Më shumë se 10 mijë dokumente me të cilat pretendohet të dëshmohet për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 1998-‘99, pritet që t’i dorëzohen javën e ardhshme Prokurorisë Speciale nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Nga Anton Konushevci*
Këto dokumente, sipas shefit të diplomacisë kosovare, Behgjet Pacolli dhe këshilltarëve të tij, janë siguruar së fundi përmes rrugëve ligjore nga burime të ndryshme, përfshirë edhe ato ndërkombëtare.
Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme, thanë për Radion Evropa e Lirë, se dosja e dokumenteve është e kompletuar dhe tash është gati për t’u dorëzuar në prokurori.
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm në detyrë të Kosovës, Behgjet Pacolli tha se në çdo faqe të këtyre dokumenteve ka dëshmi përkrimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
“Kjo dosje përmban në mënyrë të detajuar, në mënyrë profesionale, shtjellimin e të gjitha ngjarjeve të cilat kanë ndodhur, përfshirjen e akterëve që kanë qenë në zinxhirin komandues dhe atyre që kanë kryer ekzekutimet në masë kundrejt civilëve shqiptarë”, tha Zyberaj.
Sipas tij, rastet e krimeve të cilat kanë ndodhur janë të detajuara ku përfshirën dëshmi dhe ekspertiza të specializuara.
“Janë të bashkangjitura dëshmi të pjesëmarrëseve të policëve dhe paramilitarëve serbë në kryerjen e masakrave”, tha Zyberaj.
Radio Evropa e Lirë ka arritur të shoh disa nga dokumentet të cilat pritet të dorëzohen në Prokurorinë e Kosovës.
Por, ekspertët tërheqin vërejtjen nëse këto dokumente, për të cilat po flet Ministria e Jashtme, do të cilësohen si prova apo informata për organet e drejtësisë. Gjithçka pritet të sqarohet javën tjetër, kur edhe do t’i dorëzohen prokurorisë.
Amer Alija, analist ligjor dhe monitorues i gjykimeve për krime të luftës në Fondin për të Drejtën Humanitare, dega në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë, se Fondi për të Drejtën Humanitare, mendon se çdo informatë që dorëzohet në prokurori lidhur me zbardhjen e krimeve të luftës është e mirëseardhur.
“Këto prova të cilat dorëzohen mund të jenë vetëm si informata për Prokurorinë Speciale. Ndoshta, ata kanë mundur t’i parashtrojnë në formë të kallëzimeve penale dhe t’i analizojnë me avokatët e tyre dhe kështu t’i ndërlidhin të pandehurit me incidente dhe viktimat sepse ato prova nëse dorëzohen nga ndonjë procedurë që nuk është në përputhje me proceduarat penale ato mund të shërbejnë vetëm si informata”, tha Alija.
Në anën tjetër, zyrtarët në MPJ, thonë se në dokumente figurojnë emrat e personave të dyshuar për vrasjen e personaliteteve të shquara, ndër të cilët përmendet politikani i njohur kosovar i viteve të ’90-ta, Fehmi Agani, i vrarë në vitin 1999.
“Natyrisht ka edhe raste individuale, dihet një numër i madh i njerëzve që janë ekzekutuar veçanërisht pas marsit të vitit 1999, që janë ekzekutuar në lokalitete urbane e që janë raste të bujshme”, tha Zyberaj.