• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Konservatorët fitojnë bindshëm në Britani

December 13, 2019 by dgreca

Në zgjedhjet parlamentare në Britaninë e Madhe, partia konservatore e kryeministrit, Boris Johnson ka fituar shumicën absolute. Ky është rezultati paraprak pas numërimit të votave në shumicën e zonave zgjedhore.

Rezultatet e fitores i bënë të ditura televizionet britanike, BB dhe Sky News të premten në orët e para të mëngjesit. Që të enjten në mbrëmje u qartësua fitorja e konservatorëve të Toryt. Megjithatë shpëndarja përfundimtare e vendeve në parlamentin britanik nuk ka përfunduar. Sipas rezultateve të deritanishme të numërimit në 600 nga 650 zona zgjedhore, konservatorët arritën të marrin 328 vende në parlament, duke kaluar kështu kufirin e shumicës absolute. Një prognozë e institutit të opinionit, Ipsos Mori thotë, se në fund konservatorët mund të marrin 368 vende. Ky është rezultati më i mirë i konservatorëve që prej disa dekadash.

Shumica absolute ia mundëson kryeministrit, Boris Johnson që të kalojë në parlament marrëveshjen e negociuar së fundmi me BE. Me këtë Britania e Madhe sipas të gjitha gjasave do të dalë nga Bashkimi Europian më 31 janar. Para përkrahësve ai u shpreh se qeveria e tij ka marrë një “mandat të fuqishëm për ta përfunduar Brexit”. Ai premtoi se “do ta çojë vendin përpara dhe do të fokusohet tek prioritetet e popullit britanik.

Jeremy Corbyn largohet/

Humbëse e madhe e zgjedhjeve është partia laburiste e Jeremy Corbyn. Sipas të dhënave paraprake, kjo parti mund të kapë vetëm 191 vende në parlament, duke humbur kështu 71 mandate që i kishte në parlamentin e mëparshëm. Corbyn ka paralajmëruar ndërkohë largimin si kryetar i partisë laburiste. Në një prononcim të parë, ai tha se është një natë zhgënjyese për laburistët, dhe se nuk do ta drejtojë më partinë në fushata të ardhshme zgjedhore. Edhe liberalët të pozicionuar për qëndrimin në BE nuk patën rezultate të mira në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Konservatoret- Johnson- Fitore-Britani e Madhe

Kosovë- MPJ me dosje të reja pretendon rikthimin e hetimeve për krimet e luftës

December 11, 2019 by dgreca

Më shumë se 10 mijë dokumente me të cilat pretendohet të dëshmohet për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 1998-‘99, pritet që t’i dorëzohen javën e ardhshme Prokurorisë Speciale nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Nga Anton Konushevci*

Këto dokumente, sipas shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli dhe këshilltarëve të tij, janë siguruar së fundi përmes rrugëve ligjore nga burime të ndryshme, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.

Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, thanë për Radion Evropa e Lirë, se dosja e dokumenteve është e kompletuar dhe tash është gati për t’u dorëzuar në prokurori.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë të Kosovës, Behgjet Pacolli tha se në çdo faqe të këtyre dokumenteve ka dëshmi përkrimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

“Kjo dosje përmban në mënyrë të detajuar, në mënyrë profesionale, shtjellimin e të gjitha ngjarjeve të cilat kanë ndodhur, përfshirjen e akterëve që kanë qenë në zinxhirin komandues dhe atyre që kanë kryer ekzekutimet në masë kundrejt civilëve shqiptarë”, tha Zyberaj.

Sipas tij, rastet e krimeve të cilat kanë ndodhur janë të detajuara ku përfshirën dëshmi dhe ekspertiza të specializuara.

“Janë të bashkangjitura dëshmi të pjesëmarrëseve të policëve dhe paramilitarëve serbë në kryerjen e masakrave”, tha Zyberaj.

Radio Evropa e Lirë ka arritur të shoh disa nga dokumentet të cilat pritet të dorëzohen në Prokurorinë e Kosovës.

Por, ekspertët tërheqin vërejtjen nëse këto dokumente, për të cilat po flet Ministria e Jashtme, do të cilësohen si prova apo informata për organet e drejtësisë. Gjithçka pritet të sqarohet javën tjetër, kur edhe do t’i dorëzohen prokurorisë.

Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, dega në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë, se Fondi për të Drejtën Humanitare, mendon se çdo informatë që dorëzohet në prokurori lidhur me zbardhjen e krimeve të luftës është e mirëseardhur.

“Këto prova të cilat dorëzohen mund të jenë vetëm si informata për Prokurorinë Speciale. Ndoshta, ata kanë mundur t’i parashtrojnë në formë të kallëzimeve penale dhe t’i analizojnë me avokatët e tyre dhe kështu t’i ndërlidhin të pandehurit me incidente dhe viktimat sepse ato prova nëse dorëzohen nga ndonjë procedurë që nuk është në përputhje me proceduarat penale ato mund të shërbejnë vetëm si informata”, tha Alija.

Në anën tjetër, zyrtarët në MPJ, thonë se në dokumente figurojnë emrat e personave të dyshuar për vrasjen e personaliteteve të shquara, ndër të cilët përmendet politikani i njohur kosovar i viteve të ’90-ta, Fehmi Agani, i vrarë në vitin 1999.

“Natyrisht ka edhe raste individuale, dihet një numër i madh i njerëzve që janë ekzekutuar veçanërisht pas marsit të vitit 1999, që janë ekzekutuar në lokalitete urbane e që janë raste të bujshme”, tha Zyberaj.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kosove- Dosje te reja-MPJ- Anton Konushevci

PEMA E VITIT TE RI, PROTESTA”RAMA IK” DHE GISHTI I KRYEMINSTRIT

December 10, 2019 by dgreca

Të hyftë e mos të daltë më ai gisht o gogol/

Nga Ilir Levonja/

Për shqiptarët përbën lajm eksitues që gogoli i madh dhe gogoli krriç ndez dritën e pemës së festave të fundvitit. Dikur i thoshin pema e vitit të ri, koha kur ta priste gjuhën ai gogoli i diktaturës, ai që popullit i thoshte se feja është opium për ta dhe vet vriste veten me bollëkun e të mirave dhe diabetin që i shoqëron ato pashmangshmërisht. Nga ana tjetër e argëtonte soj e sorollop me pemën që simbolizon krishtlindjen dhe dhuratat poshtë saj, allias pema e viti të ri edhe për atë, gogolin e madh. Ashtu sikurse sot ata që i janë ritkhyer besimeve, ca e quajnë pemë e krishtlindjeve, ca që janë bërë myslimanë me ose pa burka, e quajnë pema e vitit të ri. Por s’është kjo tema, është çmenduria kolektive e lajmit, të ndezësh pemën përbën lajm. E për më keq akoma, gishti i mesit që kryegogoli i nxjerr një grupi diku përtej që kundërshtojnë regjimin e tij, propagandën a uzurpimin total të kohës së shqiptarëve me veprimtari bajate si kjo e ndezjes së dritës. Dhe dyfish më keq akoma kur rreth e qark janë një batalion me fëmijë. Shqiptarët u fyen keq kur para pak kohësh ambasadori i OSBE Boschard u tregoi gishtin e mesit protestuesve të Astirit. Dhe me të drejtë. U fyen dhe reaguan masivisht. Dhe bën mirë. Sot janë mpirë pas batutave të gogolit që herë del me shallvare, herë me tespie në duar, herë citon kuranin, herë me veladon…, por që nuk përfaqëson asgjë. Edhe kur përmend Naim Frashërin e bën me qëllim pikërisht pasi ka lypur në konferencën islamike fonde. Eshtë një gagarel që ua ka mpirë trutë shqiptarëve që fatkeqësinë e ka kthyer në benefice qeverisje. Megjithëse koha është tërësisht e zezë bota e lajmit i mëshon dritave të pemës së festave të fund vitit, gishtit që kryegogoli ua shfaq ca zërave kundërt. Ndërkohë një shkollë 9 vjeçare diku në Spitallë të Durrësit, e shembin me nxitim. Nuk ka më shumë se 4 vjet që është ndërtuar me fondet e buxhetit të shtetit. 4 vjet e besoni, 4 vjet. Një kronikan i dobishëm për vendin e tij do bënte mirë të rrëmonte arshivat e Bashkisë së Durrësit, sa ishte grandi, kush e dha lejen, kush e ndërtoi, çfarë thotë organi akuzës për këtë rast. Një bashkësi informative e dobishme për vendin e vet do ishte mirë të mos lejonte fadromat ta rrëzonin me nxitim. Ka vetëm katër vjet që është bërë, nuk ka dyzetë. Nuk është godinë njëkatëshe, nuk është një ndërtesë dosido por shkollë e arsimimit publik, me katër kate dhe kapacitet prej 900 nxënësish. Të paktën shkoni e merrni një trastë nga betoni i shkërmoqur që të bëni ca analiza mbi cilësinë dhe sasinë e mjaftueshme të çimentos se në dokumenta janë shënuar aq thasë sa për dy shkolla. E mendoni gjëmën sikur tërmeti të kishte ndodhur gjatë orëve të mësimit…, luaj vendit dhe larg qoftë do thoshte një nënë shqiptare. Mirëpo vëmendja jonë zhvendoset tek dritat e pemës së festave të fundvitit, tek gishti i kryegogolit. Gogoli ka të drejtë të talli mender bythën. I ra për pjesë ky tërmet, i ra nga qielli. Nuk do lëri gur e kusur pa luajtur vendit, pa prerë shirita, pa shqyer televizorin 24 orë pa pushim se po punon fort. Do ju nxjerri gjuhën, hallatet dhe hiqeni nga mendja se do piqet. Nëse vërtetë jeni të indinjuar, kthejani reston siç ja kthyet Boschardit. Keni të gjithë nga jë faqe Fb, është bota juaj personale e të të shprehurit. Mos prisni ta bëjnë webet a tv-të që presin nga gogoli kockën. Shkruajeni aty tek faqja juaj e shpërndajeni, shkruajeni me të mëdha, Të hyftë e mos të daltë më ai gisht o gogol.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Leevonja-Kryeministri Rama- gishti

LIRIA E SHTYPIT DHE SHQIPËRIA …

December 10, 2019 by dgreca

  • – NJË HISTORI E VJETËR E INTERESIMIT PERËNDIMOR/

Nga Frank Shkreli/

Historia e luftës për liri të shtypit osetë medias në përgjithësi në Shqipëri është e gjatë dhe e mundimshme.  Historikisht, kurrë ditë të mira nuk ka parë në Shqipëri liria e shtypit.   Madje edhe sot 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, media në përgjithësi, është nën një trysni të egër nga autoritetet qeveritare shqiptare.  Nepërmjet një projektligji të ri, qeveria e Kryeministrit Edi po përpiqet të kufizojë lirinë e shtypit duke propozuar një kontroll më të fortë ndaj mediave audiovizive dhe për komunikimet elektronike, por që në fakt, me këtë projektligj, kufizohet dukshëm liria e medias, në përgjithësi, përfshirë edhe gazetat.  Këto ditë Organizata për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE-ja) dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare, për të disatën herë, i bëjnë thirrje autoriteteve të Tiranës që të mos miratojnë të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje” të qeverisë dhe të bëjnë ndryshimet e nevojshme në këtë projektligj, në përputhje me standardet ndërkombëtare, në bazë të cilave Shqipëria, si çdo vend tjetër, ka detyrime dhe detyra të qarta nën Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE-në –Kryesinë e së cilës pritet ta marrë në Janar 2020.   Me shqetësime të tilla serioze nga ndërkombëtarët mbi lirinë e medias në Shqipëri, Tirana zyrtare po ve në rrezik edhe rolin e saj të parë në Kryesinë e një organizate ndërkombëtare, siç është OSBE-ja.

Nuk dua t’i futem gjendjes së sotëme të mjerueshme të lirisë së medias në Shqipëri, sepse dihet, dhe as të diskutoj për përpjekjet e OSBE-s dhe të organizatave të gazetarëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që po përpiqen të ndryshojnë ose të tërheqin projekligjin e ashtuquajtur “anti-shqipfje”, paraqitur parlamentit nga qeveria Rama, që sipas ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, kufizon ndjeshëm lirinë e fjalës dhe lirinë e veprimit të gazetarëve.  (Këtu mund të lexoni në shqetësimet e ditëve të fundit të disa organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e lirisë së medias, përfshirë OSBE-ën).

https://www.reporter.al/osbe-projektligjet-e-medias-kane-nevoje-per-permiresime-te-metejshme/
https://www.reporter.al/organizatat-nderkombetare-perserisin-thirrjen-per-ndalimin-e-paketes-antishpifje/

Por dua të kujtoj me këtë rast se liria e vërtetë e shtypit në Shqipëri — si liria që u prinë të gjitha lirive të tjera në një shtet demokratik e që është cilësuar edhe si baza e të gjitha lirive dhe të drejtave të tjera të njeriut në një vend demokratik–është dhe ka qenë gjithmonë në radarin e vendeve perëndimore dhe të mbështetësve të lirisë së shtypit në këto vende, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – si një kusht paraprak për zhvillimin e mirëfilltë të një shoqërie demokratike.

Nga kjo pikëpamje pra, nga këndveshtrimi i interesimit të kahershëm perëndimor për lirinë e shtypit në Shqipëri –shumë pak ka ndryshuar, sepse as gjendja e lirisë së shtypit në Shqipëri nuk ka ndryshuar për më mirë, fatkeqsisht, megjith ndryshimet e tre dekadave të kauara.  Si sot, ashtu edhe atëherë – të pakën 70-vjetë më parë — mbrojtësit e lirisë së fjalës në Shtetet e Bashkuara kishin shfaqur shqetësimet e tyre në lidhje me gjëndjen e lirisë së shtypit në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës.  Një prej tyre ka qenë ish-gazetari veteran amerikan Çarls Filips, i cili në prill të vitit 1950 kishte shkruar një artikull mbi gjëndjen e shtypit në Shqipëri me titull: “Shtypi i Lirë dhe Shqipëria”, (The Free Press and Albania), botuar, ndër të tjera, edhe në gazetën L’Albanie Libre.  Pikëpamjet e tija, përputheshin, natyrisht, me mendimet e shumë gazetarëve amerikanë dhe të tjerë, atëherë dhe sot, të cilët besojnë në lirinë e vërtetë të shtypit, në parimet demokratike, në përgjithësi dhe në të drejtën e gazetarëve për të raportuar lirisht të vërtetën, anë e mbanë botës dhe pa ndërhyrje nga autoritetet qeveritare.

“As perdet e hekurta dhe as diktatorët e kuq nuk mund të shtypin të vërtetën”, ka shkruar ish-gazetari amerikan Çarls Filips, 70-vjet më parë, duke vlerësuar gjëndjen e lirisë së shtypit në Shqipërinë enveriste.  “Shqipëria, njëri prej vendeve më të vogëla satelite të Rusisë është duke kaluar ditët më të zeza të cenzurës së lajmeve dhe i formacionit, në historinë e njerëzimit”.  Por, megjithkëtë, ai u bënte thirrje Shqiptarëve, mbrenda dhe jasht këtij boshllëku lajmesh e informacioni , që të mos humbisnin shpresën, se ky boshllëk po plotësohej nga: “Agjencitë e mëdha të lajmeve dhe gazeta të njohura botërore që po u raportojnë pothuaj përditë popujve të tyre të lirë, se fryma e lirisë e Gjergj Kastriotit -Skenderbe, nuk është shuar në Shqipëri.”  Gazetari amerikan shkruante se bota po mësonte të vërtetën se ç’po ndodhte në Shqipëri, në atë kohë, nga refugjatët, nga emigrantët dhe të arratisurit shqiptarë.  “Duke u përballur me vdekjen, mijëra shqiptarë të guximshëm po luftojnë për lirinë e tyre.  Ata po luftojnë me armë nepër male, po luftojnë me një qëndresë të heshtur por të fortë nepër qytete dhe kudo me të gjithë qëndresën aktive dhe pasive që kanë në dispozicion.”  Çarls Filips bënte thirrje për të ndihmuar shqiptarët që ishin kundër regjimit të Enver Hoxhës, “Me qëllim që të mos humbasin shpresën” dhe të mos ndjeheshin të harruar nga bota.  Ai sugjeronte që Amerika t’i ndihmonte Shqiptarët, “Me një vendosmëri dhe bindje të patundur, se ky popull nuk do të harrohet, se ëndërra e tij për pavarësi që dikurë mbështetej nga (ish-Presidenti amerikan) Woodrow Wilsoni, është ende e gjallë dhe nuk do të shuhej.  Ne, në Amerikë, nuk mund të pranojmë me cinizëm ose të dëshpëruar që Shqipëria dhe shumë shtete të tjera komuniste të mbeten përgjithmonë nën hije, të skllavruara”.

Përkundrazi, ish-gazetari amerikan Filips, sugjeron në vitin 1950 ndërsa shkruante për lirinë e shtypit në Shqipërinë komuniste, se Amerika dhe vende të tjera të lira dhe demokratike të botës duhet të japin ndihmën e tyre morale Shqiptarëve.  “Ato duhet t’i thonë botës se ia vlenë të luftohet gjithnjë për liri, madje edhe të vdesësh për dinjitetin njerëzor dhe për të drejtat e njeriut”, ka shkruar ai.  Ndërkohë që ka thekësuar se, “Është detyra e gazetarëve kudo që t’i ruajnë të gjalla këto parime, duke raportuar të vërtetën ashtu siç e shohin dhe siç e dëgjojnë.”

Duke shkruar për lirinë e shtypit në Shqipërinë e vitit 1950, Çarls Filips ka porositur që atëherë se, “ Gazetaria e lirë dhe demokratike duhet të marrë pjesë aktive në këtë fushatë; në mbështetje të atyre që luftojnë dhe vdesin për liri – e për më tepër në përkrahje të drejtës së tyre për të jetuar të lirë dhe me dinjitet”, ka thekësuar ai në artikullin e tij me titull, “Shtypi i Lirë dhe Shqipëria”, (The Free Press and Albania”).  Çarls Filips shprehte besimin se megjithë kërcënimet që mund tu bëhen gazetarëve dhe gazetave nga autoritetet despotike, opinioni publik, heret ose vonë, do të këthehet kundër autoriteteve shtypëse të cilat dhunojnë lirinë e fjalës, të vërtetën dhe drejtësinë.  Ai bën këtë pyetje në artikullin e tij të shkruar në vitin 1950 duke thënë se, “Kur Shqipëria të jetë e lirë dhe kur të hiqet cenzura e lajmeve dhe informacionit, a do të jetë Amerika krenare për rolin që ka luajtur në këtë fushë, a po “Bijtë trima të Shqipës do të kenë luftuar më kot” për këto të drejta?  Megjithë mbështetjen ndërkombëtare për lirinë e shtypit, shpresoj që përpjekjet e Bijve tëShqipës për liri të shypit dhe për demokraci, të mos kenë shkuar kot.

Ish-gazetari amerikan Çarls Filips e përfundon shkrimin e tij me këtë porosi për gazetarët e atëherëshëm, por që është aktuale edhe për gazetarët sot, sidomos për ata që gjënden përballë sfidave dhe kufizimeve të lirisë së veprimit si gazetarë, mungesës së pavarësisë në punën e tyre, kërcënimeve dhe ndërhyrjes politike.  Me të gjitha këto, sipas organizatave ndërkombëtare, përballet aktualisht media shqiptare në përgjithësi.  Çarls Filips porosiste 70-vjetë më parë, se në këtë luftë për lirinë e vërtetë të fjalës, janë edhe vetë, “Gazetarët ata të cilët duhet të luajnë rolin e profesionit të tyre, ashtuqë me punën e vet profesionale, të ruajnë të gjallë dhe të raportojnë të vërtetën kudo qoftë, duke luftuar, njëkohësisht, kufizimet dhe kërcënimet e zeza të despotëve”, ndaj lirisë së fjalës, të vërtetës dhe drejtësisë, si dhe ndaj profesionit të gazetarit.

Si atëherë, 70-vjet më parë ashtu edhe sot – lufta për lirinë e vërtetë të medias, bazuar në standardet ndërkombëtare, vazhdon edhe sot në Shqipëri, fatkeqësisht, pa ndonjë sukses të dukshëm.

Nga viti 1950 e deri në vitin 2019 duket se pak ka ndryshuar për më mire situata e përgjithëshme e lirisë së fjalës dhe e lirisë së vërtetë të shtypit në Shqipëri.  Kështu që, ashtu siç ishte interesimi i gazetarit amerikan Çarls Filips për lirinë e shtypit në Shqipërinë e Enver Hoxhës në vitin 1950 — provë e kësaj janë edhe shqetësimet e perendimorëve gjatë tre dekadave të fundit, të shprehuar edhe këtë javë nga OSBE-ja dhe organizatat më të njohura botërore për lirinë e fjalës.  Nepërmjet përfaqsuesit të saj për media, OSBE-ja u bëri thirrje të hënën autoriteteve shqiptare që të shprehen qartë se si do të sigurohet mbrojtja për lirinë e shprehjes në Shqipëri, ndërkohë që po propozojnë rregulla të reja për median atje, rekomandime këto të qeverisë Rama, që sipas enteve ndërkombëtare të lirisë së medias, jo vetëm kufizojnë por dhe kërcënojnë lirinë e shtypit dhe të drejtën e gazetarit për të kryer detyrën pa ndërhyrje nga autoritetet qeveritare dhe pa frikë nga gjobat e rënda arbitrare ndaj gazetarëve dhe portaleve të lajmeve.

Sa pak përparim është bërë në në 70-vjet në Shqipërinë tonë në fushën e të drejtës dhe të lirisë së fjalës, ndërkohë që bota shënoi të martën Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, në kujtim të miratimit të Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut, miratuar ng OKB-eja me 10 Nëntor, 1948, e cila parashikonte një botë ku të gjithë pjestarët e familjes njerëzore do të gëzonin, “Lirinë, Drejtësinë, dhe Paqën në botë.”  Fatkeqësisht, shumë vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë në këto 70-vjetë të kaluara nuk kanë treguar gatishmërinë as vullnetin e tyre për të mbrojtur dhe për të promovuar këto liri bazë të njeriut, përfshirë edhe lirinë e shtypit, siç kërkohet në Deklaratën Universale të Drejtave të Njeriut.

Filed Under: Analiza Tagged With: Frank Shkreli- Liria e Shytit-Historia e vjeter

“Misteri” i jetëgjatësisë së Vatrës dhe Diellit

December 10, 2019 by dgreca

NGA PETER PRIFTI/ Ish sekretar i Vatres dhe Editor i Diellit/

“Vatra e mbaroi qëkuri misionin e saj historik.”

“Vatra dhe Dielli po i ngrysin ditët.” Sa herë, vallë, na kanë dëgjuar veshët fjalë si këto?

Fjalë të këtilla për Vatrën dhe Diellin janë pëshpëritur poshtëe lart me vite e me dekada. E megjithatë, Vatra dhe Dielli janë gjallë dhe sot e kësaj dite. I kanë përgënjeshtruar të gjitha predikimet e vdekjes së tyre. Si për inat të pesimistëve, kanë refuzuar të tërhiqen dhe të zhduken nga skena e botës shqiptare.

Jetëgjatësia e Vatrës dhe organit të saj – të dyja tashmë në dekadën e tetë të jetës së tyre – është më tepër se kureshti. Ajo paraqitet si një “mister” që të çudit, dhe që kërkon shpjegim. Por, po të rrish e të mendosh pak, nuk është vështirë të kuptosh pse Vatra dhe Dielli kanë arritur një moshë kaq të lashtë.

Pa dyshim, arsyeja numër një është shërbimi madhështor që i bëri atdheut Vatra gjatë 12 vjetëve, që kur u themelua më 1912 dhe deri më 1924. Me punën e shkëlqyer që bëri në atë periudhë, Vatra rrëmbeu zemrat dhe mendjet e shqiptarëve dhe u fut thellë në shpirtin e tyre, madje kaq thellë sa nuk mund ta harronm as brezi i imigrantëve të parë që e krijoi atë shoqatë, as brezat që pasuan 20, 40 dhe 60 vjet më vonë, deri në ditët tona. Vatra dhe Dielli u bënë fanar i shkëlqyer që ndriçonte rrugën e shqiptarëve në atë periudhë të artë, dhe trumbetë e fuqishme që ndizte zemrat e tyre flakë me ndjenjat e atdhedashurisë. Oshëtimat e asaj trumbete nuk heshtën, nuk u tretën në hapësirë, por tingëllojnë edhe sot në veshët e shqiptarëve.

Jeta e Vatrës është paralele me jetën e Shqipërisë moderne. Të dyja kanë një moshë. Prandaj, kur kujton apo bisedon për Vatrën, shqiptari dashur pa dashur e lidh emrin e saj me kombin shqiptar, me vendin e origjinës së tij. Dhe, sikundër ai dëshiron që të rrojë Shqipëria, po ashtu dëshiron – ndofta pa e kuptuar dhe ai vetë – të rrojë edhe moshatarja e saj, Vatra. Kjo ndjenjë fisnike i ka nxitur shqiptarët ta mbajnë gjallë këtë shoqatë famëmadhe për më se 80 vjet.

Kur kujton apo bisedon për Vatrën dhe Diellin, shqiptari, gjithashtu, kujton menjëherë emrat e nderuar të Fan Nolit, Faik Konicës si edhe të veteranëve të tjerë që themeluan Vatrën dhe punuan natë e ditë për Shqipërinë. Prandaj, respektin dhe admirimin që ka për Nolin dhe Konicën, ai e ndan me Vatrën, që është krijesa e tyre dhe thesari që u lanë trashëgim shqiptarëve. Këtë trashëgim shqiptarët e kanë ruajtur si amanet, dhe kjo ka ndihmuar për t’ia zgjatur jetën Vatrës nga një brez te tjetri.

Shqiptari e sheh Vatrën jo si një shoqatë të thjeshtë, por si një institut, apo monument historik. Si e tillë, ajo qëndron përmbi interesat lokale, të kufizuara dhe kalimtare të këtij ose atij grupi. Ndonëse është marrë me politikë – se me politikë u angazhua edhe  Skënderbeu dhe Ismail Qemali – ajo shihet gati si simbol kombëtar, që përfaqëson dhe bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim. Ja një tjetër arsye  që shpjegon jetëgjatësinë e Vatrës dhe DIELLIT.

Dielli është regjistri më i vjetër i jetës kolektive të shqiptarëve të Amerikës. Në faqet e tij është shkruar gati gjithë historia e tyre, që kur zbarkuan imigrantët e parë dhe deri te imigrantët e fundit. Vetë ky fakt i lidh ata me Diellin dhe Vatrën në një mënyrë intime, të ngrohtë, pak a shumë ashtu siç lidhen njerëzit me shokë e miq të vjetër dhe të paharruar. Edhe ky fakt ka lojtur rol në jetëgjatësinë e Vatrës.

Ka edhe një arsye tjetër që shpjegon misterin e lashtësisë së pashembullt të Vatrës. Ky është faktori semantik apo gjuhësor që ka të bëjë me vetë emrin e Vatrës dhe të organit të saj. Fjala “Vatra” tingëllon bukur në vesh, mbasi na sjell para syve imazhc të këndshme e të dashura si oxhakun e shtëpisë, zjarrin e ngrohtë, rrethin familjar, zakonet e mikpritjes dhe bujarisë. Po ashtu fjala “Dielli” na tërheq si një magnet, sepse “diell” do të thotëdritë, energji e pasosur, jetë e gjallëri. “Vatra” dhe “Dielli” janë emra të goditur, që i kanë tërhequr shqiptarët qysh nga fillimi i shekullit 20 dhe deri te pragu i shekullit 21, ku kemi arritur.

Nga diskutimi i sipërm del se jetëgjatësia e Vatrës dhe Diellit, sado e çuditshme që duket në sipërfaqe, nuk është mister i pazgjidhshëm. Vatra dhe Dielli kanë rrojtur dhe rrojnë mbasi ato janë të lidhura ngushtë qoftë me jetën e jashtme, kolektive të shqiptarëve (është fjala për punët e mëdha që kanë bërë nëpërmjet Vatrës), qoftë me jetën e tyre të brendshme, me ndjenjat shpirtë- rore dhe emocionale, me krenarinë dhe nostalgjinë për të shkua- rën, me gjithë historinë e tyre në Amerikë.

Filed Under: Analiza Tagged With: peter Prifti-Jetgjatesia e Vatres dhe Diellit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 410
  • 411
  • 412
  • 413
  • 414
  • …
  • 971
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT