• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MODELI I  ASNJANËSISË SË SUEDISË DHE TË AUSTRISË – I PAPRANUESHME PËR KIEVIN   

April 6, 2022 by s p

????????????????????????????????????

Xhelal Zejneli

Austria dhe Suedia, dy shtete që nuk janë anëtare të NATO-s edhe zyrtarisht janë asnjanëse në rast lufte. Janë model që Rusia dëshiron t’ia imponojë Ukrainës. Duke parë invadimin e Rusisë, tani edhe vetë ato pyesin, sa është i qëndrueshëm një status i tillë i tyre. Në anën tjetër, Kievi një model të tillë e refuzon dhe përballë Rusisë kërkon garanci të sigurisë absolute. 

Austria fuqimisht i përmbahet asnjanësisë së vet. “Asnjanësia është pjesë e identitetit austriak”, deklaron politologu dhe profesori i Marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit të Insbrukut (Innsbruck), Martin Senn (Martin Sen, 1960-). Asnjanësia që ia imponoi Austrisë në vitin 1955 Bashkimi Sovjetik, pas dhjetë vjet pushtimi bashkë me Perëndimin, këtij vendi që e komprometoi Hitleri, i mundësoi një shkëputje dinjitoze nga e kaluara e luftës, kështu që ajo u bë vend i takimeve historike.  

Në vitin 1961, pikërisht në Austri, udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik pas vdekjes së Stalinit (Josip Stalin, 1879-1953) dhe kryeministër i viteve 1958-1964, Nikita Sergeeviç Hrushov, ia shtrëngoi dorën presidentit të atëhershëm amerikan Xhon Kenedit (John Fitzgerald Kennedy, 29.05.1917 – atentat, 22.11.1963). Në vitin 1979, po në Austri, ia shtrinë dorën njëri-tjetrit udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik i viteve 1964-1982 Leonid Brezhnjev (1906-1982) dhe presidenti amerikan Xhimi Karter (Jimmi Carter, 1924-).

Organizata e Kombeve të Bashkuara, një prej selive të vet e ka vendosur në Austri. Pas kësaj, vendime të tillë kanë marrë edhe organizata ndërkombëtare të tjera. Që atëherë, Vjena mbështet paqen në botë dhe shpesh është nikoqire e bisedimeve shumëpalëshe. Mirëpo, Austria nuk është plotësisht asnjanëse. Në vitin 1995 Austria aderoi në Bashkimi Evropian dhe sipas Marrëveshjes së Lisbonës të vitit 2009, merr pjesë në sigurinë dhe në mbrojtjen e përbashkët. Profesor Martin Sen (Martin Senn) thotë: “Për këtë kurrë s’është diskutuar”. Sipas tij, lidhur me sa më sipër, sa më parë duhet të debatohet. 

Rusia e cila tradicionalisht ka lidhje të afërta me Austrinë, ia mban për të madhe Vjenës “asnjanësinë fiktive”, për arsye se ajo e mbështeti Ukrainën, sikundër të gjitha vendet e Perëndimit, me përjashtim të Serbisë. 

Editorialisti i javores “Profil”, Kristian Rainer (Christian Rainer, 1961-) shkruan: “Na u  desh  një luftë e këtillë mizore , qindra kilometra lar nesh, që të pushojmë të jemi naivë”.

Madje edhe ushtria austriake ka shprehur keqardhje për pakësimin e buxhetit ushtarak. Midis anëtarëve të BE-së, me 0,7% të PBV, Austria është vendi i tretë i cili më së paku ndan për ushtrinë, nën Maltën dhe Irlandën, të cilat po ashtu janë vende asnjanëse. Qeveria austriake paralajmëroi se planifikon t’i rritë investimet për ushtrinë në 1 për qind, për ta arritur së paku Zvicrën fqinje, e cila po ashtu është asnjanëse dhe e cila ka tri herë më shumë ushtarë, aeroplanë luftarakë dhe tanke. 

Por kancelari austriak, i cili është ushtar karriere, refuzon të hapë Kutinë e Pandorës. “Austria do të mbetet asnjanëse”, porositi konservatori Karl Nehammer (Karl Nehamer, 1972-) dhe i mbylli të gjitha diskutimet. Sipas një pyetësori të zbatuar para pak kohësh,  aderimin e Austrisë në NATO, e mbështet jo më shumë se çdo i pesti austriak.   

Rasti i Suedisë – Në kohë paqeje, Suedia zyrtarisht nuk është e lidhur me asnjërën palë, ndërsa në kohë lufte, ajo është asnjanëse (neutrale). Politikën e vet strikte të asnjanësisë e ndërpreu kah fundi i luftës së ftohtë, përkatësisht në vitin 1992, tre vjet para se të aderonte në Bashkimin Evropian. Suedia është një prej vendeve të rralla të Evropës e cila mbi dy shekuj nuk di për luftë, d.m.th. nuk ka përjetuar luftë. Suedia nuk është anëtare e NATO-s, edhe pse që prej mesit të viteve ’90 të shekullit XX, është pertnere e aleancës ushtarake, ndërsa në vitet e fundit, vazhdimisht i është afruar asaj. Investimet për ushtrinë i ka reduktuar me të madhe. Në vitet ‘60 dhe ’70 të shekullit XX, investimet për ushtrinë arrinin rreth 4%, ndërsa në vitin 2010 ato u reduktuan mezi në 1 për qind. Por, pas viti 2014, kur Rusia e aneksoi gadishullin e Krimesë, Suedia përsëri filloi të investojë në ushtri. Që nga invadimi i Rusisë në Ukrainë, Suedia paralajmëroi se deri vitin 2030 investimet në ushtri synon t’i rritë në 2% të PBV. Sipas një pyetësori të zbatuar para do kohe, shumica e suedezëve për herë të parë u deklaruan se dëshirojnë që vendi i tyre të aderojë në NATO, por kryeministrja që vjen nga radhët e partisë socialdemokrate, Magdalena Andersson (Magdalena Anderson, 1967-), një mundësi të tillë e hodhi poshtë, me arsyetimin se kjo do të mund të destabilizonte gjendjen në veri të Evropës. 

Sipas pyetësorëve, numri i skeptikëve ndaj NATO-s ka rënë edhe në Finlandë dhe ajo nuk është aq e prerë kundër anëtarësimit. Para do kohësh, kryetari i Finlandës Sauli Niinisto (Sauli Niinistö, 19948-) bëri thirrje që për këtë të bisedohet dhe të vendoset “pa ngurrim, por me mend”. Sipas tij, hyrja në NATO do të mund ta shtonte tensionimin. Lidhur me aderimin në NATO, Kuvendi i Finlandës do të debatojë në prill, kur pritet të marrë raport “për përparësitë dhe për rreziqet”.   

Moska ia imponoi Finlandës asnjanësinë gjatë luftës së ftohtë. Finlandezët këtë e kujtojnë me hidhërim. Kjo asnjanësi që njihet emrin specifik “finlandizim”, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik – pushoi. Finlanda nuk është e lidhur me asnjërën palë, por nuk e pranon etiketën e asnjanësisë dhe është anëtare e Bashkimit Evropian dhe e aleancës perëndimore.

Asnjanësia e Zvicrës – Zvicra me shekuj i është përmbajtur politikës së asnjanësisë ushtarake në punët globale. Ajo nuk është i vetmi shtet asnjanës në botë. Të tilla janë edhe Irlanda, Austria, Kosta-Rika etj. Shenjat e para të asnjanësisë zvicerane datojnë qysh nga viti 1515, kur Konfederata e Zvicrës pësoi humbje të madhe prej francezëve në betejën për Margnanon. Pas humbjes, Konfederata hoqi dorë nga politika e vet ekspansioniste dhe për të ruajtur ekzistencën e vet, u shmangej konlikteve. Por, luftërat e Napoleonit e vulosën vendin e Zvicrës si një shtet asnjanës. Në vitin 1798 Franca e sulmoi Zvicrën duke e bërë më vonë satelite të perandorisë së Napoleon Bonapartit dhe duke e detyruar ta komprometojë asnjanësinë e vet. Pas disfatës së Napoleonit në Vaterlo (Waterloo), Fuqitë e Mëdha të Evropës erdhën në përfundim se një Zvicër asnjanëse do të shërbejë si zonë tamponi ndërmjet Francës dhe Austrisë dhe do të kontribuojë në qëndrueshmërinë e rajonit. Gjatë Kongresit të Vjenës të mbajtur në vitin 1815 nënshkruan deklaratën me të cilën vërtetohet “asnjanësia e përjetshme” e Zvicrës në bashkësinë ndërkombëtare. 

Zvicra e ruajti qëndrimin e vet të paanshëm edhe gjatë Luftës së Parë Botërore, ku e mobilizoi ushtrinë e vet dhe pranoi refugjatë, por refuzoi të marrë anë ushtarakisht. Ndërkohë, në vitin 1920, Lidhja e Popujve e sapoformuar, asnjanësinë e Zvicrës e njohu zyrtarisht dhe e themeloi selinë e vet në Ggjenevë. Asnjanësia e Zvicrës u sfidua dukshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur vendi u gjend i rrethuar nga fuqitë e Boshtit. Zvicra e ruajti asnjanësinë e vet duke paralajmëruar se në rast invadimi do të reagojë. Por, në anën tjetër ajo nuk e ndali tregtinë me Gjermaninë naziste. Pas mbarimit të luftës, një veprim i këtillë u cilësua si kontravers. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Zvicra luajti rol veprues në punët ndërkombëtare, duke u ndihmuar nismave humanitare. Kur është fjala për punët luftarake, ajo mbetet asnjanëse. Kurrënuk iu bashkëngjit Organizatës së Paktit Veriatlantik (NATO-s) apo Bashkimit Evropian. Anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara u bë jo më parë se në vitin 2002. Përkundër asnjanësisë shumëvjeçare, Zvicra ende mban ushtri për qëllime mbrojtëse. Prej të gjithë meshkujve të moshës 18 deri në 34 vjeç, kërkon shërbim ushtarak me gjysmë orari pune.  

*   *   *

Asnjanësinë sipas modelit të Suedisë dhe të Austrisë, që e kërkon Moska, Ukraina nuk e pranon.  

*   *  *

Në zgjerimin e katërt të Bashkimit Evropian, më 1 janar 1995, anëtare të saj u bënë Austria, Finlanda dhe Suedia. Norvegjia e nënshkroi marrëveshjen, por nuk e ratifikoi për arsye aderimi i saj në BE sërish u refuzua në referendum. Anëtare të NATO-s nuk janë edhe Malta, Irlanda dhe Qiproja. S’ka dyshim se anëtarësimin e Qipros në aleancë, për shkaqe të njohura, do ta parandalonte Ankaraja. 

*   *   *

Shënim: Kuti e Pandorës – Në mitologjinë greke të lashtë, Pandora ishte një grua e bukur të cilën e kishte krijuar Hefesti. Të gjitha perënditë i kishin dhuruar dhurata nga më të çmuarat. Zeusi e dërgoi Pandorën në Tokë si dënim për rrëmbimin e zjarrit nga Prometeu. I dha asaj një enë në të cilën ishin fshehur të gjitha të këqijat. Vëllai i Prometeut, Epimeteu, përkundër kundërshtimit të Prometeut, e merr për grua dhe e çel enën nga e cila u liruan të gjitha sëmundjet, fatkeqësitë dhe të këqijat e tjera. Kur më në fund ia dolën ta mbyllin enën, në të kishte mbetur vetëm – shpresa. Për këtë arsye, për Pandorën thuhet se është “sjellëse e fatkeqësisë”, ndërsa për enën apo kutinë e Pandorës – “dhuratë që shkakton probleme dhe grindje”. 

Lufta e ftohtë – Lufta e ftohtë ishte konflikt politik midis fuqive të Perëndimit, të udhëhequra nga ShBA-ja dhe fuqive të Lindjes, të udhëhequra nga BRSS-ja. Zgjati prej vitit 1945 deri në vitin 1991. U zhvillua me të gjitha mjetet e mundshme, por kurrë nuk u shndërrua në konflikt të armatosur masiv, përmasash botërore. Lufta e ftohtë karakterizohet me “konflikte” ekonomike, politike dhe propagandistike midis Perëndimit dhe Lindjes, me qëllim të luftimit të ndikimit të bllokut armiqësor. Karakteristikë kryesore e luftës ishte gara në armatim, por lufta solli edhe përparime të dukshme në lëmin e kulturës, të sportit, të shkencës dhe të teknologjisë. Më e rëndësishme ka qenë gara kozmike që pati si rezultat vajtjen e  njeriut në gjithësi.           

Xhelal Zejneli

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

Apetitet territoriale

April 5, 2022 by s p

Shqiprim Pula

Njohës i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare/


Në Europë, por edhe më gjërë, po ndodhemi përpara një skenari të ri politik, më shqetësues, më alarmant, në mes të bashkëjetesës politike, dhe ‘pavarësisë’ politike përmes kritikave apo vënies në pikëpyetje të disa aspekteve të saj por edhe faktit të thjesht, të mbrojtjes së saj. Mbase kjo përkon me maksimën, ҁdo tezë ka edhe antitezë!. Por ja që, ҁuditërisht, vrojtojmë dhe verifikojmë se ‘nganjëherë’ ata që më së shumti ulërasin si mbrojtës të demokracisë dhe lirisë, mund të jenë, po ata, që mbështesin dhe jetësojnë politika kufizuese të lirive individuale.

Ukraina në ditët e sotme po shërben si një teatër aktiv i luftës, realiteti atje u kthye në një makth të jashtëzakonshëm ndërmjet dy vëllezërve nga baballarë të ndryshëm, prandaj është tepër e vështirë në një moment kaq kritik të përkufizohet situata në të cilën është zhytyr e gjithë Europa. Vazhdimi i këtij teatri aktiv lufte, po krijon një krizë ekonomike me përmasa serioze që mund të ҁojë poashtu në një krizë të re sociale e shëndetësore.
Në gjeopolitikën Ballkanike, situata e sigurisë nuk qe aspak për lavdatë ndër dekadash, sulmet e konfliktet mbi etninë Shqipëtare në veҁanti ishin të vazhdueshme dhe jo vetëm në kontekstin politik por edhe territorial brenda-rajonal, pra nga fqinjët. Si p.sh., apetitet territoriale nga Serbia ndaj Kosovës (rasti; veriu i Kosovës); apetitet territoriale nga Greqia ndaj Shqipërisë (rasti: Jugu i Shqipërisë apo siҁ e quajnë Grekët “Vorio Epiri” si dhe ujrat detare) ide kjo e kultivuar në masë nga kisha ortodokse Greke; apetitet e Serbisë ndaj kishës ortodokse në Maqedoni, apetitet e Bullgarisë ndaj Maqedonisë mbi etninë; mosnjohja e emrit Maqedoni nga ana e Greqisë; si dhe mosnjohja e Kosovës Republikë nga Greqia ka prolonguar mjaftë procese gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkanin perëndimor. Çuditërisht, përkundër se Greqia vend anëtar i NATO-së dhe UE-së, nuk i ka kontribu kultivimit të fqinjësisë së mirë. Mentaliteti provincial në këtë pjesë të Europës më së miri përshkruhet nga juristi dhe filozofi politik Montesquieu “Europa është një Shtet i përbërë nga shumë provinca”. Europa, nuk kishte një armik të përbashkët në Ballkanin perëndimor, ngase kishte disa, andaj kishte shumë vështirësi për të arritur marrëveshje me mirësi.
Përtej Europe, Uashingtoni dhe Pekini kanë një ҁështje me ndjeshmëri të lartë lidhur me Taiwanin, për shkak të mbështetjes ushtarake Amerikane që i jep Taipeit. Ishulli në Indo-Paqësor, i cili ka një popullsi prej rreth 24 milion, Kina e konsideron pjesë territoriale të saj, andaj dhe me kujdes e maturi deklarohet mbi invazionin ushtarak të federatës Ruse ndaj Ukrainës. Por, presidenti Kinez Xi Jinping dhe presidenti Amerikan Joe Baiden, së fundëmi, kanë rënë dakord që më tejë ‘marrëveshjen e Taiwanit’ mbi pozicionimin e Kinës si territor të saj, t’a respektojnë. Sikundër që Kina nuk duhet t’a ndihmojë federatën Ruse apo së paku të qëndroj neutrale.Më tepër se 70 vite, që kur ka mbaruar Lufta e Dytë Botërore, por po aq ishin përpjekjet për një traktat paqeje ndërmjet dy kombeve asaj të federatës Ruse dhe Japonisë, lidhur me katër ishujt që gjenden në bregun Verior të Japonisë, të cilat u aneksuan nga Unioni Sovietik me 1945-tën. Me nisjen e luftimeve në Ukrainë, Japonia u rreshtua me shtetet që vendosen sanksione ekonomike ndaj federatës Ruse, dhe gjatë muajit Mars, Rusia deklaroi se tërhiqet nga bisedimet e paqes me Japoninë për katër ishujt e kontestuar, e që tani, formalisht Rusia dhe Japonia janë në luftë. Anembanë botës ka shembuj klasik që njihen si ‘konflikte të ngrira’ që kanë vazhduar pas ndalimit të luftimeve, në mos njohje të statusit shtetëror apo kontestimin e territoreve të caktuara e që në fjalorin ushtarak do të quhej pauzë taktike.Zgjidhja e ҁdo problemi është t’a gjesh atë!.

Filed Under: Analiza

NË KUJTESË: PROTESTA  E  4 PRILLIT 1880 E KRERËVE TË MALËSISË DHE JEHONA E SAJ…

April 4, 2022 by s p

Drejtuar konsullatës të Austro-Hungarisë ,  Francës , Anglisë dhe Italisë.

NDUE  BACAJ

Pas kongresit famkeq të Berlinit (1878) ,trojet shqiptare të Malesisë Madhe (si edhe shumë troje të tjera të Shqiperisë Etnike) , u lane “hali” nga pushtuesi  shekullor Turko-Osman , tashma i dobësuar para fuqive të Europes së Kohës. Fqinjët e Shqiperisë dhe Malësisë në keto kushte kerkonin të zgjeroheshin me sa më shumë troje shqiptare ,qoftë edhe duke ndryshuar protokollin e kongresit të Berlinit.. Nga trojet e Malesisë së Madhe kerkonte të perfitonte edhe fqinja e vogël dhe vonshme, Mali i Zi , i  cili  edhe deri në këtë kohë me bekimin e fuqive Europiane të kohës, me në krye  Rusinë, ishte zgjanuar jo pakë me troje safi shqiptare , që Europa plakë fatkeqësisht  i “konsideronte” toka të pushtuesit turk-osman… Megjithëse në këto kushte “vetmie” Malësorët shqiptar si gjithnjë , kishin qënë pushkë e ngrehur në mbrojtje të trojeve të tyre , që i zotronin të parët që kur lindi jeta njerëzore prej mijëra vitesh në keto vise të Europës.. Malësorët, si gjithnjë në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave të tyre, së pari fillonin “luftën” me pendë e pastaj  luften  me zanatin e të parëve të tyre, me pushkë në dorë. Një nga “luftrat” e shumta domethenese me pendë të Malësorve , është edhe protesta e krerëve të fiseve të Malesisë , të cilet në marrveshje me Degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Shkodër ju a dergojnë konsullatave të Austro-Hungarisë , Francës , Anglisë dhe Italisë.

PËRMBAJTJA E PROTESTËS:

“Nuk ka shumë kohë që qeveria e Malit Zi ka njoftue me anë të komandantit të Podgoricës  z. Pop  Ilisë , që fiset e perfaqesueme prej nesh(Hot, Grudë…)  do ti jepen Malit të Zi , në vend të Plavës e Gucisë. Kishte me qënë e tepërt me tregue kundershtimet që ngjajnë mbas nji lajmi kaq të trishtueshem. Ndryshimi i races , i besimit , i zakonit e i lirisë  që kemi fatin me gëzue janë në kundershtim me aneksimin e pretenduem. Prandaj ska njeri që të mos dinë privilegjet që qeveria e Naltmadhnisë së tij Sulltanit na ka akordua në të gjitha anët , e ushtrimi i lirë i besimit , i gjuhës e zakoneve , janë prova të gjalla të knaqjes tonë të plotë që jemi pjestar të perandorisë së lumnueme të Naltmadhnisë tij Sulltanit , me të cilin na lidhin  tradita shekullore nderi e besnikëri. Deshirojmë me jetue e me gëzue lirinë për të cilën jemi kryenaltë ; ndryshe na nuk kishim me ndëjë pa kundershtue cilindo  qoftë për ndrrimin e modifikimin e fatit tonë e të statu-quosë.  Pastaj për nji vendim aq të shejtë kemi vendue e duam me derdhë piken e fundit të gjakut tonë para se me hy ndër zgjedhen e një qeverie të huaj. Ideja kombëtare na bashkon në mbrojtjen e atdheut tonë. Levizjet e trupave malazeze që janë pamun keto ditë në kufi shqetsojnë popullin tonë , dhe e shtojnë gjithnjë frigen tonë . Prandaj na të nënshkruemit marrim leje me ju terhjek vrejtjen. Shumë i ndershmit zotni , mbi ç’ka kemi permend ma naltë me lutje  që këtë gjendjen tonë  t’ja parashtroni qeverisë , të cilen zotnia juej  denjësisht e perfaqesoni ktu në Shkodër. Marrim leje me ju deklerue se përsa i përket fiseve tona njohim vetëm protokollin e kongresit të Berlinit . Na të nëshkruemit ju paraqesim , shumë i ndershmi zotni ,nderimet tona ma të pervuta, e kemi nderin me nënshkrue…

Për Hotin : Çun  Mula , Marash Uci , Dedë Gjon Luli , Nikollë  Mirashi, Mal Gjoni , Stak Breci , Ismail  Marku  , Dedë  Lulashi dhe Nikë Nica .

Për Grudën : Smajl  Martini , Baca  Kurti dhe Pllumb  Gjeka .

Për Kelmendin : Ujkë  Gila , Kaçel  Turku dhe Nikë  Leka.

Për Kastratin : Dodë Preçi , Shaban  Elezi , Gjergj  Prela , Gilë  (Brahim) Vuksani dhe Prelë Tomë Nikolla.

Për Shkrelin :  Marash  Dashi dhe Tomë  Nika. 

Përfaqesues i Kojës dhe i Kuçit :  i muslimanëve;  Ramë Hysi  , Hasan  Noko , i latinëve (katolikëve) Nikë Deda , Lul Vuksani , Gegë Ivani  e Tuz (Tuc) Geri ,  i të krishterëve (ortodoks)  Mirash Pera , Stojan  Gjeli e Mus  Melini.

Për Tuzin : Haxhi  Muji e Ramadan Aga .

Për Rjjollin : Hajdar  Huka e Met  Rrjolli.

Për Grizhen : Ali  Tahiri 

Për Koplikun : Sokol Mustaf Bajraktari , Met  Dema , Memë Shabani dhe Tafil  Et’hemi .

Për Reçin : Pater  Mark  Loshi  dhe  Zyber  Bajraktari.

Për  Gruemiren : Fasli  Gruemira…

Me 4 prill 1880.

Nga përmbajtja e protestës bie në sy “pranimi” dhe lavdrimi i  pushtetit të Sulltanit dhe perandorisë turko-osman mbi trojet shqiptare të Malesisë së Madhe e më gjërë.  Në të vertet ky pushtet  nuk ishte  pranuar praktikisht  nga Malesoret e Malesisë Madhe , që ndër shekuj me grykën e pushkës kishin fituar një autonomi të lakmueshme për kohën nga perandoria turko-osmane , por për arësye diplomatike (kohore) e “pranojnë” në tekstin e protestës pushtetin nën ligjet e Sulltanit , pasi ata e dinin mirë se kjo  perandori që kishte marrë tëposhten , një ditë do të thyente qafen  në Azi , prej nga kishte ardhur , ndërsa pranimi sundimit të fqinjit Malazez, nuk do të mbaronte “kurrë”… Gjithsesi malësorët me këtë protestë ngulin këmbë  mbi zbatimin e protokollit të kongresit të Berlinit , mbasi e dijshin se Malazezët  nuk ishin të zotët me pushtue Plavë e Guci. Nji prift me za i aso kohe , Don Pal  Shantoja i drejtoi  nji letër gazetës “Allgemeine Wiener Zeitung” me anë të së cilës ankohej per padrejtësinë që ishin tuj ba Pushtetet e Mëdha (të Europes) kombit shqiptar  e shtonte se : “mbasi ata  kanë hjekë dorë nga drejtësia , Shqiptarët do të derdhin gjakun per lirinë e vet , tepër të shejt”.  Kjo letër deshprimi i terhoqi vemendjen botës katolike , e cila filloi të interesohet ma tepër , kur pa se një prift katolik ngriti zanin e deshprimit. Kjo fushatë i dha të kuptojë Europës se Lidhja e Prizrenit  ishte me të vertet nji organizatë kombëtare shqiptare , e jo muhamedane si dojshin me e pershkrue anmiqtë e Shqiptarëve.  Fletoret xunë të sulmojnë qeveritë e veta per padrejtësitë  që ishin tuj ba në dam të Shqipnisë e në favor të Malit  të Zi… Perveç fletoreve edhe disa deputet folën nepër parlamentet e ndryshme  tuj kretikua qeveritë e veta e tue lavdrue trimninë e shqiptarëve. Nga këto fjalime , bujen ma të madhe e bani ai i deputetit anglez Jozef Cowen.  Ky foli dy herë tuj  kritikue  perkrahjen që i dha qeveria  Ingleze  Greqisë e Malit të Zi në dam të  Shqipnisë… Ai në fjalen e tij ndër të tjera do të thoshte : “Malazezët janë nji popull…. historija e të cilëve  humbë në brymën e kohës. Shqiptarët janë kombi ma i vjeter i  Levantit. Kanë disa cilësi që i  ndryshojnë fare nga ato të Malazezëve, por shqiptarët janë aq trima sa ata edhe dashunia e tyre per liri as u vu as as  mund të vihet në dyshim…”.  Padrejtësia që ju ba shqiptarëve tingëlloi edhe në  parlamentin e Italisë . Deputeti Rugero  Bonghi deklaroi : “ Të drejtat e shqiptarëve duhet të respektohen dhe dëshirojmë që kombi shqiptar  të ruaj nji vend per vehten e tij”.  Ndersa deputeti tjeter Italian) Maurici …u ngritë e tha : “Si në shqyrtimin e kufinit të Greqisë ashtu edhe në caktimin e Ulqinit  Malit të zi , u ba fjalë për të urdhnue (bashkue) popullsi të ndryshme nga raca e nga besimi”. Fatkeqësisht në ato kohë kishte pakë njerzë të medias , deputet e shtetarë në Europën plakë që kerkonin drejtësi  historike për shqiptarët e trojet e tyre etnike , ndaj edhe trojet tona  vijojnë të jenë të ndara edhe sot me kufijë politik, por kurr ma ata historik…

REFERENCAT : 

1.Akte të Rilindjes Kombetare Shqiptare , Akademia e Shkencave të RPS Shqiperisë , Instituti i Historisë, fq.100 , Tiranë 1978.

2.Xhafer  Belegu ,Lidhja e Prizrenit ,fq.89-91 , 142-143 ,Tiranë 1939.

3.Atë Marin  Sirdani ,Ndriçime të Historisë ,të kulturës dhe të artit shqiptar, fq.55-58, Shpresa-Prishtinë ,2002.

Filed Under: Analiza

Monumenta Albanica Justinopoplitana

April 2, 2022 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën e Sllovenisë në Tiranë organizuan në datën 10 mars seminarin shkencor me temë “Monumenta Albanica Justinopoplitana”.Ky seminar shkencor o organizua pas hapjes së ekspozitës me të njëjtin titull me kurator studiuesin Peter Štoka, aktivitete këto që u organizuan me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve tona. Në këtë seminar shkencor referuan disa nga figurat më në zë të fushës së historiografisë të vendit si:Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, i cili referoi temën: “Tipologjia e emigracionit shqiptar në Istria në shekujt XVI dhe XVIII”,Prof. Dr. Irakli Koçollari me temën: “Prania e shqiptarëve mesjetarë në skajin verior të Dalmacisë”,Prof. Dr. Shyqyri Nimani, i cili trajtoi temën e artit mesjetar në qytetin e Koperit.Në përmbyllje të këtij seminari referoi Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr.Dorian Koçi, i cili trajtoi kumtesën:” Konteksti historiko social i pranisë së familjeve arbëre Bruti dhe Bruni në Koper “.Konteksti historiko social i pranisë së familjeve arbëre Bruti dhe Bruni në Koper.Arbëria Mesjetare ishte një koncept që në rrafshin kulturor përfshinte tre shtresëzime të ndryshme kulturore të ndërthurrura me njëra-tjetrën. Së pari ishte kultura arbëre, një përzierje e traditave më të mira vendase me kulturën e huaj që ishte imponuar nga lart-poshtë në formën e pushtimeve të drejtë për së drejta qofshin këto latine, bizantine apo sllave, por edhe një shtresë tjetër arbërore-romane dhe arbërore-bizantine-romane-sllave të krijuara prej një bashkëjetese të gjatë me kufij etnikë të papërcaktuar qartë. Kjo ndërthurrje kulturash në një territor të ngushtë të përbërë nga bregdeti, fusha , moçale por edhe gryka e qafash malesh, përfaqësonte më së miri atë që Albanalogu i njohur Shuflai e quante si “monada e Ballkanit” .Duhet theksuar që në krye të herës që zhvillimet kulturore dhe politike në Arbërinë e veriut ishin të influencuara nga modelet e Italisë së Veriut, bregdetit dalmat dhe katolicizmit, ndërsa në Arbërinë e Jugut gjallonin ndikimet e modelit të qytetit bizantin. Ekzistenca e një treve me një besim të vetëm edhe një vend si Shqipëria mesjetare ku ka munguar gjithmonë bashkimi shtetëror, një besim ky që nuk mund të mos ketë ushtruar një ndikim koncentrues edhe në legjislacion. Një nga këto treva ka qenë dhe Shqipëria katolike, e cila deri tre shekuj më parë shtrihej edhe më në veri (Kuçi), kurse nga Jugu arrinte deri në Shkumbin. Në këtë zonë të hapët, kjo njësi fetare e pandërprerë prej shekujsh të tërë, duhet të ketë qenë ajo që ndihmoi në një shkallë më të gjerë formimin dhe zhvillimin e një kulture të qendrueshme administrative. Edhe pse i perceptuar në mënyrë të tillë , më tepër si mjet utilitar e oputuniteti politik, pati momente që faktori fetar doli në sipërfaqe me një rol të spikatur politik. Me flamurin e luftës për mbrojtjen e katolicizmit kundër “skizmatikëve” u zhvillua midis shekujve XII-XIV qendresa nacionale e shqiptarëve katolikë kundër pushtuesve serbë. Futja e komponentit fetar në tërësinë e faktorëve themelorë të asaj qendrese, që ishin ata me përmbajtje politike-shoqërore dhe etnokulturore, ndihmoi së tepërmi për shrirjen e saj në frontin e përbashkët antiserb të fuqive katolike të Evropës. Ndikimi kulturor perëndimor ndihmoi dhe në shtrirjen e modelit të qytetit-republikë të gadishullit italik në Arbëri dhe Dalmaci. Për herë të parë sidomos në brigjet e Adriatikut lindor do të kemi dhe krijimin e qyteteve republika të cilat do të kenë një tregti të zhvilluar por dhe statuset e tyre shumë të rëndësishëm për qeverisjen e qyteteve por dhe për të rregulluar marrëdhëniet me jashtë dhe të shtetasve të tjerë me qytetet. Këto statute janë të ngjashme me ato të qyteteve italiane dhe një pjesë të madhe zë koncepti i lirisë së qytetarëve dhe administrimi kolegjial i tyre nëpërmjet një këshilli të zgjedhur të përbërë nga qytetarët më të shquar. Po kështu familjet fisnike shqiptare fillojnë të mbajnë anale dhe kur botohen veprat e tyre më vonë si ato të Engjëllorëve p.sh një familje fisnike shqiptare nga Drishti, origjina e tyre do të jetë e lidhur gjithmonë me trashëgiminë greko-latine dhe legjenda të frymëzuara nga ngjarjet e mëparshme në rajon. Ky tipar është shumë i rëndësishëm pasi përcakton përkatësinë i identitetit që këto familje fisnike ndjejnë por dhe sepse ato përfshihen në afërsinë midis tyre dhe familjeve të tjera evropiane duke përforcuar kështu idenë evropiane të rajonit që zë fill nga miti i lashtë i Evropës por që ushqehet rrugës dhe me mite të rinj. Prania e arbërve në Dalmaci dokumentohet që në shekullin e XI por do të jetë pas betejës së Lepantos, në 1571 që një diasporë elitare me pjesëtarë të familjeve fisnike arbëre të larguar nga Arbëria gjendet në disa qytete të bregdetit dalmat dhe në gadishullin e Istrias, në qytetin e Koper. Pushtimi osman i fillimit të shekullit të XV, i territoreve shqiptare shkaktoi një tjetër valë të re emigrimesh të dhimbshme. Rënia e qyteteve arbërore nën këtë sundim dhe egërsia e pashembullt e pushtuesit lindor detyroi largime të reja drejt Mbretërisë së Napolit, Venecia, Gjenova dhe më gjërë. Këto lidhje të hershme të Arbërisë dhe Dalmacisë do të përforcoheshin më shumë edhe drejt veriut të Kroacisë dhe në Slloveni kur bregu Istrian do të binte nën sundimin e Venedikut në vitet 1278-1279. Kryeqendra e Istrias ishte qyteti Koper, qytet i lashtë i njohur për romakët si Capris ( nga fjala latine që do të thotë dhi, prej nga rrjedh edhe emri slloven Koper), ndërsa për bizantinasit si “Justinopolis”. Qyteti kishte pasur një mori sundimtarësh përfshirë edhe Perandorin e Shenjtë Romak. Ai drejtohej nga një guvernator venedikas me një grusht zyrtarësh të tjerë venedikas. Nën governatorin veprontë Këshilli i fisnikëve i qytetit , që përgatiste legjislacionin , i jepte këshilla guvernatorit, dërgonte emisarë në Venedik me kërkesa të posaçme dhe emëronte pjesëtarë nga familjet kryesore të qytetit si gjyqtarë dhe administratorë. Pikërisht në këtë qytet të administruar nga Venediku, do të takoheshin dy degët e fiseve arbërore Bruti e Bruni të shpërngulur nga Ulqini pas rënies në duart e osmanëve në vitin 1571. Të njohur si pjesëtarë të fisnikëve në qytetin e Ulqinit, ata shumë shpejt në do të rigjenin vetveten pothuajse në të njëjtat pozita edhe Koper. Për hir të së vërtetës ata nuk u vendosën në një Terra incognita për etninë arbëre.Shumë prej familjeve fisnike të Koperit kishin mërguar atje në periudha të mëhershme dhe kishin ardhur nga Shqipëria. Familja Albanese, emri i së cilës tregonte origjinën e saj, kishte ardhur që në shekullin e XV dhe deri në vitin 1432 ishte bërë pjesë e fisnikërisë së qytetit; familja Brati ( që përbën një problem të vazhdueshëm për një historian që kërkon mbiemrin “Bruti” në dokumentet dorëshkrimore të qytetit) kishte ardhur nga Shqipëria që në shekullin e XIII. Një familje tjetër quhej Dukain dhe mesa duket ishte degë e familjes Dukagjini të Shqipërisë veriore. Familja Bruni dhe Bruneti përmendeshin në Ulqin në një relacion të vitit 1553 si mbetje të familjeve të respektuara të cilat janë gremisur në këtë qytet –familje nga qytetet fqinje që tani sundohen nga osmanët, të tilla si Shkodra, Lezha, Durrësi dhe zona të tjera. Kryesore në mesin e tyre shkruhej në raport janë famijet Bruni, Pamaltotti dhe Brutti, nga e cila vetëm z. Marc’ Antonio është fisnik dhe tejet i virtytshëm dhe tejet besëtar ndaj republikës venedikase ; ai është pasardhës i familjes së famshme romake “Brutus” Sigurisht që në këtë konstatim kishte një egzagjerim përsa i përket origjinës latine të familjes Bruti, egzagjerim që gjendej shpesh në analet e familjeve të qyteteve bregdetare të Adriatikut. Gjatë mesjetës në këto qytete qarkullonte legjenda sikur popullsia e tyre ishte me popullsi romake. Barleti në veprën e vet “Historia e Skënderbeut” e vë në dyshim këtë fakt madje kalon deri diku dhe në ironi për këto anale të qyteteve bregdetare dhe republikave kishtare si është rasti i i qytetit të Drishtit. E shoh me vend që ta them këtu, përpara lexuesit,shkruan Barleti se nuk dihet nga kush është themeluar qyteti i Drishtit dhe as që dihet disi lashtësia e tij, megjithëqë qytetarët , të cilëve u pëlqen t’i besojnë gabimit të vet, e shpien me mburrje fillin e themelimit të qytetit te romakët. Dhe më kujtohet t’i kem dëgjuar të mburren për këtë , duke e quajtur veten kolonë të romakëve e të pretendojnë se e kanë zanafillën e tyre që andej. Unë mendoj se për këtë neve na duhet më fort ti falim këta qytetarë, që u pëlqen aq shumë lavdia, sesa tu zëmë besë, për arsye se një gjë e tillë nuk provohet me asnjë dokument, qoftë të shkruar , qoftë ndryshe. I po së njëjtës traditë të lidhjes së origjinës familjare me vende italike është edhe origjina e pretenduar nga qyteti Vicenso në Itali i familjes Bruti që përshkruhet në të njëjtin relacion. Origjina latine e mbiemrit të tyre lidhet më së tepërmi me një traditë në Shqipërisë Mesjetare se në disa nga qytetet në Shqipërinë veriore ishte bërë e modës të përdoreshin emra latinë ose emra të përzier shqiptaro-latinë që duket se kanë filluar si nofka humoristike, ku humori tregonte afri, ironi apo madje dhe abuzim pozitiv. Meqënse “brutus” është fjalë latine për budalla ose jo racional, dhe “brutto” është një fjalë italishte për “i shëmtuar” ose i “prapë” duket e mundur që nofka fyese merrej disi me krenari. Familja Bruti dhe Bruni për shkak të shërbimeve dhe lidhjeve të hershme që kishte Sinjorinë e Detrave-Venedikun ndryshe nga qytetarë të tjerë që vinin nga territore që humbte Venediku(vllahë, sllavë, shqiptarë, grekë përfshirë pas vitit 1571, shumë refugjatë nga Qipro) nuk u larguan nga Istria por vendosën që të akomodoheshin në jetën sociale dhe publike të Koprit, kryqendrës së Istrias. Familjet Bruti dhe Bruni i përkisnin një kategorie tjetër; ata nuk ishin fshatarë që i kishin vendosur në një fshat të zbrazët, por fisnikë me sasi të ndjeshme kapitali social( dhe ndoshta një kapitali monetar të depozituar në një bankë në Venedik). Për më tepër familja Bruti trashëgonte një emër fisnik dhe kishin marrë pjesë në fisnikërinë lokale të qyteteve nën zotërimin venedikas si Durrësi, Lezha, Shkodra dhe Ulqini; ata kishin lidhur martesa me familjet kryesore , të tilla si Dukagjinët, të cilët ishin pronarë feudalë tokash në Shqipërinë e veriut, dhe Spanët që ishin patricë të Shkodrës , si dhe me familjen e Skënderbeut , Kastriotët. Ishte pikërisht emri i mirë që gëzonte familja mes qarqeve fisnike dhe në administratën qendrore në Venedik por edhe disa martesa fatlume me fisnikërinë lokale të Koperit që bënë të mundur që akomodimi social i tyre të realizohej brenda një periudhe të shkurtër katër vjeçare. Jakomo Bruti, i biri i Antonio Brutit dhe kreu i familjes së shpërngulur në Koper formoi një aleancë të dyfishtë me familjen më të fuqishme të qytetit, Verzi, që mëtonte se e kishte prejardhjen nga familja e vjetër patrice venedikase Giorgi ose Zorzi dhe pjesëtarët e saj kishin qenë latifondisë në Istria për më shumë se 300 vjet. Vetë Jakomo u martua me Bradamente Verz-in , ndërsa motra e tij Katerina u martua me Rizzardo (ose Rikardon)Verzin. Motra e Jakomos, Ilarieta, e cila ishte pesë vjet më e re sesa Katerina u martua me Demostene Carerio-n pjesëtar i një familje të konsiliduar , e cila gjithashtu ishte e lidhur me Verzin. Prej këndej ishte hapur rruga që edhe me kapitalin e rëndësishëm social që trashëgonte familja Brutët të përfitonin statusin social të fisnikëve në Koper. Dekreti u lëshua në 3 shtator 1575 nga Dozhi i Venedikut dhe i jepte Jakomos dhe vëllëzërve të tij si gjithë djemve të ligjshëm të tyre statusin e fisnikut të qytetit të Koperit. Ky dekret nuk kaloi pa u komentuar në fisnikërinë e Koperit pasi rregulli e kërkonte që pranimi i një familje në statusin e fisnikut të votohej në këshillin e qytetit me tre të katërtat, por konributi i hershëm i babait të Jakomos, Antonio Brutit përkarshi Venedikut si dhe krushqitë e porsa lidhura mesa duket bënë që çështja të kalonte pa ndonjë kundërshtim të mëtejshëm. Brutët u përfshinë në jetën sociale të qytetit duke marrë disa poste administrativë si ishte anëtarë të gjykatës apo dhe mbikqyrës së depove të drithit e deri si Kapitan i Sllavëve në shtator 1593. , me pak fjalë kapiteni i zonave rurale të qytetit të Koperit. Nga ana tjetër një pjesëtar tjetër i familjes Mateo Bruni, kushuriri i Jakomo Brutit pati një karrierë të shkëlqyer si jurist në Koper. Duket se ai i është bashkëngjitur më vonë familjes në Koper ndoshta edhe me ndihmën e Jakomos pas një karrier të gjatë shërbimi pranë Kuries në Romë. Po kështu Jakomo Bruti kishte arritur të tërhiqte edhe të motrën e vet të martuar me Pietro Borisi nga Tivari. Familja Borisi ishin nga familjet më fisnike të Tivarit me një traditë të hershme pro Venedikut. Një dokument i mëvonshëm i përpiluar në Koper do të shënonte se Jakomo Bruti i tërhoqi Borisët që gjithashu të vinin të banonin në qytet për shkak se kishin përjetuar edhe humbjen e qytetit të tyre Tivarit. Nuk dihet saktëisht nëse kjo gje u arrit fill pas rënies së Tivarit por një burim tjetër shënon vitin 1590 që ka gjasa që duhet të jetë më afër së vërtetës pasi në këtë vit ishte rregulluar edhe pozita soaliale dhe monetare e Jakomo Brutit. Qyteti i Koperit si kryqendra e Istrias dhe afërsisë që gëzonte me Venedikun iu dha mundësi familjeve arbëre Bruti, Bruni, Borisi që të avancojnë në shkallët e tyre të karierës sociale por edhe të kontribuonin në në jetën publike dhe sociale të Istrias. Ata hynë shumë shpejt në sferat e ndikimit të kulturës italiane të kunderreformës, iluminizmit dhe më vonë romantizmit duke u kthyer në familje të rëndësishme të Istrias por edhe në një mol pritës për disaporat arbëre që lëviznin gjithandej nëpër botën mesdhetare. Identiteti i rëndësishëm i vetdijes etnike ë ata morën më vete prej vendit të origjinës nuk u shua por u përshtat në drejtim të kauzave të mëdha që kishin luajtur rol në jetën tyre si aleancat e krishtera për të dëbuar osmanët nga Evropa apo përkushtimi ndaj besimit katolik si mjet shpëtimi shpirtëror për të duruar tallazet dhe vështirësitë e jetës.

Filed Under: Analiza

Shkrimtari Naum Prifti festoi 90 vjetorin e lindjes

March 29, 2022 by s p

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 198
  • 199
  • 200
  • 201
  • 202
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj
  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT