• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BRISHTËSIA E VENDIMEVE TË KONFERENCËS SË LONDRËS MBI PAVARËSINË E SHQIPËRISË PËRGJATË SHEKULLIT XX

November 30, 2024 by s p

Akademik Beqir Meta/

Pjesa e dytë…

Dy Fuqitë kryesore- Britania e Madhe e veçanërisht Franca, kishin qenë në anën e kundërshtuesve të krijimit të shtetit shqiptar. Për më tepër, Italia që tashmë ishte një fqinj fitues, nuk kishte rival të fuqishëm kundërbalancues në Shqipëri siç kishte qenë më parë Austro-Hungaria, prandaj ajo kishte ndryshuar në mënyrë drastike edhe politikën e saj, duke vënë si objektiv revizionimin fondamental të vendimit të vitit 1913. Pra, situata ishte shumë më e pafavorshme se në vitin 1913 për çështjen shqiptare. Megjithatë ishin krijuar ose fuqizuar disa faktorë të rinj, të cilët, deri diku, do të ndikonin për ruajtjen e shtetit shqiptar, pra edhe të vendimit të Konferencës së vitit 1913. Këta ishin:

-Dalja në skenën botërore dhe evropiane si Fuqi e Madhe e SHBA, e cila nuk ishte e lidhur me traktatet e fshehta evropiane dhe kishte një platformë më demokratike për arritjen e paqes evropiane.

-Vështirësitë në rritje për të arritur kompromis midis Italisë, nga njëra anë,  dhe Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene e Greqisë nga ana tjetër. Ky ishte një rivalitet i ri që kompensonte disi, por jo mjaftueshëm, mungesën e rivalitetit austro-italian para lufte, i cili kishte qenë faktor themelor për krijimin e Shqipërisë së pavarur.

-Pas Luftës ra mjaft interesi i Britanisë së Madhe për të zbatuar Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe për të kënaqur orekset territoriale italiane, çka u manifestua në braktisjen graduale të këtij angazhimi, veçanërisht pas qëndrimeve kundërshtuese të Presidentit Wilson. Po kështu edhe Franca e kishte rritur rivalitetin me Italinë për dominimin në Mesdhe  dhe nuk ishte e interesuar të përkrahte aspiratat italiane, ndonëse ishte e detyruar nga nënshkrimi i Paktit të Fshehtë të vitit 1915.

-Evoluimi dhe konfirmimi i këtyre faktorëve do të ringjallte vendimin thuajse të vdekur të vitit 1913, duke organizuar një konferencë tjetër Ambasadorësh e cila konfirmoi, me pak ndryshime, vendimin e vitit 1913.

Megjithëkëtë duhet theksuar se vendimet e Konferencës së Londrës 1913 dhe Konferencës së Ambasadorëve të Parisit 1921 u cenuan nga Greqia gjatë viteve 1923-1926 kur ajo spastroi etnikisht gjithë rajonet e Maqedonisë Perëndimore (Follorinës, Kosturit, Voshtinës, Janinës, Selanikut, etj) nga popullsia shqiptare në kuadër të shkëmbimit të popullsive greko-turke.

Pas këtyre dy vendimeve ndërkombëtare erdhën sfida të tjera të mëdha që lidheshin me zhvillimin e raporteve ndërkombëtare, të cilat ishin dinamike dhe ndryshuan gradualisht në vitet 1920-1930.

Pikësëpari, fuqizimi dhe agresiviteti i dy Fuqive evropiane që mëtonin revizionizmin e sistemit të Versajës ishte faktor kryesor. Rikonfirmimi i Pavarësisë së Shqipërisë më 1921 kishte qenë agregat i këtij sistemi në fillimet dhe njëkohësisht në apogjeun e tij. Por kriza e tij që do të rezultonte me Luftën e Dytë Botërore do të prekte edhe komponentin shqiptar.

         Raporti i Forcave që u krijua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në fund të saj, si dhe interesat e ndonjë Fuqie të Madhe evropiane  (Britania e Madhe), sërish krijuan hije dyshimi dhe rreziqe për ruajtjen e vendimeve të vitit 1913 e 1921. Por gjithsesi kjo mbeti vetëm një tendencë, pasi ky element kundërshtues u kundër balancua nga politikat antirevizioniste të Fuqive të tjera të Mëdha, në radhë të parë nga SHBA. Gjithashtu, rindarja e botës sërish në dy Blloqe ishte një element tjetër i frenimit të tendencave revizioniste kundrejt vendimeve të viteve 1913 e 1921.

          Por edhe në fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj vendimet e Londrës 1913 dhe Parisit 1921 u cenuan sërish. Mund të konsiderohet një sfidë ndaj këtyre vendimeve spastrimi i plotë etnik i shqiptarëve nga Çamëria në vitet 1944-1945. Gjithashtu, një cenim tjetër ishte edhe ricopëtimi i territoreve shqiptare të ceduara Serbisë nga Konferenca e Londrës dhe dhënia e një pjese prej tyre Republikës Jugosllave të Maqedonisë, që sot përbëjnë Trevat Lindore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. 

          Sfida më e madhe historike ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës erdhi në fundin e shekullit XX dhe fillimin e shekullit XXI, duke bërë të mundur që jetëgjatësia e tyre të mos e arrinte shekullin. Lufta e NATO-s kundër Serbisë e çlirimi i Kosovës prej saj në qershor 1999 dhe njohja e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 nga SHBA dhe Fuqitë e Mëdha ishte pothuajse zhvleftësimi i këtyre vendimeve. Kjo ishte rezultat i ndryshimit drastik të raporteve ndërkombëtare të shekullit XX, i bashkimit të Evropës që ishte faktori kryesor i këtij ndryshimi. Të gjitha Fuqitë e ish Bllokut Qendror ose Trepalësh të vitit 1913 dhe 3 nga 4 Fuqitë e ish Antantës ishin forca kryesore e këtij ndryshimi. 

Por do të ishte e pasaktë nëse nuk do të përmendim edhe faktin se vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913 u sfiduan edhe nga vetë shqiptarët, në kuptimin negativ të fjalës por edhe pozitiv në raport me interesat dhe të drejtat e kombit shqiptar.

           Mungesa e centralizimit politik, zhvillimi i pamjaftueshëm i ndërgjegjes kombëtare në shtresat e ulëta të popullsisë, nacionalizmi i pazhvilluar në nivelin e duhur, i dobët, i përçarë, struktura sociale e pazhvilluar, veçanërisht ndarjet klanore, krahinore, fetare, mungesa e një klase politike të zhvilluar që të kuptonte dhe të udhëhiqte me qartësi dhe largpamësi procesin e vështirë të shtet-formimit, mungesa e një popullsie të arsimuar e me përvojë politike, e të tjerë faktorë të ngjashëm më këto, ishin pengesë  e madhe për konsolidimin e shtetit shqiptar gjatë shekullit XX,  ishin gjithmonë një rrezik potencial dhe real për zhbërjen e tij, pra edhe të vendimeve të Konferencës së Londrës. Këta faktorë të brendshëm bëheshin edhe më të rrezikshëm pasi amplifikoheshin nga ndërhyrjet gjithfarësh të fqinjëve agresivë. Ngjarje të tilla të dhimbshme si Kryengritja në Shqipërinë e Mesme e viti 1914-1915, Lëvizja vorio-epirote në të cilën morën pjesë edhe mjaft shqiptarë ortodoksë grekomanë; kryengritjet antiqeveritare dhe grushtet e shtetit gjatë viteve 1921 -1924, që kulmuan me kryengritjen e qershorit 1924, Lufta civile në vitet 1943-1944, ishin ngjarje që rrezikuan seriozisht dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar. Madje një hije rreziku u shfaq edhe gjatë ngjarjeve të dhimbshme të vitit 1997.

           Por shqiptarët do të ishin gjithmonë sfidues ndaj vendimeve të Konferencës së Londrës dhe të asaj të Parisit përgjatë gjithë shekullit XX dhe pas tij edhe në aspektin pozitiv ose afirmativ pra të tejkalimit të tyre dhe bashkimit të trojeve kombëtare në një shtet të vetëm. Sfida më permanente do të ishte rritja e ndërgjegjes së tyre, se ata ishin një komb i ndarë padrejtësisht, rritja e dëshirës së zjarrtë për tu bashkuar në një shtet kombëtar dhe për të jetuar në liri. Kështu gjatë gjysmës së parë të shekullit XX u krijuan organizata e grupe nacionaliste irredentiste ku më e shquara ishte Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, që kishin në thelbin e programit të tyre pikërisht këtë aspiratë. Por ndodhi përgjatë shekullit XX që shqiptarët u përpoqën me armë dhe diplomaci t’i arrinin këto synime, pikërisht gjatë e në fund të Luftës I Botërore, gjatë Luftës II Botërore dhe në momentin e përfundimit të Luftës së Ftohtë. Në dy rastet e para ata u përpoqën të shfrytëzonin tronditjen e sistemit të Versajës në favor të tyre, duke shfrytëzuar Fuqitë që në Londër kishin mbajtur një qëndrim më pozitiv ndaj të drejtave të tyre dhe që pranuan krijimin e një shteti shqiptar, të cilit do t’i bashkoheshin shumica e territoreve të banuara në shumicën dërmuese nga shqiptarët, që Konferenca e vitit 1913 ua kishte dhënë fqinjëve. Ata do të dështonin në këto përpjekje pikërisht për arsye se kishin zgjedhur të ndërtonin përpjekjet e tyre, duke u bazuar në mbështetjen e Bllokut humbës të luftës. Ndërsa në rastin e fundit, ata arritën me sukses që ta reviziononin në themel vendimin e vitit 1913 ndonëse jo tërësisht. Kjo u arrit jo vetëm si rezultat i vullnetit dhe përpjekjeve të paepuara të shqiptarëve por edhe si rezultat i ndryshimeve drastike të raporteve ndërkombëtare kur disa Fuqi evropiane, dikur anëtare kryesore të Bllokut të Antantës, (Britania e Madhe dhe Franca), dy Fuqi të Bllokut Trepalësh (Gjermania dhe Italia), nën udhëheqjen e një Fuqie të Madhe jashtë evropiane (SHBA) pranuan, ndonëse me shumë vështirësi, të reviziononin në themel vendimin e Konferencës së Londrës së vitit 1913. Pra vetëm kur shqiptarët gjetën momentin dhe anën e duhur ku të mbështesnin përpjekjet e tyre, thelbi i vendimeve të Konferencës së Londrës 1913 u tejkalua, ndonëse jo e gjithë arkitektura politike që krijoi kjo Konferencë për çështjen shqiptare u zhbë.

Filed Under: Analiza

Gjuha Shqipe: më e ëmbla në mes të gjuhëve të botës

November 29, 2024 by s p

Davida Marku/

Gjuha është shpirti i një kombi. Ajo është lidhja që bashkon breza, historia që jeton përmes fjalëve dhe trashëgimia që përcillet në çdo tingull të saj. Mes shumë gjuhëve të botës, gjuha shqipe, me melodinë e saj të veçantë dhe ngrohtësinë që mbart, qëndron si një margaritar i çmuar për shqiptarët dhe për njerëzimin.

Gjuha shqipe, një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, është e rrallë jo vetëm për origjinën e saj unike, por edhe për bukurinë e saj të veçantë. Ajo është pjesë e familjes indoevropiane, por qëndron më vete, duke mos ndarë degë të drejtpërdrejta me gjuhët e tjera. Ky fakt e bën shqipen të veçantë dhe të ëmbël në mënyrën se si tingëllon dhe si ruan një histori të pasur të popullit shqiptar.

Fjalët shqipe përmbajnë një butësi dhe ngrohtësi që vështirë se gjendet diku tjetër. Fjala “nënë”, për shembull, tingëllon si një përkëdhelje e shpirtit. “Atdhe” është më shumë se një koncept; është një ndjenjë e thellë dashurie për vendin. Ndërkohë, shprehjet e urta popullore pasqyrojnë mençurinë dhe ndjeshmërinë e gjuhës sonë, duke e bërë atë një pasuri të madhe shpirtërore.

Gjuha shqipe nuk është vetëm mjet komunikimi; ajo është një formë arti. Përmes saj janë shkruar poezi që ngjallin ndjenja të thella, si ato të Naim Frashërit apo Lasgush Poradecit. Muzikaliteti i shqipes reflektohet në këngët tradicionale, ku çdo fjalë mbart emocion dhe histori. Fjala e folur dhe e shkruar shqipe është një urë që lidh të kaluarën me të tashmen, duke na kujtuar se kush jemi dhe nga vijmë.

Në botën e globalizuar të sotme, ku gjuhët e mëdha dominonojnë komunikimin ndërkombëtar, shqipja mbetet një thes i çmuar që duhet ruajtur me kujdes. Për çdo shqiptar, gjuha është më shumë sesa një mënyrë për të shprehur mendimet; është identitet, krenari dhe lidhje me rrënjët. Ajo na mëson të duam atë që kemi dhe të vlerësojmë atë që na bën unikë.

Prandaj, për çdo shqiptar, gjuha shqipe është më e ëmbla në mes të gjuhëve të botës. Është një pasuri që nuk matet me para, një dhuratë që na lidh me njëri-tjetrin dhe me historinë tonë. Ruajtja dhe dashuria për të nuk janë vetëm një detyrë, por një privilegj. Ajo është zëri ynë në korin e madh të njerëzimit dhe për sa kohë të ekzistojë, do të vazhdojë të jetë e ëmbla dhe e veçanta mes gjuhëve të botës.

Filed Under: Analiza

DE RADA DHE NAIM FRASHËRI 

November 29, 2024 by s p

De Rada dhe Naim Frashëri janë dy vëllezër dioskurë të Romantizmit shqiptar. Dy binjakë të mëdhenj dhe të papërsëritshëm. Dy botë paralele, por jo identike. De Rada dhe Naim Frashëri kanë sharmin gjenial të letërsisë moderne shqipe, dhe janë të pakrahasueshëm me të tjerët. De Rada më i madh në moshë është i njohur nga Naim Frashëri, por diferenca e moshës midis tyre nuk krijon asnjë kundërthënie. De Rada ka projektin e tij gjuhësor të dialektit kalabrez të arbëreshëve për ta shndërruar në një gjuhë shqipe gjithëpërfshirëse. Ky projekt madhështor është gjithsesi lokalist dhe pa perspektivë. De Rada mendonte që dialekti i tij me të cilin shkroi kryeveprat do të zotëronte ardhmërinë e gjuhës shqipe. Por nuk rezultoi kështu. Naim Frashëri kishte një projekt më strategjik dhe më të vërtetë për gjuhën shqipe. Gjenealiteti i Naim Frashërit ishte se ai u bë demijurgu i gjuhës letrare shqipe. De Rada nuk ishte një demijurg i tillë. De Rada krijoi një univers poetik të pashembullt. Naim Frashëri krijoi gjithashtu një univers poetik të pashembullt. De Rada kronologjik është më përpara Naim Frashërit. Estetikisht De Rada është gjithmonë në një pararojë të paarritshme. Por Naim Frashëri në pikëpamje të strukturës së gjuhës letrare është gjithashtu më përpara De Radës. Estetikisht nuk qëndron më pas, por është i ndryshëm. Ajo që e vlerëson dhe e nderon lart Naim Frashërin është se ai në 13 janar 1884 në letrën ngushëlluese që Sami Frashëri, Jani Vreto nga Stambolli për Jeronim de Radën është edhe poezia e quajtur “Vaji mbi shtëpinë e Radhanjet” e Naim Frashërit: 

Vllastar i lashtë i Shqipërisë, 

në dhethit të Italisë, 

bir i Radhës, Josif, 

jetën e rith e ndërrove, 

tët at fort e helmove, 

edhe këto që të njif, 

Shqipëria, kujt mirë i doje, 

në gjuhët tënde e shqip shkroje, 

gjithmonë të kujton, 

mbi varr të shkruan këto fjalë: 

Josif, o shpirt, o djalë! 

Vëdiqe, po emri yt rron, 

ndaj të Dhimitrit Kamardë, 

pasëqyrë për djalmit. 

Vëlla Dhimitër Kamarda, 

prej tij në prisnim litre, 

po të të ardhkej radha. 

Shkuakësh në jetë tjetër. 

Vretoja dhe Naimi

me Saminë të vëllanë, 

brenda ndë zemërë ju kanë. 

Të trembëdhejtë të kallëndorit 1884, në Kostantinopoli”.     

Kjo vjershë e Naim Frashërit nuk është përmendur ndër studimet e bëra rreth poetit, si krijim i ri. 

Ajo që është e rëndësishme të theksohet ka të bëjë me shënimin përkatës që De Rada ka bërë me rastin e kësaj poezie të Naim Frashëtrit. De Rada shkruan: “Nëse janë një ngushëllim për dhimbjen tonë këto vajtime, në të cilat shqiptarë të shkëlqyer vajtojnë zhdukjen e vëllezërve, të ndarë prej tyre që prej 400 vjetësh, janë, njëkohësisht, edhe një shfaqje e qartë e shpirtit të zjarrtë kombëtar, që tërheq shqiptarët më të mirë kah Flamuri i Madh i Atdheut. E ne i botojmë si ngushëllim. Në të vërtetë letra të përzemërta, nga të gjitha anët, kërkojnë të zbusin dhimbjen tonë. E, me keqardhje, nuk mund t’i qesim në dritë, se nuk janë shkruar shqip, ndër të tjera, një tingëllim fisnik e i butë, hartuar prej Zef Noçiti nga Specano. Por është detyrë absolute prej babai dhe prej atdhetari të bëjmë të njohur letrën e çmueshme të zonjës Elena Gjika, e lindur prej princash që, tashmë mretërojnë në Rumani.”. 

Dhe ja letra e Dora D’istrias, e shkruar frëngjisht në Firence në 29 dhjetor 1883: “Zotëri, lexova me dhimbje të thellë te “Fjamuri i Arbërit”, dhimbje shumë të madhe që ju po qani e po vajtoni. Unë e di mirë se, për prindërit, për dhimbje të tilla (për dhimbje dhe fatkeqësi të tilla) nuk ka fjalë ngushëlluese. Ndërkaq, megjithatë, unë nuk mund të përmbahem pa ju thënë se marr pjesë në lotët tuaj e që jam e dëshpëruar duke ditur që një baba dhe një vend që po lind, mbeten pa një djalë dhe pa një qytetar, i cili premtonte kaq shumë.”.  

Të tërë paragrafët e mësipërm vërtetojnë se midis shqiptarëve personalitete të shekullit XIX kishte lidhje jo vetëm korrespondence, por edhe lidhje intime. Është interesante të vihet re se Epistolari Rilindas është i vetmi epistolar i rëndësishëm në Rilindjen shqiptare. Një dukuri e tillë nuk u përsëndyt më pas. Dhe është e pakuptueshme pse nuk u përsëndyt. Por nuk është vendi për ta sqaruar këtë gjë. Në poezinë epitafike të Naim Frashërit mund të vihet re se emri i djalit të De Radës thuhet në formën Josif. Emri i familjes Rada, thuhet Radhanjet. Janë  të rralla poezitë që përkujtojnë birin e një shkrimtari arbëresh siç është poezia e Naim Frashërit. Por, kjo poezi tregon shumë më tepër se vargjet e saj. Zef De Rada ishte djali i parë i Jeronim de Radës. Jeronimi pati katër djem: Zefin, Mikelanxhelin, Rodrigon dhe Hektorin. Zefi kishte lindur në Makie në janar të vitit 1852. Gjatë viteve 1869-1870 qe nxënës gjimnazi në kolegjin e Koriliano Kalabros. Në moshën 17 vjeç nga shënimet dhe udhëzimet e të atit hartoi gjoja “Gramatikën e gjuhës shqipe”. Vepra në të vërtetë është e të atit të tij De Radës. Në 1879 Zefi u martua me një vajzë arbëreshe nga Shën Kozmo. Pati me të dy djem, nga të cilët i pari vdiq tetë ditë para se të mbyllte sytë i ati. Mbas një sëmundje të gjatë gjoksi, Zefi vdiq në 19 nëntor 1883, 31 vjeç. 

(Moikom Zeqo) – 2015

Filed Under: Analiza

Ekskluzive/  Trashëgimia e Lidershipit të Ismail Qemalit, thesari ynë më i çmuar

November 28, 2024 by s p

Nga Evarist Beqiri*/

Virtuoziteti vs. Babëzisë

“Ish Profit dhe mbet Profit;

Dhe qëndron ashtu si ishë;

Do mbaj emrin si e kishë;

Emr’i tija i vërtetë;

Esht Nëntor njëzet’ e tetë.”

  • Ali Asllani

Më 28 nëntor 1912, menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, Ismail Qemali në cilësinë e Kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, u bëri me dije Fuqive të Mëdha krijimin e shtetit të ri shqiptar me anë të një telegrami. Telegrami i tij është shkruar me një gjuhë të hollë diplomatike dhe ia vlen që të analizohet për vetë rëndësinë që ai pati. Ai u botua më datat 29-30 nëntor 1912, nga disa prej gazetave kryesore evropiane dhe më gjerë, si “Corriere della Sera”, “La Stampa”, “La Tribuna”, “La Nazione”, “Le Figaro”, “Le Temps”, “Le Petit Niçois”, “The Times” etj. Më poshtë paraqesim tekstin e plotë të telegramit:

“Asambleja Kombëtare, e përbërë nga delegatë prej të gjitha anëve të Shqipërisë, pa dallim feje, të cilët sot janë mbledhur në qytetin Vlorës, kanë shpallur pavarësinë politike të Shqipërisë dhe kanë formuar një Qeveri të Përkohshme, të ngarkuar me detyrën e mbrojtjes së të drejtave të popullit shqiptar, të rrezikuar nga shfarosja e ushtrive serbe dhe të çlirimit të tokave tona kombëtare, të pushtuara nga forcat e huaja. 

Duke u paraqitur këto fakte, duke iu bërë me dijeni të Shkëlqesisë suaj, kam nderin t’i kërkoj, Qeverisë së Madhërisë së tij Britanike, që ta njohë këtë ndryshim në jetën politike të kombit shqiptar. 

Shqiptarët, të cilët kanë hyrë në familjen e popujve të Europës Lindore, nga të cilët, ata mendojnë se janë më të vjetrit, po ndjekin një qëllim të vetëm, të jetojnë në paqe me të gjitha shtetet e Ballkanit dhe të bëhen kështu një element i ri ekuilibri. Ata janë të bindur se Qeveria e Madhërisë së Tij, si dhe e gjithë bota e civilizuar, do t’u japë shqiptarëve, një mirëpritje dashamirëse, duke i mbrojtur ata, prej të gjitha sulmeve, që rrezikojnë ekzistencën e tyre kombëtare dhe kundër çdo ndarjeje të territorit të tyre.”.

Ky telegram i shkruar mjeshtërisht shpalos zhdërvjelltësinë diplomatike dhe virtuozitetin e udhëheqësisë së Ismail Qemal Vlorës. Ai  do të merrte një rëndësi të jashtëzakonshme në ecurinë e mëtejshme të ngjarjeve. Ismail Qemali thekson aty që në fillim natyrën laike të qeverisë së tij, duke parandaluar kështu mundësinë e refuzimit nga Fuqitë e Mëdha për arsye që mund të kamufloheshin nën maskën e kujdesit për popullatën e krishterë shqiptare. Njëkohësisht, ai prek shqetësimin e Fuqive të Mëdha lidhur me militarizimin masiv të Ballkanit. Në vijim, ai i referohet konceptit evropian të së drejtës së kombeve dhe kërkon mbrojtje për të drejtat e kombit shqiptar. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ai shkruan për konceptin e ekuilibrit të forcave në Ballkan. Ai i referohet brutalitetit të ushtrisë serbe, për të ngacmuar ankthin e Britanisë së Madhe lidhur me zgjerimin e influencës së Rusisë në rajon. Duke e ditur interesin politik të Britanisë së Madhe, ai e koncepton shtetin e ri shqiptar si një forcë ekuilibruese kundër Pan-Sllavizmit.

I njëjti tekst, duke kërkuar edhe njohjen zyrtare të shtetit të ri shqiptar, iu dërgua ministrave të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Portës së Lartë. 

Fakti i kryer i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, si edhe kërkesa zyrtare e Ismail Qemal Vlorës, drejtuar sekretarit të jashtëm britanik Sir Edward Grey, passolli organizimin e një konference ndërkombëtare me pjesëmarrjen e Britanisë, Francës, Gjermanisë, Austro-Hungarisë, Rusisë dhe Italisë. Konferenca e Paqes në Londër i filloi punimet më 17 dhjetor 1912. Gjatë viteve 1912-1913, u zhvilluan 54 takime, ku u debatua si marrëdhënia administrative e Shqipërisë me Perandorinë Osmane, ashtu edhe caktimi i kufijve të saj. Më 29 korrik 1913, Shqipëria u njoh formalisht si shtet i pavarur, por afro 50% e territorit dhe 40% e popullsisë shqiptare, mbetën jashtë kufirit të shtetit të ri. Trojet e tyre etnike u ndanë për të kënaqur orekset e Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë.

Ndër shkrimet e publikuara nga gazetat evropiane përgjatë atyre ditëve, spikat një përshkrim i datës 30 nëntor 1912, i gazetës së njohur italiane “La Tribuna”, që përshkruan edhe momentin e zbritjes në Durrës të Ismail Qemalit, më 21 nëntor 1912:

 “…Ismail Qemali zbriti në Durrës ndër të tjera edhe me 10 kuti të ruajtura mirë dhe të vulosura, të cilat ishin shumë të vogla për të mbajtur armë dhe municione, ato mbanin ar…”

Ky ishte thesari i shtetit që ai kishte ardhur të themelonte. Kjo është dëshmia dhe shembulli më domethënës i sakrificave sublime të rilindësve. Mëmëdhetarët tanë dhanë gjithçka që kishin qoftë shpirtërisht, qoftë materialisht për atdheun…

Artikulli vijon më tej duke theksuar se, “pas takimit me parinë e Durrësit dhe sqarimit të arsyeve të zbarkimit të tij, Ismail Qemali shtoi se do të shkonte në Vlorë të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë.”. Një mendimtar i shquar francez ka shkruar: “Njerëzit e të gjitha epokave ngjasojnë: historia nuk është e dobishme sepse në të lexojmë të shkuarën, por sepse aty lexojmë të ardhmen.”

Nëse ka diçka që historia njerëzore na mëson (që nga Magna Carta deri te Deklarata e Pavarësisë së SHBA-së), është fakti që çdo betejë për lirinë njerëzore është fituar me anë të forcës. Forca e popullit shqiptarë i dha jetë Deklaratës së Pavarësisë. Ndërkohë, lidershipi virtuoz i Ismail Qemalit mëshironte më së miri frymën e kombit dhe gatishmërinë e tij për të luftuar për liri. Ai është shembulli më i mirë i lidershipit të kulluar. Në momentin që Ismail Qemali po udhëhiqte shqiptarët në këtë rrugëtim të shenjtë, ai nuk mbante asnjë pozicion zyrtar, duke dëshmuar faktin që lidershipi nuk lidhet me pozicionet dhe titujt, por me aftësinë për të ndikuar njerëzit…

“Gazeta e Korçës” e përshkruante në këtë mënyrë veprën e Ismail Qemalit: “Ky burrë preferoj më mirë një mëmë të vogël e të vobegtë se sa njerkën e madhe e të pasur. Ai mbyllte në kraharor të tij prej kohësh, bashkë me të tjerët shqiptarë fisnikë, fuqinë e pamposhtur të idesë dhe vendimin e patundur, dhe besën e një populli që të fitojë lirinë e tij ose të vdesë duke treguar gjallërinë e patundur të fisit shqiptarë, duke ngritur flamurin e lirisë, duke i çfaqur botës së qytetëruar se Shqipëria deshi të rronte dhe po rron.”.

Ndërsa tensionet gjeopolitike vijojnë të rriten në botë, lidershipi fisnik i Ismail Qemalit na shpjegon pse figurat historike mund të na shërbejnë si frymëzim për të lundruar nëpër labirintet e diplomacisë së sotme. Sakrificat sublime për idealin kombëtar, janë në themelet e udhëheqësisë virtuoze të Ismail Qemalit. Ai është njëkohësisht themeluesi i Shqipërisë moderne dhe dorëheqësi i parë nga pushteti…

Rilindësit tanë shkrinë gjithçka kishin për Shqipërinë. Ata u larguan nga kjo botë të varfër materialisht, por jashtëzakonisht të pasur shpirtërisht. Presidenti John F. Kennedy shkruante: “Unë jam i sigurtë se mbasi pluhuri i shekujve të ketë mbuluar qytetet tona, ne, gjithashtu, do të kujtohemi jo për fitoret apo humbjet në beteja apo në politikë, por për kontributin tonë në shpirtin njerëzor.”

Njerëzit ashtu si edhe kombet kanë nevoja për pika reference e modele përbashkuese. Pikërisht trashëgimia e tyre e jashtëzakonshme shpirtërore na bën ne shqiptarëve krenar çdo 28 Nëntor. Ndërkohë nga ana tjetër qëndron modeli esadist. 

Modeli i atyre që e kanë tradhtuar idealin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Modeli i babëzisë dhe pangopësisë me pushtet dhe pasuri. Modeli i atyre që duke vjedhur e duke u korruptuar e kanë keqqeverisur Shqipërinë, nën hijen e vështrimit fisnik të Ismail Qemalit mbi krye. Modeli i atyre që pushtetin e  kthejnë në qëllim në vetvete…

“Nuk ka trashëgimi më të pasur se ndershmëria,” – shkruan Uilliam Shekspir. Shembulli jofisnik i këtyre vdekatarëve të zakonshëm, na turpëron dhe na bën që të reflektojmë çdo 28 Nëntor. Por, në fund, nëse ka diçka tjetër që historia na mëson, është fakti që modeli i tyre i mbrapshtë, do të marr dënimin më të rëndë që ajo njeh: turpin dhe harresën. 

Amaneti i fundit i Ismail Qemal Vlorës ishte: “Djemtë e mi, nuk bëra pasuri t’ja lija trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një atdhe amanet.”. Trashëgimia e lidershipit të tij është thesari ynë më sublim: shërbimi me devotshmëri dhe përunjësi ndaj mëmëdheut. Andaj, kultivimi i shqiptarizmës, ndjenjës së pastër të përkatësisë kombëtare, sidomos tek të rinjtë është e vetmja garanci për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar, por edhe të sistemit të demokracisë liberale. Patriotizmi, lidhja me rrënjët tona nëpërmjet dashurisë për vendin, gjuhën dhe kulturën shqipe, na ndërgjegjëson për vlerat tona dhe njëkohësisht na bën më të hapur për vlerat e të tjerëve.

* Nuk lejohet publikimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit. Çdo portal, gazetë online apo e shtypur, që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Evarist Beqiri). 

C:\Users\user\Desktop\ISMAIL QEMAL VLORA\GAZETA ISMAIL QEMALI\LA TRIBUNA 30 11 1912 2.jpg

“La Tribuna”, 30 nëntor 1912     

Filed Under: Analiza

Vehbi Dibra, kleriku dhe patrioti i shquar, shtetar dhe udhëheqës shpirtëror i shqiptareve

November 28, 2024 by s p

Prof. As. Dr. Mjaftime Dushallari/

Eshtë e njohur tanimë praktika e gabuar e lënies në harresë, e mosvlerësimit, apo e mohimit të shumë figurave të spikatura apo personaliteteve historike të së kaluarës nga sistemi diktatorial dhe si pasojë, edhe nga historiografia shqiptare. Në këto kushte, kurioziteti të shtyn të mësosh për të panjohurën më shumë se për ato që kemi lexuar e dëgjuar në vite. Me kohë më kishte tërhequr vëmendjen pamja e burrit me callmë, që në cdo foto të ngjarjeve të Pavarësisë qëndron në krah të Ismail Qemalit, plakut të Vlorës që ngriti flamurin kuq e zi dhe krijoi qeverinë e parë të shtetit të pavarur shqiptar. Është fjala për Vehbi Dibrën, kryetar i delegacionit të Dibrës në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë, i cili ishte i treti në radhë që firmosi dokumentin e Pavarësisë.

Fatmirësisht, pas ndryshimit të sistemit ne Shqiperi, janë bërë përpjekje për të hedhur dritë në njohjen dhe studimin e kësaj figure shumëdimensionale. Ismail Qemali, që kishte besim të madh tek personi i tij, e thërriste Vehbi Efendiu. E quanin edhe Myfti Vehbiu, edhe Haxhi Vehbi Dibra. Njihej si Vehbi Dibra sipas traditës se ishte bir i Dibrës, të cilën e nderoi dhe ia lartësoi emrin. Emrat e tjerë i gëzonte si shërbimtar i fesë. Emri i tij i vërtetë ishte Vehbi Agolli. Më befasoi emri, se, këtu në New York ne njohim një shqiptar me emrin Vehbi Agolli, i cili gjithashtu e ka origjinën nga Dibra. Miqësinë me familjen e Vehbiut e kemi falë nipërve e mbesave tona që u njohën në parqe e kënde lojnash, në ditëlindjet e tyre dhe festime të tjera. Ndaj dhe miqësia jonë është e pastër, e sinqertë si vetë natyra ëngjëllore e fëmijëve. Vehbiu, miku ynë i moshuar, por plot energji, reflekton gjithmonë optimizëm dhe pozitivitet. Pasi kisha lexuar e dija dicka për Vehbi Dibrën, luftëtarin e paepur për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, intelektualin me kulturë të gjerë dhe dibranin me reputacion, mendova ta pyes mikun tonë në se kishte lidhje më të apo njohje për të.

“Vehbi Dibra është gjyshi im, babai i babait tim Ahmet Agolli”, pohoi Vehbiu me kënaqësi, por me modestinë e zakonshme. Pra, unë dhe bashkëshorti im po bisedonim me nipin dhë trashëgimtarin e parë të emrit të birit të Dibrës, Vehbi Dibrës (Agollit).

Vehbiu nuk e kishte njohur gjyshin e tij, por dinte për të nga prindrit dhe të tjerë bashkëkohës të tij. Biseda jonë fillimisht u zhvillua rreth jetës së tij familjare, fëmijëve dhe shtëpisë së tij dykatëshe pranë pazarit të ri ne Tirane. Mësuam rastësisht edhe një kuriozitet. Vehbi Dibra Agolli e kishte emëruar djalin e tij të parë pas emrit të babait të tij Ahmet Agolli. Të njëjtën gjë bëri dhe i biri kur u gëzua me djalë. Ai e emëroi djalin me emrin e të atit, Vehbi Agolli (i dytë), bashkëbiseduesi ynë. Ajo që theksoi dhe përsëriti Vehbiu midis të tjerash, ishte fakti që gjyshi i tij, edhe pse predikues i përkushtuar i fesë, ishte shumë tolerant. Ai asnjëherë nuk i nxiti ose detyroi familjarët e tij të frekuentonin institucionet fetare apo të kryenin rite fetare jashtë dëshirës së tyre. Pas këtij pohimi, më lindi kurioziteti ta pyes dhe të dija mendimin e tij për arsyen pse ishte lene në hije figura e shquar e Vehbi Dibrës, njeriut të mencur që në Kuvendin e Vlorës u zgjodh kryetar i Pleqësisë apo Senatit të parë shqiptar dhe me fjalën e tij në 28 Nëntor 1912, i dha bekimin shpalljes së Pavarësisë duke bërë thirrje për bashkimin e popullit pa dallim feje. Përse është parë e trajtuar më shumë si teolog, kur ai në cdo moment të historisë e përdori fenë në shërbim të bashkimit e cështjës kombëtare?

Biseda jonë rrodhi lirshëm për jetën dhe aktivitetin e tij politik e fetar. Vehbi Dibra u rrit në familje me tradita të pasura kulturore e patriotike. Ai kishte mbaruar studimet e larta në Stamboll ku studjoi për teologji, shkenca juridike dhe gjuhë të huaja. Njihte shumë mirë gjuhën turke, persisht dhe arabisht. Kur shkoi në Vlorë, ai nuk doli nga hici. Vehbi Dibra u frymëzua dhe u bë një pjesëmarrës aktiv që në periudhën e Lidhjës së Prizrenit, gjë që i krijoi mundësinë që të njihte dhe bashkëpunonte me patriotë që u përfshinë në përpjekjet për shpalljen e Pavarësisë. Me që po i shkruaj këto rreshta në prag të Ditës së Alfabetit, ia vlen të theksohët se, në Kongresin e Manastirit ai mbështeti idenë për një alfabet të ri të gjuhës shqipe dhe për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e vendit tonë. Më vonë zgjidhet kryetar i Kongresit të Dibrës ku shfaqet si një intelektual i formuar dhe luftëtar i paepur i cështjes shqiptare. Si fetar, Vehbi Dibra Agolli, i urtë e fisnik, vlerësonte të vërtetën, ndershmërinë. Si shumë nga bashkëkohësit e tij Rilindas, ai vinte shqiptarizmën mbi cdo lloj besimi e feje. Ai u përpoq gjithmonë të bashkonte komunitetin mysliman me interesat e kombit. Respektonte dhe fetë e tjera duke menduar se myslimane e të krishterë janë vëllezër shqiptarë. Myslimani Vehbi Dibra, me mendje të hapur, mbështeti menjëherë shpalljen e Autoqefalisë së kishës orthodokse shqiptare.

Pas shpalljes së Pavarësisë ishte krah Ismail Qemalit në punën për forcimin e shtetit të ri shqiptar. Ai punoi me shpirt për organizimin dhe demokratizimin e tij sepse ishte për një shtet me ligje e rregulla. Ndaj dhe cmoi më vonë Revolucionin e Qershorit dhe qeverine e Fan Nolit. Gjithashtu duhet përmendur se më vonë Vehbi Dibra, si kryemyfti i përgjithshëm i Shqipërisë luftoi për bashkimin e trevave shqiptare pas copëtimit nga shtatë fuqitë e mëdha në Londër. A nuk është i mjaftueshëm qoftë dhe ky informacion i shkurtër për ta njohur dhe radhitur Vehbi Dibrën në plejadën e luftëtarëve të orëve të para për cështjen e lirisë dhe të Pavarësisë së Shqipërisë? Apo ka dhe arsye të tjera si fakti që ai, pas copëtimit të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha europiane, shprehu hapur orientimin e tij perëndimor, mendimin se shpresa për bashkimin e trojeve shqiptare ishte vetëm Amerika. Me këtë qëllim, më 1919 organizoi një miting të gjerë ku bëri thirrje për bashkimin me Kosovën dhe Camërinë duke i kthyer sytë nga Amerika.

Pas vitit 1925 Vehbi Dibra u tërhoq nga veprimtaria politike dhe iu përkushtua punës si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Në këtë kohë ai shpalosi dukshëm aftësitë e tij si udhëheqës shpirtëror i popullit shqiptar krahas aftësive drejtuese politike. Në këtë drejtim u njoh dhe u vlerësua jo vetëm nga bashkëkombasit e tij, por edhe nga drejtues të komuniteteve të njohura myslimane në botë. E si mund të vlerësohej një figurë e tillë nga një sistem që i shpalli luftë të hapur fesë dhe shkatërroi në mënyrë brutale institucionet fetare në vend. Shtojmë se Vehbi Dibra nuk ishte një teolog i zakonshëm. Pikërisht në këtë kohë, kur ushtronte me devotshmëri detyrën si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, ai u bë një emër i njohur në shtypin e kohës, sidomos me shkrimet e tij në revistën “Zani i Naltë”. Ai ishte studiues, analist dhe përkthyes me kulturë të gjerë. Zgjuarsia natyrale dhe prirja për të vlerësuar dijen dhe shkencën, e shtynë të urtin Vehbi Dibra, të studionte në themel Kuranin, të seleksiononte dhe të interpretonte vlerat më të qenësishme të tij, që janë vlera universale të cdo feje dhe gjithë shoqërisë njerëzore në tërësi. Ligjëratat e tij në interpretimin e Kuranit për tolerancën, humanizmin, optimizmin, edukimin në përgjithësi, familjen etj, tipare që ai i zotëronte si person, i dëshironte dhe i predikonte për gjithë shqiptarët. Edhe në këtë rast, si gjatë gjithë jetës së tij, ai bënte thirrje që krahas Kuranit, shqiptarët duhet të mësonin gjuhën shqipe.

I tillë mbeti Vehbi Dibra në zemrat e gjithë shqiptarëve që e njohën deri në fund të jetës së tij. Me nderimet më të larta u përcoll për në botën e paqtë nga gjithë shqiptarët pa dallim feje. Kështu duhet dhe meriton të kujtohet përjetësisht.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 51
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • …
  • 974
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ABAZ KUPI – NJË FIGURË QËNDRORE E MBRETËRISË SHQIPTARE
  • “Skanderbeg in American Prose and Press”
  • Reçak and the Unfinished Business Between Kosovo and Serbia
  • Boshti i Kujtesës dhe i Udhërrëfimit: Nga Skënderbeu te Gërvallët dhe Kadri Zeka
  • Kryezoti
  • Evropa përballë një realiteti të ri sigurie; gjeneralët nuk po frikësojnë – po paralajmërojnë
  • Groenlanda, nyja strategjike e sigurisë globale dhe prova e realitetit të fuqisë amerikane
  • Muzika si art i komunikimit njerëzor
  • Keqkuptimi i mendimtarëve afatgjatë nga Shqipëria
  • “KUR SHTETI SULMON ZËRIN E VET”
  • Amerika dhe Rendi i Ri Botëror: Forca, Përgjegjësia dhe e Ardhmja e Perëndimit
  • Këmbana lufte – “Gruaja që Vinte nga Mjegulla” botohet në gjuhën angleze
  • The Last Besa…
  • FRANG BARDHI ME VEPRËN E TIJ, APOLOGJI E SKËNDERBEUT MBROJTI ME BURIME TË SHEK.XV E XVI, ORIGJINËN SHQIPTARE-ARBËRORE  TË SKËNDERBEUT
  • Ismail Qemali, 16 janar 1844 – 24 janar 1919

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT