• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tirana dhe persekutimi komunist ndaj komuniteteve fetare

November 19, 2021 by s p

Nga Dr. Genti Kruja

Universiteti Bedër, Tiranë/

Kur flasim për komunizmin dhe persekutimin e tij, nuk ka si mos të na vijë ndër mend persekutimi ndaj komuniteteve fetare, që në ditët e para të instalimit të atij sistemi të mbrapshtë në vitin 1944. 

17 nëntori i djeshëm me të vërtetë përkujtohet si dita e çlirimit të Tiranës, por ajo duhet të përkujtohet edhe si dita e një pushtimi të ri mizor, ai komunist, i cili në fakt kishte filluar likujdimin e intelektualëve tiranas, që gjatë kohës së luftës, ku i pari që u pushkatua pa gjyq ishte Hoxhë Selim Braja, imami i xhamisë së Saukut, i cili u ekzekutua para derës së xhamisë më 31 gusht 1943.

Për masakrat pohon vetë sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100” (AQSH, F.14, d. 2/a v.1944)

Nuk ishte rastësi që komunizmi filloi një luftë të hapur ndaj klerit dhe komuniteteve fetare, sepse ata jo vetëm përbënin inteligjencën e kombit shqiptar dhe ishin ndër njerëzit më të shkolluar dhe të ngritur, por kishin vënë alarmin e rrezikut të bolshevizmit vite më parë me shkrimet dhe botimet e tyre.

Në vitin 1925, shumë kohë para se komunizmi të hidhte farë e rrënjë në Shqipëri, paralajmërimin më të parë e ka dhënë dijetari dhe patrioti antikomunist, Hafiz Ali Korça, me librin e tij “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit“. Nër të tjera Hafiz Aliu në këtë libër konstaton:

Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhamedit

Çelët do ta kenë luftën

Gjer në ditën e Kijametit.

Zhdukja e fesë ishte thelbësore për injektimin e dogmës komuniste dhe rrjedhimisht, për krijimin e «njeriut të ri». Megjithatë, komunistët e dinin se në pjesën dërrmuese të popullsisë, feja zinte një vend mjaft të rëndësishëm.

Sistemi totalitar filloi një luftë të paparë ndaj fesë, duke bërë një propagandë antifetare dhe duke filluar një persekutim të egër ndaj klerit fetar në përgjithësi. Kështu u arrestuan, burgosën e u pushkatuan me apo pa gjyq personalitete myslimane dhe të krishtera. Në Tiranë fillimisht u goditën drejtuesit dhe pedagogët e medresesë siç ishin H. Ismet Dibra, H. Ali Korca, Jonuz Bulej, Vexhi Buharaja, H. Ibrahim Dalliu, Hasan Tahsini, si dhe klerikë të tjerë si, Kryepeshkop Visarion Xhuvani, Imzot Vincenc Prenushi, Dom Lazer Shantoja, Dom Ndre Zadeja, Hafiz Sabri Koçi, Dede Reshat Bardhi, Haki Sharofi, Ismail Muçej, Hafiz Mustafa Varoshi, Hafiz Sherif Langu, firmëtar i pavarësisë, Hafiz Esat Myftia, Hafiz Musa Dërguti, Hafiz Ali Kraja, Sheh Ibrahim Karabunara, Baba Myrteza Kruja, H. Xhemal Naipi, kryetari i parë i Parlamentit në 1920, Kristofor Kisi, Atë Ilia Zoto, etj, etj.

Pas ndërhyrjeve të dhunshme të shtetit në organizimin e jetës së komuniteteve fetare, sekuestrimit të pronave, kontrollit mbi buxhetin, ndalimi i literaturës, si dhe mbyllja e shkollave, politika komuniste forcoi një propagandë të ashpër nëpërmjet shtypit, radios, formave të edukimit, kinemasë, pjesëve të leximimeve shkollore dhe edukimit me përbuzjen ndaj fesë, duke hapur dhe muzeun atesit, i vetmi në botë. Shumë prej udhëheqësve dhe dijetarëve më me ndikim, Sigurimi i Shtetit i ndoqi, u nxori dëshmitarë të rremë nëpër gjyqe të sajuara, i pushkatoi, dënoi e internoi, duke mbjellë një atmosferë të përgjithshme terrori.

Sipas të dhënave zyrtare nga institucionet e Shqipërisë, gjatë regjimit komunist 59.009 shqiptarë u internuan në kampe përqendrimi, 7.022 humbën jetën gjatë internimit, 34.135 shqiptarë u burgosën si të dënuar për arsye politike, 984 shqiptarë kanë vdekur në burgjet e regjimit, 6.027 shqiptarë janë vrarë gjatë regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa rreth 6.000 rezultojnë si të zhdukur.

Më pas në 1967 Shqipëria u bë vendi i parë ateist në botë, duke shkatërruar shumicën e kishave, xhamive dhe teqeve. Edhe pse ishin pjesë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Shqipërisë, sipas të dhënave zyrtare nga Muzeu Historik Kombëtar, u mbyllën 740 xhami, 608 kisha ortodokse e manastire, 157 kisha katolike dhe 530 teqe e tyrbe bektashiane, duke u shkatërruar shumica prej tyre, ndërsa pak nga ato mbeten, por u shndërruan dhe përcudnuan në depo dhe magazina.

Ndërsa klerikët u flijuan për besimin e tyre, besnikë deri në fund të jetës ndaj fesë dhe atdheut. 

Sot, pas gjenocidit gjysmëshekullor mbi fenë, në kushtet e sotme të lirisë së besimit, ata dëshmorë duhet të kujtohen jo vetëm me lutjet tona, por edhe me studime të ndryshme.

Shoqëria jonë nuk ka mundur ende t’u shlyejë borxhin e dinjitetit dhe mirënjohjes këtyre etërve shpirtërorë të kombit. Një detyrë të madhe ndaj tyre i ka shteti shqiptar, sepse klerikët nuk janë monopol i komuniteteve fetare, por i përkasin të gjithë shqiptarëve, brezat e rinj të të cilëve duhet të njihen nëpërmjet librave të historisë dhe letërsisë në shkollat e vendit, sepse ata shërbyen me filozofinë “Për fe e atdhe”.

Filed Under: Analiza Tagged With: Genti Kruja

Mercenarët në studiot televizive

November 19, 2021 by s p

Bajram Mjeku/

Pavarësisht a janë zgjedhjet nacionale a lokale dhe pavarësisht për cilën temë debatohet në studiot tona televizive, analistët e sotëm t’i kujtojnë mercenarët e të gjitha luftërave, të cilët luftojnë jo për liri e humanizëm, por për para e plaçkë.Ftohen burrat e botës në studio televizive dhe me një rrotullim gjuhe shpallin humbës e fitues, patriotë e tradhtarë, hajdutë e humanistë, madje pa patur njohje dhe pa u takuar asnjëherë me personat që i lavdërojnë apo i gozhdojnë si Jezusin në kodrën e Golgotës! Ky anatemim i njerëzve botërisht e çnjerëzisht, nuk ka ndodhur as në kampin komunist, kur liria e fjalës kishte çmimin e saj…Për ata që nuk e dinë, po i jap dy shembuj të gazetarëve model, por fatmirësisht ka edhe të tjerë, të cilët balancojnë gënjeshtra e mizori, të kultivuara asnjëherë më shumë se sot. Vetëm dy personalitete të shquara të gazetarisë botërore gëzuan privilegjin që nga tavolina të vlerësojnë paranojën dhe maninë e tiranit serb Sllobodan Millosheviç, pak kohë para se t’i niste katër luftëra në Ballkan. Është fjala për gazetarin amerikan, James Graff i prestigjiozes The Times, i cili që në fillim të viteve nëntëdhjetë paralajmëronte Millosheviqin “kasap të Ballkanit”. Këtë paralajmërim të së keqes e bëri edhe kolegu i tij gjermani Viktor Meier, në prestigjiozen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung. Meierin shqiptarët e kujtojnë si gardianin e Kosovës evropiane dhe kritik të rreptë të strategjisë serbomadhe. Para se të bënte një paralajmërim të këtillë për tiranin serb, Meier e kishte eksploruar skenën politike kosovare që nga shpërthimi i demonstratave shqiptare në vitin 1968 në Prishtinë. Meier eksploroi ish-Jugosllavinë më shumë se dy dekada dhe tek pastaj u bë gardian i të drejtave dhe lirive të shqiptarëve në Kosovë!Krejt në fund, me lexuesit e mi dëshiroj të ndajë diçka personale. E kam patur vetëm një ëndërr dhe ajo ishte që një ditë të bëhesha gazetar! Nuk di sa e kam përmbushur këtë ëndërr para publikut, por në dy dekadat e fundit, më ka sfiduar një tjetër ëndërr, e cila jo rrallë është përzier me makth dhe ajo është; sikur asnjëherë të mos isha gazetar!

Filed Under: Analiza Tagged With: Bajram Mjeku

PËRFAQËSIMI AUTENTIK ELIMINON ASIMILIMIN POLITIK

November 18, 2021 by s p

Nail  Draga/

Në sajë të analizës  tridhjetëvjeçare te pluralizmit politik, kur bëhët fjalë për përfaqësimin autentik të popujve pakicë  në Mal të Zi, del qartë se  pushtetit i intereson përfaqësimi sa më formal i partive nacionale në parlament, pa ndikim në vendimmarrje dhe në popullsinë e përfaqësuar, duke injoruar  raportin e  partneritetit si parim i demokracisë parlamentare, që është në kundërshtim me barazinë qytetare e nacionale sipas standardëve ndërkombëtare

Organizmi i qytetarëve përmes subjekteve  politike apo atyre nga shoqëria civile mori përmasa të mëdha mënjëherë pas miratimit të pluralizmit(1990). Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse sistemi monist ndalonte organizimin e lirë të qytetarëve, sepse çdo gjë e kishte nën kontroll partia-shtet  përmes organizatave te tyre, përmes parullës ideologjike  të “vëllazërim-bashkimit”, që ishte fasadë e vendeve të ish kampit socialist.

Nga një politikë të tillë përfide të  ideologjisë së kohës  më së shumti ishin të dëmtuar  kombësitë,  që ishte sinonim për pakicat kombëtare, përkatësisht popujt e ndarë. Në ketë aspekt ne pozitë më të pavolitshme ishin ata që ishin numërikisht më të pakët, ku shqiptarët në Mal të Zi, ishin rast tipik i kësaj kategorie. Kemi të bëjmë me kohën e sfidave  dhe mbijetesës për  ruajtjën e  identitetit kombëtar në këtë mjedis. 

Propaganda  kundër partive nacionale

Nga ana e pushtetit  themelimi i partive nacionale nuk është pritur mirë, sepse përmes tyre   demaskohej politika moniste në lidhje me  çështjet e  pabarazisë nacionale për  pjesëtarët e popujve pakicë, në Mal të Zi. Ishte  koha e mohimit të  lirisë se fjalës dhe shprehjes së mendimit, për rreth pesë dekada të kohës së monizmit, me pasoja për pjesëtarët e popujve pakicë. Duke qenë të vetëdijshëm se pluralizmi politik ishte realitet se ka kaluar koha kur  të gjithë i kishte  nën obrrelen e vet, pushteti u angazhu me  propagandë përfide kundër  partive nacionale, sidomos për shqiptarët dhe boshnjakët. 

Një propagandë e tillë ishte në sinkron me kohën kur shteti i përbashkët ish-Jugosllavia ishte në prag të shkatërrimit  si rezultat i politikës hegjemoniste serbe, që si aleat besnik  në atë kohë e kishte edhe Malin e Zi.

Të pa përgatitur emocionalisht se koha e monizmit ka përfunduar pushteti nuk kishte guxim të pranojë pabarazinë praktike të popujve pakicë andaj ka munguar shpjegimi nga ana e tyre  se cilat ishin arsyet e formimit të subjekteve të tilla politike që ishin në favor të përfaqësimit politik të popujve përkatës në këtë mozaik multinacional.

Pikërisht në rrethana të reja(1991), në vend që DPS-i të kishte qendrim kritik për kohën e kaluar e madje të kërkonin falje ndaj popujve pakicë siç quhen këtu pakicat kombëtare,   ata  vazhduan kursin e vjetër si në monizëm pa përfillur kërkesat e pakicave. Qendrimi i tillë i ngurtë dhe propaganda ndaj subjekteve nacionale të posaformuara,  duke proklamuar konceptin e shtetit qytetar  nën vellon e hegjemonizmit dëshmoi  strategjinë e pushtetit ndaj subjekteve të tyre!

Koha e mbijetesës dhe fushata antishqiptare

Nëse në monizëm, koncepti i përfaqësimit autentik ishte sintagmë e panjohur, sepse çdo gjë filtrohej nga partia-shtet, me qellim të përfaqësimit formal  me pjesëtarë të pakicës kombëtare, me individ me identitet të zbehtë kombëtar. Dhe nga të tillët ku në rend të parë ishte përshtatshmëria politike ka qenë iluzion të  angazhoheshin në avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve. Edhe pse ka pasur përjashtime, ata ishin të rrallë, sikurse ishte periudha kohore nga viti 1968 e më pas, kur edhe u realizuan disa të drejta të mohuara të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa periudha më e errët është koha pas vitit 1981, kur u zyrtarizu politika antishqiptare nga pushteti i kohës, për të luftuar gjoja dukuritë e “nacionalizmit” e “irredentizmit” shqiptarë në Mal të Zi, që pati efekte negative në këtë mjedis, sidomos në fushën e arsimit. Dhe nga një veprim i tillë i pushtetit shqiptarëve iu mohuan edhe ato pak të drejta të realizuara në praktikë, që zgjati deri më miratimin e pluralzmit politik(1990). Ishte kjo koha e mbijetesës së shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike me pasoja shumëdimensionale, që janë të pranishme deri në ditët tona.

Nga opozitë në  koalicionin qeveritar

Me miratimin e pluralizmit, përfaqësimi i shqiptarëve filloj të realizohej përmes përfaqësuesve të tyre nga ana e subjektëve politike nacionale. Eshtë tjetër gjë se sa është arritur në këtë drejtim, por angazhimet nuk kanë munguar përmes deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi. Duhet cekur se nga viti 1991-1997, çdo tentim i përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi injorohej, sepse kishim vazhdimësi të mentalitetit politik si në monizëm, ndërsa ndryshimi filloj nga viti 1997. Ishte kjo kohë e kthesës politike, me ndarjen në dy pjesë së partisë shtet(DPS), ku shqiptarët për të parën herë u bënë pjesë e Qeverisë(1998), me vendin e ministrit në Ministrinë e popujve pakicë. Duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar, disa çështje filluan të ndryshojnë në aspektin pozitiv, por është dashur të arrihet më shumë sepse shqiptarët kanë dhënë kontribut në demokratizimin e Malit të Zi, ndërsa  votat e tyre ishin vendimtare në pavarësinë e këtij vendi(21 maj 2006). 

Përfaqësuesi i partisë nacionale, në nivele të ndryshme qeveritare duhet të angazhohet për  përfaqësim të denjë autentik  në resorët përkatës për të dëshmuar jo vetëm përfaqësim nacional por edhe dëshmi profesionale. Andaj subjektët politike duhet të jenë të kujdesshëm kur përzgjedhin individët të cilët duhet të jenë profesionist të dëshmuar dhe të guximshëm për tu ballafaquar me çështjet e ndryshme, e jo oportunist apo vazal të pushtetit, sepse të tillët janë të dëmshëm për  subjektin që e përfaqësojnë. 

Përfaqësimi autentik obligim e përgjegjësi

Në spektrin politik dallimi ne mes partive politike nacionale e atyre qytetare është  se ata nacionale janë në mbrojtje të drejtave të popullatës përkatëse  ndërsa ata qytetare janë identike si nga koha e monizmit, me përfaqësim të përgjithshëm të qytetarëve. Nëse ne monizëm ishte rrezik të trajtohej pozita dhe statusi i pakicave kombëtare në pluralizëm një mundësi e tillë është praktike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje u themeluan partitë nacionale, që të jenë zëdhënëse e popujve të tyre, për avancim të pozitës dhe statusit të tyre. Dhe nga një moment i tillë na paraqitet edhe sintagma përfaqësimi autentik, që nënkupton përfaqësuesit e partive nacionale, duke eliminuar një mundësi të tillë atyre shqiptarëve që janë në partitë qytetare-malazeze. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse shqiptarët në partitë malazeze  nuk kanë  trajtuar kërkesat e shqiptarëve për barazi nacionale e qytetare. Më një fjalë ata janë aty për interesa të ngushta personale dhe si të tillë janë të pazëshëm për çështjet preokupuese të popullsisë shqiptare, sepse të tillat sipas tyre janë në ingerencë të partive nacionale. Pikërisht një qasje e tillë dëshmon dallimin ne mes shqiptarëve në partitë qytetare-malazeze dhe ata nacionale! 

Injorohet parimi i  partneritetit

Në sajë të analizës  tridhjetëvjeçare te pluralizmit politik, kur bëhët fjalë për përfaqësimin politik të popujve pakicë  del qartë së pushtetit i intereson përfaqësimi sa më formal i partive nacionale në parlament, pa ndikim në vendimmarrje dhe pa efekte pozitive për popullsinë e përfaqësuar, duke injoruar  raportin e  partneritetit si parim i demokracisë parlamentare.

Madje në këtë linjë nga ana e pushtetit(DPS) janë bërë ndryshime në ligjin zgjedhor(2011) ku pakicave(boshnjake e shqiptare) iu është rezervuar 0.7% e votave të vlefshme për pjesëmarrje në ndarjen e mandatëve që më së shumti mund të jenë 3 mandate deputeti, ndërsa për kroatët kjo përqindje është 0.35%. Nga një formulim i tillë shqiptarët humbën të drejtat e arritura, që u dëshmu nga zgjedhjet vijuese(2012) e më pas. Ndryshimi i ligjit zgjedhor, në favor të popujve pakicë, sipas standardëve ndërkombëtare duhet të jetë obligim shtetëror, sepse vetëm përfaqësimi autentik eliminon asimilimin politik.

Përfundimisht del qartë se pushtetit i konvenon që pakicat të jenë të përfaqësuar sa me pak deputet, e mundësisht edhe ata të jenë formal me kostumin e pushtetit, pa ndikimin e duhur në vendimarrje, ku në një situatë të tillë pakicat humbin peshën e tyre politike, ndërsa pushteti ka realizuar objektivin e vet duke zbehur apo eliminuar identitetin politik të popujve pakicë. 

                                                                                                            (Nëntor 2021)                                                                                                          

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

FUNDI I ADELINËS DHE SHTETI I MUNGUAR

November 17, 2021 by s p

“ISHTE NJË AMAZONË PA SHQYT”

Myrta Merlino kujton gruan e vdekur pa shtetësi

Nga GIUSI FASANO

Vetëm dhe e dëshpëruar. Në xhep një leje qëndrimi me tre ”x” në vënd të kombësisë: Apolide. Në kokë më shumë guxim për të vdekur se sa për të jetuar.

Adelina 113 kapërceu parmakun e Urës Garibaldi e i u dorëzua errësirës, zbrazësirës, vdekjes. Dy kalimtarë e panë të shkonte drejt vdekjes, por ishin shumë larg për t’u përpjekur t’a shpëtonin. Binte shi me gjyma, mbi rrahjet e fundit të zemrës së saj e lotët, nëse ka qarë, janë humbur në shi. I janë afruar të parët policët e një patrulle të policisë hekurudhore. Kishte vdekur në vend, nën rrebeshin romak të natës ndërmjet të shtunës e të djelës së shkuar.

Jeta kishte qënë e egër me atë grua deri në çastin e fundit. Por, për të qënë të sinqertë, me atë qe i egër edhe Shteti italian, që ishte dashur t’a ndihmonte në shenjë mirënjohjeje për atë që kishte bërë ajo. Ndërsa e braktisi mbasi e kishte kthyer në një simbol. Myrta Merlino, gazetare, shkrimtare dhe autore programesh televizive, thotë se Adelina 113 “ishte një luftëtare, një amazonë pa shqyt”, e kishte ftuar shumë herë në emisionin Era që fryn (7), e me zor i mban lotët kur flet, sepse ka qënë e fundit së cilës i ka kërkuar ndihmë gjatë emisionit, tre ditë para se të vetëvritej, “dhe un nuk dita t’a kap vështrimin e saj të fundit”, vetëqortohet Myrta. “Me të kam humbur un, ka humbur Shteti tek i cili ajo besonte shumë, herë herë aq i verbër e i padrejtë. Ka humbur sistemi me burokracinë e tij vetëm në një kah. Ka humbur televizioni, që përtej të treguarit është i pafuqishëm.Qava nga zemërimi e shpresoj që ajo të na ketë falur të gjithëve”.

Të kërkohej ndihmë për Adelinën do të thoshte vetëm një gjë: të kishte nënshtetësinë italiane. Ishte ëndrra e saj e vetme.

Kishte lindur në Durrës, në Shqipëri, më 1974. Në moshën 22 vjeçare ishte gënjyer nga miklimi i një t’ardhmeje të shkëlqyer në Itali. Ajo si mijra të tjerë “t’inkurajuar nga bukuria e parë në televizion”, arriti në gomone në këtë Vënd që “i shëmbëllente një ëndërre të shtrirë për së gjati për t’u tharë”, për t’a thënë me poetiken Bukë e kurajë të Ivano Fossatit.

Njerëzit e premtimeve të gënjeshtërta e kthyen në një kurvë e në një skllave me fuqinë e grushtave. “Më prenë një këmbë me gërshërë e në plagët më hodhën kripë për të më dhembur më shumë” , tregoi ndërmjet mijë gjërave të tjera, kur më së fundi doli, mbas katër vitesh. Ishte betuar në vetvete se nuk do të kishte vdekur skllave e kështu në një natë, në Vareze, vendosi që asnjë nuk do t’a përdhunonte më. Thirri 113 e i u dorëzua në besë Shtetit. Që atëherë për karabinierët dhe policinë, që e kanë ndihmuar gjithmonë, u bë ”Adelina 113”, një lloj pseudonimi që e mbajti edhe gjatë hetimeve dhe proçeseve të lindura nga bashkëpunimi me Drejtësinë (emri i saj i vërtetë ishte Alma Sejdini).

Me dëshmitë e saj bëri të arrestohen 40 shqiptarë që vendosnin për jetën dhe vdekjen e femrave të përfunduara në kthetrat e tyre (shfrytëzues, pastaj të dënuar deri në njëzet vite burg). Ka bashkëpunuar gjithmonë me Prokuroritë e forcat e rendit pa ngurim e frikë, ka qënë një shëmbull për dhjetra e dhjetra femra që, në sajë të saj  i u kundërvunë organizatave kriminale të kurvërisë, e ka shpënë zërin e saj në Senat, edhe në komisionin e Çështjeve Kushtetuese si eksperte në gjëndjen dramatike të prostitutave. Ka folur nëpër shkolla, ka vënë në shërbim kohën dhe energjinë e saj kudo ku kishin nevojë për të. Një qytetare model pa nënshtetësi. Një paradoks.

Kishte qënë vetë Myrta Merlino, më 2019, t’i a paraqiste rastin ministrit të atëhershëm të punëve të Brëndëshme, Matteo Salvini. Ai ishte interesuar që ajo të merrte një leje qëndrimi të posaçme, në pritje të praktikës burokratike për nënshtetësinë. Por pastaj, ndërmjet  këmbimit të qeverive dhe gjatësisë së  çdo hapi burokratik, Adelina 113 u gjënd përsëri me përfundimin e lejes së qëndrimit. Vetëm se këtë herë kishte edhe një tjetër arsye më shumë për t’u ndjerë e vetme dhe e dëshpëruar: një tumor shumë agresiv që e kishte shtrënguar të bënte cikle rrënuese kemioterapie dhe një dobësim të vazhdueshëm.

Nëse kishte mbetur ende në këmbë kundrejt një fati kaq të zi, ishte se vazhdonte të ushqente atë ëndërr: të shuante nga jeta e saj turpin e tre “x”. “Un jam një fantazmë pa Shtet” përsëriste gjithmonë.

“E dashuronte Italinë e ndjehej thellësisht italiane”, kujton Myrta. “Në Shqipëri nuk dua të kthehem as e vdekur”, i kishte thënë herën e fundit që kishin biseduar. E kështu do të jetë. Do të mbetet këtu përjetë, asnjë “x” nuk do t’a kthejë mbrapa.

“Corriere della Sera”, 11 nëndor 2021   Përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

NUK MUND TË KETË ARDHMËRI ME SHIKIM NË RETROVIZORËT E HISTORISË

November 16, 2021 by s p

Nga prof.dr. Skender ASANI

Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj zhvendosja nga dhomat e tymosura të historisë në ambientet ajrosura të së ardhmes i bëjnë mirë shëndetit të popujve të Ballkanit dhe ardhmërinë e tyre e vendosin në rrugë me shpejtësi më të mëdha.

Marrëdhëniet në mes të popujve në Ballkan gjithmonë kanë qenë të ngarkuara me tensione dhe raporte të pasqaruara etnike si pasojë qasjes së gabuar të elitave politike për t’i tejkaluar ato probleme. Ka kohë që flitet për një paqe të përgjithshme në Ballkan, mirëpo si duket oligarkive politike iu konvenon status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska,  kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë sl Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë si një aleat që do të mund ta nxirrte nga ngërçi i marrëdhënieve të tensionuara me Bullgarinë. 

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet sa më parë ta rikthejnë agjendën e mirëkuptimit reciprok në një proces politik i cili do t’i largonte mjegullat e historisë nga tryeza e negociatave. Nuk ka zgjidhje të mosmarrëveshjeve me formula historike të shek. 19, për arsye se tani jetojmë në një realitet të ri, politik, social e ekonomik. 

Kjo vlen edhe për kontestin në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të shmangen nga hijet e së kaluarës dhe t’i mbështeten plotësisht procesit eurointegrues të BE, që parasëgjithash kërkon fqinjësi të mirë dhe besim reciprok në mes të palëve.

 Shtetet e rajonit tani kanë arritur t’i përshtaten një harte të re gjeopolitike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sot kemi komplet një realitet të ri. Maqedonia është e pavarur, Kosova gjithashtu, ndërkohë që Bullgaria e Serbia duhet ta pranojnë dhe respektojnë këtë realitet. Por edhe elitat politike në Prishtinë dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste të problemeve. 

Nuk mund të ecet përpara duke e mbajtur shikimin në retrovizorin e historisë sepse aksidentet në rrugëtim janë të pashmangshme. Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj zhvendosja nga dhomat e tymosura të historisë në ambientet ajrosura të së ardhmes i bëjnë mirë shëndetit të popujve të Ballkanit dhe ardhmërinë e tyre e vendosin në rrugë me shpejtësi më të mëdha.

Shkup, 15 nëntor, 2021

(Autori është drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup)  

Filed Under: Analiza Tagged With: Skender Asani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • 229
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT