• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vendimarrje kritike të ShBA për sovranitetin e Ukrainës & paqen në Ballkan

February 4, 2022 by s p

Gjeneral Piro AHMETAJ


Në vijim gjeni përmbledhje të vlerësimeve dhe qëndrimeve strategjike të RSh ndaj tre vendimarrjeve të mëdha të USA & OKB mbi “llogoret e frontit të luftës Rusi – Ukrainë” si dhe përkushtimin e NATO-s për paqen në Kosovë dhe Ballkanin perëndimor. Së pari, përtej konfirmimit zyrtar për trupa shtesë (3000 në Poloni dhe Rumani, 8.500 të Reagim të Menjëhershëm si dhe prezencë të Forcave Speciale në RSh) në përgjigje ndaj kërcënimeve të Moskës zyrtare, këto vendimarrje të SHBA-së i çmoj si “mbështetje me vepra” ndaj Ukrainës si dhe mesazhe të forta mbi vendosmërinë e ShBA në mbrojtje të interesave gjeopolitike dhe kredibilitetit të Aleancës Transatlantike (NATO & SHBA)!. Së dyti, refuzimi nga vendet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, përfshi me votën historike të Republikës së Shqipërisë, i rezolutës së Rusisë mbi preçedentët e kërcënimit të integritetit teritorial ndaj një vendi sovran, ose të “pushtimit të Ukrainës” ! Së treti, riKonfirmojnë rolin kritik dhe vendosmërinë e ShBA-ve, NATO-s por dhe peshën e RSh për ndërtimin e mirëbesimit reciprok, paqes së qëndrueshme, stabilitetin demokratik, axhendën e integrimit në NATO/BE të Kosovës si dhe vendeve të ballkanit perëndimor. Në shtesë, për sa letër-kërkesën e Moskës drejtuar Tiranës zyrtare, e gjej si: “një shaka pa kripë gjeo-diplomatike”, ndërsa seriozisht e çmoj si një “testim të gabuar” ndaj një vendi që partneritetin strategjik me SHBA dhe NATO, e ka të konfirmuar në dokumentat themelore të RSh: “të një rëndësie me peshe jetike për Sigurinë dhe interesat Kombëtare” !Së fundmi, sigurisht është një histori krenarie për mbarë Shqiptarët, por edhe përgjegjësi shtesë e RSh, për tu obliguar dhe kontribuar edhe më shumë, jo vetëm “me votën” në tavolinat e vendimarrjeve të medha (Këshillin e Sigurimit OKB dhe NATO-s) por edhe me kapacitete për mbrojtjen e paqes, stabilitetit dhe interesave gjeopolitike të ShBA-ve si dhe Aleancës së Atlantikut të Veriut në Evropën Jug-Lindore, Mesdhe dhe më gjerë. Zoti e bekoftë partneritetin strategjik të RSh me USA dhe Aleancën Transatlantike (NATO) !

Filed Under: Analiza

𝐔𝐑𝐀𝐍 𝐊𝐎𝐒𝐓𝐑𝐄𝐂𝐈 – 𝐉𝐄𝐓𝐀, 𝐃𝐈𝐒𝐈𝐃𝐄𝐍𝐂𝐀, 𝐕𝐄𝐏𝐑𝐀

January 31, 2022 by s p

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit


📍Elbasan, 28 janar 2022 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Bashkia Elbasan dhe Këshilli Bashkiak, Arkivi Digjital Elbasan dhe Biblioteka Kombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me miq e dashamirës të tij, organizuan aktivitetin “𝐔𝐫𝐚𝐧 𝐊𝐨𝐬𝐭𝐫𝐞𝐜𝐢 – 𝐣𝐞𝐭𝐚, 𝐝𝐢𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐜𝐚, 𝐯𝐞𝐩𝐫𝐚”, në mjediset e Teatrit “Skampa.Aktiviteti kishte për qëllim të sillte në vëmendje Uran Kostrecin, të prezantuar përmes dosjes së përndjekjes, aktivitetit politik, mendimit dhe fjalës së lirë, krijimtarisë letrare, kontributit si mësues dhe themelues i revistës “Liria”, po ashtu, ekspozimin e librave, shkrimeve, gazetave dhe dëshmisë së dhënë për projektin Edhe Muret kanë Veshë (EMKV). Takimi i parë për Kostrecin u zhvillua në Elbasan, pasi Uran Kostreci ka studiuar e jetuar në këtë qytet, për të cilin ka dhënë kontribut të veçantë. Kostreci studioi në Shkollën Normale, të cilën e përfundoi më 1957. Në vitin 1961 ishte mësues i gjuhës shqipe në fshatin Mollas, përvojë që iu rikthye në vitin 1993, si mësues i gjuhës italiane në shkollën e mesme të Elbasanit.Pas dënimeve politike me burg dhe internim, në dhjetor të vitit 1991, Kostreci themeloi 📰gazetën antikomuniste “Liria”, organ i ish – të përndjekurve politikë të të gjithë Shqipërisë dhe ishte kryeredaktor i parë i saj, si dhe dy herë kryetar i partisë së parë opozitare në Elbasan.Përkujtimi i tij, nga institucione qendrore e vendore, miq, dashamirës e familjarë, disa muaj pasi u largua nga jeta, solli në vëmendje kontributet në vlera të qenësishme në shoqëri të personaliteteve të qëndrueshme, si Kostreci, të cilat punuan për dokumentimin e krimeve të së shkuarës komuniste në vend. 📚📂Një ekspozitë me dosjet e Uran Kostrecit dhe botime të tij, mes të cilave shkrimet në gazetën “Liria”, mirëpriti të ftuarit në takim. ▪️ Paneli i moderuar nga Neritan Sejamini, u konceptua me përfaqësues të institucioneve, organizatave, studiues e gazetarë, që në faza të ndryshme të jetës dhe punës, e kanë njohur dhe kanë bashkëvepruar me Uran Kostrecin.▪️ Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, foli për rëndësinë e trajtimit të personaliteteve mbresëlënëse si Kostreci, dhe punën e madhe që kanë institucionet për ndriçimin e rolit të tyre në diktaturë e në demokraci. ▪️ Kryetari i Këshillit Bashkiak Elbasan, Hektor Çiftja, theksoi vlerën e takimeve të tilla dhe mori angazhim për trajtimin tërësor të figurës së Kostrecit, nga pushteti vendor Elbasan.▪️ Akademik Beqir Meta bëri një paraqitje të Kostrecit në atdhe dhe SHBA, duke folur për rolin e rëndësishëm që ai luajti për dokumentimin e së shkuarës komuniste dhe përçimin e vlerave të humanizmit te të rinjtë. ▪️ Z. Selami Zalli i AIDSSH foli mbi dosjen e Uran Kostrecit, të dhënat e mendimit dhe fjalës së lirë në materialet që Sigurimi ruante për të dhe për zbardhjen e saj.▪️ Studiuesi Agim Baçi solli përmasën e Kostrecit si shkrimtar i soneteve, me vlerat e patjetërsueshme të të shkruarit, ironisë së thellë dhe reflektimit.▪️ Familjarë e dashamirës, Hasan Kostreci dhe Jozef Radi, ishin të pranishëm në takim me kontributet e tyre me video të dedikuara, duke sjellë aspekte të tjera të jetës së Kostrecit.▪️ Ardita Repishti lexoi përshëndetjen e ardhur nga Federata Panshqiptare “Vatra” në SHBA, z. Dalip Greca, për njeriun e mirë Uran Kostreci. ▪️ Brunilda Çërraga, veç kujtimeve me Uranin, solli përshëndetjen e Flutura Açkës, e përgatitur posaçërisht për takimin përkujtimor.▪️ Z. Nebil Çika, mik i Uranit, e vuri theksin në rolin e tij në bërjen e drejtësisë sa i takon regjimit komunist në Shqipëri, në pozicionin e pakompromis të Uran Kostrecit dhe vlerat si i mbijetuar i dinjitetshëm.Të rinj të gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” e mbyllën takimin duke interpretuar sonete të Kostrecit. Miq e personalitete që e njohën dhe punuan me Uranin gjatë jetës, deputetë të Elbasanit, Arkivi Digjital Elbasan, përfaqësues të shoqatave e grupeve të interesit, morën pjesë aktive në këtë takim, në prag të ditëlindjes së Uran Kostrecit.Kostreci është një ndër figurat e rëndësishme të demokracisë dhe përballjes së saj me diktaturën dhe takimi për të hap siparin e aktiviteteve të Dialogut të Elbasanit, të cilat do të zhvillohen në këtë qark gjatë vitit 2022. ✅Veç dosjeve, edhe dëshmia e Uran Kostrecit për platformën Edhe Muret Kanë Veshë ruhet në Autoritet dhe mund të lexohet në shqip dhe anglisht, në linkun: 👇https://evenwallshaveears.org/story/uran-kostreci-3/

Filed Under: Analiza

RAOUL FOLLEREAU (1903 – 1997)

January 31, 2022 by s p

Don Lush GJERGJI

(Dita e 69 – të kushtuar gërbulës në botë, 30 janar)

         “Atëherë iu paraqit një i gërbulur, ra në gjunjë dhe iu lut:“Nëse do, mund të më pastrosh!” Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha: “Dua! Qofsh pastruar!”

                                                                                        (Mk, 1, 40-42)                                  

         “E vërteta e vetme është ajo në dashuri dhe krijimin e botës së re; vetëm duke dashur mund të zbulojmë fytyrën e vërtetë të Hyjit… Askush nuk ka të drejtë të jetë i lumtur në vetmi, por të gjithë së bashku”.                                                                        Raoul Follereau                                     

           Raoul Follereau u lind në Nevers (Francë)  në vitin 1903 në një familje me gjendje të mirë  të klasës së mesme shoqërore. Si djalë i ri mrekullohej bukurive natyrore, deshi lojën, këndimin. Kishte prirje të natyrshme për poezi, disa herë dinte të shkruante edhe pjesë teatrale dhe në këtë ishte mjaft i suksesshëm. Dukej se teatri do t’i jetë pasioni i tij i madh dhe veprimtaria e tij krijuese jetësore. Për të pasur mundësi që të shkruante pjesë teatrale, udhëtoi shumë nëpër pjesë të botës, sepse kështu kishte mundësi të njihte dhe të kishte përvojë nga të tjerët, nga paraqitjet e mëdha teatrale.

           Në njërin nga udhëtimet  e tij studimore shkaku i motiveve profesionale, por edhe për t’i njohur dhe shijuar bukuritë natyrore, përjetoi një „teatër të gjallë“ tronditës. Ishte në Nigjeri, së bashku me bashkëshorten e tij, Madeleine. Atëherë ishte 25 vjeçar. Shkaku i prishjes mekanike në automjet, u deshtë të ndalët në mes të një fushe. Sa qelë e mbyll sytë, rreth tij u grumbullua një mori njerëzish, burra e gra. Ishin të deformuar nga gërbula, të përjashtuar dhe përzënë nga mjediset e tyre. Jetonin tërësisht të vetmuar. Dukeshin sikur hijet e ferrit. Realitetin çfarë nuk kishte njohur askurrë më parë, edhe më pak kishte parë! Ishin shndërruar në krijesa pa pamje dhe formë njerëzore. Dhe prapë dëshironin t’i ndihmojnë në këtë fatkeqësi të makinës. Çudi, vallë jo?

          I prekur dhe tronditur thellë me këtë “pjesë teatrale” të vuajtjes, Follereau vendosi t’ju ndihmojë. Së shpejti filloi të studionte sëmundjen e gërbulës, si dhe mundësinë e  shërimit. Pas një kohe të caktuar të studimeve dhe mendimeve, erdhi deri te ky përfundim: gërbula është sëmundje e shkaktuar  nga rrethanat e mjera të jetës, mosushqimit, papastërtisë.

           Raoul Follereau kuptoi se e vërteta e vetme e cila mund të shpëtojë njeriun është dashuria. Për këtë, zgjodhi të donte personat të cilat janë të përjashtuara nga të gjithë, apo siç thoshte edhe  ai vetë: „vëllezërit e motrat të sëmurë nga gërbula“!

           Rreth 15 milion njerëz janë të sëmurë nga gërbula. Numër trishtues , por edhe më tepër se të shikosh numrin, duhet menduar mbi atë se këta janë vëllezër dhe motra tona! Pikërisht këtyre vëllezërve dhe motrave Foollereau dhe bashkëshortja e tij iu kushtuan tërë jetën – 50 vjet – dhe tërë qenien e tyre.

         Ja dëshmia e tij: “Hyji është atë i të gjithëve, edhe i të sëmurëve nga gërbula. Nëse mund të dëgjoni dhe pranoni me ndërgjegje të qetë faktin se 15 milionë njerëz vuajnë nga gërbula, të infektuar janë për shkak të mosushqimit të duhur, papastërtisë, mjerimit, pra, janë të shërueshëm, si dhe faktin tjetër që  12 milionë ende janë pa përkujdesje, terapi adekuate, atëherë ju jeni të sëmurët e vërtetë nga gërbula…“

         VETËM DASHURIA DO TA SHPËTOJË NJERËZIMIN

         “Vetëm dashuria do të mund ta shpëtojë njeriun e sotëm dhe njerëzimin, por me një kusht të rëndësishëm, të lirohemi nga mentaliteti  harxhues ose konsumues, ‚sëmundjes’ parà, kësaj të mallkuare. Mbahu larg atyre të cilët dijnë të shpjegojnë të gjithat, gjithçka dëshirojnë të kryejnë vetëm për para dhe në shenjë të parave; pa këtë mjerim nuk është e mundur të bëjmë asgjë, gjithçka do të shkatërrohet. Ajo që ngashënjen dhe prishë njeriun është paraja, e cila askurrë nuk lumturon. Jini të lumtur duke i bërë të tjerët të lumtur, bashkëpjesmarrës të fatit juaj.“

         Jeta dhe vepra e Raoul Follereau ishin të themeluara në dashuri,  në fe, në dëshirë dhe vendim të dhënies së vetvetes për çdo ditë gjithkund e për të gjithë, për të tjerët dhe me të tjerët, për njerëzit të pafat. Për këtë filloi të shkruaj, të flas, të vizitonte botën, duke sensibilizuar opinionin publik për gërbulën dhe të gërbulurit. Arriti themelimin e Ditës Botërore të Gërbulës në 125 shtete të botës, duke vënë në qendër të vëmendjes dashurinë e cila mund të shpëtojë edhe të gërbulurit dhe të gjithë ne.

         “Ose do të mësohen njerëzit të duhen mes veti dhe të jeton njeriu për njeriun, ose do të përjetojmë shkatërrimin total. Kjo vlen për të gjithë. Bota e jonë nuk ka tjetër zgjidhje përveç kësaj: të duhemi mes veti ose të zhdukemi!… Duhet përzgjedhur. Menjëherë. Përgjithmonë!”

         Ai besoi në jetë, në dashuri, besoi në ngadhënjimin e të mirës ndaj të keqes, dëshiroi të  jetë profet dhe protagonist i jetës, fesë, të ardhmes të cilën e dëshirojmë, duhet, mund ta ndërtojmë së bashku, me ndihmën e Zotit dhe pjesëmarrjen vëllazërore.

         Ja çfarë propozoi: “Besoj se bota e sotme është e lodhur dhe dëshpëruar, rinia është larg Zotit, kërkon për çdo ditë arsyen, idealin, shpresën për jetë, sepse të jetosh pa shpresë, do të thotë të mos jetosh, do të thotë të vdesësh para vdekjes… Para përfundimit të dymijëvjeçarit do të lulëzoj pranvera. Besoj me tërë zemrën time… Do të vdes duke mendua se pas meje do të vijë agimi i madh, i artë dhe vëllazërorë… Nëse arrijmë të kontrollojmë menaxhimin e parave, parave të cilat shkatërrojnë botën… Për të pasur mundësinë e shpëtimit të kësaj bote, na nevojitet që përsëri ta zbulojmë krishterimin. Jemi shumë larg nga krishterimi: njerëzit e fesë së gjallë, me vullnet të mirë ia kanë dhënë fytyrën e vërtetë  krishterimit.“

         Duke lexuar këto fjalë të mëdha dhe porosi aktuale, jemi në tundim për t’u mrekulluar, të përkufizohemi në fjalët: është i mirë, i mrekullueshëm, është gjeniale, mirëpo çka ai mendonte dhe propozonte megjithatë është e pamundur, utopi e zbrazët!

         Raul Folleruau gjatë tërë jetë së tij luftoi kundër armatimit, kundër pasurimit të pakontrolluar dhe egoist  që robëron njerëzit, luftoi kundër indiferencës, kundër individualizmit dhe egoizmit të tepruar, kundër mentalitetit harxhues të pakontolluar të kohës sonë. Nuk kishte pasardhës-fëmijë në martesë me Madaleine, mirëpo të gërbulurit e panumërt ishin dhe janë bijtë e tyre shpirtërorë, sepse përmes tij njohën mirësinë, dashurinë, kujdesin, gëzimin e jetës, mundësinë e shërimit si dhe kyqjen në shoqërinë njerëzore.

         Duke menduar mbi këtë jetë, ai me një rast tha: “Çka kisha pas për të thënë mbi këtë jetë? Pata mundësi t’i dua të gërbulurit, dhe i desha, dëshirova t’iu bëjë me dije pikërisht këtë: unë i dua, Zoti i do, po nëse dëshironi edhe ju mund t’i duani… Kur e puthsha unë ndonjë të gërbulur, këtë e bënte njësoj  edhe bashkëshortja ime… Sot  të gërbulurit tanë janë të shpërndarë anë e mbanë botës… Pa bashkëshortet time askurrë nuk kisha mund të bëja atë që bëra, nuk do të isha ky që jam.”

          Raul Folleruau kishte besim të madh tek rinia. U thoshte: “Neve të cilët jemi dëshmitarë, shpeshherë të lodhur nga të këqijat e shekullit tonë…, neve të cilët jemi të frikësuar nga garimi për armatosje, nga vdekja…, neve, të cilëve na copëton zemrën klithma, vaji, ofshama: jam i uritur!- e cila del pa ndërpre nga dy të tretat e banorëve të këtij planeti, na mbetët vetëm një strehim i madh dhe madhërueshëm: të jemi sinqerisht vëllezër… Nëse nuk  jemi të dobishëm askujt, nëse jeta e jonë nuk i shërben askujt, atëherë ky do të jetë dështim i plotë…”

         Gjeniu i dashurisë, siç u quajta unë Follereauan, kishte zemër të madhe për të dashur, të përqafuar dhe shëruar të gërbulurit. Kishte duar të shkruante dhe ledhatonte, këmbë për të ec, apo më mirë të themi,  për të shtegtuar rrugëve të mjerimit dhe dhimbjes, sy për të parë në thellësinë e qenësisë njerëzore – të gërbulurve – fytyrën e vëllait dhe motrës, edhe më tepër, të Hyjit. Kishte gojë për të folur, për të zgjuar edhe të tjerët nga ngashënjimi i indifiterizmit, konsumizmit dhe materializmit. Ai, vërtet ishte zëri që paralajmëronte, të qortonte dhe bërtiste në të gjithë pjesët e botës: “Bota do të shpëtoj vetëm nëse di dhe zbaton artin e dashurisë!“

         Follereau kishte guxim të rreshtohet në anën e të gërbulurve për t’i mbrojtur, shëruar, t’i donte dhe trajtonte sikur vëllezër dhe motra. Në këtë stil të jetës, gjeti vetveten, gjeti Dashurinë – Zotin, për të pamundshmen nëpërmjet dashurisë, flijimit dhe dhurimit deri në vdekje.

         Para vdekjes thoshte: “Unë nuk do ta pres fundin e mijëvjeçarit të dytë me këtë shëndet çfarë kam. Nuk ka rëndësi. U them të gjithëve: pasurohuni duke i lumturuar të tjerët, pasurinë të cilën iu lë juve është e mira të cilën e bëra, çka dëshiroj të bëj, por edhe çka do të bëni ju pas meje. Për këtë le t’ju ndihmojë dëshmia  ime. Kjo është dëshira ime e fundit, porosia ime. Fatkeqësia më e madhe e cila kishte mund t’ju ndodhte do të ishte kjo: të mos  jeni askujt në dobi e të mos i shërbeni askujt.”

         Ja, edhe një këngë – lutje e Follereau-t:

         O, Zot, ja të gërbulurit tu,

         pa duar dhe me fytyra të mbufatura,

         të dëbuar, të braktisur, të papastër,

         të cilët bartin si kryqin tënd

         gjithë mjerimin e botës.

         O, Zot, ia të gërbulurit e vërtetë,

          egoistët, të patenzotët,

         ata të cilët jetojnë në këneta, 

        dembelët, frikacakët, 

       ata të cilët shkatërrojnë jetën e tyre.

        O, Zot, ata  janë të gërbulurit e vërtetë,

        ata të cilët të kryqëzuan.

         Follereau nuk u ndal vetëm në konstatimet e fakteve të thjeshta. Mirëpo, guximshëm filloi luftën kundër aq shumë padrejtësive dhe të këqijave të kohës sonë. Thoshte: “Lufta këndë gërbulës nuk është asgjë tjetër përpos një kapitull i luftës së madhe të cilën duhet të ndërmarrim të gjithë kundër atyre  të gërbulurve të cilët janë më infektuese se vet gërbula: mjerimi, uria, fanatizmi, punët e turpshme, dhuna, lufta.”

         Të rinjve iu tha: “Gjenerate e jonë mblodhi armatim, ata të rriturit, ai Nixonovi, Pompidouvi, Brezhnjeviku, zgjodhi armët. Duhet që gjenerata e re, gjenerata e juaja të kthehet sa më parë nga kjo rrugë e gabuar … Në ju është tani ju të luftoni e përzgjedhin, për rininë botërore. Mos u ndalni, mos pranoni kompromise… Mbi të gjitha besoni në të mirën e njeriut. Sepse në zemrën e çdo njeriu ekziston thesari i madh i dashurisë.”

         Përmes Nënë sonë Tereza dhe shumë të tjerëve, vazhdoi kujdesi dhe dashuria e mrekullueshme edhe për të gjithë të gërbulurit e botës. Për fund një pyetje e Raul Follereaut:

         “Nëse Krishti nesër do të trokas në dyert e juaja,

           a do ta njihni?

           Do të jetë sikur dikur, njeri skamnor…

           Padyshim, do të jetë punëtor….

           Ndoshta do të jetë refugjat…

           Do të jetë i gërbulur…”

                                                                                Don Lush GJERGJI

(Don Lush Gjergji, Dashuria që nuk vdes, të mëdhenjtë e shekullit XX, DRITA, 2013, f. 123 – 129)

Filed Under: Analiza

Për një unifikim të emërtimeve të institucioneve, enteve, profesionesh

January 29, 2022 by s p

Bledi Filipi

Jemi një komb dhe kemi një gjuhë që na bashkon dhe na bën një sado që na copëtuan padrejtësisht në gjashtë pjesë. Por kur themi që jemi një komb dhe kemi një gjuhë duhet të shkojmë edhe drejt unifikimit të shumë emërtimeve të institucioneve, entesh a profesionesh etj.

Le të ndalemi te disa:

Në Shqipëri kemi emërtimin bashki, në Kosovë Komunë;

BASHKI-A organi kryesor shtetëror i administratës  vendore në qytete; ndërtesa e këtij organi; pjesë e administrimit shtetëror vendor.( FGjSh, 2006,2020)

KOMUN/Ë,-A njësi administrative vendore , që përfshin një fshat të madh ose disa fshatra; organi  drejtues i kësaj njësie dhe zyra e ndërtesa. (FGjSh, 2006,2020)

Ky emërtim duhet parë edhe në Fjalorin e Madh, pasi ky term në Shqipëri me ndarjet e reja administrative nuk ekziston.

Në Shqipëri  kemi  DHOMA E TREGTISË, në Kosovë ODA E TREGTISË; gjendet te FGjSh 2006,2020 fjala odë, por në normë është dhomë. 

Në Shqipëri kemi zëvendësrektor, zëvendësdekan  , në Kosovë PROREKTOR, PRODEKAN;  përdorur zëvendës.

Në Shqipëri kemi SHKOLLA 9-VJEÇARE, në Kosovë SHKOLLA FILLORE , këtu duhet saktësuar pasi në Shqipëri kemi arsimin 9-vjeçar që përfshin arsimin fillor klasa 1-5 dhe të mesëm të ulët klasa 6-9.

Në Shqipëri ne themi regjistër klase aty mësuesi hedh temat ditore, prezencën e nxënësit, notat , gjeneralitetet etj. Ndërsa në Kosovë i thonë  ditari, ditar në Shqipëri nënkupton planin ditor të përgatitur nga mësuesi për zhvillimin e lëndës.

REGJIST-ËR,-RI fletore e madhe ku shënohen emra , shifra, fakte etj., që të ruhen e të përdoren për qëllime të ndryshme; regjistri i klasës; regjistri i magazinës, regjistri themeltar i shtetasve etj. (FGjSh 2006)

DITAR,I /Ë (T) shënime të përditshme të kohëpaskohëshme për ngjarje ose vëzhgime të ditës; plani ditor i punës së dikujt; fletorja a blloku ku mbahen këto  shënime: ditari i anijes, ditari i shkollës (i mësuesit ) etj.. 

Ngatërrim të madh sjell edhe titulli profesor. Në Kosovë, profesor është emërtimi i profesionit të mësuesisë kurse në Shqipëri, profesor është titull akademik.

Kjo ndoshta ka ardhur për arsyen se  kështu është e sqaruar në fjalorët e 1954,1980,1984,2002,20006 , 2020 pra fjalorët e saktësojnë në një farë mënyre se kush është profesor, por sërish mbajnë nuk kanë arritur të bëjnë shkëputjen e duhur. 

Deri vonë , madje edhe tani edhe në shkollat tona është trashëguar forma e të thirrurit në shkolla me profesor, por kjo për arsimin parauniversitar është një  fjalë që i përket një të shkuare të largët kur nuk ishin formësuar ende institucionet.

Në Fjalorët  që përmendëm më sipër gjejmë këto shpjegime:

PROFESOR,-I m.sh. –Ë (T)

:1.profesor  është titull që i jepet punonjësve të institucioneve të larta arsimore e kërkimore shkencore, punonjësve  të prodhimit e të institucioneve të ndryshme, që kanë përvojë të pasur dhe kryejnë ose drejtojnë  në një nivel të lartë punën mësimore shkencore, që udhëheqin kualifikimin shkencor të punonjësve të tjerë  dhe kanë botuar vepra shkencore origjinale me cilësi të lartë; ai që mban këtë titull.

2. Mësues në  një shkollë të lartë a të mesme; mësues .

fem. PROFESORESH/Ë,-A (T)

Universitetet në Shqipëri e saktësojnë, japin titullin mësues për shkollat 9-vjeçare a të mesme dhe në shkresat e emërimeve në punë zbatohet ky emërtim  (veçse në leksikun e përditshëm në shkolla nga nxënësit thërriten profesor a profesore) ndërsa në Kosovë ndodh e kundërta.

Po ç’thotë legjistlacioni shqiptar për dhënien e titullit profesor?

Po të mbështetemi në LIGJIN Nr.9741, datë 21.5.2007 “PËR ARSIMIN E LARTË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË I NDRYSHUAR ME LIGJET Nr. 9832, datë 12.11.2007, Nr. 10 307, datë 22.7.2010 dhe Nr. 10 493, datë 15.12.2011 , vërejmë si më poshtë vijon:

Titulli profesor, në Shqipëri është titull akademik. Nuk mund të jesh profesor pa mbrojtur gradën shkencore  doktor i shkencave , pa fituar titullin profesor i asociuar, (jo më pak se pesë vjet që se je bërë doktor i shkencave) dhe pesë vjet  pasi je bërë profesor i asociuar , atëherë ke të drejtën të fitosh titullin profesor.

Që të jesh profesor në Shqipëri, duhet të kesh botuar një apo më shumë monografi shkencore, të kesh botuar mbi pesëmbëdhjetë artikuj, nga këta tetë jashtë vendit me ISBN,  dhe faktor impakti, të  kesh dhënë mësim tetë vjet pa ndërprerje në  universitet dhe të jesh titullar lënde (të kesh bërë vet ligjëratat dhe seancat e seminareve apo ushtrimeve), të kesh dhënë dy vjet mësim në universitete jashtë vendit , të zotërosh të paktën dy gjuhë të huaja, dhe të kesh drejtuar më shumë se dy projekte shkencore.

Si përfundim, profesor është titull që fitohet me punë dhe kërkime shkencore pasi ke mbrojtur gradën doktor, ndaj puna duhet të nisë nga Fjalori i Madh që të saktësohet qartë kush është profesor dhe kush është mësues.

 Fjala profesor nuk duhet të përdoret në arsimin parauniversitar, pasi kjo u takon atyre që e kanë fituar këtë titull.

Si përfundim dua të theksoj se gjuha është pika e bashkimit në një, ndaj  detyrë parësore u del hartuesve të fjalorit që të saktësojnë këto fjalë, e më pas është detyrë e organeve të shtetit të Kosovës që të bëjnë unifikimin e emërtimeve të institucioneve, enteve, profesionesh etj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Bledi Filipi

PUSHTIMI RUS I UKRAINËS- NJË HAP DREJT NJË LUFTE TË III-TË BOTËRORE

January 27, 2022 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Në 1917, Presidenti i Woodrow Wilson fliste “për një botë më të sigurt, për demokracinë” në vitin 2022 Putin dhe Xi janë të vendosur për të ndërtuar një botë më të mirë për autokracinë. 

Aleanca perëndimore ka kërcënuar Kremlinin me sanksione “masive” dhe “të paprecedente” nëse Rusia sulmon Ukrainën. Por, ndërsa kriza ukrainase arrin në pikën e vlimit, përpjekjet e perëndimit për të izoluar dhe ndëshkuar Rusinë duket se do të komprometohen nga mbështetja që Kina ka për fqinjin e saj.

“Ajo që Rusia dëshiron të bëjë është të përdorë ushtrinë e saj për të luajtur politikat e superfuqisë dhe për të shtypur shtetet e pavarura … dhe për t’i bërë ato shtete satelitore,” thotë gjenerali Wesley Clark, ish-komandant suprem i NATO-s, sipas USA Today. 

Clark shpjegoi pse situata është e rëndësishme për amerikanët dhe mënyrat se si administrata e Biden dhe aleatët e NATO-s mund të pengojnë agresionin rus. Ai tha se Rusia dëshiron të vendosë dominim mbi rajonet që dikur kishte gjatë Bashkimit Sovjetik. “Ajo që Rusia dëshiron të bëjë është të përdorë ushtrinë e saj për të luajtur politika të pushtetit dhe për të shtypur shtetet e pavarura, për t’i marrë ato dhe për t’i bërë ato shtete vasale, për t’i bërë ato shtete satelitore.”

Biden: Sanksione personale ndaj Putinit 

Presidenti i SHBA Joe Biden thotë se do të konsideronte sanksione personale ndaj Vladimir Putin nëse Rusia pushton Ukrainën. Ai tha se do të kishte “pasoja të mëdha” për botën nëse Rusia bën një lëvizje ndaj kombit, i cili ndodhet në kufirin e saj jugperëndimor.  Komentet e tij erdhën pasi udhëheqës të tjerë perëndimorë përsëritën paralajmërimet se Rusia do të paguante një çmim të rëndë për pushtimin. Por a mjaftojnë ato?

Rusia ka akuzuar SHBA-në dhe të tjerët për “përshkallëzimin e tensioneve” lidhur me këtë çështje dhe mohon se planifikon të hyjë në Ukrainë. Megjithatë, Moska ka ngritur trupa në kufi, me rreth 100,000 ushtarë rusë të dislokuar në rajon.

Duke marrë pyetje nga gazetarët, Biden u përgjigj “po” kur u pyet nëse ai mund ta shihte veten duke vendosur sanksione ndaj presidentit rus personalisht në rast të një pushtimi. Ai tha se një lëvizje e tillë përtej kufirit të Ukrainës do të nënkuptonte “pasoja të mëdha në mbarë botën” dhe mund të përbënte “pushtimin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore”. 

Zoti Biden shtoi se ai do të ndihej i detyruar të rriste praninë e NATO-s në Evropën Lindore. “Duhet ta bëjmë të qartë se nuk ka asnjë arsye që askush, asnjë anëtar i NATO-s, të shqetësohet nëse… NATO do t’i dalë në mbrojtje,” tha ai. Megjithatë ai përsëriti se nuk kishte plane për të dërguar trupa amerikane në vetë Ukrainë.

Aleanca e re ruso- kineze

Kur Vladimir Putin do të udhëtojë në Pekin për të qenë i pranishëm në nisjen e Lojërave Olimpike Dimërore në 4 shkurt, presidenti rus do të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping që është aleati i tij më i rëndësishëm. Në një telefonatë mes të dyve në dhjetor, lideri kinez mbështeti kërkesat e Rusisë që Ukraina të mos i bashkohej kurrë NATO-s. 

Një dekadë më parë, një marrëdhënie e tillë dukej e pamundur: Kina dhe Rusia ishin rivale po aq sa partnere. Por pas një kohe ku këto dy vende janë përplasur me SHBA në mënyrë të vazhdueshme, mbështetja e Xi për Putin reflekton një rritje të qasjes identike dhe jo vetëm mes Moskës dhe Pekinit. Sipas mediave kineze, Xi i është shprehur Putin se “fuqi të tilla ndërkombëtare po ndërhyjnë në mënyrë arbitrare në çështjen e brendshme të Kinës dhe Rusisë nën pretekstin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Sikundër vë në dukje dhe Xi, por edhe siç Putin e ka bërë të qartë, liderët e Kinës dhe Rusisë janë të bashkuar në besimin se SHBA po komploton për të minuar dhe për të rrëzuar qeveritë e tyre. Në ditët e arta të komunizmit, Rusia dhe Kina mbështetën forcat revolucionare rreth e qark botës. Por sot, Moska dhe Pekini po mbështesin retorikën kundër-revolucionare. Kur turbullirat nisën në Kazakistan ditët e fundit, Putini akuzoi SHBA se po përpiqej të sponsorizonte “revolucionin me ngjyrë” – një term që ai e ka përdorur për protestat masive që duan ndryshimin e regjimit – në një vend që është kufi me Rusinë dhe Kinën. Një ministër kinez u bëri jehonë këtyre vërejtjeve të Putin.

Sipas këndvështrimit të Kinës dhe Rusisë, ngjarjet në Kazakistan përputheshin me një modul të parë. Kremlini ka kohë që argumenton se ishte SHBA pas dorës që krijoi ngjarjet në Mejda në vitet 2013-2014 në të cilën një lider pro rus u rrëzua. Kina gjithashtu këmbëngul që forcat e huaja – pas të cilës nënkuptohet SHBA – ishin pas protestave të mëdha në Hong Kong në vitin 2019 dhje që u shtypën me dhunë nga Pekini.

Si Putin edhe Xi e kanë bërë të qartë se ato besojnë se qëllimi fundor i SHBA është rrëzimi i qeverive të Rusisë dhe Kinës dhe se forcat pro demokratike në endet e tyre janë kali i Trojës së SHBA.

Në 1917, Presidenti i Woodrow Wilson fliste “për një botë më të sigurt, për demokracinë” në vitin 2022 Putin dhe Xi janë të vendosur për të ndërtuar një botë më të mirë për autokracinë.

Ambiciet e Rusisë dhe Kinës, gjithsesi, janë shumë larg të qenit vetëmbrojtëse. Si Putin dhe Xi besojnë se janë vulnerabël ndaj “revolucionit kolorit” dhe vijnë si pasojë e problemeve të vazhdueshme që ka rendi aktual global – kombinimi i institucioneve, ideve dhe strukturës së pushtetit përcakton se si politika globale luhet. Për rrjedhojë ata ndajnë të njëjtën vendosmëri për të krijuar një rend të ri global që do t’i akomodojë ato më lehtë dhe interesat e Rusisë dhe Kinës më lehtë sipas prerjes së liderëve të tyre aktualë.

“Unipolariteti” dhe “universaliteti” amerikan

Dy mjete të rendit aktual global që Rusia dhe Kina kundërshtojnë janë “unipolariteti” dhe “universaliteti”. Për ta thënë më thjeshtë, ata besojnë se marrëveshjet aktuale i japin Amerikës shumë pushtet dhe se ata janë të vendosur për t’i ndryshuar këto marrëveshje.

“Unipolirateti” lidhet me fuqinë që pas rënies së Bashkimit Sovjetik, e la botën nën sundimin e një superfuqie globale që ishte SHBA. Fyodor Lukyanov, një mendimtar i politikës së jashtme shumë i afërt me presidentin Putin, beson se unipolariteti “i ka dhënë SHBA mundësinë që të veprojë sipas interesit të saj personal në çështjet globale”. Ai argumenton se epoka e hegjemonisë amerikane u pa që me luftën e Gjirit në 1991 në të cilën SHBA u bë aleate në koalicion me vendet e tjera për të larguar Sadamin dhe Irakun nga Kuvajti.

Lufta në Gjirin Persik u pasua nga ndërhyrje të tjera nga SHBA dhe aleatët në gjithë botën – duke përfshirë edhe ndërhyrjet në Bosnje dhe Kosovë në 1990. Bombardimi nga NATO i Beogradit, kryeqytetit të Serbisë në 1999, ka qenë një argument i përdorur shpesh nga Rusia se NATO nuk është realisht një aleancë tërësisht mbrojtëse. Fakti se NATO bombardon nuk është harruar as nga Pekini që kujton se si u kap në befasi dhe ambasada e saj në Beograd.

Pas 11 shtatorit dhe sulmeve terroriste në Nju Jork dhe Uashington, NATO aplikoi nenin 5 (për mbrojtjen e një vendi që është në të dhe sulmohet) dhe pushtoi Afganistanin. Edhe një herë, sipas Lukyanov, Amerika ka demonstruar vullnetin dhe mundësinë për të “transformuar dhunshëm botën”. 

Por dështimi i SHBA në Afganistan simbolizuar me tërheqjen kaotike të ushtrisë së saj nga Kabuli në verën e 2021, i ka dhënë rusëve një shpresë se bota e drejtuar nga rendi i superfuqisë së SHBA është duke u shkatërruar. Lykyanov argumenton se rënia e Kabulit tek Talebanët ishte “jo më pak historike dhe simbolike se sa rënia e murit të Berlinit”

Për Rusinë dhe Kinën, krijimi i një rendi të ri global nuk është thjesht një çështje e pushtetit real. Ndërsa tradita liberale perëndimore promovon idenë e të drejtave universale të njeriut, mendimtarët kinezë dhe rusë argumentojnë se traditat e ndryshme kulturore dhe “civilizimet” duhet tu jepet hapësira për t’u zhvilluar në rrugë të ndryshme.

Vladislav Surkov, dikur një prej këshilltarëve më influencues të Putin, ka përbuzur përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të qenë pjesë e civilizimit perëndimor. Në fakt, sipas Surkov, Rusia duhet të përqafojë idenë se “ka absorbuar si lindjen dhe perëndimin” dhe se ka “një mentalitet hibrid”. Nën të njëjtin frymëzim edhe mendimtarët pro regjimit në Kinë shkruajnë se një fuzion mes konfucianizmit dhe komunizmit e definojnë Kinën si një vend që flet mbi kolektiven më shumë se sa të drejtat individuale. Ata pohojnë se suksesi i Kinës në përmbajtjen e COVID-19 reflekton superioritetin e Kinës mbi aksionet kolektive dhe të drejtat e grupit.

Kriza mbi Ukrainën është përpjekja mbi të ardhmen e rendit botëror pasi ai përmbledh pikërisht këto premisa që diskutojmë. Për Putin, Ukraina është kulturalisht dhe politikisht pjesë e Rusisë dhe sferës së saj të influencës. Siguria e Rusisë ka nevojë që t’i japë asaj pushtetin e vetos ndaj çdo vendimmarrje të Ukrainës. Moska kërkon që të veprojë edhe si protektore e rusisht-folësve. Për SHBA, këto kërkesa kundërshtojnë në disa pika principet e rendit aktual global në veçanti të drejtën për një vend të pavarur që vetë-përcakton politikat e jashtme dhe qasjen strategjike

Kriza e Ukrainës- luftë për “rendin e ri botëror”

Kriza e Ukrainës është gjithashtu dhe për “rendin e ri botëror” pasi ka implikimi të thella globale. SHBA e di se nëse Rusia sulmon Ukrainën dhe vendos “sferën e saj të influencës”, një precedent i rrezikshëm vendoset në lidhje me Tajvanin. Gjatë epokës së Xi, Kina ka ndërtuar baza ushtarake rreth e qark influencës zonave të Detit të Kinës Jugore. Kërcënimet e Pekinit për të pushtuar Tajvanin – një vend i qeverisur në mënyrë demokratike që Kina e konsideron si provincë rebele- janë bërë gjithnjë e më frekuente dhe të shpeshta. Nëse Putin ia arrin të pushtojë Ukrainën, tundimi që Xi të sulmojë Tajvanin do të rritet, pasi ai do të vendoset nën presion nga liderët nacionalistë në Kinë që do nuhasin rënien e SHBA.

“E drejta ndërkombëtare është një forcë shumë e fuqishme edhe pse ne nuk mendojmë shumë për të në Shtetet e Bashkuara,” tha gjenerali në pension Clark. “Në Evropë është jashtëzakonisht i respektuar dhe do të ketë një ndikim të madh në forcimin e kohezionit të aleancës dhe frenimin e veprimit rus.”

Por shembulli i Gjermanisë flet ndryshe. Duke folur në një konferencë për media në Berlin, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, tha se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë për këtë çështje.

 “Nuk do të ketë dërgesë të armëve vdekjeprurëse (në Ukrainë). Kështu ka qenë edhe më parë, edhe gjatë qeverisjes së kaluar, kështu do të jetë edhe me qeverinë aktuale”, tha Hebestreit. Qeveria gjermane në mënyrë të përsëritur ka theksuar se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Ukrainë dhe i ka bërë thirrje Rusisë të de-përshkallëzojë tensionet dhe të ringjallë bisedimet e formatit të Normandisë për një zgjidhje politike.

Aspiratat: Rusia fuqi globale, Kina ekonomi globale

Rusia dhe Kina pra kanë shqetësime të ngjashme rreth rendit të ri botëror. Ka disa diferenca të rëndësishme mes qasjes së Moskës dhe asaj të Pekinit. Rusia aktualisht është më e predispozuar për të ndërmarrë risqe se sa Kina të natyrës ushtarake. Por qëllimi i saj fundor është më i limituar. Për rusët, përdorimi i forcës në Siri, Ukrainë dhe kudo gjetkë është një rrugë për të goditur pohimin e bërë nga ish presidenti i SHBA, Obama, se Rusia është tanimë një forcë rajonale. Dmitri Trenin i Carnegie Center në Moskë e argumenton se “për liderët e Rusisë, një vend si Rusia është vetëm një fuqi globale.”

Por nëse Rusia aspiron të jetë një nga fuqitë e botës, Kina duket se po mendohet për të shfronësuar SHBA si FORCA globale. Elizabeth Econoomy, autore e libri të ri të quajtur “Bota sipas Kinës” argumenton se Pekini po synon që të “transformojë tërësisht rendin global” në të cilin SHBA do të flakej tutje nga Paqësori duke u shndërruar thjesht në një forcë e Atlantikut. Duke qenë se tani zemra e Indo-Paqësorit është ajo e ekonomisë globale, kjo do të thotë që esencialisht Kina të jetë “numri një”, shkruan Finantial Times. 

Po pse Vladimir Putin po kërcënon të marrë një kafshatë tjetër nga Ukraina, pasi gllabëroi Krimenë në 2014? Kjo nuk është një pyetje e lehtë për t’u përgjigjur, sepse Putini është një psikodramë e një njeriu, me një kompleks gjigant inferioriteti ndaj Amerikës. 

Lëvizja e fundit e shahut e Putinit, lëvizje e njohur për Gasparovin 

Gjëja e fundit që Putini dëshiron është një Ukrainë e lulëzuar që do t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe do të zhvillojë njerëzit dhe ekonominë e saj përtej Rusisë autokratike dhe të dobët të Putinit. Ai dëshiron që Ukraina të dështojë, BE. Le të shohim: Putini është një Pjetri i Madh i ditëve moderne, i cili synon të rivendosë lavdinë e Nënës Rusi. Ai është një-ish agjent i K.G.B në pension. Agjenti i cili thjesht refuzon të dalë nga i ftohti dhe ende sheh C.I.A. nën çdo shkëmb dhe pas çdo kundërshtari. Ai është ish-i dashuri i Amerikës që vjen nga ferri, i cili refuzon të na lërë ta injorojmë dhe të dalim me vende të tjera, si Kina – sepse ai gjithmonë e mat statusin e tij në botë në raport me ne. Dhe ai është një politikan që përpiqet të sigurohet që të fitojë (ose të manipulojë) zgjedhjet e Rusisë në vitin 2024 – dhe të bëhet president i përjetshëm – sepse kur të keni marrë po aq rubla sa Putini, nuk mund të jeni kurrë i sigurtë, se pasardhësi juaj nuk do t’ua bllokojë. Ndaj ai lufton t’i fitojë të gjitha. Për të, kjo është një lojë për jetë a vdekje.

“Jam i lumtur të diskutoj agresionin e fundit të Putinit dhe si ta ndalojmë atë. Por unë i thashë të gjitha në librin tim të vitit 2015, “Dimri po vjen”. Edhe deri atëherë isha i zemëruar që Perëndimi kishte bërë kaq pak. Tragjikisht, është ende e vlefshme edhe sot” shkroi këto ditë në tweeter, kundërshtari i hapur i Putinit, ish- kampioni botës i shahut, Garry Gasparov. 

Chamberlain-i dhe Biden

Ndoshta do të duhen vite para se të mbërrijmë në “momentin Franz Ferdinand”, por një sulm kibernetik ka potencialin të shkaktojë një luftë globale, të pakrahasueshme me asgjë që kemi parë deri tani.

Biden nuk duhet te tregohet si kryeministri britanik Neville Chamberlain. Të apasionuarit pas historisë kujtojnë që kryeministri Chamberlain deklaroi se kishte rregulluar paqen në kohën e tij, pasi kishte mbajtur bisedime të nivelit të lartë me Adolf Hitlerin. Ai mendoi se e solli këtë përmes diplomacisë. Ai ishte i gabuar dhe “diplomacia” e tij kushtoi miliona jetë, siç e kuptoi Hitleri dhe përfitoi nga ky lider i dobët dhe i pamend, ndërsa vazhdonte tërbimin e tij ushtarak nëpër Evropë. Presidenti Biden ndan të njëjtën ideologji dhe po tregon cilësi të dobëta drejtuese të kryeministrit Chamberlain dhe Rusia, Kina dhe regjimet e tjera totalitare po përfitojnë nga kjo.

Mendoni pak se çfarë do të ndodhte nga një sulm kibernetik përtej ndërprerjeve të energjisë dhe internetit, kolapsit të sistemeve bankare, mungesave ushqimore apo ujit të helmuar. Në sulmin e fundit operativët e mbështetur nga kinezët shfrytëzuan dobësitë në Exchange Server të Microsoft Corp duke shkaktuar dëme në të gjithë botën, kryesisht midis ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Disa muaj më parë, administrata amerikane e drejtoi gishtin nga Rusia për një sulm të madh ndaj kompanisë së softuerit SolarWinds Inc ,që duket se synonte klientët e qeverisë amerikane. Fatmirësisht, deri më tani me gjithë dhjetëra sulme kibernetike të ndodhur midis superfuqive gjatë 2 dekadave të fundit, bota ka vazhduar që të rrotullohet sipas boshtit të saj dhe jeta për shumicën e njerëzve ka vazhduar kryesisht e papenguar. Dhe Biden vetëm e paralajmëroi Rusinë, kur hakerët rusë të grupit DarkSide bllokuan naftësjellësin Colonial, ndërkohë hoqi sapo bëri betimin si president, i hoqi sanksionet për gazsjellësin rus, Northstream 2, për të paqtuar Gjermaninë, çka ishte një fitore e dhuruar për Putinin. 

Sot duhet veprim. Po të mos veprojë me forcë SHBA dhe NATO, Ukraina mund të shndërrohet në një Çekosllovaki të Luftës së III-të Botërore.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 209
  • 210
  • 211
  • 212
  • 213
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT