• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komiteti për lirinë e Shqipërisë

January 21, 2025 by s p

Mr.sc.Rezehana Hysa/

Në vigjilje të 120 vjetorit të themelimit të “Komitetit për lirinë e Shqipërisë”                                                                 

Rrethanat politiko-shoqërore që u krijuan në Shqipëri sidomos pas shtypjes së Lidhjes së Pejës ku Porta e Lartë dhe autoritetet osmane i dhanë  goditje të rëndë Lëvizjes arsimore e kulturore të shqiptarëve gjegjësisht me  mbylljen e shkollave shqipe duke përfshirë këtu edhe Mësonjëtoren  shqipe të Korçës më 1902 dhe njëkohësisht  arrestimin  dhe persekutimin e  mësimdhënësve të gjuhës shqipe, mos lejimin e librave shqip,rritjen e taksave etj.krijuan rrethana të reja shoqërore politike për organizim më të mirë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare  dhe nevojën për zgjerimin e lëvizjes së armatosur që do ti bënte ballë situatës së krijuar.Andaj  në nëntor të vitit  1905 me nismën  e Bajo Topullit që në atë kohë ishte pedagog dhe nën drejtor i gjimnazit turk në Manastir u formua në Manastir,”Komiteti për lirinë e Shqipërisë”.Krahas tij  bënin   pjesë edhe  Halit Bërzeshta,Gjergj Qiriazi,Feim Zavalani,Nuçi Naçi etj. 

  “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” ishte  organizatë politiko-patriotike që kishte për synim ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të  popullit shqiptarë për luftë të  armatosur   kundër pushtuesve osman dhe qarqeve shoveniste fqinje me  të ,me idenë absolute se “liria nuk mund të pritej, por të kërkohej”.Bajo Topulli dhe bashkë atdhetarët e tjerë tashmë kishin  gjykuar  se ka ardhur momenti që Perandoria Osmane të detyrohej që edhe me forcën e armëve të pranonte vullnetin e popullit shqiptar. 

Duke synuar një përfshirje më  të gjërë të “Komitetit për lirinë e Shqipërisë” gjegjësisht përfshirjen e saj në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm,ky Komitet me në krye Bajo Topullin  dërgoi atdhetarë shqiptarë në krahinat e ndryshme të vendit me synimin e qartë  ngritjen e degëve të saj në qendrat më të rëndësishme të Shqipërisë dhe jo vetëm me të njëjtin emër. 

  Kështu për një  kohë të shkurtër në shumë krahina të Shqipërisë u formuan komitete të fshehta të cilët kishin lidhje me njëra tjetrën dhe vepronin nën drejtimin e Komitetit të Manastirit .Qëllimi  ishte i qartë  “organizimi i lëvizjes çlirimtare dhe i luftës kundër ndërhyrjeve të huaja”.Për arritjen e qëllimeve kombëtare ata i vinin rëndësi të veçantë bashkimit të shqiptarëve,pavarësisht nga feja dhe krahina,përhapjes së diturisë,agjitacionin patriotik si dhe organizimin e çetave të armatosura.

“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” pati edhe statutin(kanonizmën)  që botohej në Sofje dhe programin e saj ku si pik referimi kishte  njohjen zyrtare të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe në shkolla,emërimin  e vetëm të nëpunësve shqiptarë në viset shqiptare,mos dërgimin e ushtarëve shqiptarë në provincat jashtë Europës etj.,ndërsa si mjet kryesor konsideronte luftën e armatosur të çetave shqiptare kundër pushtuesve të huaj në Shqipërinë e kohës.

Në  kanonizëm, thuhej: “qëllimi i këtij komiteti është të ngjallurit e Shqipërisë, duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin, duke përhapur udhën e qytetërimit me anën e librave që do të shtypen, duke dërguar njerëz në të gjithë anët e Shqipërisë të mbjellin këto mendime… për mbrothësinë e kombit dhe të shpëtuarin nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.

“Komiteti qëndror për lirinë e Shqipërisë”,duke  synuar luftën e armatosur të popullit shqiptarë kundër pushtuesve të huaj dhe  krijimin e një ushtrie kombëtare pati edhe Rregulloren e çetave ose siç e quanin ndryshe “Udhërrëfenjësi i trimave”, ku krahas programit politik kombëtar, përcaktoheshin  edhe rregullat e organizimit, të trupave të armatosura. Sipas “Udhërrëfenjësit”, çetat do të përhapeshin në malet e Shqipërisë,me synim të qartë që të formohej një ushtri kombëtare e shtrirë në gjithë vendin. 

Vendimin për krijimin e  çetave të para,Komiteti i Manastirit e mori në janar të vitit 1906. Mirëpo për mungesë të mjeteve financiare,nuk arriti të armatos qysh në fillim, siç e kishte parashikuar, gjegjësisht 500 luftëtarë në radhët e çetave,por formoi një varg çetash, që vepronin në vise të ndryshme të vendit,e sidomos në Shqipërinë e jugut e të mesme. Çeta e parë u krijua në prillin e   vitit 1906 në Kolonjë të Korçës, me 20 luftëtarë  e cila ishte e  komanduar nga Bajo Topulli. 

Bajo Topulli me bashkëluftëtar

  Në këtë çetë, Çerçiz Topulli, vëllai i tij, ishte luftëtari më i shquar dhe më aktiv. Për të përçuar këtë frymë, çeta patriotike e Bajo Topullit fillojë të lëvizte pothuajse në gjithë territorin e jugut të Shqipërisë. 

Veprimet e së cilës u shtrinë edhe në Gorë, Starovë, Bërzeshtë, Gramsh, Opar e më pas edhe në rrethet e vilajetit të Janinës.
  Në ndërkohë dolën në skenë edhe çetat patriotike të Sali Butkës, Qamil Panaritit, Spiro Ballkamenit,Themistokli Germenjit, Muharrem Rushitit, Demo Eminit etj.,duke përfshirë këtu edhe çetën e Fehmi Zavalanit në Kolonjë si dhe disa çeta të tjera të armatosura, që  ishin më  të vogla por që vepruan fuqishëm sidomos në vitet 1906-1908 në vise të ndryshme të vendit. 

Çeta shqiptare e Sali Butkës

  Sipas një letre të Bajo Topullit  në maj të vitit 1906 ndikimi i Komitetit dhe i lëvizjes së udhëhequr prej tij ishte i gjerë dhe  shtrihej në Janinë, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Mallakastër, Myzeqe, Kolonjë, Korçë, Tiranë, Elbasan, Ohër, Dibër dhe në vende të tjera.
Qëllimi i çetave ishte të luftonin kundër bandave të andartëve grekë, që persekutonin atdhetarët shqiptarë dhe përgatisnin truallin për helenizimin dhe aneksimin e Shqipërisë së jugut.

 “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” u lidh edhe me shoqëritë patriotike jashtë atdheut sidomos me ato të Bukureshtit,Sofjes që e përkrahnin plotësisht programin dhe veprimtarinë e saj.

Si rezultat i Komiteteve të fshehta në pranverë të vitit 1906 gjegjësisht me vendim të “Komitetit për lirinë e Shqpërisë”u realizua  një aksion i rëndësishëm i çetave gjegjësisht  vrasja më 22 shtator të vitit 1906 e mitropolit grek të Korçës Fotit,klerik reaksionar i vënë në shërbim të shovenizmit grek në shtator të vitit 1906 që kish organizuar vrasjen e pabesë të atdhetarit shqiptar Papa Kristo Negovani.

 Populli për këtë ngjarje  thuri këto vargje :

“Për tërë natën ç’u dinë (u gdhinë)

në Korçë e zunë pusinë

vranë dhespot mjekërzinë” 

 Luftën e çetave  e përkrahën dhe  propaganduan në mënyrë të veçantë  organet e shtypit atdhetar shqiptar, si “Drita” e Sofjes,“Kombi”(Boston),“Shpresa e Shqypnisë” (Raguzë-Trieste-Romë) etj. 

ndërsa   për hir  të lidhjes së Komitetit   me redaktorin e gazetës “Drita”,  Shahin Kolonjës,gazeta “Drita” e Sofjes u kthye në organ të këtij Komiteti. Në mars të vitit 1906 atdhetarët shqiptarë të kolonisë së Sofjes organizuan një çetë tjetër, nën komandën e Çerçiz Topullit, me të cilin u bashkua shkrimtari atdhetar Mihal Grameno dhe Idriz Gjakova. Çeta kishte si mision të përhapte “ndjenjat kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë”. Andaj në dhjetor të vitit 1906 në  gazetën”Drita” u botua artikulli i Çerçiz Topullit “Ndjenjat e një mëmëdhetari”, në të cilin u bëhej thirrje shqiptarëve “… të bashkoheshin gegë e toskë, të krishterë e muhamedanë, e të luftojmë nga Preveza e gjer në kufijtë e Serbisë e të Malit të Zi”. 

Qeveria turke ra shpejt në gjurmët e Komitetit të Manastirit. Në urdhrin që i dërgoi në fillim të prillit komandës ushtarake të Manastirit kërkonte informata për Komitetin Shqiptar, i formuar në pjesën perëndimore të Shqipërisë,gjegjësisht për veprimtarinë e saj.Madje ndërmori masa të rrepta kundër anëtarëve dhe përkrahësve të Komitetit të Manastirit. Midis tyre pati të  arrestuar edhe shumë oficerë të garnizonit ushtarak të Manastirit dhe nëpunës të aparatit shtetëror, që ishin bashkuar me “Komitetin për lirinë e Shqipërisë”. Me urdhër të vetë sulltanit, në fund të korrikut u arrestua Nafiz Beu nga Ohri, kolonel (lejtnant) i kavalerisë osmane, që pati shkuar fshehurazi në Korçë,Shkup e në Tetovë,për qëllimet e Komitetit të Manastir.

Andaj ndjekjet e autoriteteve turke e vështirësuan veprimtarinë e komitetit si një organ qëndror dhe i detyruan udhëheqësit e saj të shpërngulen në Bukuresht duke lënë në Manastir vetëm një komitet lokal.Formimi dhe veprimtaria e “Komitetit për lirinë e Shqipërisë” ishte dëshmi e ngritjes së nivelit të organizimit më të artikuluar të Lidhjes Kombëtare Shqiptare në këtë periudhe kohore.

  Kur në janar të vitit 1907 u shpallën në gazetën zyrtare të Vilajetit të Manastirit emrat e atdhetarëve, që duhej të dorëzoheshin e të arrestoheshin sa më parë,si Bajo e Çerçiz Topulli, Beqir Sali Butka, Islam Arifi, Ahmet Zylfiqari, Dervish Ismaili, Fejzo Beu nga Dëshnica, Mersin Abdyli etj. u vështirësua veprimtaria e Komitetit të Manastirit si organ qendror,andaj udhëheqësit e saj u  detyruan që të shpërnguleshin në Bukuresht dhe të linin në Manastir një komitet lokal, që mbante lidhje me Bukureshtin.Kështu  vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli në nëntor të vitit 1906   të përkrahur nga shoqëritë atdhetare shqiptare e sidomos nga Shahin Kolonja e Kristo Luarasi në Sofje, nga Pandeli Evangjeli, Rafael Dako, vëllezërit Zografi në Bukuresht dhe dr. Ibrahim Temoja në Kostancë u detyruan të largohen nga atdheu për në Sofje e Bukuresht  ku atje  realizuan  një varg aktivitesh  dhe morën masa për sigurimin e ndihmave financiare për luftën e armatosur të çetave në Shqipëri.Në ndërkohë po  për këtë qëllim Bajo Topulli  shkoi në Paris e SHBA ku me ndihmën e Fan Nolit dhe të atdhetarëve të tjerë të kolonisë shqiptare të Bostonit mblodhi ndihma për “Komitetin e  lirisë së  Shqipërisë”,si dhe organizuan një sërë mitingjesh ,protestash  kundër terrorit osman dhe dhunës së bandave të andartëve grekë në Shqipëri.

Ndërkaq, veprimtaria e çetave nuk u ndërpre por u formuan edhe  çeta të tjera që vepruan në vise të ndryshme të Shqipërisë.

Veprimtaria e klubeve dhe komiteteve shqiptare që vepronin në Shqipëri dhe jashtë saj,kishte kohë që ishin në  qendër të vëmendjes në shtypin e huaj dhe të konzujve të huaj. Në pranverën e vitit 1907 Bajo Topulli, për të qetësuar Vjenën, e cila nuk ishte e prirur të përkrahte veprimet që do të cenonin status quo-në në Ballkan, u deklaroi përfaqësuesve të saj konsullorë se “situata në Shqipëri ende nuk ishte pjekur për një kryengritje të përgjithshme”, por për ta përgatitur atë, “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” do të vazhdonte të organizonte çeta të armatosura, të cilat, do të merreshin me përhapjen e ideve kombëtare të shqiptarëve.

“Komiteti për lirinë e Shqipërisë” realizoi edhe një sërë aksionesh të tjera në qytete të ndryshme të vendit,madje ishte ai që urdhëroi  vrasjen e  Bymbashit turk të Gjirokastrës , Halil Musa më 25 shkurt 1908.

 Pas vrasjes së Bymbashit disa ditë më vonë gjegjësisht   më 18 mars 1908,u zhvillua beteja, e cila në histografinë shqiptare  njihet si Lufta e Mashkullorës. Pavarësisht numrit shumë herë më të madh të ushtarëve osmanë, çeta e Çerçiz Topullit mundi të çante rrethimin edhe pas  gati 15 orë rezistence, duke përfituar edhe nga errësira e mbrëmjes dhe mjegulla e marsit.

 Mihal Grameno në kujtimet e tij shkruan: “Vrasja e bimbashit në Gjirokastër,si dhe fama e luftës së Mashkullores ishin përhapur në Europë, duke u  bërë bujë  në gazetat e mëdha të kohës  andaj   qarqet e larta të Stambollit zunë t’i japin një rëndësi të madhe lëvizjes kryengritëse shqiptare”. 

  Më 1 shkurt 1908 po në gazetën “Drita” u botua shkrimi “Letër nga malet e Shqipërisë”, hartuar nga Çerçiz Topulli si komandant dhe Mihal Grameno  sekretar i çetës, ku theksohej se ushtria e luftëtarëve të lirisë po shtohej dita-ditës dhe se ishte detyrë e çdo atdhetari të ndihmonte “Komitetin për lirinë e Shqipërisë” “në qëllimin e tij të shenjtë ndaj atdheut”.

Në ndërkohë shumë shoqëri dhe komitete të tjera që bashkëvepronin me “Komitetin për lirinë e Shqipërisë”,  i grishnin shqiptarët që të përgatiteshin për kryengritjen e armatosur, e cila parashikohej të shpërthente në pranverën e vitit 1908 me moton:”Një luftë e vërtetë  për lirinë dhe bashkimin e atdheut tonë të dashur”.
Çetat e lidhura me Komitetin “Për lirinë e Shqipërisë” në maj të vitit 1908 e përbërë prej 63 luftëtarësh, hyri në Sarandë, sulmoi godinat e administratës shtetërore lokale,andaj si rrjedhojë  për të ndjekur çetën, autoritetet osmane dërguan nga Preveza në rrethin e Sarandës forca të tjera të xhandarmërisë, që bënë arrestime të shumta nga popullsia. Më shumë se 70 veta, myslimanë e të krishterë, u dërguan të lidhur në Prevezë e prej andej në Janinë. Ngjarjeve të Sarandës u bëri jehonë edhe shtypi i huaj evropian.

     Zgjerimi i luftës së armatosur të çetave, në Shqipërinë e jugut, të organizuar nga “Komiteti për lirinë e Shqipërisë” dhe të shumë komiteteve,shoqërive  të tjera   që vepronin si një trup i vetëm si  brenda ashtu edhe jashtë vendit  ishin alibi  se në prag të  Revolucionit xhonturk të korrikut të vitit 1908 Shqipëria ndodhej para një kryengritjeje të përgjithshme.

Filed Under: Analiza

KRYETARI I VATRËS DR. ELMI BERISHA DO TË MARRË PJESË NË INAUGURIMIN E PRESIDENTIT TË SHBA DONALD TRUMP

January 19, 2025 by s p

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra Dr. Elmi Berisha do të jetë pjesëmarrës në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të Presidentit të 47-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump.

Dr. Berisha ka udhëtuar së bashku me shqiptaro-amerikanin e madh, kontributorin e shquar të çështjes kombëtare në Amerikë Jim Xhema.

Ata do u bashkohen personaliteteve botërore të ftuar në këtë ceremoni të veçantë nderimi ku sytë e gjithë botës nesër janë në Uashington.

MESAZHI I URIMIT NGA VATRA PËR PRESIDENTIN DONALD TRUMP

Në emër të Federatës Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra, të të gjithë vatranëve, të shqiptaro-amerikanëve dhe të familjes sime, shpreh urimet më të përzemërta për Donald Trump dhe JD Vance për zgjedhjen e tyre si President dhe Zëvendëspresident i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Federata Vatra do të jetë një bashkëpunëtore e shkëlqyer, një aleate besnike e Shtëpisë së Bardhë dhe mbështetëse e palëkundur e administratës së Shteteve të Bashkuara e institucioneve amerikane për të mirën e qytetarëve të Amerikës, të kombit amerikan e kombit shqiptar.

Vatra vlerëson e falenderon SHBA-në dhe shpreh mirënjohje të përjetshme për gjithçka që i ka dhënë kombit shqiptar.

Zoti e bekoftë Amerikën

Zoti e bekoftë kombin shqiptar.

Me respekt

Kryetari i Vatrës

Dr. Elmi Berisha

Filed Under: Analiza, Opinion

Anti-federalistët dhe roli i tyre në hartimin e Kushtetutës së SHBA

January 19, 2025 by s p

Dr. Ernest Nasto

Studiues i politikës amerikane, n/kryetar i Vatra Chicago/

Kushtetuta amerikane, e miratuar para më se 235 vitesh, është një nga dokumentet themeltare më të mirënjohura të botës e njëkohësisht më e vjetra ende në veprim. Ajo ka gëzuar vazhdimisht një respekt të thellë anembanë vendit, duke qenë, sëbashku me flamurin, një simbol e mishërim i fuqishëm i përkatësisë kombëtare, sidomos me qendrueshmërinë e saj. Ajo ka frymëzuar gjithashtu edhe një sërë kushtetutash të tjera në të gjitha kontinentet.

Suksesi i debatit publik në vitet 1787-1788 dhe arritja në një dokument të tillë unik (origjinali kishte vetëm 7 nene) ka bërë të lihen shpesh në harresë disa aspekte asokohe thelbësore të atij debati, dhe rëndësia e tyre në formësimin dhe konsolidimin e republikës amerikane.

Gjatë periudhës revolucionare, nga shpallja e pavarësisë më 1776, Shtetet e Bashkuara ishin mbështetur tek një kuadër i përkohshëm kushtetues, i njohur si Nenet e Konfederatës (Articles of Confederation). Të metat e tij ishin kritikuar në vazhdimësi, dhe në ato pak vite që nga fundi i revolucionit më 1783 ishte bërë e qartë se ai ishte krejt i pamjaftueshëm për qeverisjen e republikës së re.

Për këtë arsye në verën e vitit 1787 u mblodh në Philadelphia një konventë kushtetuese ku të 55 delegatët e pranishëm vendosën në parim që dokumenti egzistues të mos rishikohej apo ndryshohej, por të shfuqizohej tërësisht për t’u zëvendësuar nga një kushtetutë e re.

Sipas Neneve në fjalë Shtetet e Bashkuara konceptoheshin si konfederatë ku sovraniteti u takonte në rradhë të parë shteteve anëtare, dhe qeveria qendrore kishte pushtet të kufizuar. Kongresi përbëhej prej vetëm një dhome, ku secili shtet kishte një votë, pavarësisht nga numri i popullsisë. Ndërkaq projekti i Philadelphia-s, me një ndryshim rrënjësor, krijonte një qeveri qendrore të fortë, me sovranitet primar ndaj atij të shteteve. Rëndësia e këtij ndryshimi ilustrohet më së miri edhe nga fakti se druajtja ndaj përmbysjeve të tilla kish bërë që njeri prej 13 shteteve, Rhode Island, të refuzonte deri edhe pjesëmarrjen në konventë, e po ashtu që disa delegatë të braktisnin punimet.

Një çështje madhore dhe fort e diskutuar ishte pikërisht marrëdhënia e lartpërmendur ndërmjet qeverive të shteteve e asaj qendrore. Mes debateve për rolin e madh të kësaj të fundit, në projekt u përfshinë disa mekanizma të reja kufizuese si ndarja e pushteteve në 3 degë të pavarura që kontrollonin njera-tjetrën, apo përfaqësimi proporcional në dhomën e ulët, ku anëtarët do të zgjidheshin sipas popullsisë së çdo shteti. Megjithatë mjaft delegatë i konsideruan ato të pamjaftueshme, prandaj G. Mason, delegat i Virginia-s, propozoi të shtohej një “kartë të drejtash” që s’mund të shkeleshin nga administrata federale. Një kartë e tillë sipas tij “do t’i qetësonte qytetarët”, por kjo ide s’arriti të miratohej.

Pas mbarimit të punimeve, projekt-kushtetuta e nënshkruar prej 39 delegatësh, nga 42 të pranishëm, u dërgua për miratim në legjislaturat e 13 shteteve të atëhershme, me kushtin që do të nevojitej vota e të paktën 9 syresh për hyrjen në fuqi. Mirëpo miratimi s’ishte aspak i sigurt apo i afërmendshëm duke pasur parasysh diskutimet e pasionuara gjatë konventës.

Ashtu siç pritej, debati publik filloi pothuaj menjëherë, me një artikull të botuar në fund të shtatorit 1787 me pseudonimin Cato, sipas zakonit të kohës. Autori, i cili më vonë rezultoi të ishte governatori i New York, G. Clinton, u bënte thirrje qytetarëve ta shihnin me dyshim e ta shqyrtonin me kujdes dokumentin, sepse “edhe më të mirët e më të mënçurit gabojnë, dhe ato gabime, nëse s’ndreqen janë fatale për komunitetin”.

Përkrahësit e miratimit u përpoqën t’i minimizojnë ndryshimet nga kuadri egzistues, duke theksuar se projekti i kishte zgjidhur problemet e ngritura në Philadelphia. Ata ishin në fakt një lëvizje më e organizuar, me figura kryesore etërit themelues G. Washington, A. Hamilton, J. Jay dhe J. Madison. Tre të fundit, me pseudonimin e përbashkët Publius, botuan deri në prill 1788 një seri prej 85 artikujsh pro kushtetutës, duke e pagëzuar veten e tyre si federalistë e duke i cilësuar kundërshtarët si anti-federalistë. Përmbledhja e këtyre artikujve, e njohur si Shkrimet Federaliste, është ndër dokumentet më të njohura e të studiura në detaje në fushën e së drejtës kushtetuese duke u përfshirë gjerësisht në programet e shkollave amerikane, si edhe jashtë vendit.

Por më pak i njohur është ndërkaq kontributi i palës tjetër, pra anti-federalistëve, të cilët botuan shkrime, pamflete e fjalime po aq të shumta, të përmbledhura më vonë si Shkrimet Anti-Federaliste, duke shënuar edhe rivalitetin e parë politik të historisë amerikane.

Në kampin e kundërshtarëve të projektit personalitetet kryesore ishin R. Yates (Brutus), G. Clinton (Cato) dhe S. Bryan (Centinel) dhe atje u përfshinë edhe disa nga figurat më të njohura të revolucionit si P. Henry, S. Adams apo R. H. Lee. Në rradhët e tyre kishte fermerë e pronarë të vegjël tokash, tregtarë, biznesmenë si edhe punëtorë.

Ndërsa secili prej tyre kishte pikëpamjen e tij për atë se si duhej të ishte kushtetuta e re, ata bashkoheshin në disa pika madhore. Kështu p.sh. ata besonin se projekti i jepte Kongresit një pushtet tepër të madh, në dëm të shteteve të veçanta, ndërsa presidentit unitar të republikës kompetenca të ngjashme me ato të një monarku, gjë që do të bëhej shkak për intriga pa fund në kryeqytetin e vendit. Ata ishin të mendimit se liritë personale mbroheshin më mirë nëse pushteti primar u lihej qeverive të shteteve, në krahasim me atë federale. Për këtë arsye, pa një kartë të drejtash, kjo e fundit do të shndërrohej shpejt në tirani.

Këto argumente krijuan në të gjitha shtetet lëvizje të fuqishme kundër miratimit të projekt-kushtetutës. Në legjislaturat anembanë vendit, anti-federalistët vunë fort në dukje kompetencat e gjera të qeverisë federale, duke theksuar ndryshimin jo vetëm nga Nenet egzistuese, por edhe nga republikat e antikitetit. Në Virginia, P. Henry, autori i fjalimit të famshëm “Liri a vdekje”, e quajti projektin “një revolucion po aq të thellë sa ai që na ndau nga Britania e Madhe”. Një autor tjetër shqetësohej se në mungesë kufizimesh serioze, kushtetuta do t’i bënte “qeveritë e shteteve të varura nga vullneti i asaj qendrore për vetë ekzistencën e tyre”. Në tre shtetet vendimtare të Massachusetts, New York e Virginia, anti-federalistët e kushtëzuan ratifikimin me kalimin e njëkohshëm të një karte të drejtash, madje në asamblenë e Massachusetts, debatet shkuan deri në përleshje fizike.

Në këto kushte, duke parë se ndjenjat anti-federaliste mund të çonin në dështimin e përpjekjeve për ratifikim, J. Madison pranoi më në fund të hartonte një kartë të drejtash (Bill of Rights) të pacënueshme nga administrata federale. Ajo u paraqit në seancën e parë të Kongresit më 1789 dhe hyri në fuqi më 1791, pas ratifikimit prej shteteve anëtare.

Bill of Rights, e njohur edhe si 10 amendamentet e para të Kushtetutës, siguron e garanton kësisoj 10 të drejtat dhe privilegjet më themelore të qytetarëve amerikanë. Baza e tyre ishin në disa dokumente historike të mëparshme si Karta e Madhe e Lirive (Magna Carta) e vitit 1215, Karta Angleze e të Drejtave (1689) apo Deklarata e të Drejtave e Virginia-s, e hartuar nga G. Mason dhe e miratuar në qershor 1776, pak ditë para Deklaratës së Pavarësisë. Ato përfshijnë ndërmjet të tjerash lirinë e fjalës, të shtypit, të besimit fetar, të grumbullimit dhe protestës paqësore, si edhe të drejtën për gjykim të shpejtë, për proces të rregullt ligjor, e për mbrojtje nga dënimet mizore dhe të pazakonta. Përkundrejt shqetësimeve të anti-federalistëve lidhur me abuzimet e mundshme të pushtetit nga qeveria qendrore, ligji gjithashtu përcakton se çdo pushtet që kushtetuta s’ja njeh shprehimisht qeverisë federale i përket për pasojë shteteve dhe individëve.

Në analizë të fundit përpjekjet e anti-federalistëve për të penguar miratimin e Kushtetutës vërtet s’patën sukses, por ato ndikuan në mënyrë të jashtëzakonshme në krijimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor. Arritja e tyre kryesore, Bill of Rights, është bërë praktikisht pjesa më e rëndësishme e Kushtetutës për shumicën e amerikanëve. Ndër çështjet që shkojnë deri në Gjykatën e Lartë, ato debatohen shumë më shpesh se vetë nenet e kushtetutës, dhe janë përdorur me sukses për të mbrojtur fjalën e lirë të veprimtarëve të të drejtave civile e të gjithfarë kauzave të tjera. E po ashtu për të kundërshtuar rastet e mbikqyrjes së paligjshme të autoriteteve mbi qytetarët, apo për t’u bërë me dije individëve të drejtat e tyre specifike në rast arresti (të ashtuquajturat “të drejtat Miranda”).

Është pra e pamundur të përfytyrojmë ecurinë historike të republikës amerikane, apo pamjen qe saj të sotme, pa këmbënguljen e anti-federalistëve mbi dyqind vite të shkuara.

Filed Under: Analiza

Historia qoftë e drejtë me burrat e kombit…

January 18, 2025 by s p

Suadela Balliu/

Përjetësimi i Mustafa Merlika Krujës në një shtatore bronzi është dëshmi se e vërteta e gjen gjithnjë rrugën e vet. Edhe nëse vonon. Kjo ditë jep shpresë se historia i korrigjon gabimet. Biri i Krujës, një 25- vjeçar me ëndrra dhe ideale për Shqipërinë e tij u nis drejt Vlorës për të hedhur firmën në dokumentin e Pavarësisë, me atë dashuri e vizion siç më 1443-shin e kishte bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu kur ngriti flamurin kuqezi, pikërisht këtu, në kalanë e Krujës.

Kjo shtatore bëhet realitet dhe vjen si përmbushje e përpjekjeve të gjata të familjes Merlika, që për tri dekada kanë luftuar të heqin baltën mbi patriarkun e tyre dhe një prej personaliteteve të shquara të historisë, politikës e studimeve albanologjike.

Botimet e veprave, konferencat e simpoziumet mbi veprimtarinë e tij shumë dimensionale, shtruan rrugën që historia t’i hapë vend kësaj figure, një prej kryeministrave të Shqipërisë. Vendosja e shtatores në një prej shesheve të Krujës është hapi i parë konkret. Një falënderim i shkon padyshim edhe atyre që dhanë dakordësinë për ta vendosur shtatoren në një prej shesheve të Krujës – Këshilli Bashkiak i Krujës dhe prefektura e qarkut Durrës.

Për jetën dhe veprën, për kontributet si atdhetar, politikan e studiues flasin historianë, studiues e profesorë, por ajo që mund të them është se mjegulla po davaritet nga emri dhe figura e Mustafa Merlika Krujës, ashtu siç u davarit mjegulla e propagandës së regjimit të shkuar për ta dalluar qartë firmën e tij në Dokumentin e Pavarësisë.

Firmëtari i Pavarësisë, Sekretari i parë i qeverisë së Vlorës, Prefekti i Vlorës, Pjesëmarrës në Kongresin e Durrësit, Përfaqësues i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris, Deputet në Parlamentin e parë shqiptar dhe Kryeministër i vendit…
Mustafa Merlika- Kruja ishte gjithmonë aty ku caktoheshin fatet e Shqipërisë, për të luftuar për të. Sot historiografia e regjimit të vjetër ia ka lënë vendin pluralitetit të mendimit dhe studimeve të pavarura e serioze që synojnë të hedhin dritë në periudha të caktuara e te figura të lëna në terr e në harresë.
Në 100 Vjetorin e Pavarësisë, Merlika Kruja do të merrte titullin “Nder i Kombit” nga presidenti i asokohe, Bamir Topi.
Sot kjo shtatore e rikthen përgjithmonë në shtëpi, shtëpinë e atdheun që nuk pati mundësi t’i shohë në të gjallë, me brengën për vendin e për familjen e cila vuajti tmerret e regjimit komunist, në burgje e kampe përqendrimi, vetëm pse ishin pinjollë të një prej politikanëve më të shquar të shekullit XX.

Kur flasim për Mustafa Merlikën i referohemi një figure që e ngriti veprimtarinë e tij në shekullin e 20, jo edhe aq larg në kohë, në përpjekjet për ravijëzimin e Shqipërisë si një shtet modern dhe europian. Gjatë administratës së qeverive në kohën e Princ Vidit qe këshilltar i arsimit publik dhe inspektor i arsimit në Elbasan dhe më 1940-n qe nismëtar për themelimin e Institutit të Studimeve Shqiptare dhe drejtues i saj. Me vepra si “Antologji Historike”, “Fjaluer Kritik i Shqipes”, “Lashtësi Shqiptare” e shumë të tjera ai ka dhënë kontribut të vyer në studimet albanologjike, të cilat për fat të keq, si për komunitetin e studiuesve ashtu edhe lexuesin e gjerë, janë bërë të njohura pas vdekjes së tij.

Një prej trashëgimtarëve të tij ishte vetëm katër muajsh kur gjyshi, që e mbante në krahë, do të largohej për të mos e parë kurrë më. Por ai nip, sot një intelektual fisnik si Eugjen Merlika, nuk është lodhur për ta çuar te shqiptarët veprën e Mustafa Merlika Krujës si albanolog, historian, publicist, politikan e padyshim burrë shteti.
“Po të na detyronte fati të zgjedhim njërën nga të dyja: të humbim Kosovën, apo pavarësinë, ne do të dëshironim të humbnim pavarësinë sepse të bashkuem me Kosovën, pavarësinë do ta rikthenim ndonjë ditë”, shprehej Merlika Kruja në prill të vitit 1941 dhe shumë janë thënë për këtë nga historiografia e shkuar.
Bashkimi i Shqipërisë etnike ishte dita më e lumtur e Mustafa Merlikës, ndërsa 24 nëntori 2024 do të jetë i familjes së tij.
Mustafa Merlika Kruja do t’i mbyllte sytë larg, shumë larg vendlindjes, në Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetorin e vitit 1958, por sot qytetarët e Krujës e çdo kalimtar do të ndalet e përshëndetet me shtatoren e birit të këtij qyteti që më shumë se gjithçka e desh Shqipërinë të lirë, të pavarur e të bashkuar.
Historia qoftë e drejtë me burrat e kombit!

*Suadela Balliu, fjala e mbajtur gjatë moderimit të ceremonisë së përurimit të bustit të Mustafa Merlika-Krujës. Krujë, 24 nëntor 2024.

Filed Under: Analiza

Ja 11 vendimet që Trump premtoi se do t’i bëjë në ditën e parë

January 18, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi/

Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump ka premtuar ndryshime të rëndësishme kur të marrë detyrën për çdo gjë, që nga imigracioni tek politika e jashtme e deri te tarifat. Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump i kaloi dy vitet e fundit në fushatën elektorale, duke bërë më shumë se një duzinë premtimesh për atë që do të zbatonte që në ditën e tij të parë në detyrë. Planet e ditës së parë të Trump janë të gjera, duke bërë thirrje për dëbim masiv të emigrantëve pa dokumente, tarifa gjithëpërfshirëse që ekonomistët kanë paralajmëruar se mund të kenë efekte në SHBA dhe faljet e të pandehurve të akuzuar për sulmin në Kapitol në janar. 6, 2021. Në ditën e parë të mandatit të tij të mëparshëm, Trump nënshkroi vetëm një urdhër ekzekutiv, i cili synonte Obamacare. Këtu janë disa nga premtimet më të dukshme që Trump ka thënë që do t’i bëj që ditën e parë kësaj here.

Emigracioni – fillimin e një program dëbimi masiv

Ashtu siç bëri gjatë fushatave të tij të mëparshme, Trump e vuri emigracionin në qendër të planit të tij të vitit 2024, duke u zotuar vazhdimisht se do të dëbonte emigrantët pa dokumente. Në tetor. Më 27, vetëm disa ditë para zgjedhjeve, Trump përsëriti gjatë një mitingu në qytetin e Nju Jorkut: “Se ditën e parë, unë do të nis programin më të madh të dëbimit në historinë amerikane për të nxjerrë jashtë kriminelët”. Në vitin 2022, numri i emigrantëve pa dokumente që jetojnë në SHBA. ishte gati 11 milionë sipas një vlerësimi federal, megjithëse numri i saktë nuk dihet. Më pak se 500,000 emigrantë pa dokumente dihet që nga shtatori se kishin prejardhje kriminale, thanë Forcat e Emigracionit dhe Doganave në një letër drejtuar Kongresit.

Kur u pyet në nëntor në lidhje me koston e një plani të dëbimit masiv, Trump i tha NBC News se “nuk bëhet fjalë për një çmim”. Në të njëjtin muaj, Trump konfirmoi një postim nga një përdorues tjetër i Truth Social, i cili shkroi se administrata Trump do të ishte “e përgatitur për të shpallur një emergjencë kombëtare dhe do të përdorte mjetet ushtarake” për një program dëbimi. Trump ka shpërndarë postimin duke shkruar, “E VËRTETË!!!”

Do japë fund shtetësisë që në lindje

Kushdo që lind në SHBA i jepet automatikisht shtetësia, një e drejtë e përcaktuar në Amendamentin e 14-të. Shumë gra shtatzëna të huaja vijnë për të lindur në SHBA për ti bërë fëmijët e tyre shtetas amerikanë. Nga ana tjetër fëmijët e emigrantëve të paligjshëm të lindur në Amerikë bëhen nënshtetas amerikanë çka pas një kohe i bën edhe prindërit e tyre, Trump dëshiron ta ndryshojë atë, një operacion logjistikisht i vështirë që pothuajse me siguri do të çonte në beteja ligjore. Në një intervistë në dhjetor në NBC News “Meet the Press”, moderatorja Kristen Welker e pyeti Trumpin nëse e kishte ende planin e tij për t’i dhënë fund shtetësisë sipas së të drejtës së lindjes që në ditën e parë. Trump ai tha: “Absolutisht po”.

Do t’i japë fund politikave të kufijve të hapur të epokës Biden

Trump ka reaguar gjerësisht ndaj politikave të imigracionit të Presidentit Joe Biden, duke u zotuar se do të përdorë ditën e tij të parë në detyrë për të “përfunduar çdo politikë të kufijve të hapur të administratës Biden”. Trump tha gjithashtu gjatë një aktiviteti të fushatës në New Hampshire në tetor se ai do të “përdorte ligjin Titullin 42”, një ligj i shëndetit publik që u zbatua drejt fillimit të krizës Covid-19 dhe lejoi Shtëpinë e Bardhë të dëbonte sa më shpejt emigrantët. Ligji u vazhdua pjesërisht përmes administratës së Bidenit, por qeveria e ndaloi përdorimin e tij në vitin 2023.

Demokracia

Falje për të pandehurit e 6 Janarit

Në shumë raste, Trump ka thënë se do të falte shpejt personat e dënuar për rolin e tyre në sulmin e 6 Janarit 2021, sulmin në Kapitol SHBA. Madje edhe kur u pyet nga Welker i NBC News e pyeti Trump në dhjetor në lidhje me afatin kohor të tij për falje, ai tha: “Po shikoj ditën e parë”. Ai shkoi më tej në një intervistë me revistën Time të botuar muajin e kaluar, duke thënë: “Unë do të rishikoj 6 janarin herët, ndoshta nëntë minutat e para”. Në një konferencë për shtyp në janar, Trump u pyet nëse ai po kërkonte t’i falte të pandehur të cilët akuzoheshin për krime të dhunshme. Trump tha: “Ne po e shikojmë atë”, duke shtuar se ai synonte të bënte “falje të mëdha” për të pandehurit e 6 Janarit.

Më shumë se 1,580 të pandehur janë akuzuar dhe më shumë se 1,270 janë dënuar për veprimet në 6 Janar, me akuza që variojnë nga parakalimi i paligjshëm e deri te komplot për kryengritje. Janë më shumë se 700 të pandehur që ose kanë marrë dënime që nuk përfshinin burgim ose që kanë përfunduar tashmë dënimet e tyre, që do të thotë se Trump teorikisht mund të falë qindra të pandehur pa shumë ndikim praktik.

Vetëm një grusht të pandehurish të 6 Janarit mbetën në paraburgim me urdhër të një gjyqtari federal, ndërsa të gjithë të tjerët që u burgosën janë dënuar me burg pas dënimit të tyre, kur ose kanë pranuar se kanë kryer krimet për të cilat akuzoheshin, ose kur një gjyqtar ose juria i ka shpallur fajtorë përtej një dyshimi të arsyeshëm.

Politika e jashtme

Përfundimi i luftës në Ukrainë

Një nga premtimet më të guximshme të Trump ishte se ai mund t’i jepte fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve nga marrja e detyrës – ose edhe më parë.

“Kjo është një luftë që po vdes për ta zgjidhur. Unë do ta zgjidh përpara se të bëhem president, “tha Trump gjatë një debati në shtator me zëvendëspresidenten Kamala Harris në Filadelfia, ku ka thënë se mund t’i japë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës në 24 orë. Unë e njoh shumë mirë [presidentin ukrainas Volodimir] Zelensky dhe e njoh shumë mirë [presidentin rus Vladimir] Putin. Unë kam një marrëdhënie të mirë dhe ata e respektojnë presidentin tuaj, në rregull, ata më respektojnë mua. Ata nuk e respektojnë Bidenin”, shtoi Trump.

Gjatë komenteve për shtypin në Mar-a-Lago në janar, Trump u pyet se kur planifikon të takohet me Putinin për të diskutuar një fund të luftës në Ukrainë. Trump tha se do të ishte e papërshtatshme të mbahej takimi përpara betimit të tij të 20 janarit.

Ekonomia

Vendosja e tarifave

Një javë pas zgjedhjes së tij, Trump premtoi se do të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për të zbatuar një tarifë prej 25% për produktet e importuara nga Meksika dhe Kanadaja, dy nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës.

“Më 20 janar, si një nga shumë urdhrat e mi të parë Ekzekutiv, unë do të nënshkruaj të gjitha dokumentet e nevojshme për të ngarkuar Meksikën dhe Kanadanë një tarifë prej 25% për të gjitha produktet që vijnë në Shtetet e Bashkuara dhe kufijtë e saj qesharakë të hapur”, tha Trump në një postim në Truth social në 25 nëntor. Trump kishte propozuar më parë tarifa 10% në të gjithë kufirin, por komentet e tij të nëntorit për dy vendet kufitare të SHBA-së shkuan më tej. Gjatë fushatës së tij, Trump iu referua tarifave si “fjala më e bukur në të gjithë fjalorin e fjalëve”.

Ekonomistët kanë paralajmëruar se konsumatorët mund të mbajnë barrën e tarifave gjithëpërfshirëse, të cilat mund të çojnë në çmime më të larta. Kompanitë mund t’i përgjigjen tarifave duke blerë një produkt në SHBA. dhe jo nga një vend tjetër, ose mund të rrisin çmimet për konsumatorët për të kompensuar koston e tarifës. Alan Deardorff, një ekonomist në Universitetin e Miçiganit, kishte thënë më parë për se tarifat e Trump “janë si një taksë mbi shitjet, në kuptimin që konsumatorët kudo do të përfundojnë duke paguar”. Por ato janë me tepër një mjet presioni ekonomik për të dialoguar.

Do anulojë ‘mandatin’ e automjeteve elektrike

Në vitin 2021, Biden nënshkroi një urdhër që përcaktonte një objektiv mbarëkombëtar, duke synuar që 50% e makinave dhe kamionëve të rinj të shitur deri në vitin 2030 të kenë emetim zero. Në mars, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit finalizoi kufijtë e emetimit të gazrave dhe automjetet elektrike pritej të ndihmonin në përmbushjen e qëllimeve. Kalifornia ka gjithashtu një ligj që dikton që të gjitha shitjet e makinave të reja në shtet të kenë emetim zero deri në vitin 2035. Trump i ka fshirë të gjitha me një furçë të gjerë, duke iu referuar atyre si “mandatet e automjeteve elektrike”, megjithëse askush nuk do t’i kërkohet të blejë një makinë . Në nëntor, në një ngjarje fushate në Hjuston, ai përsëriti premtimin e tij, duke thënë: “Ditën e parë që të marr detyrën, do të anuloj mandatin e Crooked Joe për automjetet elektrike”.

Shpo, shpo, shpo

Një nga premtimet më të shpeshta të Trump, i përsëritur pothuajse në çdo fjalim të fushatës, është angazhimi për të rritur shpimet e naftës në Shtetet e Bashkuara.

Në një intervistë në një Town hall me prezantuesin e Fox News, Sean Hannity në dhjetor, Trump tha se nuk do të ishte diktator “përveç ditës së parë”, duke sqaruar se ai synon ta përdorë atë autoritet për të “mbyllur kufirin” dhe “shpo, shpo, shpo. “Që në ditën e tij të parë në detyrë.” Trump ka pretenduar në mënyrë rutinore për rritjen e prodhimit të naftës në SHBA që do të reduktonte në mënyrë drastike kostot e energjisë. Muajin e kaluar, sekretarja e ardhshme e shtypit e Trump, Karoline Leavitt i tha Fox News se ai do të punonte për këtë brenda disa sekondash pasi të mbërrinte në Zyrën Ovale. Leavitt premtoi se administrata do të “përshpejtojë lejet për shpime dhe fracking në të gjithë vendin, në mënyrë që të mund të ulim menjëherë koston e jetesës”. Në vitin 2023, SHBA Prodhimi i energjisë tejkaloi konsumin me një sasi rekord, sipas Administrata e Informacionit të Energjisë të SHBA.

Automobila ‘Made in America’

Trump tha gjatë një mitingu në shtator se “një votë për Presidentin Trump do të thotë se e ardhmja e automobilave do të bëhet në Amerikë”. Ai parashikoi se industria e automobilave do të “ushqehej nga energjia amerikane”, “me burim nga furnizuesit amerikanë” dhe do të ndërtohej nga punëtorët amerikanë. Ai shtoi, “Do të ndodhë dhe ne do ta bëjmë që ditën e parë në detyrë.” Vitet e fundit, kompanitë e mëdha të automjeteve kanë pushuar nga puna mijëra punëtorë, megjithëse në janar, General Motors dhe Ford Motor raportuan shitjet e tyre më të mira të automjeteve vendase që nga viti 2019.

Të drejtat e transgjinorëve

Do të kufizojë pjesëmarrjen e tyre në sportet e femrave

Trump i është referuar vazhdimisht grave transgjinore si burra, duke u zotuar para mbështetësve të tij se do të sigurojë që gratë transgjinore të mos konkurrojnë më në sportet e femrave. Në një fjalim tetor në West Palm Beach, ai tha: “Unë do t’i mbaj burrat jashtë sporteve të grave, 100%, menjëherë, që ditën e parë”. Gjatë të njëjtit fjalim, ai u zotua të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që në ditën e tij të parë në detyrë për të shkurtuar fondet federale për shkollat “duke shtyrë teorinë kritike të racës, çmendurinë transgjinore dhe përmbajtje të tjera të papërshtatshme racore, seksuale ose politike për fëmijët tanë të bukur”.

Do ti japë fund praktikave të kujdesit për afirmimin e gjinisë

Trump gjithashtu është kritikuar shpesh kundër kujdesit për afirmimin e gjinisë, i cili mund të përfshijë terapinë hormonale. Gjatë administratës së Bidenit, Shtëpia e Bardhë ka ofruar burime dhe udhëzime për të siguruar akses dhe informacion rreth opsioneve të kujdesit. Trump tha në një video të postuar në faqen e tij të fushatës në shkurt. 1, 2023, se “në ditën e parë, unë do të revokojnë politikat mizore të Joe Biden mbi të ashtuquajturin “kujdes për afirmimin e gjinisë.

Veprimet e ndërmarra që ditën e parë nga një president kanë një domethënie të fortë simbolike dhe praktike. Ato tregojnë prioritetet dhe drejtimin politik të administratës së re, duke dërguar një mesazh të qartë si për qytetarët ashtu edhe për kundërshtarët politikë. Marrja e këtyre masave që në fillim pasqyron vendosmërinë për të përmbushur premtimet elektorale dhe për të vendosur një ton udhëheqjeje energjike.

Në rastin e Donald Trump, rifillimi i politikave të mëparshme, si ndërtimi i murit ose anulimi i urdhrave ekzekutivë të administratës së mëparshme, ka për qëllim të theksojë kthimin në vizionin e tij për “Amerika e Para”. Gjithashtu, këto veprime shërbejnë për të mobilizuar bazën e tij politike dhe për të treguar efektivitet që në fillim të mandatit, duke rritur presionin ndaj kundërshtarëve dhe duke krijuar një ndjenjë urgjence për ndryshime.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 52
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT