• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HOMAZH DHE NDERIM NDAJ SAKRIFICËS HISTORIKE PËR LIRINË E KOSOVËS

February 3, 2021 by dgreca

Reshat Sahitaj, Kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë në Prishtinë, në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetarit Sokol PAJA, për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, paraqet para publikut të gjërë librin ‟Adem dhe Hamëz Jashari”, një vepër studimore dhe publicistike në nderim të sakrificës historike të familjes Jashari për liri dhe pavarësi.

NJË VEPËR STUDIMORE HISTORIKE NË NDERIM TË ADEM E HAMËZ JASHARIT

Që nga vrasja e Adem e Hamëz Jasharit dhe familjeve të tyre janë bërë shumë manipulime nga individë, organizata e parti politike me dy qëllime të caktuara : e para për të përfituar prestigj dhe qeveri, e dyta për të zhvlerësuar rezistencën heroike të një familje të vetme kundër një ushtrie të armatosur më teknikën më moderne. Andaj, që nga paslufta e deri në ditët e sotme më ka interesuar pse një pjesë e shqiptarëve heshturazi e herë herë edhe në shkrime të tyre tentojnë ti zhvlerësojnë këto figura të cilat nuk kishin çka të jepnin më shumë se edhe jetën e tyre për çlirimin e Kosovës, e në anën tjetër, pse disa tjerë gënjejnë duke sajuar se ishin bashkëluftëtarë të Adem e Hamëz Jasharit, e në fakt të tillët nuk i shkuan në ndihmë as në vendin e ngjarjes ku zhvilloheshin luftimet e as në pozitat e tyre në Zona Operative që ata kishin krijuar bazat. Pra, këta janë faktorë që më nxitën të bëj një vepër në të cilën historia e tyre të shkruhet nga personalitete të njohura shqiptare në mënyrë sa më objektive të mundshme. 

ÇFARË PËRMBAN LIBRI PËR JASHARËT 

Libri ‟Adem dhe Hamëz Jashari” ka disa kapituj dhe hapet me publicisten e njohur Shpresa Mulliqi, e cila ka pasur guxim që të shkojë e të bënte intervistë me Ademin, Hamzën dhe anëtarët e familjes Jasharaj kur ata ishin në përgatitje për rezistencë. Në të njëjtin kapitull lexuesi ynë për herë të parë do të mësojë për stërvitjet ushtarake të Adem e Hamëz Jasharit, për të cilët shkruan kujtimet e tij Koloneli i karrierës Hysen Gecaj. Këtë kapitull e plotëson edhe Dr. Sulejman Abazi nga Tirana me fakte e dëshmi të reja nga pervoja e tij personale. Po në të njëjtin kapitull një analizë të thuktë e bën edhe historiani nga Prishtina Metush Zenuni i cili ishte pjesëmarrës në takime të shumta të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i cili në mënyrë brilante e sqaron tërë procesin që nga fillimi i orgnizimit e deri në përfundim të vrasjes së këtyre dy figurave dhe familjeve të tyre. Kapitulli i dytë përfshin si është trajtuar figura e Ademit dhe Hamzës në letërsi, teatër, film, skulpturë etj. Prof. Asoc. Dr. Myrvete Dreshaj Baliu shkruan lidhur me trajtimin e këtyre figurave në letërsinë shqiptare, ndërsa Prof Dr. Ilir Muharremi mbi trajtimin e këtyre figurave në skulpturë. Nuk është lënë anash as trajtimi në film dhe teatër për të cilën shkruan regjisori Dibran Fylli e shumë të tjerë. Libri përfundon me dy kapituj të tjerë ku krijuesit tanë të rritur i dedikojnë vargje këtyre figurave tona kombëtare, ndërsa  kapitullin e fundit u kemi dhënë hapësirë poezive të shkruara nga fëmijët e klasave fillore të cilët me dashuri i kushtojnë poezi Ademit dhe Hamëz Jasharit. 

PSE ËSHTË BËRË PAK NGA SHKRIMTARËT, BOTA UNIVERSITARE E MEDIA NË KOSOVË PËR TË DEMASKUAR KRIMET SERBE NË KOSOVË

Pyetja juaj është komplekse dhe duhet shumë për të ardhur deri tek një përgjigje adekuate. Do mundohem të bëj një përmbledhje sa më të shkurtër e të saktë. Një pjesë e madhe e krijuesve tanë janë ngritur nga sistemi i kaluar pavarësisht nga aftësitë e tyre letrare apo shkencore. Akademia e Shkencave po ashtu ka grumbulluar një pjesë të madhe të ish bashkëpunëtorëve të Serbisë, të cilët as që mendojnë të bëjnë diçka për Adem e Hamëz Jasharin sepse u hidhërohet padroni i tyre në Beograd. Mediat tona më shumë u japin hapësirë bashkëjetesës me serbë, sepse në të kundërtën nuk do marrin ndihma materiale. Ministria e Kulturës nuk financon vepra me karakter nga lufta, apo financon me një shumë simbolike që krijuesit nuk i dalin as për shpenzime të botimit. Kemi shumë krijues që veprat e tyre mbi masakra që kanë bërë forcat serbe nuk ua financon asnjë ministri e asnjë biznesmen. Krimet serbe që i kanë bërë mbi popullsinë shqiptare civile do të denoncoheshin përmes botimit të librave në disa gjuhë të huaja, përmes filmave dokumentarë, filmave artistik etj. 

SI I KOMENTONI AKUZAT NDAJ UÇK DHE ARRESTIMIN E ÇLIRIMTARËVE

Lidhur më këtë unë mendoj ndryshe nga të tjerët. Në këtë rast nuk po akuzohet UÇK-ja por disa individë (personalitete me përgjegjësi gjatë dhe pas luftës) të cilët dyshohen se kanë bërë krime. Të gjithë të akuzuarit fshihen pas emrit UÇK, në mënyrë që ta kenë përkrahjen masive të popullit në organizimin e ndonjë demonstrate para Gjyktës në Hagë apo edhe në Prishtinë. Sipas Konvetes së Gjeneves ndalohen dhe dënohen krimet ndaj popullatës civile. Në çdo shtet të botës së civilizuar dënohen ushtarët, oficerët dhe përgjegjësit e asaj ushtrie që kanë lejuar të bëhën krime ndaj civilëve. SHBA dënon ushtarët dhe oficeret për krime në Irak, Franca po ashtu i dënon oficerët e vet për krime që kanë bërë mbi popullsinë civile. Të dyshuarit tanë që janë në Hagë e të tjerët që do shkojnë duhet të tregojnë pafajësinë e tyre. Unë do e kisha shtruar pyetjen tjetër : të akuzuarit të dyshuar për krime lufte a po akuzohen për vrasje të ushtarëve serbë apo për vrasje të ushtarëve e civilëve shqiptarë ? Kësaj do ia shtoja edhe pyetjen tjetër : pse Hashim Thaçi, Kadri Veslei e të tjerët në vitin 2015 kur e aprovuan ligjin në kuvend për krijimin e GJ.S, nuk e kërkuan edhe dënimin e kriminelëve serbë ?!  Kriminelët serbë lirshëm shëtisin në Kosovë e madje ndonjëri prej tyre ishte deputet në kuvendin tonë. Lidhur me këtë kam shkruar në shtypin tonë të përditshëm që nga Raporti i Dick Martit, e madje kam biseduar personalisht me Thaçin e Kadri Veselin të cilët nuk ndërmorën asnjë hap. Pse nuk kërkuan dënimin e kriminelëve serbë ?! Vetëm ata e dinë.

SI DO DALË KOSOVA PAS KËSAJ PËRBALLJE ME DREJTËSINË NË HAGË ? 

Procesi i Hagës është në fillim dhe askush nuk mundet të dijë epilogun. Ka mundësi që ndonjëri nga personalitetet e dyshuara të dënohet rëndë, siç ka mundësi në mungesë të dëshmitarëve , apo nga akuzat e rrejshme shqiptaro-serbe të mos dënohet. Kjo varet edhe në bazë të zhvillimeve politike në Kosovë. SHBA dhe Europa nuk dëshirojnë që Kosova të deshtojë, sepse pa ndihmen e tyre ne do mbesnim edhe mijëra vite nën sundimin e Serbisë. 

A PO LUAN EUROPA PADREJTËSI ME SHQIPTARËT E KOSOVËS

Duke qenë personalisht pjesëmarrës në shumë takime diplomatike në mes personaliteteve europiane dhe të gjitha personaliteteve politike kosovare, po e shpreh mendimin tim ashtu siç ka qenë e siç jemi sot. Historikisht ne shqiptarët gabimisht i kemi drejtuar akuzat kundër Europës. Kur Fuqitë e Mëdha e munden Perandorinë Osmane, ne kerkonim Autonomi në kuadër të Perandorisë gjë që nënkuptonte që territori i Turqisë të shtrihej deri në Ulqin e Sarandë. Europa kishte luftuar për shkatërrimin e Perandorisë Osmane, e ne kerkonim qëndrimin e tyre në trojet tona dhe në vend që të kërkonim pavarësi, ne kërkonim autonomi. Si rezultat Fuqitë e Mëdha na coptuan që të mos e linin Turqinë të dilte në Adriatik. Ishte padrejtësi që na u bë, por pas çdo lufte aleatët i ndajnë territorët që ishin kundër tyre. Fituesi i një lufte nuk ka mëshirë mbi popullin tjetër kundër të cilit ka luftuar dhe ka fituar. Gjatë viteve të ’90-ta kur të gjitha Republikat e Jugosllavisë dëshironin shkëputje nga Jugosllavia, ne shqiptarët kërkuam autonomi të zgjeruar. Kur Europa dhe SHBA në Gjykatën e Hagës Kosovën e Pavarur e shpalli të ligjshme, ministresha jonë Edita Tahiri, Kosovës sonë të pavarur ia shtoi fluskën që ta bënte ende të varur nga Serbia. Delegacioni ynë me dëshirë e krijuan Bashkësinë e Komunave serbe duke i shtuar më tepër komuna se sa serbet kërkonin. Europa e as SHBA nuk kanë të drejtë të intervenojnë që delegacionet tona të mos nënshkruajnë, sepse në anën tjetër qëndron Rusia e gatshme për çdo gjë. Duhet të akuzojmë vetvetën e jo Europën apo SHBA.  

Filed Under: Analiza Tagged With: Adem Jashari, Reshat Sahitaj, Sokol Paja

US has vaccinated a larger share of its population per capita than Europe

February 2, 2021 by dgreca

Jumptuit Datacast: While Israel has vaccinated 40 percent of its population, US has vaccinated a larger share of its population per capita than Europe/

Donald Leka, Founder, Chairman and CEO of Jumptuit Media Inc. launched today its new platform comparing the vaccine distribution data across regions. Last month the company announced the unveiling of Jumptuit Datacasts, “a transparent new medium for receiving information on important trending global events.” Award Winning television presenter and journalist, Claire Leka, anchors the Datacast Team. It went live today with this story: 

While the small, highly-advanced countries of Israel and the United Arab Emirates (UAE) are rapidly vaccinating their populations, larger advanced countries are facing challenges of manufacturing and distributing vaccines at scale. The US is fully vaccinating its citizens at a faster rate than the European Union (EU). The EU’s vaccine rollout has turned into a crisis due to a shortage of COVID-19 vaccine doses. Over 90 million doses of the Covid 19 vaccine have been administered across 56 countries since mid-December according to the CDC. That’s only a fraction of the global population of nearly 8 billion people. 

Israel has vaccinated 40 percent of its population of 9 million and could reach herd immunity by mid-year the fastest pace in the world. The United Arab Emirates like Israel has a small population and universal health care system. The gulf nation has vaccinated nearly one-fifth of its 10 million people already but countries of scale are lagging due to inherent logistical challenges from the standpoint of population size and geography. 

The US has vaccinated a larger share of its population per capita than Europe which is struggling with vaccine shortages and an escalating dispute with vaccine maker Astra Zeneca which has slashed its production by 60 percent because of manufacturing problems at its plant in Belgium Spain has partly suspended vaccinations due to lack of doses.

Filed Under: Analiza Tagged With: Izrael, Vaccinated

” SKA PAQË ME STANDARDIN PA U KTHYE PASKAJORJA”

February 1, 2021 by dgreca

KUR ARTI SFIDOI DIPLOMACINË DHE SHEMBI MURET E NACIONALIZMIT/

NGA FILIP GURAZIU/

   Pasioni për muzikën më bashkoi (në rolin e drejtuesit organizativ) me Shoqatën Artistike Kulturore “Prenkë Jakova” – Shkodër   me të cilën përshkuem së bashku, në  nji periudhë shumë vjeçare,  nji rrugë të gjatë pune,   me sakrifica  e suksese artistike që nderuen  jo vetëm pjestarët e Shoqatës e qytetin e tyne, Shkodrën , por të gjithë  Shqipninë e shqiptarët kudo që ndodhën. 

Krahas qinda koncertesh ( Shkodër, Tiranë, Korçë, Fier, Tuz, Podgoricë, Gjakovë, Tetovë, Dubrovnik, Kraguejevac, Peç, Budapest, Horoshaza, Venezia, Modena, Borgo San Lorenzo, Camerino, Bari etj.,  po kujtoj veprimtaritë kryesore:  

* Regjistrimi në Radion e Vatikanit të Korit polifonik “Prenkë Jakova” dhe prodhimin e CD-ve  me titullin ” Jubileu 2000″.

 * Koncertet korale polifonike “Lake airs”,  (Kori polifonik “Prenkë Jakova” së bashku me Korin polifonik të Akademisë së Arteve të Cetinies) në Shkodër, Virpazar e Tivat, 2001. 

* ” Medalje Bronzi” në Festivalin Ndërkombëtar të muzikës  polifonike ” Orlando di Lasso” –  Camerino – Itali, 2002. 

* Java e Kulturës Shqiptare në Firenze (Koncertl në  mjedisin e Salone del Cinque Cento,  Palazzo Vecchio), 2006..

 * Koncertet korale polifonike në veprimtarinë “Peace on Earth”, 2008; ( korista e muzikanta prej Berlinit, Novisadit dhe Shkodrës në nji grup artistik të përbashkët)

 * Koncert në Teatrin e Operas të Istanbul së bashku me pianistin me famë botnore Giacomo Campanella të ” Petit Messe Solennele” – Gioachino Rossini, 2010.;

 * Koncerti shoqnues i Meshës së Papa Bergoglio në Tiranë, 2015 etj.

   Ndër veprimtaritë e masipërme,  dëshiroj me kujtue  aktivitetin ” Peace on Earth” si dëshmi e  fuqisë ” magjike”  transformuese të muzikës  në psikologjinë e individit  e në nji shoqni njerëzore.

   Arti në përgjithësi e muzika në veçanti gëzojnë karakter universal  mbasi ato mirëkuptohen nga të gjithë popujt e botës, edhe pse gjuhët i kanë të ndryshme. Në këtë kandvështrim, arti shërben ma mirë se çdo gja tjeter për afrimin e popujve, për rritjen e miqësisë  e forcimin e bashkëpunimit reciprok tue ndikue pozitivisht për vendosjen e themeleve të nji  paqe të qendrueshme, aq të dëshirueme prej të tanve. 

   Mbas ngjarjeve dramatike që përjetuen popujt e ish Jugosllavisë  në vitet nandëdhetë të shekullit të kaluem, nji projekt i përbashkët artistik me protagonista muzikanta me prejardhje etnike dhe fetare të ndryshme prej Ballkanit, merrte kuptimin e nji nisme të mbarë drejt nji periudhe të re miqësie e bashkëpunimi,  çka do të përbante, si me thanë,  nji kontribut konkret për konsolidimin e paqës në rajon.

   Ishte pikërisht ky, motivi që nxiti muzikantin e shquem berlinez  Z.Gerhard Oppelt, për me projektue aktivitetin ndërkombëtar  muzikor ‘Peace on Earth’ me pjesëmarrjen e artistave   berlinez të  ‘ Berliner Figural Chor’ e ‘Jugendorchester Berlin’; prej Novi Sad (Serbi), Kori  ‘Sveti Stefan Deçanski’ e prej Shkodrës, Kori Polifonik ‘Prenkë Jakova’. Projekti u mbështet financiarisht prej  Qeverisë Gjermane e Fondacionit ‘Goethe’.

   Nji ansambël madhështor mbi njiqind e njizet artistash, në të cilin bajshin pjesë, përveç grupeve  të sipërpërmenduna,  edhe  solistë të shquem prej Berlinit ( A. Köpcke, A.C. Carlsted, J. Schnurr, P. Dasch ) mbrrijti me funksionue në mënyrë perfekte, falë profesionalizmit të naltë artistik të Drejtuesve të koreve; z. Gerhard Oppelt,  zj. Tamara Petijević e z. Gjon Shllaku.

   Edhe pse  repertori artistik përmbante muzikë  të nji shkalle të naltë vështirësie, si ishte vepra vokale  ‘Peace on Earth’ e kompozitorit gjerman Arnold Schönberg, impenjimi i pjesëmarrësve bani të mundun realizimin e të gjitha objektivave artistikë. 

   Si nji trupë e vetme artistike, ansambli ‘Peace on Earth’ dha me shumë sukses  dy koncerte në Berlin (26, 27 Shtator 2008);  nji koncert në  Novi Sad  (19 Tetor 2008) e nji tjeter në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër, (21 Tetor 2008).

   Muzika e zgjedhun prej Maestro Oppelt ( kompozitori Tomas Tallis) u interpretue  prej tetë grupeve korale me 10 zane  të vendosun në pozicione të ndryshme në sallë, tingujt e shumtë që dukeshin se  vijshin prej qiellit, krijojshin nji atmosferë magjike, tue ngjallë  nji  optimizem të ri për jetën. 

   Historiani filozof  Hendrik Willem van Loon  në studimin e tij ‘ THE ARTS’ shkruen: “ Muzika përban gjuhën me të cilën njerëzimi  komunikon me Zotin”

    A  nuk jemi të tanë krijesat e të njajtit  Zot ? Pse me u  urrye kur në mes nesh kemi dashuninë ? A ka gja ma të dëshirueshme, ma të bukur e ma humane  se vllaznimi i popujve e veçanarisht i të rijve  me prejardhje të ndryshme etnike e fetare, larg nacionalizmave  primitive e regresive?

   Larmia e muzikës së zgjedhur ( J.S.Bach, A. Pärt, S. Mokranjac, H. Schutz, F. Poulenc, Gj.Kapedani )  e gërshetueme me interpretimet origjinale t’asaj që tingëllonte ‘ndryshe’, pasojë kjo e  rrugëve të formimit historik t’artit, i dha një larmi ngjyrash  e pasunoi artistikisht veprimtarinë.

   Me organizue një aktivite të kësaj natyre, natyrisht se asht  mund e sakrificë e madhe, por mbasi “kapet” suksesi, proporcionalisht me mundin asht edhe kënaqësia e krenaria legjitime.

Mija artëdashës shkodranë që mbushën  Katedralen e Shën Shtjefnit, ishin dëshmitarë t’asaj force të madhe magjike që transmeton  muzika. Artistat u vllaznuen, populli u lumtunue. Kanga e “Zojës së Shkodrës” e këndueme bashkarisht prej ansamblit artistik e spektatorëvet ishte urimi ma i bukur e ma kuptimplotë që përhapi veprimtaria ‘Peace on Earth’: “Me ndihmen e Zotit e të vllaznuem,  kemi me ndertue bashkarisht  Paqen. 

   Mbas koncertit, në mjedisin e ‘Fshatit të Paqës’, Karitasi Shkodër organizoi mbramjen e lamtumirës.  Ishte një festë që nuk mund të harrohet jo vetëm për entuziazmin e demostruem, por mbi të tana  për mesazhin që mori çdo pjesëmarrës.  Artistat  gjermanë, serbë dhe shqiptarë, protagonista të veprimtarisë, do të ktheheshin në shtëpitë e tyne me nji ndjejë krenarie për kontributin e dhanë në favor të Paqës, tue ruejtë në zemrën e tyne parimin human  “Dashunia ndërton, urrejtja shkatërron.”  

Jashtë repertorit artistik: 

   Prej organizatorve,  patëm kuptue se nuk kishte qenë edhe aq  e lehtë bashkëpunimi me  nji kor prej Serbije. Shumë propozime për pjesëmarrje në projekt qe u ishin ba grupeve korale në Serbi. ishin refuzue prej tyne; Shkaku ishte se në projekt merrshin pjesë edhe shqiptarët…  No coment! Vetem Kori ‘Sveti Stefan Deçanski’ që ishte kori i Kishës Ortodokse në Novisad,  kishte pranue pjesëmarrjen në projekt mbas shumë ngurrimesh ,” falë vizionit përparimtar të Ipeshkvit Ortodoks të Novisadit”.

   Mbasi patëm realizue fazen e parë të projektit në Berlin, organizatorët na njoftuen se kori serb që do të vinte për koncert në Shkodër, nuk e kishte në plan me fjetë atë natë në Shkodër , por mbas koncertit do të kthehej menjiherë për  në Podgoricë. Arsyeja?! Se nuk ndiheshin të sigurtë në Shkodër… Ky qendrim na shqetësoi, u ndiem të fyem e menjiherë i dhamë përgjigje gjermanëve: ” Në qoftë se kori serb nuk pranon me fjetë në Shkodër, atëherë edha na nuk do të pranojmë me fjetë në Serbi”. Praktikisht kjo donte me thanë se projekti ndërpritet e nuk nuk do të vazhdonte ma, gja që  organizatorët nuk e deshirojshin e nuk e pranojshin. Presioni i tyne i detyroi serbët me ndrrue mendje.

   Faza e dytë e projektit parashikonte koncertin në Novisad, ku shkuem me qef e me kuriozitet. Sistemimi në hotel ishte shumë i mirë, qyteti i bukur,  pjesa e vjeter kishte mjaft  ngjajshmëni  në arkitekturë me qendren e Shkodrës. Shetitëm lirisht, askush nuk na shqetësoi, partnerët serbë të korit nuk i takuem veçse në prova e në natën e koncertit që u zhvillue në Sinagogen e qytetit. Qytetarët e kishin mbushë plot e përplot sallen e madhe të Sinagogës, koncerti pati  shumë sukses, por  binte në sy mungesa e mediave televizive serbe dhe e autoriteteve të qytetit...Mbas koncertit, përfaqësuesi i korit serb na propozoi me ndejë së bashku    në mjedisin e nji taverne në qendër të  qytetit. Shkuem me dëshirë e zumë vend të grupuem  përballë njeni tjetrit. Çdokush  porosiste e paguente vetë! Kishte  nji farë ftoftësije ndërmjet nesh e për me i dhanë pak gjallni mjedisit, filluem me këndue  nji kangë angleze shumë të njoftun ndërkombëtarisht. Mbasi  e mbaruem, menjiherë kori serb filloi me këndue nji kangë vajtimi e, prej shprehjes ” kukù majko “, kuptuem se  ishte kanga e vajtimit të nanës serbe për djalin  që shqiptarët ia kishin vra në Kosovë… No coment! Ftohtësisë së mjedisit iu shtue edhe heshtja!  Nuk kishim se pse me ndejë ma, i thamë natën e mirë dhe dolëm.

   Në Shkodër Kori Serb nuk erdhi i plotë. I mungojshim 6 persona. Prej organizatorëve gjerman kuptuem se ishin pasë qenë pengue prej familjeve të tyne që kishin frigë ” prej shqiptarve në Shkodër”, Si kundërpërgjigje të sjelljeve të masipërme patëm vendosë që në Shkodër, serbve ti tregojmë mikpritjen shqiptare, ” e mira fiton mbi te keqen”. Për ket u organizuem në grupe; i shetitëm në qytet, qendruem së bashku në Bar-Kafe  e i ofruem çdo gja që ato dëshirojshin, edhe qytetarët shkodranë qenë shumë miqësorë me artistat serbë.  Mbas drekës, pronari i Restorant ” Legjenda” ( pjestar i korit shkodran) i ftoi koristat serb për  nji ” party” në mjedisin piktoresk të lokalit ku mbeten shumë të kënaqun. Suksesi i koncertit e qëndrimi miqësor që iu ofrue në Shkodër artistave gjermanë e serbë, u manifestue  edhe në atmosferen entuziaste që shoqnoi darken e mbylljes së aktivitetit te “Fshati i Paqes” Të nesërmen i përcollëm deri në pikën e kufinit  të Hanit të Hotit e i uruem rrugë të mbarë. 

   Mbas kthimit në Novisad, drejtuesja e korit serb na çoi nji leter falënderimi për pritjen miqësore e të veçantë  që kishin gjetë në Shkodër, po kështu edhe Ambasada Serbe në Tiranë na përgëzoi për suksesin e veprimtarisët dhe na falenderoi për qendrimin miqësor që i ofruem koristave serbë.

“Ate çka nuk mujti me e ba diplomacia ma e sofistikueme bashkëkohore tue aktivizue   mija vetë për periudha të gjata kohe e financime  të mëdhaja  e bani mrekullia e artit.” 

Mbramja e mbylljes së aktivitetit ‘Peace on Earth’ në Shkodër datë 21.10.2008  e provoi plotësisht:  “Qëndrimi primitiv nacionalist, pasojë e helmit ideologjik me të cilin  edukohet brezi i ri në disa vende…, u dorëzue para miqësisë së vertetë që  depërtoi në shpirtin pjesëmarrësve nëpërmjet muzikës. 

Dashunija fitoi mbi urrejtje; muret nacionaliste ranë, muzika e bani mrekullinë e sajë…!”

F.G.( Pjesë e librit Dromca kujtimesh” i dërguem për botim)

Filed Under: Analiza Tagged With: " SKA PAQË ME STANDARDIN PA U KTHYE PASKAJORJA", Filip Guraziu

Ekipi i OBSH-së inspekton, tregun në Wuhan mes hetimeve për origjinën e koronavirusit

January 31, 2021 by dgreca

Një ekip shkencëtarësh me Organizatën Botërore të Shëndetësisë shkoi të dielën në një treg në qytetin Wuhan të Kinës për të bërë hetime lidhur me origjinën e koronavirusit. Sipas zyrtarëve kinezë, koronavirusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2019 në një treg me produkte deti. Që nga ajo kohë janë infektuar mbi 102 milion njerëz në të gjithë botën dhe më shumë se 2.2 milion të tjerë kanë humbur jetën.

Ekipi i drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë po vazhdon misonin për të hetuar origjinën e koronavirusit, ndërsa sot ishte në atë që njihet si epiqendra e shpërthimit të virusit në tregun me produkte deti në qytetin Wuhan.

Ekipi mbërriti në tregun Huanan mes masave të rrepta sigurie ndërsa autoritetet kishin vënë barrikada shtesë përtej rrethimit të tregut. Shkencëtarët që po hetojnë prejardhjen e virusit qëndruan atje për rreth një orë dhe u larguan të shoqëruar me një autokolonë. 

Hyrja e publikut në tregun e madh është kufizuar që nga mbyllja e tij në fillim të vitit të kaluar. 

Shkencëtarët kanë vizituar të paktën një nga spitalet e qytetit Wuhan ku u trajtuar pacientët e parë. Ata po përpiqen të zbulojnë origjinën e virusit, se nga cilat kafshë ka ardhur dhe si ka kaluar tek njerëzit. Shkencëtarëve do t’u duhen vite për ta kuptuar këtë zinxhir. 

Ekipi i shkencëtarëve po ashtu ka në plan të vizitojë Institutin e Virologjisë në Wuhan si dhe laboratoret në objektet shtetërore si Qendra Wuhan për Kontrollin e Sëmundjeve, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë me qendër në Gjenevë.(Kortezi: Zeri i Amerikes- Reuters, Aasociated Press)

Filed Under: Analiza Tagged With: inspekton, OBSH, tregun në Wuhan

STRATEGJIA SERBE PËR NDARJE ME KOSOVËN SIPAS FORMULËS 12 : 12 ?!

January 31, 2021 by dgreca

Shkruan: Adil FETAHU/ Apetitet e nacional-shoviinistëve serbë për Serbinë e Madhe, që prej gjysmës së dytë të shekullit 19 nuk janë shuar kurrë. Për të arritur këtë qëllim  ata kanë hartuar, miratuar, promovuar e zbatuar programe, strategji, memorandume,  rezoluta, deklarata e vendime dhe kanë vepruar në praktikë, duke rritur territorin e shtetit të vet dhe armiqësinë me shtetet tjera. Krahas zgjërimit të territorit të shtetit në të gjitha anët, duke pushtuar territore të shteteve fqinje, synimin kryesor e kanë pasur pushtimin e bregdetit  dhe territorit shqiptar. Edhe pushtimi i Kosovës në vitin 1912 ka qenë në këtë funksion, me synim të daljës në bregdetin shqiptar, gjë që bëri në vitin 1913-1914.

Shkencëtari më i njohur serb, Jovan Cvijiq, ekspansionin serb kah jugu, me dalje në bregdetin shqiptar e arsyetonte me shkaqe ekonomike: “Për shkak të pavarësisë së vet ekonomike, Serbia duhet të fitojë çasje në Detin Adriatik dhe një pjesë të bregdetit të Shqipërisë, qoftë me pushtim të territorit, qoftë me fitimin e të drejtave ekonomike dhe të komunikacionit në atë krahinë. Kjo, vërtetë do të thotë pushtimi i  një krahine etnografikisht të huaj, por që duhet patjetër të merret për shkak të interesave të rëndësishme ekonomike, për shkak të nevojës jetësore”, shkruan  Cvijiqi dhe i përpilon hartat e  viseve të cilat duhet pushtuar.

Këto apetite i kanë  nëpër sirtarë edhe pushtetarët aktualë në Serbi, ndonëse nuk i shfaqin hapur dhe me metoda të pushtimit, por synojnë që me metoda tjera të arrijnë të njëjtat qëllime. Ata edhe sot e kësaj dite   shohin ëndërr për një korridor  sëpaku 5 km të gjërë, për të dalë në bregdetin shqiptar, prej Shëngjini deri në Durrës! Shijen për këtë apetit ia shtoi emisari i ish-presidentit Tramp, Richard Grenell, me rastin e nënshkrimit të dofarë marrëveshjeve  në Washington, më 4 shtator 2019, në të cilat bëhet fjalë për lidhje infrastrukture rrugore dhe hekurudhore, jo vetëm mes Kosovës e  Serbisë, por edhe me Shqipërinë.

Mirëpo, Kosova i ka mbetur Serbisë asht në fyt, si çështje e pazgjidhur sipas saj. Në tridhjetë vjetët e fundit, në çarqet politike, shtetërore, ushtarake, shkencore, kishtare e kulturore të Serbisë janë përpiluar e shfaqur shumë ide, propozime, plane, strategji, programe, rezoluta, deklarata, për zgjidhjen e problemit midis Kosovës e Serbisë. Dhe me qenë se me përfundimin e luftës në vitin 1999 Kosova faktikisht është shkëputur nga Serbia,  ndërsa me shpalljen e pavarësisë (2008) këtë e bëri edhe juridikisht, Serbia përpiqet që në kushte e rrethana të reja,  të shkëputë e fitojë diçka  nga territori i Kosovës. 

Idenë për ndarjen midis Kosovës e Serbisë, e ka publikuar haptas shkrimtari dhe akademiku serb Dobrica Qosiq qysh në vitin  1966 e 1968 dhe 2002 e 2003. Në seancën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jgosllavisë, më 29 maj 1968, Qosiqi shprehej: “Nëse rruga na shpie në realizimin e sovranitetit të Serbisë me shkëputjen e Kosovë-Metohisë nga Serbia dhe Jugosllavia, atëherë janë të pashmangshme ndeshje të rënda dhe tragjike, me pasoja historike të paparashikueshme”. Për shkak të prognozave të tij nacioanaliste, atëherë u përjashtua prej partie (LKJ).

Këtë ide e ka edhe sot lidershipi i Serbisë, sado që nuk e thotë në mënyrë shprehimore, por tërthorazi, duke përsëritur mantrën bajate se: “nuk mundet dikush të fitojë gjithçka, e dikush asgjë”!. Ata e dijnë se me bisedime Kosovën nuk mund ta kthejnë nën Serbi, por shtiren sikur është nën sovranitetin e Serbisë, duke u thirrur në preambulën e Kushtetutës së tyre (2006) dhe në Rezolutën 1244 të KS KB, edhepse nga ajo Rezolutë nuk mund të gjejnë as shkronjën “S” të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.

 Koordinatori i Paktit të Stabilitetit të Europës Juglindore, Erhard Busek thoshte: “Në takimet zyrtare politikanët serbë thonë se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, ndërsa në biseda të lira, kur pijmë kafe, ata më pyesin se si të lirohën prej saj”.

Dobrica Qosiqi,që është ideatori i parë për ndarjën e Kosovës. Në librin e tij, në formë ditari,“Kosovo”, tregon se me ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq, qysh prej 14 dhjetorit 2002 deri më 12 janar 2003, ka qenë dy herë në vizitë në shtëpinë e Gjingjiqit dhe në kontakt permeanent me kryeministrin, në konsultime për zgjidhjen e problemit me Kosovën e që Qosiqi i ka propozuar : ndarjen e territorit të Kosovë-Metohisë, përkufizimin midis Serbëve e Shqiptarëve, pa insistuar  në territore të pastra etnike, me reciprocitet për format e të drejtave nacionale dhe civile për pakicat. Patrikana e Pejës, manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Deviçit të kenë pozitë vetëqeverisje dhe të drejta sipas modelit të manastereve ortodokse në Malin Atos të Greqisë, por që paraprakisht t’iu kthehën tokat dhe pyjet e  nacionalizuara në vitin 1945”. Me këtë propozim ishte pajtuar kryeministri, që kishte thënë se menjëherë do t’iu shkruajë letër Bushit, Blerit, Shrederit, Putinit, Shirakut dhe do t’i vizitojë të gjitha ato qendra, për t’i bindur për nevojën e ngutshme të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Deviza e Gjingjiqit ishte: “Në Kosovë të kthehen serbët, e jo Serbia”. Ai i kishte shkruar letër komandantit të NATO-s për Europë, që të lejonte kthimin në Kosovë të 999 policëve të Serbbisë, siç parashihet me Rezolutën e KS 1244. 

Kryeministri Gjingjiq, pas konsultimit të Qosiqin, e kishte përpiluar strategjinë e tij për zgjidhjen e problemit me Kosovën. Kishte përcaktuar dy pikëpamje. E para ishte federalizimi i Kosovës, me dy entitete: shqiptare dhe serbe, me institucionet e tyre të pavarura, sipas shembullit të Bosnje-Hercegovinës. Si “federatë e entiteve” Kosova do të ishte në kuadër të Serbisë, me status: ma shumë se krahinë, më pak se republikë. I vetëdijshëm se një koncept të tillë nuk do ta pranojë Kosova as bashkësia ndërkombëtare, në variantin tjetër Gjinjiqi parashihte: a) ndarjën territoriale; b) garancione efikase ndërkombëtare për serbët të cilët mbetën të jetojnë në pjesën shqiptare; c) status të psaçëm të  objekteve fetare. Gjingjiqi konsideronte se është momenti i fundit për të ndërmarrë aksione të vendosura për zgjidhjen e problemit me Kosovën, sepse koha nuk po punon në favor të Serbisë.  Gjingjiqi ishte një politikan i shkathtë dhe kishte një reputacion pozitiv në arenën ndërkombëtare, veçmas në Gjermani. Dhe si i tillë ishte më i rrezikshëm se të tjerët. Mirëpo,  atë e likuiduan me atentat, në shkallët e ndërtesës së Parlamentit të Serbisë, më 12 mars 2003. Ai nuk arriti ta realizojë strategjine për të cilën u pajtua me Qosiqin, por opsioni i ndarjës së Kosovës iu mbeti “si patate e nxehtë në dorë” qeverive që pasuan, e të cilat i kryesuan ultranacionalistët e dëshmuar: Vojsillav Koshtunica, Mirko Cvetkoviq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vuçiq. Në kohën e qeverisjes së tyre u lansuan strategji e modele të ndryshme.  Prej vitit 2005, ka qarkulluar pikëpamja e të gjitha qeverive të Serbisë “Më shumë se atonomi, më pak se pavarësi”, ose ndarja e Kosovës.  Do të thotë se pavarësinë nuk mund ta gëlltisin kurrësesi. 

Strategjitë dhe pikëpamjet e tyre për zgjidhjen e problemit me Kosovën i shpalosën edhe kryetarët e Serbisë: Boris Tadiq e Tomisllav Nikolliq , ndërsa kryetari aktual, Aleksandar Vuçiq është treguar më dinak dhe e fshehë strategjinë e tij si gjarpëri këmbët.  Tadiqi kishte një strategji-plan prej katër pikash: 1) Zgjidhje e posaçme për komunat veriore;  2) Administrimi dhe eksteritorialiteti i manastireve të KOS; 3) Garancione për serbët në enklava; 4) këthimi ose kompensimi i pronave  shtetërore dhe atyre private.  Koshtunica zgjidhjen e mendonte me një autonomi të mbikëqyrur, sipas modelit të Hongkongut, por jo kurrëfar pavarësie, as e mbikëqyrur as e plotë.  duke pretenduar se ky model ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë mbi Kosovën dhe nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.   Tomisllav Nikolliqi  edhepse ishte një ultranacionalist, analfabet poltik, ishte  konsultuar me AShAS, dhe me Kishën Serbe, por ishte më larg realitetit se sa të tjerët. Ai insistonte në formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e cila do  të kishte shkallë të lartë të autonomisë territoriale dhe politike,  kompetenca të gjëra  dhe lidhje speciale me Serbinë; eksteritorialitet të manastireve e kishave serbe, por Serbia kurrë të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës!   Aleksandar Vuçiqi,  në vitin 2018 pati organizua një “dialog të brendshëm” në Serbi,  në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve shkencore, kishtare, kulturore dhe të shoqërisë civile, dhe pati premtuar se pas përfundimit të atij dialogu do ta përpilojë e publikojë strategjinë e tij, të cilën nuk e publikoi asnjëherë. Por, me dedhitë e tij, në strategjinë e ndarjes së Kosovës i futi Edi Ramën dhe Hashim Thaçin dhe në njëfar mënyre mori një përkrahje nga disa zyrtarë në Vashington. Në fjalime,  në bisedime dhe në media, Vuçiqi shpeshherë i ndërron fjalët, varësisht nga situata aktuale në terren. Duke i theksuar katër shtylla të politikës së jashtme: BE, ShBA, Rusia dhe Kina  dhe përkrahjen e  tyre në zgjidhjen e problemit të Kosovës, me kompromis, sipas të cilit “nuk mundet dikush të fitojë të gjitha, e dikush asgjë”! Ky është pretendim i hapur ndaj territorit të Kosovës, pjesës veriore dhe jo vetëm asak. Dhe në këtë pretendim shpeshherë lëshon tullumbaçe kërcënuese. Armatimi me armë nga Rusia dhe  paralajmërimi i këthimit të obligimit ushtarak, për shkak të situatës së pazgjidhur me Kosovën, janë kërcënim serioz. Me dredhitë e tij, me strategjinë e durimit dhe pritjes së ndryshimit të raporateve në arenën ndërkombëtare, me forcimin e pozitës së shtetit të tij dhe me strategjinë e destabilizimit të shteteve fqinje, Vuçiqi është treguar faktor destabilizues në Ballkan,  Aademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë në vitin 2012 ka hartuar Memorandumin 2, si program strategjik se si të veprohet për destabilizimin e shteteve fqinje, duke i dhënë një rol të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në këtë strategji, gjë që u vërtetua me rrëzuarjen e qeverisë së Malit të Zi vitin e kaluar.

Një version interesant i strategjisë serbe për zgjidhjen e problemit me Kosovën, me titull  “Izlazna strategija Serbije na Kosovu i Metohiji” (Strategjia dalëse e Serbisë në Kosovë-Metohi) (shih: “Hereticus – casopis za preispitivanje proslosti”, No.4/2007; “Heretikus – revisitë për rishqyrtimin e së kaluarës…),- qarkullon nëpër media prej marsit të vitit 2008,  që duket interesant  përkah mënyra e shtjellimit dhe është e pranueshme” për palën serbe.  Bëhet fjalë për “rektifikimin”  (ndarjen) territoriale të Kosovës. Sipas asaj strategjie, edhe Serbia edhe Kosova humbin 12% të territorit të tyre. Dhe ja se si e kalkulojnë llogarinë me formulën 12: 12. 

Serbia (me Kosovën) ka 88361 km/katrore. Kosova ka 10887 km/2, që i bie 12% të territorit të Serbisë me Kosovën. Komunat me shumicë serbe në Kosovë janë: Leposaviqi me 539 km/2, Zubinpotoku me 333 km/2, Zveçani me 123 km/2 dhe komuna e Mitrovicës së Veriut 100 km/2., që të gjitha sëbashku bëjnë afro 1100 km/2, pak më tepër se 10% e territorit të Kosovës. Me një korigjim të kufirit në rrethin e Moravës dhe me zonat e mbrojtura të  tri manastireve të Kishës Ortodokse Serbe (Graçanicës, Pejës dhe Daçanit) dhe me ndarjën e kompleksit të Gazimestanit,- Serbia do të fitonte 12% të territorit të Kosovës. Pjesa tjetër do t’iu mbetej shqiptarëve.  Në këtë mënyrë, edhe Serbia edhe Kosova do të humbnin nga 12% të territorit, por nga ndarja e tillë asnjera palë nuk do të delte plotësisht humbëse. Secila palë humbë 12% të territorit të pretenduar dhe secila diçka fiton e diçka humbë, thonë autorët e kësaj strategjie. Pretendimi i palës shqiptre ndaj Preshevës neutralizohet me Shtërpcën, që mbetet në Kosovë. Ithtarët e kësaj strategjie dhe këtij plani thonë se ky ka qenë opsion zyrtar amerikan, por gjoja se Beogradi e ka refuzuar. Sipas tyre, ky plan do ishte zgjidhja e vetme që kënaqë të dy palët; shqiptarët që fitojnë pavarësinë dhe serbët që të mos mbetën pala që humbë të gjitha.  Thonë se këtë opsion e ka përkrahur edhe ish-ministri i jashtëm Italian, Gjulio Ammati. E mira tjetër e kësaj strategjie,thonë ata,  është se të dy vendet do të mbetën me popullsi homogjene etnike, mbi 80% Serbia dhe mbi 90% Kosova, që është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e brendshëm, sepse është dëshmuar se shtetet të cilat kanë mbi 20% popullsi të entnikumit tjetër, kurrë nuk janë stabile.

A s’ju duket kjo një strategji diabolike?

Në të gjitha strategjitë serbe, opsioni i ndarjës së Kosovës është pika qendrore, prej së cilës kurrë nuk kanë hequr dorë, sado që një kohë ka qarkulluar edhe opsioni i shkëmbimit të territoreve, si një zgjidhje e mundshme e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Në të gjitha variantat, Serbia  koma e konsideron Kospvën si territor të saj, pasi kështu e ka në kushtetutë, prandaj llogaritë e kompensimit i bënë me territorin e Kosovës, pa e prekur territorin e Serbisë.

Se a janë këto llogari pa hanxhiun, mbetet të shihet dhe varet nga konstelacioni i  zhvillimit të marrëdhënieve të përgjithshme ndërkombëtare dhe nga afiniteti i fuqive të mëdha për mënyrën e zgjidhjes së problemit. Deri atëherë, edhe Kosova edhe Serbia do të jetojnë në iluzione, se secila e ka sovranitetin mbi Kosovën: Serbia e ka në kushtetutë, por nuk e ka në realitet; Kosova poashtu e ka në kushtetutë dhe në fjalë boshe të politikanëve, por nuk e ka sovranitetin mbi pjesën veriore të Mitrovicës, as në enklavat e vendbanimet tjera në të cilat jetojnë serbët si shumicë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, Per darken e Kosoves, Strategjia Serbe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 300
  • 301
  • 302
  • 303
  • 304
  • …
  • 975
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një ishull, një gabim: Investimet e huaja janë të mirëpritura—por jo me çdo çmim
  • Z. Shpëtim Tim Qorraj hapi fushatën për t’u zgjedhur në Parlamentin e Nju Jorkut 
  • Gjyshi i Ismail Qemalit, Ismail Bej Vlora e shihte perspektivën e një të ardhmje të pavarur të shqiptarëve
  • ATHANAS GEGAJ PER ORIGJINEN E ARBNIT
  • VAZHDON KRIMI SHTETËROR NDAJ AT GJERGJ FISHTËS: I PËRJASHTUAR NGA SHTETI QË AI MBROJTI
  • SHQIPTARËT DHE MAQEDONIA E VERIUT MIDIS UNITARIZMIT DHE DEMOKRACISË KONSENSUALE
  • ATË BERNARDIN PALAJ, FRATI QË I “RRËMBEU HARRESËS” KËNGËN SHQIPTARE
  • Garancia Publike për Emigrantët
  • Nëntë njohje de-facto për Kosovën
  • RIZGJEDHJA E PRESIDENTES OSMANI ËSHTË INTERES SHTETËROR DHE KOMBËTAR
  • Stuhi dimërore historike në SHBA: Mbi 10 mijë fluturime të anuluara, miliona qytetarë nën akull, borë dhe të ftohtë ekstrem
  • KELETI UJSÁG (1931) / “NJË MUAJ PRANË MBRETIT ZOG, THEMELUESIT TË SHQIPËRISË MODERNE…” — INTERVISTA ME MÁRTON HOSSZÚ, PIKTORIN NGA KOLOZSVÁR-I
  • Si “Albanian Mafia” zëvendësoi Cosa Nostra-n dhe po rrezikon Shqipërinë
  • Për vendlindjen, komunitetin e kombin…
  • Kur liria e njërit, bëhet burgu i tjetrit 

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT