• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGA KUSH TREMBET SERBIA?

April 11, 2022 by s p

PhD Dritan Demiraj/

Qe nga fillimi i pushtimit te paprovokuar te Ukraines nga Rusia dhe sidomos ne momentin kur dy javet e fundit e gjithe bota po perjeton me optimizem mposhtjen e ushtrise ruse ne tre frontet, kemi patur gjithmone e me pak reagime nga Beogradi zyrtar. Eshte sigurte se kjo humbje qe ne fakt ka befasuar shume eksperte nderkombetare, po perjetohet me shume ankth ne Serbi. Humbja e ‘vellait te madh’ ka bere qe shume lider “pacifiste” te Serbise qe nga presidenti Vuçiç, Ministri i Mbrojtjes Stefanoviç, Ministri i Brendshem Vulin dhe Daçiç te ulin tonet dhe kercenimet sa i perket mbrojtjes se komuniteteve Serbe, qe ne fakt asnjehere nuk jane kercenuar nga askush ne rajon.Por kjo farse, nuk ka ndaluar procesin e armatosjes se Serbise. Kete fundjave gjashte avione kinez te forcave ajrore transportuan mjetet e fundit moderne per mbrojtjen kunderajrore te blera ne Kine nga Serbia. Rritja e kercenimeve rajonale, armatosja e vazhdueshme, mungesa e distancimit dhe vendosjes se sanksioneve kunder Rusise ne nje kohe qe e gjithe bota po i zbaton ato, thirrja e vazhdueshme e SHBA dhe BE qe edhe Serbia ti zbatoje, kane rene ne vesh te shurdher. Prokurimi, dergimi dhe se shpejti instalimi i raketave kunderajrore me rreze te mesme kineze HQ-22, blerja e mjeteve te tjera te sulmit, asistenca ushtarake dhe me inteligjence te vazhdueshme nga Rusia nderkohë qe Serbia pretendon statusin e vendit neutral, perbëjnë një kërcënim serioz për Ballkanin Perëndimor, veçanërisht për Kosovën dhe Bosnje Hercegovinen. Sistemi kunderajror HQ-22 eshte nje sistem raketor modern prodhim i fundit, i cili ka nje rreze veprimi 50 m deri ne 27 km lartesi, rreze efektive deri ne 170 km dhe raketa me peshe 180 kg. Ky sistem eshte i njejte me sistemin KA rus S-300. Që nga viti 2020 dhe ne vazhdim, zyrtarët e DASH-it e kane paralajmëruar Beogradin kundër blerjes së sistemeve anti-ajrore HQ-22, versioni i eksportit i të cilit njihet si FK-3, por edhe per blerje te tjera armatimesh ofensive.Tashme eshte e qarte per te gjithe diplomatet perendimore se Serbia nuk dëshiron t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe aleancave të tjera perëndimore, por ajo thjesht shfrytezon ndihmat e tyre financiare pasi orientimi i tyre eshte krejtesisht anti euroatlantik. Si perfundim, keto zhvillime duhet te shihen me pergjegjesi nga qeverite tona sidomos ne Shqiperi dhe Kosove, ne menyre qe te vazhdoje me tej investimi ne infrastrukturen e sigurise kombetare dhe ne rritjen e kapaciteteve operacionale te forcave tona te armatosura.

Filed Under: Analiza Tagged With: Dritan demiraj

Unë jam VLORA!

April 11, 2022 by s p

Melsen Kafilaj- Royal Institute of Philosophy Fellow/

Qysh në fillimin e mandatit të tij të parë qeverisës, Kryeministri e shprehu qartë synimin e tij madhor se Ai nuk dëshiron që të jetë thjesht si çdo lloj politikani tjetër “i zakonshëm” dhe “tranzitor” dhe se vokacionin e brëndshëm e ka në marrdhënie me Historinë, për të mbetur në memorien kolektive si “Ndërtues” dhe “Reformator”.

NE e mbështetëm këtë aspiratë të tij anipse Shqipëria ishte (dhe fatkeqësisht është e lodhur) nga shakaxhinjtë e përparimit, të cilët na kanë premtuar “parajsa me thasë” e “progres me shpejtësi drite” dhe se vendi në gjëndjen ku ndodhet ka realisht nevojë për ndërtim dhe reforma reale për tu mbrothësuar, për të prosperuar dhe për tu futur në familjen e madhe të popujve të qytetëruar.Fatkeqësisht, u zhgënjyem dhe përjetuam pasojën e të njëjtës dileme politike të artikuluar mjeshtërisht nga Karl Popper: “Ja ne zgjodhëm udhëheqës të rinj por kush na garanton që këta të dytët do të jenë më të mirë dhe më të përgjegjshëm se ata të parët?!” Pasoja negative të kësaj zgjedhjeje popullore të cilat i shohim përditë e më tepër në realitetin tonë të përditshëm dhe në çdo fushë të jetës (arsim, shëndetësi, drejtësi, ekonomi, ekologji, arkitekturë, etj) 

Me besimin e verbër tek Ndryshimi, ne pamë të kalonte përpara syve tanë përsëritja e Historisë me po të njëjtët shkatërrues të zellshëm të Interesit Kombëtar, të cilët i vunë minën edhe asaj pak që kishte mbetur nga krenaria jonë kombëtare; pamë të shëmbej një teatër kombëtar, ti humbte identiteti një stadiumi kombëtar dhe tani së fundmi të grryhet nga themelet dhe të shpërfytyrohet edhe një tjetër shënjë sinjifikative e Kombit, Sheshi i Flamurit. Që prej Antikitetit Greko-Romak, Sheshi ka pasur një domethënie të rëndësishme dhe të dyfishtë; a) Si qëndër e jetës së përbashkët sociale dhe b) Si element i fuqishëm simboliko-politik në të cilin populli shpreh jo vetëm vullnetin e tij politik me pëlqyeshmërinë apo papëlqyeshmërinë e tij kundër Sistemit por edhe përbashkësinë e vet identitare. 

Por mesa duket një lider autokrat, i cili edhe në zgjedhjet e fundit lokale e afirmoi madje edhe simbolikisht qëndërzimin e pushtetit, duke u vendosur në qëndër të rrethit-trëndafil (podiumit të dizenjuar nga vet AI) teksa u propogandonte Masave, nuk do që t’ia dijë për rëndësinë identitare të vlerave kolektive që ky Shesh përfaqëson dhe bëri në emër të “ripërtëritjes urbane” atë që asnjë udhëheqës tjetër “i zakonshëm” apo “tranzitor” nuk guxoi që ta bënte; vuri barbarisht dorën mbi Sheshin e Flamurit.Por ky akt i pashembullt politik i nxitur nga inatet politike, makutëria dhe interesat pragmatike të momentit nuk është thjesht një akt barbar ndaj një perle në unazën e Zotit siç është edhe Qyteti i Vlorës por një atentat i hapur ndaj Shpirtit Kombëtar! 

Për këtë akt vandal dhe shumë akte të tjera që ai ka kryer në dëm të shqiptarëve dhe interesit kombëtar, si një intelektual publik ngre zërin tim hapur dhe e akuzoj! Sot unë jam Vlora! E përtej të qënit i majtë apo i djathtë unë jam SHQIPTAR! Dhe ai Shesh, si simbol i Pavarsisë, si Frymw e Shqiponjws dhe e unitetit kombëtar përfaqëson Shqipërinë në të katër anët e saj dhe çdo shqiptar të mirë e fisnik pa dallim feje, krahine dhe ideje.

Por fatkeqësisht politikanët tanë e duan Sheshin e Flamurit vetëm për foton e 28-Nëntorit dhe patriotizmës së shtirur, për hir të profesionit të tyre të vjetër dhe shoqërisë së spektaklit…Për të tjerat, nuk ka kurrëfarë rëndësie për ta. Për tu rikthyer edhe njëherë tek aspirata e Fillimit dhe marrdhënia me Historinë; meqë je piktor dhe politikan me kohë të plotë më lejo që të kujtoj piktorin e madh nga Venecia, Tiziano Vecellio: “Në fund, Historia do ti jap hisen që i takon gjithësecilit prej nesh!” Dhe ndryshe nga “historianët partizanë” dhe “skribët e Pushtetit” që e sakatojnë të Vërtetën, Historia, Bija e Kohës dhe e Kujtesës Njerëzore do të tregohet po aq e pamëshirëshme!

Filed Under: Analiza Tagged With: Melsen Kafilaj

VDEKJA E DIKTATORIT

April 11, 2022 by s p

Kujtese nga Valentin Lumaj/

Në moshën e fëmijērisē, deri kur ra diktatura, unē kam jetuar nē njē fshat tē nēnshkodrēs, Berdicë e Madhe. Me berdicianēt unē kam kaluar vite tē bukura dhe histori tē mrekullueshme. Njē ndër kēto mrekullitē qē fali zoti, ishte edhe vdekja e diktatorit. Atë ditē, meqē isha nē vitin e fundit tē tetēvjeçares dhe iknim nganjëherë nga mēsimi, kishte rreth dy orë qē me Matinē, Mondin, Nadirin dhe disa tē tjerē po luanim penallti me 50-leksha në fushën e futbollit ngjitur me obborin e shkollës, ku dikur zhvilloheshin sportakiada. Rreth orës 11, shohim qē e gjithē nxënësit e shkollēs po dilnin jashtë. Mendova njē herē se mos ishte pushimi i madh, po nxēnēsit nē vend qē tē shpērndaheshin nē fushat e volejbollit, basketbollit apo në kēndin e paraleve, u rreshtuan nē oborr. Ashtu nē rresht pēr dy, u nisën nē njē varg tē gjatē pērgjatē fushēs sē futbollit ku ne po luanim. Ne, me gjithē kuriozin qē kishim, prapē vazhduam lojēn derisa pashē qē po na afrohej mēsuesi i historisë (dritë pastë). “Hajēr e baftë Zoti”, thashē me vehte. 

“Po ju ça bani ktu?”, thotē msuesi.

 Pa lujm penallti”, i thashē. 

“Ju luni penallti me lek, po a e dini ça ka ndodhë, shpejt nē rresht”, shpërtheu mësuesi.

“Hajt mar msus, se ska dekē kush”, i thashe unē, ndērsa nxorra nga xhepi disa fara lulediellit, qē nē atē kohē i kishim tē pērditshme .

“Ça flet mar, ka dekë shoku Enver”.

Mua, ngaqē nuk mu besua, i thashē: “hajt mar me gjithë té”, dhe fryva nga goja njē levozhgē luledielli. Era e kthen levozhgēn dhe ajo i ngjitet nē faqe afēr hundēs sē mēsuesit. Nuk e kuptova nēse ishte ajo çfarē i thashē apo lēvozhga e lulediellit, por mbaj mend qē fytyra e mësuesit mori njē pamje tē llahtarshme, dhe mē shtrēngohet me njē shpullē, qē gjysma e saj mē doli tepēr. “Mirē, mirē”, i thashē, “mbaje mend” dhe u futēm edhe ne nē rreshtin e gjatē qē nē heshtje shkonte drejt Shtēpisē sē Kulturēs.

Shtēpia e Kulturēs nē Berdicē, ishte njē ndērtesē e madhe dhe e lartë, qē dikur kishte qenē Kishē qē vendasit thonin se kishte pasur njē çati tē bukur dhe tavan druri me gdhendje dhe ornamente tē rradha. Komunistēt u munduan qē ta prishnin komplet por mbasi muret qē ishin ndērtuar me hekur dhe beton, nuk arritēn qē ta shembnin por i vunē çati tē re dhe e kthyen nē shtēpi kulture. Tē them tē drejtēn kjo shtēpi kulture, nē atē kohē ishte kthyer vērtet nē njē qendēr tē kulturës me koncerte muzikore, filma artistikē apo shfaqje humoristike tē estradēs sē famshme tē Shkodrës etj.

Kur nuk kishim mbērritur akoma nē Shtëpinē e Kulturēs, mbaj mend njē berdician qē ndalon biçikletēn dhe mē thotē: ” Ça ka ndodhē malcur”,  se kēshtu mē thērisnin disa nga qē isha malēsor jabanxhi nē atē vend.

 “Ka vdekē Enveri”, i thashē

“Ashtu, po i hangērt shpirti mut”, mē tha dhe i dha biçikletēs dhe iku.

Kur u futēm brenda, salla ishtē pothuajse plot dhe vinte era djersë. Dukshēm qē puntorēt i kishin marrē nga puna dhe sjellē aty. Kishte njē qetēsi absolute dhe aty kētu dëgjoheshin dēnesa tē qarash. Njerezit ishin ulur me kokēn tē mbēshtetur mbi grushta mbi mbēshtetēsen e stolave, e vetmja trashēgimi nga ajo qē dikur kishte qenē Kishē. 

Pashē qē dikush solli njē radio, tē cilēn e lidhēn me autoparlantēt e mēdhenj nē dyja anēt e skenēs. Tē gjithē prisnin me mērzi lajmin e tmerrshēn nē emisionin e lajmeve tē ores 12. The ora erdhi:

 “Ju flet radio Tirana, sot, mbas njē sēmundje tē gjatē dhe tē pashērueshme vdiq heroi i lavdishēm i partisē dhe i popullit shqiptar, shoku Enver Hoxha”.

Emocionet shpērthyen, te qarat u shtuan, vajtimet po ashtu….ëëëëë….hhëëë! Shoh njē burrē qē u ngrit nē kēmbē dhe me duart lart nga tavani thoshte “pse mar Zat, pse mar Zat”. Nuk e kuptoja se kujt ja thoshte, Zoti nuk ishte më aty.

Tē tjerët mbanin kokēn ulur, tamam sikur gjatē njē meshe kur çohet kungimi, që dukej sikur luteshin, por nuk luteshin. Te them të drejtën nuk e kuptoja nëse ishin se tē mērzitur vërtet bēnin sikur. Ndērsa shikoja sallēn, ndenjur dhe me trupin drejt, ndjeva njē dorē mbi kokē dhe njē zē tek veshi: “malcur, ulu ndejt dhe ule kryt”.

I thashē: “po une ndejt jam”. Ndoshta, ngaqē isha i gjatē dhe hollak, dukesha sikur të isha nē kēmbē. Ula kokēn me mērzi pēr njē 100 lekēsh qē kisha humbur atē ditē nē penallti dhe për topin e llastikut që kishte mbetur tek fusha. “Po sikur të mos e gjej topin” mendova, “I thonë të humb edhe 100 lek të tjera për sherr të Enverit”. Mbas pak dolëm jashtë dhe u shpërndamë, shumë prej nesh menduam se Enveri mori të keqen me vehte, por që më vonë e kuptuam se ai të keqen e kishte mbjedhur të keqen ndër ne përpara se të shkonte në xhehnem.

Filed Under: Analiza Tagged With: Valentin Lumaj

LIBRI I PËRGJAKUR I KUJTESËS SË KOSOVËS…

April 10, 2022 by s p

– Mbresa dhe çështje të një takimi –

Nga Visar Zhiti/

Të kujtojmë. Kujtesa s’është vetëm e së shkuarës, por po aq shumë dhe e së ardhmes… Ne jemi ajo që kujtojmë, e them shpesh këtë varg të një poeti të madh. Dhe u mblodhëm për të kujtuar. Të shtunën në mbrëmje në Çikago, në lokalin “North Star” në Western, kështu ishte adresa në pllakatin e takimit, dera hapej shpesh dhe futeshin njerëz që përshëndeteshin përzemërsisht, njiheshin apo ia paraqisnin njëri-tjetrit. Salla po mbushej, jemi shqiptarë nga të gjitha trevat, po thoshin, më së shumti nga Kosova, edhe nga Shqipëria, nga Maqedoaina e Veriut, (e Jugut për ne), nga Mali i Zi, etj. dhe çfarë do marrësh, kafe, i thoshin njëri-tjetrit, të gatshëm për t’i shërbyer njëri-tjetrit, me mirësi dhe zhurmë. Në krye ishin mbërthyer flamujt, ai shqiptar dhe ai i SHBA, bashkë, kështu ishin dhe në luftë për çlirimin e Kosovës, UÇK dhe NATO, tha një burrë i gjatë, malësor i veshur qytetarçe. Sonte, tani, do të përurohej një libër, madje i madh, i rëndë, ja, po vinin në tryezën përballë kopje të shumta të tij “The terror of Serbian occupier over albanians” dhe pranë një libër tjetër i vogël, xhepi, si vëllai i vogël, i shpërndarë gjithandej, “Never forget”. Kishin ftuar dhe autorin, Prof. Dr. Nusret Pllana, shkruhej mbi pllakat, vinte nga Kosova. kaq befas?Mua më lajmëroi Taip Beshiri, trajner futbolli, banon afër meje si lagje, është nga shqiptarët e Maqedonisë, në fb e tij kishin parë një foto të tij bashkë me mua dhe i kishin telefonuar, që të më thoshte për të marrë pjesë në takim, sot për sot, tamam vrull i bukur shqiptarësh, i orëve të fundit, me bashkëshortet tona nisemi për të mb;erritur në orar. Takohemi përzem;ersisht me autorin, edhe në Romë, vite më pare në Universitetin “La Sapienza” kishim bërë një takim që të tregonim për luftën e Kosovës, qendresën dhe martirizimin, ishte bashkë me Dom Lush Gjergjin. Kujtuam që ambasadori serb në Itali atëhere kishte bërë një letër proteste në universitet, pse ky takim (?!), Serbia, pas kishte mbaruar rolin e saj si pushtuese duke ushtruar një genocid të paparë ndër shqiptarët në trojet e tyre, po bënte tani rolin e viktimës. Këto dëshmonin dhe librat e Nusret Pllanës, këta q;e jane k;etu, para nesh. Takimin e hapi Dr. Avni Thaçi, mjek në Çikago, bujtësi i autorit, që i uroi mirseardhjen atij dhe gjithë të pranishmëve. Fliste thjesht;e, me druajtjen e atij që e vlerëson fjalën dhe ma jep mua fjalën si “njeri i letrave”. Kemi një vepër kujtese, me rëndësi të madhe, thashë unë, e njoh librin, edhe autorin, jemi bashkëvuajtës, ai ka qenë i dënuar nga regjimi i Millosheviçit në lëvizjet patriotike shqiptare në ish Jugosllavi dhe unë në diktaturën enveriste, por që qendër duket se kanë Kremlinin e Stalinit…Ky libër dëshmon masakrën serbe, atë që përfshin një shekull e gjysmë kohë, 1844-1999, së fundmi, por jo e fundit në botë, po përsëritet tani në shekullin XXI në vend tjetër e popull tjetër, në Ukrainë nga ushtria ruse…Nusret Pllana pas luftës la uniformën e UÇK-së, la armën dhe mori penën, edhe ajo është armë, më e fortë, besa po, ka fuqinë e së përhershmes. Të shumta janë botimet e tij dhe përurimet në shumë vende të Europës, një kronikë e përgjakur, tronditëse me emra dhe imazhe të llahtarshme. Të mos harrojmë, për një të ardhme njerëzore, të përbashkët, euroatlantike të vendeve tona në Ballkan. Libri është shkruar me gjak. Është një korale e zërave shqiptarë, që i ndjejmë dhe tani, kushtrimin e Adem Jasharit dhe mençurinë e të urtit Ibrahim Rugova, presidentit të parë të Republikës së Kosovësw, por dhe lutjet e Shenjetes tone Nënë Tereza, që I tha Presidentit të SHBA, Bill Klintonit: “Bir, ndihmoje popullin tim…” Që ky libër përurohet dhe në metropolin e Çikagos mes shqiptarëve, e quaj me domethënie, mirënjohje SHBA-ve për Çlirimin e Kosovës, përkrahja e së cilës ka qenë jetike për kombin shqiptar, ka ndërhyrë për të mos lejuar edhe më copëtimin e Shqipërisë londineze, siç është bërë zakon të quhet nga studiuesit. Me Amerikën shqiptarët kanë aleatin më të fuqishëm dhe mbrojtësin e idealeve të çëshjes kombëtare, etj, etj. Foli dhe një inxhinier kompjuterash nga Kosova, ish luftëtar i UÇK-së, Labinot Maloku, Pastaj iu dha fjala autorit, Prof. Dr. Nusret Pllana. Librin nuk e kam shkruar unë, tha ai ndër të tjera, e kanë shkruar shqiptarët, të gjithë ta që janë në këtë libër, kronika e masakrës së tyre, e mbi 1400 fëmijëve të vrarë, engjëj mbrojtës të Kosovës. “Never forget” e kam shkruar së bashku me Agim Aliçkajn, e përuruam dhe “Vatra”, ishte shumë emocionuese, po kështu na pritën dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Washingron D.C., e dhuruam librin dhe atje, dhamë dhe intervistë në “Zërin e Amerikës e do të shkojmë dhe në Boston e pastaj në Kanada… Por askush nuk erdhi nga ambasadat tona apo konsullatat, e Kosovës dhe e Shqipërisë, pse ky moskujdes, pse kjo harresë? Kujt i shërben? – pyeti i dëshpëruar autori. Ambasadorët e vërtetë janë gjithë këta shqiptarë këtu, – thashë unë. Duartrokitje të shumta në mbarim të takimit, pasi u shfaq dhe një dokumentar për f:emijët e vrarë të Kosovës, por është ëndrra e tyre, buzëqeshaj e tyre është kudo, thamë. Vonë morëm rrugën e kthimit. Dritat në rrugët e gjera të rrethinave të Çikagos kishin një vezullim, që mua më kujtonin diçka nga plagë. Plagët e popujve bëjnë dritë, thashë me zë. Never forget!. Edhe të kujtuarit është kulturë, që vendet e kulturuara kanë institucionet e saj, me rendësi të dorës së parë. arkiva e shtetit, biblioteka, akademi, muzeume, institute, katedra, tempujt e besimit, shoqata, vepra arti, statuja, teatër, përkujtimore, kuvende, tubime, homazhe, kronika, kujtesë të institucionalizuar etj, etj, dhe mbi të gjitha libra, libra pafund. Ne, shqiptarët, jemi disi spontanë me kujtesën kolektive, edhe emotivë disi, natyrisht të dhëmbshur, dhe dinjitoz:e patjetë, por sikur kemi më të institucionalizuar harresën. Pse? Ku janë shoqatat tona këtu, po ambasadat? Promovimi i librit të plagëve të Kosovës ishte vërtet prekës, pa akademi, i sinqertë, i thjeshtë, serioz, por gati spontan, një dëshirë e disa shqipatrëve t;e mire, por jashtë axhendave të atyre do t’u takonte një veprimtari kësisoj, kulturore dhe shtetërore. Që gjërat të kenë vlerën që meritojnë dhe peshën e duhur. S’është fjala thjesht për publicitet dhe jehonë. Po për kujtesën kolektive, që forcon të kaluarën për një të ardhme me te mire, e thamë dhe atje. Po edhe për culture, që të pasurojmë të përditshmen se bashku. Dhe te mos mbetet “midis nesh”, një grushti shqiptar;esh, por t’u tregohet dhe të tjerëve, në bashkëpunim si një shk;embim përvojash dhe kulturash. Kur po i afrohesha shtëpisë, m’u kujtua porosia e Papa Françeskut që u dha shqiptarëve, kur erdhi në Tiranë: “Mos harroni plagët dhe folenë!”. Plagët – si popull i vuajtur; folene – si zogj shqiponjash. Dhe sikur ngjajnë, plagët janë fole plot me kujtesë dhe foleja është një plagë e bukur jete…

Filed Under: Analiza Tagged With: Visar Zhiti

Nën një qielli tjetër – Poezi nga Ibrahim Abedini

April 10, 2022 by s p

Nën një qielli tjetër

Nga frika e së vjetrës 

u sulëm për një jetë të re

Si dallëndyshet kur lën të prindërve fole

Pa ia njohur trokëllimën tokës

Pa ia matur krahëve fluturimin

Pa patur një të vetmin mik,

Nga që,

Tokën e gjyshërve na rrëmbeu një armik

Një barbar, një sllav i egër

Që ditën na urrente

Dhe natën na shtinte frikë…

Na theu ëndërr, na vrau dashuri

Na shkëputi nga krahët

Siç shkëputet nga nëna një fëmi…

Dhe ne ikëm si të marrë

Të përqafojmë një atdhe të ri,

Një tokë për të mbjellur kujtimet

Një det për të larë trishtimet;

Dhe një mal ku të vajtohen gabimet…

Po ku gjendet një jetë kaq e mirë?

Kur qetsia s´gjen hapsirë,

Kur shpirtin e ke hedhur në mugëtirë

Dhe zemrën ta kafshon një errësirë…

Në gozhdën e murit varur e jotja dëshirë

Ku dashuria ndez qiri e kërkon mëshirë

Ti kërkon në një botë të re

Një jetë të mirë…

                    Poeti Strugan (Ibrahim Abedini)

Përse, o jetë

Kaq shumë padrejtsi, përse o jetë?

Male edhe fusha deri në pafundsi

Syri sa s´të sheh ka, jo vetëm det

Vendosur të gjitha në këtë planet…

Përse, o jetë, me kaq ndarësi?

Dikush i pasur, dikush me lotë në sy

Sa shumë shpresojnë në zot

Të tjerë në fat të ri

Të miturit presin të mirat t´i vin në rini

Të kaluarit në moshë i presin në pleqëri…

Përse, o jetë, e ndarë në klasa,

E ndarë në kategori,

E ndarë në raca, si ndërtesa me tarraca…

Përse, me vuajtje e me mundime ku,

Të sëmurit kërkojnë shëndet,

Ku shpresat i varin edhe në magji

Ndërsa të varfërit, kërkojnë pasuri…

Përse të gjitha këto kërkesa, o jetë?

Kur ti i krijove vetë!

Edhe nëse i krijoj dikush,

Përse të gjitha i bëri me kusht?!…

               Poeti Strugan(Ibrahim Abedini)

Lotit s´i besoj

Kur të më afrohet vdekja 

Tek pragu i derës do dal, 

Më këmbë vetë do ta pres

Me një poezi të bukur të jetës

Në praninë e erës dua të vdes.

Kur vdekja të vi e të më marrë, 

Dua të më gjej si kalin në arë,

Më këmbë, pa lënguar, pa u shtrirë,

Dhe jo në mbrëmje,jo në errësirë,

Në mëngjes le të vi, më të gëdhirë.

Kur të nisem për te shtëpi e fundit

Marshi të kaloj në qetësi,

Urtë, pa liturgji,

Lotë të mos derdhen, as fjalë të thata dhe

 të mos përrallosen lëvdata të gjata. 

Me duartë e mia varrin ta rrëmoj

Në besimin e vjetër Ilirjan të besoj:

As yll e as hënë nuk dua të qëndroj,

Djersa ime e egër, 

E kripët që do pikoj,

Mbi pllakë të shkruaj:

“Lotit s´i besoj”… 

           Poeti Strugan (Ibrahim Abedini)

Sa kam lotë do të qaj

Do qaj sa herë tek ty do vi

Nuk të them sa gjatë do rri

Po të tregova do bjerë Shi 

Ti me mua do mbash mëri …

Do derdh lotë në qosh të Drinit

Me rrëmbim që të arrijnë detin

Ose tek parku ndër lule të blinit

Aty ku të lash, aty do gjej vetin…

Lotët e mia një ditë do të thahen

Siç thahet dylla e drurit pa shpirt

Atë ditë këmbët nuk do mbahen

Çdo gjë për mua do jet e brishtë…

Ti do qëndrosh aty për herë

Në dimër e në të artën verë

Lulet do të kenë tënden erë

Unë në dhe do të jem prerë…

       Poeti Strugan(Ibrahim Abedini)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ibrahim Abedini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 193
  • 194
  • 195
  • 196
  • 197
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT