• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Fjala flet ndryshe

April 14, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/

Mbulesë e gjerë dhe ata që e mbajnë torturohen nga frika se po të hiqet, ajo që fshihet nën ’të, do të shkatërrojë sistemin e tyre. Artistët thonë se natyra është mënjanuar; studiuesit nuk kanë ideal. Ata i rëndojnë fjalës së sinqertë me shaka për të ngritur veten; qeshin kur flasin dhe ndryshojnë temën. Fakti është se gjithçka që ka të bëjë me lirinë, e kështu me radhë, është zhdukur. Personat praktikë dhe komodë i shtypin ata që kanë pretendime, ose që mendojnë ndryshe, dhe pushteti mbetet për heroizmin dhe vetëflijimin si ushqim për propagandën e tyre. Shprehja  “Ik sot për të luftuar një ditë tjetër”, si koncept është shuar.
Asnjë poet nuk guxon murmuritje bukurie jashtë nga zona e rimave. Ashtu si asnjë klerik nuk guxon të sugjerojë një Providencë e cila kritikon kombin kur sheh se ka zgjedhur rrugë të keqe. Shqipëria është ishull vullkan i zhurmshëm i fatit, i vlerave materiale, i tarifave e taksave të larta dhe ligjeve që rëndojnë, tregjeve të gllabëruara dhe çmimeve pa vlera. Të gjitha në mungesë të qëllimeve më të larta, të dashurisë së pastër të dijes dhe dorëzimit ndaj natyrës; ekziston shtypja e imagjinatës dhe mendimit; kemi “faktik” në vend të “natyrshëm”; dhe shpenzime pa shije; art dhe vetëkënaqësi; shpërblim për cilindo që krijon një pengesë më shumë për të ndërhyrë midis njeriut dhe sendeve.  Kështu fjala degradohet; poezia bëhet udhëzues i rimuar turistësh. Dhe bibliotekat e vargjeve që shtypen marrin këtë karakter vendor. Në sa vëllime duhet të qëmtojmë para se të mbushemi, të mësojmë, të përtërihemi? Kërkojmë mrekullinë, bukurinë, që nuk mund ta prodhomë në asnjë mulli, që nuk mund të japë llogari; bukurinë, prodhimin e së cilës e mbajtën sekret poetët e mëdhenj; nuk dihet ku e gjetën. 
Është humbur nga sytë fakti që poezia ekziston që shpirti të flasë, dhe se asnjë pasuri e përshkrimit ose e zbukurimit është risi derisa të arrihet. Prandaj, poetët fare fare të vjetër u vunë veshin vargjeve dhe më pak konsideronin gjykimin. Fjalët e tyre të çojnë te burimi. Dhe lexuesi do të thoshte: Për Zotin, nëse fjalët nga shpirti do të ishin si të kalemxhinjve,
Shkrimi do të kishte më shumë ligësi. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Fjala, Ndryshe

Gabova, kur si sot 29 vjet më parë lajmërova nga Tirana për Zërin e Amerikës përmbysjen e diktaturës komuniste

April 14, 2021 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Lajmin për përmbysjen e diktaturës komuniste e dhamë për edicionin e orës 7:00 të mëngjesit të Zërit të Amerikës. Direkt nga receptori i telefonit fiks. Atëhere nuk kishte ardhur ende koha e Steve Jobs, as gjeneratës të parë të iPhone-ve dhe Smartphone-ve

Gjithë natën Shqipëria nuk fjeti ndërsa po gëdhihej 23 marsi i 1992; ishte nata që do të ndryshonte sistemet, pas 44 vjet diktaturë mizore që edhe në grahmat e fundit kryente krime kundër njerëzimit.

Më 10 gusht të 1988, diktatura do të varte në litar në mes të Kuksit poetin Havzi Nela, ndërsa në verën e 1990 në kufirin shqiptar, në veri dhe jug, do të vriteshin me dhjetra të rinj që do të guxonin të kalonin territorin shqiptar, edhe pse Muri i Berlinit tashmë kishte rënë dhe sistemi totalitar kishte dhënë shpirt.

Pasi ndoqëm pothuaj gjithë natës të dhënat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vendosur në Pallatin e Kongreseve, së bashku me Xhevdet Shehun, që të mbeteshim në historinë e kësaj ngjarje të madhe, e ndamë lajmin dhe e lexuam një pjesë unë dhe një pjesë ai nga zyra e Skënder Buçpapajt, nëndrejtorit të përgjithshëm të RTSH. Në Washington DC ishte mesnatë kur na telefonuan gazetarët e Zërit të Amerikës, pasi as Xhevdeti dhe as ne nuk kishim telefon në shtëpi pa marrë parasysh se Skënderi kishte tre muaj Nr.2 i RTSH.

Kush e ka jetuar 22-23 marsin e 1992 nuk e harron kurrë pas shpalljes në mëngjes të fitores shpërthimin e ngazëllimit të detit njerëzor, klaksonët e pafund të veturave në bulevardin Dëshmorët e Kombit, një pjese e madhe vinin nga qyteti i Kavajës, ndërsa nga dritaret e tyre flatëronin nga era pranverore flamujt kombëtarë.

Sot pyes se ku janë gjithë ata njerëz dhe ku shkoi gjithë ai gëzim i asaj dite i kthyer i gjithi në zhgënjim pjesën tjetër të jetës.

Tirana atë ditë pranvere të 23 marsit të vitit 1992, që binte ditë e hënë dhe përkonte me kremtimet e Bajramit, festonte e gjitha! Liria na kishte vënë krahë, ne besonim se do të ishim të gjithë të lirë, të barabartë, pa luftë klasash, pa urrejtje klasore, pa burgje, pa vrasje, pa segregacion ideologjik brënda kombit, pa luftë civile.

Kështu besonim. Sidomos atë ditë pranvere kur u gdhi 23 marsi 1992. Midis 22 dhe 23 marsit të 1992 duke dëgjuar gjithë natën Radio Tiranën që lajmëronte fitoren e PD nëpër qendrat e votimit, nga qyteti në qytet, nga lumturia se agimi do t’i gjente në një Shqipëri krejt të re, i elektrizoi shqiptarët duke bërë dashuri e ngjizur fëmijët e pranverës 1992, të 22-23 marsit të 1992!

Sot ata fëmijë që u ngjizën më 22-23 marsin e 1992 janë 28 vjeçarë, ndofta pjesa më e madhe jashtë atdheut.

Asnjë nga shqiptarët që festuan 22-23 marsin e 1992 nuk do ta besonte se, pas 29 vitesh, kjo kastë politike do të kishte dëbuar nga Atdheu 3 milionë shqiptarë dhe se aktualisht Shqipëria do të kthehej në vendin ku Covidi19 i shuan shqiptarët, sepse shteti është në kolaps të plotë, me sistem shëndetësor të dështuar që i vret jetët e shqiptarëve!

Nga 22-23 marsi 1992 më ka mbetur ende relike një orë dore me logon e Zërit të Amerikës, që ma dhuruan për suksesin që patëm ato ditë të stuhishme, që përmbysi sistemin, por që u kthye mbrapsht sepse dështoi në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Në Shqipëri nuk u krye dekomunistizimi dhe supertruktura komuniste, që trashëgoi institucionet e shtetit demokratik, nuk u konvertua por keqqeverisi. Për tre dekada rresht të njëjtat fytyra ricikluan pushtetin, u pasuruan, duke shpërdorur votën e popullit dhe sot Shqipëria është viktimë e kësaj klasa politike të pamëshirëshme, që i vret shqiptarët me varfëri esktreme, me sistem shëndetësor ne kolaps, me sistem drejtësie në kolaps, me sistem arsimor në kolaps, që trafikon diploma, mastera e doktoratura, tituj, grada, çmime, pa meritokraci, pa konkurencë të lirë, pa shanse punësimi, pasi të drejtën e punës e të privilegjeve e ka vetëm administrata, familjarët, enturazhi, dashnoret dhe, në mënyrë ciklike, Shqipëria vuan dhe shqiptarët vuajnë!

Krejt ndryshe nga sa u besua në 22-23 marsi i vitit 1992! Ishte aq bukur në 23 Marsin e 1992 sa për të besuar se ishte i vërtetë!

Ora e dorës e me logon e Zërit të Amerikës ka mbijetuar 29 vite jetë nëpër rrugët e botës, nëpër bagazhet e një familje refugjate politike, me plaçkat në krah e me fëmijët e vegjël në krahë; që do ta fillonim gjithçka nga zero dhe kur rrënjët na thërrisnin e na tërhiqnin si manjet pa marrë parasysh largësinë me mijra kilometra larg.

Ikëm, sepse tashmë Atdheu ishte kthyer në rrezik për brezin e tretë, kur kisha parasysh torturat që kishte provuar im atë, ime më dhe unë. Ikëm për të shpëtuar brezin e tretë, për t’i shpëtuar fëmijët tanë, nipat e gjyshit të tyre dhe fëmijët e mi, nga kthetrat e pinjollëve të diktaturës që ishin kthyer më të egër se të parët e tyre.

Në fakt, ata nuk u larguan asnjëherë. Askush nuk i shqetësoi. Shqiptarët naivë besuan se do të konvertoheshin, se do të kërkonin falje për krimet e etërve, por ata janë trashëgimtarë të denjë etërve të tyre sepse nuk i pranojnë ligjet e sistemit demokratik !

Ora e dorës me logon e Zërit të Amerikës, që e mbajta në dorë në ditët shpresëmëdha për të ardhmen e Shqipërisë, dikur, kur i mbaroi bateria, u fut diku në një sirtar, që të mbetej si kujtim. Dhe pastaj, nuk di se si, u bë refugjate e udhëtare bashkë me ne dhe sot është relikë e një dite historike të vrarë nga shpërdoruesit e lirisë, nga kjo klasë politike me në krye Kaligulën shqiptare Edi Rama.

Prandaj them se gabova atë 23 mars, kur lajmërova për Zërin e Amerikës rënien e sistemit totalitarist në Shqipëri. Sado absurde të ngjajë për një vend anëtar të NATO-s, i cili prej tridhjetë vitesh ka mbetur peng i së shkuarës. Ky është realiteti i hidhur që duhet të ndryshohet me çdo kusht. Me të gjitha mundësitë që ofron demokracia. Sikur në Kosovë më 14 shkurtin e 2021!

Këtë ndryshim 180 gradë, për vendosjen e shtetit të së drejtës po e presim të gjithë. Po e pret edhe kjo orë relike, e cila patjetër e ka ndjerë pulsin tim të shpejtuar kur kam lajmëruar, sepse aq shumë kam dashur që të ishte e vërtetë dhe jo iluzion, triumfi i lirisë atë 23 mars të 1992 dhe pastaj bashkë me ne, dikund në fundin e një çante udhëtimi, i ka përjetuar peripecitë tona si të 3 milionë shqiptarëve, të ikur nga Atdheu nëpër botë, atje ku balta nuk është kurrë e ëmbël si mjalta, si në Shqipëri.

Ndërsa sa i përket fëmijëve që u ngjizën më 22-23 marsin e 1992, me bindjen e plotë të prindërve se diktatura e theu qafën për të mos u kthyer kurrë më në Shqipëri, këtij brezi sot i bie detyra që ta realizojë atë çka mbeti ëndërr, sepse ky brez ka lindur prej asaj ëndërre. Ne prindërit e tyre dështuam!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Gabimi, Skender Buçpapaj, zeri i amerikes

Shkrimi si martesë midis kaosit dhe rregullit

April 12, 2021 by dgreca

Nga Minella Aleksi/ Fjalët nuk janë magji, por ato mund të funksionojnë si të tilla. Në një tekst fjalët janë shumë më tepër sesa thjeshtë guacka ku shkronjat strehoen. Teksti jo vetëm që është mënyra e dytë më e vjetër e transferimit të informacionit, por nëpërmjet tij i është dhënë pavdekësi ideve që përndryshe do të vuloseshin në një rreth  të pafund zbulimi dhe rizbulimi. Tekstet janë disa llojesh ndër të cilët lloji më i veçantë, ai që përcjell emocion është teksti krijues, ku fjalët  funksiononojnë dhe tingëllojnë si të magjishme. Është një ndërthurje midis mëndjes së lexuesit dhe shkrimtarit si dhe mëndjes së lexuesit dhe karaktereve në libër. Një shkrimtar i romanit triller e ndërton tekstin përmes dy jetëve paralele – jetën e së vërtetës në botën reale dhe jetën e fantazuar ku veprojnë njerëz të imagjinuar, personazhet. Shkrimtari me tregimin e tij përpiqet që të hyjë natyrshëm në hapësirën emocionale të dikujt që e lexon, e transporton brenda lexuesit atë jetë imagjinare, pasi e ka përjetuar atë të krijuar më parë brenda vetes së vet. Në momentin që vendos fjalë në letër për të evokuar një histori, konsiderohesh një shkrimtar. Por vetëm sepse tregon një histori interesante të vjetër ose të re, nuk do të thotë që shkrimi është i shkëlqyeshëm. Mund të jetë një tekst po aq i mrekullueshëm sa edhe mediokër. Kritika serioze bazuar në talentin dhe aftësitë e shkrimtarëve kreativ dallon dy kategori shkrimesh ose tekstesh, atë të fabrikuar me logjikë dhe tekstin e shkruar me talent. 

Shtrohet pyetja: a egziston ky dallim vetëm në mendjen e lexuesit, apo është e mundur që bazuar në diferencat emocionale që shkaktojnë mbi lexuesin të përcaktohet dhe të matet sasia e talentit në të vërtetë?

Në jetën krijuese të artistëve, një nga dikotomitë më themelore, më të bukura e më të magjishme të krijimit artistik është Kaosi dhe Rregulli, përkatësisht Mosnjohja dhe Njohja. Mjeku neuropsikolog Robert Bilder mendon se: “Kreativiteti qëndron në prag të kaosit”. 

Realisht nuk është aq shumë që kaosi është mjedisi për krijimtarinë, pasi është që krijimtaria krijon kaos – veçanërisht në ciklin fillestar të proçesit krijues. Prandaj kreativitetin e quajnë fëmija e kaosit dhe arti konsiderohet si fëmija i rendit. Natyrshëm pyetet: talenti është një trashëgimi thelbësore kromozomike nga prindërit e ditur, apo ndoshta vetëm një rastësi e lumtur e instalimeve të duhura mendore? Për studjuesit gjetja e një përkufizimi të qartë të talentit ka qënë diçka sfiduese. Disa argumentojnë se talenti lind me njeriun si përmbajtje gjenetike, ka të tjerë që thonë se është diçka që mësohet dhe disa të tjerë bien dakord që është pak nga të dyja. Mendoj se më afër së vërtetës janë ata që e konsiderojnë talentin si një aftësi e veçantë që potencialisht me shumë punë e çon një individ drejt suksesit. Shumë njerëz besojnë se të shkruarit në vetvete është një talent. Përkundrazi, të shkruarit është një aftësi. Talenti dhe aftësia përshkruhen si veçori njerëzore që lidhen me njëra tjetrën por që saktësisht të njëjta nuk janë. Talenti përmbahet natyrshëm te njeriu, si një cilësi e brendshme që shfaqet pa mundim, ndërsa aftësia është diçka që individi e zhvillon me shumë durim përmes të mësuarit dhe të praktikimit. Mendoj se raporti talent –punë këmbëngulëse gjen shprehjen e qartë në proverbin që shkrimtari Orhan Pamuk e citoni në fjalën e marrjes së Nobelit: “  Kurrë nuk është e qartë nga vjen frymëzimi por sekreti i shkrimtarit  është këmbëngulja dhe durimi, ngjan sikur me gjilpërë të gërmosh një pus. Mendoj se është thënë duke pasur shkrimtarët në mendje”. 

Disa artistë janë të talentuar dhe punëtorë të palodhur, por shpesh ekziston një mospërputhje midis këtyre dy cilësive. Talenti disa mund t’i bëjë dembelë, sepse ata për të arritur të njëjtin qëllim duhet të mbështeten më pak në punë të lodhëshme . Puna e lodhëshme dhe me durim i ndihmon disa të kompensojnë nivele më të ulëta të talentit, prandaj është mjaft e dobishme të qënurit i vetëdijshëm për nivelet e ndryshme të talentit që çdo krijues zotëron. Shkrimtari Samuel Beckett i nxiste të rinjtë “Provoni përsëri. Dështoni përsëri. Dështoni më mirë”. Shkrimtarëe të talentuar shpesh u bëhet pyetja: çfarë ishte frymëzimi i kësaj apo atij krijimi artistik?. Studjuesit neuropsikolog mendojnë se pikënisja e kreativitetit, frymëzimi i pa përpunuar është kuptimi intuitiv që përcillet drejtpërdrejt nga nënvetëdija e artistit. Është një përvojë ndjesish kaotike përtej kontrollit dhe përtej të kuptuarit të njeriut. Një vorbull verbuese e dritës dhe e ngjyrës, e imazheve dhe e ndjenjave që vjen pak më shumë sesa një kuptim i paformuar, i pashpjegueshëm që nuk perceptohet përmes shqisave tona. Shpesh kjo vorbull imazhesh dhe ndjenjash, shkëndijash idesh, është aq kalimtare te njeriu kreativ sa mezi kuptohet në një nivel të vetëdijshëm. Kreativiteti ka një pikënisje por çfarë bëhet shkak i këtyre vorbullave  në nënvetëdijen e artistit dhe pse asnjëherë nuk mund të thuhet me siguri sesi dhe se ku nisi vorbulla. Thelbin kreativ të kaosit teoricienët e “Efektit flutur” e lidhin me rrethanat fillestare influencuese në të cilat një ndryshim i vogël brenda një gjëndjeje sistemi jolinear mund të rezultojë në ndryshime të mëdha. D.m.th, një flutur hap krahët në xhunglën e Amazonës, dhe pas një muaji një stuhi shkatërron gjysmën e Evropës. ” Pra, shumë prej këtyre ideve të egra, fluturojnë larg njeriut, si ëndrrat e mesnatës, pothuajse para se ai të kujtohet se i përkasin, se janë të tijat. Por në raste të një fati të madh, momentesh fatlume, krijuesi e mban marrëzinë magjepsëse para syve të mendjes së vetëdijshme aq sa duhet për ta kapur dhe “burgosur” atë në letër. Në ato momente, ajo që përpiqet të bëjë është të sjelli rregull në kaos. 

Për krijuesin këto janë çastet kur është duke marrë gulçimet më të efektshme të mendjes njerëzore dhe përpiqet që ti kufizoj ato brenda fizikalitetit të letrës dhe të bojës. Precipitojnë të kristalizuara në specifika gjithnjë e më të qarta të fjalëve që nën përndezjet elektrike të trurit fillojnë të bëhen personazhe, komplote, struktura, histori. Fillon të futet në veprim mekanizmi balancues kaos-rregull. Pritet arritja e momentit të pashmangshëm, pika e tensionit të harmonisë midis kaosit të krijimtarisë dhe rregullit të artit si kusht për të krijuar të plotë një trillim artistik. Gjetja dhe balancimi i pikës së tensionit midis kaosit dhe rendit është vendi ku të shkruarit kreativ si proçes krejtësisht individual i shkrimit bëhet thelbësor për secilin shkrimtar. Shkrimtari tashmë është i hapur ndaj imagjinatës.

 Si cilësi krejt individuale  loja magjike me fjalët i jep krijuesit mundësinë të përshkruajnë botën për të tjerët duke qënë krejt i ndryshëm prej tyre. Drejt këtij qëllimi përfundimtar, krijimit të plotë të jetës së produktit artistik, rruga e çdonjërit shkrimtar do të jetë e ndryshme – sepse për secilin krijues marrëdhëniet përkatëse me rendin dhe kaosin janë të ndryshme. Vet shkrimtarët  e kanë shpjeguar thelbin e shkrimit si një proçes kreativ që i mbart të dyja anët e medaljes, lumturinë dhe trishtimin, pra si martesa fatlume ose jo midis kaosit dhe rendit.  Kaosi është zona ku gjërat janë aq komplekse sa nuk mund të kesh kontroll mbi to dhe rregulli është hapësira ku gjërat janë aq të pandryshueshme sa krijojnë shumë kufizime. Ka një zonë të mesme që merr kuptim shprehës indirekt, e quajtur nga neuropsikologët “momenti i shikimeve kuptimplota dhe i pasioneve të ndrydhura”, një gjëndje ndërmjetëse idesh dhe miklimesh, ku njeriu është pjesërisht në gjëndje stabile dhe pjesërisht kërkues kurioz. Brenda kësaj zone të ndërmjetme zhvillohet pasurimi me ide dhe rritja e arsyetimeve gjykuese. Kur artisti kreativ e ka një ndjenjë kuptimi mbi këtë gjëndje atëhere me vetëdije kupton mirë se gjëndet në perspektivë krijuese të një proçesi të gjatë dhe të vështirë për t’u ngjitur nga nënvetëdija në mendimin e vetëdijshëm njerëzor. 

Të jesh i frymëzuar, argumenton Harold Bloom, është një përvojë e çuditshme për krijuesin, një shqetësim plot ankth që atë e bën të pyes veten nëse frymëzimi papritur do ndërpritet apo do të zgjasë. Kurse Percy Shelley e shpjegoi frymëzimin në këtë mënyrë: “Mendja në krijim është si një qymyr që venitet, të cilin një ndikim i padukshëm, si një erë e paqëndrueshme, e zgjon në një shkëlqim kalimtar.” Dhe artisti përgjon veten në kërkim të kuptimit se deri në çfarë shkalle gjëndet i frymëzuar – mos ndoshta thjesht po përpiqet të rikrijoj diçka të shkëlqyeshme apo më pak të tillë që tashmë dikush tjetër e ka bërë?. Shkrimi krijues është një atribut vetjak, përmban aftësi imagjinative me vizione të forta të cilat nuk mund të mësohen në shkollë. Të dy ekstremet, kaosi dhe rendi bëhen një ferr personal për çdo individ që është mbërthyer brenda njërës prej tyre. Pavarësisht se ku shkon, rendi dhe kaosi do të jenë aty dhe puna kyç e shkrimtarit është që këtë ekuacion t’a  balancoj siç duhet. Studjuesit seriozë mendojnë se dialektika midis kaosit dhe rendit zë një vënd qëndror në të gjitha shkrimet dhe është përkatësi natyrale konstituive e vet gjuhës. d.m.th të kesh aftësinë që me gjuhën të shfrytëzosh të gjitha kapacitetet magjike që të janë dhënë nga natyra. Sepse nga njëra anë, gjuha është “instrumenti i përshkrimit”, që vepron për të sjellë rregull dhe qëndrueshmëri në perceptim, nga ana tjetër, është gjithashtu “ krijuesja e asaj që përshkruan”, e kapur në një lak auto reference harmonie  mungesa e së cilës çon në shkrime kaotike. Virginia VVoolf, në esenë e saj, “Lexuesi i zakonshëm” duke përshkruar Shekspirin, thotë: “proçesi kreativ është sikur mendimi të zhytej në një det fjalësh dhe të dilte hijshëm prej andej, pika pika”. Shkrimtarët e talentuar faktikisht zhyten në atë det me fjalë duke qënë adhurues të gjuhës. Zotërojnë një “vesh të mëndjes” që i lejojn ata të dëgjojnë ritmet e fjalëve dhe rrjedhën e mendimeve të shtrira në fjali si notat në pentagram. Ky “vesh i mëndjes” mungon te ata që të shkruarit e kanë zanat. Zanat mund të mësohet në auditore, zhvillohet dhe aftësohet me shumë punë. Talenti si dhunti e lindur nuk mësohet në auditore. 

Kritiku amerikan Harold Bloom është i pa ekuivok kur në librin e tij “Anatomia e influencës”  shpjegon se, në një moment influenca prej autorëve të mëparshëm përfundon, edhe pse ndonjëherë është shumë e fuqishme. Ai beson se burime influencuese të madhështisë së vërtetë letrare ka shumë pak. Shumë njerëz kandidatë potencial të talentuar lexojnë romane të llojit romancë apo romane policorë, lexojnë letërsi kujtimesh, etj., ndihen të frymëzuar prej tyre – por ata janë potencialisht të frymëzuar vetëm për të krijuar respektivisht më shumë romane romantikë, policorë, letërsi kujtimesh etj, ndërsa letërsinë e shkëlqyer trilluese janë fare pak që e shkruajnë dhe një numër i vogël lexuesish që kanë receptivitet adhurues për të. Bloom përfundon se, pa asnjë dyshim, e vërteta është që artistët e mëdhenj frymëzohen nga lart, jo nga poshtë. Mikelanxhelo citohet të ketë thënë: “Madhështia e artistit matet me horizontet e tij. Unë pashë eëgjëllin në mermer dhe e gdhënda derisa e lashë të lirë”. 

Lidhur me temën që autori zgjedh të trajtojë dhe sasinë e talentit që një artist zotëron mendoj se përgjigjen e jep përcaktimi i qartë i bërë nga filozofi Arthur Shopenhauer: “Talenti godet një shënjestër që askush tjetër nuk mund ta godasë”. Ndërsa për nivelin më të lartë të talentit thotë: “Gjeniu godet një shënjestër që askush tjetër nuk mund ta shohë”. 

Besoj se duhet mbajtur mirë parasysh se çdo individ ka kufijtë vetjak të vizionit imagjinativ gjë që për secilin përbëjnë  kufijtë vetjakë perceptues të botës. Madje janë këta kufij që përcaktojnë edhe zgjedhjen e temave që artistë të ndryshëm trajtojnë në krijimet e tyre artistike. Temat më të mira letrare eksplorojnë natyrën njerëzore në një nivel universal. 

Në këtë kontekst mendoj se vlen të sjell një shëmbull që ka të bëj me romanin fitues të konkursit të Ministrisë së Kulturë. Fjalën e kam për romanin “Fjala e fundit e Sokrat Bubës” me autor Sokrat Medi. Si roman fitues e lexova dhe me gjykimin tim vlerësova të drejtë vendimin e Jurisë. Njohës i psikologjisë dhe sjelljes njerëzore shkrimtari prodhon motive dhe në tekst i kanalizon ato në mënyrë sekuenciale. Toni e ruan atmosferën dramatike nga që shkrimtari punon bukur me fjalën. Materiali historik është transformuar në tregim me talent artistik ku trajektorja dramacitet/tension e mban lexuesin në shinën e saj. Me intuitën e “veshit të mëndjes” e ruan ritmin e fjalëve dhe rrjedhën e mendimeve duke e bërë leximin të këndshëm. Autori ka një sens të zhvilluar në vendosjen e një balance të mirë midis kaosit kreativ dhe rendit, formës dhe përmbajtjes, gjë që është shprehje e kultivimit të stilit të tij original.  

Mendoj dhe nuk hezitoj aspak që të them se ky shkrimtar me këtë tekst të shkruar me talent e ka goditur shënjestrën. Shija letrare është individuale dhe nëse për mua shigjeta e këtij autori e ka goditur, ndoshta në rrethin e 8 shënjestrën, për të tjerë mund të jetë ndryshe. Por mendoj se duhet të jem afër gjykimit objektiv sepse edhe vlerësimi i Jurisë të lë këtë përshtypje. 

Por cilat janë qasjet e kritikës ndaj shkrimit kreativ dhe atij të shkruar me logjikë? Kjo pyetje më sjell në mend një dukuri që shpalos dy aspekte në kulturën shqiptare, gjatë dekadave të sistemit komunist dhe në dekadat pas përmbysjes së tij. Në 100 vjeçarin e fundit vendi ynë ka pasur mjeshtra të përkthimit në shqip dhe studjues shumë të aftë në fushë të gjuhësisë. Interesante është se deri më 1990 përkthyesit në shqip dhe studjuesit e shqipes megjithë kapacitetet që zotëronin nuk kapërcyen në fushën e krijimtarisë si shkrimtarë të romanit trillim. Shkrimtarët dhe poetët që kanë përkthyer janë shtyrë nga pasioni ose të detyruar nga nevoja e marrjes së një rroge. Çfarë i mbajti të frenuar për të mos kaluar në krijimtari artistike mirëfilli?. Mendoj se kanë qënë shumë të vetëdijshëm për një arsye logjike. Një përkthyes është së pari dhe mbi të gjitha një lexues i mirë. Përkthyesi nuk është shkrimtar i romanit trillim. Përkthyesi dhe studjuesi i gjuhës zotërojnë kulturë të përgjithëshme dhe gjuhësore për tu admiruar. Ata kuptonin shumë mirë një gjë se, dituria në të vërtetë mbahet statike në trurin e njeriut. Ndërsa imagjinata, “aseti” i shkrimtarit të talentuar, rrjedh, lëviz përpara gjatë gjithë kohës në një proçes ku kreativiteti i rrezaton padurueshëm trillet e krijimtarisë artistike. Kur Ajnshtajnin e pyetën mbi dijen dhe imagjinatën dha këtë definicion: “Imagjinata është më e rëndësishme sesa dija. Sepse dija është e kufizuar në gjithçka që ne aktualisht dimë dhe kuptojmë, ndërsa imagjinata përfshin të gjithë botën dhe gjithçka të saj që ndonjëherë do të ekzistojë për t’u njohur dhe kuptuar nga ne” Ndryshe nga ata të vetpërmbajturit e mëparshëm, disa përkthyes në shqip dhe studjues të gjuhës të këtyre 30 viteve të fundit janë hedhur në detin e krijimtarisë. Mbarëvajtja dhe vlerësimet në përkthime e studimet gjuhësore duket ua ka rritur dozën e vetërëndësisë dhe ua ka “nxjerrë turpin” duke bërë që të botojnë romane dhe vëllime me tregime. Përfundimisht mendoj se kanë rezultuar dobët ngaqë tekstet e tyre dallojnë si tekste të fabrikuar me logjikë. Duke pasur edhe taraf mediatik e shoqëror, me shumë bujari  nga kritikët konformistë u bëhet publicitet me bollëk e për librat e tyre thuhet me zë të lartë se do mbesin gjatë në letërsinë shqipe. Në një vend me popullsi të vogël reputacioni i njerëzve që ushtrojnë artet krijohet shumë më lehtë dhe shumë më shpejt sesa në vendet e mëdha. 

Kur kritikët pyeten lidhur me prurjet letrare në letrat shqipe nga vet kritikët jepet përgjigjja klishe: te ne mungon kritika serioze. Kjo përgjigje përmban në vetvete një të vërtetë që nuk i përjashton ata vet nga kjo mungesë serioze. Nga ana tjetër janë po këta që për çdo botim të një miku apo mikeshe nuk mungojnë të shkruajnë: Ky libër për vlerat që mbart do të mbetet gjatë në letrat shqipe. Nëse dikush do më pyeste për një model të një shkrimi kritik harmonik nën këndvështrimin e balancës kaos-rregull, pa asnjë ngurrim do përmendja parathënien e shkruar nga Z. Matteo Mandala në korpusin e veprës së shkrimtarit Kadare. 

Teksti i Z. Mandala përmban në vetvete cilësitë e një shkrimi kreativ ku linja e qartë e kompozimit, interpretimi kuptimor i ideve të shkrimtarit, ambiguiteteve, metaforave, gjuhës artistike, tiparet më të spikatura të stilit të autorit, shprehen me mjeshtërinë e një kritiku shumë të përgjegjshëm në atë çka ka marrë përsipër që të bëj. Vlera estetike e interpretimit kuptimor të tekstit qëndron në arritjen e një ekulibri optimal midis detajeve të rëndësishme dhe rendit estetik cilësi këto të një kritiku dhe esteti me aftësi të admirueshme.

Balanca në mes kaosit dhe rregullit është një koncept universal.

Pyetjes se çfarë qëndron midis rendit dhe kaosit i jepet përgjigje e thjeshtë: Inovacioni njerëzor. Romancieri Vladimir Nabokov vlerësonte se origjina e krijimtarisë, e inovacionit njerëzor në shkallën dimensionale të botës ekziston si një vend delikat takimi midis imagjinatës dhe dijes, një pikë e arritur me zvogëlimin e gjërave të mëdha dhe zmadhimin e gjërave të vogla, proçes thelbësisht inovativ.

Filed Under: Analiza Tagged With: Minella Aleksi, Shkrimi si martes

Cila është vaksina për dezinformata?

April 11, 2021 by dgreca

Nga Krenare Cubolli/ Evropa e Lire/

S’ka virus, maskat nuk të mbrojnë nga koronavirusi, masat e izolimit janë të kota dhe vaksinat janë të rrezikshme.

Këto janë vetëm disa nga dezinformatat, që kanë qarkulluar nëpër rrjetet sociale, prej kur ka shpërthyer pandemia e koronavirusit.

Pretendime të tilla për pandeminë janë raportuar në shumicën e vendeve të botës, edhe për faktin se koronavirusi ka qenë problematikë e re për të gjithë.

Megjithatë, njohësit e fushës së mediave dhe politikave globale shëndetësore vlerësojnë se vazhdimësia e përsëritjes së supozimeve të tilla, edhe pas më shumë se 13 muajve të përballjes me pandeminë, flet për mungesë të informimit të saktë për pandeminë në Kosovë.

Ata shprehen të shqetësuar nga mungesa e vetëdijes për rreziqet që ngërthen brenda vetes pandemia dhe mendojnë se ide të tilla mund ta vonojnë procesin e ecjes përpara sikurse vendet tjera, në disa prej të cilave, shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit po rritet relativisht shpejt.

Dren Gërguri, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka përcjellë përhapjen e informacioneve të rreme për pandeminë prej shpërthimit të saj.

Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se si në fillim është diskutuar shumë për zanafillën e koronavirusit, dhe janë përhapur informacione të rreme se ky virus është krijuar në laborator nga shtete e fuqishme.

“Pastaj me kalimin e ditëve, javëve, dezinformatat filluan të kalonin nga zanafilla e virusit, gjoja se te këshillat mjekësore, se si të mbrohen njerëzit nga koronavirusi”, thotë Gërguri.

Në një hulumtim që ka kryer Gërguri rreth kësaj çështjeje, në qershor të vitit të kaluar, ka rezultuar se limoni ka qenë produkti i dytë më i shitur në Kosovë.

“Arsyeja është sepse gjatë atyre muajve paraprakë kishte dezinformata se limoni të mbron nga virusi dhe përdorimi i limonit me ujë të nxehtë është diçka që duhet ta bëjë secili. Prandaj pas miellit, doli që limoni ishte produkti më i blerë nga qytetarët”.

Përgjatë analizimit të dezinformatave që kanë qarkulluar më së shumti në rrjetet sociale në mesin e shqipfolësve, Gërguri ka treguar se cilat janë reditur si pesë të parat në listë:

  • Doktori amerikan shkund botën, tregon të vërtetën për koronavirusin.
  • Diçka po ndodh! 40.000 trupa speciale amerikane kanë zbarkuar në vendet e Bashkimit Evropian përreth Ballkanit
  • Një mjek japonez tregon si ta kuptoni nëse jeni infektuar me COVID-19
  • Koronavirusi është mashtrim, masonët duan ta kontrollojnë botën
  • Ilaçi për koronavirus dhe mënyra si ta eliminojmë atë

Ai tregon se disa prej këtyre dezinformatave i ka pranuar edhe vetë në llogaritë e tij në rrjete sociale.

“Këtë me mjekun japonez e kam pranuar në Viber nga një shok i imi, i cili më shkroi dhe tha, ‘provoje sepse një mjek japonez po e thotë’. Unë pastaj e pyeta se ku hasi në këtë informacion dhe ai më tregoi se e ka parë në një faqe në Facebook. Pra, çfarë ka ndodhur është se këto dezinformata, prej Facebookut janë shpërndarë gjithmonë edhe në Viber dhe Whatspp, pasi nëse kthehemi një vit mbrapa ishte ajo ndjenja e panikut, frikës dhe në situata të tilla, njerëzit edhe nga dëshira për ta ndihmuar tjetrin, kanë shpërndarë dezinformata”, ka thënë Gërguri.

Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se ende vazhdon të dëgjojë dezinformata të tipit se virusi nuk ekziston.

Mirëpo tani për të përbën më shumë shqetësim kur njerëzit janë gjysmë të informuar dhe se aktualisht, sipas saj, dezinformata më e madhe lidhet me vaksinim.

“Ka mungesë të informatave rreth vaksinës dhe në atë hapësirë krijohen dezinformata të ndryshme. Nëse një herë kemi thënë se s’ka virus, atëherë shumë thjeshtë mund të themi se vaksinat janë të dëmshme. Në momentin që nuk flasin profesionistët, atëherë lindin konspiracione të ndryshme”.

Pas rritjes së dilemave për këtë vaksinë, më 8 prill ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia.

Ai ka thënë para mediave se vaksina kundër koronavirusit është e sigurt dhe asnjë person që ka marrë vaksinën deri më tani në Kosovë, nuk ka pasur efekte anësore nga ajo.

Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit më 29 mars, pas pranimit të 24.000 dozave të vaksinave të kompanisë AstraZeneca, përmes COVAX-it, skemës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për shpërndarje të vaksinave në vendet e varfra.

Vaksina e kompanisë AstraZeneca ka qenë temë diskutimi edhe në shumë vende tjera të botës, pasi disa vende përkohësisht patën pezulluar vaksinimin, meqë raportoheshin raste me trashje gjaku.

Megjithatë, në rishikimin e fundit të kësaj vaksine të kryer nga rregullatorët e Bashkimit Evropian dhe ata të Mbretërisë së Bashkuar, është thënë se përfitimet e kësaj vaksine i tejkalojnë rreziqet.

“Rastet e raportuara të trashjeve jo të zakonshme të gjakut, pas vaksinimit me vaksinën e AstraZenecas, duhet të renditen si efekte të mundshme anësore të vaksinës”, ka thënë shefja ekzekutive e agjencisë, Emer Cooke më 7 prill.

Çfarë shkoi keq?

Hana Xhemajli, eksperte për hulumtime të politikave globale shëndetësore, beson se hapësirë për dezinformata kanë lënë edhe institucionet që janë të thirrura për menaxhim të pandemisë.

“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka një staf prej rreth 150 personave, qe një vit e pak, ende nuk e kam parë ndonjë hulumtim të mirëfilltë rreth pandemisë. Puna e tyre e vetme është ajo. Ky institucion duhet të merret me hulumtime të numrave rreth pandemisë, të vijë me statistika, të na tregojë informata aktuale, dhe të informojë popullatën tash rreth vaksinimit”.

Edhe Arian Lumezi, gazetar me profesion, beson se shkalla e dezinformatave mund të jetë më rrezikshme tani, sepse tani ka kaluar kohë që jetojmë me këtë virus dhe pak a shumë dihet se cilat masa mbrojtëse funksionojnë.

Ai ka reaguar edhe përmes llogarisë së tij në Facebook lidhur me këtë çështje, duke thënë se shpërndarja e lajmeve të rreme duhet të ndëshkohet si vepër penale.

Lumezi ka folur me tone kritike edhe ndaj disa emisioneve televizive ku tregon se ka dëgjuar informacion të pavërtetë.

“Diskursi i përgjithshëm, debati publik ka degraduar shumë dhe është i bazuar kryesisht në dezinformata. Diçka që dëgjova në një emision ishte se maska nuk mbron nga koronavirusi. Me një kërkim të thjeshtë në internet mund ta kuptojmë se kjo gjë nuk është fare e vërtetë. Unë e konsideroj përhapjen e këtyre dezinformatave, dembeli intelektuale në rastin më të mirë, në rastin më të keq dezinformim dehumanizues, që burimin e ka më shumë te padituria”.

“Kriza institucionale e shtroi rrugën për më shumë dezinformata”

Si Xhemajli, ashtu edhe Lumezi besojnë se krizat institucionale kanë ndikuar që vëmendja e qytetarëve të bartet diku tjetër dhe jo në rreziqet e pandemisë.

Lumezi beson se pikërisht për këtë gjë, bindja e përgjithshme e qytetarëve tani është më e ulët.

“Prej argumenteve kryesore që mund t’i dëgjosh nga njerëzit, të cilët e kundërshtojnë vendimin e qeverisë për mbyllje, është që politikanët vetë kanë marrë pjesë nëpër fushata. Ata duhet të japin shembuj praktikë, të udhëheqin sipas shembullit”.

Xhemajli ka thënë se ndryshimet e mëdha të zyrtarëve të krye të institucioneve, ka nënkuptuar se nuk ka pasur stabilitet as në shpërndarje të informatave siç duhet.

“Kosova, gjatë këtyre 13 muajve të pandemisë, në shumicën e rasteve, nuk e ka menaxhuar pandeminë, por ka reaguar ndaj pandemisë. Kemi pasur shumë peripeci me rrëzim të qeverive, zgjedhje, me rregulla të ndryshme varësisht prej qeverive, prandaj gjithë këtë periudhë unë kam parë përzierje të politikave shëndetësore, të cilat në shumicën e kohës nuk janë artikuluar në mënyrën më të duhur”, ka thënë ajo.

Çfarë duhet bërë?

Me qëllim të luftimit të këtyre informacioneve të rreme, Hana Xhemajli beson se Qeveria e re e Kosovës duhet të nisë sa më parë një fushatë sensibilizuese rreth vaksinimit në Kosovë.

“Çfarë pres konkretisht nga IKSHKP-ja dhe Ministria e Shëndetësisë është një fushatë solide rreth pyetjeve dhe përgjigjjeve që i ka popullata, e cila mund të plasohet në secilin rrjet social, në secilin televizion, që nëse nuk e marrin vaksinën, e cila është e testuar dhe është e sigurt, atëherë ne do të kemi probleme që të dalim prej këtyre masave kufizuese”.

Arian Lumezi beson se edhe mediat duhet ta luajnë rolin e tyre në këtë mes.

“Përveç qeverisë, edhe mediat kanë jashtëzakonisht shumë përgjegjësi në vetëdijesim. Nuk po them që mediat të kthehen në mjet të ndërgjegjësimit të njerëzve, por së paku të mos bëhen mjet në dezinformim”.

Dren Gërguri vlerëson se secili qytetar duhet të përpiqet të verifikojë edhe vetë çdo informacion.

“Në epokën në të cilën ne jetojmë, secili qytetar duhet ta ketë sensin e gazetarit. Pra, që çdo informacion që e merr ta verifikojë së pari”.

Për verifikim, ai propozon ngritjen e tri pyetjeve:

  • A është i besueshëm burimi i informacionit?
  • A është raportuar ky lajm edhe në ndonjë media tjetër?
  • A mbështetet në burime zyrtare?

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë bashkë 132 vende anëtare në nënshkrimin e deklaratës rreth rreziqeve të infodemisë për koronavirusin.

Në të thuhet se prej shpërthimit të koronavirusit dhe shpallës së pandemisë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, zyrtarë të lartë në Kombet e Bashkuara dhe institucionet e saj, kanë tërhequr vërejtjen për sfidën e infodemisë apo keqinformimit dhe dezinformimit për pandeminë.

Guterres madje ka thënë se “me përhapjen të COVID-19, është nisur një cunami i keqinformimit, urrejtjes, skandaleve dhe frikësimit”.

Filed Under: Analiza Tagged With: dezinformimi, Krenare Cubolli, Vaksina

Sigurismi i Shtetit dhe Edi Rama

April 11, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Para pak kohësh një emison televiz transmetonte një program mbi një rast persekutimi. Kjo ishte një mësuese diku në malësi. Operativi i zonës nuk e kishte futur dot në dorë. Mësuesja e re e kishte refuzuar prerë. Kësisoj ky funksionar i armës së Sigurimit zuri nga kërcënimet, por prapë nuk e shtiu në dorë. Përfundimi, mësuesja e re burgoset për agjitacion e propagandë, deri ditën e rënies së diktaturës. Më pas, një beqareshë e lodhur si azilkërkuese në Bruksel. Kjo është një nga metodat e preferuara ta paranojakëve a skicofrenëve, raste që mund t’i shpjegoj subkoishenca e Frojdit. Por që në Shqipëri i kanë aplikuar që nga Enver Hoxha e deri tek kapteri më i fundit. Si dëshmi reale janë Ramize Gjebreja, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari etj., pa përmendur dhe fisniket e heshtura si mësuesja e Malsisë. Pra po nuk ma dhe apo po nuk të munda më kthehesh në një fiksim që prodhon veç intriga. Dhe nuk është çudi që vendi të ngjasi me subjektet e dramave të Shekspirit. Këtë e verteton edhe një intervistë e fundit e kryetarit të KQZ-ës kur  fushatën aktuale e krahason me atë të 1997-ës. Dhe nëse doni ta dini se përse ndodh kjo, është pikërisht ai fiksimi me tu mundur a me të të mundur. Nga performanca e njëshave fillon gjithçka. Sa më brutal, vulgarë e bullistë të jenë ata, dy fish jemi ne me njëri-tjetrin. Me të mohuar gjithçka deri në asht, aq sa kurrë shqiptarët të mos kenë një model real të unifikimit. Jo rastësisht Edi Rama është i fiksuar në dy emra, si ai sigurimsi tek mësuesja që nuk ia dha. Në atë të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Nëse dedektivi i sigurimit nuk duronte dot faktin që mësuesja nuk ja jepte. Edi Rama nuk duron këta dy emra, të cilët nuk i mundi dot. Të parin, Sali Berishën për faktin që ua hoqi shqiptarëve koracën e vizave me Europën. Do apo nuk do ai, kjo ndodhi në qeverinë e Berishës. Shqiptarët tashmë lëvizin në Europë pa vizë, mjafton pasaporta dhe kaq. Eshtë hera e dytë në historinë e shtetit të tyre, pas Ahmet Zogut. Me Enver Hoxhën donin vizë për në Konispol e Vermosh, se Italia ishte mollë e ndaluar. Po me Berishën, Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, pra thuajse 100% perëndimore. Sot është një kuvli nën protektoratin e Ankarasë, po 100% në kundërshtim me historinë e vet, karshi asaj Perandorie shkëputja prej sëcilës i solli pavarsinë dhe një batalion me dëshmorë të atdheut. Pas Enver Hoxhës, ky është shtetari i dytë që ka oreintuar Shqipërinë 100% nga Lindja. Me Ilir Metën vuan dështimin që nuk e nxorri dot në pension. Mendoi se duke e bërë president, komplet kundër vullnetit të shqiptarëve, do e nxirrte në pension. Kësisoj do e kishte më të lehtë rrugëtimin e ndryshimit të Kushtetutës, jo kufizimin e mandatit dhe dyfishin e afatit qeverisës deri sa një ditë të shpallet mbret. Do minimizonte elektoratin e LSI-is duke ruajtur çdo votë socialiste sado fanatike e majtë, sado radikale, sado enveriste, mjaft t’i grumbullonte tek vetja. Nuk është e rastësishme sot që një numror në Kuçovë, a në Berat, reklamohet nëpër dhjetra televizione si fitore deri në rang kombëtar. Paralel me këtë i shkonte për shtat emoragjia e PD-ës, partiçkat e të qejfmbeturëve që sot u kujtuan t’u tregojnë shqiptarëve, se sa të degraduar janë faktori 30 vjeçar politik i vendit tonë. Në fakt raca më e poshtër për stanjacionin e progresit të një vendi, janë pikërisht dy drejtime, (1) të persekutuarit që i thonë përdhunuesit baba. Dhe (2) teserexhinjtë e posteve, komisioneve, kryetarëllkut, ata që i bëjnë opozitë shtëpisë që i polli. Që të bëj karshillëk një anëtar i thjeshtë, nuk ka dëm, por progres. Dëm ka kur të bën karshillëk karrike thyeri. Por jemi tek egërisa e fushatës, tek Edi Rama. Dhe siç e vutë re, insistimi i Edi Ramës është pikërisht ai i kapterit të Sigurimit të shtetit. Pra Edi Rama duhet përzënë pikërisht për këtë, se, në vend që të japi llogari se çfarë bëri dhe çfarë nuk bëri për shqiptarët në 8 vjet, çirret për nepset e munguara me Sali Berishën dhe Ilir Metën. Nuk është problem i shqiptarëve humbja e Edi Ramës me Sali Berishën dhe Ilir Metën, është problem i Edi Ramës. Shqiptarët dhe Shqipëria duan tjetër drejtim, tjetër horizont, tjetër natyrë etj. Sot Shqipëria nuk është anëtare e Komunitetit Europian dhe pikë. Shkon në Europë pa viza, por nuk është anëtare e saj. Sipas mendjes së Edi Ramës, ju duhet të votoni Edi Ramën se ai nuk ju futi në Europë. Duhet të votoni Edi Ramën se po ju izolon. Brutalizmi real i Sali Berishës qëndron në një fakt historik, jo në ato që thotë Edi Rama, por në atë që i dha të drejtën e lëvizjes së lirë edhe komunistit që sot shkon ku do i do kokrra qejfit. Por e tillë është demokracia, nuk ke çfarë i bën. Shkurt, jo ta votosh Edi Ramën, por sikur nëpër mend ta çosh, dëmton vendin dhe fëmijët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Edi Rama, Ilir Levonja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 274
  • 275
  • 276
  • 277
  • 278
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT