• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHMI SHKENCORE PËR PËRKATËSINË ILIRO-SHQIPTARE TË EPIRIT

April 13, 2022 by s p

Sherif Delvina, E vërteta mbi Epirin, Botoi:”Fllad”, Tiranë, 1999.

Trajtimi i çështjeve që kanë të bëjnë me hapësiren etnogjeografike shqiptare sidomos asaj jugore ka vite që është  bërë objekt studimi për personalitete të shkencës dhe kulturës  shqiptare. Ne veçanti kjo çështje fitoj një dimension tjetër pas dështimit të monizmit sepse ne pluralizëm u krijuan rrethana të tjera  të favorshme duke mos pasur tema tabu, apo qasje ideologjike siç ishte më parë në Shqipëri. Nder studiuesit më të zellshëm dhe serioz ne këtë gamë bën pjesë Sherif Delvina, i cili ne këtë aspekt ka dhënë një kontribut më peshë për historiografinë kombëtare shqiptare. 

Nail  Draga

Ne shek.XIX, tek fqinjët tanë na u paraqiten dy projekte politike të cilat ishin tërësisht ekspansioniste  në dëm të popujve tjerë për të realizuar endrrat e tyre mesjetare. Fjala është për “Megaliidenë” greke(1843) dhe “Naçertanien” serbe(1844) ku si qellim final kishin rimbëkëmbjen e perandorive të tyre  mesjetare  ate të Bizantit dhe të Car Dushanit. Dihet historikisht se pasojat e këtyre projektëve i kanë përjetuar në mënyrë të drejtpërdrejt shqiptarët duke filluar nga Kongresi i Berlinit(1878) dhe Konferenca e Londrës(1913) sepse  më së dy të tretat e hapësirës etnogjegrafike shqiptare u aneksua  nga fqinjët tanë sllavet dhe grekët. 

Por, megjithë këto përfitime territoriale oreksi i tyre nuk ka të ngopur që dëshmohet me politikën e tyre shtetërore të zhvilluar ne vazhdimësi, duke shpifur e trilluar ne lidhje mbi autoktoninë iliro-shqiptare dhe hapësiren etnogjeografike shqiptare në Siujdhesën Ballkanike. 

Ne këtë gamë të qasjeve janë të njohur në veçanti disa struktura klero-shoviniste greke, të cilët ende trumpetojnë për jugun e Shqipërisë, duke shpikur dhe krijuar sajesa te ndryshme  territoriale. Ne këtë aspekt ato shpiken sajesen Vorio Epiri që është aspiratë territoriale ndaj shtetit shqiptarë. E tërë kjo politikë ne rrethana të reja shoqërore pas dështimit të komunizmit është transparente dhe nga ana e tyre bëhët gjoja për mbrojtje te të drejtave të minoritarëve grekë në Shqipëri, ku këto qarqe të tillë i konsiderojnë të gjithë  shqiptarët ortodoksë.

Duke qenë dëshmitarë i të gjitha këtyre akrobacionëve politike më pasoja për popullin dhe shtetin shqiptarë, intelektuali dhe studiuesi i zellshëm Sherif Delvina  opinionit shqiptarë i dhuron  librin “E vërteta mbi Epirin”.Është ky një libër i veçantë për nga lënda e trajtuar dhe  me një qasje analitike dhe argumente shkencore që demaskon politikën shoviniste greke ndaj aspiratave dhe falsifikimëve të realitetit historik dhe gjeografik të jugut shqiptar. 

Libri paraqet një përmbledhje të artikujve të botuar nga viti 1992-1999 ne gazeta të ndryshme në Shqipëri. Nuk ka dyshim se ne saje të tyre artikujve  të cilët për nga përmbajtja janë shkencorë, analitikë dhe publicistikë autori ka bërë sensibilizimin e opinionit shqiptarë ne lidhje me disa çështje të cilat ose kanë qenë tabu apo të panjohura për opinionin e gjërë.

Autori librin e ka   konceptuar në atë mënyrë  që përbëhët prej nëntë pjesëve të cilat paraqesin një unitet të qasjeve të autorit për hapësirën etnogjeografike shqiptare nga koha antike e deri në ditët tona.

Në këtë botim më vlerë  autori ofron të dhëna më interes për hapësirën etnogjeografike shqiptare, duke theksuar së para Kongresit të Berlinit(1878), Shqipëria e kishte sipërfaqen 110.000km2, më popullsi kompakte shqiptare dhe më pakica kombëtarë të parëndësishme. Kongresi i Berlinit u quajt nga rilindasit më të drejt varrimi i Shqipërisë, por ky nuk kishte qenë ende varrimi i Shqipërisë, sepse  pas atij kongresi në Shqipëri ngeli Kosova, ngeli Maqedonia, Çamëria, Grebeneja, Kosturi, dhe sundimi osman ishte i përkohshëm, kurse pushtimi nga fqinjët ishte i përhershëm.

Por, më 1913, kinse në luftën kundër turqëve, me përkrahjën e Fuqive të Mëdha, këto toka u quajtën “turke” dhe hapësira etnogjeografike shqiptare u zvoglua gjithnjë. Madje nëse analizohen të dhënat nga viti 1491 kur janë bërë regjistrimet e Ballkanit të pushtuar nga osmanët, në Ballkan del se janë mbi 266 mijë familje në trojet shqiptare, duke filluar nga veriu e deri në Artë.Ne atë kohë ne kemi pasur popullatë më të madhe se grekët dhe territor më të madh se grekët e serbët, Shqipëria është rrudhur dhe është bërë mbi tre herë më vogël se çka qenë.

Delvina është i qartë ne konstatimet e tija kur ceken pa hezitim  se duhet thënë e vërteta duke u bazuar ne dokumentet e kohës pamvarësisht se tash jemi ne rrethana të reja shoqërore dhe politike me fqinjët tanë. Andaj më të drejt cekën se nuk duhet heshtur për spastrimin etnik të territorëve shqiptare  në shek.XIX, siç është rasti  për 300.000 shqiptarët e shpërngulur më dhunë nga Sanxhaku i Nishit, po ashtu për historinë e Artës, të cilët grekët e morën pas 1878-ës, pastaj për Sulin etj. I brengosur për prezantimin dhe falsifikimin e të kaluarës sonë  historike ne tekstet shkollore tek fqinjët grek, ai na ofron shembullin e  suliotëve. Ato   thekson Delvina grekët i kanë  në çdo tekst shkollor, ku në to thuhet se suliotët janë hedhur nga shkëmbi i Zallongut për të ruajtur nderin. Këtë ngjarje heroike të vjedhur nga heroizmi shqiptar grekët e kanë kthyer nga vetja dhe i mbajnë si heroizmin më të madh të tyrin! S’ka tekst grek ku nuk është Marko Boçari, Bubulina etj. Ne ruhemi se mos na prishet politika me grekun.Ne duhet ta dimë se ç’na kanë marrë e ç’na kanë ngrënë vazhdimisht fqinjët tanë konstaton më të drejt Delvina.

Ne këtë botim më vlerë autori trajton ne detaje “Megaliidenë” si dhe sajesen e shovinstëve grek “Vorio Epir” e cila ka të bëj më pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë së Jugut, duke dëshmuar në mënyrë shkencore për përkatësinë iliro-shqiptarë të Epirit. Ndërsa duke bërë fjalë për minoritarët grekë ai më të drejt konstaton se ato  janë shumë vonë të pranishëm ne territoret shqiptare, gjegjësisht janë  ardhacakë, argatë të sjellë këtu në kohën e Ali Pashë Tepelenës dhe përbëjnë një enklavë në viset shqiptare.

Duke marrë kompleksin politik te grekëve për këto territore dhe ndaj   popullatës shqiptare ortodokse falsifikimi i të dhënave historike dhe i statistikave demografike kur është në pyetje numri i minoritarëve shqiptarë në Greqi dhe i minoritarëve grekë në Shqipëri është bërë dëtyre patriotike dhe shtetërore numër një e shovinizmit grek. Nga ana tjetër me qellim heshtet numri i mbi dy milion arvanitasve ne Greqi.

Dhe në fund duhet thënë se një libër i tillë është i mirëseardhur jo vetëm për studiuesit dhe individet që iu intereson çështja kombëtare dikur dhe sot, por edhe për  opinionin e gjërë. Botuesit shqiptarë mendoj se do të bënin një punë më vlerë nëse ketë botim do ta  përkthenin në gjuhën angleze në tërësi apo apo në formë të sintetizuar. Sepse vetëm ne këtë formë do të informojmë opinionin ndërkombëtar në lidhje mbi realitetin shkencor, autoktoninë dhe vazhdimësinë historike iliro-shqiptare të kësaj pjesë të hapësirës etnogjeografike shqiptare. Të dhënat e ofruara ne saje të konsultimit të një literature selektive shkencore, hulumtimit të dokumentave te trajtuar  në sinkroni dhe diakroni bëjnë që libri “E vërteta mbi Epirin” të jetë një enciklopedi ne vehte për këtë regjion gjeografik i cili ka pasur një të kaluar të bujshme  historike nga koha antike e deri në ditët tona.Dhe një libër të tillë ka mundur të na ofrojë vetëm Sh. Delvina i cili është padyshim   studiuesi më  i zellshëm dhe erudit  i kësaj çështjeje në kohën tonë.

In memoriam

 Sherif  Delvina

(1932-2022)

Në Tiranë me 7 pill 2022, në moshën 90-vjeçare vdiq Sherif Delvina, historiani, studiuesi, përkthyesi, dramaturgu, intelektuali dhe  publicisti i shquar, autor i disa botimeve shkencore nga fusha  e historisë. Ai rridhte nga një familje e shquar intelektualësh  dhe patriotësh, me ndikim në historinë e Shqipërisë. Si rrallë kush mblodhi dhe dëshifroi e interpretoi harta të disa autorëve europianë nga antikiteti e dei në vitin 1913, kur më së gjysma e hapësirës etnogjografike shqiptare  nga vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës iu  dhuruan fqinjëve(sllavë  e grekë).

Prof.Sherif Delvina  është autor  i 14 librave, 18 libra me bashkëautor, ndërsa ka publikuar  me qindra  artikuj e studime  në shqip dhe gjuhë të huaj.

Nga botimet veçojmë:E vërteta mbi Epirin(1999), Kosova një mit serb, apo një realitet historik shqiptar(2000), Mid`hat Frashëri: minister fuqiplotë në  Athinë,1923-1926(2002),  Udhëtarët e huaj në Shqipëri-gjerë në fund të shekullit XIX nga Lumo Skendo(2012) etj.

Në nderim të autorit. më këtë rast po ribotoj recensionin për librin “E vërteta mbi Epirin”të shkruar në vitin 2004.

Filed Under: Kulture Tagged With: Nail Draga

STUDIUES EMINENT I HISTORISË MESJETARE SHQIPTARE

November 26, 2021 by s p

(Me rastin e 90-vjetori të  vdekjës së Milan Shuflajt 1879-1931)

Ndër studiues të huaj të cilën kanë treguar interesim të veçantë për hulumtimet shkencore historike për mesjetën shqiptare dallohet historiani  kroat me origjinë hebreje dr.Milan Shuflaj. Ndonëse nuk jetoi gjatë ai botoi dhe la në dorëshkrim artikuj, studime e monografi shkencore historiografike duke argumentuar prejardhjën ilire të shqiptarëve, duke mbetur model për kohën kur jetoi dhe veproi si  dhe  referencë  e obligueshme profesionale  për çdo studiues  për historinë mesjetare shqiptare.

Nail  Draga

Milan Shuflaj ka lindur në vitin 1879, në Lepogllavë të Kroacisë. Shkollën fillore e mbaron në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Zagreb, ku laureohet si nxënësi më i mirë i gjeneratës së tij. Në Universitetin e Zagrebit ka studiuar shkencat shoqërore. Doktoron në vitin 1901.

Në vitin 1902, Shuflaj mbron me sukses provimin për profesor në shkencat ndihmëse të historisë, në Universitetin e Zagrebit. Në vitet 1902-1903 specializohet në Vjenë, në “Österreichische Institut für Geschichtsforschung”, në fushat e paleografisë latine, diplomacisë, kronologjisë dhe notariatin, te profesorët O. Redlicha dhe A. Dopscha.

Në vitet 1904-1908, dr. Shuflaj punon si asistent në bibliotekën kombëtare “Szeczeny” të Budapestit. Këtu thellon njohuritë në fushën e ballkanologjisë dhe sidomos albanologjisë.

Në vitin 1908 emërohet profesor i rregullt për shkencat ndihmëse të historisë në Universitetin e Zagrebit. Ndërsa në vitin 1918, me kërkesën e tij pensionohet, e pastaj boton pjesën e tretë të Historisë së Shqipërisë, të cilën kishte planifikuar ta shkruante në tetë vëllime, me titull, Die kirchenzustände im vortürkischen Albanien.

Si i pa përshtshëm për sistemin në dhjetor të vitit 1920, burgoset, ku dënohet me tre vjet e gjysmë burg, të cilat i bën në Mitrovicën e Sremit.

Në vitin 1928  emërohet profesor i rregullt në Universitetin e Budapestit, por për shkak se nuk i jepet  pasaporta, detyrohet ta refuzojë këtë emërim. Vritët me 18/19 shkurt 1931 në Zagreb nga agjentët e diktaturës së Mbretërisë Jugosllave. Pas vrasjes, në shtëpinë e tij policia bëri bastisje  duke zhdukur materiale të vlefshme me vlera unikale.

Studiues i historisë mesjetare

Në asjë të angazhimit profesional duke hulumtuar e mbledhur dokumente nëpër arkivat e Dalmacisë, Shuflaj, zbulon materiale burimore shumë interesante, të pabotuara, që i takonin mesjetës shqiptare. Ishte pikërisht kjo periudhë, e cila  zgjon interes të jashtëzakonshëm te studiuesi i ri, duke u bërë me pas   qëllimi  kryesor i veprimtarisë  së tij shkencore. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, nga pena e dr. Milan Shuflajt dolën studime  me vlera të larta shkencore me theks të veçantë  në fushën e albanologjisë. E tillë është vepra monumentale “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, të cilën e boton në dy vëllime së bashku me L.Thallocin dhe K.Jireçekun(1913 dhe 1918). Me këtë rast po evidentojmë disa studime të cilat kanë të bëjnë enkas me shqiptarët si:

1.Rrethanat kishtare të Shqipërisë paraturke, Budapest, 1916.
2. Konstatin Balshaj (1392-1401)– roman historik, Zagreb 1920 me nenshkrimin Alba Limi.
3. Qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë, Kryesisht në Mesjetë, Vjenë 1924.
4. Historia e Shqiptarëve të Veriut, botuar në Beograd 1924. 

5. Serbët dhe Shqiptarët- simbioza e tyre në Mesjetë, Beograd 1925.  

6. Historia e Shqiptarëve të Veriut – studim sociologjik, Beograd, 1925. 

Në opusin e tij kriues Shuflaj trajton me akribi shkencore  qytetet bregdetare shqiptare  gjatë mesjetës  të cilët kanë përjetuar pushtime të ndryshme duke sfiduar rrethanat e kohës  nga dyndjet e popujve deri nën pushtimin e Perandorisë Osmane. 

Në mënyrë të veçantë trajton  qytetet si: Durrësi, Lezha, Shkodra, Drishti,Tivari dhe Ulqini  të cilët kanë pasur një  zhvillim ekonomik e tregtar duke u dalluar në veçanti me qeverisjën lokale që dëshmohet me statutët e tyre të kohës. 

I paisur me njohuri profesionale  në aspektin metodologjik  ai veçohej me shqyrtim shkencor shumëplanesh si nga paleografia, onomastika, toponimia etj.,duke qenë model  për kohën. Një qasje  të tillë ia mundësonte  edhe njohja e gjuhëve të huaja si: gjermanishtë, hungarishtë, latinishtë, greqishtë, frëngjishtë, hebraishtë, gjuhet sllave  si dhe gjuhen shqipe. 

Duke marrë parasysh se veprimtaria e tij  studimore kryesisht historike ka qenë e shpërndarë nëpër revista e gazeta të ndryshme, sipas disa informacioneve që disponojmë  deri sa ishte gjallë regjistri i zërave të tij bibliografikë arrinë në tre mijë, duke mbetur model jo vetëm për kohën e  tij.

Ftesë nga Shqipëria

Duke parë angazhimin profesional dhe pasionin për të kaluarën e popullit shqiptar, në vitin 1929, Akademia Vjeneze e Shkencave i propozon dr. Shuflajt që të vazhdonte vjeljen e lëndës arkivore për vazhdimin e botimit të ”Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, vëllimet III-V.

Këtë iniciativë e përkrahu edhe qeveria e Mbretërisë Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë e saj që të hiqte shpenzimet për një ndërmarrje të tillë kaq serioze dhe të vlefshme, ku Dr. Milan Shuflaj u ftua të vizitojë Shqipërinë.

Me ftesë të shtetit shqiptar  pas shumë pengesash në lidhje me pajisjën me pasaportë, ai arrin  në Shqipëri  më 12 janar  të vitit 1931. Ai u prit me nderime të larta shtetërore që nga Mbreti Zog, Kryeministri, pjesëtar të kabinetit qeveritar, dhe më në fund nga anëtarët e parlamentit shqiptar. Gjatë qendrimit ne Shqipëri, Dr. Shuflaj më 16 Janar 1931, mbajti një fjalim në Parlamentin Shqiptar, ku në mënyrë të hollësishme foli për punën rreth botimit të vëllimeve në vazhdim të Acta Albaniae si dhe të Historisë së Shqipërise. Për këtë gjë, Parlamenti Shqiptar urdhëroi Ministrin e Arsimit që në emer të shpenzimeve të paguante në llogari të Milan Shuflajt, shumën prej 75000 frangash ari, që sot është e barabartë me disa miliona dollar.

Vizita në Shqipëri në shtypin e kohës 

Ardhja e tij në Shqipëri u cilësua si një ngjarje e veçantë jo vetëm kulturore, ku ka shkruar shtypi i kohës. 

Kështu gazeta  “Arbënia” e datës 16 janar 1931, në rubrikën “Lajme të Shkurtra” thuhej: “Gjendet në kryeqytet Z. Profesor Shuflaj, i Zagrebit. Zotëria e ti ka botuar tre volume dokumente, historike të Shqipërisë dhe ka për të botuar të katërtin volum. Këtu ka ardhur për t’u marr veshë me Qeverinë mbi mënyrën e mbledhjes së dokumenteve e të botimit të volumit.  Bisedimi që pati me  ministrin e arsimit, u përfundua me një dakord mbi të gjitha pikat”.

Ndërsa në gazetën “Vullneti i Popullit” me datën 25 Janar 1931 në artikullin “Profesori

Milan Sufflay dhe histori e Shqipëris”, Lumo Skendo(Mit´hat Frashëri) vizitën e Shuflajt në Shqipëri e komenton në këtë mënyrë: ”Në kryeqytet të vogël tënë patëm fatin të shohim pesë ditë fytyrën interesante të profesorit Shuflaj dhe të dëgjojmë fjalët e tij simpatike. Kjo qe për neve një zijafet intelektual që mjerisht nuk e gëzojmë shpesh.”

 Cekim me këtë rast se me Shuflajn kanë  pasur korrespendencë  personalitete të ndryshme nga bota shkencore e kulturore europiane, ndërsa nga shqiptarët veçohet Mit`hat Frashëri, intelektual i rrallë i botës shqiptare të kohës.

E vërteta historike  si shkak për vrasje

Duke marrë parasysh se rrethanat politike e shoqërore në Mbretërinë e Jugosllavisë ku ishte vendosur diktatura, të gjithë  jo serbët nëse nuk vepronin sipas politikës së tyre hegjemoniste ishin të kërcënuar me jetë. Dhe nga një politikë të tillë shovinste e pësoi Milan Shuflaj, të cilin agjentët serb e likuiduan në Zagreb me 19 shkurt 1931, një  ditë pasi u kthye nga Shqipëria.

Vepra jetësore e Shuflajt me rëndësi kapitale për shqiptarët ishte  “Acta et diplomata res Albaniae mediae Aetalis ilustratia”, duke   theksuar se sa ishte gjallë pati botuar dy vëllime, ndërsa në përgatitje kishte vëllimin e tretë. Ishte pikërisht ky vëllim dhe interesimi për historinë e shqiptarëve që iu pengonte e vërteta historike shovinistëve serb, andaj e vranë në mënyrë  kriminale. Duhet të themi se sa ishte gjallë Shuflaj mendonte se dokumentet për historinë e Shqipërisë do jenë gjithsej gjashtë vëllime  që mbeti ide e pa realizuar, sepse e vërteta hostirke e shqiptarëve iu pëngonte shovenistëve serb.   

Të gjithë ata të cilët duan të trajtojnë kohën e mesjetës shqiptare shkrimet e Shuflajt  janë obligim si referencë profesionale për çdo studiues, sepse ky mbetët autoriteti i pa kontestueshëm  shkencor të kësaj periudhe  për historinë mesjetare shqiptare.

https://fjala.info/2020/milan-sufflay.jpg

Milan  Shufflay (1879-1931)

Filed Under: Reportazh Tagged With: Nail Draga

PËRFAQËSIMI AUTENTIK ELIMINON ASIMILIMIN POLITIK

November 18, 2021 by s p

Nail  Draga/

Në sajë të analizës  tridhjetëvjeçare te pluralizmit politik, kur bëhët fjalë për përfaqësimin autentik të popujve pakicë  në Mal të Zi, del qartë se  pushtetit i intereson përfaqësimi sa më formal i partive nacionale në parlament, pa ndikim në vendimmarrje dhe në popullsinë e përfaqësuar, duke injoruar  raportin e  partneritetit si parim i demokracisë parlamentare, që është në kundërshtim me barazinë qytetare e nacionale sipas standardëve ndërkombëtare

Organizmi i qytetarëve përmes subjekteve  politike apo atyre nga shoqëria civile mori përmasa të mëdha mënjëherë pas miratimit të pluralizmit(1990). Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse sistemi monist ndalonte organizimin e lirë të qytetarëve, sepse çdo gjë e kishte nën kontroll partia-shtet  përmes organizatave te tyre, përmes parullës ideologjike  të “vëllazërim-bashkimit”, që ishte fasadë e vendeve të ish kampit socialist.

Nga një politikë të tillë përfide të  ideologjisë së kohës  më së shumti ishin të dëmtuar  kombësitë,  që ishte sinonim për pakicat kombëtare, përkatësisht popujt e ndarë. Në ketë aspekt ne pozitë më të pavolitshme ishin ata që ishin numërikisht më të pakët, ku shqiptarët në Mal të Zi, ishin rast tipik i kësaj kategorie. Kemi të bëjmë me kohën e sfidave  dhe mbijetesës për  ruajtjën e  identitetit kombëtar në këtë mjedis. 

Propaganda  kundër partive nacionale

Nga ana e pushtetit  themelimi i partive nacionale nuk është pritur mirë, sepse përmes tyre   demaskohej politika moniste në lidhje me  çështjet e  pabarazisë nacionale për  pjesëtarët e popujve pakicë, në Mal të Zi. Ishte  koha e mohimit të  lirisë se fjalës dhe shprehjes së mendimit, për rreth pesë dekada të kohës së monizmit, me pasoja për pjesëtarët e popujve pakicë. Duke qenë të vetëdijshëm se pluralizmi politik ishte realitet se ka kaluar koha kur  të gjithë i kishte  nën obrrelen e vet, pushteti u angazhu me  propagandë përfide kundër  partive nacionale, sidomos për shqiptarët dhe boshnjakët. 

Një propagandë e tillë ishte në sinkron me kohën kur shteti i përbashkët ish-Jugosllavia ishte në prag të shkatërrimit  si rezultat i politikës hegjemoniste serbe, që si aleat besnik  në atë kohë e kishte edhe Malin e Zi.

Të pa përgatitur emocionalisht se koha e monizmit ka përfunduar pushteti nuk kishte guxim të pranojë pabarazinë praktike të popujve pakicë andaj ka munguar shpjegimi nga ana e tyre  se cilat ishin arsyet e formimit të subjekteve të tilla politike që ishin në favor të përfaqësimit politik të popujve përkatës në këtë mozaik multinacional.

Pikërisht në rrethana të reja(1991), në vend që DPS-i të kishte qendrim kritik për kohën e kaluar e madje të kërkonin falje ndaj popujve pakicë siç quhen këtu pakicat kombëtare,   ata  vazhduan kursin e vjetër si në monizëm pa përfillur kërkesat e pakicave. Qendrimi i tillë i ngurtë dhe propaganda ndaj subjekteve nacionale të posaformuara,  duke proklamuar konceptin e shtetit qytetar  nën vellon e hegjemonizmit dëshmoi  strategjinë e pushtetit ndaj subjekteve të tyre!

Koha e mbijetesës dhe fushata antishqiptare

Nëse në monizëm, koncepti i përfaqësimit autentik ishte sintagmë e panjohur, sepse çdo gjë filtrohej nga partia-shtet, me qellim të përfaqësimit formal  me pjesëtarë të pakicës kombëtare, me individ me identitet të zbehtë kombëtar. Dhe nga të tillët ku në rend të parë ishte përshtatshmëria politike ka qenë iluzion të  angazhoheshin në avancimin e pozitës dhe statusit të shqiptarëve. Edhe pse ka pasur përjashtime, ata ishin të rrallë, sikurse ishte periudha kohore nga viti 1968 e më pas, kur edhe u realizuan disa të drejta të mohuara të shqiptarëve në Mal të Zi. Ndërsa periudha më e errët është koha pas vitit 1981, kur u zyrtarizu politika antishqiptare nga pushteti i kohës, për të luftuar gjoja dukuritë e “nacionalizmit” e “irredentizmit” shqiptarë në Mal të Zi, që pati efekte negative në këtë mjedis, sidomos në fushën e arsimit. Dhe nga një veprim i tillë i pushtetit shqiptarëve iu mohuan edhe ato pak të drejta të realizuara në praktikë, që zgjati deri më miratimin e pluralzmit politik(1990). Ishte kjo koha e mbijetesës së shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike me pasoja shumëdimensionale, që janë të pranishme deri në ditët tona.

Nga opozitë në  koalicionin qeveritar

Me miratimin e pluralizmit, përfaqësimi i shqiptarëve filloj të realizohej përmes përfaqësuesve të tyre nga ana e subjektëve politike nacionale. Eshtë tjetër gjë se sa është arritur në këtë drejtim, por angazhimet nuk kanë munguar përmes deputetëve në Kuvendin e Malit të Zi. Duhet cekur se nga viti 1991-1997, çdo tentim i përfaqësuesve shqiptarë në Kuvendin e Malit të Zi injorohej, sepse kishim vazhdimësi të mentalitetit politik si në monizëm, ndërsa ndryshimi filloj nga viti 1997. Ishte kjo kohë e kthesës politike, me ndarjen në dy pjesë së partisë shtet(DPS), ku shqiptarët për të parën herë u bënë pjesë e Qeverisë(1998), me vendin e ministrit në Ministrinë e popujve pakicë. Duke qenë pjesë e koalicionit qeveritar, disa çështje filluan të ndryshojnë në aspektin pozitiv, por është dashur të arrihet më shumë sepse shqiptarët kanë dhënë kontribut në demokratizimin e Malit të Zi, ndërsa  votat e tyre ishin vendimtare në pavarësinë e këtij vendi(21 maj 2006). 

Përfaqësuesi i partisë nacionale, në nivele të ndryshme qeveritare duhet të angazhohet për  përfaqësim të denjë autentik  në resorët përkatës për të dëshmuar jo vetëm përfaqësim nacional por edhe dëshmi profesionale. Andaj subjektët politike duhet të jenë të kujdesshëm kur përzgjedhin individët të cilët duhet të jenë profesionist të dëshmuar dhe të guximshëm për tu ballafaquar me çështjet e ndryshme, e jo oportunist apo vazal të pushtetit, sepse të tillët janë të dëmshëm për  subjektin që e përfaqësojnë. 

Përfaqësimi autentik obligim e përgjegjësi

Në spektrin politik dallimi ne mes partive politike nacionale e atyre qytetare është  se ata nacionale janë në mbrojtje të drejtave të popullatës përkatëse  ndërsa ata qytetare janë identike si nga koha e monizmit, me përfaqësim të përgjithshëm të qytetarëve. Nëse ne monizëm ishte rrezik të trajtohej pozita dhe statusi i pakicave kombëtare në pluralizëm një mundësi e tillë është praktike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje u themeluan partitë nacionale, që të jenë zëdhënëse e popujve të tyre, për avancim të pozitës dhe statusit të tyre. Dhe nga një moment i tillë na paraqitet edhe sintagma përfaqësimi autentik, që nënkupton përfaqësuesit e partive nacionale, duke eliminuar një mundësi të tillë atyre shqiptarëve që janë në partitë qytetare-malazeze. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe sepse shqiptarët në partitë malazeze  nuk kanë  trajtuar kërkesat e shqiptarëve për barazi nacionale e qytetare. Më një fjalë ata janë aty për interesa të ngushta personale dhe si të tillë janë të pazëshëm për çështjet preokupuese të popullsisë shqiptare, sepse të tillat sipas tyre janë në ingerencë të partive nacionale. Pikërisht një qasje e tillë dëshmon dallimin ne mes shqiptarëve në partitë qytetare-malazeze dhe ata nacionale! 

Injorohet parimi i  partneritetit

Në sajë të analizës  tridhjetëvjeçare te pluralizmit politik, kur bëhët fjalë për përfaqësimin politik të popujve pakicë  del qartë së pushtetit i intereson përfaqësimi sa më formal i partive nacionale në parlament, pa ndikim në vendimmarrje dhe pa efekte pozitive për popullsinë e përfaqësuar, duke injoruar  raportin e  partneritetit si parim i demokracisë parlamentare.

Madje në këtë linjë nga ana e pushtetit(DPS) janë bërë ndryshime në ligjin zgjedhor(2011) ku pakicave(boshnjake e shqiptare) iu është rezervuar 0.7% e votave të vlefshme për pjesëmarrje në ndarjen e mandatëve që më së shumti mund të jenë 3 mandate deputeti, ndërsa për kroatët kjo përqindje është 0.35%. Nga një formulim i tillë shqiptarët humbën të drejtat e arritura, që u dëshmu nga zgjedhjet vijuese(2012) e më pas. Ndryshimi i ligjit zgjedhor, në favor të popujve pakicë, sipas standardëve ndërkombëtare duhet të jetë obligim shtetëror, sepse vetëm përfaqësimi autentik eliminon asimilimin politik.

Përfundimisht del qartë se pushtetit i konvenon që pakicat të jenë të përfaqësuar sa me pak deputet, e mundësisht edhe ata të jenë formal me kostumin e pushtetit, pa ndikimin e duhur në vendimarrje, ku në një situatë të tillë pakicat humbin peshën e tyre politike, ndërsa pushteti ka realizuar objektivin e vet duke zbehur apo eliminuar identitetin politik të popujve pakicë. 

                                                                                                            (Nëntor 2021)                                                                                                          

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

PARTITË E POPUJVE PAKICË – VLERË E JO DEFEKT I PLURALIZMIT POLITIK

October 30, 2021 by s p

Nail  Draga/

Nga formimi i tyre  dhe pjesëmarrja në zgjedhje lokale apo shtetërore partitë politike të popujve pakicë janë në sulm të vazhdueshëm nga partitë të vetquajtura qytetare, sepse iu sulmohet elektorati votues  përkatësisht kohezioni i tyre, duke u dobësuar me pasoja për eliminimin e tyre në skenën politike, ku skena politike në Mal të Zi, është dëshmi transparente e një konstatimi të tillë. Ndërsa e kundërta ndodhë në mjediset demokratike sepse partitë e popujve pakicë nga pushteti trajtohen si partner në avancimin e çështjeve kontestuese të popujve përkatës, që është në favor të pluralizmit politik dhe të barazisë qytetare e nacionale

Në mjediset me traditë demokratike diversiteti në skenën politike vler[ësohet  si vlerë e demokracisë parlamentare, ndërsa e kundërta ndodhë në vendet të cilat kanë qenë pjesë e ish kampit socialist në Evropën Juglindore, të cilat vuajnë nga sIndromi i monizmit edhe në pluralizëm. Pikërisht, një qasje e tillë në sajë të pabarazisë praktike shtetërore ka ndikuar që popujt e ndarë kanë formuar partitë e tyre politike, të cilat janë në mbrojtje të identitetit kombëtar të popullit përkatës. 

Lufta speciale kundër partive nacionale 

Në Mal të Zi çështja e pluralizmit politik  të pjesëtarët e popujve pakicë ka pasur defektet e veta, sepse ata nuk kanë trashëguar përvojë politike dhe kuadra të përgatitura për tu ballafaquar me sfidat e kohës. Pikërisht, nga një qasje e tillë në mungesë të infrastrukturës partiake partitë politike të popujve pakicë nga themelimi i tyre në vitin 1990 e më pas vazhdimisht janë ballafaquar  me vështirësitë funksionale, si nga anëtarësia e tyre por edhe nga ana e pushtetit. Përfaqësimi i popujve pakicë me përfaqësuesit e tyre autentikë nuk ishte sipas vullnetit të pushtetit, duke bërë çmos që të dëmtojnë kohezionin politik të elektorati votues shqiptar në Mal të Zi, i cili në zgjedhjet e para pluraliste(9.12.1990) mbeshteti në mënyrë plebishitare subjektin politik nacional(LDMZ). Pikërisht pas tyre zgjedhjeve e më pas të elektorati votues shqiptar filloi luhajtja e dekompozimi i tyre që u dëshmu në praktikë pas vitit 1998. Kemi të bëjmë me dekompozimin në nivel të pushtetit qendror, me ndarjën e DPS-it në dy pjesë që ishte në favor të demokracisë parlamentare, që ndikoj të elektorati votues shqiptar. Eshtë pikërisht kjo kohë kur pushteti filloi të veproi për të rikthyer “besimin” të elektorati i humbuir shqiptar duke u paraqitur si shpetimtar i tyre, por me retorikë pluraliste, duke mbeshtetur ish vazalët e pushtetit monist të cilët ishin  të përshtatshëm për pushtetin si në kohën e monizmit. Kësaj kategorie i janë bashkangjitur edhe karrieristët e ndryshëm dhe të tjerë për interesa të ndryshme personale, të cilët janë angazhuar për mbeshtetjen  nga elektorati votues në zgjedhje.

Nihilizmi nga injoranca politike

Në favor të këtij konstatimi nga 1998 e më pas qarkullon  një propagandë speciale me moton se nëse bëhët koalicion me partinë malazeze(DPS) atëher ma mirë  e votoj  vetë ate, se sa përmes partisë shqiptare e cila bën koalicion me te, e me pas  vota ime shkon atje. 

Deklaratat e tilla përhapën nga injorantët politikë, të cilët nënçmojnë subjektet nacionale dhe  si duket janë bërë pishman qe kanë votuar me herët partinë nacionale. Kësaj dukurie i japin iso ata të cilët janë pjesë e strukturave të pushtetit apo votojnë partitë malazeze. Ndikimi i tillë është më mundësi reale të personat e luhatshëm, sidomos të intrigantët të cilët iu besojnë premtimeve të qarqeve të ndryshme shtetëtore. 

Nuk ka dilemë  se çdo kush përgjigjet për votën e vet, por është e pahijshme të veprohet në këtë formë dhe të nxitët një propagandë e tillë! 

Kostumi sipas shijes personale

Sepse thënë ma qartë  çdo kush e vesh kostumin sipas shijes personale  e jo me kostumin qe ia servirë dikush tjetër. Dhe është pikërisht ai kostum qe e bën të dallohet  në atë mjedis. Por, nëse i dorëzohet partisë malazeze aty  ai është pjesë e tyre e jo e identitetit personal me kostumin e tij. Madje ata   mund ta akuzojnë se një kostum i tillë nuk është me ngjyra  sipas shijes së partisë së tyre. Andaj për të qendruar aty i patrazuar i duhet ose ti përshtatet rrethanave të reja apo të largohet  nga ai grupim politik.

Identiteti dhe partneriteti 

Nga dukuria e tillë del qartë se kemi të bëjmë me  dallimet konceptuale  identitare, sepse votimi i partisë nacionale, paraqet identitetin  kombëtar dhe  në vehte ka partneritetin, çështje e njohur në mjediset multinacionale e multikulturore.   Ndërsa votimi  i drejtpërdrejtë në partinë qytetare-malazeze  nuk kemi të bëjmë me partneritetin por humbjen e identitetit gjoja për kauzën qytetare, që është politikë përfide e pushtetit që shkon në drejtim të asimilimit politik të pakicave kombëtare.

Autoritarizmi  dëmton partinë politike

Në këtë refuzim politik dhe pakënaqësi nuk ka dilemë se rol negativ kanë pasur  udhëheqësit e partive politike nacionale të shqiptarëve, të cilët me qendrimin e tyre autoritar  dhe  atavizmin politik, kanë ndikuar në demoralizimin e elektoratit votues për tu distancuar dhe mos i votuar, apo votuar partitë tjera. Por, duhet të themi se jo çdo individ në kuadër të partisë nacionale lufton kundër dukurisë së asimilimit  politik, sepse në pyetje janë interesat personale apo të klanëve të ndryshme, që nën maskën e angazhimit politik  realizojnë përfitimet e tyre.

Mbrojtja e identitetit  sfidon asimilimin politik

Pa marrë parasysh rrethanat shoqërore  elektorati votues shqiptar duhet të mbeshtesë subjektët nacionale  nëse duan të sfidojnë asimilimin politik,  sepse  çdo gjë mbetën në vetëdijen e ndërgjegjën tyre, në mbrojtje të identitetit kombëtar, sepse partitë nacionale janë vlerë në mozaikun e skenës politike të çdo mjedisi, duke kriuar raporte të parneritetit në favor të avancimit të pozitës dhe statusit të tyre politik.

Në këtë aspekt në Mal të Zi mbetët shumë për tu bërë, ku duhet të eliminohet mentaliteti  i monizmit, duke i trajtuar partitë nacionale të popujve pakicë si partner në skenën politike e qeverisje  e jo duke ndikuar në dobësimin e tyre përkatësisht  të elektorati  votues shqiptar në këtë mjedis.                                                                                                                

(Tetor 2020)

Filed Under: Komente Tagged With: Nail Draga

PROPOZOHET KANTONIZIMI I MALIT TË ZI

October 15, 2021 by s p

Në opinion malazias ka kohë që qarkullon  idea   për decentralizimin e pushtetit në Mal të Zi, ne tre nivele, ku me rëndësi të veçantë është riorganizmi  territorial administrativ me formimin e nëntë kantoneve  ndërsa në aspektin zgjedhor formimi i pesë njësive zgjedhore, që paraqet risi dhe mundësi debati nga individë e subjekte të ndryshme qeveritare e  shoqëria civile, sepse çështja e decentralizimit duhet të trajtohet  me profesionalizëm dhe analogji me vendet e ndryshme evropiane

Nail  Draga

Autorët e kësaj iniciative nga OJQ”Inicijativa Direktne Demokratije-IDD” shpjegojnë me pak fjalë rëndësinë e saj për rirregullimin e sistemit politik në Mal të Zi, duke u thirur në Kushtetutën e Zvicrës, që si duket është model edhe për Malin e Zi. Madje ata cekin se  në atë vend  kushtetuta e cila është  bazuar në demokracinë direkte është  miratuar  në vitin 1848,  dhe deri më tash dy herë është verifikuar dhe është avancuar në vitin 1874 dhe 1999, duke dëshmuar seriozitetin në çështjet organizative shtetërore.

Sistemi i tashëm politik me dobësi të theksuara

Në arsyetimin e tyre më tutje cekin se rregullimi i deritashëm i sistemit politik në Mal të Zi ka treguar shumë dobësi, para se gjithash në mundësinë e vogël që qytetarët të ndikojnë direkt  në proceset politike. Elitat politike largohen nga qytetarët  dhe në vend që politikanët  të jenë ekzekutuesit  e vullnetit të qytetarëve, ata paraqitën  si kreator, manipulues dhe uzurpator të vullnetit. Më shumë  thellojnë ndarjet(etnike, religjioze, gjuhësore e politike) përmes të cilave disa përfitojnë ndërsa qytetarët humbin. Rritet distanca etnike dhe çdo distancë tjetër kërcenon që në të ardhmën të shkatërroi shoqërinë.

Qe këto probleme të tejkalohen ndërsa fuqia t`iu kthehet qytetarëve, propozojnë  ndryshimin terësisht  të sistemit politik në shtet.

Pushteti  në tre nivele

Sipas këtij propozimi pushteti duhet  të ndahet në tre nivele: 1.në nivelin e shtetit të Malit të Zi, 2.në nivelin e kantonëve dhe 3.në nivel të komunave. 

1.Shteti-niveli i parë i pushtetit

Organizimi i pushtetit në nivelin shetetëror duhet të jetë i definuar me Kushtetutë, në të cilën duhet të vendosën të gjitha ndryshimet përkatëse sipas modelit të Kushtetutës së Zvicrës, që do të mundësohej  ndarjen e pushtetit në tre nivele dhe decentralizimin e tërësishëm, si dhe bartjen e peshës së fuqisë se politikanëve te qytetarët.

Organi suprem ligjdhënës i pushtetit  në shtet duhet të jetë Kuvendi i Malit të Zi, të cilën do ta përbënin dy dhoma.

1.Dhoma  shtetërore (nacionale) e cila përfaqëson të gjithë qytetarët e Malit të Zi dhe zgjidhën në mënyrë proporcionale sipas numrit të banorëve në pesë njësitë zgjedhore, çdo njësi zgjedhore do të kishte rreth 100.000 banorë.

Risi në këtë propozim janë regjionet përkatësisht pesë njësitë zgjedhore  që do të ishin:

Regjioni 1-Hercegovina e vjetër(Starohercegovacki) 116.355 votues-17deputet, 

Regjioni 2-Bregdeti-malazias(Crnogorski-primorski) 114.574 votues-16 deputet, 

Regjioni 3-Shkodrës(Skadarski) 114.879 votues-16 deputet, 

Regjioni 4-Moraçës(Moracki) 94.277 votues -16 deputet dhe 

Regjioni 5-Limit(Limski) 99.242 votues-16 deputet. 

Të gjithë së bashku në Kuvend janë 81 deputet që zgjidhën përmes listave të hapura.

2.Senati(Këshilli i kantonit)në të cilën kantonët delegojnë përfaqësuesit e tyre, ku së cili kanton zgjedh  dy përfaqësues në zgjedhjet direkte. Duhet të përcaktohet numri adekuat i kantonëve dhe hapësirën e tyre territoriale duke respektuar kontinuitetin historik, traditën, kulturën etj.,duke mos getoizuar grupët etnike  por të integrimi i tyre.

2.Kantonët-niveli i dytë i pushtetit

Në lidhje me nivelin e dytë propozohet ndarja e territorit në kantone e ate në nëntë(9) të  tillë  të cilët janë: 1.Kantoni i Bokës së Kotorrit, 2.Kantoni bregdetar, 3.Kantoni i Zetës, 4. Principata e Malit të Zi, 5.Kantoni i Nikshiqit, 6.Kantoni i Pivës-drobnjakut, 7.Kantoni i Limit-Moraçës, 8.Kantoni i Beranës-Rozhajës dhe 9. Kantoni i Plevlës-Bijellopolës.

Organizimin e pushtetit  në nivelin e kantonit e përcaktohet në sajë të kushtetutës së vet kantonit. Që kushtetuta e kantonit të realizohet në praktikë ate duhet ta miratojë Kuvendi i Malit të Zi, e ai do ta miratojë nëse kushtetuta e kantonit i plotëson dy kushtet themelore: 1.Duhet të jetë në harmoni me ligjet dhe Kushtetutën e Malit të Zi dhe

2.Që qytetarët e kantonit e kanë miratuar në referendum

3.Komuna – niveli tretë i pushtetit

Në këtë propozim çdo vendbanim merr kompetenca të veçanta  sepse do të fitonte statusin e Komunës apo komunës urbane. Komunat më të vogla do të kishin Tubimet e përgjithshme popullore bazuar në traditën malazeze,  ndërsa komunat më të mëdha mund të zgjedhin që të kenë përfaqësuesit e tyre të cilët do ti zgjedhin direkt përmes listave të hapura apo do të kenë kuvendin digjital ku do të merrnin pjesë të gjithë qytetarët.

Arsyetime në favor të propozimit

Në lidhje me këtë formë të ndarjës së pushtetit   nga Iniciativa e Demokracisë Direkte, janë dhënë dhjetë  arsyetime ku mes tjerash cekin se: pengohet getoizimi i grupeve etnike e fetare, qytetarët pamarrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare do të njihnin përkatësinë territoriale atij kantoni dhe do të kërkonin zhvillimin e tij intenziv si shprehje te interesit të përbashkët të gjithë qytetarëve, do të zvoglohej distanca etnike, do të rritet kohezioni ne mes popullsisë, do të arrihet në zhvillimin të ballancuar regjional, do të zvoglohej administrata, do të zvoglohej korrupcioni,do rritej besueshmëria në shtet dhe institucione  etj.

Në fund cekim se iniciativa e tillë  i është drejtuar direkt kryeministrit të Qeverisë, z.Zdravko Krivokapiq,  ku nga ai  presin  të iniconjë implementimin  ligjor të zgjidhjeve të ofruara. 

Deri më tash nuk kemi pasur ndonjë reagim publik ndaj iniciativës së tillë,  nga asnjë subjekt politik, apo shoqëria civile, andaj duhet të presim  në muajt në vijim sepse kemi të bëjmë me një propozim i cili trajton decentralizimin territorial por edhe të pushtetit në Mal të Zi, çështje e cila nuk është trajtuar më heret nga institucionet qeveritare e shoqëria civile.

C:\Users\Labi\Desktop\178158592_189695986323008_2647120672411768815_n.png

Harta nr.1.Ndarja e territorit të Malit të Zi në nëntë(9) kantone

Mund të jetë një imazh i map dhe teksti

Harta nr.2. Ndarja e Malit të Zi në pesë(5) njësi zgjedhore

Filed Under: Analiza Tagged With: Nail Draga

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 13
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pika e Ujit
  • DR. ELISABET PERAJ IU BASHKUA VATRËS
  • VATRA NDEROI LEGJENDËN E BOKSIT SHQIPTAR XHEVDET PECI
  • MARK MRNAÇAJ: DALIP GRECA, LAMTUMIRË NJERI MODEL
  • TRASHËGIMI NGA DIASPORA KRAJANE
  • Xhaketa e Xhaferit
  • NEW YORK HERALD TRIBUNE (1939) / RRËFIMI I MBRETËRESHËS GERALDINË NË VERSAJË : EDUKIMI I DJALIT, SIMBOLIKA E KURORËS MBRETËRORE, SKËNDERBEU, DHOMA E PREFERUAR NË KËSHTJELLË…
  • Historia e Urës së Matit, një ndër më të bukurat në Ballkan
  • Shqipëria në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino
  • Congratulations Albania. Congratulations Roma
  • Urdhëri i Lirisë për patriotin e palodhur Jim Xhema
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” përjetësohet në New York
  • Kundër simboleve të diktaturës komuniste
  • Reagim për ndërprerjen nga Serbia të gërmimeve për mbetjet mortore të personave të zhdukur
  • Haris Vongli dhe Stela Bermema i bashkohen Vatrës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT