• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

RAPORTI SEKRET I CIA-S (1949) / KRIJIMI I NJË “FRONTI TË BASHKUAR SHQIPTAR ANTIKOMUNIST” NË MËRGIM ME UDHËHEQËS MIT’HAT FRASHËRIN : ROLI I MBRETIT ZOG DHE DIPLOMACISË SË SHBA-VE

November 11, 2021 by s p

Nga Aurenc Bebja

Central Intelligence Agency (CIA) ka deklasifikuar në vitin 2007 dokumentin që përshkruan negociatat ndërmjet Mbretit Zog dhe diplomacisë amerikane për krijimin e një “Fronti të Bashkuar Shqiptar” në mërgim më 1949 me qëllim bashkimin e shqiptarëve jashtë atdheut dhe rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

I dashur Pilgrim :

Kam kënaqësinë të bashkangjit për dosjet tuaja (1) një memorandum bisede të nënshkruar që u zhvillua në Aleksandri, Egjipt me 5 maj 1949, (2) një deklaratë të nënshkruar që përcakton pikat që duhet të përfshihen në një deklaratë që do të publikohet së shpejti pas shpalljes së formimit të një Fronti të Bashkuar dhe (3) një deklaratë plotësuese e nënshkruar (firmosur). Ju lutem vini re se në hyrje të deklaratës së fundit përmenden emra të cilët ndoshta dëshironi t’i eliminoni (fshini).

Komentet e mia për këto deklarata ju kanë ardhur më parë me telegram.

Sinqerisht i juaji,

Shqiptarët jashtë vendit.

Mbreti Zog u shpreh fort në favor të formimit të një Fronti të bashkuar të të gjithë të mërguarve shqiptarë antikomunistë. Ai ra dakord që çështja e regjimit të ardhshëm t’i lihet zgjedhjes së lirë të popullit shqiptar. Mbreti Zog pranoi që Frashëri të ishte udhëheqës.

Sekret

Memorandumi i bisedës me mbretin Zog I, 5 maj 1949.

Një takim me Mbretin Zog I u mbajt në Aleksandri Egjipt më 5 maj 1949. U shpjegua se Shtetet e Bashkuara do të shikonin me favor formimin e një fronti të bashkuar të të gjithë shqiptarëve antikomunistë jashtë vendit. U vu në dukje se refugjatët nga disa vende të tjera të dominuara nga sovjetikët, si Bullgaria dhe Hungaria, kishin arritur një shkallë uniteti që u mundësoi udhëheqësve të tyre t’u jepej e drejta morale për t’u konsideruar si zëdhënës i popujve të tyre. Shpresohet që edhe shqiptarët jashtë vendit të kenë sukses të ngjashëm.

Mbreti Zog u informua se Midhat Frashëri kishte deklaruar se favorizonte formimin e një fronti të tillë të bashkuar dhe se do të punonte aktivisht për këtë qëllim. U shpreh shpresa se Zogu I do të mbante një qëndrim të ngjashëm. U vu në dukje se Mbreti Zog mund të ndihmonte shumë në këtë punë duke miratuar frontin e propozuar dhe duke inkurajuar ndjekësit e tij për të marrë pjesë. Për më tepër, u ndje se Mbreti Zog do të jepte një kontribut të rëndësishëm për unitetin e shqiptarëve jashtë vendit duke lëshuar një deklaratë publike ku thuhej se ai mirëpriste një front të bashkuar nën kryesinë e Frashërit, se çështja e regjimit të ardhshëm të Shqipërisë do të lihej pezull në pritje të një plebishiti të lirë nga populli shqiptar, dhe ndërkohë prerogativat mbretërore duhet të konsideroheshin të pezulluara.

Mbreti Zog u informua për opinionin amerikan se Midhat Frashëri duhet të ishte udhëheqësi i frontit të bashkuar dhe se grupi i tij duhet të formonte bërthamën e lëvizjes. Ishte shpresa e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që Mbreti Zog ta mbështeste me gjithë zemër këtë propozim, qëllimi i vetëm i të cilit ishte krijimi i një fronti të bashkuar nga shqiptarët jashtë vendit.

Mbreti Zog u shpreh fort në favor të formimit të një Fronti të bashkuar të të gjithë të mërguarve shqiptarë antikomunistë. Ai ra dakord që çështja e regjimit të ardhshëm t’i lihet zgjedhjes së lirë të popullit shqiptar. Mbreti Zog pranoi që Frashëri të ishte udhëheqësi i frontit të bashkuar dhe deklaroi se do të mbështeste lëvizjen. Ai mendonte se Frashëri duhet të siguronte si shoqërues një person të partisë Legjitimiste (Legalitetit) si dhe një person me merita nga Partia e Pavarur, në mënyrë që komiteti të kishte 2 myslimanë, një ortodoks dhe një katolik. Mbreti Zog deklaroi se ai nuk mund t’i deklaronte (vinte) prerogativat e tij mbretërore në pezull, pasi kjo do të ishte e pamatur, si dhe jo besnike ndaj zotimit të tij ndaj popullit shqiptar. Një veprim i tillë, tha ai, do të rrezikonte vazhdimin e njohjes së misioneve antikomuniste/mbretërore/diplomatike shqiptare në Egjipt, Turqi dhe gjetkë. Më thelbësisht, ai mendonte se një veprim i tillë do të ishte i barabartë me heqjen mënjanë të detyrës që Asambleja Kombëtare Shqiptare i kishte vënë atij përpara pushtimit fashist italian. Ai tha se Kuvendi (Asambleja) me atë rast e kishte ngarkuar që të përfaqësonte kombin jashtë vendit deri në çlirimin e tij. Ai rekomandon për hir të lëvizjes që Frashëri të vizitojë Egjiptin, Sirinë, Turqinë, Italinë, Greqinë dhe kudo ku ka grupe të konsiderueshme të mërguarish shqiptarë, të bisedojë me ta, të sigurojë prej tyre deklarata me shkrim mbështetjeje dhe kështu të njihet si lider i frontit të bashkuar. Mbreti Zog doli vullnetar për të ndihmuar në sa më sipër dhe për të bërë një deklaratë publike sipas linjave të dëshiruara kur ajo të konsiderohej e dobishme.

Mbreti Zog u shpreh fort për rëndësinë që Midhat Frashëri duhej të vinte në Egjipt dhe të merrte nga goja e tij sigurinë e ndihmës së tij.

14 qershor 1949

Konfidencial

Zogu I, Mbreti i shqiptarëve

14 qershor 1949.

E mirëpres me shumë kënaqësi formimin e “Frontit të Bashkuar Shqiptar”, si mjet për arritjen e bashkimit mes shqiptarëve jashtë vendit, si dhe për të sjellë rehati morale për shqiptarët në vendin e tyre, e cili tani është nën dominimin e një qeverie komuniste me bindje të huaj.

Unë do të jap me të gjitha forcat e mia mbështetjen time për “Frontin e Bashkuar Shqiptar”dhe komitetin e tij. Unë do t’i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që t’i bashkohen kësaj lëvizjeje, qëllimi i së cilës është rimëkëmbja e pavarësisë së Shqipërisë me gjithë integritetin e saj.

Unë deklarova publikisht në vitet 1940, 1946 dhe radhazi në disa raste, se regjimi i ardhshëm i Shqipërisë do t’i lihet tërësisht në pëlqimin e popullit shqiptar, i cili, nëse është e nevojshme, do të jetë në gjendje t’i bëjë të njohura aspiratat e tij me anë të një plebishiti të lirë pas çlirimit të vendit.

Unë e konsideroj këtë metodë plotësisht në përputhje me parimet demokratike.

Deklaroj se nuk ushtroj asnjë nga të drejtat e mia mbretërore kundër “Frontit të Bashkuar Shqiptar”, kundër veprimtarisë së tij apo komitetit të tij të kryesuar nga Midhat Frashëri, me kusht që megjithatë të mos dalin kundër aspiratave të Kombit Shqiptar dhe se ato të synojnë rimëkëmbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe integritetin e territorit të saj.

Kjo deklaratë e tanishme në pikat e përgjithshme do të publikohet ditën kur partitë e ndryshme të përmendura në intervistën tonë të parë do të kalojnë në përbërjen (formimin) e komitetit të “Frontit të Bashkuar Shqiptar”.

Zogu I, Mbreti i shqiptarëve

Pas procesverbalit që rrëfen intervistën (takimin) që pata me z. Berry në prezencë të z. Miner me 5 maj 1949, dhe pas deklaratës që kam firmosur me 14 qershor 1949, do të doja të shtoja një shtojcë që është pjesë përbërëse e deklaratës sime dhe që mund të përmblidhet në tre pika :

1/ Duke qenë se përfaqësoj legjitimitetin dhe ligjshmërinë, do të jem i prirur që të gjitha çështjet me interes parësor të sillen në vëmendjen time për konsultim nga komiteti drejtues i “Frontit të Bashkuar Shqiptar” në bashkëpunim të plotë dhe nëse kjo është e nevojshme nëpërmjet autoriteteve kompetente amerikane.

2/ Në përputhje me parimet e legjitimitetit dhe ligjshmërisë të përmendura më sipër dhe të investuara në mënyrë kushtetuese, do të ngarkoj një qeveri me prirje krejtësisht neutrale, gjatë periudhës tranzitore pas çlirimit të Shqipërisë, të organizojë operacionet paraprake që do të kërkojë plebishiti, dhe nëse është i dobishëm nën kontrollin aleat.

3/ Unë sanksionova (miratova) zgjedhjen e Midhat Frashërit si Kryetar i Komitetit Drejtues të “Frontit të Bashkuar Shqiptar” për arsye të besimit të plotë që kam në patriotizmin e tij, por në rast se Midhat Frashëri jep dorëheqjen ose për ndonjë arsye tjetër të paparashikueshme, duhet të konsultohem për zgjedhjen e zëvendësimit të tij të mundshëm dhe gjithashtu formimin e komitetit drejtues nëse ai do të modifikohej.

Këto tre pika sqarojnë dhe kushtëzojnë deklaratën time, e cila duhet të publikohet vetëm pasi të jetë arritur marrëveshja e partive të ndryshme kombëtare shqiptare.

Aleksandri, 15 qershor 1949.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aurenc Bebja

Kosovë-Shqipëri,Sekretariat Koordinues Ndërqeveritar

November 10, 2021 by s p

-Qeveritë e Kosovës e Shqipërisë pritet të mbajnë mbledhjen e shtatë të përbashkët në Durrës në këtë muaj Nëntor 2021/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË,10 Nëntor 2021/ Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar dhe miratuar memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për krijimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar. Memorandumi i bashkëpunimit rekomandon themelimin e Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar, me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit shumë sektorial Shqipëri – Kosovë, thekson njoftimi i dërguar.

Qeveritë e Kosovës e Shqipërisë pritet të mbajnë mbledhjen e shtatë të përbashkët në Durrës në këtë muaj Nëntor 2021, pas të gjashtës në Tiranë në 2 Tetor 2020.

Më parë, Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë në 26 Nëntor 2018 në qytetin e Pejës zhvilluan mbledhje të përbashkët, të pestën, pas të parës historike në Prizren në 11 Janar 2014, të dytës në Tiranë në 23 Mars 2015 , të tretës në 3 Qershor 2016 në Prishtinë dhe të katërtës të zhvilluar në 27 Nëntor 2017 në Korçë.

Në Prishtinë në 27 Shtator 2021 me nderime të larta shtetërore, në ceremoninë e organizuar në Sheshin “Skënderbeu”, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama.

Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave dhe anëtarëve të kabineteve, u theksua për mundësitë dhe potencialin për rritje të bashkëpunimit për më shumë drejtësi, barazi e mirëqenie për shqiptarët në të dy anët e kufirit dhe në të gjithë rajonin.

U bisedua për hapa konkretë drejt avancimit të zbatimit të marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve. Janë rreth 150 marrëveshje, memorandume dhe protokolle, të nënshkruara nga viti 2014, në mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive. U dakorduan për themelimin e një sekretariati koordinues për marrëdhëniet bilaterale, të cilin do ta udhëheqë Gentian Sala.

U diskutuan hapa konkretë për projekte të përbashkëta të cilat lehtësojnë qarkullimin e qytetarëve, për lehtësira doganore dhe lehtësira në kalimin e pikave kufitare si dhe shfrytëzimit të objekteve të përbashkëta për konsullata e ambasada.Po ashtu, u pajtuan që të fillohet me përgatitjet nga dy kabinetet për mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive që pritet të mbahet në fund të muajit Nëntor 2021.

Filed Under: Analiza

NUMRI I MADH I PARTIVE POLITIKE MUND TA DËMTOJË INTERESIN KOMBËTAR

November 10, 2021 by s p

Xhelal Zejneli/

Në hapësirën politike shqiptare ka numër të madh partish politike. Sipas të dhënave të Komisionit qendror të zgjedhjeve, të vitit 2014, në Shqipëri kanë qenë të regjistruara 124 parti politike. Në zgjedhjet vendore të vitit 2015 kanë marrë pjesë 54 parti politike. Parti kryesore janë Partia Socialiste dhe Partia Demokratike.

Në Kosovë ka 47 parti politike. Deputetë në Kuvendin e Kosovës kanë tetë parti politike. Në skenën politike figurojnë edhe tetë parti të tjera politike të vogla. Minoritetet në Kosovë kanë 31 parti politike. Ka raste kur një minoritet të ketë disa parti politike. Tetë parti politike të Kosovës, që kanë vepruar më parë, tanimë nuk veprojnë politikisht, përkatësisht nuk ekzistojnë. 

Në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë) veprojnë pesë parti politike: Partia për Veprim Demokratik, Alternative për Ndryshime, Lëvizja për Progres Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike. 

Në Mal të Zi ka disa parti politike shqiptare. Në vitin 2020 këtu vepruan pesë forca politike shqiptare: Alternative Shqiptare, Forca, Lëvizja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit, Perspektiva. Janë edhe tri parti të tjera: Partia Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Lidhja Demokratike në Mal të Zi. Kjo e fundit është themeluar në vitin 1990 me në krye Memet Bardhin.         

Në Maqedoninë e Veriut veprojnë 43 parti politike. Kuvendi i Maqedonisë së Veriut përbëhet prej deputetëve të 22 partive politike: koalicioni i LSDM-së me 6 parti të tjera, koalicioni i VMRO-s me 6 parti të tjera, si dhe deputetët e 8 partive të tjera. 

Në Maqedoninë e Veriut figurojnë edhe 11 parti jashtëparlamentare, 8 parti të minoriteteve, 2 parti politike shqiptare – PPD-ja dhe RDK-ja.

Në Maqedoninë e Veriut janë edhe 6 ish-parti, që tanimë nuk ekzistojnë. 

Në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut veprojnë: Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Aleanca për Shqiptarët (ASh), Lëvizja Besa, Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare, Partia për Shtet dhe Drejtësi, e themeluar në vitin 2018. Në zgjedhjet vendore të vitit në vazhdim, për këshilltarë të këshillit bashkiak të bashkisë së Tetovës, mori  pjesë edhe Nisma “Më mirë për Tetovën”, e cila – sipas të dhënave të KQZ-së – fitoi 2.842 vota, përkatësisht 7.41 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të bashkisë së sipërthënë. 

*    *   *

Po të kihet parasysh numri i banorëve apo i popullatës shqiptare në Kosovën lindore   (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) si dhe në Mal të Zi, do të nxjerrim përfundimin se numri i partive politike shqiptare në këto dy hapësira është i madh dhe i panevojshëm, për të mos thënë i dëmshëm. Numri i madh i partive shqiptare në këto hapësira ndikon që vota e votuesit shqiptar ta humb peshën, vlerën apo rëndësinë e vet. Përpos kësaj, ndodh që në Mal të Zi, parti shqiptare e caktuar të manipulohet nga ndonjë parti malazeze apo nga pushtetarët malazias. 

Edhe në Kosovë, numri i partive politike është tejet i madh. Numri i madh i partive krijon mundësinë e konflikteve, zënkave, denigrimeve dhe të përçarjeve për qëllime personale apo të grupeve. Kur kemi shumë parti politike, ndonjëra prej tyre qëllon të jetë parti e ndonjë bajraktari, parti e fisit, e zonës, e rajonit apo e krahinës. Numri i madh i partive politike bëhet pengesë për ndërtimin e politikës kombëtare, përkatësisht shtetërore, për ndërtimin e strategjisë kombëtare, d.m.th. shtetërore, për përkufizimin e interesit shtetëror. Në një shtet të vogël me shumë parti politike, vlojnë zënkat, konfliktet, denigrimet dhe përçarjet ndërpartiake. Kjo ka për pasojë që shteti i vogël dhe ekonomikisht i pazhvilluar të harxhojë energji për çështjet që fare s’kanë të bëjnë me interesin shtetëror. Në rastin e Kosovës, kjo shkon në favor të armikut – Serbisë. 

Shoqërisë i duhet zhvillimi ekonomik, zhvillimi i parimeve demokratike dhe ndërtimi i shtetit ligjor. Shteti i vogël, me shumë parti politike dhe me ekonomi të pazhvilluar, vështirë e ka të zhvillojë ekonominë, të zhvillojë demokracinë dhe të ndërtojë shtet ligjor. Në shtetin e tillë korrupsioni dhe nepotizmi s’kanë të ndalur dhe s’kanë të sosur. Në shtetin e tillë lehtë politizohen dhe partizohen sistemi i arsimit, sistemi i shëndetësisë, administrata publike, të gjitha poret e shoqërisë. Në shtetin e tillë lihet hapësirë edhe për veprimin e kontrabandës. 

Në Shqipëri ka shumë parti, por dy janë kryesore – Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ndërsa në Kosovë, janë më shumë se dy – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës etj. 

*   *   *

Partitë janë grupe interesi. Është e drejtë e një grupi të formulojë, të artikulojë dhe të përkufizojë ide apo ideologji të caktuar, me interes shoqëror më të gjerë. In ultima linea, po qe se një parti politike apo një subjekt politik nuk mbulon një interes shoqëror më të gjerë se interesi i individit apo i grupit të ngushtë, ajo parti apo ai subjekt, vjen një ditë dhe shuhet vetvetiu. Mirëpo popujt me probleme politike, ekonomike dhe sociale s’kanë shumë kohë të merren me eksperimente të tilla. 

Partitë politike nuk lindin rastësisht. Lëvizjet politike apo partitë, lindin kryesisht në momente historike të caktuara. Momente historike mund të jenë luftërat çlirimtare. Ka raste kur partitë politike lindin në momente krizash të theksuara politike, ekonomike, sociale dhe morale. Jashtë këtyre momenteve vështirë lindin partitë. Ato mund të regjistrohen si subjekte politike, por vështirë shtrihen në shoqëri. Ka raste kur një subjekt politik krijohet me kërkesën dhe me mbështetjen financiare të një shteti të jashtëm.

Në shumë raste partitë politike manipulojnë me kauzën kombëtare, me interesin kombëtar apo me interesin e përgjithshëm. Nuk mund të qëndrosh me vite dhe dekada në pushtet në emër të kauzës kombëtare apo në emër të shqiptarizmit. Askush s’ka të drejtë të keqpërdorë kauzën kombëtare apo interesin kombëtar, vetëm e vetëm për të ruajtur interesin një individ, një grup, një koniunkturë apo një nomenklaturë. Marrëveshja e Ohrit duhej të ishte implementuar në vitin 2004 apo 2005. Që atëherë kanë kaluar gati dy dekada. Për këtë vonesë dhe për këtë prolongim askush s’mbajti përgjegjësi. 

Ka raste kur partitë politike të mëdha i mbyllin dyert e veta për të rinjtë, për inteligjencien dhe për ekspertët e lëmenjve të ndryshëm. Në partinë e tillë, vite me radhë të njëjtët njerëz rrotullohen nga posti në post, nga detyra në detyrë, nga dikasteri në dikaster. Ka raste kur i njëjti person katër a pesë herë bëhet deputet kuvendi. Ka raste kur i njëjti person katër a pesë herë bëhet këshilltar bashkie. Ndërkohë, një i ri i shkolluar, nuk përfillet, shpërfillet, nëpërkëmbet, injorohet, margjinalizohet, konsiderohet i tepërt, i panevojshëm.

Partia në të cilën të njëjtët njerëz vite me radhë rrotullohen nga posti në post, mund të qëndrojë në skenën politike vetëm nëse nuk kanë opozitë të fortë. Partia që sundon vite me radhë me të njëjtët njerëz, pashmangshëm zhytet në korrupsion dhe në nepotizëm. Në rrethana të tilla, doemos lind pakënaqësia në shoqëri, sidomos ndër të rinjtë të konsideruar të tepërt dhe ndër inteligjencien e shpërfillur, të anashkaluar dhe të injoruar. Partia e tillë që mbizotëron apo që sundon me vite me të njëjtët njerëz, gëzon mbështetjen e oportunistëve, e konformistëve, e poltronëve, e pseudointelektualëve, e kalemxhinjve, e pakurrizorëve, e butakëve, e mediumeve të kontrolluara prej saj, e analistëve mercenarë. 

Kur i riu i shkolluar vëren sesi shoku i tij i klasës apo i gjeneratës i cili për nga suksesi në shkollë ka qenë shumë më i dobët se ai, me mbështetjen e ndokujt ngjitet në pozita politike apo shoqërore, s’i mbetet tjetër përvese – i zhgënjyer dhe i rezignuar – të marrë rrugën për në Gjermani. 

Me fjalë të tjera, në rrethana krizash politike, ekonomike, sociale dhe morale lindin parti të reja.  

*   *   *

Pluralizmi politik, pluralizmi ideologjik si dhe pluralizmi i interesave janë vlera demokratike. Megjithëkëtë, në hapësirën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut do të ishte më mirë të ketë jo më shumë se dy parti politike: Bashkimi Demokratik për Integrim, në një anë dhe të gjitha partitë e tjera, në anën tjetër. Me fjalë të tjera, Aleanca për Shqiptarët, Lëvizja Besa, Alternativa, Partia Demokratike Shqiptare do të mundë të shkriheshin në një subjekt politik të vetëm  Këtij subjekti do të mundë t’i bashkëngjitej edhe ndonjë grup apo parti tjetër   që ka shtrirje më të reduktuar. Me dy parti politike, faktori politik shqiptar do të faktorizohej. Kështu i fragmentarizuar, faktori politik shqiptar është i defaktorizuar. Politika kombëtare nuk është matematikë: Pa dy a tre deputetët e mi nuk mund të krijohet qeveria. Ti mund të krijosh qeveri dhe të hyjsh në të, por interesin shqiptar nuk e realizon dot. 

ShBA-ja ka mbi 325 milionë banorë. Ka dhe shumë parti politike, por vetëm dy janë kryesoret – Partia republikane si dhe Partia Demokratike. Franca metropolitane ka mbi 61 milionë banorë. Edhe në të veprojnë shumë parti, por tri sosh janë kryesore. 

*   *   *

Faktori politik shqiptar duhet të veprojë për t’i mbrojtur arritjet e deritashme, duke artikuluar njëherazi edhe kërkesa të tjera. 

Këtu, edhe tridhjetë vjet pas pluralizmit, ekzistojnë punë që kanë të bëjnë me çështjet themelore kombëtare. Viset shqiptare, që nga Struga deri në Likovë, kanë ngecur ekonomikisht. Shqiptarët, si asnjë popull tjetër në botë, figurojnë si 20 për qind. Në një qytet me shumicë absolute shqiptare, qe tridhjetë vjet nuk mund ta ndërrosh emërtimin e një shkolle fillore apo të mesme. Në një qytet me shumicë absolute shqiptare rrugët nuk mund t’i emërtosh me emra të figurave apo të personaliteteve shqiptare. 

Faktori politik shqiptar i përbërë prej dy subjekteve politike do të gëzonte respekt më të madh, si nga pala sllavo-maqedonase, ashtu edhe nga ndërkombëtarët. Nuk shkohet në takim me palën sllavo-maqedonase, kur ke pas vetes vetëm një apo dy-tre deputetë. Nuk shkohet në takim me ambasadorët e vendeve perëndimore apo me të dërguarit e tyre, kur ke pas vetes jo më shumë se një apo dy-tre deputetë. Kënd përfaqëson “lideri” në atë takim?! Në emër të kujt flet ai?! Shqiptarët meritojnë më shumë se kaq. Sentenca antike: ”Si është populli, e tillë është qeveria”, në rastin e shqiptarëve nuk mund të jetë e pranueshme. Sentenca: “Çdo popull ka liri aq sa meriton” në rastin e shqiptarëve është jopërkatëse. Shqiptarët, që nga viti 1991 deri më sot, i janë përgjigjur çdo thirrjeje të faktorit politik, pa kursyer punën, djersën, mundin, dijen, mjetet financiare. As edhe gjakun.

Xhelal Zejneli              

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

VEPRIMET DESTRUKTIVE TË BEOGRADIT NË BOSNJË DHE HERCEGOVINË RREZIKOJNË PAQEN NË RAJON

November 9, 2021 by s p

Prof. Xhelal Zejneli/

Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë është e tensionuar. Pas kësaj krize të radhës në BH, si gjithmonë, qëndron Serbia. Që nga themelimi i saj, Republika Serbe ndjek politikë qendërikëse. Veprimet e Millorad Dodikut, i cili është në listën e zezë të ShBA-së, janë në kundërshti të plotë me Marrëveshjen e Dejtonit. Me synimin e këtij entiteti fantomik për ta krijuar ushtrinë e vet, ky entitet aspiron shkëputjen nga shteti i Bosnjës dhe Hercegovinës dhe bashkëngjitjen Serbisë. Këto veprime të Serbisë, jo vetëm që e destabilizojnë BH-në, por shpijnë edhe në shpërbërjen e saj. Këto veprimeve hegjemoniste dhe ekspansioniste të Serbisë do të nxisin edhe reagimin e Zagrebit. Ndryshimi i kufijve në BH nuk do të kishte kaluar pa një konflikt të përgjakshëm, si ai i viteve 1991-1995. 

Rrjedhimisht, kriza e krijuar në BH, mund të ketë reperkusione për mbarë rajonin. Pas kësaj, kërkesat e veta kolonialiste Serbia do t’i intensifikonte edhe ndaj Kosovës. 

Bosnja dhe Hercegovina përbëhet prej dy entiteteve: Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës Serbe. BH-ja përbëhet pre tre popujve konstitutivë: boshnjakëve (myslimanëve), serbëve dhe kroatëve. Krizën permanente në BH e shkakton Republika Serbe, e cila kurrë nuk iu është bindur organeve të pushtetit qendror. 

Nga kjo flakë e konfliktit nuk do të kursehej as Maqedonia e Veriut, një e treta e popullsisë të së cilës janë shqiptarë etnikë. Kësisoj, i tërë rajoni do të rikthehej në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, periudhë kjo e përshkuar nga gjakderdhja dhe gjenocidi serb në Kroaci, në BH dhe në Kosovë. 

Krijimi i bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë do të thotë krijim të entitetit serb në të. Me fjalë të tjera, në Kosovë do të kishim një dodik republikë e cila sapo të krijohej, do të vepronte për t’u shkëputur nga Kosova dhe për t’iu bashkëngjitur Serbisë. Këtë e tregon qartë kriza permanente në BH e cila tani duket sikur ka arritur kulmin. 

Me politikën e vet klerofashiste, Beogradi synon krijimin e Serbisë së Madhe. Duke qenë satelite politike historike e Rusisë, Serbia dëshiron ta sjellë Rusinë në rajon, pikërisht në një kohë kur Shqipëria dhe Kosova aspirojnë integrimin në strukturat euroatlantike.

Nëpërmjet Serbisë si dhe forcave të tjera proruse në rajon synon, Rusia synon të krijojë në Ballkan sferën e saj të ndikimit dhe zonën e vet të interesit. 

Para pretendimeve ruse për t’u penetruar në gadishull Fuqitë e Mëdha perëndimore nuk duhet të rinë duarkryq. Fuqitë perëndimore duhet t’i ndërpresin investimet ekonomike në Serbi. Ajo duhet të vihet nën sanksione ekonomike të botës perëndimore. OKB-ja duhet të miratojë rezolutë me të cilën Serbisë duhet t’i vihet embargo për shitjen e armëve. Me fjalë të tjera, asnjë shtet, përfshi Rusinë dhe Kinën, të mos ketë të drejtë t’i shesë armë Serbisë. Militarizimi i Serbisë mund të nxit armatosjen e mbarë rajonit të varfër. 

Me politikën e saj anakronike, retrograde, hegjemoniste, ekspansioniste dhe kolonialiste, Serbia është penguesja kryesore e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike. 

Kundër kësaj murtaje të zezë të Ballkanit – Serbisë së Madhe, duhet të reagojnë sa më parë Uashingtoni, Londra dhe Berlini. Destabilizimi i rajonit, në kohë të pandemisë Covid-19 dhe të krizës energjetike, rrezikon paqen dhe qëndrueshmërinë edhe në kontinentin e vjetër.

Është momenti i fundit që Fuqitë e Mëdha të Perëndimit të pushojnë ta konsiderojnë Serbinë si të përkëdhelurën e tyre.     Prof. Xhelal Zejneli

Filed Under: Analiza Tagged With: Xhelal Zejneli

NUMËRAT E TAIVANIT A BËJNË NJË VËND?

November 9, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

“Corriere della Sera”, 27 tetor 2021    Përktheu: Eugjen Merlika/

Duket se Administrata Biden ka vendosur të ndihmojë Taivanin të dalë nga pozita e parias ndërkombëtare në të cilën është i lidhur prej katër dhjetëvjeçarësh. Të martën e shkuar sekretari i Shtetit amerikan Antony Blinken ka lëshuar një komunikatë në të cilën thotë se përjashtimi i Taipeit nga puna në shumë agjensi të Kombeve të Bashkuara “minon punën e rëndësishme të OKB e të organizmave të saj, të cilët të gjithë do të përfitonin shumë nga ndihmesat  e tij”.

Kjo mbasi vetë Joe Biden kishte thënë se ishte i gatshëm të mbronte Taivanin në rastin kur t’ishte i sulmuar nga Pekini. Gjë që ngre disa pyetje.

A ka ardhur vallë çasti në të cilin Washingtoni të deklarojë se Kina nuk është një, siç ka pranuar të pohojë pesëdhjetë vite më parë, por që janë dy? A po i afrohemi fundit të “dykuptimësisë strategjike”, në bazë të së cilës Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë kurrë të qartë nëse do të kundërvepronin ndaj ripushtimit të ishullit nga ana e Pekinit? A po i avitemi vërtetë njohjes së Taivanit si Vënd tashmë i pavarur, mbasi u shkëput nga mëmëdheu kur komunistët morën fuqinë më 1949?

Taivani ka një territor; ka një popullsi që, në shumicën dërmuese, dëshëron të mbetet e pavarur; ka një sistem ligjor e një sistem politik demokratik prej tre dhjetëvjeçarësh. Për më tepër është, megjithëse ka vetëm 23,5 milion banorë, një fuqi ekonomike e teknologjike. Më 1951, kur Vëndi ishte në fakt i varur nga ndihmat amerikane, PPI për frymë ishte 154 dollarë. Në 2020 ka kaluar 28 mijë dollarët e nëse e masim në termat e fuqisë blerëse jemi në 55 mijë dollarë në 2019 (të dhëna të Fondit monetar ndërkombëtar) . Gjithënjë në terma të fuqisë blerëse, ajo e Taivanit është e njëzeta ekonomi e planetit.

Nga pikëpamja teknologjike, Taivani ka prodhime të domosdoshme në shkallë globale: në veçanti farkëton 63 % të mikroçipëve që përdoren në botë, të nevojshme në rreth njëmijë sektorë, nga kompiuterët tek autot, tek Mbrojtja. Me gjithë këto e megjithë shkencëtarët e tij Taivani nuk mund të jetë pjesë e OKB dhe as e shumë prej agjensive të saj. Të kërkohet që t’i hapen së paku disa dyer, siç duket të jetë prirja e Washingtonit, shpërthen kundërshtinë e ashpër e Pekinit: e quan një hap drejt sovraniteti të Taivanit.

“Corriere della Sera”, 27 tetor 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 227
  • 228
  • 229
  • 230
  • 231
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT