• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përvetësimi i Monumenteve kishtare mesjetar arbërore në Kosovë nga Serbët

June 10, 2021 by dgreca

Shkruan: Prof asoc. Dr. Bedri Muhadri-Instituti i Historisë “Ali Hadri”/ Territori i Kosovës së sotme nuk ka qenë epiqendra e veprimtarive të ndërtimit të kishave serbe në kohën e Nemanjidëve. Kishat më të hershme  serbe u ngritën kryesisht në territorin e ngushtë të Rashës si: Studenica (afër Novipazarit), e ndërtuar nga Stefan Nemanja; Manastiri Maleshevo (afër kufirit të Bosnjës), Sopoçani (Novipazar) dhe Manastiri i Zhicës, i rindërtuar më pastaj afër Kralevës, që ishte edhe seli e Autoqefalisë serbe, u ndërtua nga Stefani i Kurorëzuar. Me fjalë të tjera djepi i kishave dhe i manastireve serbe gjatë dy – tre brezave të sundimit të Nemanjidëve gjendej në territoret serbe, e jo brenda Kosovës.

Kjo shtrirje e kishave serbe përkon me territorin serb mesjetar që e jep studiuesi Kostandin Jireçek, sipas të cilit: “Në brendi, në shekujt XI – XII shtrihej, me disa ditë ecje në këmbë, një shkretirë e madhe në rripin e gjerë kufitar bizantin ndërmjet serbëve dhe bizantinëve, ndërmjet qyteteve kufitare bizantine Prizreni, Lipjani dhe Nish, nga njëra anë, dhe vargmalet serbe mbi Lim e Ibër, në anën tjetër. Pas okupimit serb në kohën e Nemanjës (viti 1180 etj), shumë shpejt u populluan këto vise të pasura natyrore e veçanërisht luginat e nxehta të Drinit të Bardhë dhe të Sitnicës”.

Territori i Kosovës  pas pushtimeve serbe nga sundimtarët serbë Stefan Deçanski (1321-1331), Stefan Dushani (1331-1355) dhe në kohën e sundimtarit të fundit të kësaj dinastie Uroshit V (1355-1371), u gjet në pjesët qendrore të shtetit të Nemanjidëve. Në kohën e Nemanjidëve, pushteti dhe Kisha ortodokse serbe kanë uzurpuar shumë kisha katolike. Njëherësh u adaptuan e u rindërtuan një sërë objektesh fetare, si kisha e Shën Premtes, kisha e Shën Spasit, kisha e Shën Nikollës, manastiri i Shenjtorëve Mihal e Gabriel, si dhe kishat në Korishë, Hoçë e Madhe, Mushtishtë etj.

        Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha apo manastire ortodokse serbe, si manastiri i Deçanit, i Graçanicës, kisha e Shenjtorëve Mihal e Gabriel dhe kisha e Zojës Prendë në Prizren, Patrikana e Pejës, kisha e Shtjefanit në Mitrovicë, janë të moçme si për arbrit autoktonë ashtu edhe për serbët pushtues në Kosovë, meqë deri më sot, nga studiues seriozë askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret ne fjalë janë ndërtuar, rindërtuar apo meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine.

Kishat ortodokse mesjetare, që gjenden sot në Kosovë (Graçanica afër Prishtinës, Levishka, në Prizren, Patrikana e Pejës dhe kisha e Deviqit në Drenicë), nuk janë dëshmi e kulturës serbe, sepse ato janë ndërtuar para ardhjes së tyre në këto treva, kurse kishën e Deçanit e ka projektuar dhe e ka mbikëqyrur zbatimin e projektit prifti katolik shqiptar frati Vita Kuqi nga Kotorri. Kisha e Manastirit të Deçanit është vepër më e madhe që ruan elemente nga ndërtimtaria dalmate- arbërore e ardhur nga bregdeti. Në arkitraun e portalit jugor të narteksit gjendet edhe mbishkrimi i gdhendur i arkitektit arbëror dom Vita Kuqi. i cili së bashku me 18 skulptorë e gurskalitës ndërtoi kishën e manastirit të Deçanit. 

Këtë e sqaron mirë edhe studiuesi serb, Pero Slijepçeviqi, i cili e, ku thotë se këto kisha nuk janë vepër e atyre sundimtarëve serbë, emrin e të cilëve e kanë ato, sepse në atë kohë “Serbët nuk kanë pasur kurrfarë tradite të veten në ndërtimtari, as në pikturim. Nemanjiqët kanë ndërtuar (financuar) edhe larg kufijve të shtetit serb, me qëllim të afirmimit të dinastisë së tyre…Manastire të tilla kanë financuar edhe në Jerusalem, në Stamboll, në Greqi” etj”. Në një shënim të arkivave të Vatikanit shënohet se mbreti serb Stefan Dushani skizmatik, kur filloj rindërtimin (jo ndërtimin), e kishës se Deçanit dhe u detyrua të mbante, të siguronte një njësi të fortë ushtarake që ti ruante mjeshtërit, sepse vendasit (arbrit katolikë) nuk lejonin mjeshtrit të punonin në kishën e tyre.

 Për t’i siguruar kishat u formua një institucion që quhen “vojvodë i kishës”-roje e kishës. Vojvodët ishin të caktuara nga familjet e caktuara nga popullsia e vendit për ta ruajtur kishën me ndihmën e katundit. Vojvoda merrte nga manastiri edhe një farë shpërblimi material në të holla, sepse një mashkull nga shtëpi e tij ruante ditë e natë në manastir. Në Deçan, vojvodë ka qenë shtëpia e Sali Rrustës. Për Patrikanën e Pejës vojvodë ka qenë familja e Zhujë Veselit nga fshati Shtupeq i Madh të Rugovës. Kurse familja e Brahim Vojvodës nga Llausha e Drenicës e ka ruajtur kishën e Deviçit. Nuk eksitojnë të dhënë të sakta se kur janë emëruar vojvodët, mirëpo sipas disa shënimeve dhe supozimeve vojvodët u emëruan para më se tre-katërqind vjetësh. Me fanatizëm të madh është ruajtur kisha e Deçanit nga ana e vojvodës Sali Rrusta,. Në vitin 1878 me rastin e shpërnguljes së mijëra familjeve shqiptare nga Toplica nga ushtria e pushteti serb. Me këtë rast shumë shqiptarë janë vrarë dhe shumë shtëpi janë djegur e pasurinë ua kanë plaçkitur. Përveç kësaj të gjitha xhamitë janë bërë shkatërruar e bërë rrafsh me tokë. Në shenjë të hakmarrjes, organet e pushteti turk i kanë organizuar malësorët që ta rrënojnë kishën e Deçanit. Është mbledhur një numër i madh njerëzish për ta kryer këtë detyrë. Mirëpo vojvoda i atëhershëm Rrustë Alija  (babi i Salih Rrustës ) thirri fisin Gash e shumë fshatra përreth, pa dallim fisi, që ta mbrojnë kishën. Ata u mblodhën shpejt të armatosu në oborrin e kishës dhe u çuan fjalë sulmuesve se pa luftë s’do të hyjë brenda dyerve të kishës asnjë prej tyre. Duke parë rezistencën e mbrojtësve sulmuesit u tërhoqën dhe kisha shpëtoi nga shkatërrimi i sigurt që i kërcënohej. Në vitet e rrezikut gjithmonë përforcohej roja e manastirit. Tradita e ruajtjes  së kishave nga popullsia përreth tyre është mjaftë e lashtë. Kështu, nga një krisobulë e car Dushanit lëshuar manastirit të Shën Arhangjejve, afër Prizrenit, shihet se disa fshatra kanë qënë të obliguar ta ruajnë këtë kishë dhe ta përcjellin Igumanin (kryemurgun) kur ai të shkojë në rrugë.

Tradita e mbrojtjes së kishave nga arbrit-shqiptarët nuk ishte e rastësishme , ata në këtë akt shihnin mbrojtjen edhe të vlerave të objekteve të veta te përvetësuara nga të tjerët në rrethana të caktuara historike. Kështu, manastiri i Graçanicë, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964, është një bazilikë e ndërtuar midis shek. VI-XI. Kjo bazilikë ishte qendër e Ipeshkvisë së Ulpianës dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e anjatës së mesme u rindërtua një kishë kushtuar Zojës së Bekuar të Graçanicës. Ka të ngjarë se po kjo kishë të përmendet në letrën e Papës Benedikti XI, në vitin 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë të moçme që nga viti 930, mbreti Nemanjid  Millutin rindërtoi manastirin e Graçanicës rreth vitit 1316. 

Gjithashtu edhe manastiri i Shenjtorëve Mihal dhe Gabriel është ndërtuar mbi një kishë të moçme dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348. Në kompleksin e manastirit gjenden Kështjella e epërme, kisha e Shën Kollit, kisha e Shenjtorëve. S’do mend këtë kompleks të kultit e shfrytëzuan banorët e ritit ortodoks, si arbrit (shqiptarët) ashtu edhe serbët. Kontribut të madh në rindërtimin e tij kanë dhënë tregtarët katolikë raguzan që jetonin dhe vepronin në Prizren. Arkeologët në rrënojat e këtij manastiri kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romak dhe gotik. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik të punuar në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e katedrales Santa Maria në Firencë. Në kishën e këtij manastiri ruhet edhe varri i krye zotëriut arbëror Strazimir Balsha nga viti 1372 atëbotë zotëruesi i qytetit të Prizrenit. 

Po ashtu është e njohur se mbreti Millutin në vitin 1307 përvetësoi edhe kishën katedrale Shënë Premtës (serbët i thonë Bogorodica Levishka) në Prizren e cila ishte selia e ipeshkvisë së Prizrenit. Kisha e Shën Premtes, është ngritur mbi tempullin e periudhës romake e të bazilikave të shekujve V-VI. Ajo ishte selia e Ipeshkvit të Prizrenit e cila daton që në vitin 1019. Kisha e Shën Premtes në Prizren është një ndër monumentet e rëndësishme të thesarit të trashëgimisë kulturore të Kosovës. Është e vendosur mbi bazën e kishës së mëhershme trianiatëshe të shekujve XI e XII dhe të atyre paraprakë. Trajtën e sotme kisha e fitoi përmes rindërtimit të mbretit serb, Milutinit (1307), i cili ia ndryshoi emrin, duke ia përkushtuar të ngriturit të Zonjës në qiell. Në shekullin XVIII, u shndërrua në xhami dhe u rikthye sërish në kishë, në vitin 1912. Për kishën e Shën Premtes janë dhënë mendime të ndryshme para hulumtimeve arkeologjike të viteve 1950-1952. Kështu, F. Mesenel shkroi se kisha i përket një kishe të vjetër të periudhës bizantine. 

Arkitekti Dj. Boshkoviç, duke pohuar praninë e kishës së vjetër trianitatëshe në kohën e mbreti Milutin, ofroi dy versione për gjendjen e dikurshme të kishës në relacion me veprimet ndërtimore në shekullin XIV. E para, mbreti Milutin e gjeti kishën bizantine tërësisht të rrënuar dhe e rindërtoi, dhe se mbreti Milutin e rindërtoi kishën bizantine nga bazamenti i vjetër, ndërsa pjesët e tjera u shtuan gjatë gjysmës së shekullit XIV.  Kjo kishë mban disa emra të ndryshëm që u përdorën në kohë dhe gjuhë të ndryshme gjatë gjithë jetës së kishës e që janë: shqip: Shën Prenda, Shën Prena/Shëneprena, Shën Premtja, kisha greke; serbisht: Sveta Petka, Svet Bogorodica, Levishka; turqisht: Xhuma xhamia. Emrat e ndryshëm të kishës së Shën Premtes janë njëkohësisht shprehje e lashtësisë së saj dhe e shtresimeve kulturore të objektit skaral, gjithnjë duke ruajtur emrin bazë të kishës, Shën Prenda-Shën Premtja. Ekzistimin e kishës së mëparme e dëshmon dhe mbishkrimi i vendosur në pjesën lindore të kishës, në të cilën shkruan “…e ripërtëriu nga themelet kral Stefan Uroshi, dhëndëri i mbretit grek, kir Andronik Paleologu”.

Për rindërtimin e Kishës së Shën Premtes mbi themelet e një tempulli pagan duhet cekur se kryepeshkopi Danilo e quan mbretin Millutin “ndërtimtar dhe ripërtëritës të tempujve të rrëzuar e të rrënuar”. Fakt mbi ekzistimin e kishës së më parme është edhe mbishkrimi i vendosur në të cilin shkruan. “…e ripërtëriu që nga themelet mbreti Stefan Uroshi…”.

Sipas hulumtimeve arkeologjike e historike, nga studiuesja  vërtetohet se  zhvillimi i kishës së Shën Premtes në Prizren kishte nëntë faza të zhvillimit, duke konstatuar se ky tempulli ka ekzistuar edhe para periudhës romaken e dri më sot. Në kohën e sundimit otoman, në vitin 1756, kisha u shndërrua në xhami. Nga kjo kohë, godina sakrale e Shën Premtes u quajt xhamia e fatih Sulltan Mehmedit. Në popull u ruajt me emrin Xhuma xhamia (Xhamia e së Premtes). Në vitin 1912, pas hyrjes së ushtrisë serbe në Prizren, në vitin 1912, xhamia u shndërrua sërish në manastir. 

Shën Premtja, prezente në besimin ortodoks, gëzoi respekt të veçantë tek e gjithë popullata shqiptare, pra edhe ajo katolike dhe myslimane. Në fund të shekulli XVI dhe në nismë të shekullit XVII, F. Cordignano evidentoi në territorin e Shqipërisë së sotme 38 kisha të përkushtuara Shën Premtes, në mesin e 275 kishave të tjera katolike. Nga kjo e dhënë shihet se Shën Premtja ishte njëra ndër hyjneshat më të preferuara edhe ndër shqiptarë e besimit katolik. Shën Premtes në Kosovë i janë përkushtuar kisha katolike në Prishtinë, Romajë dhe Shëgjeç të Hasit, në Raç të Gjakovës (Kisha e Ferizëve), Mushnikovë, Dresnik të Klinës, Kijevë, Carajë të Leposaviqit dhe Dunav të Gjilanit. Një kishë ortodokse gjendej dhe pranë lokalitetit Gradina të Pejës. Në Romajë/Ramajë të Hasit, në anën e majtëtë lumit Dështicë, gjendej kisha e Shën Premtes, në oborrin e së cilës deri vonë janë varrosur besimtarët katolikë të fshatit Dedaj. Me gurët e kishës, me urdhër të Reshit Pashës së Gjakovës, është ndërtuar ura, e cila sot quhet Ura e Sh’na Prenës. Truporja e Shën Premtes e Ramajës, pas konvertimit të banorëve në islamizëm, është bartur më lart, në hapësirën më të mbrojtur të Shëgjeçit (Bytyçit).

Të dhënat e parashtruara pamundësojnë njëmendësinë anakronike se Kisha e Shën Premtes i takon vetëm një etniteti, atij serb. Me këtë rast, është me vend huazimi i thënies së Konstantin Jireçekut, studiuesit të historisë serbe, i cili ofron qasjen e qartë vijuese: “Është i gabuar mendimi, i cili ndeshet shpesh në kohën tonë, se elementi arbanas ka depërtuar tek në kohën turke në lindje, si p.sh. në hapësirën e Prizrenit”. Me këtë, Jireçeku pohon prezencën e etnitetit arbanas në Prizren e rajon është zhvilluar jeta shumë herët dhe shumë kohë para dyndjes sllave në Ballkan.

Kisha e Shën Premtes është njëra nga dëshmitë. Nga historia e Kishës së Shën Premtes pasqyrohet realiteti historik nëpër të cilën kaloi popullata ku u krijua dhe mbijetoi. Ishte tempull pagan, që më pas u shndërrua në kishë. Përjetoi katrahurë me ndarjen e krishterimit, në atë ortodoks e katolik, dhe një kohë mbeti ortodokse. Me pushtimin nga Nemanjidët, me dhunë u përzu kleri i saj, duke u instaluar kleri serb. Kisha e Shën Premtes veproi edhe në kohën e dominimit osman, duke i mbijetuar kohës deri në vitet kur u shndërrua në xhami.

  Në përfundim, mund të themi se kultura materiale e arbërve që prej kohësh ishte pre e të huajve, në veçanti e serbëve. Në trevën e Kosovës gjatë mesjetës kanë bashkëjetuar shumë monumente të kultit të krishterë katolik, ortodoks dhe sllave që shërbyen për arbrit dhe për popullatën tjetër të këtushme. Gjatë kohës së Nemanjiqëve kisha ortodokse-serbe përvetësoi kisha të moçme iliro-arbërore, ndërtoi apo rindërtoi mbi to që nga shekulli XIII. Që nga koha e Mbretërisë Jugosllave deri në ditët e sotme kishat ortodokse serbe në forma të ndryshme shkatërruan, plaçkitën, përvetësuan dhe e instrumentalizuan kulturën për të arsyetuar se Kosova është “djepi i serbizimit”. Për t’u arsyetuar kjo, shpikën tezën ekstra shkencore që ndërlidhen me detyrën dhe të drejtën  e identitetit kombëtar, si bie fjala, “treva që ruan identitetin kombëtar është një e drejtë e pakontestueshme, e cila nuk mund të shkëputet as nga populli as nga shteti”. Ajo që tërheq më tepër vëmendjen  është se, sipas regjistrimit të monumenteve të gjithëmbarshme të Kosovës, gjatë viteve 1956, 1968 dhe 1993, të realizuar nga instrumentet shtetërore serbe, del se, nga fondi i gjithëmbarshëm i monumenteve të kultit, afro 2/3 evidencohen në kuadër të monumenteve të kultit ortodoks serb, përkatësisht janë regjistruar 22 manastire dhe 110 kisha të rit ortodoks serb, 25 xhamia, dhe vetëm tri kisha të krishtera katolike në rrënoja. Monumentet e kultit të ritit bizantin (29 sosh) janë evidencuara vetëm si rrënoja. 

  Këtej fryma spekulative e kësaj kishe për gjoja “tokën e shenjtë” dalë nga doktrina pansllaviste e mitropolisë ortodokse ruse e shek. XVIII që përpiqet ta paraqesë Kosovën si “çështje të Jerusalemit serb” u sanksionua në formë shoviniste nga Kisha Ortodokse Serbe në librin “Momorandum o Kosovu i Metohiji” Svetog Arhirejskog Sabora Srpske Pravoslavne Crkve. Redaktori i këtij memorandumi, peshkopi i Zahumës dhe Hercegovinës Anastasije Jevtiq në rezymenë  e veprës thotë: “Ashtu siç është Jerusalemi për popullin hebre, është edhe Kosova për populli serb”. Po ai me tutje shton se: “Na duhet besim dhe durim, kurse Kosova do të jetojë ashtu siç ka jetuar edhe Jerusalemi, jeton dhe do të jetojë”, që paraqet në vazhdimësi aspekte të synimeve grabitqare ndaj territorit dhe kulturës së Kosovës të njohura më parë në pamfletin “Libri i Bardhë për Kosovën”  i ASHAS i vitit 1986.

         T’i kthehemi çështjes Kosova “Jerusalem” i serbëve. Në asnjë formë të krishterimit, përfshirë këtu krishterimin ortodoks lindor, “vendi i shenjtë” nuk ka luajtur ndonjë rol fetarë që do të mund të barazohej me rolin e Jerusalemit në teologjinë e judaizmit. Jerusalemi i vërtetë është një vend i shenjtë për të gjithë të krishterët, por kjo nuk i jep të drejtë asnjë shteti katolik, protestant apo ortodoks që të kërkojë aneksimin e tij dhe aq më pak të kërkojë dëbimin e banorëve të tij, izraelitët dhe palestinezët. Siç kemi vënë re, Kosova e sotme nuk ka qenë epiqendra e veprimtarive të ndërtimit të kishave e të gjithë sundimtarëve serbë të mesjetës. Selia e Kishës Ortodokse Serbe Manastiri i Zhicës është themeluar në Rashë e jo në  Kosovën e sotme. Ajo vetëm është zhvendosur në Pejë . Kjo ishte, para së gjithash, pasojë e një sulmi të rastit në manastirin e Zhiçës më 1290 nga forcat tatare dhe kumanase. Sikur këta të kishin marrë një rrugë tjetër, ndoshta Kosova kurrë nuk do të ishte qendra e Patrikanës serbe, përfundon me të drejte N. Malcolmi. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Mesjetare, Monumentet Kishtare, Pervetesimi nga server, Prof.Bedri Muhadri

CIVILIZIMI

June 7, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Më shumë njerëz, më qytetërim – do të thoni. Gabim. Është jetë në xhungël. Qytetërimi lindi ku kishte më pak njerëz. Rajone të thata ose gjysmë të thata, dhe jo ato me klimë të butë e kushte më të favorshme për jetesë, panë ngritjen e civilizimeve të para. 
Historia tregon se qytetërimi ka të ngjarë të lindë në kushte relativisht të shkreta a më pak mikpritëse. Shumë nga  civilizimet e para u ngritën në zona të thella në shkretëtira ose në rajone gjysmë të thata: Peruja, Mesopotamia, Egjipti ishin të tilla. Mendimi është se tokat pranë lumenjve ishin më të preferuara për të jetuar, pasi ofronin qasje në ujë dhe transport; toka pranë ujit është më e mirë për bujqësinë.
Ndërsa popullsia u rrit, dendësia e saj u rrit gjithashtu, sepse askush nuk dëshironte të largohej nga toka pjellore, për t’u vendosur në brendësi ku toka ishte e djerrë. Kjo krijoi efekte të rëndësishme shoqërore. Larg lumenjve toka nuk do ishte aq e mirë, por gjithsesi e pranueshme; njerëzit thjesht mund të zhvendoseshin nga tokat pjellore nëse nuk i pëlqente zhurma ose kishin konflikt me fqinjët. Por edhe në këto rajone nuk ishte e mundur të shpëtohej. Fqinjësia – dashje a pa dashje, e mirë ose e keqe – e ndjek njeriun. Kështu, një përgjigje e mundshme e problemit ishte krijimi i strukturave më komplekse që lejonin rregullimin e marrëdhënieve dhe ndërmjetësimin e mosmarrëveshjeve. Disa njerëz dolën me sisteme të ligjeve, gjykatësve dhe sundimtarëve për t’u siguruar që jeta të kishte mundësi të funksiononte mes jetësh të shumta – sundimi i ligjit sjell qytetërimin – është sot mendimi i përgjithshëm.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Civilizimi

MARIO DRAGHI DHE GJALLËRIMI I EKONOMISË: ARMËPUSHIMI I TARAFEVE

June 5, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Më së fundi Mario Draghi dhe grushti i ministrave e bashkëpuntorve kanë hapur një rrugë në xhungël edhe këtë herë. Nuk kanë përdorur sëpatën, por një dorezë kadifeje për të larguar një nga një, ëmbëlsisht, blloqet në rrugën e reformave ose ndonjë fjalë në tekstet e një dekreti, për t’i dhënë të gjithëve një arsye për t’u quajtur fitues. Krahinat e “interesuara”; nënsipërmarrjet do të jenë nën vërejtje, pra sindikatat mund të jenë të qeta dhe PD mund t’i shkruajë vetes një meritë; mbikqyrjet e sipërmarrjeve do të zhvishen nga pushtetet e tyre vetëm nëse do të flenë mbi vendimet. Të gjithë mund të thonë se kanë mbrojtur katrorin e tyre të pushtetit.  

Por thelbi është gjetiu: të rrethar nga i njëjti pesimizëm tipik italian i shumëve, edhe ndërmjet mbështetësve, Dragi dhe të tijtë shkojnë përpara. Janë duke hapur një rrugë ndërmjet xhunglës së vetove e të esnafeve saktësisht simbas tabelës së ecjes së premtuar. Më 30 prill u nis për Bruksel një Plan i gjallërimit dhe qëndrueshmërisë pesë herë më i imtësuar e i mprehtë se ai i trashëguar nga qeveria e mëparëshme (saktësisht 2480 faqe kundrejt 500). Brënda majit do të dalë në Gazetën Zyrtare dekreti që do të thjeshtësojë kalimet administrative për investimet dhe bazon mbi Pallatin Chiggi (drejtimi politik) e mbi Ministrinë e Ekonomisë(mbarështimi financiar) qeverinë e Recoveryt. E gjithë kjo me po-në e Lëvizjes 5 Yje, të Legës së Matteo Salvinit, të tjerë partive të shumicës, të Cgil të Maurizio Landinit e të Krahinave që deri pak orë më parë kërcënonin padi në Gjykatën kushtetuese. Tashmë nuk fluturon asnjë mizë. Na falni nëse është pak.

Do t’ishte naive të mendohej se gjithë kjo harmoni e papritur i kushtohet një çasti ndriçimi të klasave drejtuese italiane. Mbetemi si më parë të njëanshëm, dritëshkurtër, të prirur secili në mbrojtjen e tarafit tonë më shumë se t’interesit të përgjithshëm. Në këtë Draghi po sprovon të njëjtën parabolë që ka shoqëruar të tjera qeveri institucionale të thirrura në rastin e piskamave. Zakonisht ishin kriza financiare, këtë herë është shëndetësore. Por në fazën e parë të një qeverie teknike fiset e Vendit pezullojnë gjithmonë armiqësitë e ndërsjellta e mblidhen përqark njeriut të thirrur për t’i shpëtuar. Ose së paku e lenë të punojë. Më pas kafshimi i piskamës pakësohet, siç ndodh tani me pandeminë në sajë të fushatës vaksinore, veçoritë ngrenë krye. Secili duhet të ruajë truallin e vet, Lega me taksën e “sheshtë”, Lëvizja 5 Yje që ngulmon kundër një parimi qytetërimi siç është parashkrimi. Për të mos folur për sektarizmat në shoqëri: funksionarët e lartë të Shtetit në kryengritje kundër një reforme të administratës që lejon të punësohen ekspertë të nivelit të lartë me thirrje të drejtpërdrejta; sindikata që kërkon të mbajë ndalimin e pushimeve nga puna me ligj, rasti i vetëm në këtë pikë në të gjithë botën.

Kjo është xhungla në të cilën Draghi duhet të hapë udhën drejt reformave të lidhura me 204 miliard eurot e Recovery-t. Ndërmjet qershorit e korrikut e presin, ndërmjet të tjerave, reforma e rendit gjyqësor, masat e rekrutimit të nëpunësve shtetërorë, projekt-ligji për konkurrencën (konçesionet bregdetare të përfshira?) dhe paraqitja e projekt ligjit mbi reformën fiskale. Kjo e fundit do të duhej të bazohej mbi ”hulumtimin njohës” të komisioneve të Financave të Dhomës së Deputetëve e të Senatit e mund të tregojë së paku ndonjë objektiv themelor për t’i bërë taksat më pak armiqësore për ndërmarrjet e ndershme e më pak të padrejta kundrejt shtresës së mesme të nëpunësve shtetërorë.

A do të mundet Draghi të shkojë përpara, mbasi të ketë mbaruar piskama dhe armëpushimi relativ ndërmjet fiseve korporative italiane? Ndoshta po, mund t’i a dalë sepse ka një gjë të re. Shumë grupe interesi në këtë pikë janë aq të trumhasur, të ndarë në vetvete, aq të dobësuar nga rënia kombëtare, sa që edhe kërcënimet e tyre me veto tingëllojnë tani si rite të lodhura. Parashikohet një sektarizëm qullac. Mjafton pak për t’a bërë të mirë e ndonjëri në qeveri duket se e ka kuptuar.

Kjo natyrisht nuk do të thotë se të gjithë problemet janë zgjidhur. Invesitorët, vëndas apo të huaj po na thonë të kundërtën. Obligacionet e Shtetit italian të dhjetë viteve paguajnë një çmim me rrezik të ulët, por më të lartë se titujt grekë (më parë nuk ishte ashtu), ndërsa Thesari e ka të vështirë të organizojë hua për tridhjetë vjet sepse ka pak oreks në tregjet. Ankandet për energjinë e përtëritëshme n’Itali gjejnë interes as për të katërtën e ofertës, ndërsa në Spanjë për trefishin e saj. Kush mund të investojë mbi Vendin nguron, sepse nuk din se çfarë do të vijë mbas qeverisë Draghi. Tani kryeministri dhe të tijtë po hapin një udhë. Mbetet për të kuptuar nëse do të mbetet aq e ngushtë sa që  xhungla e Vendit të mbyllet mbas kalimit të tyre, apo të gjithë n’Itali do të vendosin të ndihmojnë “teknikët” për të krijuar një hapësirë të gjërë, një hapësirë drite që të mbetet. Është pyetja e madhe e viteve t’ardhëshme.
“Corriere della Sera”, 29 maj 2021    E përktheu Eugjen Merlika     

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Gjallerimi I economize, Mario Draghi

BJELLORUSIA, SANKSIONET MUND TË KENË PASOJA TË PAPARASHIKUESHME

June 5, 2021 by dgreca

Nga WOLFGANG MÜNCHAU-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Evropa nxjerr lakuriq të gjitha plasat e kundërshtitë e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për të përballuar kryetarët e shteteve totalitarë të Vendeve të mëdha: Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan. Alexander Lukashenko, nga ana e tij, do të paraqiste, në teori, një problem të një rendi më të ulët. Bjellorusia është një vend relativisht i vogël, popullsia e saj është m’e pakët se ajo e Belgjikës, e PPi nuk arrin as atë të Luxemburgut. Ndërmjet burrave të fuqishëm që shfaqen në kufijtë evropianë, Lukashenko është, me gjasë, më pak i zgjuari, gjë që nuk e bën më pak të rrezikshëm.

Megjithatë, për Bashkimin evropian do të jetë tmerrësisht e vështirë për të gjetur kundërveprimin më të përshtatëshëm për t’i u kundërvënë veprimit shkandullor të banditizmit ajror, veç nëse BE do të vendoste më së fundi, gjë shumë e pazakontë, të përpunonte një plan të tijin strategjik. Për të bërë këtë do të duhej të fillonte duke pyetur veten se cilët janë synimet tona: duam një ndërrim regjimi? Duam të ndalojmë një bashkim politik ndërmjet Rusisë e Bjellorusisë? Apo dëshirojmë thjesht për të dërguar një mesazh se ulja e një aeroplani përfaqëson një dhunim të papranueshëm për sigurinë e Bashkimit evropian? Që të tre janë synime të ligjëshme. Por për t’I sendërtuar do të duheshin mjete të ndryshme.

    Nuk arrij të shpjegoj ndalimin e fluturimeve, mbasi Lukashenko sigurisht nuk do të përsërisë trimërinë e tij. Ndalimi i fluturimeve dëmton më shumë politikanët e opozitës se sa Lukashenkon dhe rrethin e tij. Lukashenko i lejon ende zhvendosjet me rrugë ajrore. Rrugët për Poloninë e afërt dhe Lituaninë janë mbyllur për shkak të pandemisë. Shpagimi i Rusisë, në ndalimin e fluturimeve evropiane që anashkalojnë Bjellorusinë, na bën të kuptojmë se Rusia e Bjellorusia veprojnë si aleatë strategjikë. Takimi që u mbajt të shtunën e kaluar, ndërmjet Vladimir Putinit dhe Lukashenkos, e ka përforcuar atë lidhje. Dy Vendet ecin me të njëjtin hap.

Këllilli evropian i ka kërkuar përfaqësuesit të lartë të përpilojë një listë të sanksioneve. Flitet për të shtrirë sanksionet tregëtare tashmë në fuqi, ashtu sikurse për të futur një përgjigje më dëmprurëse, duke e nxjerrë jashtë Bjellorusinë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave. Sa për mua, kam frikë se të dy këto veprime nuk do të bëjnë tjetër gjë, veçse të shtyjnë Bjellorusinë në krahët e Putinit, nëse nuk do të shoqërohen nga sanksione të reja për vetë Rusinë. Si fillim, Rusia përfaqëson partnerin kryesor ekonomik të Bjellorusisë, me 50 përqind të shkëmbimeve tregtare, ndërsa Bashkimi evropian mezi arrin në 18 përqind. Një embargo tregtare nuk është e mjaftueshme për të shkaktuar një ndryshim të regjimit, por mjafton e tepron për t’a shtyrë Lukashenkon dhe Putinin të shpejtojnë projektin e tyre të bashkimit politik të shestuar së fundi. Nëse sanksionet ekonomike janë zbuluar një instrument diplomatik i efektëshëm kundër Iranit, nuk është e thënë aspak që të kenë të njëjtin përfundim me Bjellorusinë. Lukashenko nuk do të jetë një shqiponjë zgjuarsie, por din shumë mirë kujt t’i drejtohet kur është në telashe. I goditur nga sanksionet ekonomike të Bashkimit evropian, mundësia e tij e hershme është të rrjeshtohet me Putinin e të forcojë lidhjet me Kinën.

Një përfundim i këtillë do të ishte rrënues për Bashkimin evropian. Javë më parë kam analizuar rrezikun gjeopolitik të përfaqësuar nga Suwalki Gap, një rryp toke 60 kilometra gjatësi e që ndan territorin rus të Kaliningradit, Köningsbergun e vjetër nga Bjellorusia. Harta e jonë vë në dukje se ai  sqep toke që qëndron ndërmjet kufijve polak e lituan do të përfundonte së ndari dy Rusitë në hamendësimin e një bashkimi politik me Bjellorusinë. Nëse Evropa do të   adoptonte një kundërveprim të tepruar kundrejt ngacmimeve të Lukashenkos, Suwalki Gap do të mund të kthehej në shkëndinë e një kundërshtie gjeopolitike. Kjo, natyrisht nuk është në interesin e Evropës.

Për të shmangur një fatkeqësi të këtillë Evropa ka nevojë për një strategji më të përgjithëshme. Gjermania mund t’i dërgonte një sinjal Rusisë në lidhje me projektin Nord Stream 2, kur kjo të vendoste të ndërhynte në çështjet bjelloruse. Por nëse gazsjellësi nuk do të preket, Putini do të shfrytëzojë në dobi të vet çdo hapësirë ushtrimi gjeopolitik. Megjithatë dyshoj seriozisht se do t’ishte i gatshëm të flijonte rastin për të nënështruar gjithë Bashkimin evropian ndaj furnizimeve energjitike ruse me qëllim të mbronte një diktator të shikuar mjaft keq në një Vend kufitar. Marrëdhëniet e Rusisë me Bjellorusinë nuk janë asgjë kundrejt atyre që e lidhin me krahinat ukrainase të gjuhës ruse.

Është pikërisht këtu që strategjia evropiane për të frenuar Lukashenkon, me shumë gjasë është e paracaktuar të dështojë. Veprimet e Anxhela Merkelit nuk janë të përputhëshme me bisedat e saj. Synimi kryesor i politikës së jashtëme gjermane nuk është aspak integrimi evropian, por afrimi me Rusinë dhe marrëveshja me Kinën.

Prandaj ravijëzohet një skenar i ankthshëm: Evropa miraton sanksionet dhe shtyn Lukashenkon n’orbitën e Putinit, edhe se vazhdon të tregëtojë me Rusinë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. 

Politika e jashtëme dhe e sigurisë e administratës Biden zbulohet shumë më strategjike se ajo evropiane, por ndruhem se amerikanët janë shumë të përqëndruar mbi Kinën, qejfpaprishur kundrejt Rusisë dhe skajshmërisht pohenikë në lidhje me Gjermaninë. Nuk është e vështirë të përfytyrohet një skenar në të cilin i vetmi fitimtar i kësaj galaktike do të jetë pkërisht Putini.

“Corriere della Sera”, 1 qershor 2021     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Bjellorusia, Eugjen Merlika, Sanksionet

Ana tjetër e festivalit të Këngës Magjike

June 5, 2021 by dgreca

Shumë shkëlqim, ngjyra e drita brenda dhe po aq mjerim jashtë/

NGA GEZIM ZILJA/
Ishte një festival plot drita, ngjyra, kostume rrëzëllitëse, bizhu, shumë herë më i kushtueshëm se paraardhësi, ku skenografia e teknologjia e përdorur ia kalonte festivalit të San-Remos. Po të mendosh se jetojmë në një vend të varfër, plot problem sociale, ku mbi 30% e popullsisë nuk ka të ardhura të përballojë jetesën, atëherë kujt i shërben gjithë ky luks e shkëlqim? Është propagandë dhe do të tregojë një realitet më të ngjyrosur, që në Shqipëri nuk ekziston? Do të bëjë propagandën e qeverisë se vendi po shkon në një bollëk të madh e nuk kemi ndryshim nga Europa madje jemi mbi të ? Për mua sidoqoftë është tangërllëk dhe snobizëm i panevojshëm. Unë di se disa pjesëmarrës të festivalit, big e jo big, kanë marrë para borxh që të kapin “lartësinë e festivalit” për veshjet, bizhutë, grupin shoqërues e xhingla të tjera, përndryshe do të ishin në fund dhe të përbuzur. Nuk jam kundër teknologjisë, të përparuarës, gëzimit gjithëpërfshirës, qejfit, pamjes, bukurisë së femrës e festave. Por kur kjo kthehet qëllim në vetevete, është jo e dobishme, madje e turpshme. Se u bë një festival me skenarist italjan, ku shpenzimet janë të mëdha, plot dritë e ngjyra me një luks marramendës nga a-ja te zh-ja kjo nuk do të thortë se jemi evropianë e kemi standart jetese të njejtë. Treguam si do ta shohim dhe më poshtë atë që nuk jemi dhe këtu qëndron ironia dhe boshi. Të dukej se ndodheshe në një festival europian apo atë italjan nga shkëlqimi, por kënga, muzika, poezia, orkestracioni, veshjet, skenari, baleti, etj etj. duhet të ishin në kulturën dhe traditën shqiptare. Por kjo nuk ndodhi në të 48 këngët dhe tre netët e festivalit.
Gjynah për shqipen tonë të bukur!
Dukej sheshit se tekstshkruesit shpesh nuk kishin as njohuritë e arsimit nëntë vjeçar për gjuhën shqipe e guxuan të shkruanin në gjuhë të çuditshme afër shqipes, se gjuhë shqipe ajo nuk ishte dhe nuk është. Pjesa më e madhe e tekstshkruesve, se poetë nuk janë, duket se nuk e kanë fare haberin se kush është Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Martin Camaj, Ali Podrimja, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Azem Shkreli, Ismail Kadareja apo Dritëro Agolli. Nuk kanë dëgjuar për Kongresin e Manastirit, Petro Nini Luarasin dhe as e dinë që ekziston një libër me titull “ Gjuha Letrare Shqipe për të gjithë” botim i vitit 1976. Ndryshe nuk do ta masakronin gjuhën shqipe në atë farë feje, që ajo të tingëllonte e pakuptueshme dhe pa ngjyrë. Në një festival të këngës shqiptare në përmasat e Këngës Magjike, tekstet e këngëve, duhet të jenë të njësuara sipas rregullave të aprovuara në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në vitin 1972. Thënë ndryshe tekstet duhet të shkruhen në Gjuhën Letrare Shqipe, ose meqënëse është TV privat, të ruhet identiteti i plotë i toskërishtes ose gegënishtes. Janë dialekte plot ngjyra, bukuri e janë bekim për gjuhën shqipe. Por gegënishtja e përdorur nga disa këngëtarë në zhargonin e pabeve, bulevardit e kafeneve të trishton. Nuk është përdorur gegënishja e Ali Podrimes, Azem Shkrelit, Fishtës e Martin Camajt. Po citoj disa vargje me ndonjë koment të shkurtër.”… A pi she kto lot në sy/E kam mush kët got për ty/Edhe sun pe pi/Se m’kujtohesh ti dhe ma zi. (Lot) “ Ose “…Nejse nata me gjeti esull/Edhe hurma asht e pjekun/…. Kena mbet krejt si dikur/pa korrent, drita është e fikun/Na nep veç një mundësi o burrë/mos u merr veç me çensurë. (Zemra e din…)” Në këto tekste, poezi nuk ka, po dhe shqipja e shkretë, duket kaq e sakatuar e për gjynah! Ka tekste ku fillohet në dialektin gegërisht e pastaj kalohet në atë jugor, mjafton që të rimojnë në një farë mënyre. Gjejmë mjaft fjalë, të cilat futen shëmtueshëm vend e pavend dhe ndonjëherë vetëm në funksion të rimës e shëmbëllejnë si një përkthim bajat: “…Mbase ke të drejtë)/mbase nuk të meritoj/ Mbase duhet kohë që unë/Të reflektoj./Jo mos fol ti për dashni/Se nuk e njeh e di/Me faj më bën tani/kjo të shkon e ke mjeshtri… Udhëkryq” Nuk mund të përdoren në poezinë shqipe, as në gjuhën zyrtare fjalë të huaja si tentoj, dubloj, moment, akoma, imponoj, reflektoj, predikoj, pretendoj, çensuroj etj etj. Vargjet ndonjëherë zgjaten e futen fjalë, pasthirrma e zanore të stërzgjatura sa duket sikur po fut me zor një pykë për të çarë një trung, mjafton të plotësohet vija melodike (të çahet trungu). Në këngën “E Para” veç varfërisë së fjalëve e figurave artistike, që mungojnë, e i japin jetë poezisë, dy vargjet e para janë në toskërisht e dy të tjerat në gegënisht : S’ma pranove dashurinë/Dashuri për mua s’ka/Me m’mshkatrru e me m’lëndu/Ti do jesh gjithmonë e para. Dhe pastaj vjen refreni lebetitës me një “a” kilometrike “ Aaaaaa me momente/ Aaaaaa a ia vlente..” Vështirë të kuptosh se refreni është rrjedhojë logjike e katër vargjeve të para. Duket sikur teksti është krijuar duke luajtur bilardo apo diku duke pirë kafe . Si mund të lejohet kjo gjuhë shqipe në një festival aq të organizuar si Kënga Magjike: “…Asgjë nuk ish kon si paramenumun/ s’di se ku gabum/Lotët faqet mlojnë/e kujtimet m’vrajnë/ veç ty tu t’kujtu…Lakmi ” 
Tekste banale dhe jashtë realitetit shqiptar.
Në vitet ‘60-’70 Italia përjetoi bumin e parë ekonomik pas luftës së dytë botërore. Ishte një revolucion që kapi të gjitha sferat e jetës përfshi dhe atë shpirtërore. Pati disa dukuri që po shfaqen sot në Shqipëri ( jo bum ekonomik) si braktisja e fshatit, betonizimi i qyteteve dhe zhdukja e gjelbërimit. Këngët e kënduara në festival, patën jo pak ndikim (vazhdojnë dhe sot) në pakësimin e plagëve të kohës. Atëherë doli kënga e famshme e Adriano Çelentanos “Il Ragazo della via Gluck,” “Che sara”, “Vagabondo,” e shumë të tjera ku trajtoheshin tema të mprehta sociale., Atje ku kishte ajër të pastër e gjelbërim, u shndërrua gjithçka në beton e pluhur. Çelentano proteston në vargjet e tij të famshme: “ Eh no, non so, non so/ perché, perché continuano a costruire, le case/ e non lasciano l’erba,/ , Eh no, non so, non so perché,/Eh no, se andiamo avanti così, chissà come si farà, chissà… Kënga tjerër “Che sara” është lamturmira e një djali të ri që braktis vendlindjen për të shkuar në qytet se jeta në fshat është e vështirë, madje braktis dhe të dashurën “per qualcosa di piu”. Por ama jep një fjalë, një shprese në fund të këngës ku i drejtohet vendlindjes e vajzës në vargje të spikatura: Ti do l’apuntamento come quando non lo so /Ma so soltanto che ritornero. Ka këngë që i këndojnë nënës, Italisë, gjithë krenari, (Lasciatemi cantare,) jetës së vështirë, endacakut dhe sigurisht dashurisë, që italjanët duhet thënë janë kampionë në të shprehurit e ndjenjave. Një mrekulli ishte pjesëza e ndërtuar në perfeksion, ku Marsela Çibukaj shkëlqeu me zërin e saj magjik. Në të gjitha këngët italjane të kënduara jepeshin mesazhe të fuqishme për dashurinë njerëzore , për vendlindjen, rikthimin, dhe i thurrej himn njeriut. Pyes: Si është e mundur në një festival të përmasave të Këngës Magjike, në një vend si yni ku pabarazia, varfëria, pesimizmi, largimi i rinisë jashtë Shqipërisë, betonizimi i qendrave urbane, shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe korrupsioni lulëzojnë si lulet në pyllin tropikal, nga 48 këngë të mos ketë një të vetme të cekë plagët shoqërore të mësipërme? Le të dominojnë këngët e dashurisë. Por të ketë “njëckë” për nënën ose për varfërinë, për largimin e të rinjve dhe boshatisjen e Shqipërisë. Është harresë, pakujdesi, u verbuan dhe i dhanë rëndësi dukjes, dritave, luksit idjot? Në këtë vend, vërtet vetëm dashurohen e ndahen, hanë, pinë, flenë dhe fillojnë sërish nga e para!? Vërtet “Clani” është një TV privat por jo aq sa duket. Është e përcaktuar me ligj për televizionet që marrin financime nga shteti ( dixhitalizimi, reklamat e detyrueshme nga shteti etj) dhe të tjerë, jo vetëm duhet të informojnë por edhe të formojnë, edukojnë, e ndikojnë në shijet e njerëzve, të ruajnë trashëgiminë kulturore, zakonet, traditën, historinë, dashurinë dhe respektin për atdheun, gjuhën e shkruar e të folur sipas standardeve të përcakura etj, etj. Dhe emisione e spektaklet me vlerat e mësipërme “Clanit” nuk i kanë munguar. Nuk po flas për cilësinë e teksteve, ku mungon në pjesën dërrmuese poezia, (shpesh në këngë fjalët nuk kuptohen,) ndjenja e hollë, finesa dhe eleganca e vargut, shqipja e bukur, e magjike. Vetëm lot, tradhëtira, vargje të shplara, pa nerv, pa pasion, të zvargura, (shih tekstin e kengës fituese Thikat) që shpesh të vijnë në vesh si mjaullima macesh e maçokësh në kohën e shumimit. Për poezinë dhe dëgjuesit shqiptar, duhet respektuar tradita, dituria, nervi poetik, dashuria për njeriun e dheun e të parëve dhe sigurisht shumë talent. Jo çdo bibë e bibuq, që nuk di të flasë drejt shqipen e bukur, këtë gjuhë hyjnore, mund të lejohet të zhgaravisë e të paraqesë tekste në një festë të madhe e plot autoritet si festivali i Këngës Magjike. Kjo nuk duhej lejuar.PS. Për ksehasje apo humor një gaztor intervistonte këngëtarët. E detyroi një këngëtare të huaj të thoshte disa herë frazën: Polli pula e Lleshit, në kaçile të leshit. Dhe ajo e shkreta plot pafajësi: Poli pula, leshi leshi… Gaztori u kënaq dhe shikonte gjithë krenari vërdallë. Humor është ky?

Filed Under: Analiza Tagged With: Gezim Zilja, Kenga Magjike, mjerimi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 258
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT