
Nga PAOLO VALENTINO/
Duhet shkuar përtej fjalimit të çoroditur historikisht e pak t’arsyeshëm politikisht, me të cilin Vladimir Putini dogji urat e fundit me bashkësinë ndërkombëtare, duke lajmëruar njohjen e dy republikave të ndara ukrainase, për t’u orvatur të kuptohet se ç’ka në kokën e presidentit rus e cilat mund të jenë lëvizjet e tij të ardhme. Putini ka përqëndruar dy dhjetëvjeçarë mllefesh dhe ankimesh në një fjalim t’atypëratyshëm të një ore, i ngjeshur me zëmërim të akullt, psherëtima, kërcënime të pafshehura. Por për të kapur kuptimin e thellë, duhet të shkojmë mbrapa, në dy çaste vendimtare të parabolës së gjatë të pushtetit të tij. I pari është në dhjetorin e vitit 2012, kur në sallën shkëlqyese të Shën Gjergjit në Kremlin, ai u betua për mandatin e tretë presidencial. Në fjalën e rastit Putini përmendi diçka që mbeti e errët për më të shumtit: ”Dikush do të marrë drejtimin e dikush do të mbetet mbrapa, duke humbur pashmangmërisht pavarësinë e tij, do të varet jo aq nga fuqia ekonomike, por më shumë nga vullneti i çdo kombi, nga energjia e tij e brëndëshme, ajo që Lev Gumiljov e quante passionarnost, aftësia për të shkuar përpara e për të pranuar ndryshimin”. Kush e dinte mori shënim menjëherë. Gumiljovi qe një filozof i përndjekur nga Stalini, që e mbajti për 14 vjet në një burg në Siberi. Prindërit e tij ishin një çift tepër i famshëm poetësh rusë, Nikollaj Gumiljov dhe Ana Ahmatova, që i kushtoi “Requiemin” e saj vuajtjeve të të birit. Passionarnost është një fjalë e vështirë për t’u kuptuar, edhe më e ndërlikuar se ajo që i dha Putini: bën fjalë në fakt për kryqëzimin e tregon “aftësinë për të vuajtur”, atë që presidenti rus kërkon nga populli i tij. Por Gumiljovi qe edhe mbështetës i Eurazisë, që i ka frymëzuar Putinit krijimin e Bashkimit euraziatik, projektit të dështuar politik, që në dëshirat fillestare duhej të përkonte me kufijtë e BRSS.
Tjetër çast vendimtar është 2014, viti i bashkëngjitjes së Krimesë që Putini e përligji duke thirrur në ndihmë russkij mir, botën ruse, prej së cilës vinte koncepti Rusia e re dhe e barabarta e saj gjeopolitike. Duke u vetëngarkuar me misionin e ribashkimit, ai foli për “kombin e ndarë” të rusëve e për nevojën e “mbrojtjes të qytetërimit rus nga rreziqet e fuqive të jashtëme”, veçanërisht të atyre që vinin nga Perëndimi. Ideja e “botës ruse” i luhatëzon kufijtë e Shtetit, ata të Biellorusisë e t’Ukrainës së pari, duke nënvizuar rolin e “kampionit” të popullsive rusofone pikërisht të mëmës Rusi dhe të drejtën për t’a ushtruar.
Passionarnost dhe russkij mir janë përcaktuese për të deshifruar qëndrimet e Putinit, i cili, mbas dy dhjetëvjeçarësh pushteti e në prag të shtatëdhjetë viteve, me një shëndet të kthyer në sekret shtetëror e sigurisht jo në gjëndjen më të mirë siç e tradhëton fryrja e tij, ndoshta po mendon largimin e tij. Sigurisht është gjithënjë e më i depërtuar nga misioni i tij. Izolimi fizik e mendor, i detyruar nga pandemia, jeta e tij në një tumullac në dy vitet e fundit e kanë thelluar largësinë nga Vëndi dhe nga vetë bashkëpuntorët e tij, të cilët ose e shohin nga largësi të sikletëshme, siç ndodhi të hënën me Këshillin e Sigurisë, ose duhet t’i nënështrohen karantinave të gjata para se të hyjnë. “Putini vendos gjithënjë e më shumë vetë, askush nuk mund të thotë më se kush është këshilltari i tij më me ndikim dhe çfarë është në kokën e tij”, shpjegon Fjodor Lukianovi, drejtor i Russia in Global Affair. Ka një fjalë ruse për këtë lloj sistemi, që shkon në kohët e Carëve, kur sovrani nuk ishte i lidhur nga asnjë lloj rregulle: samoderzhavie, diçka shumë e ngjajshme me autokracinë. “Nëse këshillohet me ndonjë, atëherë e bën me Zotin – thotë pa shaka Dmitrij Trenin i Carnegie Moscow center – mjafton të shihen fotografitë e Krishtlindjeve, në kishën e tij, duke biseduar me të Plotfuqishmin. Putini e sheh veten si një mbret bashkëkohor”.
Por më parë se të formulohen lëvizjet e mundëshme t’ardhme, ka një pasojë që i shtohet dyfjalëshit passionarnost-russkij mir, po aq vendimtare që duhet mbajtur parasysh. I a ka shpjeguar mirë Viviana Mazzas ish ambasadori amerikan në Moskë, Michael McFaul: “Frika m’e madhe e Putinit është një Evropë demokratike dh e lulëzuar që do të përfshinte Ukrainën, sepse zbërthen tezën me të cilën ai kërkon të ligjërojë regjimin e tij autokratik përpara popullit rus. Nëse janë sllavë e nuk bëhet fjalë për të tjerë, si mund të mëtojë që Rusia ka nevojë për një Car e për një Shtet të fortë si pasojë e kulturës së saj e pastaj të ketë pranë një Vënd që bashkëndan Historinë e saj, por që është një demokraci funksionuese?”.
Të hamendësohet se çfarë do të bëjë Putini, tashmë që maska e hipokrizisë i ka rënë dhe që ushtarët e tij “mbrojnë” boots on the ground Luganskin dhe Donjeckin, mbetet një kumar. Mund të kënaqej me këtë bashkëngjitje të vogël dhe me atë puthadoren në veprim në Bjellorusi, ku nuk ka asnjë njet për të kthyer trupat në shtëpi mbas ushtrimeve. E t’a paraqiste si suksesin më të madh gjeopolitik të 30 viteve të fundit. Ose të marrë kohë, siç ka bërë shpesh, e të vazhdojë të verë në provë caqet e durimit perëndimor, duke mbajtur gjithmonë në gji Ukrainën, shënjestrën e madhe, xhevahirin e munguar të bashkimit përfundimtar të russkij mir. Në të dy rastet është një rravgim që Vëndet Perëndimore nuk mund t’i a lejojnë më. Edhe sepse ajo që Putini nuk po e merr vesh aspak është se ai lëviz me logjikën e tetëqindit, e përbërë nga kombëtarizmi dhe lumejtë e gjakut: “Përdor metoda të të XIX shekull në shekullin e XXI” tha njëherë Anxhela Merkel, me gjasë udhëheqësja që po i mungon Evropës në këtë krizë. Sintoma e sonambulëve që shkojnë pa ditur drejt Luftës së Madhe, është një rrezik i gjallë e i pranishëm.
“Corriere della Sera”, 23 shkurt 2022 Përktheu Eugjen Merlika