• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA fuqizohet kur ne i japim asaj dhe dobësohet kur kërkojmë të marrim prej saj….

January 10, 2020 by dgreca

Nga Valentin Lumaj/

“Vatra fuqizohet kur ne i japim asaj dhe dobësohet kur kërkojmë të marrim prej saj”
Replikë artikullit të z. Mit’hat Gashi botuar tek gazeta Dielli dhe Illyria/
Kam qenë dhe jam një njeri i debatit dhe që i pëlqej replikat për sa kohë janë etike dhe nuk bëhen personale. Nuk kam ndër mend të mund profesor Gashin me këtë replikë por dua kthjelloj sadopak këtë tymnajë deklaratash që kanë qarkulluar së fundmi. 
-Dy janë sipas mendimit tim arsyet e kësaj gjendje kaotike të krijuar: 1-egoja dhe krenaria e tepërt e disa individëve te caktuar dhe 2-mos njohja dhe mos respektimi i Kanunores së Vatrës.
-Të kthehem tek argumentet e z. Gashi (megjithese jam i bindur se këtë artikull e ka shkruar për qejf te ndokujt, por jo se ai vetë i beson ato që shkruan):

-Tek shkrimi i tij, pikat 1, 2 dhe 3 shtjellojnë, sipas profesorit, shkeljet, të metat dhe dobësitë e Kryesisë aktuale dhe në logjiken e tij , siç shkruan ai, këto legjitimojnë krijimin e “Komisionit 5 Tetori”. Me fjalë të tjera, sipas z. Gashi, i jepet te drejtë çdokujt të krijojë komisjone aty-këtu, pra lejohet anarkia. Sipas Kanunit te Lekës ai mund të ketë drejtë, por jo sipas Kanunores së Vatrës e cila shpjegon:
“Deget duhet t’i binden Këshillit dhe kanë të drejtë të kundërshtojnë vetëm në Kuvend nëpërmjet delegatit”
Sipas saj, të gjitha vërejtjet dhe debatet bëhen vetëm në Kuvend.
-Dega e Washingtonit dhe Komisjoni i 5 Tetorit kanë kritikuar dhe frikësuar publikisht Kryetarin dhe Kryesinë me deklarata, mbledhje dhe rezoluta në një kohe që Kanunorja thotë troç:
“Nje dege ska të drejtë të kritikojë ose të frikesojë në mes të motit Kryetarin ose Këshillin me artikuj, mbledhje, rezoluta ose qarkore “
-Komisjoni 5 Tetori ka përdorur vulën dhe ka folur në emër te Vatrës pa lejen e Kryetarit apo te Këshillit kur Kanunorja thote qarte:
“Asnje Vatren nuk ka të drejtë të falsë ose te perfaqësojë Vatrën pa autorizim specifik te Kryetarit”
-Edhe Dega e Washingtonit, edhe anëtarët e “Komisjonit 5 Tetori”, janë në thyerje flagrante të Kanunores. 
Prandaj, Këshillit apo Kuvendit, si organi më i lartë vendim-marrës i lind e drejta që t’i pezullojë. 
-Shif Nyjen 61:
“Këshilli ka të drejtë te pakufizuar të pezullojë çdo Degë që shkel një ose më tepër nyja të Kanunores”
-Tani t’i kthehemi Kryesisë, e cila në qoftë se ka kryer shkelje, ankesat paraqiten në Kuvend nëpërmjet delegatit dhe vetëm Kuvendi vendos dhe ndërshkon nëse është e nevojshme. Nuk ka rruge tjetër.
-Dega e Washingtonit kërkoi me çdo mjet të pezullojë Kryetarin në mes të mandatit, në një kohë kur Kanunorja shpjegon:
“Kryetarin e Vatrës e zgjedh Kuvendi i Vatrës dhe vetëm një Kuvend i Vatrës mund t’a pezullojë”
-Kanunorja i jep fuqi absolute Kryesisë dhe Këshillit mbi deget, por është Kuvendi ai që mund të ndërshkojë Kryesinë në qofte se nuk ka punuar si duhet. Ka pas shume raste kur Kuvendet e Vatrës janë shtyrë apo nuk janë mbajtur në kohë por vatranët kanë qenë dhe duhet te jenë të duruar. Te mos harrojë z. Gashi se arsyeja e mos-mbajtjes se Kuvendit ka qenë klima e konfliktit e krijuar nga dega e Washingtonit. Kujtoj që z. Gashi ka qenë prezent në mbledhjen e Këshillit te Marsit te kaluar dhe e ka dëshmuar vetë sjelljet anormale te këtyre që ai sot mbështet. Unë personalisht i kam kërkuar Këshillit që të evitohen të gjitha mbledhjet këshillore apo kuvendore, derisa midis vatranëve të vendoset paqa.
– Per mendimin tim, z. Mishto, nuk u lejua që të ushtrojë detyrën e ngarkuar në qetësi, u sulmua pabesisht, si person dhe si familje. Megjithate ai nuk ra poshtë ne batakun debateve denigruese, qëndroi në lartesinë e integritetit dhe të pergjegjësisë, dhe për t’u vendosur paqa ne Vatër, sakrifikoi veten duke kërkuar të mos kandidojë më, megjithëse, sipas te gjitha gjasave e kishte të sigurtë edhe nje mandat te dytë.  
-Ne fund të fundit, Vatra nuk është administrate puplike as organ shtetëror. Vatra është një organizim i lirë dhe vullnetar shoqëror, e krijuar si nevoje kombëtare dhe jo për të bërë karriere. Sado i vjetër të jesh në Vatër, kjo nuk të bën pronar të saj. Dyert e saj janë te hapura si për të hyrë, po ashtu edhe për të dalë. Diaspora e Amerikës ka pasur dhe do të ketë pafund patriotë që duan Atdheun më shumë së karrigen, që duan t’i japin fuqi dhe energji te reja Vatrës. Ajo fuqizohet kur i japim asaj dhe dobesohet kur kërkojmë të marrim prej saj. 
-Lexoni dhe zbatoni Kanunoren dhe ju siguroj se secili do të gjejë vendin e vet dhe të gjithë do të gjeni paqe në mes vedi. Në fund te fundit të gjithë jemi të vegjël para saj dhe atyre që na e lanë amanet.

JA NENET E KUSHTETUTES SE VATRES

Filed Under: Analiza Tagged With: Valentin Lumaj-Replike-Mithat Gashi-Vatra

TENSION NË LINDJEN E MESME: ÇFARË DO TË BËJË EVROPA?

January 9, 2020 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO//

            Është një nga ata çaste, që duken në histori më shpesh se sa do të dëshironim, në të cilët gjithshka duket se zhvillohet me ngadalësues, të gjithë duken të palëvizshëm, me frymën pezull. Çasti pret fazat e pritme të shkallëzimit të kundërshtisë (në veprim shumë kohë më parë se sa vrasja e Kasem Sulejmanit)ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit dhe pyet vehten se cilat mund të jenë pasojat e mundëshme. Në pritje ndoshta mund të bëhet ndonjë vërejtje, duke shpresuar që të jetë e urtë, mbi gjëra me të cilat kemi të bëjmë nga afër. Të marrim Amerikën dhe Evropën. Sa i përket Amerikës mund të pyetet se sa zgjedhja e Trump-it, për t’i dhënë një goditje t’asaj përmase, kaqë rrënuese, armikut iranian, mund të ndikojë nga një anë zgjedhjet e ardhëshme presidenciale dhe nga tjetra zhvillimet e strategjisë amerikane në Lindjen e Mesme.

            Në rrafshin e parë, ndijesia është se Trump-i, që gjithsesi nisej i favorizuar, do të ketë shtuar dobinë e vet përkundrejt rivalëve demokratë. Këta të fundit, duke zgjedhur të dënonin vrasjen e Sulejmanit, sigurisht kanë marrë duartrokitjet e pjesës radikale (n’Evropë do të quhej “e majta”) të zgjedhësve të tyre, por me të drejtë nuk kanë gjetur shumë miratime në votuesit e qëndrës, të pavendosur ndërmjet demokratëve dhe republikanëve. Nëse boshti politik demokratik – siç hamendësohet nga kjo ngjarje – do të jetë i zhvendosur majtas, Trump-i, me gjasë, do të fitojë lehtësisht. Kjo nuk është një perspektivë e mirë për botën perëndimore, për Evropën në veçanti. Një rizgjedhje e Trump-it do të zgjeronte më shumë hapësirën politike ndërmjet dy brigjeve t’Atllantikut.

            Në rrafshin e dytë – strategjia amerikane në Lindjen e Mesme – bëhet fjalë për të kuptuar nëse veprimi i Trump-it (siç na ka bërë të njohur prej kohësh) është vetëm  një dallëndyshe që nuk sjell pranverën, por vetëm një lëvizje për të goditur një njeri që përfaqësonte  një kërcënim të afërm për jetën e ushtarëve  dhe interesat e Amerikës, apo është një pikë kthese, një mesazh i këtij lloji: Amerika është kthyer me të gjithë fuqinë e saj në Lindjen e Mesme, nuk është më e prirur t’i lerë fushë të lirë projekteve mbizotëruese iraniane, neo-imperializmit rus apo mallit neo-otoman turk. Po të ishte e vërtetë kjo mundësi e dytë (por me Trump-in nuk ka asgjë të sigurtë) atëherë do të rridhnin mjaft pasoja, edhe për Evropën. Me acarimin e kundërshtisë ndërmjet Iranit, Vënd drejtues i botës myslimane shiite, të mbështetur nga rusët, dhe Shteteve të Bashkuara, Evropa vështirë do t’a kishte të qëndronte edhe për shumë kohë si “peshku në fuçi”, siç ka vendosur në këta çaste të bëjë. Konfliktet, sa më shumë bëhen të mprehta, aq më shumë lindin polarizime: nëse mëton të mos rrjeshtohesh do të marrësh goditje nga të gjitha anët, mund të kesh fundin e Melëve, të cilët, për të vendosur të mos rrjeshtoheshin në luftën (e shekullit të pestë para Krishtit) ndërmjet spartanëve dhë athinasve u masakruan nga këta të dytët.

            Le të supozojmë se me të vërtetë fuqia amerikane është përsëri në fushë, në shërbim të një strategjie më të përgjithëshme të prirur për të bërë pritë ndaj orekseve të shtuara në rajon për shkak të zbrazësisë që ajo vetë ka lënë për një kohë të gjatë. Do të bëhej fjalë për një rikthim në të vjetrën: aleancë të ngushtë me një pjesë të botës myslimane sunite dhe kundërshtim ballor Iranit dhe Islamit shiit. Një shkëputje jo vetëm nga politika e Obamës (marrëveshja bërthamore me Iranin), por edhe nga George Bush i riu që duke pushtuar Irakun më 2003, asgjësoi kontrollin e pakicës sunite mbi shumicën shiite, i bëri një favor të madh iranianëve, e shtyu Irakun  në zonën e ndikimit persian.

            Trump-i është e kundërta e gjithë kësaj. Duke mbajtur parasysh gjithanshmërinë e botës mesëm lindore (ku çfarëdo të bësh rrezikon të kryesh gabime gjëmë madhe) ai ndoshta ka të drejtë. As Bushi as Obama nuk arritën të ndalojnë terrorizmin sunit (nga Al Kaeda tek Shteti islamik). Ndoshta do t’i a arrinin fuqi sunite aleate të Amerikës. Edhe në këtë rast do të mbetej i hapur për Shtetet e Bashkuara problemi se çfarë do të bëhej me dykuptimësinë e sunitit turk, Erdogan. Para së gjithash duhet kuptuar se nëse gjesti i Trump-it është një veprim i improvizuar (siç hamendëson Paul Berman tek Corrieri i djeshëm).

            Nëse Amerika është kthyer me të vërtetë në Lindjen e Mesme, evropianët do të duhej t’i bëjnë mirë llogaritë e tyre. A do t’ishte një zgjedhje realiste në këtë rast të mbante një qëndrim të paanshëm (që është ngasja e shumë evropianëve)? Apo do t’ishte rrjeshtimi me rusët kundër amerikanëve (ngasja e disa të tjerëve)? Nuk ka dyshim se do t’ishim të pranishëm në një mobilizim të gjërë n’Evropë të gjithë atyre që duan të bien n’ujdi me akrepa, të veja të zeza e gjarpërinj me zile, për të cilët i vetmi “i keqi” i vërtetë që vjen rrotull në Lindjen e Mesme (së bashku me Izraelin, kuptohet) është amerikani Trump.

            Siç ndodh shpesh, janë në lojë  si interesat ashtu edhe vlerat. Në rrafshin e interesave, megjithëse dihet sa e lodhëshme dhe zhgënjyese është për evropianët të kenë të bëjnë me Trump-in, alternativat (për shembull një ndikim mbizotërues rus në Lindjen e Mesme) a do t’ishin për ne të dobishme? Duhet të shihet se çfarë ka ndodhur në Libi. Mungesa amerikane ka nxjerrë jashtë loje evropianët (italianët në rradhë të parë): e ardhmja e Vendit është në dorë të rusëve e të turqëve. Pa llogaritur se një rëndim i kundërshtisë Shtetet e Bashkuara-Iran, me evropianët që luhaten, ndahen e madje i dërgojnë mesazhe armiqësore Amerikës, ndoshta do t’ishte goditja përfundimtare e NATO-s. Evropa do të mbetej pa mbrojtje.

            Në rrafshin e vlerave a me të vërtetë do t’ishte e dobishme për evropianët të këpusnin krejtësisht atë që tashmë është një lidhje e dobët me Shtetet e Bashkuara? Nuk duket aspak që Evropa, me parimet e saj kushtetuese, me liritë e saj, me stilin e saj të jetës, të ketë më shumë ndajafërsi me Rusinë se sa me Amerikën, me Iranin se sa me Izraelin. Një gjë është real politika (që detyron psh. të trajtohet me sauditët).  Gjëra të  ndryshme, shumë të ndryshme, “janë ndajafërsitë e zgjedhura”. Nuk duhet ndonjë mprehtësi e madhe për të kuptuar se me kë kanë më shumë ngjajshmëri evropianët.

            “Corriere della Sera”, 6 janar 2020             E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: tensioni ne Lindjen e Mesme-Angelo Panebianco-Eugjen Merlika

DREJTUESI SUNIT NË IRAK: “SULEJMANI SHTYTËS I 12 MIJË VRASJEVE”

January 9, 2020 by dgreca

Nga Lorenzo Cremonesi (I dërguar në Bagdad)/

/   “Corriere della Sera”, 7 janar 2020 – Përktheu Eugjen Merlika /

            “Po ju n’Evropë a e dinit se Kasem Sulejmani ka qënë drejtpërsëdrejti i përfshirë në grabitjen e më shumë se 12.000 irakenëve? Për ta që nga viti 2015 nuk ka më lajme e pothuajse sigurisht janë vrarë nga milicitë e tij skajore shiite”. Megjithëse ishte dita e funeralit të stërmadh në Iran, politikani sunit iraken Ahmed al Mutlak nuk tërhiqet mbrapsht së treguari me gisht komandantin historik të Brigadave Al Kuds, të vrarë nga amerikanët pesë ditë më parë në një bombardim në dyert e Bagdadit. Bir i një klani të madh fisnor të Faluzhës, qytetit simbol të qëndresës sunite kundër mësymjes amerikane të vitit 2003, 72 vjeçari Mutlak ka patur dy djem të vrarë nga Isis tetë vite më parë, është zgjedhur dy herë në parlament nga 2010 deri më 2018 e sot është sekretar i përgjithshëm i partisë Bisedim e Ndryshim, në luftë për atë që quan “një Irak demokratik pa dallime”.

            Paditë e juaja janë shumë të rënda. Mund t’i provoni?

            “N’Irak kjo është një e vërtetë e njohur dhe e vërtetuar nga mijra e mijra dëshmitarë. Janë familjet e viktimave, më të shumtit të rinj sunitë që ndërmjet 2014 dhe 2015 iknin drejt jugut nga Mosuli dhe krahinat e pushtuara nga guerriliet e Isis. Ndaloheshin nga milicitë që Sulejmani po mundohej të ndërtonte, duke rekrutuar të rinj, veçanërisht nga krahinat shiite në qendër – jugun e Vendit. Viktimat e tyre u grabitën dhe u masakruan në muajtë pasardhës: në fillim në krahinën e Nasirias u fol për së paku 5000 të zhdukur. Grupi Kataeb Hezbollah, i komanduar nga vetë Abu Mahdi al Mohandis, i vrarë nga amerikanët së bashku me Sulejmanin, masakroi pastaj 900 të tjerë në ikje nga zona e Saklavies. Shifra e 12.000 të vdekurve është shumatorja e të zhdukurve në shumë lokalitete. Por qeveritë tona janë shumë të dobëta për të dënuar apo hetuar. Ky është një tjetër tregues i asaj se sa aparatet e Shtetit iraken janë në duartë e iranianëve. Teherani na ka shfronësuar nga sovraniteti ynë kombëtar”.

            Çfarë mendon për bombardimin amerikan: a bëri mirë Trump-i? Tashti a nuk do të jetë Iraku ai që do të pësojë pasojat më të rënda?

            Duke u nisur nga ideja se në Islamin vdekja e kujtdo individi duhet të respektohet gjithmonë, dua të kujtoj se Sulejmani nga ana e tij ka shkaktuar vdekjen e dhunëshme të qindra mijra civilësh të pafajshëm. Ka qënë arkitekti i shtypjes në mbrojtje të regjimit të Bashar Asadit në Siri, që nga 2011 i ka kushtuar asaj së paku gjysmë milioni të vdekur e më shumë se 12 milionë të ikur e të mbetur pa shtëpi, orkestronte luftën në Jemen, ishte nga idhtarët më të mëdhenj të aparatit ushtarak të Hesbollahëve në Liban. Në Irak pasojat e veprimtarisë së tij kanë qënë tejet të rënda”.

            A mund t’i shpjegosh?

            Më të fundit kryhen çdo ditë para syve tanë. Sulejmani ka urdhëruar milicitë shiite, të stërvitura nga iranianët, që të hapin zjarr kundër kryengritësve të rinj të sheshit Tahrir. Në tre muaj kemi regjistruar 600 të vdekur dhe 22.000 të plagosur. Por qeveria nuk bën asgjë, nuk kërkon të arrestojë vrasësit. Asgjë, të gjithë heshtin. Teherani na ka kthyer në fushën e tij të betejës kundër amerikanëve. Por ka edhe më shumë: Sulejmani donte të na kthente në një provincë të tyre”.

            Çfarë forcash kanë milicitë shiite?

            Janë së paku 67 dhe kanë më shumë se 140.000 luftëtarë, një ushtri e vërtetë, komandantët e tyre drejtojnë edhe forcat e rregullta irakene. Për shembull, drejtuesi ushtarak i Ashad al Shabi, Forcat e Mobilizimit Popullor shiit, është i njëjti Faleh al Fayaz që komandon shërbimin e informacionit ushtarak, numuri dy i të cilit ishte Muhandis, që nga ana e tij kishte drejtuar sulmin kundër ambasadës amerikane një javë më parë. Kjo për të thënë se Irani kontrollon tashmë të gjithë nyjet jetësore të Shtetit iraken”.

            “Corriere della Sera”, 7 janar 2020            Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Lorenzo Cremonesi-Sueljmani-shtytes i 12 mije vrasjeve-Eugjen Merlika

Sagat e shkrimtarit KRISTAQ TURTULLI

January 9, 2020 by dgreca

Nga ELVI SIDHERI / 

Nëse thellohemi sadopak në humbëtirat e sotme të letërsisë shqiptare, atëherë padyshim që ndër zërat e vetëm që akoma arrijnë të jehojnë në këtë botën tonë përkatëse të mishëruar në tiparet njësore të librit të ngjizur e shkruar në gjuhën shqipe, është kthjelltësisht oshëtima e veprës letrare të shkrimtarit të dëshmuar në vijimësi, përmes penës së tij burimore, Kristaq Turtullit.

                ZËRA NË HUMBËTIRË përbën grykëderdhjen e radhës të frymëzimit krijues të këtij shkrimtari, njeriut që ka arritur tërësisht në mënyrë të vetvetishme të sendërtojë një skaj të tijin vetjak në xhunglën e koklavitur të letrave shqipe, veçanërisht përgjatë tranzicionit të hutueshëm ku dergjet njëkohësisht letërsia dhe libri shqip, krahas vetë shoqërisë shqiptare, mendësisë së pjesëtarëve të saj, qëndrimit të shqiptarit ndaj jetës, dukurive të saj të llojllojshme, përditshmërisë, dashurisë, dritëhijeve të shumta të shqiptarësisë dhe formës sesi gjithë këto gjëra mund të shndërrohen në letërsi të mirëfilltë.

                Kristaq Turtulli ia del mbanë me sukses të plotë që ta përthithë thelbin e çdo rrezatimi të së shkuarës që ende përcakton, shenjon e kushtëzon aktualitetin shqiptar, duke e pasqyruar në një krijim letrar, një roman të përkufizueshëm veç nëpërmjet një ushtrimi të harlisur mendor, shpirtëror, shijehollë, pikërisht ashtu siç është jetësuar frymëzimi i këtij shkrimtari në këtë libër, duke na ofruar një vepër që ta pasuron shijen letrare duke ta lartësuar leximin dhe duke ta rikrijuar përmbi themele krejt të përveçme botëkuptimin kundrejt letërsisë së ravijëzuar brendapërbrenda kontureve të gjuhës shqipe, kornizave dhe trajtave të saj karakteristike.

Të lexosh në përgjithësi krijimet e Kristaq Turtulli domethënë të ndeshesh përherë në ndjesi të këtilla, duke zbuluar të tjera kënde e skuta të panjohura të shtjellimit në shqip të botës letrare, duke u endur dhe depërtuar tutje në thellësitë e shpirtit krijues të këtij shkrimtari që gjithnjë guxon aty ku pakkush, ose askush nuk ka shkelur më parë.

                E tëra falë një kureshtje krijuese, një frymëzimi të papërmbajtshëm, të jetësuar përmes një përzgjedhje të epërme të fjalorit shqip, personazheve të gjallë e të përshkruar me përpikëri, sidomos në anën e tyre psikologjike, dhe një mjedisi shqiptar epoke të shkuar, që në tymnajën bardhë e zi, ngërthen sakaq nuancat më të ndezura të rrëfimit të mbrujtur në realizmin magjepsës që i mvishet si lëkurë e dytë veprës së Kristaq Turtullit.

                Në këtë roman përvijohen mjeshtërisht ngjarje, situata, zhvillime, nënkuptime, fragmente, grimca njerëzore, politike, ndikime, ndërhyrje, qëndresa, shpirtshitje, kryeneçësi tipikisht shqiptare, tradhëti, vogëlsira e madhështi të rëndomta të shtetit tonë mbi njëshekullor e popullit tonë fort më të lashtë se kaq, që vetëm mendja e autorit, përfytyrimi i tij, aftësia e tij e rrallë sintetizuese, dhuntia e tij për t’i caktuar rolin e duhur gjithkujt e gjithçkaje brenda një romani, çfarëdo nocioni të prekshëm, abstrakt, surrealist, real apo të metaforizuar, arrijnë t’i bëjnë mirëfilli pjesë të këtij romani, duke gjetur çdo veçori vendin e vet natyrshëm, porsi një gjëegjëzë letrare e përkryer, që sapo të lexohet me ëndjen kureshtare të lexuesit, ka për t’i ofruar atij/asaj, një shpërblim të paçmuar gjatë procesit frymëzues të leximit.

                Kjo urë e gjatë shteruese, nëpër shtrirjen e të cilës, përmbi lumin e rrjedhshëm të frymës krijuese të Kristaq Turtullit, lexuesi ka për të përshkruar kohë pas kohe vitet e pushtimit fashist gjer në agun e mugët të vendosjes së regjimit monist, falë mbështetjes “dashamirëse” të shokëve jugosllavë, do të na shërbejë neve që do të gëzojmë fatin e lëçitjes së këtij romani të pamungueshëm në raftet tona ballore të librarive shtëpiake, për ta njohur letërsinë shqiptare edhe në këtë kontekst kaq zdritës për kërshërinë tonë letrare, që na dhurohet bujarisht nga ky shkrimtar.

                Sagat e Kristaq Turtullit sigurisht nuk ndalen me kaq, ndaj ky libër lipset të lexohet, duke pritur krijimin e ardhshëm.

                Elvi Sidheri, shkrimtar, përkthyes.

Filed Under: Analiza Tagged With: Sagat e Shkrimtarit-Kristaq Turtulli-Elvi Sidheri

Ridënimi i dhimbshëm i shkrimtarit disident Mehmet Myftiu

January 9, 2020 by dgreca


(Homazh  për shkrimtarin disident dhe mikun Tim  )/
Shkruan: Dr. Agron Fico/
Para isa ditësh  ndërroi jetë Mehmt Myftiu shkrimtari disident i  dënuar  tri herë  :I dënuar me vdekje nga nazistët, i internuar nga komunistët dhe i  lënë në harrersë, në shurdhësi  publike dhe pa asnjë nderim  nga ajo e quajtur  demokraci pluraliste
 
 Kjo e fundit ndodh në një hark kohor  gati 30-vjeçar kur nderohen e vlerësohen  me  tituj dhe dekoratat më të larta lloj-lloj biçimësh, që nga tradhtarë me damikë e gjer tek sigurimasi emër-zinj.
Ky është një ridënim i heshtur , një plagë e pashëruar , që  as me te bërtitura dhe të ulëritura nuk gjen zgjidhje   në një shoqëri ku anrtivlerat dhe  gjithologët  godasin ndërgjegjen  inelektuale te mirëfilltë.
Dy vjet më parë kërkova nga Bashkia e Tirnës që së paku t’i jipet Mehmet Myftiu nje  copë letër me fjalinë “Qytetar  nderi i Tiranës “. Dhe kjo nuk n dodhi.
 
  Mehmet Myftiu është shkrimtar i shquar disident, themelues i letërsisë realiste pas Luftës së Dytë Botërore. Shkrimtari Mehmet Myftiu ishte dhe mbetet Prometeu shqiptar në luftën për liri nga pushtuesit nazi-fashistë. Kundërshtar i dogmave të metodës sovjetike, të quajtur “realizmi socialist”, 
 
 
Shkrimtari Mehmet Myftiu vuajti egërsinë e dy diktaturave:  Ai ishte vetëm 12 vjeç kur debatikasi Mehmet Myftiu ose siç thirrej Meti u kap nga nazistët gjermanë në një akasion guerilas , e torturuan  egërsisht dhe e internuan në kampin nazist në Prishtinë ku u dënua me vdekje .
 
Meti ishte në vitin e dytë të fakultetit të letërsisë kur diktatura komuniste e internoi në një kamp vujtjesh  dhe frikësimesh.
 
Shkrimtarit, njeriut  Mehmet Myftiut, këto diktatura ,  i grabitën  katër të drejta, katër liri:
Lirinë kryesore:  nazifashistët i grabitën lirinë e atdheut 
Lirinë e individit:  diktatura komuniste e internoi , ajo i hoqi të drejtën e fjalës, të drejtën e të shkruarit.
Lirinë e dashurisë: I morën nga shtëpia të dashurën.
Lirinë e profesionit: Me intriga alla sigurimsash e larguan nga mësuesia dhe e “strehuan”, si shitës cigaresh në  qoshkun e kryqëzimit të rrugës së Dibrës me atë të Barrikadave.
Rrebeshet e ashpra të  jetës gjer tek dënimi me vdekje  dhe internimi , ia kishin kalitur  qëndrimin  e fort,, pathyeshmërinë dhe intergritetin njerëzor “Ishte në stilin e tij të mos mposhtej,… të mos ankohej kurrë “– shkruan Kadareja.
 
Mehmet Muftiu  nuk e ndaloi asnsnjë herë krijimtarinë. Me  I991  u botiua  romani me titullin domethënës “Shkrimtari” dhe më 2016 librin e ri me titull “Tronditjet e një njeriu “. 




 


















, 
Vitin e kaluar, 2018, nën kujdesin e shkrimtares Bessa Myftiu, vajza e Metit, u botua dhe u përurua libri me poezi me titullin Nuk i dua thinjat.
 
Poezitë e përfshira në këtë libër mbajnë një tregues mjaft domethënës, vend-ndodhjen e internimit. Ja konkretisht: “Nuk i dua thinjat”, internim, Shtyllas, 1954; “Nënës”, internim, Shtyllas, 1954; “I ikuri”, internim, Shtyllas, 1954; “Lamtumirë”, internim, Shtyllas, 1954; “Natën vonë”, internim, Shtyllas, 1954; “Shkrepi dielli”, internim, Shtyllas, 1954.
 
Meti shkruante poezi edhe kur ishte i rrethuar me tela me gjemba nën kërcënimin e bajonetave të rojeve të kampit të internimit, sepse letërsia, poezia ishte njëherazi misionare, thirrje për liri dhe drejtësi shoqërore dhe individuale. Ndërsa “kolegët” e Metit në Tiranë harboheshin në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, rrufisnin nga 2-3 kafe ditën dhe krenoheshin para kurtizaneve se vjershat e tyre i kishte pëlqyer madje edhe vetë “I madhi”. 
Kjo nuk ishte një përplasje, ballafaqim vargjesh, por një betejë e vërtetë idesh, filozofish dhe, mbi të gjitha, metodash. Mehmet Myftiu zgjodhi rrugën e letërsisë kombëtare realiste. Nuk pranoi pasaportën që të studiojë në Bashkimin Sovjetik, dhe diktatura e dënoi. 
Vëllimi poetik Nuk i dua thinjat përcjell tek lexuesi ide dhe emocione të vërteta, një moral të shëndetshëm dhe frymëzon mirësi dhe shpirt të lirë:
 
Të falemi ne ty, o Promete!
Në zjarrin tënd e ngrohim zemrën tonë
Dhe shpirti ynë kënaqësinë e jetës
Në dashurinë për njerëzit e kërkon. (“Bijtë e Prometeut”, f. 22).
 
Metin 12-vjeçar, debatikasin trim dhe guximtar, e zunë ushtarët gjermanë, e torturuan dhe e shpunë në burgun famëkeq të Prishtinës ku ishte në listën e 104 të dënuarve me pushkatim. Meti i shpëtoi rastësisht ekzekutimit.
 
Në poezinë himn “Shokëve që ranë në Prishtinë” lartëson shpirtin heroik të shokëve të vrarë dhe shpreh besimin se kujtimi dhe nderimi i tyre do të mbetet i përjetshëm ndër breza:
 
Me radhë breznive flokët do t’iu zbardhen
Për ju në zemra kurrë s’do të ketë harrim.
Ne këngë do t’i thurim trimërisë, 
Për ju që i dhatë jetë Shqipërisë. (f. 25).
 
Shkrimtari Mehmet Myftiu ishte ndër të parët që, me krijimtarinë e vet letrare, nuk ndoqi kërkesat e estetikës marksiste-leniniste dhe as ligjet kanunore të realizmit socialist. Kjo i kushtoi rëndë shkrimtarit Myftiu, atë e kritikuan ashpër dhe e larguan nga organet letrare.
 
Nënat tona, nënat shqiptare, janë hyjni, që bashkë me qumshtin kanë ushqyer tek bijtë edhe virtytet e nderit, dinjitetit, trimërisë dhe dashurisë për atdheun. Ato janë të parat që ndjejnë më thellë vuajtjet dhe mundimet e fëmijëve të tyre në luftën për popullin, atdheun dhe shoqërinë.
 
Tek libri Nuk i dua thinjat në poezinë kushtuar “Nënës” ai shpreh pendesën e thellë për dhimbjen që i ka shkaktuar asaj për rrugën e lirisë që ka zgjedhur:

Më fal o nënë! Shumë të mundova.
Aspak gëzim, qetësi nuk të kam dhënë
Veç vuajtje, lotë, brenga të dhurova,
Në ankth gjithë jetën e ke shpënë. (f. 13).
or prapë do të kem një ngushëllim;
Në jetë dashurova si i marrë! (f. 11).
 
Me veprën letrare dhe jetën e vet shkrimtari Mehmet Myftiu ka fituar nderimin e përjetshëm, se i ka dhuruar  popullit, atdheut dy gjërat më të shenjta: jetën dhe lirinë krijuese. 
 Ai tashmë ka hyrë në Panteonin e njerëzve të zgjedhur elitarë, të kombit shqiptar, se ka qenë në ballë të historisë:
 
Kur gjëmon e shfryn stuhia,
Kur përleshen me guxim
Në vijë të parë, ku thërret buria,
Aty është vendi im.

Filed Under: Analiza Tagged With: .Agron Fico-Ridenimi-Mehmet Myftiu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 403
  • 404
  • 405
  • 406
  • 407
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT