiste ka forca kombëtare që mund ta largojnë para se të bëhet vonë. Përndryshe, i mbetet Partisë Demokratike në krye me Presidentin Berisha të mobilizohet nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe ta ndalojë këtë rrënues të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar.

Fatkeqësisht, Z. Rama ka hasë në mirëkuptim edhe te opozita e Kosovës dhe përkrahësit e tyre në media, të gatshëm për kompromise me Serbinë me shpresë se faktori ndërkombëtarë iu ndihmon për ta marrë pushtetin. Nuk e kanë të qartë se për votimin e tyre vendosë populli i Republikës së Kosovës, jo të huajt nga jashtë. Nëse vazhdojnë kështu vështirë se do t’i fitojnë zgjedhjet ndonjëherë.

Si amerikan, pres nga shteti im që të ndihmojë për të jua ndalur turrin Vuçiqit, Ramës dhe të tjerëve që janë vënë në shërbim të kriminelit Putin. Projekti i tyre “Open Ballkan” nuk ka kurrëfarë vlerash demokratike. Populli i Shqipërisë nuk përfiton asgjë, përveç ndoshta pak miell e disa rrepa. Ky projekt i errët është edhe kundër interesave strategjike amerikane. Shpresoj se Ambasadorja amerikane Yuri Kim të veprojë në këtë drejtim e të mos merret me punë të parëndësishme dhe të pavërtetuara të shpalljes “non-grata” të Presidentit të PD-së Dr. Sali Berisha.

Dua të theksoj se qëllimi im nuk është as për t’ja bërë qejfin as për ta mbrojtur Dr. Sali Berishën, ate e ndihmon dhe e mbronë vetëm e vërteta. Unë mund të kem mospajtimet e mia me te por në punë madhore kombëtare ai e ka dëshmuar përkushtimin e tij për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Unë jam vetëm një amerikan që e shprehë mendimin e vet të lirë pa frikë dhe pa interes personal, vetëm në interes të kombit.

Zonja Ambasadore e di fare mirë se në Amerikë “Një person është i pafajshëm derisa të provohet fajësia“- “A person is innocent until proven guilty”. Departamenti i Shtetit ka të drejtë ta shpallë ke të dojë “non grata” por është mirë ta arsyetojë këtë para Kongresit Amerikan.

Edhe zyrtarët e lartë amerikanë bëjnë gabime, por kushtetuta, sistemi vërtetë demokratik, kontrolli dhe balanci i fuqisë i rregullon të gjitha. Ka patur zyrtarë amerikan të cilët nuk e kan përkrahur çështjen tone, si ambasadori Zimmerman, sekretari Eagleburger e së fundit ambasadori Grenell, i cili doli në anën serbe, ndikoi në rrëzimin e qeverisë Kurti 1 dhe rrënimin e demokracisë në Kosovë. Me Amerikën duhet punuar për të na përkrahur.

Pas më shumë se një viti, ka ardhur koha që zonja Ambasadore t’i publikojë faktet për të ashtuquajturin “korrupsion” të Dr. Berishës, ose t’i propozojë Departamentit të Shtetit për ta tërhjekë këtë vendim të paarsyeshëm. Ajo duhet ta kuptojë se miliona përkrahësit e z. Berisha nga të gjitha Trojet shqiptare, i takojnë pjesës më pro-amerikane të kombit më pro-amerikan në botë.

Amerika nuk është perfekte por është vendi i drejtësisë dhe demokracisë. Ajo është drita dhe shpresa e kombit shqiptar. Interesat strategjike të kombit amerikan, janë të njejta me ato të kombit shqiptar. Serbia është satelit i Rusisë dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Amerika është i vetmi shtet që mund ta mundë Rusinë fashiste.

Agresioni rus në Ukrainë, duhet të jua bëjë të qartë të gjithëve se me diktatorët dhe kriminelët si Putin dhe Vuçiq nuk bëjnë punë ledhatimet. Ata e kuptojnë vetëm gjuhën e forcës dhe presionit. Serbisë raciste i duhen thyer dhëmbët që të mos mund të kafshojë më. Shpresoj se ky promovim do të ndihmojë.

Liria, pavarësia, integriteti territorial dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës janë të shenjta dhe garanci e vetme që gjenocidi serb mbi shqiptarët të mos përsëritet më kurrë. E drejta është e jona dhe fitorja varet nga ne.

Përulem vetëm para luftëtarëve të lirisë.

Zoti e bekoftë kombin shqiptar dhe amerikan!

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Alickaj

KOSOVA LINDORE, VIJA E PARË E FRONTIT ME SERBINË FASHISTE

June 22, 2022 by s p

NGA MA. AGIM ALIÇKAJ/

Në New York dhe Washington delegacioni patriotik i Kosovës Lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) në përbërje Shaip Kamberi, Ardita Sinani, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi paraqitën javën e kaluar të vërtetën për pastrimin etnik dhe sjelljet anti-njerëzore të  Serbisë shoviniste në takimet e shumta e të rëndësishme, me Ambasadorin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Z. Ferit Hoxha, me Bordin Ekzekutiv të Ligës Shqiptaro-Amerikane në New York, në Kongresin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit në Washington.

          Vizita u organizua nga Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane, në krye me liderët historik të Ligës, Joseph J. Dioguardi dhe Shirley Cloyes Dioguardi. Meritë e veçantë dhe falënderim i takon  Kryeministrit Albin Kurti dhe Qeverisë së tij për financimin e kësaj vizite me rëndësi për çështjen kombëtare dhe kundërvënjen armikut serb.

-Shteti fashist serb vazhdon me sjelljet armiqësore anti-shqiptare dhe destabilizim të Evropës. I shtypë shqiptarët e Kosovës Lindore duke proklamuar “open Ballkan” me qëllim të plotësimit të aspiratave ruso-serbe për dominim në Evropën Juglindore dhe dalje në detin Adriatik.

-Të gjithë pjesëmarrësit në “Ballkanin e hapur” janë në shërbim të përpjekjeve për  rehabilitimin e kriminelëve serb në krye me Vuçiq. Ata në mënyrë të drejtpëdrejtë janë duke e shtyer dhe pamundësuar njohjen e Kosovës nga Serbia. Ata do të dështojnë me turp.

-Gjenocidi serb 2 shekullorë kundër popullit shqiptar nuk mund të fshihet, as të harrohet, as të falet kurrë dhe nga askush. Kriminelët serb të cilët kalërojnë hapur nëpër Beograd duhet të përballen me drejtësinë. Kërkesa për drejtësi nuk konsiderohet hakmarrje në botën e civilizuar.

– Qeverisja aktuale e Kosovës e ka kuptuar gabimin trashanik të qeverisjes së kaluar të cilët nuk insistuan që plani i Ahtisarit t’i përfshijë të drejtat e popullit shqiptar që jeton në tokat e veta në Serbi. Reciprociteti në të drejta është formula e vetme për ta mundur Serbinë. Konfliktin me të duhet ç’vendosur nga Kosova në Kosovën Lindore. Aty duhet të organizohet rezistenca, aty është vija e parë e frontit të konfrontimit me Serbinë fashiste.

– Serbëve  të Kosovës nuk ju takon asnjë e drejtë më shumë se shqiptarëve që jetojnë në tokat stërgjyshore të okupuara nga Serbia. Dhe, pikë.

-Kombi shqiptar i bashkuar dhe i përkrahur nga Amerika është më i fortë se Serbia dhe Rusia fashiste. Fitorja është e jona dhe varet vetëm nga ne.

Filed Under: Analiza Tagged With: Agim Alickaj

Vizita dhe dekorimet e Presidentit Meta në Amerikë janë një hap largpamës

June 20, 2022 by s p

Ervis Zholi/

Është fakt i pa mohueshëm se Presidenti në largim do të mbahet mend si një nga krerët e shtetit që ka lëshuar më shumë dekorata se asnjë paraardhës i tij në 30 vjitet e fundit.

Nëse dikush mbrapa tij në të ardhmen do të lëshojë më shumë se ai dekorata, përsëri z. Meta do të mbahet mend në historinë dhe jetëshkrimet e presidentëve si pioneri i parë që vendosi tullën e parë, në murin e vlerësimit të vlerave teknike apo aftësi të veçanta që gëzojnë njerëzit më të spikatur të shoqerisë shqiptare.

Të vlerësosh një sportist, aktor, inxhinier, të burgosur politik, apo aktivist të çdo fushe është gjëja më e mrekullueshme dhe një impresion e vlerësim i paharruar për cilindo që e merr këtë vlerësim në formë dekorate.

Është një event shumë pozitiv për individin e vlerësuar, por ky vlerësim në formë dekorate hap siparin dhe stimulon meritokracinë, konkurrencën dhe egon profesionale të individit dhe çon vetëm në progres shoqëror aq të dëshiruar për Shqiperinë tonë.

Por, në shoqërinë e shpartalluar, të lodhur e të raskapitur të tranzicionit shqiptar, ata që kanë paguar çmimin më të lartë është shtresa e inteligjencës së vendit.

Janë njerëzit më të aftë, teknikë që jo vetëm nuk i paguan dot shteti shqiptar për të përballuar jetesën në vendin e bërë “”ÇORAP”” dhe drejtuar pa asnjë filozofi, por në kaos total vendi vegjeton brenda termit të kapitalizmit ekstrem, ku realisht “”MONEY TALK”” dhe ku inteligjenca e profesionistevë teknikë vuan dyfish pasi është pjesa më e edukuar dhe pjesa më koshiente nga ana emocionale që kupton, por nuk flet dot për operacionet pa narkozë që bëhen në trupin dhe mendjen e shoqerisë shqiptare.

Pjesa më dramatike e panoramës social-politike është se gjithë transaksionet jetësore e shoqërore udhëhiqen e kontrollohen nga oligarkia anadollake, e cila ka njerën dorë plot me diploma të vjedhura, e tjetrën dorë në tendera, drogë, trafiqe e para të pista.

Mendoni dhjetra profesorë të strukur diku me pensione që nuk i’u sigurojnë dot dinjitetin, por kanë taksiratin të shohin televizioneve, studentët më të fëlliqur në karakter e dije, të drejtojnë ministri.

Mendoni dhjetra sportistë të shkëlqyer që tani nuk i kanë më as muskujt dhe as paratë se i’u ra fati të lindnin në këtë tokë që nuk rritë e vaditë dot më të mirin fidan.

Qendrojnë duke kujtuar kur turmat mijëshe i duartokisnin e çoheshin më këmbë qyteteve.

Mendoni gjenerata të tëra klerikesh të të gjitha besimeve, të cilet vdiqën në errësirën e burgjeve dhe para togave të pushkatimit, duke u lutur për begatimin e Shqipërisë dhe jo për fatin e tyre fizik.

E kështu mund të vazhdohet pa fund me shembuj nga çdo fushë e jetës ku mund të sjellësh histori me njerez të spikatur të pavlerësuar e të lënë pas në harresën e kohës.

Shoqëria shqiptare ka nevojë shumë të madhe të promovojë vlerat pozitive dhe ti ekspozojë ato me forcën më të madhe të mundshme pasi efektet negative tek rinia, e cila ka mbushur burgjet e Europës dhe degradimi i sistemit arsimor janë një fakt tashmë i pakundërshtushëm.

Do ti bënte nder dhe do ti sillte progres çdo shoqërie të qytetëruar vlerësimi në kohë i njerëzve të spikatur. Por, është nder dhe prestigj më i madh kur i dekoron e vlerëson virtytin dhe njeriun e mirë mbasi ka kaluar kohë dhe presidentë të tjerë e kanë bërë shumë pak dhe për ineres politik.

Vlerësimi nëpërmjet dekoratave të aktivistëve të spikatur të diasporës me rastin e 110 vjetorit të themelimit të ‘Vatrës’ në New York është një hap në drejtimin e duhur dhe ka për qëllim stimulimin dhe mbajtjen gjallë të vlerave më të mira patriotike për të ardhmen. Vetëm në këtë këndvështrim dhe me këtë optimizëm duhet parë.

Pa dyshim që xhelozia dhe egoja si dy virtyte jo domosdoshmërisht të këqija gjithmonë janë të kultivuara fort ndër shekuj në mentalitetin e popullit shqiptar, nuk do e lë të qetë atë kategori njerëzish që do të kritikojnë dhënien apo pse – dhënien emrave apo individëve të caktuar që janë përfshirë në keto lista. Pa asnjë diskutim që do të ketë emra jo të goditur, mbase që edhe mund të shmangeshin për një më të mirë si kandidat për dekorim, por më mirë të kemi një proces me gabime që mban gjallë shpresën dhe të përpiqemi të përmirësojmë kriteret e përzgjedhjes, se sa të ngelemi pa shpresë dhe pa një proces të promovimit të vlerave.

Filed Under: Analiza Tagged With: ervis zholi

Hebreitizimi i kryeministrit shqiptar

June 18, 2022 by s p

Shaban Murati/

Në ditën e përvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në 10 qershor kryeministri i Shqipërisë njoftoi se qeveria e tij do të ngrejë në Tiranë Qendrën Hebraike dhe në Vlorë Muzeun Hebraik. Qeveria nuk ka ngritur ende në Tiranë as Muzeun e Kosovës dhe as Muzeun e Çamërisë.

Ç’është kjo ethe hebraike, që ka kaplluar kryeministrin e Shqipërisë? Po krijohet një narrativë e re artificiale marrëdhëniesh të jashtme, e cila po ve në dyshim historinë. Nuk po e dimë më: A janë shqiptarët, që kanë shpëtuar hebrejtë në Luftën e Dytë Botërore apo janë hebrejtë, që kanë shpëtuar shqiptarët? Kush duhet t’i jetë mirënjohës njeri-tjetrit: populli shqiptar apo populli hebre? Në çdo logjikë normale historike, diplomatike dhe etike i takon qeverisë izraelite të hapë Qendër Shqiptare dhe Muze Shqiptar në Izrael për aktin e rrallë historik të popullit shqiptar, që shpëtoi hebrejtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe për faktin që Shqipëria është i vetmi shtet në Europë, ku numuri i hebrejve në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte më i madh se në fillim të saj. Kjo quhet mirënjohje.

Megjithë respektin për Izraelin, dihet se populli hebre nuk ka lozur as edhe një rol dhe nuk ka patur asnjë minimum rëndësie në historinë e popullit shqiptar. Gjeografia dhe historia na kanë caktuar shumë larg njeri-tjetrit. Ka shume popuj të tjerë, që do të meritonin më përpara Qendra në Shqipëri. Kontribute historike për popullin shqiptar ka dhënë Austria apo Bullgaria dhe madje Kina ka dhënë një kontribut shumë më të madh në Shqipëri.

Kryeministri i Shqipërisë mund të ketë dëshirë të konvertohet në çdo lloj feje, që të jetë qejfi i tij i ditës apo i natës. Hebreitizimi i tij është çeshtje personale, që duhet ta mbajë brenda mureve të shtëpisë së tij. Posti, që ka, i është besuar të menexhojë taksat tona dhe ato duhet të shkojnë në rradhë të parë për përjetësimin e memories historike të kombit tonë. E përsëris: Shqipëria nuk ka ende as Muze të Kosovës dhe as Muze të Çamërisë. Pa le më të ketë Muze të Masakrës së Tivarit.

Absurditete të tilla qeveritare mbijnë në shtete pa dinjitet dhe pa integritet, sepse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit që populli, i cili ka shpëtuar një popull tjetër, ta ndjejë veten borxhli ndaj atij që ka shpëtuar.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • 185
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT