• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pronë dhe lot…

February 14, 2022 by s p

Lindita Komani/


Ndoqa një kronikë televizive të përqendruar tek një vajzë e vogël, shtëpia e së cilës u rrafshua në mënyrë brutale nga qeveria në sytë e banorëve dhe të gjithë teleshikuesve që ndiqnin nga ekranet televizive dhe atyre të kompjuterëve apo celularëve.Ishte e dhimbshme te shihje vajzen sesi qante me gjithe zemer, me lot te nxehte, të pashtirur dhe me fjalë autentike fëmije përpiqej të përshkruante dhimbjen që po përjetonte. Ishte një gjetje gazetareske, nëse mund të cilësohet kështu, që këtë ngjarje të rëndë për kryeqytetin tonë ta përcillte tek publiku në këndvështrimin e femijes.Në komente që lexova online kronika cilësohej deri edhe si abuzive ndaj fëmijës dhe manipulative ndaj publikut. Me fjalë shatra-patra, gjysmë shqip, gjysmë pa kuptim, përmendej që banorët e 5 Majit ishin zaptues. Familja tek e cila fokusohej kronika ndodhej në atë truall që në vitin 1989 dhe shtëpia që ata kishin ndërtuar mbi truallin, ende nuk ishte legalizuar. Ata nuk kishin nënshkruar aktmarrëveshjen me qeverinë dhe kanë ndjekur rrugën gjyqësore për të mbërritur tek e drejta e tyre.Por cila është e drejta? Në rastet e shqyrtuara deri më sot, sidomos ato të zonës së Astirit dhe të 5 Majit që u shoqëruan edhe me protesta të rëndësishme të banorëve, vëmendja ka qenë vetëm në gjysmën e të drejtës, në marrëdhënien e banorëve të shtëpive të ngritura në këto zona pas 1990-s me qeverinë që ka planifikuar rrafshimin e banesave. Mbetet ende një enigmë si për mua që po shkruaj, por besoj edhe për shumë të tjerë që ndajnë të njëjtin mendim, sesi është adresuar pse jo edhe zgjidhur gjysma tjetër e së drejtës, ajo e pronarëve të këtyre trojeve që i kanë trashëguar ato me tapi nga paraardhësit e tyre, por të cilët nuk i kanë gëzuar as edhe një ditë të vetme, për shkak se ato janë zaptuar nga migrantë që kanë ardhur nga zona të tjera të vendit.Pamundësia për t’i gëzuar trojet në vite është shprehur deri edhe në mungesën e të drejtës që pronarët deri edhe ta shkonin nëpër mend që t’i afroheshin truallit, se po ta bënin mund të hanin plumb kokës. Teksa shihja vajzën e vogël dhe u përlota bashkë me të, vrisja mendjen se pse në gjithë këtë diskutim publik që është bërë për temën e shembjes së shtëpive, apo më gjerë shndërrimit të lagjes “5 Maji” në Tirana Riverside (shih artikullin e Citizens Channel: https://citizens-channel.com/…/shnderrimi-i-lagjes-5…/) nuk permenden fare pronarët e hershëm të trojeve.Janë kompensuar ata në kuadër të procesit të legalizimit?Po për rastet e shtëpive që nuk janë legalizuar, pronësia në dorë të kujt ka qenë? Do të jenë të përfshirë ata në sipërfaqet e banimit që do të shpërndahen në ndërtesat e reja që do të ngrihen në “Tirana Riverside”?Më bën përshtypje heshtja e pronarëve si në këtë rast ashtu edhe tek Astiri. Njoh të tillë që kanë pasur jo me mijëra por me dhjetëra mijëra metra katrorë dhe banojnë në shtëpi shumë modeste edhe sot e kësaj dite se nuk kanë marrë asgjë nga ajo që iu takonte, jo të gjithë tokat gjë për të cilën as që bëhet fjalë, por qoftë edhe sipërfaqe modeste mbi të cilën të ndërtojnë diçka për të rimëkëmbur ekonominë familjare.Si është e mundur që mediat nuk i japin fare vëmendje pronarëve të deri 1944-ës? Edhe ata kanë fëmijë të vegjël që ndoshta nuk dalin me lot në sy para mediave, por lotët i kanë po aty, bashkë me prindërit e tyre, të cilëve brenda në shpirt mund t’u rritet vetëm mëri dhe urrejtje për padrejtësinë që iu bë në 1944 dhe vazhdon t’u bëhet edhe sot, 30 vjet pas rrëzimit të diktaturës komuniste, e gati 80 vjet që prej se kur i shpronësuan me dhunë, i dëbuan nga tokat e tyre e shumë të tillë madje edhe i përndoqën se kishin qenë të pasur.
Kush ia do të mirën njerëzve më të pasur? Jo thjesht atyre që janë disi më të pasur por më të pasurve mes të pasurve. Pse duhet t’i duhet e mira njerëzve më të pasur? Dhe a është kjo mirëdashje një nevojë për ekzistencën e shoqërisë? Pasuria e përqendruar në duar të caktuara është zhvendosur me hir a me pahir në duar të tjera në kohë pushtimesh apo ndryshimi regjimi me dhunë. Historia e shkruar dhe e pashkruar është dëshmitare për të. Dhuna mund të jetë ushtruar individ mbi individ, grup shoqëror mbi grup tjetër shoqëror, pushtet shtetëror mbi një grup të caktuar shoqëror, pushtues mbi një shtet të tërë apo grup të caktuar shoqëror brenda tij. Si reagon individi ndaj kësaj lloj dhune ushtruar për shkak të pronës dhe pasurisë? Si reagon shoqëria? Si reagon shteti? Le të kujtojmë të shkuarën tonë të afërt që është ende e fiksuar fort në kujtesën e bashkëkohësve. Në vitin 1944 pronarët, si ata të mëdhenjtë me prona marramendëse, ashtu edhe ata të vegjlit dhe sidomos ata që ishin shpallur armiq të pushtetit që sapo ishte vendosur e mund të kishin sa për të mbajtur familjen e tyre, u shpronësuan me akte të rënda që kanë mbetur thellë të ngulura në kujtesën e njerëzve. Ata përjetuan dëbimin nga shtëpitë, ose mbylljen në një apo dy dhoma brenda shtëpisë së tyre që do të mbushej me të huaj, trajtimin si kriminelë, me përbuzje dhe deri me tortura, marrjen e sendeve të luajtshme me vlerë, sidomos florinjve dhe bizhuterive dhe nevojën për të fshehur ç’të mundnin. Me shitjen e sendeve me vlerë që kishin arritur të fshihnin, një pjesë kanë arritur të mbijetojnë në vite të tëra ose momente të rëndësishme të jetës. Nuk mjaftoi zhveshja nga pasuria, vrasja, burgosja dhe internimi për një pjesë të mirë të tyre, por me emrin e goditur, si të pasur të kohës së shkuar, u përndoqën edhe fëmijët dhe nipërit e mbesat e pronarëve. Ndërkohë pasuria e tyre zyrtarisht u shtetëzua, por jozyrtarisht ajo u akumulua në duart e pronarëve të rinj, drejtuesve të sistemit diktatorial, të cilët pronësi mbi toka nuk kishin dot në Shqipëri, sepse sistemi që vendosën vetë nuk ua lejonte, por krijuan një realitet brenda këtij shteti që njihej me emrin Bllok. Ende sot mbetet e paqartë se ç’lloj pasurie vunë ata në vitet e regjimit komunist, pasuri në para dhe sende të luajtshme me vlerë. Përflitet se kanë pasur llogari bankare dhe shtëpi jashtë vendit, ku e jetonin pasurinë dhe luksin që nuk u lejohej në Shqipëri, por këto mbeten vetëm në nivelin e legjendave urbane. Ata i mbuluan mirë gjurmët dhe vijuan një jetë në pasuri edhe pas ndryshimit të sistemit, ndonëse jo më drejtpërdrejt e në dukje në krye të tij. Cila ishte baza e kapitalit që mundësoi fillimin e ekonomisë private në 1991? Thuhet se kanë qenë paratë që Partia e Punës në orët e fundit të jetës së saj hodhi në qarkullim tek njerëzit e vet të besuar, për të nisur biznese e për të siguruar përmes tyre mbarëvajtjen e pasurisë së nëndheshme të krerëve të saj. Nuk ua mori njeri pasurinë këtyre krerëve, nuk i zhveshi njeri nga pronat, nuk ua pengoi njeri fëmijët, nipërit dhe mbesat që të jetonin krejt normalisht në shoqërinë postkomuniste. Por sigurisht që asnjë njeri nuk mund ta zhveshësh nga një pasuri për të cilën nuk ka dijeni në dispozicion. Ky është edhe kuptimi i sekretit të madh të krerëve të pushtetit komunist.Ngjashëm me atë që ndodh me heshtjen brenda grupeve mafioze, heshtja e krerëve të regjimit komunist lidhur me ç’pasuri u grabit nga të pasurit e para 1944 dhe ç’pasuri u vu nga krerët e regjimit në periudhën 1944 – 1990, bëri që shqiptarët e varfëruar në ekstrem nga ky regjim e që nisën një jetë të re pas rënies së tij u gjendën para asgjësë, pa as edhe një lloj prone përveçse orendive të shtëpive në të cilat banonin dhe i përkisnin shtetit. Tri masa me rëndësi parësore u morën për të nisur regjimin e tranzicionit në Shqipëri, të cilin tashmë vlen ta konsiderojmë si të tillë, jo thjesht tranzicion por regjim tranzicioni. Përmes tyre qytetarëve të Shqipërisë iu dha një bazë për të mundur të nisnin ekzistencën në kapitalizëm. Kush jetonte në banesa shtetërore do të mundej t’i blinte ato me çmime modeste edhe për kohën. Kush jetonte në fshat përmes ligjit 7501 u bë me tokë. Të dyja këto masa u morën në kurriz të atyre që kishin titujt e pronësisë mbi tokën para 1944-ës. Askush prej tyre nuk e kishte fuqinë që ta ndalonte këtë zhvillim. Përsëri me masa ligjore shtetërore u ligjërua shtypja e së drejtës së tyre për pronën që kishin trashëguar. Sikur të mos mjaftonin këto dy masa të para, ndodhi edhe migrimi masiv i popullsisë nga fshatrat në qytete dhe nga qyteti në qytet e sidomos në kryeqytet, proces i cili u shoqërua me zaptimin, i cili u legalizua përmes procesesve të legalizimit. Janë dashur 30 vjet që një pjesë e pronarëve të arrijë që me mundim, me gjyqe pas gjyqesh e me qëndrim në dyert e institucioneve të administrates shtetërore, të marrë pjesërisht kompensim për pronën tokë që ka pasur dhe që është e vetmja që ka mbërritur në ditët e sotme. Gjatë këtij kalvari një pjesë e mire kanë qenë të detyruar të bëjnë lëshime e kompromise, për të mbërritur të paktën tek një pjesë e pronës. Pushtetarët e rinj përmes procesit të lejeve të ndërtimit si dhe kthimit e kompensimit të pronave, por edhe proceseve gjyqësore në gjykata, kanë gjetur mënyrën sesi të hyjnë në trashëgiminë e këtyre njerëzve.Do të ishte me interes që të dihej:Sa pronarë e trashëgimtarë të pronarëve të 1944 me prona kudo në Shqipëri ekzistojnë sot? Kjo pyetje është e rëndësishme, sepse përmes saj mund të kuptohet forca negociuese që mund të ketë ky grup shoqëror sot.Sa prej tyre kanë arritur të marrin pronën e tyre, plotësisht apo pjesërisht? Në ç’mënyrë e kanë marrë pronën? Dhe ç’pjesë të saj u është dashur të sakrifikojnë për të fituar tjetrën? Për këtë hulumtimi duhet bërë pa emra e mbiemra që të mund të shprehen lirisht dhe kështu të kuptohet qartë madhësia e korruptimit të regjimit të tranzicionit. Kështu do të mund të fitohej edhe një përfytyrim i skemave të plota e të sakta që janë përdorur për të rifituar pronën përmes zhvillimit të saj në lartësi.Kur e kanë marrë pronën? Akumulimi i parasë në ekonomi duket se e ka përshpejtuar procesin e zgjidhjes së çështjes së pronave në zona të rëndësishme të kryeqytetit ose në zona bregdetare, sepse ky akumulim ka bërë të mundur që interesi për zhvillim të ishte aq i madh sa një mori grupesh interesi të angazhohej që prona të jetësohej duke ngritur kulla ose zona rezidenciale. Dhe kjo duket se do të vazhdojë edhe më tej.

Filed Under: Analiza

MË  SHUMË SE NJË URIM PËR SHËN VALENTININ…

February 14, 2022 by s p

NGA  NDUE  BACAJ 

Dikun kam lexuar një kushtim që tregonte “forcën” e dashurisë  me fjalët :”Për  Atdheun  jap  dashurinë , për  dashurinë  jap  jetën”

HYRJE ME RETROSPEKTIVË NOSTALGJIE 

Ne që jemi rritur nën diktaturen komuniste, jemi  rritur jo vetem pa e festuar gjatë atyre dekadave ditën e të dashuruarve , por as emrin dhe kohën shumica e shqiptarëve nuk ja kanë ditur. Por edhe në ato kushte  errësire , kur dashuria e parë duhej të ishte për partinë , enverin e komunizmin , në heshtje dhe nën dritën e “qirinjëve” kanë lindur , lulzuar  e sfiduar kohen mjaftë dashuri , madje edhe dashuri të ndaluara , sepse  në dashninë e të rinjëve e të rejave  hynte në mes biografia e partia… Më kujtohet se sapo kishim filluar të merrnim “erë” nga dashuria , të cilen më shumë e perjetonim me endërra , në pranverë gjenim lule që perbeheshin nga petale (drandafille , lule-shqerra e tjer), dhe duke menduar për dashurinë e një vajze “me emer konkret” i heqnim një nga një petalet e lules  duke thënë më don  s’më don , dhe kur petalja e fundit hiqej duke shoqëruar  fjalen më don , ne beheshim me krahë , duke besuar se fati i dashurisë me vajzen që “ëndërronim” po na buzqesh… Se si na printe ky fat pak rendësi kishte , pasi  një “sentence” dashurie  na “mësonte” se Femra është si hija jote , kur ti e ndjekën ajo iken , dhe kur ti iken ajo të ndjeken… Ndërsa  ishte bërë disi “proverbiale’ thenia se për të zënë një të dashur duhet të shkyesh të pakten një palë  këpucë… Është disi e çuditëshme se edhe pse jetonin në një shtet ateist (në kohën e komunizmit)  ndryshimi i fesë apo besimit të dy të rinjëve  shpesh behej pengesë per dashurin e tyre… , kurse  sot edhe pse feja apo besimi është i lirë , pengesat janë thuajse të papërfillshme..  Gjë që tregon se (në liri) dashuria është ndjeja më e fuqishme nga të gjitha ndjejat , pasi ajo “godet” pernjëherë  zemren , mendjen , shpirtin e trupin…  

NJË HISTORI E SHKURTËR PËR DITË E SHËN VALENTINIT  

Një nga ditët më të bekuara e më të lumtura të çdo viti është 14 shkurti , dita e Shën Valentinit, që nga njerëzimi tashmë njihet si dita e bekuar e dashurisë  dhe  festa e zemrave që rrahin me ritmin e jetës e promotorit të saj, dashurisë.  Kjo festë Zemrash ka shekuj që bota e qytetëruar e feston, madje festimi bëhej shumë më përpara se Kristianizmi të bëhej feja e shpresës dhe qytetërimit, pra dhe në kohën kur Paganizmi (besimi absurd në idhuj të rremë të marrë nga “natyra”) ende lulëzonte me tërë veset e shterpësinë e një jete në rënie, por atëherë kishte një kuptim tjetër të cilin po e “spjegojmë”:… Kur Romakët për të nderuar një perëndi (Pagane) me emrin Lupercus e cila i “mbronte” nga kopetë e ujqërve që ndodheshin në pyjet në periferi të Romës së atëhershme, çdo datë 15 shkurt organizonin një festival që quhej pranveror (pasi sipas kalendarit të atëhershëm ishte dita e pranverës). Në këtë festival ishte zakon i shkrimit të emrave të vajzave romake në shirita “letre” që futeshin në vazo, ku çdo i ri pjesmarrës në festival tërhiqte në formë shorti një vazo, vajza që kishte emrin në shiritin e vazos bëhej e dashura e tij për gjithë vitin, por në vitin pasardhës u përsëriste sipas shortit të ri, pra me rite Pagane… Dalngadalë me fitimin e terrenit të Besimit e Kulturës Kristiane, ku familja ishte e shenjtë, si dhe morali njerëzor kërkonte që dashuria të mos ishte e përkohëshme dhe e përdhosur, por të ishte e përhershme dhe në përputhje me moralin e ri Kristian. Ndoshta “shkak” për këtë u bë prifti Valentini i cili në kundërshtim me moralin e sundimtarëve të Perandorisë Romake dhe Dekretin e perandorit Claudius II, i cili kërkonte që ushtarët e tij të mos martoheshin, (pasi kështu ai mendonte se ushtarët nuk luftonin si duhej se e kishin mendjen tek familja) e të kishin të dashura. Ky prift kristian fshehurazi kurorëzoi çifte të reja. Për këto, ai pasi u zbulua u burgos dhe më 14 shkurt të vitit 269 (pas lindjes së Krishtit) iu pre koka. Pas kësaj si dhe me forcimin e besimit kristian ky prift u shenjtërua dhe dita e festës së të dashuruarve u spostua nga data 15 shkurt në datën 14 shkurt, madje kjo ditë ndryshoi emërtimin siç njihet sot në ditën e Shën Valentinos (në emrin e shenjtëruar të priftit të martirizuar). Gjithsesi ka edhe një person tjetër po prift me këtë emër i cili u martirizua po këtë datë, duke iu prerë koka po nga perandori Claudius II, pasi ky kishte thënë se perënditë pagane Romake, Jupiteri dhe Merkuri ishin të paturpshme e të ulëta (pasi ishin të rreme), si dhe në burg kishte mjekuar dhe bërë që vajza e gardianti të burgut Austerius të bëhej Kristiane së bashku me të atin, dhe per ketë u ekzekutua  si më sipër. Gjithsesi të jetë e vërteta ajo ka një qëllim, që kjo ditë e bekuar e dashurisë të jetë festë zemrash që mbjell dashuri e shpresë, paqe e lumturi, që ne shqiptarëve na ka munguar mjaft në vite e shekuj, madje edhe vetë kjo festë deri para vitit 1991 ka qenë një ditë e ndaluar  në Shqiperinë “komuniste” , por e zëvendësuar dhunshëm me ditë, “festa” e idhuj të rremë që ishin tamam si të Paganizmit të vjetër, por me emra të rinj, që për çudi mbaronin po me izëm…Sot  kohrat kanë dryshuar  dhe data 14 shkurt e çdo viti, (si për çdo qytetar të kësaj bote të qensishme), edhe për ne shqiptarët   është një ditë  e shënuar e një dashurie të vertet, kur zemrat “ndalohen” të flasin me gjuhen e tyre. Të dashuruarit këtë ditë veçse i “furnizojnë” këto zemra të dashuruara  me “zjarr të ri” dashurie. Ndërsa simbole të dukshme të kesaj dite janë dhuratat e ndryshme…, buqetat me lule , drekat e darkat në ambiente intime  e tjer e tjer.. 

Gëzuar 14 shkurtin , ditën e bekuar të  dashurisë. 

Filed Under: Analiza

Ndërtimi i kapitalizmit me arketip vjedhjen

February 12, 2022 by s p

Dr. Eugent Kllapi/


Në kuptimin e angazhimit individual e djathta politike ngjizet nga urbanizimi në mesjetë. Pikërisht kjo me kapitalin dhe bankat, bankierët që dikur jepnin fajde në varësi të një përqindjeje të caktuar i dhanë shtysë formimit të një forme të re të kapitalit(po të referojmë këtu në shek. e 16 me urbanizimin italian dhe lindjen e huadhënieve në formë bankash). Sot në qendër të vëmendjes dhe të rrethrrotullimit të ekonomisë janë jo rastësisht në fizionominë kapitaliste bankat që sistemojnë dhe stabilizojnë sistemin. Më pas disa sipërmarrës të zotë me zhvillimin e revolucioneve të ndryshme e sidomos me revolucionin industrial krijuan atë që quhet sot ose dikur borgjezi dhe kapitalistë të parë me anë të tregut.Prona e fesë, krisja e statusit të aristokracisë dhe koncepte si liria e njeriut ishin dukur që me ‘’Carta Magnum’’ mbi pavarësinë dhe lirinë e aristokratëve apo me Iluminizmin Francez për të drejtat dhe liritë e individit. Pavarësisht se liria është koncept akoma abstrakt, e zhvilluar që nga antikiteti si koncept kolektiv nga agresori sesa ajo individuale, individi me të drejtë e atëhershme trashëgonte dhe zhvillonte prona në ligjësi me kapitalizmin si mendësi.Pra në kuptimin konkret, djali i bankierit apo kapitalistit, i politikanit apo i borgjezit, i gjykatësit apo biznesmenit i kishte disa ‘’teprica’’ ku e kishte kaluar mbiekzistencën, ushqimin, shtëpinë, të ardhurat minimale bazë për të rrethrrotulluar jetën e tij në formë normale dhe pa shumë sforcime dhe kjo formoi të djathën si mendësi. Dalëngadalë ky i ri do të orientohej për nga arsimimi që dalëngadalë me bumin e shkencave po masivizohej, kjo jo në kuptimin e sotëm ku shkolla është bërë karton për trampolino jete, karriere apo fame e suksesi por në kuptimin e një gjenerimi të madh të dijeve shkencore që prodhon dëshirën për specialitete dhe profilizime të arsimit që kaloi nga feja tek shkenca.
Ky zhvillim kapitali, në kuptimin esencial të një demokracie sovraniste, nacionaliste, atdhetariste sa me kah më vonë për nga konkurrenca e lirë i jep hov edhe individit që dalëngadalë përfshihet si i thjeshtë dhe pa prona në marrje dhe dhënie ekonomie, në pjesë të ekonomibërjes sa politikbërjes. Koncepti individual i zhvillimit të kapitalit është i ndërthurur me zhvillimin e shoqërisë, janë komplementare sa zhvillojnë një demokraci të tërë ku njeriu ndjen hov të paparë për të ndryshuar.Stadi i parë i individualizmit pas 1990 në Shqipëri, pas komunizmit që e kishte të ndaluar kuptimin e kapitalit dhe kapitalizmit, individi shqiptar sa ai me status elitar në mendim u shfaq përsëri djali i politikanit, ofiqarit të dikurshëm, djali i profesorit, djali i drejtorit etj, që iu dha mundësia më shumë se të tjerëve dhe donte të zhvillonte kapitalizmin sipas mendësive të djathta ose të imitimit të djemve të dikurshëm bankierë apo bisnesmenë, borgjezë apo kapitalistë. Këtyre iu dha mundësia shumë më tepër sesa individëve të thjeshtë.Ky djalë i krijuar me mendësi dhe kulturë komuniste nuk mundej dot të linte djemtë e bankierëve të dikurshëm dhe të kapitalistëve që quheshin dikur kulakë që të rifitonin atë pasuri që iu ishte marrë, atë status apo të zhvillohej në një konkurrencë të hapur në të gjitha llojet e vlerave. Atyre u ishte marrë prona, pasuria, statusi, nderi, dinjiteti me dhunë dhe kjo nuk mund dot të futej në konkurrencë sipas tyre me këtë situatë. Ata kishin edhe faj, edhe ndot, edhe frikë nga ky brez elitar i dikurshëm.
Në një mijë e një mënyra do të krijohej bashkësia e djemve të djathtë të rinj ku do të vidhej prona e tjetrit përsëri me anë ligjore e mbivendosje, do të fitohej nga e përgjithshmja, nga veprat publike, nga e mira publike dhe e përbashkët, nga aktiviteti publik, e mira e përbashkët e turmës apo e tufës, masës kolektive, në uzina, fabrika, pasuri kombëtare, lokale etj, si dikur u hiqej e drejta kulakëve për pasurinë e tokës dhe e të ardhurave.Në këtë kuptim shoqërorja kuptohej tashmë si populizëm, komunizëm, stalinizëm kurse e sotmja duhej të orientohej nga e djathta si liberale, përparimtare.Stadi i dytë përkonte me korrupsionin dhe vjedhjen e së mirës publike institucionale. Një kryeministër a ministër, drejtor apo nënpunës mund të vidhte tashmë më lehtë me një firmë miliona lekë sesa me vepra e beton nga monizmi. Ishte mënyrë më oportune dhe më e shpejtë.Nga ana e biznesit në këtë sistem vlerash hov morën matrapazët që zhvilluan hilen. Në të dyja format e djathta e re u krijua në këtë shtrat me anë të hiles dhe të gënjeshtrës që kishte si prapavijë dhunën dhe zhvatjen.Këto lloj formash, jo vetëm ngritën shtresën e lartë, qasjen për nga monopoli(cdo lloj monopoli, jo vetëm ekonomik por edhe profesional, kulturor, politik etj) apo kuptimin oligarkik që quhet sot, por me anë të hiles duan të përfaqësojnë edhe sot synimet e të djathtës së lirë në politikë, të ekonomisë së lirë të tregut, të zhvillimit të kapitalizmit bashkëkohor.Një vjedh si model më i lartë i njeriut të suskesshëm, të gjithë do të vjedhin për të qenë në modë dhe në sistem, nënpunës apo profesor, punëtor apo sipërmarrës.Tashmë e djathta nuk është më si në kuptimin e atij djalit të bankierit që s’ka ç’të bëjë dhe bën një shkollë për të trashëguar e zhvilluar kapitalin me vizionet largpamëse të tij falë ndihmesës së babait dhe kulturës. Tashmë djali i llojit të ri ngrihet falë hiles, vjedhjes dhe mashtrimit në parazitizëm, banalitet e mediokritet, postmodernitet pa bërë gjë thelbësore në jetën e vet, pa bërë ndryshim në qenie. Dikur në mesjetë po mos të vidhje nuk merrje nuse, ky ishte modeli, sot e njëjta gjë, vjedhja vë në qendër të suksesit këtë të ri që merr hov edhe nga vjedhjet harbute të kapitalistëve të dikurshëm, nga komunistët si pjesë e ideologjisë mbi të përbashkëtën dhe luftën e klasave duke vjedhur ctë mundnin nga të pasurit. Djali i ri ngrihet falë hiles, mashtrimit e vjedhjes, banalitet e vulgaritet si shenjë suksesi dhe modeli shoqëror.Nga ai djali i llastuar i sekretarit të parë të partisë e të rrethit, që megjithëse i thjeshtë në gjirin e popullit kishte nëntë dhe fshehurazi shumë të mira e privilegje që vinin si status nga babai apo familja, fisi, tashmë ai shikohet si djalë i ri i djathtë, të modelit të hajdutit. Dhe kjo shihej e shihet si zhvillim sa brezat u lënë vendin njeri-tjetrit, fëmijët bëhen baballarë e orientojnë fëmijët e rinj.Problem tjetër me të djathtën është se hajduti në psikologjinë e veprimit është koprrac. Ai investon për të mirën dhe pushtetin e tij personal në kapitalin e vet, por nuk do t’ia dijë për shoqërinë që me mendësi komuniste mendon se duhet të jetë turmë, tufë, masë. Rrjedhoja e kësaj llogjike shikohet edhe te oligopoli ekonomik i biznesmenëve të shkëputur nga politika që mund të kenë 1 milion e një fije të lidhur me politikën, pasoja përcakton shkakun. Tashmë shoqëria konsiderohet si instrument, skllavëri, punëtorë me mëditje ku nuk duhet të ketë pragun e kalimit ekzistencial pasi përbën rrezik për statusi ne vet, nuk duhet të kenë as sigurime, as sindikata, as gjykata, as polici, as shtet, as mënyrë orientimi sepse cënohet sistemi si dikur sistemi në komunizëm me baballarët. Atë kulturë kanë trashëguar.Ai ndihet komod si maskara, si hajdut për ta zhvilluar këtë kapital në këto kushte por nuk di si të zhvillojë shoqërinë që e do të sunduar, madje nuk di si ta orientojë vlerën e vet ekonomike për të ecur para pasi e përqendron vetëm tek vetja si burim. Përjashtohet tjetri, grupi, shoqëria nga këto burime që i mbledh falë egocentrizmit të vet.Në këtë kurth është dhe politika. Ajo do të jetë liberale, neoliberale deri në socialdemokraci, demokraci sociale apo me tipare konservatore në qëndrime por e gjitha kjo mbështetet në kuptimin primar në zhvatje dhe vjedhje. Nuk është ‘Robinhudizëm’ për shoqërinë, pirateri, kacakëri ndaj sulltanit dhe sistemit por makutëri për vetveten.Nuk mund dot të rrethrrotullojnë sistemin as si para 200 vjetëve në Amerikë sepse kanë vrarë pronën, prodhimin, fshatin, shtresën sociale, industrinë e lehtë, natyrën, dhe mendojnë vetëm në mënyrë të njëjtë pa ide dhe ligjësi, në hajdutëri, ndryshe nga djali i dikurshëm i bankierit që lindi filzofinë e lirisë në treg konkurrent për një shoqëri më të zhvilluar.Sistemi nuk xhiron sepse individi nuk ka asgjë por si ai djalë borgjezi që vjen nga djalë komunisti, pra nga zhvatja nuk krijon dot tepricën për shoqërinë, nuk krijohet konsumi, lëvizja e parasë, prodhimi, shpikjet, teknologjia e kohës, riformimet apo revolucionet teknologjike e shkencore, mirëqenia, sistemi, rendi kapitalist pra ka rënë gjithçka falë aftësisë për të qënë koprac dhe hajdut. Kjo nga frika e konkurrencës, lirisë së individëve që përbëjnë rrezik, mendjengshushtësisë dhe centrizmit elitar të një mendësie molonite.Ata janë bërë ‘’boumerang’’ i vetvetes.Nga gënjeshta nuk mund të ecin si të vërtetë përveçse me evolimin e kohës, djemtë me hile të bankave të krijuar siç do modeli i ri i hiçit dhe i vjedhjes, nuk mund të ecin me shkollimin dhe specializimin që prish rendin dhe sistemin akual. Shkolla duhet për triumf po jo për të ndryshur këtë establishment të ri, duhet kënetë jo lumë. Në këtë formë hilja dhe vjedhja trashëgohet në ‘’arketip’’ tek brezi i ri dhe tek fryma shoqërore, tek modeli, preferohet më shumë ky model sesa ndryshimi si rrugë më e shpejtë falë dhe makutërisë që do me çdo kusht dhe në ankth ta vrasë konkurrencën e shpejtë të të shumtëve.Makutët janë të paduruar psikologjikisht sepse kanë obsesion. Ky kalim në psikozë shkon deri në kuptimin e së përgjithshmes.Asnjë parti më pas nuk mendon për zhvillimin shoqëror sepse janë të babëzitur për të qenë si modeli, ashtu si makutët dhe makutët në shoqëri duan modelin e njëkohësisht janë të babëzitur.Thjesht nga mungesa e vetvetes.

Filed Under: Analiza

POEZIA DHE BURGU TE SHKRIMTARJA E PARË SHQIPTARE

February 10, 2022 by s p

Jetë e copëtuar në copëra të një poezie: Të isha një lule…

Nga Visar ZHITI

…

Të isha një lule vjollce në mes të ferrave

të qëndroja e fshehur, e pa dukur

dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve. 

Prej frike, të larguar prej njerëzis do t’më këputnin

do të dhurohesha te njëri-tjetri

për shenjë kujtimi.

…

Karafil i kuq të lulzoja

dhe me kujdes të vaditesha…

një ditë të vendosesha në jakë të palltos.

Do të shëtisja dhe unë rrugëve të qytetit,

do të kuptonja jetën djaloshare

dhe të gjithë do të vështronin atë dhe mua;

që të dy qënkan të bukur, do të thoshin.

…

Më së fundi le t’isha

së paku një lule e egër,

midis rrugës dhe gurëve

pa kujdesin e të tjerëve.

Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu,

një burrë ose grua… e di por s’ka gjë,

një lule të isha dhe jo njeri… 

Në këto copëra të një poezie të Musine Kokalarit sikur përmblidhen gjithë copërat e jetës së saj, dëshirat dhe parandjenjat, credo-ja dhe realiteti, profecia dhe ashpërsia e ardhshme, burgu dhe vdekja, ndërkaq aty janë vendosur përballë njëra-tjetrës delikatesa me tragjizmin.

Vërtet janë copërat e një poezie, më pak se gjysma e saj, nga ato pak poezi të rënda që na la ajo, me atë gjysmë jete, ku më shumë se sa këndonte, dukej sikur tregonte në prag të një vajtimi. Dhe janë shkruar përpara një gëzimi të madh, kur ajo do të shkonte për studime në Romë, më 1937. Po në këtë vit edhe poeti i njohur i të rinjve shqiptarë, Migjeni, do të shkonte në Torino, por për të vdekur, pa i nisur dot studimet. Temat e tij, lakonizmi do t’i pëlqenin shumë Musinesë dhe do të ndiqte deri diku hapat e tij…

Musineja linte kryeqytetin e saj të pakët, Tiranën, i cili s’kishte shumë vite që ishte shpallur si i tillë në një atdhe që kishte dalë nga një robëri shumëshekullore e qe bërë i pavarur. Nga republikë presidenciale befas qe shndërruar në monarki pa ndonjë kryengritje a grusht shteti, por vetë presidenti shqiptar Ahmet Zogu kishte kaluar në Mbret, Zogu I. Tirana sapo kishte filluar të merrte pamjen e një kryeqyteti të çuditshëm, sa oriental në njerëz, po aq dhe perëndimor në arkitekturë, ku kishte dhe ballo në sallone hotelesh dhe në bulevard gra me ferexhe, mesjetë dhe librari, kuaj dhe vetura, gjakmarrje dhe jetë intelektuale, varfëri dhe opozitë, poetë brilantë të një populli me analfabetizmin më të madh në Europë. Në sheshin kryesor punohej të ngrihej një Hark Triumfi. Miqësia mes Shqipërisë së vogël mbretërore po shtohej dita-ditës me Italinë fashiste perandorake. Po me té zbarkuar Italia në Shqipëri mbreti do të ikte dhe Harku i Triumfit do të shembej.

Musine Kokalari lindi në Adale, të Turqisë më 10 shkurt të vitit 1917, kur po atë vit bota do të tronditej nga revolucioni bolshevik i Leninit. Foshnja e porsalindur do ta pësonte po nga ky revolucion, nga dishepujt e tij ballkanas. 

Familja e saj kthehet në Shqipëri në vitin 1921 dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë Kokalarët shpërngulen në Tiranë. Në vitin 1937 Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe vendosi të shkonte të studionte në Itali, në Romë, në Universitetin e njohur “La Sapienza”. 

Në Qytetin e Përjetshëm, një nga kryeqytetet më të bukur në botë, në mos më i bukuri, Musine Kokalarin e priste një jetë të re, moderne, me ëndrra dhe studime, me kohët antike që shpaloseshin gjithandej, që flisnin me statujat, me muret dhe gurët, ku Koloseu mbase do t’i ngjante me një kurorë vigane, jo e rënë trandshëm nga qiejt, por si e dalë nga nëntoka. 

Donte të bëhej shkrimtare. I kishte hyrë kësaj valleje, për të qenë e tillë kishte lindur. Atdheu i saj nuk dihej të kishte pasur shkrimtare-grua. Mbase, por siç thoshte një princeshë në Rumani me origjinë shqiptare, që kishte pasur miqësi me shkrimtarët më të shquar të Europës së Shekullit XIX, Dora D’Istria ose Elena Gjika, që shqiptarét bëjnë shumë, por shkruajnë pak. Edhe Musineja ishte e bukur si ajo, shkruante si ajo. Edhe më shumë, të shkruante, të shkruante…

Poezia e Musine Kokalarit se si ishte, e pangjashme me të poetëve të tjerë shqiptarë, as me të atyre të vjetërve e as me të bashkëkohësve, e pangjashme as me folklorin e lashtë. Trishtim, pakënaqësi, jo këngë dashurie, pa rima kumbuese, pa rima fare, rrallë ndonjë e brendshme, zë i ngjirur, që duhej të kishte thirrur dikur, pa lindur ende, po, po, atë të shkaktonte në shpirt: thirrjen.

Mjerimin pasqyronte duke ngjarë dhe vetë e mjerë, e drejtpërdrejtë si ngjarjet në rrugë, madje kjo është dhe jeta, thotë ajo diku. Revoltë, jo vetëm në përmbajtje, por dhe në formë, vargjet përzgjaten, zvarritshëm i afrohen prozës, hidhësisë, marrin të folurën e përditshme, një gjallëri shqetësuese, rrëfime që kanë terr dhe uri. Çuditërisht nuk i ngjajnë jetës që kishte kaluar a të tashmes së autores, por të ardhmes së saj. Kishte dashur të ishte një lule mes ferrave…

Më mirë prozë atëherë dhe aty të shpalos poezinë. Nga pasioni për folklorin, fjalët e rralla dhe proverbat, Musine Kokalari hidhet tek tregimi i shkurtër, ja ashtu “Siç më thoshte nënua plakë” dhe pikërisht këtë titull i vuri librit të saj të parë, që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve në vend. Një shkrimtare-grua?! Edhe tek ne!?! Në botë ka. Atëherë po përmbysej bota… apo po bëhej më e mirë?

Ndërkaq Italia e Musolinit kishte pushtuar Shqipërinë. Kishte pasur përplasje me armë në qytetet bregdetare, edhe të rënë, teksa Mbreti ikte nga atdheu e mbretëresha lehonë mbante në krahë djalin e porsalindur. Do të përgatiteshin festa dhe dhënie lulesh për autoritetet italiane, por kur do të vinte për vizitë në Tiranë mbreti Viktor Emanuali do ta varej në mes të sheshit djaloshi Vasil Laçi që guxoi té shtinte mbi mbretin. Atentati dështoi, por jo vdekja e atentatorit.

Musine Kokalari në Romë nuk është e qetë. Ajo po shkruan librin “Jeta ime universitare” (1940-1942), fakte dhe histori, etnografi e meditim, që se si duket, sikur pushtimi kalon dhe nëpër trupin e saj prej gruaje, por ajo nuk do të jepet, madje qëndron shumë më lart se poseduesi dëshirëmadh. Studime dhe spitale. Nipi i saj i vogël është sëmurë. Apo Shqipëria? Kush do të operohet, kujt do t’i ngulen thikat? Çalon koha apo vogëlushi i gjorë, kockëhollë?

Musineja shoqërohet me të rinjtë antifashistë në Romë. Organizon takime kulturore me studentë shqiptarë, klubet ndodhte që i prenotonte dhe Dane Zdrave, që kishte studiuar në Akademinë Detare në Napoli, merrej dhe me biznes, ai do të hapte kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, do të çonte kombajnat e para, centrale elektrikë, do ta sponsorizonte dasmat e vajzave të miqve dhe do të hapte në Tiranë dyqan mode.  Të çliroheshe përmes pushtimit. Pas mbarimit të Luftës II Botërore atë e arrestojnë dhe ai vdes né burg. Oficerët komunistë që e torturonin mbase zbrisnin në qeli me uniformat që u kishte blerë ai dikur…

Erdhi koha që Musine Kokalari duhej të mbronte diplomën universitare në “La Sapienza”. Kë shkrimtar të zgjidhte për studimin e saj? Danten e madh? Ai tani ishte dhe poeti kombëtar i shqiptarëve. Se siç shpjegon shkrimtari Ismail Kadare, bashkëqytetar i Musinesë, “Nën kurorën e përbashkët, Italia po sillte si prikë poetin e saj të parë: Dante Aligierin”. (“Dantja i pashmangshëm”, fq. 23, bot. “Onufri” 2005). Po sikur të merrte Leopardin apo nga poezia moderne italiane? 

Poetët italianë vërtet mund të ishin bërë zyrtarisht të përbashkët, por përkohësisht gjithsesi dhe mbeteshin të një gjuhe tjetër. Të kërkonte një poet etiopas më mirë, se dhe me ata bënin pjesë në të njëjtin shtet tani? Jo dhe jo. Vetëm Naim Frashërin, poetin kombëtar të vendit të saj, që ribëri atdheun gjatë pushtimit otoman. Poezia e Naimit u ndez si qiriri. Dridhej drita e tij, por edhe terri prej asaj drite. Ta shihnin italianët dhe atë. 

Veprimtarinë si antifashiste, të nisur në Romë, e vazhdon në Tiranë, shkruan nëpër gazetat antifashiste dhe më 1943 bëhet nismëtare për të themeluar një parti social-demokrate me intelektualë të shquar si Skënder Muço e profesorin e Sorbonës, Isuf Luzaj. Rri dhe punon me rininë nacionaliste. Librarinë “Venus” të vëllezërve të saj e shndërron në qendër kulturore.

Vazhdonte Lufta II Botërore. Maleve të Shqipërisë luftohej me pushtuesin fashist dhe nazist. Në fillim së bashku, nacionalistë, monarkistë, komunistë, por këta të fundit po dilnin të parët dhe po e çonin vendin në luftë civile. Si në Spanjë, hakmarrje për Spanjën. 

Musine Kokalari po luftonte me armë të tjera, me libra. Dhe kundër sundimit më të rëndë, injorancës. E cila tek gratë shumëfishohej e bëhej në heshtje më kërcënuese. Gruaja shqiptare ishte mbyllur brenda mureve të një fanatizmi barbar. Mona Liza shqiptare ishte me shami në kokë. Kishte 500 vjet që kishte hyrë ferexheja bashkë me natën e gjatë të pushtimit. Vajzat kokëzbuluara, me flokët që ua merrte era, që duke vallëzuar e duke kënduar ishin hedhur në humnerë për të mos rënë në duar të pushtuesit, tani ishin futur në legjendë. Në kohën kur Roma e lashtë kishte perandorë dhe me origjinë ilire, në bregun përballë paraardhësit e shqiptarëve kishin pasur mbretëreshë, Teuta, por ajo qe harruar fare, veç emri i saj vihej ende vajzave, mbase pa ditur pse. 

Musine Kokalari po ndihej shkrimtare. Ky mision duhej përmbushur më së miri. Sa keq që s’kishte pasur grua shkrimtare ky vend, edhe pse ishte shekulli XX. Duhej të kishte, do të kenë qenë harruar… zhdukur… siç ikin gratë kur nuk i duan… Këngëtare anonime të nina-nanave po, edhe vajtojca patjetër që po. Pra, kur lindnin dhe kur vdisnin njerëz. Po ato këngë të mrekullueshme dashurie, që ne i futim në folklor, kush i krijoi? Patjetër duhej të kishte dhe gra-poete anonime. Kur kështjellat tona binin një e nga një e pirgjet e tyre shkrumboheshin nga flakët, mbetën bedenat e dhëmbëve. Gojët e grave ruajtën gjuhën, teksa burrat i shpinin nëpër luftëra kudo në Ballkan, edhe më larg, përtej Europës, shkretëtirave të Azisë dhe Afrikës.  

Musine Kokalari duhet të flasë për të gjitha ato. 

Në vitin 1944 boton librat “Rreth vatrës” dhe “…Sa u tund jeta”. Entuziazmon gjithë shkrimtarët e njohur shqiptarë, albanologë dhe studiues në Itali, në Gjermani, në diasporë deri në SHBA. Tashmë ajo është vërtet shkrimtare, e pjekur, me autoritet. E para…

Shkruan studime, mbledh folklor, boton artikuj për Kosovën. Romani i saj “Teto Nurieja” mbetet përgjysmë. Por dhe jeta e saj. Brenda vetes ajo ndien elegjinë, që nuk do të lejohej ta shkruante kurrë. Por gjithçka tek ajo është poezi. Është karafil i kuq mbi jakë palltosh, siç thoshte ajo. Pra i këputur…          

Kur Lufta II Botërore po mbaronte, kur po dëboheshin dhe largoheshin nga kryeqyteti pushtuesit nazistë, gjermanët po iknin drejt Veriut e betejat po zhvilloheshin rrugë më rrugë, shembeshin mure, merrnin flakë çatitë e vriteshin njerëz, në shtëpinë e Musinesë trokasin fitimtarët, partizanët, dhe me urdhër të kushëririt të Kokalarëve, diktatorit të ardhshëm Enver Hoxhës, marrin dy nga vëllezërit e saj, Mumtazin dhe Vesimin, të tretin, Hamitin, jo, se ishte tepër i sëmurë, me ethe, po vdiste vetë dhe s’kish pse ta mbartnin e të harxhohej plumbi për të. Po ku i çuan? Apo i donin për ndonjë shërbim a do t’i pyesnin për ndonjë gjë? Se liria fillon me librin e ata me libra merreshin. Luftë ishte, s’dihej. 

Dhe do t’i gjenin të vrarë mes shumë kufomave të tjera të përgjakura, të grirë nga breshëritë e skuadrave të pushkatimit. Fitimtarët kishin grumbulluar intelektualë të njohur, gazetarë, që nuk ishin komunistë, por borgjezë, sipas tyre, i kishin mbyllur në bodrumet e nëndheshme të hotel “Bristol” dhe bënë masakrën para festës së çlirimit të kryeqytetit.

Kishte filluar të derdhej gjaku, jo nga shkaku i pushtuesve tani.  

NJË GRUA MARTIRE

PËRBALLË DIKTATORIT – BASHKËQYTETAR I SAJ..

Shkrimtarja e parë shqiptare, grua me ndërgjegjen e lartë të krijimit dhe është vetëm 27 vjeç. E ylltë. Vepra e saj do të ishte plot me fjalë të gjalla, nga ato të popullit, të vjetra, gjithë thellësi, që gjuhëtari i shquar, Profesor Eqrem Çabej, bashkëqytetar dhe bashkëkohës i saj, do të merrej me seriozitet shkencëtari me shqipen dhe do të ishte studiuesi dhe etimologu me autoritet ndërkombëtar. Skenat dhe personazhet lokalë të veprës së Musine Kokalarit, Gjirokastra e çuditshme, do të merrnin hov dhe zhvillim të paparë më pas në romanet e përkthyer gjithandej nëpër botë të bashkëqytetarit tjetër të saj, shkrimtarit botëror Ismail Kadare. Ai realitet, ajo jetë sa orientale, po aq dhe Perëndimore, që po shkonte drejt Europës së kulturuar, ai pluralizëm dhe demokraci parake, që do të tronditej nga Lufta e II Botërore, do të përmbysej e do të shkatërrohej nga sundimtari i kuq, diktatori Enver Hoxha, edhe ky bashkëqytetar i Musine Kokalarit. Shtëpitë e tyre nuk janë larg midis tyre, dritaret shikojnë njëra-tjetrën, por njerëzit nuk shikohen dot në sy. Diktatori i ardhshëm kishte shëtitur në Europë, në Itali, Belgjikë, Francë, etj, kështu mbahej i shëtitur, ndiqte modën, ishte regjistruar dhe në një universitet në Montpelie, ku nuk dha asnjë provim e nuk u diplomua kurrë dhe kur mori pushtet, futi në burg ministrin e arsimit poet dhe ai, Mirash Ivanaj, ndër më të kulturuarit në Ballkan, dinte 11 gjuhë, si hakmarrje që nuk kreu dot shkollë dhe do t’i urrente gjithë jetën. Jo urrejtje pasive, por me veprime mizore, duke i persekutuar rregullisht. Duke marrë në ndihmë intelektualë të tjerë, nga ata që do të denonconin kolegët e do t’u vidhnin veprat dhe do të aplikonin realizmin socialist shqiptar duke himnizuar me poema e romane diktatorin.  

Katër ditë pas vrasjes së vëllezërve, arrestojnë dhe Musinenë dhe e mbajnë 17 ditë në burg. Mes rrëmujës, kur fitimtarët ende nuk dinë se çfarë të bëjnë, përveç pushkatimeve, pushtojnë zyra dhe hapin burgje, edhe kishat i bëjnë burgje, ndërkaq Musineja vepron, bashkohet me intelektualët, që krijojnë “Koalicionin demokrat”, programin e shkruan ajo, u çojnë nota SHBA-ve dhe Anglisë për vëzhgimin e zgjedhjeve politike të 1945.        

Shkrimtare e plotë tashmë, me autoritet. Më shumë se sa poezi, tani është elegjia që po fillon të ndihet brenda saj, më e fuqishme se marshet e fitimtarëve. Një vit më pas, më 23 janar 1946 e arrestojnë përsëri Musinenë.

E nxjerrin në gjyqin ushtarak me 36 intelektualë të tjerë. Gjyqet bëheshin në teatrin që kishin ndërtuar italianët gjatë pushtimit. Në skenë, ku duhej të luhej ndonjë nga veprat e Musinesë, vendosej trupi gjykues, të akuzuarit, policët. Aktorë të vërtetë të një drame të vërtetë. Në lozha ndodhte që ta ndiqte gjyqin vetë Enver Hoxha. Ndoshta vinte monoklin në sy si në operat në Paris. Në altoparlantë që ishin vendosur jashtë në rrugë njerëzit e grumbulluar dëgjojnë zërin e Musinesë:

 “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen”.  Mbase Enver Hoxhës i është kujtuar që nëna e tij në Gjirokastër i kishte kërkuar nënës së Musinësë vajzën për djalin, që t’i martonin… Po janë kushërinj?! Musineja nuk donte absolutisht. E tmerronte ndryshimi kulturor e moral qé kishte me të. Enverit i kishte rënë në dorë një letër e vëllait të Musinesë, ku ai fliste keq, shumë keq për Enverin, e quante mizor, mediokër, hakmarrës, vagabond, mjerë vendi, po të vijë ai në pushtet… Ja që erdhi!? S’donte ajo, kuçka, të bëhej gruaja ime, do t’i zhduk nga faqja e dheut të gjithë Kokalarët…

Ndërkaq dikush i caktuar thirri në sallën e gjyqit se ajo, Musineja, duhet të dënohej me vdekje në litar. Kryetari i gjyqit F. N. tha: hë, a e dëgjove ç’kërkonte populli? Musineja me qetësi iu përgjigj: Nesër këtë do të thonë edhe për ju turmat. 

Dënohet me 30 vjet heqje lirie, aq sa vjeç ishte.

Në qelitë e burgut të Burrelit i vinin për vizitë bashkëpunëtorë të diktatorit, ministra të tij dhe i thoshin që t’i kërkonte falje Enverit. Nisën torturat, nga më banalet, deri dhe futje e maces në trup që ta çirrte me thonj, pastaj një polic nudo përballë… Musinesë i binte të fikët, por nuk dorëzohej.

Doli profecia e saj në poezi. U bë një lule e egër midis gurëve, jo pa kujdesin e njerëzve, por nën dhunën e tyre. Një ditë do të shtypesha prej ndonjë këmbe njeriu, shkruante Musineja, por atë e shkeli çizmja e tmerrshme e diktaturës.

Kaluan vite të rënda rrethuar me tela me gjemba, brenda mureve të pandryshueshëm të burgut, po ato njolla e brenga e uria gërryese e ajo lodhje e shpirtit e britma policësh e rojash. Po poezia? Edhe ajo në burg. Nuk dimë në ka shkruar fshehurazi poezi a ka mbajtur shënime, a ja kanë gjetur e konfiskuar a djegur. Por Musineja diçka tregon a të tjerë për atë, një poezi sysh… Kur dilnin të burgosurit në shesh për ajrosje a për larje, të ndarë nga gratë e burgosura, ajo u njoh me dikë, e dashuroi fuqimisht si pamundësinë, iu bë ëndrra dhe brenga me fuqinë e vdekjes… Mbas 16 vjetësh burg e lirojnë në vitin 1961 duke e çuar në një tjetër lloj dënimi, në internim, në Veri, në Rrëshen, andej nga malet. E vetmuar. Përsëri me policë. Dhe në punë té rëndë, shumë të rëndë dhe për burra. Punonte në ndërtim, me tulla, bënte llaç… Askush nuk i fliste. Më shumë se sa me policë, ishte e rrethuar me spiunë, të cilët kanë mbushur dosjet me raportime, se deri ku shëtiste ajo pasi perëndonte dielli, çfarë libri mori në bibliotekën e vogël të qytezës, si ishte krehur, si ishte veshur, thjeshtë por prapë bukur, sfiduese, çfarë tha tek fqinji i saj, tek shtëpia e rrënuar mes baltës. Të nesërmen prapë ulej në stolin e lulishtes së vetme, ku askush nuk e përshëndeste. Shkruante, merrej me folklor, por dhe ditar, rreth 1000 faqe… I vinte ta shikonte një nipi i saj, Platori. Dhe është mahnitëse se si ajo njihet me një shkrimtar të ri, Bilal Xhaferrin, edhe ai nga Jugu, por më thellë se Gjirokastra e saj, ai vinte nga Çamëria. Babanë e tij e kishte pushkatuar partia si nacionalist. Prandaj dhe s’ishte lejuar të studionte, të shkonte në universitet. Punonte në shtrimin e rrugëve, punëtor. Por shkruante poezi dhe tregime të shkëlqyera. Musineja iu gjend pranë. Iu bë mecenate shpirtërore, e udhëzonte. Nisi të botojë, por ia ndaluan botimin. Dhe ai u arratis në SHBA, por atje spiunët e fshehur në diasporë ia bënë gropën. E goditën me hekur kokës dhe e helmuan në spital në Çikago. Çudia tjetër, në vitin 1972 Musineja përfundon librin manifest “Si lindi Partia Social Demokrate”, fshehurazi. Dhe diktatori Enver Hoxha, me shumë bujë si zakonisht, i shton botimeve të tij librin “Kur lindi Partia”, por në vitin 1981. Ndërkaq në gjoksin e Musine Kokalarit kanceri ka hapur metastazat e veta. E çojnë në spitalin e Tiranës, aty i vinin për ta parë, gjithmonë fshehurazi mbesat, nipi – personazhe në librin e kujtimeve të Romës. Ajo vetë u bë lulja e fshehur e poezisë sé saj. Përmes lotëve të padukshëm kujtonte nënën e vdekur, si i kishin dhënë leje nga internimi ta takonte një herë e si pastaj nuk e lejonin. As në spital në kryeqytet nuk mund të vinte më. Edhe pse kishte aq shumé nevojë. Të domosdoshme. Por mjaft. Le të vdiste. Nuk mund     të harxhonin për një armike. Ishte orientim nga Partia. Dhimbjet shumëfishoheshin. Të tmerrshme. Lë një pusullë për të nipin: “Të shpëtojmë sa të mundim nga vlerat morale. Musine.”

Përmes vuajtjeve, që i duronte pa u ankuar, stoike, zemra e saj pushoi së rrahuri. Fqinji i saj i mbylli sytë. Balta përreth u bë më e zezë. Makina e zhavorrit, pa funeral, me arkivolin e varfër të saj përsipër, ikën me nxitim për në varrezat e qytezës. Dy punëtorë me kazma e lopata e mbulojnë shpejt e shpejt. Ishte viti 1983. Dy vjet më vonë vdes diktatori Enver Hoxha. Autobusët nga e gjithë Shqipëria shkarkonin njerëz gjatë gjithë javës së zisë kombëtare, i vinin në rreshta ta gjata për të bërë homazhe para kufomës të mbuluar me kurora dhe aroma dhe për të qarë me zë burra dhe gra. Nëpër gazeta vërshonin poezitë për atë…

NJË LULE TË ISHA DHE JO NJERI.

Kështu shkruante Musineja në poezitë e saj të para, në gjysmën e parë të shekullit të kaluar. Sot, kur janë hequr të gjitha statujat e diktatorit, u morën zvarrë nga sheshet, u thyen dhe me mermerin e tyre u bënë vajza nudo, që nuk lejoheshin nga ai në diktaturë, ndërkaq më fanitet Musineja e bukur, e qeshur, studente e përjetshme, ajo në gjyq, që akuzon dhe tani, guximtare, teksa janë vënë pllaka të mermerta, memoriale për të, jo vetëm në vendlindje, i është botuar vepra e plotë, i është dhënë titulli i lartë “Nderi i Kombit” si shkrimtarja e parë grua në letërsinë moderne shqiptare dhe si disidentja e parë grua në të gjithë perandorinë komuniste. Vuajtja e saj, qëndresa dhe dinjiteti mbi baltën gjeneral janë poema më e madhe. Një lule të isha dhe jo njeri, klithi ajo. E lodhi njeriu në luftën për të mbetur njeri. Të gjithë ne. Që të ishim të lirë në një atdhe të lirë bashkë me botën. Por Ajo deshi të ishte lule. Është. Tani Ajo është lulja e bukur e njeriut, e njerëzimit…  

______________________________________________________________

Parathenia e librit “Vitet e mia universitare” të Musine Kokalarit,

botuar në Itali, botuesi  “Viella”, 2016 

https://images-na.ssl-images-amazon.com/images/I/41H8vhwEgaL._SX356_BO1,204,203,200_.jpg

Filed Under: Analiza

MUSINE KOKALARI, PARADIGMAT E NJE AUTOREJE SA TE VLERESUAR, AQ TE PERNDJEKUR

February 10, 2022 by s p

Musine Kokalari

Mirseda Daci/


Jeta është një kolazh i diellit me shiun, i buzëqeshjes me lotin,i kënaqësisë me dhimbjen. “Dua të shkruaj, të shkruaj,e vetëm të shkruaj letërsi artistike dhe të mos kem të bëj fare me politikë”(1). Nga këto fjalë duket qartë zelli i shkrimtares së re për të kontribuar në letërsi,në mënyrën e saj.Ishin pikërisht pasioni nga njëra anë,e peripecitë më tronditëse të jetës nga ana tjetër,ato që do ta shoqëronin Musinenë në rrugëtimin e saj. Një grua e vrarë shpirtërisht,një femër që kishte “mike” të vetme vetminë,e që duroi torturat nga më çnjerëzoret vetëm sepse zgjodhi të shkruajë me fjalët e zemrës.Vetëm sepse preferoi më mirë të ishte një kritike e realitetit sesa të aprovonte elementët korruptivë të tij.Ishte një individe e mbyllur në botën e saj të mjerueshme,e vetmuar,sepse kështu ishte paravendosur për të.Një fajtore pa faj,kështu do ta cilësoja unë.Në fund të fundit a është faj lufta morale kushtuar popullit?A mund të quhet faj dëshira për ta parë vendin tënd të “lulëzuar”psikologjikisht? Ja se si do ta vlerësonte prozatori i talentuar Mitrush Kuteli:”Musine Kokalari afirmohet në rangun e mirë të letërsisë shqipe,jo si relativitet femëror,siç mund ta shohë dikush,por si vlerë absolute.”(2) Për të do të jepte mendim edhe Lasgush Poradeci:“Musine Kokalari ka një talent që duhet vënë në dukje dhe një origjinalitet letrar”(3). Kështu pra ajo do të vinte si një vokacion krejt i veçantë në prozën shqipe përmes një gjuhe dhe ligjërimi të pasur gjirokastrit,me ngarkesa emocionale dhe sentimentale,çka e bëjnë atë një prozë folklorike dhe etnografike.Kjo ishte Musine Kokalari,një erudite,”një individe që se lanë të jetojë e vetme kundër forcave të njeriut”(4). Musine Kokalari,bija shqiptare që kaloi vitet e fëmijërisë në qytetin e Gjirokastrës,studentja që ëndërroi dhe gëzoi statusin e kulturimit europian në vitet e rinisë,intelektualja që përjetoi trajektoren ngjitëse të temperaturës politike,e lartësoi identitetin e saj falë guximit për të thënë të vërtetën,falë durimit shpirtëror,falë peshës magjike të fjalës. Do të shfaqej si një fenomen letrar në gjininë e prozës,ku do të shpaloste talentin e saj të jashtëzakonshëm.Do të ishte femra e parë që do të bëhej autore e njohur e letrave shqipe.Ajo ishte porsi një lule,e brishtë për nga natyra,ashtu si të gjitha femrat.E nga ana tjetër ishte një lule rebele,e veçantë në llojin e saj,që për shkak të pikëpamjeve që kishte u dënua me një fat tragjik. “T’isha një lule vjollcë në mes të ferrave/Të qëndroja fshehur,e pa dukur/Dhe një ditë të zbulohesha prej duarve të dy të rinjve”.(5) Kështu ishte dhe Musineja,një lule e vetmuar,mes njerëzve që nuk e kuptonin dhe që e linin në hije.Gjithsesi asgjë nuk mund ta ndalonte “vajzën uragan”në rrugëtimin e saj drejt lirisë së mendimit.Pavarësisht dallgëve të egra që jeta lëshonte mbi të,ajo kishte shpresën se një ditë brezat në vijim do t’ia dinin rëndësinë veprave të saj. Muza shqiptare në sajë të artit,arriti të ketë një vend të rëndësishëm në letërsinë shqiptare. Arriti të jetë frymëzuese e mijëra të rinjve e mijëra shkrimtarëve e studiuesëve.Sepse në fund të fundit kështu i ka hije një Muze.
VEÇORI TE KRIJIMTARISE ARTISTIKE TE MUSINE KOKALARIT
Deri tani folëm mbi figurën e Musinesë dhe me të drejtë lind pyetja se çfarë e bën të veçantë prozën e saj.Normalisht që duhet të shfaqim disa karakteristika të stilit e në këtë mënyrë le të hapim një portë të re. Krijimtaria artistike e Kokalaritpërbën një pasuri të veçantë për artin, kulturën, etnografinë, folklorin,letërsinë, ”toskërishten”e qytetit të Gjirokastrës.Ajo është njëkohësisht autoritete e zëshme e letërsisë feministe shqiptare,si shkrimtarja e parë me krijimtari thuajse të njejtë me atë të prozatorëve të tjerë të shquar të kohës si Kuteli,Koliqi etj. Si askush tjetër,Muza shqiptare shpalosi në vepër botën e saj shpirtërore,zakonet,traditat,mjedisin dhe mbi të gjitha përmes gjuhës artistike,e mjeteve të shumta gjuhësore të shfrytëzuara,shenjoi të folurën e qytetit të Gjirokastrës.Ajo gjurmoi dhe mblodhi me kujdes e vullnet të jashtëzakonshëm nektarin e krijimtarisë popullore të Jugut,duke i bërë këto vepra të pavdekshme,e duke i transmetuar në të gjitha brezat. Përmes studimit të veprave mund të përcaktojmë veçoritë dalluese apo rolin që ka luajtur ajo në rrjedhën e kohës. Shfaqet përpara nesh panorama e qytetit legjendar të Gjirokastrës.Teatri ku lëvizin ëndrrat, zakonet, lojrat,çuditë që sjellin studentët nga perëndimi.Në fakt nga përshkrimi të duket sikur e bën qytetin personazhin kryesor.”Unë e kam njohur këtë ambient që në vogëli.Jam rritur me gjithçka që po rritej dhe zhvillohej…”(6)Nga këto fjalë kuptohet përkushtimi që i kushtoi popullit. Në krijimtarinë e saj paraqiten plakat dhe nuset e reja,paragjykimet dhe zilija,ndërgjegjia dhe nënndërgjegjia,pra e gjithë bota. Lasgush Poradeci do të shkruante.”Gruaja e lagjes,e dyerve dhe e poratve,vizitonjësa e vatrës dhe e oborrit,fjalamania tradicionale që përfaqëson tipin e përbashkët dhe të përditshëm të intrigonjëses,të intrigantes,të asaj që bën intriga,që fut fitila,që shtien spica,që shan,që heth në sherr dhe shtyn në ndarje-kjo mëhallaxhesha shqiptare e pavdekur për të gjithë herën dhe për të gjithë kohën përbën fondin e inspirimit të librës “Siç më thotë nënua plakë”(7). Me sa vërejtje të përpiktë-entuziazmohej Poradeci-plot gjallësi dhe plot freski,janë zënë këto miniatura të Musine Kokalarit.”Të thuash,si të kesh këputur një copë të gjallë të jetës,një pjesë që rron në vetvete gjithë jetën e organizimit shoqëror.”(8) Stilin e veçantë e autentik do ta përmendë edhe Kuteli tek fliste për vëllimin “Rreth vatrës”.Ai e gjente me vend të dallonte se :”libra është shkruar në gjuhë të vërtetë-që flitet-dhe me ngjarje të vërteta.”(9) Krijimtaria e Musine Kokalarit u vlerësua edhe nga poeti dhe prozatori Petro Marko:”Muza shqiptare,siç u paraqit në fillim me pseudonim,krijon një tip tregimi të veçantë,ku zotëron rrëfimi popullor dhe një ndjeshmëri për ambientin e një emocioni,i krahasueshëm me emocionin poetik”(10). Kështu duke alternuar mendimet që kolegët dhanë për Musinenë,por njëkohësisht duke u bazuar edhe në leximin dhe analizën e dy veprave që kam përzgjedhur,arrij më të nxjerrim në pah disa detaje të krijimtarisë letrare.Nga të gjitha këto vlen të përmendet fakti se ajo shkruan një tip tregimi të veçantë,që e bën atë shkrimtare të prozës së shkurtër.Shkruan në gjuhën e popullit dhe për popullin. Vemë re se gjuha që ajo përdor është e thjeshtë dhe mendimet që ajo përcjell janë të drejtpërdrejta.Prozatorja i ndërton tregimet e saj mbi një ngjarje të rëndomtë,që nuk ishte veçse një shkas për dialogun dhe më rallë për monologun,ngjarje që shpesh plotësoheshin me përshkrime të shkurtra të mjedisit. Një vend të veçantë zë figura e femrës.Musineja e trajton këtë personazh në të gjitha etapat e jetës,që nga lindja,periudha e rinisë,e deri në moshën e pleqërisë.Eshtë interesant fakti se meshkujt përmenden vetëm përciptazi.Figura e tyre trajtohet vetëm përmes bisedave të grave.Për shembull në tregimin “Burri shoku i qenit”,tregohet historia e një familjeje dikur të lumtur,por vdekja e merr Mukadesin,nusen e kësaj familjeje,duke lënë pas fëmijën dhe burrin.”Ku i vanë ato lotë,ato fjalë që s’martohem,do ta rrit fëmilën vetë,se e di ç’kanë hequr na njerkat,dhe ai u martua më shpejt nga të gjithë.”(11). Nga këto rreshta kuptohet qartë ajo që Musineja ka dashur të tregojë dhe në fakt ka vend fjala që gratë përdorin shpesh se “buri sa është i afërt, është dhe i huaj”.”Sa i zihet besë gjarprit aqë i zihet edhe atij”,kështu thonte teto Nexhmija.Sikurse shikohet edhe nga këto shembuj,figura e mashkullit trajtohet sipas mendimeve të femrave. Diçka tjetër interesante në këtë krijimtari është ngjitja e formuar shkallë-shkallë.Them kështu sepse tregimet ndjekin një linjë logjike dhe janë lidhur kuptimisht me njëri-tjetrin,si njëzinxhir.Kështu te vëllimi”…Sa u tunt jeta”tregohet vijimësia ciklit jetësor.Fillon me tregimin “E gjeta”,ku Haxho pikas vajzën e teto Qibruas dhe kërkon të bëhet shkuese për të.Edhe titulli i këtij tregimi jepet në formën e zgjidhjes së një misteri.Më pas vëllimi nis me rrjedhën e njëpasnjëshme të ngjarjeve,ku Haxho kërkon realizimin e qëllimit të saj,e së fundmi përshkruhet me imtësi dasma gjirokastrite si dhe zakonet e traditat që do të ndiqen në këtë dasëm.E njejta gjë ndodh edhe me vëllimin “Siç më thotë nënua plakë”,por ndryshe nga i pari ky shfaqet në formën e nostalgjisë së nënave për kohën e shkuar.Në tregimin me të njejtin titull tregohet mjaft qartë diçka e tillë. Në fakt kur lexojmë këtë tregim na krijohet një ngjashmëri me poemën “Hanko Halla”të Ali Asllanit. ”Erdhi koh’ e keqe,koha e flamosur,/na u prish dynjaja/bota ësht’marrosur…/nuse e kësaj kohe tjetër zona s’paske/a do marrë kalemin që të bëjë laraska/a do zërë të shkruajë ose do dëgjojë/një kuti të vogël që na flet me gojë…/është një freng i marrë që çirret e bërtet/frengu e ngre zërin edhe sëkëllin/nusja e lë perin edhe vërsëllin/ai flet me vete,flet e flet përqark/nusja s’është në vete bëhet më e zjarrtë…”. Le të shohim tashmë se si do të shprehet nënua plakë në tregimin “Siç më thotë nënua plakë. ”Oh kjo kohë e shkretë,se si u kthie një botë përmbys…gjithë ditën e ditës se ç’bën,s’mar vesh,shkruan,këndon bën xivo-gavo…Eja biro në vehte,shtroju punës,hir në udhë të Perendisë,se nga këndimet nuk nxjerr gjë.Nis nga qindizma…Ç’janë ato rroba që më bëjnë pas trupit sikur do t’u çahen veshur.”(12). Pavarësisht këtyre ngjashmërive ku mbizotëron e njejta ide dhe nostalgji për të shkuarën,duhet theksuar se Musineja kishte një stil të vetin origjinal,të ndryshëm nga ai i Ali Asllanit.Ajo na paraqet një paradë të vërtetë,duke pasqyruar ato anë që njihte më mirë dhe për të cilat kishte nevojë letërsia shqipe.Ajo kishte arritur të kuptonte se arti i vërtetë buron te populli.Të gjitha këto i paraqet si pasqyrë të jetës së trazuar të një qyteti.Përshkruan çastet dramatike që kalon ky qytet,kujtojmë për shembull tregimet për “Mustaqet e Çelos”,”Mos qofshin vjerat e zeza”etj. Kjo shkrimtare e trajtoi ciklin jetësor në disa rrafshe,duke mpleksur problemet e kohës,shoqërisë,familjes me shqetësimet dhe problemet që mbartin me vete pjestarët e kësaj shoqërie,të cilët ishin kaq shumë të lidhur me njëri-tjetrin sa gëzimet dhe hidhërimet i ndanin së bashku. Nga njëra anë një një jetë e trazuar me plot pakënaqësi nga nënua që s’mund të pajtohet dot me të renë,me vajzat që dalin rrugëve,me nuset e reja që nuk rrinë në këmbë. Ulërimat e një qeni që lajmëronte që dikush mund të vdesë:”Gjithë natën e dëgjova të përmbisurin qen.Ulërinte e ulërinte,e pastaj gërmonte baltën me thonj.E zeza unë,ah moj Perëndi,na ruaj shëndenë e së gjithëve!”“Diku tjetër qanin djalin e vdekur me kaq lotë e botë,sa dukej sikur muret kullonin nga lotët.” Nga njëra anë tregon se si njerëzit nuk i ngjajnë njëri-tjetrit,ashtu si edhe familjet s’janë njësoj.Një nuse ka dalë e mirë,diku tjetër nusja s’shkon me vjehrrën:”Nuk durohet edhe kjo,s’kam parë një ditë të bardhë që kur kam kallur këmbët në këtë të zezë gërmallë.”(13). Nga ana tjetër na shfaqet një vjehërr xheloze për nusen:”Nuset e sotme u bëjnë magji burave,i bëjnë për vete.Të tërbuarat,s’kanë mend për punë.”Kështu plas një grindje e madhe me zhurmë e mallkime. Kokalari paraqet të gjitha aktet e dramave shoqërore dhe familjare e për këtë ka preferuar frazeologjizmat e Gjirokastrës: ”Iu bë mendja dhallë,ik shiko punën tënde dhe mos hidh kripë në gjellë të botës,na njëherë trëndafili bën gjemb dhe gjembi bën trëndafilë,etj.”. Këtë gjë Musineja e ka përdorur qëllimisht sepse ka dashur ta bëjë lexuesin shprehës të drejtpërdrejtë të qëndrimeve të tij.Në gjithë prozën e saj letrare kemi parë mjedisin e saj kanonik etik dhe lokal. Vemë re se si e ndërton këtë prozë gjithmonë në mjedise të brendshme, në odë, shtëpi, oborr, pranë zjarrit. Nënua del tipi kryesor, organizuese e pjesës më të madhe të subjekteve. Shpesh herë stili i saj ngjan me Migjenin, por s’mund të themi se është ndikim i tij. I njejtë për këto dy uraganë ishte realiteti që i rrethon. Realitetin që duan ta ndryshojnë me forcën,mençurinë dhe shprehësinë magjike të fjalës. Po a është i mundur një ndryshim i tillë?A është e mundur arritja e emancipimit të mentalitetit të hekurt që shpesh ndrydh dhe prangos figurat ndoshta më të brishta të jetës sonë. A është e mundur nxjerrja e femrës nga “burgu”i mjerimit?VIJON NE NUMRIN TJETER…

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 204
  • 205
  • 206
  • 207
  • 208
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”
  • Festat e fundvitit u mbyllën me këngë e valle shqiptare nga Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit, New York
  • Pjeter Logoreci: “Jeta dhe vepra e Aleksandër Moisiut asht nji shëmbëlltyrë pune, kulture, vullneti e karakteri”
  • “Metamorfoza”
  • Trifon Xhagjika (20 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)
  • POETIKA E MUNGESËS DHE KUJTESËS APO ËNDRRA SI METAFORË E IDENTITETIT LIRIK
  • Umberto Eco për librin si nevojë, jo si konsum, për bibliotekën si kabinet i mjekësisë së shpirtit
  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT