• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mos na zëntë nëma jote…

February 19, 2021 by dgreca

Në kujtesë të ngjarjeve të vitit 1997-Politikanët dhe gazetarët e të gjitha krahëve, që shkaktuan atë mënxyrë ia hodhën paq, vazhdojnë të jetojnë sot si pashallarë dhe të drejtojnë Shqipërinë. Asnjë deri sot nuk ka guxuar të kërkojë falje./

Nga GEZIM ZILJA/

Duke ecur rrugëve të Vlorës në ditët e shkurtit të vitit 2002 dëgjova një këngë polifonike fjalët e së cilës më lanë pa frymë. Nuk po u besoja veshëve.

– Ktheje nga e para – i them “tregëtarit” me ngjyrë, që shiste kasetat në anë të rrugës. Njoha një nga jevgjit e lagjes “Partizani”, shumë aktiv në ngjarjet e vitit’97, që ato ditë bridhte me kallash në krahë dhe mblidhte firma në një letër kartoni gjithë njolla vaji, për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Vrimat e pantallonave në gju, xhupi treçerekësh  këllirë, që dikur kishte qenë i kuq dhe këpucët e vjetra të kohës së Enverit me kambalet e grisura, nga të cilat dukeshin dy kavilje të palara s’dihet që kur, tregonin qartë se ushtari i ditëve të revolucionit të vitit’ 97, kishte ngelur po aq i varfër ndoshta edhe më keq.

– Kushton 2.500 lekë – gënjeu, duke parë interesimin tim të madh. Ndërkaq kënga kishte shpërthyer nga të dy autoparlantët e magnetofonit të vjetër. Mendja ime u kthye vetëtimthi pas, kur turmat ulërinin për kthimin e parave dhe në krye të tyre ishin gjithfarë vagabondësh, aventurierësh, vrasësish, kontrabandistësh e politikanësh të karrierës.

– Do e blesh apo jo-? më përmendi jevgu, duke më kapur nga brryli. Dhashë paratë dhe u largova. Fjalët e këngës i dëgjova me dhjetëra herë të tjera, ua tregova fëmijëve të mi, të afërmve dhe dashamirësve, të majtë e të djathtë. Ndikimi qe e njëjtë për të gjithë: tronditje dhe pendesë. Po i shkruaj fjalët e këngës pa hequr e shtuar asnjë fjalë:        

                                                Sa ke hequr e ke vuar

                                                 Pesëqind vjet sundim i huaj

                                                 Po ti prapë i gjallë erdhe

                                                 Nëpër gjakun tënd që derdhe

                                                                *

                                                Ne të dogjëm dhe të vramë

                                                 Ne të mbytëm e të ndamë

                                                 Ne të zhvatëm ne të zhveshëm

                                                 Të plaçkitëm dhe të qeshëm

                                                                  *

                                                 Ne të mbuluam me helme

                                                 Ne të bëmë kurban të djemve

                                                  T’u shaluam mbi kurriz

                                                  Dhe të vumë vellon e zisë

                                                                *

                                                  Ne që do të merrnim hakën

                                                  Të rralluam dhe të mpakëm

                                                  O Atdhe o babë e nënë

                                                  Të qëlluam me pëllëmbë.

                                                                     *

                                                  Sido që ta bëmë ti mbete

                                                  Veç ke zënë e flet me vete

                                                   I pamposhtur nëpër mote

                                                   Mos na zëntë nëma jote!

Në librin tim “Vrasës dhe Shpëtimtarë” botuar në vitin 2000, në pasthënie kam shkruar: Për ngjarjet e vitit ’97 kurrkush nuk ka guxuar të krijojë një vjershë apo të këndojë një këngë pendese. Në ato kohë të çmendur kur urrejtja shitej për atdhetarizëm, para universitetit  “Ismail Qemali,”  këndoheshin këngët e urrejtjes e të vdekjes së shqiptarëve, kundër shqiptarëve.

Me sa duket ky merak i imi më në fund e paskish patur një përgjigje. Dhe ja ku kishte dalë  kjo këngë pesë vjet pas çmendurisë kolektive shqiptare. Ata shtatë lebër këndonin, duke e parë të vërtetën në sy, ata këndonin e qanin: Ne të vramë, ne të qëlluam me pëllëmbë… Ne, ne..” dhe në fund “ O Atdhe o babë e nënë..”

Në historinë e popujve të mëdhenjë e të vegjël, vështirë të mos gjesh shembuj të çmendurisë kolektive, të lufërave civile vëllavrasëse, deri të atyre për pushtimin e botës, që nga Alesandri i Madh e Çinghiz Khani e deri Frankua, Hitleri e Musolini. Dhe natyrisht nuk kanë munguar vargjet për lavdinë por edhe krimin. Sa këngë u kënduan te në për diktatorin?! Por gjëkundi nuk ka vargje të tilla, ku çasti i pendesës të ketë një forcë të tillë, që të shkaktojë dhembje, që dërrmon jo vetëm shpirtin por edhe kockat e njeriut.

Shumë lart qëndron poeti anonim, krahasuar me politikanët e vjetër dhe të rinj. Ndoshta ky poet, ka shumë mundësi të jetë një nga ata që bënte sehir kur ju vihej flaka institucioneve të shtetit, pjestar i vjedhjes së magazinave ushqimore apo plaçkitës i depove dhe reparteve ushtarake. Ai thes me grurë që grabiti “Ditët e Kiametit” apo lënia e qytetit në duart e banditëve dhe të aventurierëve atij i përvëlon trupin dhe zemrën. Dhe i vjen turp, nuk ndihet mirë dhe thotë: “Ne të vodhëm, ne të vramë, ne të mbuluam me helme, o atdhe, o babë e nënë, ne që do të merrnim hakën…”

Në këngë ndihet një pendesë e përmasat homerike. Vargjet e papërsëritëshme të padëgjuara kurrë më parë, dalin nga shpirtra të tronditur dhe të penduar të atyre njerëzve, që për një çast u çmendën dhe e qëlluan me pëllëmbë atë, Atdheun e Pavdekshëm, vendin që na lanë të parët, ku jetojmë ne sot e nesër do të jetojnë pasardhësit tanë.

Mos na zëntë nëma jote! Sepse Atdheu edhe të mallkon edhe të nëm, të bën lanet. Mallkimi i atdheut qëndron në emrat e nxirë dhe të damkosur përjetësisht të atyre që shkaktuan mënxyrën e vitit 1997. Ne do të ikim një ditë nga kjo botë, sepse kështu e ka caktuar Zoti. Protagonistët e shkatërrimeve dhe vrasjeve të atij viti, do ta kenë emrim e shkruar brez pas brezi në librin e zi të të historisë shqiptare sepse e vëteta nuk mbytet dot as në një det gjaku. Kësaj ja ka frikën poeti anonim. Kjo është  “Nëma” që mund t’i japë atdheu; kësaj nëme, këtij mallkimi ai i druhet. Jo emrat e tyre dhe të pasardhësve në librin e zi të vitit ’97. Sepse ata gabuan e tashmë kërkojnë falje, kërkojnë ndjesë. Sado i rëndë të jetë faji apo gabimi është shumë njerëzore të thuash: Më fal! Dhe kjo nuk është pak.

Ndoshta nuk do të ketë një monument turpi apo kujtese për ngjarjet e vitit 1997. Por për shumë e shumë kohë do të ketë një njollë turpi për ata shqiptarë, veçanërisht vlonjatë, nga qyteti e fshati, që ranë viktimë e lojërave të ndyra të politikës së egër shqiptare dhe segmenteve antishqiptare. Pa iu dredhur qerpiku ata terrorizuan e vranë vëllezërit e tyre, morën në dorë urën e zjarrit dhe i vunë flakën qytetit, flakë që më vonë do të përpinte gjithë Shqipërinë.

PS. Politikanët dhe gazetarët e të gjitha krahëve, që shkaktuan atë mënxyrë ia hodhën paq, vazhdojnë të jetojnë sot si pashallarë dhe të drejtojnë Shqipërinë. Asnjë deri sot nuk ka guxuar të kërkojë falje.

Filed Under: Analiza

Kërkojmë vetëm vëmendje për të përndjekurit politikë

February 19, 2021 by dgreca

NGA NEBIL ÇIKA/

 Kerkojme vetëm vëmendjen që meritojmë !

Në shumë raste kur ne kërkojmë nga PD të përfshijë në programin e saj plotësimin e të drejtave dhe interesave të të përndjekurve politikë antikomunistë disa nga ne , ose të painformuar ose provokatorë reagojnë negativisht në komentet e tyre në rrjetet sociale.Dua të sqaroj se qëllimi ynë nuk është të dëmtojmë PD por ta ndihmojmë atë të marrë gjithë mbështetjen e mundshme të të përndjekurve politikë antikomunistë dhe njerëzve tanë ne zgjedhjet e 25 prillit.Ne jemi themeli i saje, arsyeja a e krijimit dhe faktori kryesor ekzistencës se saje . Por kjo nuk mund te realizohet ne se PD nuk do te ketë vëmendjen duhur ndaj shtresës sonë qe është edhe baza politike e elektorale e PD-se.Ne kemi marre premtime ne mënyrë informate qe do te kemi vëmendjen e duhur nga PD por nga publikimi i programit dhe retorika politike e drejtuesve të sajë ,deri tani ,nuk kemi parë e dëgjuar gjë konkrete. Ne kërkojmë qe ne programin politik e elektoral te PD te trajtohen problemet tona te pa zgjidhura si ;1-Gjetja e eshtrave të të zhdukurve nga diktatura komuniste .Dekomunistizimi i vendit, spastrimi i administrate shtetërore nga autore te krimeve te komunizmit .Ndryshimin e ligjit për statusin e te përndjekurve politike pasi ne ligjin aktual mijëra te pushkatuar, te burgosur e te internuar nuk e përfitojnë për shkak te pengesave te ligjit dhe akteve normative te qeverise aktuale..Dëmshpërblimi e te përndjekurve politike zbatimi i te cilit i cili zvarritet që nga viti 2009.Zbatimi i ligjit për pensionet e te burgosurve politike qe kane bere pune te detyruarën burgjet minierë .Përfaqësimi politik i të përndjekurve ne zgjedhje me kandidatura qe vijnë nga shtresa jonë etje, Kthimi dhe kompensimi i drejte i pronave pasi shtresa jone janë ne 90 % edhe pronare legjitime . Kur ne i kërkojmë PD-se te vëmendje te cilësuar për ne kemi parasysh të gjithë te përndjekurit politike antikomuniste te Shqipërisë rreth 35% te popullsisë qe janë shume me shume se sa ta qe e kane mundësinë te bëjnë karrierë politike apo te jene pjese e qeverisjes së PD.Sqarojmë PD dhe krejt opinionin publik se e vetmja shoqatë aktive e legjitime e rreshtuar historikisht ne krahun e sajë jemi ne : “Shoqata Antikomuniste e te Përndjekurve Politike te Shqipërisë “ . Çdo përpjekje për te fragmentuar te përndjekurit politike antikomuniste duke faktorizuar shoqata fantazma qe nuk kane lidhje me është ne dem të sajë pasi te përndjekurit kane zgjedhur vete përfaqësuesit e tyre. Kërkojmë nga z. Basha një marrëdhënie me te përndjekurit politikë antikomuniste jo me bashkimet profesionale te Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtoret e Sigurimit te Shtetit qe bredhin rrugëve me nga një vulë ne çorape duke pretenduar se janë përfaqësues te te përndjekurve politike. Besoj se z. Basha dhe PD e kanë informacionin dhe vullnetin e duhur politik te orientohet drejte e me efikasitet politik e elektoral ne marrëdhëniet me ne duke korrigjuar gabimet e te shkuarës. Per te realizuar kete PD duhet,se pari ,te na degjoje dhe vecanerisht te na mirkuptoje !

Filed Under: Analiza Tagged With: Kërkojmë vëmendje, Nebil Çika

Shqipëria në fushatën e korrjeve dhe shirjes

February 18, 2021 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/ Nga mbrëmja e 14 shkurtit kur KQZ e Prishtinës nxorri Vetëvendosjen si fituese e zgjedhjeve të parakohëshme, shtypi i Tiranës ka vetëm një emër për debat, atë të Albin Kurtit.

I mëshojnë jo rastësisht. Gati të besosh se ky person është rrezik jo për Kosovën, por edhe Shqipërinë. Prek çështje tabu. Madje sot i kujtonin edhe Enverin. Megjithëse në një mënyrë apo tjetër, kur Rama krahasohet me Enverin, me rubrika gju më gju me popullin, apo se kush është kafsha politike etj. Mbi jetëgjatësinë e pushtetit dhe arsyet bajate për mandatin e tretë, këtë rrezik nuk e shohin. Ka një panik social majtist analistësh, plot parashikime mbi fenomenin i cili do të jetë një dështim për Dardaninë. Albini dhe Vetëvendosja do jenë një katastrofë. Madje në internet qarkullon me tendencë ideja e bashkimit kombëtar. Kjo me frikën se çfarë do të thotë Europa? A do të na lejojë Bota neve të bashkohemi? Apo Albini e bën këtë për të rritur imazhin e tij. Si është e mundur të ketë ide të çmendura për bashkimin e shqiptarëve. Megjithëse ishin po këta që shqyen ekranet vetëm për një deklaratë midis dy shefave të së njëjtës mitër majtiste, koshash basketbolli, kur Rama në nëntorin e 2014-ës i tha Vuçiçit se Kosova është një realitet i pakthyeshëm. Nga ana tjetër ka një nënqeshje me deklaratën e Kurtit, atë që vërtetë ishin referendum zgjedhjet e 14 shkurtit? Thua se e do Kosovën më shumë Edi Rama i nomeklaturës së Enver Hoxhës, se sa Albin Kurti, një ish i burgosuri politik i Serbisë për të drejtat civile dhe kombëtare të shqiptarëve aty. Ajo që të vjen menjëherë si ndjesi e ligësht është një pyetje me konstatim të dyshimtë? A duan shqiptarët të bashkohen? Po politika e Tiranës a e dëshiron bashkimin kombëtar? Shefat aktual, a e konceptojnë të ardhmen e popullit të tyre nën një çati? Se nuk jemi popuj të formuar, jemi një. Kam përshtypjen se shqiptarët mëdyshen ose janë të paqartë. Kurse politika aktuale e them pa hezitim që nuk e do unifikimin kombëtar. Dhe kjo është më se e kuptueshme sidomos kur një politikan nuk di të tërhiqet. Më 2015 Edi Rama i pohonte një stacioni turk atë që një politikan duhet të njohi limitet. Se ai kishte hyrë në politikë rastësisht, se politika i kishte rënë në kokë etj., por prapë politikani duhet të njohi limitet. Sot për ‘të nuk ka më të tilla. Ka në pushtet që nga viti 1998 dhe kërkon një mandat të tretë. Tani verifikojeni vetë se kush është një rrezik aktual, një opozitar njëzetëvjeçar apo një shtetar 23 vjeçar? Ja përse zhurma rreth emrit të Albinit nuk është e rastësishme, por e qëllimshme. E ideuar për të zhvendosur vëmendjen nga fakte të tilla si pushteti pa limit por edhe proçesizgjedhor 100% perëndimor. Dhe kjo ka rrënjë historie. Shqiptarët në vendin amë e kanë humbur sensin e civilit autokton të pavarur, janë vendosur në rresht për të votuar. Nuk janë adhurues të proçesit, por të njëshave. Dhe kjo i kënaq sedrën Edi Ramës dhe sojit të tij. Madje nuk e kanë për gajle ta suportojnë njëshin në krim. Kanë votuar kolektivisht me aheng. Ata në Shqipërinë e epërme e kanë refuzuar masivisht votën e regjimit. Madje në vendin amë zgjedhjet nuk janë zgjedhje, por vjedhje e mirëfilltë. Mund t’i blesh me ca pako makaronash e mielli, me ca konserva mishi e peshku. Në vendin amë zgjedhjet mund të mburresh që i vjedh. Sado përgjime të dalin nuk burgoset asnjë nga shefat. Madje madje, e quajnë arritje. Flasin në emër të popullit. Ndonjë komisioner edhe mundet ta dënojnë. Ndonjë nga ata që ka shkuar aty për një bonus financiar, për ndonjë premtim për një vend punë për të birin a vajzën. Pra në vend që të merren me proçesin, standartet e tia, nxjerrjen në kohë rekord të rezultatit etj., merren me Albinin. Albini ka qënë opizatar, jo pushtetar. Erdhi së fundi me votë në pushtet. Po punoi mirë do e mbylli mandatin, po nuk punojë do hapi krahun. Dhe po nuk e bëri vetë, do ia plasi në kokë vota. Kaq…! Pra mos shihni Albinin si rrezik, mos u merrni me ‘të. Rreziku është në Tiranë tek proçesi zgjedhor përjetësisht i kontestuar. Rezultate që duan muaj të dalin. Janë sojet si Edi Rama që kërkon mandatin e tretë me preteksin se do fusi shqiptarët nëpër shtëpi. Ai që dikur i fliste shqiptarëve nga Anadolli për limitet e politikanit. Shqipëria vazhdon, të përmbytet, megjithatë për ironi ujin e merr me orar akoma. Shqipëria vazhdon të përmbytet megjithëse është vend gjoja numër një për rezervat hidrike në prodhimin e energjisë elektrike, por dritat  i ndërpriten akoma. Ndërkohë që një qeveritar bullist ka zëvendësuar çdo poç llambe me propogandën e tij. Sot Shqipëria i ngjan një kohe me hori altoporlantë fushatash korrje shirjesh se sa një vendi perëndimor. Madje me fondet e botës shpërndan çelsa shtëpish. E ha malli, nuk mund të kthehet dot në familje, duhet të sistemoj të pastrehët etj. Nga ana tjetër qe i fundit që e uroi Albinin dhe as nuk e përmendi fare proçesin zgjedhor civili deri tek dorëheqja a vota e emigrantit. Shkurt, legeni bërtet kapni legenin!

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Shqiperia ne fushate

PLANI I QEVERISË MBRETNORE NACIONALISTE JUGOSLLAVE PËR TË RRITË KUFIJTË

February 17, 2021 by dgreca

  PLANI I MIHAJLOVIQIT-  DOKUMENT-“KOMISIONI I SHTETIT /F.N.R.JUGOSLAVIJE, PËR TË VËRTETUE TË GJITHA KRIMET E OKUPATORIT E TË BASHKPUNTORËVE TË TIJ” /

-Bashkëpuntorë të tij referohet edhe qeverisë nacionaliste të Mbretit Pjetri i dytë-

 PLANI I QEVERISË MBRETNORE NACIONALISTE/

Përgatiti për Diellin Gjon Kadeli/
1) Lufta për lirinë e krejt popullit tonë në skripten e Madhnisë së tij Pjetrit të dytë.
2) Me krijue Jugosllavinë e Madhe, e brenda kësaj Serbinë e Madhe të spastrueme ndër kufijtë e Serbisë, Malit Zi, Hercegovinës, Sremit, Banatit e Backes.
3) Lufta për të shti në shtetin tonë të gjitha vendet sllave që kanë qenë të popullueme me Italianë e Gjermanë (Trieste, Goricë e Karonicë, si edhe ato nën Bullgari e Shqipninë e Veriut me Shkodrën.

4) Me spastrue (rascistiti)dmth me Shfaros nga të gjitha tokat e shtetit elementët e pakicave kombtarë që nuk janë sllave.

5) Me arrijtë lidhjen e kufijve të përbashkët në mes të Serbisë e Malit të Zi, si edhe në mes të Serbisë e Sllovenisë, tuej Shfaros e dëbue të gjithë elementin Mysliman të Sanxhakut dhe të Bosnjës, si edhe elementin kroat.

6) Me elementin komunist nuk mund të bahet asnji bashkpunim, mbasi ata luftojnë kundër dinastisë, dhe për revolucionin socialist, që nuk mund të jenë kurr të pajtueshëm me qëllimet tona mbasi na jemi ushtarë e luftarë për mbret, atdhe e lirinë e kombit.
PLANI I VEPRIMTARISË PËRSA I PËRKET KOSOVËS’

1) Me nji pjesë të fuqive të veprohet nga rrafshina e Limit drejt Bjellopoljes e Senicës, me ngarkim(zadatkom) spastrimin e Peshterit, me cfarosjen e elementit mysliman e shqiptar. Këto forca duhet të bashkpunojnë me lidhje të ngushtë me rapartet e Javorit e të Golskit.

2) Me nji pjesë të ushtrive të marshohet drejt e përtej Cakorrit për të mbrrijtë në Metohi me ngarkim(zadatkom) me spastrue atë krahinë, nga elementi shqiptar, si edhe për të pre rrugën e shpëtimit të atyne që mund të ikin nga Peshteri, Sanxhaku e tjera.
Këto fuqi duhet të ndërlidhen dhe të bashkpunojnë me forcat e
Kopaunikut……Komandanti Gjenerali i Shtamodhrisë Dragan M. Mihajloviq  me nji pjesë të fuqive duhet të veprojë drejt jugut me objektiv pushtimin e Shkodrës. Me cdo kusht duhet të mbrohet Mali i Zi prej sulmeve eventuale të shqiptarëve.

 Dragan M. Mihajlovoq(dora vet)
Ky dokument i qeverisë mbretnore nacionalist  e Jugosllavisë që qe udhëheqej nga Mbreti Pjetri i Dytë i cili në atë kohë gjindej në mërgim në Lodër.Ky dokumet tejet sekret u gjetë në petkat e nji malazezi që kishte mbetun i vra.
Drazhe M. Mihajloviqi ka qenë njeri tejet barba e Cetnukve që ai ka drejtue ka ba krime që pa kurrfarë ngurrimi mund të thuhet se krahasohen me ato që fatkeqsisht kanë ba disa njerëz të organizatave tejet ekstremiste në Lindjen e Mesme.

*Këto të dhana u morën nga libri Vrasja e Nji Kombi i autorit Kol Bib Miraka .

Filed Under: Analiza Tagged With: Gjon kadeli, Plani i Mihajloviqit

KOSOVA, NJË LEKSION EDHE PËR SHQIPËRINË

February 16, 2021 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI/

Kosova na dha një leksion të pastër demokracie, kulture politike, ndërgjegjësimi qytetar dhe shtetformimi.

Zgjedhjet në Kosovë ishin model edhe për botën e qytetëruar. Fushata, përgatitjet parazgjedhore, votimi, kontrolli paraprak i kandidatëve, administrimi i votës dhe pranimi i rezultatit ishte një model fantastik duke pasur parasysh moshën dhe eksperiencën e institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet në Kosovë na dhanë një leksion shumë dimensional. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Kosova na dha jo vetëm një shembull por mbi të gjitha tregoi një kulturë demokratike, votuesi shqiptar i Kosovës po ashtu. Kosova na mësoi si fitohet, si numërohet, si votohet, si pranohet rezultati, si humbësi merr përgjegjësi, si fituesi duhet të shërbejë, si i përzgjedhuri nuk udhëhiqet nga arroganca por nga thjeshtësia dhe shërbesa ndaj qytetarëve. Përpara shpalljes së datës së zgjedhjeve, shkuarja në ballafaqim elektoral, ishte një mësim i fuqishëm institucional, sesi gjykatat në shtetin e Kosovës nuk i komandon, drejton, apo shantazhon politika e ditës. Gjykata supreme rrëzoi qeverinë që mbahej në këmbë nga një votë e paligjshme. A ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri kjo? Kurrë. A do të mundet të ndodhë ndonjëherë, kategorikisht jo. Maturia e institucioneve në Kosovë është fantastike edhe pse numërojnë pak më shumë se një dekadë jetë. Pa mbaruar numërimi i votave, humbësi uron fituesin dhe mban përgjegjësi për rezultatin. Lidershipi i Kosovës na dha leksion, institucionet na dhanë leksion por mbi të gjitha votuesi shqiptar i Kosovës, mërgata shqiptare në çdo cep të globit krijoi një model fantastik ndërgjegjësimi patriotik. Mërgimtarët sfiduan kushtet atmosferike të jashtëzakonshme, nuk pyetën për distancat gjeografike, nuk pyetën për kostot ekonomike por morën pjesë masivisht për ti hapur atdheut të tyre një dritë shpresë, një të ardhme më të mirë, një qeverisje më të përgjegjshme. Mësimi më i madh që na dhanë shqiptarët e Kosovës, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, është fakti se ata erdhën e votuan të gjithë për të ardhmen e Kosovës, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë që ikën. Kosova na tregoi se duhet ta luftojmë të keqen në vend dhe në mergatë, kudo ku atdheu ka nevojë bijtë e vet duhet të jenë aty për ta shpëtuar mëmëdheun. Votuesi në Kosovë por mbi të gjitha votuesit e mërgatës e tronditën themelin e politikës së vjetër. Çmontuan një sistem që kishte konsoliduar rreth vetes gjithçka. Kjo frymë dhe ky mësim duhet të merret si etalon nga shqiptarët në Shqipëri dhe mërgata me banim jashtë atdheut që të shkojnë më 25 prill në Shqipëri, nga çdo cep i botës për të bërë përmbysjen e madhe, për të shkërmoqur me votë të lirë dhe demokratike qeverinë më të shëmtuar në 30 vite tranzicion. Mërgata shqiptare duhet të ndërgjegjësohet më shumë se asnjëherë, nëse neokomunistët marrin një tjetër mandat, pas disa vitesh nuk do të ketë më Shqipëri. Ndryshimi i elitave drejtuese dhe politike është një domosdoshmëri jetike për Shqipërinë. Vetëm në 8 vitet e fundit si pasojë e keqqeverisjes janë detyruar të largohen nga Shqipëria 600 mijë shqiptarë. Qeveria Rama kreu një genocid ekonomik, politik, social mbi shqiptarët e ndershëm e të pamundur. Fatkeqësisht është krijuar një Shqipëri e të pasurve, e oligarkëve e klaneve mafjoze politike, një atdhe që bëhet i pajetueshëm për bijtë e tij, të varfrit, njerëzit e thjeshtë, të ndershmit nuk kanë më akses në atdheun e tyre. Shqipëria nuk u përket më shqiptarëve por një grushti politikanësh që dominojnë skenën tash 30 vjet dhe pasunarësh të pasuruar mbi kurrizin e shqiptarëve të ndershëm e patriotë. Në Shqipëri ka humbur shpresa, është vrarë ideja se një ditë Shqipëria do të bëhet. Qeveria me qëllim që ta mbajë të nënshtruar dhe ta përdorë e shantazhojë më lehtë votuesin para zgjedhjeve, i ka lënë shqiptarët në varfëri dhe të lidhur pashmangshmërisht e ngushtësisht me pushtetin e ditës. Shqipëria ka nevojë urgjente ndryshimin e filozofisë së të bërit shtet dhe të qeverisjes ndaj njerëzve. Shqipëria ka nevojë të ndryshojë urgjent qasjen ndaj institucioneve, votuesve, ndaj ligjit, ndaj përgjegjësive. Shqipëria ka nevojë mbi gjithçka e çdo gjë për shqiptarët e saj, për bijtë në mergatë që të kthehen në atdhe si në Kosovë e të ndryshojnë me votë fatet e një atdheu të rrezikuar dhe të shkëpusin një herë e mirë Shqipërinë nga kthetrat e lugetërve politik, përbindshave të pashpirt që e shvasin, copëtojnë dhe poshtërojnë çdo ditë Shqipërinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 294
  • 295
  • 296
  • 297
  • 298
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT