• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KLIMA DHE TË DREJTAT: ME MBROJTË SHOQËRITË E HAPURA

December 1, 2021 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

“Corriere della Sera”, 21 nëndor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika/

Të shuara dritëhedhësit mbi Cop 26, mbi takimin e Glasgow, për më tepër mbi manifestimet e udhëhequra nga Greta Thunberg që e kanë shoqëruar, ndoshta i a vlen të bëhen një palë pyetjesh. Megjithë marrëveshjen e befasishme mbi klimën ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kinës (që duket se është një lëvizje më shumë në një ndeshje të ndërlikuar shahu ndërmjet dy Vendeve), mbetet që kundërshtia e ndotësit më të madh të Planetit, Kinës, për marrëveshje shtrënguese mbi energjinë e ndotur ka qënë përcaktuese. Më shumë se ajo e Hindisë që ka shfaqur hapur armiqësinë e saj (në të vërtetë, për arsye të kuptueshme) ndaj një heqje dorë shumë të shpejtë të përdorimit të qymyrit. 

Si vallë nuk shihen në qarkullim nëpër botë veprimtarë të mjedisit të zinxhirosur para ambasadave kineze? Si vallë Kina nuk është bërë armiku i tyre kryesor? Një tjetër pyetje e pason: në Glasgow kishte veprimtarë t’ardhur nga gjithë anët e botës por mund të vihet bast se ata me pashaportën e Republikës popullore kineze ishin shumë të paktë. Ndoshta asnjë. Si ndodh kështu? Pyetja e parë detyron dallimin ndërmjet shqetësimeve të natyrshme për ndryshimet klimatike dhe atyre të natyrave të tjera. Pyetja e dytë do të duhej të inkurajonte veprimtarët e mjedisit të pranonin se nuk jemi të gjithë njësoj, se ka, ndërmjet Vëndeve të ndryshme të pështjelluara, ndryshime politike rrënjësore, të cilat nuk do të jenë të papërfillëshme në vendimet e ardhëshme të qeverive, edhe në lëndën e kundërshtisë ndaj ndryshimeve klimatike.

Përgjigja e pyetjes së parë nuk është e vështirë. Në lëvizjen mjedisore bashkëjetojnë dukshëm dy drejtime. I pari është ai i atyre që kanë si interes të vetëm të natyrshëm ndalimin e ndryshimeve klimatike. Sigurisht ai është drejtimi i shumë veprimtarëve. Është ai që fiton simpatinë e një publiku të gjërë perëndimor që bashkëndan me të shqetësimet.

Por ka edhe një tjetër, po aq të dukshëm, një tjetër drejtim që mund t’a pagëzojmë “kundërkapitalizëm me të gjitha mjetet”. Është drejtimi i atyre që janë të interesuar të luftojnë kapitalizmin e njëjtësuar me shoqërinë perëndimore. Njëherej kjo rrymë gjallëronte lëvizjet komuniste. Sot që komunizmi është një utopi e vjetëruar, që nuk shërben më, maqina e re është lufta kundër ndryshimeve klimatike. A nuk ka qënë vallë kapitalizmi perëndimor që ka dhunuar mjedisin në shekujt e fundit? Pra lufta kundër ndryshimeve klimatike dhe kundër kapitalizmit në trajtë perëndimore a nuk është e njëjta gjë? Ja përse Kina nuk mund të bëhet armiku kryesor. Do t’ishte në kundërshti me rrëfimin, ndoshta jo zotërues, por sigurisht shumë të përhapur në botën mjedisore. Do t’a zhvendoste vëmëndjen nga armiku “i vërtetë”, i cili, veç të tjerave, është shumë më i ndikueshëm se sa Kina.

Deri sa dy drejtimet do të vazhdojnë të bashkëjetojnë, “të fuqishmit e Tokës” me të cilët do të merren do të jenë kryesisht “të fuqishmet” (qeveri) perëndimore, çfarëdo të thonë faktet që duken sheshit (për shembull, ata që tregojnë pakësimin, gjatë kohës, të pasojave ndotëse të veprimtarisë industriale n’Evropë). Ja përse fjala e urtë e ish Presidentit Obama mbi shumllojshmërinë e problemeve dhe shkallshmërinë e nevojshme të dhënies së përgjigjeve, i u kthye mbrapsht dërguesit. Është njëra nga dy arsyet, për të cilat zotërojnë parashikimet apokaliptike mbi përimtimet e qeta e të matura: sa më shumë të përhapet bestytnia në katastrofën kërcënuese, aq më shumë kapitalizmi (perëndimor) mund të vihet në vështirësi. Arsyeja tjetër, më e përgjithëshme, është që utopitë mijëvjeçare (pritja në një t’ardhme rrënjësisht të ndryshme nga e sotmja) janë kripa dhe motori i të gjitha lëvizjeve kolektive. 

Vështrimi tjetër, i lidhur me të parin, është i përfaqësuar nga nënvleftësimi i ndryshimeve që shfaqen ndërmjet shoqërive të hapura e demokratike perëndimore dhe atyre të mbyllura e autokratike. Siç ka vërejtur Federico Rampini (Corriere, 14 nëndor) nuk mund të ketë një Greta kineze. Për arsyen e thjeshtë se nëse një kundërshtar me çfarëdo titulli, ngre kokën nga ato anë, menjëherë atë i a presin. Rrjedhin dy pasoja. E para është se lëvizjet mjedisore  mund t’a bëjnë të ndihet zëri i tyre veçanërisht ose vetëm në Perëndim. E dyta është se duke qënë ato perëndimore shoqëri të hapura, në të cilat qeveritë duhet të përgjigjen për veprimet e tyre para opinioneve publike, do të jenë ato në vitet e ardhëshme që do të venë në jetë masat e kundërshtisë së ndryshimit klimatik, për shkak të përhapjes së shqetësimeve në vetë ato shoqëri.

Duhet vënë re se ata ndryshime shfaqen në çdo drejtim. Është e vështirë (siç ka vërejtur Franco Venturini në Corriere të 17 nëndorit) që të mos i vishet fakti që në Rusi përqindja e të vaksinuarve është thellësisht më e ulët se ajo që regjistrohet në Vendet perëndimore, mosbesimit tepër të kuptueshëm e shumë të lashtë të rusëve kundrejt autokracive të pushtetit. Kush mund t’i besojë, nga ato anë, asaj që thotë qeveria?

Si vallë këto ndryshime të dukëshme ndërmjet Vëndeve kaqë shpesh nuk mbahen parasysh nga një lloj veprimtarësh të mjedisit, po aqë nga shmë prej atyre që, duke punuar në sistemin e komunikimeve, mbajnë haptas anën e tyre? Kjo “harresë”  miratueshmërisht është pjesë e një sintome të njohur e të vërejtur prej shumë kohe: prirja, veçanërisht e disa perëndimorëve të ndryshëm që ushtrojnë, me çfarëdo titulli, punë intelektuale, për të urryer shoqëritë e hapura e demokratike në të cilat jetojnë e për të parapëlqyer shoqëritë e mbyllura dhe autokratike. Thonte ekonomisti Joseph Schumpeter se vetëm shoqëria perëndimore ka rritur një numër kaq të madh intelektualësh, të cilët kanë marrë përsipër detyrën për të dhënë ndihmesën për t’a shkatërruar. Të mos vlerësojnë shoqërinë e hapur në të cilën bëjnë pjesë dhe në qoftë nevoja edhe t’a luftojnë (mjaft se me mjete paqësore e të ligjëshme) është një e drejtë e qytetarëve perëndimorë. Duhet t’u kujtohet atyre se ka edhe një të drejtë për t’a mbrojtur.

“Corriere della Sera”, 21 nëndor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika               

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

BIDENI I ÇARMATOSUR PËRBALLË INFLAKSIONIT

November 30, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI“Corriere della Sera”, 19 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika/


Punë, punë, punë: duke qëndruar në mendimin që në dhjetëvjeçarët e fundit ka zotëruar politikën amerikane – krijimi i vëndeve të punës – Joe Biden duhej t’ishte në një fuçi hekuri. Infarkti ekonomik i pandemisë jo vetëm nuk ka zhytur Shtetet e Bashkuara në rënie ekonomike, por po e shpie, me gjithë frenimin veror për variantin Delta, drejt një fuqizimi të fortë me papunësinë e ulur në 4,6 përqind. Simbas analistëve të Goldman Sachs, një bankë e njohur e Wall Street-it, të papunët do të vazhdojnë të ulen duke arritur në gjysmën e vitit tjetër në 3,7 përqind e në fund të 2022 në 3,5: në fakt punësim i plotë. Ndërkaq partia e presidentit po shkon drejt një humbjeje kumbuese në votimet e mid term në vjeshtën e ardhëshme, jo vetëm për manevrat republikane mbi kolegjet e rregullat zgjedhore e për aftësnë e së djathtës për të fituar vota mbi “luftërat kulturore”, por sepse inflaksioni ka zëvendësuar punësimin si shqetësimin kryesor të amerikanëve. Rritja e çmimeve – e parashikuar por e nënëçmuar si dukuri e butë dhe e përkohëshme nga Thesari dhe Federal Reserve – është kthyer në një shkëmb që mbyll rrugën e kryesisë Biden. Vetë Goldman Sachs në fakt parashikon që flama e çmimeve (+6,2% në tetor) do të vazhdojë gjatë gjithë dimrit. Gjëndja do të fillojë të përmirësohet vetëm në mes të 2022: me gjasë shumë vonë për të shpërndarë pakënaqësitë e amerikanëve që do të votojnë në nëndor. Biden-i, gjithmonë e më pak popullor në hulumtimet, është i vetëdijshëm: në ndryshim nga ekonomistët e tij të rinj, ka jetuar në kohë të një inflaksioni të lartë dhe e din se gjindja sheh tek qeveria përgjegjësin e asaj takse të fshehtë. Ai thotë se duhet kuptuar dobësia e qytetarëve që shohin të dyfishohet çmimi i karburantit e shpenzojnë shumë më tepër për harxhin e përditshëm. Biden-i e din por është i çarmatosur. Duhet të mbrohet nga padia se ushqen inflaksionin me ndihmat (të dhëna në të njëjtën masë nga ai dhe nga Trump-i gjatë pandemisë) e nuk ka pushtet mbi fajdet industriale, të tregtisë e të punës që shkaktojnë ngritjen e çmimeve. E kur i kërkon OPEK-ut të prodhojë më shumë përqeshet me ligësi: “Bëj vetë: nxirr më shumë naftë nga SHBA”. Por të rihapen puset e mbyllura gjatë lockdown-it nuk është një veprim i lehtë. E po t’a nxiste do të përgënjeshtronte zotimet e tij për dekarbonizimin.
“Corriere della Sera”, 19 nëndor 2021 Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

Ribashkimin e Shqipërisë me Kosovën duhet ta shpallin dy Kuvendet shqiptare

November 29, 2021 by s p

https://www.filolet.com/wp-content/uploads/2016/10/SK-Kopertina.png

Nga Skënder Sadri KAPITI

Me 28 Nëntor 1912 burrat patriotë shqiptarë u mblodhën në Vlorë në  Kuvendin  gjithkombëtar dhe e Shpallën Pavarësinë e Shqipërisë etnike të të gjitha trojeve shqiptare.

Po kështu edhe Kuvendi i Kosovës me 17 Shkurt 2008 shpalli Pavarësinë e Kosovës shqiptare.

Tashmë i takon që dy kuvendet shqiptare të mblidhen në një Kuvënd të përbashkët në Vlorë ose në Prizren dhe ta shpallin Ribashkimin e Shqipërisë. Për këtë mendoj se pranë dy kuvëndeve shqiptare duhet të fillojnë punën një komision akademikësh, politikanësh, diplomatësh, juristësh dhe  historianësh të spikatur të fushave përkatëse të cilët të parapërgatisin strategjinë dhe arsyetimin e sqarimin se përse duhet bërë Ribashkimi Kombëtar. Unë kam botuar një LIBËR me  Titull: “TRIUMFI I KOMBIT” të cilin disa lexues e kanë cilësuar si Projekt të Bashkimit Kombëtar dhe sot me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës po i dërgoj këtë shkrim mediave kombëtare dhe disa personaliteteve të shquara intelektual e patriot të cilët i janë përkushtuar me mish e shpirt Ribashkimit të Shqipërisë.

Unë jam dakord edhe me ata të cilët mendojnë se duhet bërë edhe Referendum për Ribashkimin Kombëtar sepse janë të mirëpritura të gjitha përpjekjet  dhe alternativat të cilat i shërbejnë realizimit të qëllimit të madh, atij të Ribashkimit. 

Nëse do të mbahej një Referendum për Ribashkim dihet se kundër Ribashkimit janë po ata dhe po ajo frymë antishqiptare që ka qenë kundër shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë  me 28 Nëntor 1912 e që janë: serbo-sllavët, grekët dhe shtetet,kishat, mediat, diplomacia  dhe akademitë e tyre shoviniste dhe antishqiptare; janë kundër Ribashkimi Kombëtar shqipfolësit serbo-sllavo-grekofilë; janë ekstremistët islamofobë që urrejnë muslimanizmin shqiptar; janë edhe  politikanë, qarqe apo edhe ndonjë shtet aleat perendimor i serbo-sllavisë si dhe tradhtia,korrupsioni, hajnija dhe mercenarizmi intelektual, politik e mediatik në Shqipëri që u shërbejnë agjendave antishqiptare.

Por këta janë një pakicë tejet e papërfillshme dhe nuk ka pse të pyeten këta se a jeni apo jo për Bashkimin Kombëtar sepse dihet se ata janë kundër. Prandaj Shpalljen e Ribashkimit Kombëtar duhet ta deklarojnë dy kuvendet Shqiptare në një kuvend të përbashkët që të mbahet në Vlorë ose Prizren dhe ndoshta kjo të bëhet jo larg por me rastin e 110 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. 

Më poshtë po paraqes në mënyrë të shkurtër analitike  atë se tashmë ka ardhur koha e Ribashkimit të Shqipërisë:

Nuk ka pse të  bëhet referendum, pasi shqiptarët nuk janë ndarë vetë,por padrejtësish i kanë ndarë e coptuar të tjerët. Referendumin shqiptarët për shtetin e Bashkuar Kombëtar e kanë bërë me 28 Nëntor 1912 kur shqiptarët e shpallën Shtetin e Pavarur Gjithkombëtar Shqiptar. 

Nëse politika dhe shtetarët e pushtetarët shqiptarë e duan Ribashkimin Kombëtar së pari ata duhet të punojnë për interesat kombëtare, për ndërtimin e shtetit ligjor, për drejtësinë,për luftën kundër krimit,korrupsionit dhe hajdutërisë shtetërore; duhet të punojnë për integrimin brënda kombëtar dhe për atë europian. Nuk  besohet se politika e korrupsionit, e hajdutërisë dhe e krimit; nuk i besohet asaj politike injorante,egoiste dhe e intersuar vetëm për interesa personale,vetëm për vjedhje e pasurim të vetes së saj, pra nuk  besohet se kjo politikë e dëshiron sinqerisht Bashkimin Kombëtar.

Nuk ka shqiptar me shpirt shqiptari që të jetë kundër Bashkimit Kombëtar dhe as   që të jetë kundër historisë, kundër luftrave, gjakut  e sakrificave shekullore të shqiptarëve. 

Shqiptarët janë një komb  që kanë një gjuhë, një traditë, një histori, nje flamur dhe shpirt, gjak e zemër shqiptari. Pavarësia e Shqipërisë u shpall me  28 nëntor 1912, kjo pavarësi është për të gjitha trojet shqiptare, si një shtet për të gjithë shqiptarët. 

Kosova për 100 vite luftoi e sakrifikoi për t’u bashkuar me Shqipërinë. Ribashkimi Kombëtar de fakto  është bërë me 12 Qershor 1999, si rezultat i fitores së Luftës së UÇK së  dhe të SHBA e të NATO-s që rrëzuan murin ndarës shqiptaro-shqiptar ashtu si edhe gjermanët që e rrëzuan murin e Berlinit. Pra nuk është e nevojshme mbajtja e një Referendumi për Bashkim Kombëtar ashtu sikurse edhe nuk bënë Referendum as dy Gjermanitë e ndara nga të tjerët. Për Bashkim Kombëtar të deklarohen dy parlmentet e dy shteteve kombëtare shqiptare,të Shqipërisë e të Kosovës.

Si,  do pyetet kombi dhe shqiptarët se a jeni dakord për t’u bashkuar?!

Nuk është e nevojshme që të mbahet Referendum për Bashkim Kombëtar pasi shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës janë një komb që si të tillë këtë  njeh e gjithë Bota. 

SHBA dhe NATO ndërhynë kundër Jugosllavisë për ta cliruar Kosovën shqiptare dhe jo Kosovën kosovare, sepse ish ngrehina sllavo-serbe kishte 100 vite që ushtronin terror, krim, pastrim etnik e gjenocid mbi popullsinë  98% shqiptare të saj. 

Këtyre  që deklarohen për Referendum për Bashkim Kombëtar po u them se Lidhja Shqiptare e Prizrenit  ishte për shtet kombëtar gjithshqiptar, dhe po ashtu edhe Kryengritja e  Përgjithshshme Shqiptare e Vitit 1912 që coi në Pavarësinë e Shqipërisë ishte Kryengritje për shtetin kombëtar gjithshqiptar. Po ashtu edhe Lufta heroike e UÇK-së ishtë luftë gjithëkombëtare shqiptare për lirinë e Kosovës shqiptare dhe për Bashkimin e saj me Shqipërinë. Po kështu edhe SHBA e NATO ndërhynë për lirinë e clirimin e Kosovës shqiptare. 

Pra, 12 Qershori i vitit 1999 de fakto është  vendimtare që  ka mundësuar tashmë edhe shpalljen e Bashkimit Kombëtar se si proces ky Bashkim tashmë është bërë por që politika  shqiptare e të dy shteteve shqiptare nuk është interesuar dhe nuk ka treguar përgjegjshmërinë e përkushtimin e duhur për deklarimi dhe realizimin  e këtij Bashkimi.

Ata të cilët mundohet që të propagandojnë për një komb kosovar janë shërbëtorët më të mëdhenj të politikës antishqiptare serbo-sllave. 

Si kanë kurajon e guximin antikombëtar që të deklarohesh për një ndarje mes shqiptarësh, si dy kombe të ndryshëm?! 

Po a nuk ishin shqiptarët e Kosovës vendimtarë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe a nuk ishin shqiptarët e Kosovës që luftuan e sakrifikuan aq shumë për liritë e të drejtat kombëtare shqiptare, për gjuhën, shkollën , për flamurin kombëtar dhe për Bashkimin kombëtar. 

Kush janë këta mercenarë antishqiptarë që duan të fabrikojnë një komb kosovar? 

Më vjen mirë që edhe Kryeministri i Shqipërisë tani shprehet pro Bashkimit Kombëtar, dhe uroj që kjo mos të jetë një simbolikë apo retorikë patriotike momentale e tij.

Mos të thotë se nuk e di se kur të bëhet Bashkimi por së pari ta heqë traun antiKosovë të “Rrugës së Kombit” dhe duhet ta tërheqë deklaratën antishqiptare të tij të mëparshme se nuk ka minishengen shqiptaro-shqiptar para minishengenit të Ballkanit. 

Sot politikanët shqiptarë dhe shtetarët e të dy shteteve shqiptare si Rama, Meta ,Kurti ,Osmani e të tjerë që do vijnë pas tyre e kanë të lehtë që deklarohen pro Bashkimit Kombëtar sepse meritat e sakrificat për Bashkim Kombëtar i kanë bërë herojt dhe brezat e tjerë.

Filed Under: Analiza

29 Nëntori – festë e përbashkët me atë të ish-Jugosllavisë komuniste

November 29, 2021 by s p

DSC_0009

Luan Dode

Në kuadrin e Luftës së Dytë Botërore – të nesërmen e Ҫlirimit të Tiranës –, në mbledhjen e Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar (KANҪ) më 18 nëntor 1944 në Berat, është marrë vendimi që “Dita e 28 Nëntorit, ditë e indipendencës, duhet të festohet me sloganin e çlirimit të Shqipërisë”. Të nesërmen, më 19 tetor, Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare (UNҪ) Enver Hoxha me një udhëzim “konspirativ” urdhëronte Korparmatën I për një pritje madhështore të Qeverisë në kryeqytet, në yjësinë e 28 Nëntorit. 

Në Fjalën që mbajti në Tiranë më 28 Nëntor 1944 E. Hoxha deklaroi: “Dita e flamurit, u bë dy herë e shenjtë, dita e çlirimit dhe e bashkimit të popullit shqiptar”. Në Urdhrin e Ditës drejtuar UNҪ atë  mëngjes,  Hoxha vinte në dukje se “qyteti i Shkodrës ndodhet ende në duart e okupatorit”. Pra, siç ishte vendosur prej KANҪ në Berat, çlirimi Shkodrës nuk lidhej me atë të Shqipërisë.

Dy gazeta qendrore zyrtare, të vetmet e kohës, i mëshonin kuptimit të dyfishtë të festës, sidomos për tri ditët e para të saj, siç tregohet për shembull në kryeartikullin e Bashkimit të 28 nëntorit apo në kryeartikullin «Shkodra u çlirua» të 1 dhjetorit të gazetës Buletin i Luftës Nacional-Ҫlirimtare. 

Ka dhe fakte të tjera që tregojnë se për ditë fitoreje komunistët nëpërmjet KANҪ, që qëndronte organi më i lartë legjislativ gjer në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, kishin caktuar me bon sens 28 Nëntorin. Për shembull në mëngjesin e ditës që Qeveria Demokratike do të hynte në Tiranë, në të përditshmen Buletin i Luftës NҪ jepej «Programi për festimin e 28 Nëntorit» ku, në pikën nr. 15 shpallej: “Festimi i ditës së madhe të 28 nëntorit që përkujton fitimin e Indipendencës Kombëtare më 1912 dhe që sivjet koincidon me festën e çlirimit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, do të vazhdojë për tri ditë”. 

Mareshali Tito, figura e parë komuniste në Jugosllavi, në urimet që dërgonte me rastin e 28 Nëntorit 1944 fliste për festën në kuptimin e dyfishtë. Urimi i tij është botuar në Bashkimi të 17 dhjetorit 1944.

Gjatë vitit të parë të pushtetit komunist, gjer më 9 nëntor 1945, absolutisht nuk është zënë në gojë 29 Nëntori si festë kombëtare. Kështu, në  maj 1945, në ligjin e miratuar «Shpallja e festave zyrtare»,  u shtuan 16 shtatori, 10 korriku, dhe 24 maji. Në ndryshimet e emrave të rrugëve që u bënë në muajt shtator-tetor 1945, nuk përmendej 29 nëntori.

*     *     *

Në seancën e parë të Mbledhjes së 14-të Kryesia e  KANҪ që përbëhej prej 24 veta, me Ligjin nr. 134  datës 5 nëntor 1945 miratoi për herë të dytë 28 Nëntorin 1944 si  Dita e  Ҫlirimit të Shqipërisë.

Më 9 nëntor 1945,  u mbajt seanca e pestë e  mbledhjes në fjalë, ku të pranishmit ishin po ata të seancës së parë, por gjendja kishte ndryshuar. U paraqit për miratim ligji i riemërtuar «Të kremtet zyrtare». Pas diskutimesh e pas kërkesës për “pesë minuta pushim”, ndërhyri Ramadan Ҫitaku, anëtar i KQ të PKSh i cili, duke ‘i  harruar’ dy vendimet e mëparshme të KANҪ, tha se në projektligj  ishte harruar Dita e Ҫlirimit e cila duhej festuar “brez pas brezi”, dhe vazhdoi: “Me sa di unë, pas mesnatës së 28 nëntorit 1944, armiku qe zhdukur nga e gjithë Shqipëria, domethënë dita e 29 nëntorit u gdhi duke qenë Shqipëria e çliruar. Prandaj, propozoj që dita 29 nëntor të shtohet në ditët e festave kombëtare”. Përfundimisht, pas mekanizmit ‘pesë minuta pushim’ dhe argumentit “me sa di unë” të Ҫitakut, më 9 nëntor Kryesia e KANҪ pranoi që Dita e Ҫlirimit të Shqipërisë të ishte 29 nëntori i 1944-s. Kjo datë përkonte me festën e Jugosllavisë. Edhe të pranishmit i ‘harruan’ dy vendimet e mëparshme të KANҪ, kurse Enver Hoxha edhe deklaratën e bërë në Tiranë më 28 Nëntor 1944.

Vendimi për datën 29 Nëntor, ditë e cila do të konsiderohej si më madhështorja në Shqipëri, u bë i njohur publikisht pas dy javësh, më 25 nëntor, nëpërmjet një artikulli me titull «29 Nëntori festë kombëtare», artikull që zinte një vend jo të rëndësishëm në faqen e parë të Bashkimit. Ky vendim u botua në Gazetën Zyrtare të 30 nëntorit 1945, një ditë pas kalimit të festës. Po atë qëndrim tregojnë dy ligje të nxjerra prej KANҪ: «Urdhri i Yllit Partizan» dhe «Urdhri i Trimërisë».

Në mitingun e organizuar në Tiranë në pasditen e 27-s Nako Spiru si president i Rinisë Antifashiste, që në fillim të fjalimit deklaroi: “Pasnesër, 29 Nëntor,  është festa e Ҫlirimit të Shqipërisë. Kjo ditë e madhe vjen pas ditës së Indipendencës sonë. Ne do t’i festojmë me entuziazëm e gëzim këto dy ditë”. Në mbrëmje të po asaj dite nëpërmjet Radio Tiranës Enver Hoxha i drejtoi popullit shqiptar një mesazh “me rastin e festës së Indipendencës dhe të Ҫlirimit të Shqipërisë”, ku mbante në gojë vetëm 28 Nëntorin si festë e dyfishtë. Nuk e përmendi 29 Nëntorin edhe pse në një pjesë të madhe të Fjalës foli për Luftën Nacionalçlirimtare. Në një fjalim dhjetë ditë më parë kishte folur për  përvjetorin e parë të çlirimit të Tiranës. Në paraditen e 28 Nëntorit, Hoxha priti në Kryeministri e në mbrëmje në një banket shtruar në Hotel Dajti autoritete të larta të huaja e të vendit, jo me rastin e 28-29 Nëntorit por me rastin e 28 Nëntorit si festa e Pavarësisë dhe e Ҫlirimit.

Bashkimi i datës 28 nëntor kishte për okelio «Rroftë 28 e 29 Nëntori» dhe për titull të madh «28 e 29 Nëntori – dy datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare». Ndërkaq, anëtari i Byrosë Politike të KQ të PKSh, Sejfulla Malëshova, me pseudonimin Lame Kodra, në kryeartikullin shumë të shkurtër «Indipendenca e Shqipërisë – një realitet i madh historik» dhe Ymer Dishnica ministër i Arsimit, në fjalën e mbajtur në sheshin Skënderbe me rastin e 28 Nëntorit, nuk e përmendën 29 Nëntorin. Por 29 Nëntori u kremtua në Kryeqytet me të shtëna artilerie dhe me parakalimin e reparteve të Garnizonit të Tiranës përpara tribunës së ngritur para Hotel Dajtit, ku merrte pjesë edhe Enver Hoxha. Fjala e rastit u mbajt nga një figurë e planit të tretë: nga komandanti i Garnizonit Gjeneralmajor Dali Ndreu. Të nesërmen Bashkimi  mbante për titull të madh: «Shqipëria festoi me madhështi 28-29 Nëntorin».

Nuk duken të rastësishme qëndrimet e mbajtura nga Moska e sidomos nga Beogradi. Kryeministri i Jugosllavisë Josif Broz Tito dhe ministri i Jashtëm Sovjetik Molotov, dërguan telegrame urimi për 28 Nëntorin. Titoja bënte një hap prapa: Fliste vetëm për “festën kombëtare shqiptare të  28 Nëntorit, ditë e Indipendencës së Shqipërisë”; e anashkalonte kuptimin e dyfishtë të saj të përmendur një vit më parë dhe nuk fliste për 29 Nëntorin.

Historianët Xhelal Gjeçovi e Kristo Frashëri janë të mendimit se caktimi i 29 Nëntorit shqiptar nuk ka të bëjë fare me festën e Jugosllavisë. Këta nisen nga fakti se Asambleja Kushtetuese e Jugosllavisë e ka shpallur 29 Nëntorin festë Kombëtare më 30 dhjetor 1945, për t’u festuar çdo vit duke filluar nga 1946-a. Natyrisht një ligj i kësaj natyre s’mund të kishte fuqi për të kaluarën, por kjo mbetej ana formale e çështjes, sepse qysh më 28 nëntor 1945, Shoqata për Bashkëpunim Kulturor Shqipëri-Jugosllavi, e përkujtoi «Përvjetorin e mbledhjes së Dytë të KANҪ të Jugosllavisë» si “Festa Kombëtare e Jugosllavisë Demokratike Federative”, kurse të nesërmen, më 29 nëntor, Enver Hoxha ishte i pranishëm në festën e organizuar nga Legata Jugosllave në Tiranë me rastin e 29 Nëntorit jugosllav si “data   e Festës së Madhe Kombëtare të Jugosllavisë”, siç shkruante Bashkimi i 30 nëntorit 1945. Hoxha i dërgoi Titos një mesazh “me rastin e festës Kombëtare të Jugosllavisë”.

Nëntor 1946. Në përgjigje të urimeve të marra për 28 nëntorin, E. Hoxha dhe O. Nishani uronin përzemërsisht Mareshalin Tito dhe Ivan Ribarin për 29 Nëntorin “me rastin e festës Kombëtare të Jugosllavisë”. Për herë të parë Hoxha fliste haptas për 29 Nëntorin si “ditë feste e përbashkët”. Me mirënjohje të thellë, me lavdërime sipërore dhe me cilësime të paqena, pra me një servilizëm të pështirë, ndër të tjera i shkruante Mareshalit: “Në këtë ditë të lumtur për popullin tuaj, kur populli shqiptar feston po ashtu ditën e çlirimit të plotë të Shqipërisë, (…) me një dashuri dhe mirënjohje të thellë mendon për popujt vëllezër të Jugosllavisë së re që e ndihmuan aq shumë fitoren  e kësaj lirie, kësaj indipendence dhe sovraniteti që sot po e gëzon (…). Prandaj sot, në këtë ditë feste të përbashkët, populli shqiptar brohorit për popujt e dashur vëllezër të Jugosllavisë së re, brohorit për Ju, z. Mareshal, miku i dashur dhe i shtrenjtë i popullit tonë”.

Në përpjekjet për venitjen e vlerave kombëtare shqiptare bënin pjesë hapat e mëtejshme që 29 Nëntorit  njëherazi si festa e Ҫlirimit dhe e përbashkëta me Jugosllavinë, t’i jepej vendi i parë, mbi 28 Nëntorin. Bashkimi i 1 dhjetorit 1946 jepte lajmin: “me rastin e festës sonë kombëtare (…) Gjeneralkolonel Enver Hoxhës i kanë ardhur telegrame urimi (…)”. Ligje të nxjerra nga Presidiumi i Kuvendit Popullor për “falje dënimesh” apo për dekorime “për merita të LNҪ” cilësoheshin “me rastin e Përvjetorit të Ҫlirimit të Shqipërisë, 29 Nëntor 1946”.

Nuk kanë munguar reagime. Në Plenumin e KQ të dhjetorit 1946 u tha se “Për 29 nëntorin, që është festa e revolucionit, gazeta e murit (në Spital) ngre 28 Nëntorin si ditë e Ҫlirimit. Kjo është një çështje e rëndë”.

Nëntori i vitit 1947, shënoi apogjeun për 29 Nëntorin shqiptar. Në mesazhin e 29 nëntorit drejtuar popullit Hoxha e deklaronte si “Dita më e shënuar dhe më madhështore në gjithë historinë e popullit tonë”, slogan që mbeti një tabu gjatë regjimit komunist. Po atë ditë gazeta Bashkimi botonte artikullin «29 Nëntori – festë për dy popujt tanë» dhe telegramin që Hoxha i dërgonte Titos me rastin e përvjetorit të shpalljes së RPFJ, ku i shkruante: “Kjo ditë kaq e shënuar për popujt tuaj, koincidon  dhe bashkohet me festën e Ҫlirimit të vendit tonë (…). Një koincidencë dhe një bashkim të tillë populli ynë nuk e quan aspak të rastit (…)”.

Pra del qartë se, në mbledhjen e 9 nëntorit 1945 të KANҪ, dita e çlirimit është korrigjuar, e diktuar, për të qenë e njëjtë me atë të Jugosllavisë e cila, edhe sipas strategjisë rusomadhe, e priste me krahë hapur të shtatën  republikë të ardhshme, Shqipërinë. 

Pas prishjes me Titon, 29 Nëntori mbeti vetëm si datë përkujtimore e Ҫlirimit të Shqipërisë. Më pas u quajt dhe si Dita e fitores së Revolucionit Popullor e më pas edhe si dita  që shënonte fillimin e një epoke të re, të epokës së socializmit, më saktë si datë e fitores së komunizmit në Shqipëri. 

Një trajtim më i zgjeruar i çështjes, me referenca, jepet në librin tonë Histori e Shqipërisë 1945-1948: Nën sundimin jugosllav pa pushtim, me titull në kapak: Sundimi pa pushtim: Shqipëria 1945-1948. Tiranë 2014, ISEJ: 61-67.

Filed Under: Analiza Tagged With: Luan Dode

Pavarësia e Shqipërisë, hidhen bazat për krijimin e shtetit të parë shqiptar

November 29, 2021 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

             Shpallja e Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912, do të mbetet një nga ngjarjet më të mëdha historike ndërshekullore. Kjo ditë e shënuar jubilare i hapi rrugë krijimit dhe konsolidimit të shtetit të parë shqiptar. Shqiptarët i treguan “dhëmbët” Botës dhe Perandorisë Osmane, e cila ishte dobësuar, se ishin të aftë të ndërtonin shtetin e tyre të pavarur, me institucione të konsoliduara demokratike, dhe të bënin politikën e tyre në dobi të çështjes kombëtare. Burrat e shtetit, intelektualë, patriotë të flaktë i dëshmuan vendeve aspirante pushtuese dhe Fuqive të Mëdha, që fatkeqësisht e kanë përdorur vendin tonë si plaçkë lufte, se shqiptarët janë të aftë të ndërtojnë kombin e tyre, ku të flitet vetëm gjuha e ëmbël shqipe e Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Asdrenit etj, dhe Flamuri Kuqezi të valëvitet përkrenar përmbi Shqipërinë e bukur etnike. 

            Ishin vitet kur fryma e nacionalitetit ndihej kudo, dhe çështja kombëtare shqiptare ishte prioritet i intelektualëve të diasporës dhe politikanëve shqiptarë, në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Dita e Pavarësisë solli në sytë e shqiptarëve të varfër hije shprese për një Shqipëri të lirë dhe të begatë. Ata patën kurajën dhe guximin për herë të parë të bërtisnin me të madhe, se Shqipëria do të bëhej “o sot, o kurrë!”. Pavarësia e Shqipërisë ishte një rrugë e sapo shtruar e lirisë dhe besimit, forcës dhe vullnetit të çdo shqiptari, se nuk duhet të heshtnin, por të bashkoheshin për një qëllim të vetëm; Shqipërinë e lirë! 

              Po ashtu, edhe Pavarësia e Kosovës, është një ngjarje e dytë madhore e një rëndësie të lartë historike. Kjo tregon se shqiptarët kur duan sjellin lirinë, shpresën dhe begatinë. Pavarësia e Shqipërisë, në sinkron me përpjekjet titanike të burrave të shtetit për çështjen kombëtare, është një këmbanë kujtese e vazhdueshme për politikanët e sotëm. Figurat historike si Ismail Qemali,        Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, etj, baballarët e kombit, duhet të shërbejnë si një shuplakë ndëshkimi dhe ndërgjegjësimi ndaj politikës së sotme shqiptare, brenda dhe jashtë vendit.                          Politika e sotme duhet ta kthejë kokën pas për të reflektuar mbi veprimtarinë e paepur të patriotëve të parë shqiptarë, të cilët luftuan për një Shqipëri të bashkuar dhe të lirë. Politika e sotme, me shumë nder dhe privilegj duhet të vazhdojë të ecë mbi rrugën e të parëve, duke vënë në plan të parë interesat e vendit dhe të punojë fort për një të ardhme sa më të mirë të brezave që do të vinë. Ne duhet të ndihemi krenarë për personalitetet ndërshekullore, që janë rrënjosur në memorien e kombit, t’u japim nderin dhe lavdinë që u takon, dhe jo t’i përdhosim me gjuhën e babëzisë.

Figura e Ismail Qemalit

Ismail Qemali, plaku fisnik me mjekër të bardhë, erdhi si një Promete për të shpëtuar Shqipërinë nga pushtimi osman dhe për të hedhur bazat e shtetit të konsoliduar shqiptar. Figura e këtij burri shteti ka një rëndësi të veçantë në gjithë përpjekjet historike dhe titanike për çështjen shqiptare. Ismail Qemali, i cili që nga 1859 jetoi në Stamboll, loboi fort dhe u aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare. Gjithashtu, ai mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Ai, si shumë intelektualë të tjerë, në Perandorinë Osmane pati funksione të rëndësishme administrative dhe asnjëherë nuk u ndal në përpjekjet e tij për çështjen kombëtare shqiptare. 

Ngritja e flamurit në Vlorë

Ismail Qemali, së bashku me patriotë të tjerë përshkruan rrugën Stamboll-Konstancë- Bukuresht; nga Bukureshti në Vjenë; nga Vjena në Budapest; nga Budapesti sërish në Vjenë; nga Vjena në Trieste; nga Trieste në Durrës dhe më pas në Vlorë, atje ku me shumë emocion u ngrit flamuri kuqezi. Ngritja e flamurit simbolizonte në të njëjtën kohë fitoren mbi zgjedhën e huaj, triumfin e gjuhës shqipe dhe territoreve shqiptare. Ishte pikërisht Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi që hartuan nismën për krijimin e qeverisë së Vlorës. Kuvendi i Vlorës u mblodh në shtëpinë e Xhemil Vlorës, atje ku do të ngrihej më pas Flamuri i Pavarësisë. Ismail Qemali propozoi të shpallej Shqipëria e pavarur, me një qeveri të përkohshme; të zgjidhej një Pleqësi në ndihmë e kontroll të qeverisë, si dhe të dërgohej një komision në Europë, për të mbrojtur çështjen shqiptare para mbretërive.

Qeveria e Vlorës

            Pas ngritjes së flamurit në Vlorë, Ismail Qemali zgjidhet kryeministër, qeveri e cila u shpall në 4 dhjetor 1912 – 22 janar 1914. Ai firmosi i pari Deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë me siglën “Ismail Kemal”. Në deklaratë thuhej; “Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/ 1912. Në qeverinë e Ismail Qemalit ajo që binte në sy ishte dhe toleranca fetare. Ishin 10 ministra, ndërsa raporti midis feve ishte 5 me 5. Kryeministër 1. Qemali musliman, zv/kryeministër Dom N.Kaçorri katolik. Ky i fundit ishte zv/peshkopati katolik në Durrës. Asambleja Kombëtare e cila shpalli pavarësinë në 28 nëntor 1912 zgjodhi senatin me 18 anëtarë. Por komplotet dhe mosmarrëveshjet bënë që kjo qeveri të ishte jo shumë jetëgjatë. Pas qeverisë së Ismail Qemalit u krijuan edhe disa qeveri të tjera, ajo e Turhan Pashës, Sulejman Delvinës, Iliaz Vrionit, gjë që tregoi një destabilitet politik. 

            Pas dështimit të qeverisë së Ismail Qemalit, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit solli mbretin Wilhelm Von Wied, i cili mbërriti në Durrës, bashkë me familjen mbretërore në 7 mars 1914. Pas dobësimit të Perandorisë Osmane, Shqipëria shihej si një territor ku shumë shtete ballkanike kërkonin ta pushtonin. Austro-Hungaria nuk kishte interes së Shqipëria të pushtohej nga Serbia, e cila aspironte të dilte në det. Një mbret nga Vjena do ta kishte Shqipërinë nën kontroll sa i takon pushtimeve që mund të vinin anembanë. Pas largimit të mbretit Ëied, Esat Pashë Toptani kthehet në Shqipëri dhe merr drejtimin e saj, por më pas kemi Traktatin e Londrës, në 26 prill 1915, një marrëveshje e fshehtë mes Antantës dhe Italisë për të përçarë Shqipërinë. Fuqitë e Mëdha i kërkonin Italisë të hynte në luftë, dhe si shkëmbim do të shpërblehej me territore nga Shqipëria. Pra, vendi u përdor për pazare politike dhe qëndroi i destabilizuar deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. 

1

Filed Under: Analiza Tagged With: Eneida Jacaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 221
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT