Nga Lorenzo Cremonesi (I dërguar në Bagdad)/
/ “Corriere della Sera”, 7 janar 2020 – Përktheu Eugjen Merlika /
“Po ju n’Evropë a e dinit se Kasem Sulejmani ka qënë drejtpërsëdrejti i përfshirë në grabitjen e më shumë se 12.000 irakenëve? Për ta që nga viti 2015 nuk ka më lajme e pothuajse sigurisht janë vrarë nga milicitë e tij skajore shiite”. Megjithëse ishte dita e funeralit të stërmadh në Iran, politikani sunit iraken Ahmed al Mutlak nuk tërhiqet mbrapsht së treguari me gisht komandantin historik të Brigadave Al Kuds, të vrarë nga amerikanët pesë ditë më parë në një bombardim në dyert e Bagdadit. Bir i një klani të madh fisnor të Faluzhës, qytetit simbol të qëndresës sunite kundër mësymjes amerikane të vitit 2003, 72 vjeçari Mutlak ka patur dy djem të vrarë nga Isis tetë vite më parë, është zgjedhur dy herë në parlament nga 2010 deri më 2018 e sot është sekretar i përgjithshëm i partisë Bisedim e Ndryshim, në luftë për atë që quan “një Irak demokratik pa dallime”.
Paditë e juaja janë shumë të rënda. Mund t’i provoni?
“N’Irak kjo është një e vërtetë e njohur dhe e vërtetuar nga mijra e mijra dëshmitarë. Janë familjet e viktimave, më të shumtit të rinj sunitë që ndërmjet 2014 dhe 2015 iknin drejt jugut nga Mosuli dhe krahinat e pushtuara nga guerriliet e Isis. Ndaloheshin nga milicitë që Sulejmani po mundohej të ndërtonte, duke rekrutuar të rinj, veçanërisht nga krahinat shiite në qendër – jugun e Vendit. Viktimat e tyre u grabitën dhe u masakruan në muajtë pasardhës: në fillim në krahinën e Nasirias u fol për së paku 5000 të zhdukur. Grupi Kataeb Hezbollah, i komanduar nga vetë Abu Mahdi al Mohandis, i vrarë nga amerikanët së bashku me Sulejmanin, masakroi pastaj 900 të tjerë në ikje nga zona e Saklavies. Shifra e 12.000 të vdekurve është shumatorja e të zhdukurve në shumë lokalitete. Por qeveritë tona janë shumë të dobëta për të dënuar apo hetuar. Ky është një tjetër tregues i asaj se sa aparatet e Shtetit iraken janë në duartë e iranianëve. Teherani na ka shfronësuar nga sovraniteti ynë kombëtar”.
Çfarë mendon për bombardimin amerikan: a bëri mirë Trump-i? Tashti a nuk do të jetë Iraku ai që do të pësojë pasojat më të rënda?
Duke u nisur nga ideja se në Islamin vdekja e kujtdo individi duhet të respektohet gjithmonë, dua të kujtoj se Sulejmani nga ana e tij ka shkaktuar vdekjen e dhunëshme të qindra mijra civilësh të pafajshëm. Ka qënë arkitekti i shtypjes në mbrojtje të regjimit të Bashar Asadit në Siri, që nga 2011 i ka kushtuar asaj së paku gjysmë milioni të vdekur e më shumë se 12 milionë të ikur e të mbetur pa shtëpi, orkestronte luftën në Jemen, ishte nga idhtarët më të mëdhenj të aparatit ushtarak të Hesbollahëve në Liban. Në Irak pasojat e veprimtarisë së tij kanë qënë tejet të rënda”.
A mund t’i shpjegosh?
Më të fundit kryhen çdo ditë para syve tanë. Sulejmani ka urdhëruar milicitë shiite, të stërvitura nga iranianët, që të hapin zjarr kundër kryengritësve të rinj të sheshit Tahrir. Në tre muaj kemi regjistruar 600 të vdekur dhe 22.000 të plagosur. Por qeveria nuk bën asgjë, nuk kërkon të arrestojë vrasësit. Asgjë, të gjithë heshtin. Teherani na ka kthyer në fushën e tij të betejës kundër amerikanëve. Por ka edhe më shumë: Sulejmani donte të na kthente në një provincë të tyre”.
Çfarë forcash kanë milicitë shiite?
Janë së paku 67 dhe kanë më shumë se 140.000 luftëtarë, një ushtri e vërtetë, komandantët e tyre drejtojnë edhe forcat e rregullta irakene. Për shembull, drejtuesi ushtarak i Ashad al Shabi, Forcat e Mobilizimit Popullor shiit, është i njëjti Faleh al Fayaz që komandon shërbimin e informacionit ushtarak, numuri dy i të cilit ishte Muhandis, që nga ana e tij kishte drejtuar sulmin kundër ambasadës amerikane një javë më parë. Kjo për të thënë se Irani kontrollon tashmë të gjithë nyjet jetësore të Shtetit iraken”.
“Corriere della Sera”, 7 janar 2020 Përktheu Eugjen Merlika