• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova në 100 vjetorin e Shoqatës së Konsujve të Përgjithshëm në New York

May 6, 2025 by s p

Ambasador Blerim Reka

Në Gala mbrëmjen, për 100 vjetorin e Shoqatës së Konsujve të Përgjithshëm në New York.

Me kryesuesin aktual të kësaj shoqate Amir Farid Abu Hasan, konsull i përgjithshëm i Malajzisë dhe me Cliff Seagroves, u.d. drejtor i Zyrës për Misionet e Huaja në Stejt Departamentin Amerikan.

Republika e Kosovës, prezantoi prodhimet e veta në këtë event diplomatik të shoqatës më të madhe dhe më të vjetër të konsujve të përgjithshëm.

Filed Under: Analiza

MAQEDONIA E VERIUT DHE BALANCAT E BRISHTA TË NJË SHTETI NË TRANZICION

May 5, 2025 by s p

Çështja shqiptare, si një prej kolonave që e mbanë peshën e stabilitetit të brendshëm, mbetet ende një provë e pazgjidhur e përfshirjes reale. Retorika për barazi dhe integrim mbetet pjesë e fjalorit institucional, por zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, shpërndarja e burimeve dhe përfaqësimi efektiv nuk arrijnë të tejkalojnë mekanizmat selektivë. Në vend të një shteti gjithëpërfshirës, krijohet një rend ku bashkëjetesa mbetet e kushtëzuar nga kalkulimet politike afatshkurtra.

Nga Prof. dr Skender ASANI

Çështja shqiptare, si një prej kolonave që e mbanë peshën e stabilitetit të brendshëm, mbetet ende një provë e pazgjidhur e përfshirjes reale. Retorika për barazi dhe integrim mbetet pjesë e fjalorit institucional, por zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, shpërndarja e burimeve dhe përfaqësimi efektiv nuk arrijnë të tejkalojnë mekanizmat selektivë. Në vend të një shteti gjithëpërfshirës, krijohet një rend ku bashkëjetesa mbetet e kushtëzuar nga kalkulimet politike afatshkurtra.

Në realitetin politik të Ballkanit Perëndimor, dukjet shpesh vijnë në konflikt me përmbajtjen. Maqedonia e Veriut është shembulli ilustrues i një shteti që, ndërkohë që projekton një imazh të përkushtuar ndaj vlerave euroatlantike, në thelb përballet me sfida strukturore që rrezikojnë të zhbëjnë kapitalin e akumuluar diplomatik dhe shoqëror. Kjo ambivalencë – mes asaj që thuhet dhe asaj që bëhet – është ndoshta më e prekshme se kurrë pas zhvillimeve të fundit politike.

Analogjia mes sheqerit dhe kripës – dy substanca me formë të ngjashme, por me ndikim të kundërt – ofron një qasje të goditur për të shpjeguar ndarjen e madhe midis diskursit politik dhe praktikës qeverisëse në vend. Demokracia e etabluar përmes zgjedhjeve, bashkëjetesës dhe integrimit, shpesh shërben si veshje për një realitet të polarizuar, ku mungesa e konsensusit strategjik dhe tensionet etnike mbeten të paprekura.

Kjo qasje duale ka tërhequr gjithnjë e më tepër vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, i cili, në mungesë të një progresi të qëndrueshëm, ka filluar të artikulojë vërejtje më të qarta dhe më pak të kamufluara. Në këtë drejtim, vlen të përmendet deklarata e fundit e eurokomisares për zgjerim, Marta Kos, e cila për Maqedoninë e Veriut tha se “në sytë e Bashkimit Evropian ajo përfaqëson një përrallë të trishtë në Ballkan”. Ky formulim, që tejkalon gjuhën standarde diplomatike, nuk është thjesht një shprehje poetike, por një sinjal i qartë i zhgënjimit që vjen nga mospërputhja ndërmjet premtimeve institucionale dhe realitetit në terren. Ai reflekton perceptimin në rritje se përkushtimi formal ndaj vlerave evropiane nuk mjafton kur mungojnë reformat substanciale dhe qasja gjithëpërfshirëse ndaj sfidave të brendshme.

Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, është vënë re një kthesë diskrete, por domethënëse, në mënyrën se si Maqedonia e Veriut si shtet e artikulon veten në hapësirën publike dhe diplomatike. Disa vendime dhe qëndrime publike të kohëve të fundit mund të lexohen si përpjekje për të projektuar një autoritet të forcuar ndaj dy palëve: qytetarëve shqiptarë në vend dhe fqinjit lindor. Kjo qasje, që shfaqet më tepër në nivel simbolik sesa institucional, e shndërron Maqedoninë e Veriut në një lloj paravani për projeksionin strategjik të partnerit verior, duke transmetuar mesazhe të koduara që rrisin tensionet në vend të reduktimit të tyre.

Në këtë tabllo të brishtë, zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërkombëtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë krijuar një tension të ri që ndikon drejtpërdrejt edhe në periferinë ballkanike. Prishja e ekuilibrit tradicional mes dy poleve të mëdha transatlantike – një tension që manifestohet si në çështjet e mbrojtjes, ashtu edhe në ato të energjisë dhe teknologjisë – krijon një zonë gri për shtete si Maqedonia e Veriut, të cilat ndërtojnë strategjitë e tyre të jashtme mbi pritshmëri të qarta nga Perëndimi. Fragmentimi i pozicioneve ndërmjet Brukselit dhe Uashingtonit, sidomos mbi çështje të ndjeshme si Ballkani dhe zgjerimi, nuk lë vend për paqartësi: shtetet e vogla mbeten gjithnjë të ekspozuara ndaj ndikimeve të jashtme, shpesh kontradiktore.

Ky ekspozim bëhet edhe më kompleks në sfondin e lëvizjeve të fundit financiare, ku Maqedonia e Veriut ka marrë një hua të konsiderueshme nga Hungaria – një shtet anëtar i BE-së i udhëhequr nga Viktor Orbán, i njohur për pozicionimet e tij divergjente ndaj normave standarde të unionit dhe për afërsinë me modele autoritare të qeverisjes. Kjo marrëveshje financiare, e karakterizuar nga mungesa e transparencës dhe shoqëruar me pak sqarime publike, ngre pikëpyetje serioze mbi motivet strategjike dhe kushtëzimet e mundshme që mund të rrjedhin nga kjo varësi e re. Në planin afatshkurtër, ajo mund të shfaqet si zgjidhje pragmatike për mungesën e kapitalit në tregjet ndërkombëtare; por në planin afatgjatë, rrezikon të vendosë Maqedoninë e Veriut në një orbitë ndikimi që nuk përputhet plotësisht me vlerat dhe pritshmëritë euroatlantike. Krijimi i kësaj varësie nga një qeveri që shpesh sfidon konsensusin demokratik të Brukselit, mund të dëmtojë kredibilitetin e Maqedonisë në sytë e partnerëve tradicionalë dhe të krijojë perceptimin e një devijimi të butë, por të qëndrueshëm, nga rruga e integrimit të pastër evropian.

Këtë pasqyrë e kompleton edhe heshtja ose mungesa e iniciativës së qartë ndaj zhvillimeve të reja në fushën e sigurisë rajonale. Marrëveshja e fundit mes tre shteteve të rajonit (Shqipëri, Kosovë, Kroaci) për krijimin e një mekanizmi të përbashkët të sigurisë – që synon shkëmbimin e informacionit, koordinimin strategjik dhe mbrojtjen kolektive ndaj kërcënimeve hibride – ka hapur një kapitull të ri në arkitekturën e bashkëpunimit ballkanik. Mospjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në këtë proces nuk është vetëm mungesë e përfaqësimit formal, por bart me vete një rrezik më të thellë: që vendi të perceptohet si hallka më e dobët e zinxhirit të sigurisë rajonale, ose më keq – si zgjatim i heshtur i interesave që nuk përputhen me frymën e bashkëpunimit të hapur. Në këtë kontekst, përjashtimi nga mekanizmat e reja nuk është neutralitet, por vetëizolim me pasoja afatgjata.

Po aq i rëndësishëm mbetet edhe adresimi i trashëgimisë së padrejtësive institucionale të dekadave të fundit, të mishëruara përmes një vargu procesesh të diskutueshme gjyqësore, të cilat kanë ngritur dyshime të thella mbi integritetin e sistemit të drejtësisë. Rastet e montuara politike, që për vite me radhë kanë prodhuar dënime ndaj individëve nga komunitete të caktuara, ku dominojnë shqiptarët, nuk janë vetëm plagë njerëzore, por edhe plagë morale për shtetin. Një shtet që aspiron drejt integrimit dhe barazisë nuk mund të mbajë në qeli ata që janë viktimë e padrejtësisë së fabrikuar. Është koha që këto raste të trajtohen me seriozitet institucional përmes një procesi të pavarur rishqyrtimi, i cili jo vetëm që do të përkthehej në lirimin dhe rehabilitimin e të dënuarve pa faj, por edhe në një akt simbolik të maturimit shtetëror. Kompensimi dhe pranimi i gabimeve nuk e dobëson shtetin – përkundrazi, e forcon legjitimitetin e tij.

Kjo dinamikë nuk është pa pasoja në planin ndërkombëtar. Marrëdhëniet me Bullgarinë, të ngarkuara me tensione identitare, dhe implementimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, vazhdojnë të jenë fusha të pasigurta ku retorika e diplomacisë shpesh mbivendoset mbi mungesën e thellësisë politike. Pozat e përbashkëta në samite dhe deklaratat e balancuara nuk mund të zëvendësojnë mungesën e përmbajtjes konsensuale mbi identitetin, gjuhën apo historinë.

Nga ana tjetër, kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve për reforma reale – në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe funksionimin e institucioneve – hasin shpesh në një rezistencë të butë, por të qëndrueshme. Aktorët politikë në vend, ndonëse shfaqen të gatshëm për ndryshim në diskursin publik, në praktikë ruajnë një status quo të mbështetur në rrjete klienteliste. Kështu, edhe fjalori reformues shndërrohet në një tjetër formë sheqeri diplomatik që mbulon kripën e interesave të ngushta.

Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut gjendet në një udhëkryq delikat, ku jo vetëm që përballen kërkesat e brendshme me pritshmëritë e jashtme, por edhe vetë identiteti politik i shtetit rrezikon të instrumentalizohet në funksion të projeksioneve të tjerëve. Për të mos u reduktuar në një mjet simbolik të gjeopolitikës rajonale, vendit i nevojitet një rikonfigurim i thellë i qasjes ndaj bashkëjetesës dhe një diplomaci që buron nga realiteti i brendshëm, jo nga diktati i fasadës.

Për rrjedhojë, ashtu si në kuzhinë, edhe në politikë dhe diplomaci, dallimi midis sheqerit dhe kripës nuk bëhet me sy – por me shije. Dhe shijen e politikave të vërteta e përcakton ndikimi i tyre në mirëbesimin shoqëror, stabilitetin institucional dhe avancimin e qëndrueshëm.

Filed Under: Analiza

100 Gratë që ndryshuan botën, mes tyre edhe Nënë Tereza

May 1, 2025 by s p

Nga Mimoza Dajçi/

Në vitin 2012 revista prestigjoze amerikane “Time”e renditi NënëTerezën të tetëmbëdhjetën ndër personalitetet më të fuqishëm të botës, 100 prej tyre ishin njerëzit më me influencë. Personalitetet botërore që ndodheshin përkrah figurës së Nënë Terezës ishin Presidenti i 16-të i SHBA Abraham Linkoln, ish Presidenti i Afrikës së Jugut dhe aktivisti i të drejtave të njeriut Nelson Mandela, një nga shkencëtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të Albert Einstein, Lidershipi modern për të drejtat civile në SHBA Martin Luther King Jr., Mjeshtri i Artit Michelangelo, Mbretëresha e Anglisë Elizabetha e Parë, Vizionari Digital Steve Jobs, Grupi Legjendar muzikor “The Beatles” etj.

Sot revista “Life” në New York, krahas 100 emrave të grave që ndryshuan botën ka vendosur të dhjetën portretin e Shenjtores Shqiptare Nënë Tereza. Sigurisht është krenari për ne të njihemi me materiale të tilla të rëndësishme, ku mbarë opinioni botëror vlerëson figurën e Nobelistes Shqiptare – Anjezë Gonxhe Bojaxhi.

Në brendësi të “Life” gjendet një artikulli shkruajtur pikërisht për Nënë Terezën, shoqëruar me një foto të saj në Calkutta veshur thjeshtë me kostumin bardhë e blu, e cila njëherësh ka pohuar të vërtetën e saktë se Anjezë Gonxhe Bojaxhi ka lindur në Shqipëri, origjinë të cilën ajo nuk e ka mohuar kurrë, paçka se politika Serbe – Maqedonase flet të kundërtën.

Anjezë Gonxhe Bojaxhi ka lindur në 26 Gusht të vitit 1910 në Shkup dhe vdiq më 5 Shtator të vitit 1997 në Indi. Është fituese e Çmimit “Nobel për Paqen” dhe në çastin e marjes së Çmimit në vitin 1979 deklaroi se, “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu im – ka thënë ajo – është një vend i vogël, me emrin Shqipëri”.

Nënë Tereza ishte kujdestare për 7.500 fëmijë në 60 shkolla të botës, mjekonte 960.000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja që kuronte 47.000 viktima të lebrozës, kishte birësuar 160 fëmijë bonjakë etj. Qeveria komuniste shqiptare i mbylli derën në fytyrë për vite të tëra duke refuzuar kërkesat e saj për të hyrë në Shqipëri. Vetëm pas përmbysjes së regjimit komunist Nënë Tereza arriti të hapë edhe në Shqipëri disa qendra bamirësie, të cilat u mirëpritën nga shqiptarët, njërën prej të cilave pata rast ta vizitoj në Tiranë, në rrugën e Elbasanit, vilë ku jetoi për vite me radhë udhëheqësi i lartë i Partisë së Punës Myslym Peza. Nënë Tereza ka qenë një grua me vlera të larta humane, si e tillë do të mbetet gjithmonë një legjendë e gjallë tek ne, e brezat që do të vijnë. 

Përveç Nobelistes Shqiptare Nënë Tereza, disa nga emrat e grave që kanë sjellë revolucion në zhvillimin dhe ndryshimin e jetës në rang botëror revista “Life” ka renditur, Amelia  Earhart e para grua që fluturoi e vetme përtej Atlantikut, Rosa Park aktiviste e të drejtave të njeriut, Mary e Nazareth figure fetarere, Elizabeth e Parë – Monarke, Cleopatra – Monarke, La Malinche, përkthyese, Clara Schumann pianiste dhe kompozitore, Ada Lovelace matematiciente, MalalaYousafzai aktiviste, Megan Rapinoe futbolliste dhe aktiviste, Anne Frank tregimtare, Jacqueline Kennedy Onassis First Lady dhe editore, Amy Tan shkrimtare, Maya Angelou poete, Marilyn Monrore aktore, Eleonor Roosevelt First Lady dhe aktiviste, Margarite Thatcher politikane, Rachel Carson shkencëtare, Marlene Dietrich artiste, Diana Princess e Wales, Elizabetha II Monarke, Coco Chanel desinjatore, stiliste, Mata Hari spiune, Marie Curie fizikante, Harriet Tubman abolitionist, Angela Merkel politikane, Nina Simone këngëtare dhe aktiviste, Sappho poete, Taylor Swift muzikante etj.

Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trevat shqiptare kanë shumë për të shkruar e rrëfyer rreth jetës dhe veprave të vazjave dhe grave shqiptare, që sollën ndryshim në jetën e vendit. I takon hulumtuesve shqiptarë të hedhin dritë mbi këto fakte e dëshmi reale, ku fuqishëm edhe ato kanë kontribuar në shkencë, politikë, arsim, kulturë, letërsi dhe art, mjekësi, sport e muzikë, veprimtari patriotike dhe kombëtare, humanitare etj. Të shpresojmë…

Filed Under: Analiza

DITA NDËRKOMBËTARE E PUNËS

May 1, 2025 by s p

Xhelal Zejneli/

Festa e punës apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve që shënohet më 1 maj, është festë shtetërore në mbi 80 shtete të botës. 

  Çdo vit më 1 maj, anembanë botës shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve apo Festa e Punës. Në dhjetëra shtete, 1 Maji është festë zyrtare, kurse për veprimtarët e të drejtave të punëtorëve, ka rëndësi të veçantë. Kjo ditë shënon kujtimin e luftërave të punëtorëve në të kaluarën kundër shkeljeve të panumërta të të drejtave të punëtorëve, duke përfshirë edhe ditët dhe javët e gjata të punës, kushtet e këqija në punë si dhe shfrytëzimin e punës së fëmijëve. 

Përse shënohet 1 maji – Kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, sindikatat, e pastaj edhe socialistët dhe komunistët e zgjodhën 1 majin për Ditë Ndërkombëtare të Punëtorëve. Data ka qenë simbolike, në shenjë kujtimi të aferës Haymarket që kishte ndodhur në Çikago në vitin 1886. 

Klasa punëtore e Amerikës, shpeshherë e detyruar të punojë deri 16 orë në ditë në kushte të pasigurta, vite me radhë ka luftuar për të punuar jo më shumë se tetë orë në ditë.

Në tetor të vitit 1884, Federata e Sindikatave të Organizuara të Tregtarëve dhe të Punëtorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Kanadasë vendosi që më 1 maj 1886 të hyjë në fuqi dita e parë e ditës së punës që do të zgjatë tetë orë.  

Sipas vlerësimeve të ndryshme të historianëve, atë ditë në qytete dhe rajone të ndryshme të shtetit, hynë në grevë 300.000 apo 500.000.

Në Çikago e cila ishte qendër e luftës, protestuan dhe hynë në grevë rreth 40.000 njerëz. Deri në 3 maj, greva ishte e bashkërenduar mirë dhe kryesisht nuk kishte dhunë, por me afrimin e fundit të ditës së punës, grevistët në Çikago tentuan t’u kundërvihen kundërshtarëve të grevës   në kompaninë McCornick Harvesting Machine Company. Kundërshtarët e grevës mbroheshin prej kontingjentit të madh të policisë të cilët hapën zjarr ndaj grevistëve, duke vrarë të paktën dy vetë.      

Pas një dite, derisa policia tentonte t’i shpërndajë demonstruesit në sheshin Haymarket të Çikagos, ndaj tyre u hodh një bombë me ç’rast humbën jetën shtatë policë dhe të paktën katër civilë. Pas kësaj policia zuri dhe burgosi tetë anarkistë të cilët u dënuan për komplot. Shtatë prej tyre gjykata i dënoi me vdekje, ndërsa njërin me 15 heqje lirie. Katër prej tyre u ekzekutuan me varje, njëri bëri vetëvrasje, kurse dy të tjerëve, dënimi me vdekje iu zëvendësua me burg të përjetshëm. Shumë njerëz të së majtës, duke përfshirë edhe socialistët edhe anarkistët, ata që vdiqën i konsiderojnë “martirë të Haymarketit”.

Në vitin 1889, Internacionalja e Dytë – organizatë ndërkombëtare e punëtorëve dhe e socialistëve – e shpalli 1 majin Ditë Ndërkombëtare të Punëtorëve. Afera Haymarket u bë një lëvizje e gjerë e punëtorëve.    

  Historia e festës pas vitit 1916 – Në vitin 1916 u vendos në ShBA dita tetëorëshe e punës. Kjo u mbështet nga Internacionalja Komuniste, nga koalicioni ndërkombëtar i partive socialiste dhe komuniste si dhe nga partitë komuniste dhe socialiste të shteteve të ndryshme të botës. 

Po atë vit, derisa vazhdonte Lufta I Botërore, grevat dhe konfliktet me policinë në ShBA dhe në disa shtete të Evropës ishin të nxitura nga disponimi masiv kundër luftës si dhe nga lufta për të drejta e punëtorëve. 

Në vitin 1917, kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën hyrjen në luftë, socialistë dhe majtistët e tjerë demonstruan kundër gjakderdhjes.

Në vitin 1936 gratë punëtore organizuan në Nju-Jork paradën e 1 Majit (New York Daily News / Archive via Getty Images).

  Udhëheqësit marksistë në mbarë botën, midis të cilëve edhe Roza Luksemburg* dhe Vladimir Iliç Ulanov, i njohur si Lenin (1870-1924), thoshin se shtetet kapitaliste dhe imperialiste shkaktojnë luftëra me qëllim që pjesëtarët e klasës punëtore ndërkombëtare të luftojnë kundër njëri-tjetrit. Ata thoshin se punëtorët duhet të bashkohen për të bërë luftë revolucionare kundër klasave sunduese në vendet e veta. Katër ditë pas revolucionit që e shembi pushtetin carist në Rusi, me një dekret u vendos orari tetëorësh i punës.

Shënim: Ruza Luksemburgu (Rosa Luxemburg, 1871-1919) është revolucionare, marksiste, komuniste gjermane me prejardhje hebraike, shkrimtare, filozofe dhe veprimtare kundër luftës, një prej mendjeve më të rëndësishme në kanunin e mendimit revolucionar socialist. E vranë në moshën 47-vjeçare frajkorët – formacion paramilitar djathtist i krijuar në trazirat shoqërore dhe politike pas mbarimit të Luftës I Botërore.       

*   *   *

Në ShBA nuk festohet 1 Maji – Dita e Punës apo Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve që shënohet më 1 maj është festë shtetërore në mbi 80 vende të botës. Edhe pse kjo ditë e ka prejardhjen prej luftës së punëtorëve amerikanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e njohin 1 majin si festë zyrtare të punës, por Festën e vet të punës (Labor Day) e festojnë të hënën e parë të shtatorit. Caktimi i festës së punës në atë datë ndërlidhet me Grevën e Pullmanit të vitit 1894. Kjo ka qenë një grevë e madhe e punëtorëve të hekurudhave dhe bojkot* i cili tej mase e çrregulloi qarkullimin hekurudhor në Perëndimin qendror të ShBA-së.          

   Presidenti amerikan i atëhershëm Stefan Grover Kleveland (Stephen Grover Cleveland, 18837-1908) u dha urdhër njësive federale që ta mposhtin grevën. Në konfliktet e dhunshme nëpër rrugët e Çikagos ka pasur shumë të vrarë. Gjatë trazirave – të cilat në fund shkaktuan ndalimin e qeverisë federale – presidenti Klevland, në shenjë kujtimi të punëtorëve propozoi përcaktimin e festës shtetërore. Zgjedhje më e mundshme ka qenë ose Festa e Punës ose 1 Maji. Por, prejardhja socialiste e 1 Majit dhe lidhja e tij me trazira të ndryshme të punëtorëve, sidomos me aferën Jaymarket në Çikago në vitin 1886, 1 Majin e bënë të papranueshëm.  

Ka do paqartësi rreth faktit se si ka ndodhur kremtimi i Festës së Punës në shtator. Shumë burime i referohen udhëheqësit sindikalist Peter J. McGuire (1852-1906) i cili në vitin 1881 e themelon United Brotherhood of Carpenters. I referohen edhe Metju Meguirit (Matthew Maguire, 1842-1915), makinistit dhe sekretarit të Sindikatë Qendrore të Punës (CLU). Një prej burrave i propozon CLU-së të organizohet kremtim në nder të punëtorëve amerikanë. Më 5 shtator 1882, rreth 10.000 punëtorë, nën patronazhin e organizatës së punëtorëve “Knights of Labor” mbajti një paradë në Nju-Jork. Britannica shkruan se nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë për atë datë. McGuire thotë se ajo datë është zgjedhur për arsye se ka rënë në midis Ditës së Pavarësisë – 4 korrikut dhe Ditës së Falënderimit. 

Në vitin 1884 “Knights of Labor” miratoi rezolutë që e hëna e parë e shtatorit të konsiderohet festë e punës. Ideja u përhap shpejt dhe që vitin e ardhshëm festa e punës është kremtuar në shumë shtete. Kështu është zgjedhur Festa e Punës, kurse më 18 qershor 1894 presidenti i ShBA-së  Klevland e nënshkruan ligjin me të cilin është shpallur festë federale zyrtare.  

Edhe Kanadaja Ditën e vet të Punës e feston të hënën e parë të shtatorit.  

Shënim: Bojkot (anglisht: boycott) – është formë e luftës politike dhe ekonomike që nënkupton ndërprerjen e plotë apo të pjesshëm të marrëdhënieve me ndonjë person, organizatë apo shtet të caktuar; nuk blen prej tyre mall të caktuar. Këtë formë lufte e kanë përdorur për herë të parë në vitin 1879 qiramarrësit irlandezë ndaj administruesit të urryer anglez të quajtur Boycott. 

*   *   *

Traditat pagane – Disa shtete evropiane në ditën e 1 majit festojnë festa të tjera të cilat janë rrënjosur në traditat pagane dhe dallohen nga shteti në shtet. Për shembull finlandezët kanë festë që e quajnë Vappu, sipas shenjtores Walpurge, e cila është shpallur e shenjtë më 1 maj të viti 870, kurse nata prej 30n prillit në 1 maj është bërë Natë e Valpurgut. Për 1 maj finlandezët kanë ndërlidhur disa tradita në një ditë – tradita katolike, pranverën pagane dhe festat e studentëve dhe të punëtorëve. 

Estonët e festojnë Ditën e pranverës e cila ka rrënjë antike dhe nënkupton kremtimin e ardhjes së pranverës pas një dimri të gjatë.  

Polakët, pas rënies së komunizmit, 1 majin e festojnë si festë shtetërore por jozyrtarisht quhet Festë e Punës. Një maji e përcjell Ditën e Kushtetutës e cila shënohet më 3 maj. Këto dy data bashkërisht shpesh rezultojnë me një fundjave të gjatë të quajtur Majówka, e cila mund të zgjasë deri nëntë ditë, prej 28 prillit deri në 6 maj, me kusht që mund të merren vetëm tri ditë të lira. Njerëzit shpesh udhëtojnë, ndërsa jozyrtarisht Majówka në Poloni konsiderohet fillim i stinës së pjekjes së mishit në skarë.  

Britani e Madhe dhe Irlanda e festojnë si  festë të hënën e parë pas 1 majit.  

Më 1 maj Kazakistani e feston Ditën e Unitetit Popullor të Kazakistanit, ndërsa festa e punës shënohet në javën e fundit të shtatorit.

Japonia nuk e shpallur zyrtarisht 1 majin festë shtetërore, por duke qenë se ndodhet midis festave të tjera shtetërore, për shumicën e punëtorëve ajo është ditë e lirë.

  Shtetet e rajonit më 1 maj e shënojnë Ditën e Punës si e vetmja festë zyrtare e trashëguar nga koha e RSFJ-së, ku ajo ka qenë një prej festave kryesore.  

Filed Under: Analiza

“Engjëj apo djaj të demokracisë fasadë dhe shtetin e dështuar”!

May 1, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Pikësëpari, mbetet i përbotshëm definicioni: “Demokracia nuk është e përsosur, por ndërsa nuk kemi provuar ende një tjetër, mbetet sistemi më i mirë për shoqërinë njerëzore”. Pra me gjithë shumë problematika, demokracia mbetet opsioni më i mirë, pasi në themelet e saj ka votën e lirë, si dhe vlerat fondamentale të qytetarit: “respektin për jetën, familjen, pronën, dinjitetin dhe besimin te zoti”. 

Në të kundërt, diktaturat, shtetet e dështuara nga demokracia fasade, fuqia e gjithë-Pushtetshmëve, interesat e oligarkisë dhe korrupsioni endemik sundojnë duke vjedhur (blerë shitur, manipuluar) votën dhe më tej nëpërkëmbur vlerat themelore të qytetarëve (vetë sovranit).

Mbas 34 viteve të pluralizmit dhe demokracisë fasadë, disa pyetje ndoshta miliarda € mbeten:  “pse p.sh Sllovenia e ka GDP-në 75 miliard €, ndërsa Shqipëria me 2 fishin e mundësive ekonomike e ka rreth 27 miliard € (?!); Pse  ende dallon si “dita me natën, Saranda me Korfuzin, Brindizi me Vlorën, Ulqini me Shkodrën” (?!) Pse 12 vitet e fundit 1 milion qytetarë e kanë braktisur vendin e bekuar nga pasuritë, pozita gjeografike dhe Perëndia (?!); pse edhe mbi 70 % e të rinjve shqiptarë në mungesë të shpresës, dëshirojnë t’ia mbathin nga sytë-këmbët  (= se në vendet në luftë, Siria, Ukraina, Rusia, Afganistani, etj) ?!  

Përtej realitetit Shqiptar, e njejta pyetje vërtitet rreth dallimit mes Koresë së Veriut të (Kim-Jongut) me atë të Jugut (?!) standarteve të sigurisë dhe të jetesës të Kanadezëve dhe Rusëve, si dhe për të dy anët e murit-diçital që ndan 2 qytetet me të njëjtin emër (Nogales) mes USA/Arizonës dhe Meksikës ?!

Sigurisht janë edhe arsye të tjera dhe të drejta njerëzore por më thelbësore mbetet “mungesa dëshpëruese e përgjegjësisë dhe të drejtës së qytetareve për të votuar të lirë”, ose për të zgjedhur udhëheqësit që do i qeverisin, çka për pasojë mbetet edhe thelbi i mungesës së mekanizmave të demokracisë funksionale.  

Prandaj, jo vetëm diktatorët gjakatarë të sojit të Kim-Jong-ut, Putinit,etj, por edhe autokratët me kullaro demokratike, pasi vjedhin ose blejnë votën e qytetarëve, si “kryetarë bandash” pushtojnë partitë politike, shpërdorojnë fuqinë e (mbi) pushtetit, përmjerin mediat, dorovisin pasuritë kombëtare, grabisin të drejtat, pronat e qytetarëve si dhe vrasin shpresën për integrimin evropian të vendin.

Fatëkeqësisht, 34 vjet mbas përmbysjes se diktaturës, RSh mbetet i vetmi vend në Europë, përfshi Bosnjen dhe Kosovën, që ende nuk ka tejkaluar “ylberin blu nga vjedhja ose numërimi stalinist i votave edhe brënda partive politike”, si dhe nga zgjimi epsheve demoniale për të mbajtur përjetësisht pushtetin. 

Së dyti, sigurisht nuk jam as pronar dhe as profet i së vërtetës shteruese të përcaktoj: “kush është djalli dhe kush ëngjëlli”. Por, ngaqë kam vetëvendosur për të mos heshtur, po ndaj shqetësimin ulëritës për demokracinë fasadë (shumë më qesharak se bashkimet profesionale në 1990), çka e përsëris mbetet qëndra e gravitetit të krizës politike si dhe besimit të shqiptarëve te vlerat e demokracisë funksionale.

Thënë këtë, refuzoj me përbuzje ti bashkohem korit të sekserëve, se: “faji apo zgjidhja do na vijë nga bota”, deri te çartisjet qesharake se “rotacionin politik do vijë si me magji nga z.LaCivita,  ose do përshpejtohet nga Komisionerja znj. KOS, apo kushdo bën resme në Washington”. Ashtu siç edhe përsëris neverinë për privatizimin e dashurisë për memëdhenë apo datën/ngjarjet e integrimit në NATO dhe BE. 

Pra, përgjegjësinë për këtë terexhe-demokraci nuk na e ka bota, por ata/ato që pranojnë t’ju vjedhin (ose shesin) votën! Veçanërisht pas 2008, kryetarët e gjithëpushtetshëm dhe emëruarit deputetë, ministra, drejtore, etj; pasi kanë privatizuar partitë Politike, kanë vjedhur votat, mandatet (si p.sh. deputeti i bandave të Shijakut); pronat e qytetarëve si dhe dorivitur oligarkeve pasuritë publike. Ndërsa, sot më shumë se kurrë me parë nga 1991, kërcënojnë shpresat e shqiptarëve te rotacioni politik dhe demokratik i pushtetit.

Praktikisht, Shqipëria nuk po përjeton parajsën e premtuar në 11 pale zgjedhje, por “Krizën më të rëndë të demokracisë prej 1997; shtetit të kapur nga korrupsioni; privatizimi i partive politike si dhe fuqia e pamposhtur elektorale e të gjithë-pushtetshmit”.  P.Sh Shqipëria në Kushtetutë përcaktohet Republikë Parlamentare, por Parlamentit i ka mbetur zero peshë (përveç borderosë së pagave të Kuvendit), pasi p.sh në 12 vite, asnjë rezolutë, marrëveshje dhe ligj nuk është miratuar me konsensus: “përveç ligjit të turpshëm për listat e leckosura, pra emërimin e mbi 90 deputetëve nga super-Kryetarët ose një puç modern kushtetues”. 

Për Partinë në Pushtet (ish-PS), besoj do të mjaftonin MEME-t me premtimet e 12 viteve më parë: “Për të ndalur braktisjen e vendit, punësimin e 300 mijë të rinjve dhe shëndetësinë falas; zero korrupsion, zero taksa për naftën, bukën, vezët; zero influence politike mbi koston e rrugëve, inceneratorët ambientalistë, koncesionet ose dorovitjet alla-sulltanatë etj”. Ndërsa Tigri/nr. 2 i qeverisë arratiset si banditët e Xhibutit; Veliaj/Pushtetari nr.2 në qeli për “veprimtari kriminale”; ministra, deputetë, etj, që erdhën më 2013 si “skuadra e qiejve të pastër” flenë pas hekurave, ose gdhihen në dyert e SPAK-ut! Pavarësisht kësaj, fuqia e të (gjithë)Pushtetshmit e ka gjunjëzuar demokracinë, institucionet dhe administratën shtetërore (+200 mijë patronazhiste dhe 740 mijë pensionistë), sikur RSh të ishte Burkina Faso dhe jo vend i NATO-s.  

Nga ana tjetër, Opozitën Zyrtare (PD), e gjej jo vetëm bashkëpërgjegjëse (nga koka te këmbët) për humbjet në 12 vjet dhe për këtë degradim të pluralizmit, demokracisë fasadë dhe shtetit të dështuar, por edhe të rraskapitur nga betejat turpëruese për vulën dhe bravat, fjalimet (d)elekuente, djegja e karrigeve dhe bejtet folklorike! Ndërsa me pa-përgjegjshmëri mëkatare vijojnë ti “zvarrisin dhe poshtërojnë demokratët me primaret e para/pas leckosura, aleancat e damkosura si dhe duke ricikluar listën e humbësve në 3 zgjedhjet e fundit parlamentare (49 deputet në 2013; vetëm 43 në 2017 dhe 52 në 2021) si dhe me mëkatar të korruptuar dhe të paditur deri në neveri ose edhe ekstremist me preçedent në akte terroriste ndaj RSh”!?!

Do të lutesha dhe uroja të isha gabim, por përtej tallavasë mediatike përpjekjet për të krijuar një pol/mundësi të tretë, fatëkeqësisht “do mbeten në tentativë”, me zero ose një numër pa peshë për të realizuar rotacionin e elitave (pronarët) politike si dhe të tranzicionit të tejzgjatur, për sa kohë që bashkimi i tyre mbetet një mision i pamundur i egocentrikëve, delirantëve, cinikëve dhe mllefeve primitive. 

Së treti: në 34 vjet, ushtria e kamikazëve të super-Kryetarit të radhës, pasi vjedhin votat, përdhosin votuesit, Partitë reciproke, demokracinë, institicionet dhe shtetin ligjor.  Dhe për sa kohë që vidhen apo blihen votat, pyetje të tjera riciklohen: “pse s`bëhemi (?), pse devijojmë dhe rrëshqasim “me brohoritje bollshevike” në Autokraci ?! A është e mundur dhe kur do të bëhet Shqipëria demokratike, si ShBA dhe gjithë Europa ?!

“Shqipëria do të bëhet, por a do ta jetoj unë…”, është kthyer në legjendë, mankth mallkim, dhe stafetë gjeneratash ! Duke e gjetur aktuale këtë manifest të Frashëllinjve, u bëj thirrje arsyeve fisnike, të mbarë shqiptarëve për emergjencën kombëtare që ka rikthimi i përgjegjësisë si dhe i fuqisë së votës së lire, pluralizmit, demokracisë funksionale, balancat kushtetuese dhe rotacioni demokratik i pushteteve në RSh. 

Të paktën asnjë politikan nuk mundet dhe nuk do duhej të bëjë triumfalin apo të krenohet për këtë degradim të demokracisë. Thënë këto, “nuk ka vend fare për Mic-Sokola, as për patronazhist të flaktë as për demokrat të tërbuar, sigurisht as për udhëheqës të madhërishëm”. Por fare thjeshtë, vetëm për qytetarë të zakonshëm, politikanë kokëulur, shtetarë vizionarë si dhe të përgjegjshëm para qytetarëve dhe interesave Kombëtare. 

Prandaj, përtej riciklimit të tallavasë së “parajsës pas 100 ditëve të para”, zgjimi i përgjegjësisë qytetare në zgjedhjet 11 Majit, nuk është lufta për të ndërruar “udhëheqësin suprem të partisë qeverisëse dhe listën e borderosë se kuvendit”, por është beteja për ri-kthimin 100 % të fuqise së votës ose “pushtetit të vjedhur” në duart e qytetarëve dhe bashkë më këte, pronat, dinjitetin dhe të ardhmen europiane të RSh. 

Në shtesë thënë sa më sipër, refuzoj të bëhem pjesë e kujes së egocentrikëve të sëmure: “nuk bëhet ky vend, është i mallkuar” apo relativizimit cinik “të gjithë janë njësoj, pra kusarë” !

Dhe për ta ilustruar që nuk janë njësoj, po sjell një shëmbull si dhe ju ftoj ta votoni në 11 Maj, doktotr Ilir Alimehmeti, për qetësinë qytetare, rrënjët fisnike, forcën, e arsyes, dashurinë për vendin, integritetin e spikatur dhe përgjegjshmërinë politike (duke e përçmuar/sfiduar publikisht betejën kamikaze për listat e sigurta). Bashkë me këto, Dr. Iliri mbart shpresën se Shqipëria do bëhet demokratike, edhe për inat të politikanëve zullumqarë, që duke vjedhur/blerë votat kanë privatizuar partitë politike, pronat publike, kanë përmjerë mbi balancat dhe institucionet kushtetuese si dhe sundojnë shqiptarët në 34 vitet e fundit.

Me këtë rast, falënderoj dhjetëra mijëra kolegë/ushtarakë (brenda dhe jashtë vendit), intelektualë dhe patriotë të përkushtuar, si dhe qytetarë të zakonshëm në hapësirën mbarë-kombëtare, për konsideratat si dhe mesazhet inspiruese në angazhimin tim politik. Ndërsa për këdo të revoltuar, me duhet të përsëris qetësisht dhe fortë, se: “nuk po angazhohem për tu punësuar deputet në borderonë e kuvendit“, por: “vetëm për të kontribuar me ekperiencën euroatlantike si dhe përgjegjshmëri politike në domosdoshmerinë ulëritëse që ka Kombi, demokratët, socialistet dhe mbarëshqiptarët për rotacionin politik të pushtetit”.  

Në përmbledhje, j’u bëj thirrje vëllazërore bashkëqytetarëve që: “përtej demonizimit të mbi-Pushtetshmit dhe pa-fuqisë dëshpëruese të opozitës”, të përbashkohemi rreth votës se lirë si dhe misionit të shenjtëruar për rithimin e RSh në shinat e demokracisë funksionale, si SHBA dhe gjithë Europa.   

Nga: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Senior Ekspert për SK, Rajonin & NATO-n,
Zv/President i Këshillit të Atlantikut, ish:
Koordinator për Sigurinë Kombëtare në PDSh,
Këshilltar i Presidentit; Zv/ShShPFA,
Përfaqësues i RSh në SHAPE/NATO.

Shënim shtesë: “Kjo përmbledhje, është ndarë me Komisionin mbipartizan të Senatit dhe Kongresit të SHBA-ve (Commission on Security and Cooperation in Europe), si dhe me disa Institute dhe forume të Senior Eksperteve/kolegëve të Sigurisë Kombëtare dhe NATO-s, në Washington DC” !

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919
  • Letërsia si dëshmi e së vërtetës…
  • Mirënjohje për atin tim…
  • Isa Boletini, 15 janar 1864 – 23 janar 1916
  • “Yll’ i Mëngjezit”
  • “Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme”
  • “Personalitet Historik” – Bajram Curri: Një jetë në shërbim të çështjes kombëtare
  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT