• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nën një qielli tjetër – Poezi nga Ibrahim Abedini

April 10, 2022 by s p

Nën një qielli tjetër

Nga frika e së vjetrës 

u sulëm për një jetë të re

Si dallëndyshet kur lën të prindërve fole

Pa ia njohur trokëllimën tokës

Pa ia matur krahëve fluturimin

Pa patur një të vetmin mik,

Nga që,

Tokën e gjyshërve na rrëmbeu një armik

Një barbar, një sllav i egër

Që ditën na urrente

Dhe natën na shtinte frikë…

Na theu ëndërr, na vrau dashuri

Na shkëputi nga krahët

Siç shkëputet nga nëna një fëmi…

Dhe ne ikëm si të marrë

Të përqafojmë një atdhe të ri,

Një tokë për të mbjellur kujtimet

Një det për të larë trishtimet;

Dhe një mal ku të vajtohen gabimet…

Po ku gjendet një jetë kaq e mirë?

Kur qetsia s´gjen hapsirë,

Kur shpirtin e ke hedhur në mugëtirë

Dhe zemrën ta kafshon një errësirë…

Në gozhdën e murit varur e jotja dëshirë

Ku dashuria ndez qiri e kërkon mëshirë

Ti kërkon në një botë të re

Një jetë të mirë…

                    Poeti Strugan (Ibrahim Abedini)

Përse, o jetë

Kaq shumë padrejtsi, përse o jetë?

Male edhe fusha deri në pafundsi

Syri sa s´të sheh ka, jo vetëm det

Vendosur të gjitha në këtë planet…

Përse, o jetë, me kaq ndarësi?

Dikush i pasur, dikush me lotë në sy

Sa shumë shpresojnë në zot

Të tjerë në fat të ri

Të miturit presin të mirat t´i vin në rini

Të kaluarit në moshë i presin në pleqëri…

Përse, o jetë, e ndarë në klasa,

E ndarë në kategori,

E ndarë në raca, si ndërtesa me tarraca…

Përse, me vuajtje e me mundime ku,

Të sëmurit kërkojnë shëndet,

Ku shpresat i varin edhe në magji

Ndërsa të varfërit, kërkojnë pasuri…

Përse të gjitha këto kërkesa, o jetë?

Kur ti i krijove vetë!

Edhe nëse i krijoj dikush,

Përse të gjitha i bëri me kusht?!…

               Poeti Strugan(Ibrahim Abedini)

Lotit s´i besoj

Kur të më afrohet vdekja 

Tek pragu i derës do dal, 

Më këmbë vetë do ta pres

Me një poezi të bukur të jetës

Në praninë e erës dua të vdes.

Kur vdekja të vi e të më marrë, 

Dua të më gjej si kalin në arë,

Më këmbë, pa lënguar, pa u shtrirë,

Dhe jo në mbrëmje,jo në errësirë,

Në mëngjes le të vi, më të gëdhirë.

Kur të nisem për te shtëpi e fundit

Marshi të kaloj në qetësi,

Urtë, pa liturgji,

Lotë të mos derdhen, as fjalë të thata dhe

 të mos përrallosen lëvdata të gjata. 

Me duartë e mia varrin ta rrëmoj

Në besimin e vjetër Ilirjan të besoj:

As yll e as hënë nuk dua të qëndroj,

Djersa ime e egër, 

E kripët që do pikoj,

Mbi pllakë të shkruaj:

“Lotit s´i besoj”… 

           Poeti Strugan (Ibrahim Abedini)

Sa kam lotë do të qaj

Do qaj sa herë tek ty do vi

Nuk të them sa gjatë do rri

Po të tregova do bjerë Shi 

Ti me mua do mbash mëri …

Do derdh lotë në qosh të Drinit

Me rrëmbim që të arrijnë detin

Ose tek parku ndër lule të blinit

Aty ku të lash, aty do gjej vetin…

Lotët e mia një ditë do të thahen

Siç thahet dylla e drurit pa shpirt

Atë ditë këmbët nuk do mbahen

Çdo gjë për mua do jet e brishtë…

Ti do qëndrosh aty për herë

Në dimër e në të artën verë

Lulet do të kenë tënden erë

Unë në dhe do të jem prerë…

       Poeti Strugan(Ibrahim Abedini)

Filed Under: Analiza Tagged With: Ibrahim Abedini

Gjellë qensh…

April 8, 2022 by s p

Gezim Zilja/

Pardje shqiptarët panë maskaradën e rradhës në një intervistë të lodhshme, me ironira e pasaktësira, ku bisedat përsëriteshin e ripërsëriteshin, madje duke u marrë dhe me të vdekurit, që gjallojnë dhe të gjallët e vdekur që jetojnë, duke e kthyer gjithçka në gallatë bulevardi. Ishte një teatër i kryeministrit me Blendi Fevziun, e llojit korr e mos lidh se kështu i do mushka drutë, apo një mungesë serioziteti e gazetarit? Sipas gjykimit tim këto intervista të llojit korr e mos lidh, ku bëhen njëqind pyetje e merren njëmijë përgjigje, që nuk kanë lidhje me pyetjet, nuk japin asnjë informacion për të vërtetën, e ngatërrojnë dëgjuesin, që ky të dëgjojë gjithçka, të hutohet e të mos marrë vesh asgjë. Fevziu ka patur rastin të intervistojë disa herë drejtues të këtyre tridhjetë viteve si Ramiz Alia, Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, dhe Edi Ramën. Të gjithë këta janë pjellë e sistemit dhe edukimit komunist (përfshi edhe vet Fevziun) e një demagogjie të pafre, që përpiqen të të mbushin mendjen që je i ngopur kur ke ditë pa ngrënë, që të të thonë se je i lumtur kur ti njeh vetëm mjerimin, kur të japin të hash sapun e të thonë që është djathë, që të varrosin historinë e trashëgiminë kulturore e të thonë që ky është modernizim se e ka bërë arkitekti më i madh në botë, etj, etj. Të gjithë pa përjashtim përfshirë dhe  miushët e miushet ministra e ministresha që i imitojnë, janë delirantë, mendjemëdhenjë, gënjeshtarë, hakmarrës deri në marrëzi e që për marrjen e mbajtjen e pushtetit  nuk njohin normë e kufi njerëzor. Në rastin e një interviste të tillë, gazetari duhet të njihet thellësisht me ngjarjet, faktet, kohën, teknologjinë dhe të gërmojë seriozisht mbi çështjet që do të diskutohen. Sepse nuk është e lehtë të intervistosh demagogë të tillë. Gazetari profesionist dhe atdhetar drejton me mençuri pyetje, rendit fakte shifra, që i bëjnë ata të rrëfehen, duke iu zbuluar fytyrën e vërtetë, i bën të duken qesharakë dhe hipokritë me gënjeshtrat e tyre. Por kjo nuk ndodhi. Dukej sikur Fevziu kishte ardhur drejtpërdrejt nga një lojë bilardoje me pak sete, nga palestra apo pas një gjumi të lehtë, nga një drekë me  verë të zgjedhur. Sepse nuk mund të bëhen pyetje thelbësore, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me të ardhmen e Shqipërisë e korrupsionin e frikshëm, pa pasur haber për to si: lejimi i kanabisit, inceneratorët, çvendosja e Portit të Durrësit, ndërtimi i Porto Romanos dhe katër porteve të tjera dy në Vlorë dhe nga një në Sarandë e në Shëngjin, ( mirë ishte të pyetej edhe për Rrugën e Arbrit që është një katastrofë) për transformimin e Sheshit të Flamurit, për nivelin e jetesës etj. etj. Që të shtrosh probleme të tilla duhet të jesh ekspert ekonomie, jurist i klasit të parë, ekspert detar, inxhinier ndërtimi, hidroenergjitik, elektrik, historian, arkitekt, ekspert i trashëgimisë kulturore madje pilot e tankist. Të ngresh probleme e të bësh pyetje të tilla duhet të kesh me vete një grup ekspertësh ose të konsultohesh ditë e javë të tëra me ta. Kjo është e pakta që duhet bërë por meqënëse edhe KM-ja vet as që merr vesh nga këto punë, ia futin të dy kotekot muhabetit. Po marr shkurt tre probleme të ngritura në atë intervistë. Në rastin e Portit të Durrësit dhe ndërtimit të riut në Porto Romano, investime e ndërrmarje të tilla me projekte azmatikë, një shtet të dobët si Shqipëria e falimentojnë dhe e kthejnë në koloni të sipërmarrësve të huaj. Vetëm ajo që falin shqiptarët, duke bërë këtë transfertë portesh është 3,6 miliard dollarë, kundrejt investimit të supozuar prej dy milliard dollarësh të arabëve. Po Fevziu dhe një pyetje të saktë që bëri se me çfarë parash do të ndërtohet Porto Romano u ngatërrua e harroi të merrte përgjigje. Porto Romano do bëhet me paratë e shqiptarëve dhe sipas llogaritjeve të specialistëve duhen  e pakta 600 deri 800 milionë dollarë amerikanë. Për Sheshin e Flamurit, filmi i paraqitur nga KM-ja me pyje e gjelbërim ku mungonin papagajtë e  flamengot, ishte një prodhim 3D i shplarë, larg së vërtetës. Ishte shtuar një qylym i kuq poshtë terminalit, që lidh përmendorën me varrezat e dëshmorëve, medemek do të paraqiste gjakun e dëshmorëve. Kjo e tejkalon çdo gjë normale. Po e zemë se nuk është terminal  autobuzash por stacion autobuzi si tha KM-ja i nderuar. Po aty do të kalojnë autobuzët e do të shkelin me këmbë qytetarët gjakun e dëshmorëve?! Po me kakërdhitë e deleve, kecave e dhive që bien fshatarët me vete për t’i shitur kur zbresin te stacioni, çdo të bëhet? Sheshi ndoshta ka pasur nevojë për ndonjë rregullim. Sikur  KM-ja të ishte konsultuar me urbanistët, arkitektët, ambientalistët e historianët e mrekullueshëm vlonjatë, aty do të kishte dalë diçka shumë e mirë. Tani na del inxhinieri më i mirë në botë dhe kryeministri, duke mbulur kokën e madhe me duar deklaron: “ edhe unë nuk marr vesh por belgu Xavier, tha që të mos prishet se pallati i Sulos…” Po pse për vjeljen e gorricave po flitej aty? Sa për kanabisin problemi në këtë shtet rrupallhane nuk do të jetë me njerëzit por me delet, dhitë, lopët, gomerët, kuajt e pelat se bar e jonxhë nuk ka për tu mbjellë më në Shqipëri.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja

MODELI I  ASNJANËSISË SË SUEDISË DHE TË AUSTRISË – I PAPRANUESHME PËR KIEVIN   

April 6, 2022 by s p

????????????????????????????????????

Xhelal Zejneli

Austria dhe Suedia, dy shtete që nuk janë anëtare të NATO-s edhe zyrtarisht janë asnjanëse në rast lufte. Janë model që Rusia dëshiron t’ia imponojë Ukrainës. Duke parë invadimin e Rusisë, tani edhe vetë ato pyesin, sa është i qëndrueshëm një status i tillë i tyre. Në anën tjetër, Kievi një model të tillë e refuzon dhe përballë Rusisë kërkon garanci të sigurisë absolute. 

Austria fuqimisht i përmbahet asnjanësisë së vet. “Asnjanësia është pjesë e identitetit austriak”, deklaron politologu dhe profesori i Marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit të Insbrukut (Innsbruck), Martin Senn (Martin Sen, 1960-). Asnjanësia që ia imponoi Austrisë në vitin 1955 Bashkimi Sovjetik, pas dhjetë vjet pushtimi bashkë me Perëndimin, këtij vendi që e komprometoi Hitleri, i mundësoi një shkëputje dinjitoze nga e kaluara e luftës, kështu që ajo u bë vend i takimeve historike.  

Në vitin 1961, pikërisht në Austri, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik pas vdekjes së Stalinit (Josip Stalin, 1879-1953) dhe kryeministër i viteve 1958-1964, Nikita Sergeeviç Hrushov, ia shtrëngoi dorën presidentit të atëhershëm amerikan Xhon Kenedit (John Fitzgerald Kennedy, 29.05.1917 – atentat, 22.11.1963). Në vitin 1979, po në Austri, ia shtrinë dorën njëri-tjetrit udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik i viteve 1964-1982 Leonid Brezhnjev (1906-1982) dhe presidenti amerikan Xhimi Karter (Jimmi Carter, 1924-).

Organizata e Kombeve të Bashkuara, një prej selive të vet e ka vendosur në Austri. Pas kësaj, vendime të tillë kanë marrë edhe organizata ndërkombëtare të tjera. Që atëherë, Vjena mbështet paqen në botë dhe shpesh është nikoqire e bisedimeve shumëpalëshe. Mirëpo, Austria nuk është plotësisht asnjanëse. Në vitin 1995 Austria aderoi në Bashkimi Evropian dhe sipas Marrëveshjes së Lisbonës të vitit 2009, merr pjesë në sigurinë dhe në mbrojtjen e përbashkët. Profesor Martin Sen (Martin Senn) thotë: “Për këtë kurrë s’është diskutuar”. Sipas tij, lidhur me sa më sipër, sa më parë duhet të debatohet. 

Rusia e cila tradicionalisht ka lidhje të afërta me Austrinë, ia mban për të madhe Vjenës “asnjanësinë fiktive”, për arsye se ajo e mbështeti Ukrainën, sikundër të gjitha vendet e Perëndimit, me përjashtim të Serbisë. 

Editorialisti i javores “Profil”, Kristian Rainer (Christian Rainer, 1961-) shkruan: “Na u  desh  një luftë e këtillë mizore , qindra kilometra lar nesh, që të pushojmë të jemi naivë”.

Madje edhe ushtria austriake ka shprehur keqardhje për pakësimin e buxhetit ushtarak. Midis anëtarëve të BE-së, me 0,7% të PBV, Austria është vendi i tretë i cili më së paku ndan për ushtrinë, nën Maltën dhe Irlandën, të cilat po ashtu janë vende asnjanëse. Qeveria austriake paralajmëroi se planifikon t’i rritë investimet për ushtrinë në 1 për qind, për ta arritur së paku Zvicrën fqinje, e cila po ashtu është asnjanëse dhe e cila ka tri herë më shumë ushtarë, aeroplanë luftarakë dhe tanke. 

Por kancelari austriak, i cili është ushtar karriere, refuzon të hapë Kutinë e Pandorës. “Austria do të mbetet asnjanëse”, porositi konservatori Karl Nehammer (Karl Nehamer, 1972-) dhe i mbylli të gjitha diskutimet. Sipas një pyetësori të zbatuar para pak kohësh,  aderimin e Austrisë në NATO, e mbështet jo më shumë se çdo i pesti austriak.   

Rasti i Suedisë – Në kohë paqeje, Suedia zyrtarisht nuk është e lidhur me asnjërën palë, ndërsa në kohë lufte, ajo është asnjanëse (neutrale). Politikën e vet strikte të asnjanësisë e ndërpreu kah fundi i luftës së ftohtë, përkatësisht në vitin 1992, tre vjet para se të aderonte në Bashkimin Evropian. Suedia është një prej vendeve të rralla të Evropës e cila mbi dy shekuj nuk di për luftë, d.m.th. nuk ka përjetuar luftë. Suedia nuk është anëtare e NATO-s, edhe pse që prej mesit të viteve ’90 të shekullit XX, është pertnere e aleancës ushtarake, ndërsa në vitet e fundit, vazhdimisht i është afruar asaj. Investimet për ushtrinë i ka reduktuar me të madhe. Në vitet ‘60 dhe ’70 të shekullit XX, investimet për ushtrinë arrinin rreth 4%, ndërsa në vitin 2010 ato u reduktuan mezi në 1 për qind. Por, pas viti 2014, kur Rusia e aneksoi gadishullin e Krimesë, Suedia përsëri filloi të investojë në ushtri. Që nga invadimi i Rusisë në Ukrainë, Suedia paralajmëroi se deri vitin 2030 investimet në ushtri synon t’i rritë në 2% të PBV. Sipas një pyetësori të zbatuar para do kohe, shumica e suedezëve për herë të parë u deklaruan se dëshirojnë që vendi i tyre të aderojë në NATO, por kryeministrja që vjen nga radhët e partisë socialdemokrate, Magdalena Andersson (Magdalena Anderson, 1967-), një mundësi të tillë e hodhi poshtë, me arsyetimin se kjo do të mund të destabilizonte gjendjen në veri të Evropës. 

Sipas pyetësorëve, numri i skeptikëve ndaj NATO-s ka rënë edhe në Finlandë dhe ajo nuk është aq e prerë kundër anëtarësimit. Para do kohësh, kryetari i Finlandës Sauli Niinisto (Sauli Niinistö, 19948-) bëri thirrje që për këtë të bisedohet dhe të vendoset “pa ngurrim, por me mend”. Sipas tij, hyrja në NATO do të mund ta shtonte tensionimin. Lidhur me aderimin në NATO, Kuvendi i Finlandës do të debatojë në prill, kur pritet të marrë raport “për përparësitë dhe për rreziqet”.   

Moska ia imponoi Finlandës asnjanësinë gjatë luftës së ftohtë. Finlandezët këtë e kujtojnë me hidhërim. Kjo asnjanësi që njihet emrin specifik “finlandizim”, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik – pushoi. Finlanda nuk është e lidhur me asnjërën palë, por nuk e pranon etiketën e asnjanësisë dhe është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e aleancës perëndimore.

Asnjanësia e Zvicrës – Zvicra me shekuj i është përmbajtur politikës së asnjanësisë ushtarake në punët globale. Ajo nuk është i vetmi shtet asnjanës në botë. Të tilla janë edhe Irlanda, Austria, Kosta-Rika etj. Shenjat e para të asnjanësisë zvicerane datojnë qysh nga viti 1515, kur Konfederata e Zvicrës pësoi humbje të madhe prej francezëve në betejën për Margnanon. Pas humbjes, Konfederata hoqi dorë nga politika e vet ekspansioniste dhe për të ruajtur ekzistencën e vet, u shmangej konlikteve. Por, luftërat e Napoleonit e vulosën vendin e Zvicrës si një shtet asnjanës. Në vitin 1798 Franca e sulmoi Zvicrën duke e bërë më vonë satelite të perandorisë së Napoleon Bonapartit dhe duke e detyruar ta komprometojë asnjanësinë e vet. Pas disfatës së Napoleonit në Vaterlo (Waterloo), Fuqitë e Mëdha të Evropës erdhën në përfundim se një Zvicër asnjanëse do të shërbejë si zonë tamponi ndërmjet Francës dhe Austrisë dhe do të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit. Gjatë Kongresit të Vjenës të mbajtur në vitin 1815 nënshkruan deklaratën me të cilën vërtetohet “asnjanësia e përjetshme” e Zvicrës në bashkësinë ndërkombëtare. 

Zvicra e ruajti qëndrimin e vet të paanshëm edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ku e mobilizoi ushtrinë e vet dhe pranoi refugjatë, por refuzoi të marrë anë ushtarakisht. Ndërkohë, në vitin 1920, Lidhja e Popujve e sapoformuar, asnjanësinë e Zvicrës e njohu zyrtarisht dhe e themeloi selinë e vet në Ggjenevë. Asnjanësia e Zvicrës u sfidua dukshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi u gjend i rrethuar nga fuqitë e Boshtit. Zvicra e ruajti asnjanësinë e vet duke paralajmëruar se në rast invadimi do të reagojë. Por, në anën tjetër ajo nuk e ndali tregtinë me Gjermaninë naziste. Pas mbarimit të luftës, një veprim i këtillë u cilësua si kontravers. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Zvicra luajti rol veprues në punët ndërkombëtare, duke u ndihmuar nismave humanitare. Kur është fjala për punët luftarake, ajo mbetet asnjanëse. Kurrënuk iu bashkëngjit Organizatës së Paktit Veriatlantik (NATO-s) apo Bashkimit Evropian. Anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u bë jo më parë se në vitin 2002. Përkundër asnjanësisë shumëvjeçare, Zvicra ende mban ushtri për qëllime mbrojtëse. Prej të gjithë meshkujve të moshës 18 deri në 34 vjeç, kërkon shërbim ushtarak me gjysmë orari pune.  

*   *   *

Asnjanësinë sipas modelit të Suedisë dhe të Austrisë, që e kërkon Moska, Ukraina nuk e pranon.  

*   *  *

Në zgjerimin e katërt të Bashkimit Evropian, më 1 janar 1995, anëtare të saj u bënë Austria, Finlanda dhe Suedia. Norvegjia e nënshkroi marrëveshjen, por nuk e ratifikoi për arsye aderimi i saj në BE sërish u refuzua në referendum. Anëtare të NATO-s nuk janë edhe Malta, Irlanda dhe Qiproja. S’ka dyshim se anëtarësimin e Qipros në aleancë, për shkaqe të njohura, do ta parandalonte Ankaraja. 

*   *   *

Shënim: Kuti e Pandorës – Në mitologjinë greke të lashtë, Pandora ishte një grua e bukur të cilën e kishte krijuar Hefesti. Të gjitha perënditë i kishin dhuruar dhurata nga më të çmuarat. Zeusi e dërgoi Pandorën në Tokë si dënim për rrëmbimin e zjarrit nga Prometeu. I dha asaj një enë në të cilën ishin fshehur të gjitha të këqijat. Vëllai i Prometeut, Epimeteu, përkundër kundërshtimit të Prometeut, e merr për grua dhe e çel enën nga e cila u liruan të gjitha sëmundjet, fatkeqësitë dhe të këqijat e tjera. Kur më në fund ia dolën ta mbyllin enën, në të kishte mbetur vetëm – shpresa. Për këtë arsye, për Pandorën thuhet se është “sjellëse e fatkeqësisë”, ndërsa për enën apo kutinë e Pandorës – “dhuratë që shkakton probleme dhe grindje”. 

Lufta e ftohtë – Lufta e ftohtë ishte konflikt politik midis fuqive të Perëndimit, të udhëhequra nga ShBA-ja dhe fuqive të Lindjes, të udhëhequra nga BRSS-ja. Zgjati prej vitit 1945 deri në vitin 1991. U zhvillua me të gjitha mjetet e mundshme, por kurrë nuk u shndërrua në konflikt të armatosur masiv, përmasash botërore. Lufta e ftohtë karakterizohet me “konflikte” ekonomike, politike dhe propagandistike midis Perëndimit dhe Lindjes, me qëllim të luftimit të ndikimit të bllokut armiqësor. Karakteristikë kryesore e luftës ishte gara në armatim, por lufta solli edhe përparime të dukshme në lëmin e kulturës, të sportit, të shkencës dhe të teknologjisë. Më e rëndësishme ka qenë gara kozmike që pati si rezultat vajtjen e  njeriut në gjithësi.           

Xhelal Zejneli

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

Apetitet territoriale

April 5, 2022 by s p

Shqiprim Pula

Njohës i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare/


Në Europë, por edhe më gjërë, po ndodhemi përpara një skenari të ri politik, më shqetësues, më alarmant, në mes të bashkëjetesës politike, dhe ‘pavarësisë’ politike përmes kritikave apo vënies në pikëpyetje të disa aspekteve të saj por edhe faktit të thjesht, të mbrojtjes së saj. Mbase kjo përkon me maksimën, ҁdo tezë ka edhe antitezë!. Por ja që, ҁuditërisht, vrojtojmë dhe verifikojmë se ‘nganjëherë’ ata që më së shumti ulërasin si mbrojtës të demokracisë dhe lirisë, mund të jenë, po ata, që mbështesin dhe jetësojnë politika kufizuese të lirive individuale.

Ukraina në ditët e sotme po shërben si një teatër aktiv i luftës, realiteti atje u kthye në një makth të jashtëzakonshëm ndërmjet dy vëllezërve nga baballarë të ndryshëm, prandaj është tepër e vështirë në një moment kaq kritik të përkufizohet situata në të cilën është zhytyr e gjithë Europa. Vazhdimi i këtij teatri aktiv lufte, po krijon një krizë ekonomike me përmasa serioze që mund të ҁojë poashtu në një krizë të re sociale e shëndetësore.
Në gjeopolitikën Ballkanike, situata e sigurisë nuk qe aspak për lavdatë ndër dekadash, sulmet e konfliktet mbi etninë Shqipëtare në veҁanti ishin të vazhdueshme dhe jo vetëm në kontekstin politik por edhe territorial brenda-rajonal, pra nga fqinjët. Si p.sh., apetitet territoriale nga Serbia ndaj Kosovës (rasti; veriu i Kosovës); apetitet territoriale nga Greqia ndaj Shqipërisë (rasti: Jugu i Shqipërisë apo siҁ e quajnë Grekët “Vorio Epiri” si dhe ujrat detare) ide kjo e kultivuar në masë nga kisha ortodokse Greke; apetitet e Serbisë ndaj kishës ortodokse në Maqedoni, apetitet e Bullgarisë ndaj Maqedonisë mbi etninë; mosnjohja e emrit Maqedoni nga ana e Greqisë; si dhe mosnjohja e Kosovës Republikë nga Greqia ka prolonguar mjaftë procese gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkanin perëndimor. Çuditërisht, përkundër se Greqia vend anëtar i NATO-së dhe UE-së, nuk i ka kontribu kultivimit të fqinjësisë së mirë. Mentaliteti provincial në këtë pjesë të Europës më së miri përshkruhet nga juristi dhe filozofi politik Montesquieu “Europa është një Shtet i përbërë nga shumë provinca”. Europa, nuk kishte një armik të përbashkët në Ballkanin perëndimor, ngase kishte disa, andaj kishte shumë vështirësi për të arritur marrëveshje me mirësi.
Përtej Europe, Uashingtoni dhe Pekini kanë një ҁështje me ndjeshmëri të lartë lidhur me Taiwanin, për shkak të mbështetjes ushtarake Amerikane që i jep Taipeit. Ishulli në Indo-Paqësor, i cili ka një popullsi prej rreth 24 milion, Kina e konsideron pjesë territoriale të saj, andaj dhe me kujdes e maturi deklarohet mbi invazionin ushtarak të federatës Ruse ndaj Ukrainës. Por, presidenti Kinez Xi Jinping dhe presidenti Amerikan Joe Baiden, së fundëmi, kanë rënë dakord që më tejë ‘marrëveshjen e Taiwanit’ mbi pozicionimin e Kinës si territor të saj, t’a respektojnë. Sikundër që Kina nuk duhet t’a ndihmojë federatën Ruse apo së paku të qëndroj neutrale.Më tepër se 70 vite, që kur ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore, por po aq ishin përpjekjet për një traktat paqeje ndërmjet dy kombeve asaj të federatës Ruse dhe Japonisë, lidhur me katër ishujt që gjenden në bregun Verior të Japonisë, të cilat u aneksuan nga Unioni Sovietik me 1945-tën. Me nisjen e luftimeve në Ukrainë, Japonia u rreshtua me shtetet që vendosen sanksione ekonomike ndaj federatës Ruse, dhe gjatë muajit Mars, Rusia deklaroi se tërhiqet nga bisedimet e paqes me Japoninë për katër ishujt e kontestuar, e që tani, formalisht Rusia dhe Japonia janë në luftë. Anembanë botës ka shembuj klasik që njihen si ‘konflikte të ngrira’ që kanë vazhduar pas ndalimit të luftimeve, në mos njohje të statusit shtetëror apo kontestimin e territoreve të caktuara e që në fjalorin ushtarak do të quhej pauzë taktike.Zgjidhja e ҁdo problemi është t’a gjesh atë!.

Filed Under: Analiza

NË KUJTESË: PROTESTA  E  4 PRILLIT 1880 E KRERËVE TË MALËSISË DHE JEHONA E SAJ…

April 4, 2022 by s p

Drejtuar konsullatës të Austro-Hungarisë ,  Francës , Anglisë dhe Italisë.

NDUE  BACAJ

Pas kongresit famkeq të Berlinit (1878) ,trojet shqiptare të Malesisë Madhe (si edhe shumë troje të tjera të Shqiperisë Etnike) , u lane “hali” nga pushtuesi  shekullor Turko-Osman , tashma i dobësuar para fuqive të Europes së Kohës. Fqinjët e Shqiperisë dhe Malësisë në keto kushte kerkonin të zgjeroheshin me sa më shumë troje shqiptare ,qoftë edhe duke ndryshuar protokollin e kongresit të Berlinit.. Nga trojet e Malesisë së Madhe kerkonte të perfitonte edhe fqinja e vogël dhe vonshme, Mali i Zi , i  cili  edhe deri në këtë kohë me bekimin e fuqive Europiane të kohës, me në krye  Rusinë, ishte zgjanuar jo pakë me troje safi shqiptare , që Europa plakë fatkeqësisht  i “konsideronte” toka të pushtuesit turk-osman… Megjithëse në këto kushte “vetmie” Malësorët shqiptar si gjithnjë , kishin qënë pushkë e ngrehur në mbrojtje të trojeve të tyre , që i zotronin të parët që kur lindi jeta njerëzore prej mijëra vitesh në keto vise të Europës.. Malësorët, si gjithnjë në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave të tyre, së pari fillonin “luftën” me pendë e pastaj  luften  me zanatin e të parëve të tyre, me pushkë në dorë. Një nga “luftrat” e shumta domethenese me pendë të Malësorve , është edhe protesta e krerëve të fiseve të Malesisë , të cilet në marrveshje me Degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër ju a dergojnë konsullatave të Austro-Hungarisë , Francës , Anglisë dhe Italisë.

PËRMBAJTJA E PROTESTËS:

“Nuk ka shumë kohë që qeveria e Malit Zi ka njoftue me anë të komandantit të Podgoricës  z. Pop  Ilisë , që fiset e perfaqesueme prej nesh(Hot, Grudë…)  do ti jepen Malit të Zi , në vend të Plavës e Gucisë. Kishte me qënë e tepërt me tregue kundershtimet që ngjajnë mbas nji lajmi kaq të trishtueshem. Ndryshimi i races , i besimit , i zakonit e i lirisë  që kemi fatin me gëzue janë në kundershtim me aneksimin e pretenduem. Prandaj ska njeri që të mos dinë privilegjet që qeveria e Naltmadhnisë së tij Sulltanit na ka akordua në të gjitha anët , e ushtrimi i lirë i besimit , i gjuhës e zakoneve , janë prova të gjalla të knaqjes tonë të plotë që jemi pjestar të perandorisë së lumnueme të Naltmadhnisë tij Sulltanit , me të cilin na lidhin  tradita shekullore nderi e besnikëri. Deshirojmë me jetue e me gëzue lirinë për të cilën jemi kryenaltë ; ndryshe na nuk kishim me ndëjë pa kundershtue cilindo  qoftë për ndrrimin e modifikimin e fatit tonë e të statu-quosë.  Pastaj për nji vendim aq të shejtë kemi vendue e duam me derdhë piken e fundit të gjakut tonë para se me hy ndër zgjedhen e një qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut tonë. Levizjet e trupave malazeze që janë pamun keto ditë në kufi shqetsojnë popullin tonë , dhe e shtojnë gjithnjë frigen tonë . Prandaj na të nënshkruemit marrim leje me ju terhjek vrejtjen. Shumë i ndershmit zotni , mbi ç’ka kemi permend ma naltë me lutje  që këtë gjendjen tonë  t’ja parashtroni qeverisë , të cilen zotnia juej  denjësisht e perfaqesoni ktu në Shkodër. Marrim leje me ju deklerue se përsa i përket fiseve tona njohim vetëm protokollin e kongresit të Berlinit . Na të nëshkruemit ju paraqesim , shumë i ndershmi zotni ,nderimet tona ma të pervuta, e kemi nderin me nënshkrue…

Për Hotin : Çun  Mula , Marash Uci , Dedë Gjon Luli , Nikollë  Mirashi, Mal Gjoni , Stak Breci , Ismail  Marku  , Dedë  Lulashi dhe Nikë Nica .

Për Grudën : Smajl  Martini , Baca  Kurti dhe Pllumb  Gjeka .

Për Kelmendin : Ujkë  Gila , Kaçel  Turku dhe Nikë  Leka.

Për Kastratin : Dodë Preçi , Shaban  Elezi , Gjergj  Prela , Gilë  (Brahim) Vuksani dhe Prelë Tomë Nikolla.

Për Shkrelin :  Marash  Dashi dhe Tomë  Nika. 

Përfaqesues i Kojës dhe i Kuçit :  i muslimanëve;  Ramë Hysi  , Hasan  Noko , i latinëve (katolikëve) Nikë Deda , Lul Vuksani , Gegë Ivani  e Tuz (Tuc) Geri ,  i të krishterëve (ortodoks)  Mirash Pera , Stojan  Gjeli e Mus  Melini.

Për Tuzin : Haxhi  Muji e Ramadan Aga .

Për Rjjollin : Hajdar  Huka e Met  Rrjolli.

Për Grizhen : Ali  Tahiri 

Për Koplikun : Sokol Mustaf Bajraktari , Met  Dema , Memë Shabani dhe Tafil  Et’hemi .

Për Reçin : Pater  Mark  Loshi  dhe  Zyber  Bajraktari.

Për  Gruemiren : Fasli  Gruemira…

Me 4 prill 1880.

Nga përmbajtja e protestës bie në sy “pranimi” dhe lavdrimi i  pushtetit të Sulltanit dhe perandorisë turko-osman mbi trojet shqiptare të Malesisë së Madhe e më gjërë.  Në të vertet ky pushtet  nuk ishte  pranuar praktikisht  nga Malesoret e Malesisë Madhe , që ndër shekuj me grykën e pushkës kishin fituar një autonomi të lakmueshme për kohën nga perandoria turko-osmane , por për arësye diplomatike (kohore) e “pranojnë” në tekstin e protestës pushtetin nën ligjet e Sulltanit , pasi ata e dinin mirë se kjo  perandori që kishte marrë tëposhten , një ditë do të thyente qafen  në Azi , prej nga kishte ardhur , ndërsa pranimi sundimit të fqinjit Malazez, nuk do të mbaronte “kurrë”… Gjithsesi malësorët me këtë protestë ngulin këmbë  mbi zbatimin e protokollit të kongresit të Berlinit , mbasi e dijshin se Malazezët  nuk ishin të zotët me pushtue Plavë e Guci. Nji prift me za i aso kohe , Don Pal  Shantoja i drejtoi  nji letër gazetës “Allgemeine Wiener Zeitung” me anë të së cilës ankohej per padrejtësinë që ishin tuj ba Pushtetet e Mëdha (të Europes) kombit shqiptar  e shtonte se : “mbasi ata  kanë hjekë dorë nga drejtësia , Shqiptarët do të derdhin gjakun per lirinë e vet , tepër të shejt”.  Kjo letër deshprimi i terhoqi vemendjen botës katolike , e cila filloi të interesohet ma tepër , kur pa se një prift katolik ngriti zanin e deshprimit. Kjo fushatë i dha të kuptojë Europës se Lidhja e Prizrenit  ishte me të vertet nji organizatë kombëtare shqiptare , e jo muhamedane si dojshin me e pershkrue anmiqtë e Shqiptarëve.  Fletoret xunë të sulmojnë qeveritë e veta per padrejtësitë  që ishin tuj ba në dam të Shqipnisë e në favor të Malit  të Zi… Perveç fletoreve edhe disa deputet folën nepër parlamentet e ndryshme  tuj kretikua qeveritë e veta e tue lavdrue trimninë e shqiptarëve. Nga këto fjalime , bujen ma të madhe e bani ai i deputetit anglez Jozef Cowen.  Ky foli dy herë tuj  kritikue  perkrahjen që i dha qeveria  Ingleze  Greqisë e Malit të Zi në dam të  Shqipnisë… Ai në fjalen e tij ndër të tjera do të thoshte : “Malazezët janë nji popull…. historija e të cilëve  humbë në brymën e kohës. Shqiptarët janë kombi ma i vjeter i  Levantit. Kanë disa cilësi që i  ndryshojnë fare nga ato të Malazezëve, por shqiptarët janë aq trima sa ata edhe dashunia e tyre per liri as u vu as as  mund të vihet në dyshim…”.  Padrejtësia që ju ba shqiptarëve tingëlloi edhe në  parlamentin e Italisë . Deputeti Rugero  Bonghi deklaroi : “ Të drejtat e shqiptarëve duhet të respektohen dhe dëshirojmë që kombi shqiptar  të ruaj nji vend per vehten e tij”.  Ndersa deputeti tjeter Italian) Maurici …u ngritë e tha : “Si në shqyrtimin e kufinit të Greqisë ashtu edhe në caktimin e Ulqinit  Malit të zi , u ba fjalë për të urdhnue (bashkue) popullsi të ndryshme nga raca e nga besimi”. Fatkeqësisht në ato kohë kishte pakë njerzë të medias , deputet e shtetarë në Europën plakë që kerkonin drejtësi  historike për shqiptarët e trojet e tyre etnike , ndaj edhe trojet tona  vijojnë të jenë të ndara edhe sot me kufijë politik, por kurr ma ata historik…

REFERENCAT : 

1.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptare , Akademia e Shkencave të RPS Shqiperisë , Instituti i Historisë, fq.100 , Tiranë 1978.

2.Xhafer  Belegu ,Lidhja e Prizrenit ,fq.89-91 , 142-143 ,Tiranë 1939.

3.Atë Marin  Sirdani ,Ndriçime të Historisë ,të kulturës dhe të artit shqiptar, fq.55-58, Shpresa-Prishtinë ,2002.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 194
  • 195
  • 196
  • 197
  • 198
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT