• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PREÇ ZOGAJ, MIRËNJOHJE NGA VLORA!

January 15, 2025 by s p

Albert HABAZAJ/

Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

Një ngjarje e shënuar letraro-kulturore e hijeshoi Vlorën – Qytetin e Diellit dhe Detit ditën e premte të 10 Janarit 2025, kur në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë erdhi kryemiku i asaj paraditeje poeti i njohur shqiptar Preç Zogaj. Ai e kishte nisur nga Gjirokastra Udhëtimin Poetik të Shenjtëruar me librin më të ri me poezi të zgjedhura “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, për të marrë bekim në Qytetin e Flamurit. Dhe Vlora e mirëpriti me bujari, siç di të presë mëmëzonja e Pavarësisë. Ai erdhi dhe u përcoll siç i takon, si mik i lartë, burrë me vlera, njeri i mirë dhe zotni i ditur e me zemër të madhe, sepse Vlora e ka njohur, e ka dashur, e njeh dhe e do për virtytet e tij dhe ndihmesën e rëndësishme që i ka dhënë letërsisë shqipe, prozës dhe poezisë, publicistikës dhe gazetarisë, kulturës kombëtare dukshëm, si dhe politikës e shtetit shqiptar. Preç Zogaj erdhi në Vlorë i shoqëruar nga zotërinj të nderuar dhe miq të mirë të shkrimit të mendimit dhe ndjenjës si: poeti dhe studiuesi dr. Aleksandër Çipa, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, nga studiuesi i njohur i letërsisë, ish-pedagog i “Universitetit “Eqerem Çabej” Gjirokastrë, prof. Gëzim Basha, Pedagog i Letërsisë Moderne në Universitetin Wisconsin, SHBA, si dhe nga dr. Henri Çili – një figurë e njohur në sferën akademike dhe publike në Shqipëri, me një karrierë të mirënjohur si themelues dhe drejtues i Universitetit Europian të Tiranës dhe botues i këtij vëllimi poetik të jetës së autorit Zogaj. Ai u prit siç pritet miku fisnik nga vetë Rektorja e Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, prof.dr. Aurela Saliaj, nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Humane, prof.dr. Ronad Zisi, ish – Rektor i Universitetit tonë, studiues i njohur i Letërsisë shqipe, nga pedagogë e mësues, studentë e nxënës të shkollave të mesme të qytetit, poetë, shkrimtarë dhe artistë, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, gazetarë, intelektualë dhe dashamirës të poezisë së tij. 

Veprimtaria, që u zhvillua në sallën “Ali Asllani” të Universitetit pati pjesëmarrje të madhe, seriozitet, vëmendje dhe interes të dukshëm, që u vërejt në diskutimet, pyetjet, përgjigjet dhe mesazhet që u përcollën, në vlerësimet për “Pasqyrën e mëkatit” si vëllimin poetik të jetës letrare 40-vjeçare të lezhjanit tonë 67-vjeçar, ndjenjathellit e mendimurtit të përmasave kombëtare Preç Zogaj. 

E zonja e shtëpisë, Rektorja e Universitetit “Ismail Qemali”, prof. dr. Aurela Saliaj e përzëgoi autorin për vlerat që i lë letërsisë shqipe dhe vlerësoi dëshirën e tij për ta sjellë më pranë të rinjve, pse jo për t’i nxitur që edhe ata të lexojnë dhe shkruajnë poezi. Pas paraqitjes së jetëshkrimit letrar të autorit Zogaj që bëri znj. Deliana Proj, njohjen me veprën letrare dhe autoritetin krijues të poetit e bëri dr. Henri Çili, botues i “UET” PRESS, ndërsa një vështrim analitik të thukët e bëri prof. Gëzim Basha – një njohës shumë i mirë i veprës së autorit Preç Zogaj, ardhur enkas nga Amerika. 

Takimi vijoi në formën e një bashkëbisedimi të dëlirë midis autorit dhe pjesëmarrësve në sallë, i moderuar nga përgjegjësja e Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë prof. as. dr. Monika Hasani Hoshafi.

Pjesë e diskutimit mbi natyrën, stilin, karakteristikat dhe elementët e veçantë të poezisë së Zogajt, të prodhuar në trajektoren e 40 viteve gjatë periudhave të ndryshme të jetës sa tij, u bënë nga pedagogët dr. Ermir Xhindi – kritik i njohur dhe mendimtar letërsie, nga dr. Edlira Çerkezi, pedagoge letërsie në departament dhe Msc. Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës shkencore dhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë.

Nuk e quaj të udhës të flas për mjetet letrare e stilistikore të poetit, veçoritë e profilin letrar të Preçit, ngaqë nuk dëshiroj të përsëris ato që dihen apo atë që e kanë bërë të tjerët më mirë se sa unë, as të përshkruaj çfarë folën lektorët seriozë të asaj veprimtarie mbresëlënëse në Universitetin e Vlorës, sepse poezia e zgjedhur e Zogajt është e mirëpritur nga lexuesi i çdo moshe. Ajo rron se mbushet sa te thjeshtësia e autorit, tek kultura e tij e plotë, sepse i ka rrënjët në gurrën e kulluar popullore dhe trupin e fortë, degët me lule me aromë të këndshme, ndaj gjethet poetike i çelin të reja në çdo poezi, të tijat, origjinale, të freskëta, të pastra, të kaltra, të shëndetshme, të dobishme, me frymë moderne e fytyrë qytetare, me eshtër kombëtare, me  vlera artistike dhe estetike të larta. Se është poezi e vlerësuar, prandaj e ka vendin sipër, tek poezia e mirë shqiptare, që lexohet me ëndje dhe dëshirë, se ka art të bukur dhe mesazhe të larta humane. Dhe për këtë i shprehim mirënjohjen e gjithëkohshme poetit lezhjan, që është edhe nga Vlora, edhe nga Elbasani, edhe nga Gjirokastra, edhe nga Tropoja, edhe nga Tepelena, edhe nga Skrapari, edhe nga Durrësi, edhe nga Shkodra, edhe nga Gjakova, edhe nga Skrapari, edhe nga Saranda edhe nga Ulqini, edhe nga Fieri, edhe nga Korça, edhe nga Pogradeci, edhe nga Mirdita, edhe nga Dibra, edhe nga Preveza… Ai vërtet vjen nga areali poetik i Lezhës, por tashmë i përket poezisë shqipe. Poezia e Preç Zogajt është Karta e Identitetit të Dashurisë Njerëzore, në të gjitha kuptimet dhe shkallëzimet e mrekullueshme që rrok hapësira e kësaj fjale; është Pasaporta e Mirënjohjes Dritërore në të gjitha virtytet bujare që rrok organigrama e këtij visari shpirtëror. Sikurse në jetën e përditshme aktive të këtij personaliteti, këto cilësi që shpreha e vërejmë “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati”, librin 550 faqsh me poezitë e zgjedhura të 40 viteve: 1984-2024, duke iu qasur tematikave të larmishme, me ngjyra të ngrohta dhe të ëmbla, me fuqinë e imazhit, të tejdukshme, të paububushme, me gjuhën e ndjerë të një poeti të vërtetë dhe për të vërtetën, një  pjesë e tyre botuar për herë të parë. Ai është një poet i lindur, por ka ditur ta mbajë, ta ruajë dhe t’i shërbejë si duhet shëndetit letrar, duke lexuar e krijuar vijueshëm e përditësueshëm letërsinë më të mirë botërore dhe shqiptare, duke krijuar stilin e tij, gjuhën e tij për poezinë gjithmonë të re, që, si një mjeshtër i artit të fjalës, di ta përcjellë realitetin jetësor në të gjitha këndvështrimet e mundshme, me të gjitha ngjyrat e dukshme dhe të padukshme, me gjerësi e thellësi metaforike në vargje lakonike, me trishtim e optimizëm, bukur e me dhembje, me dashuri dhe plagë, të bekuar nga humanizmi letrar, estetik dhe religjioz, në ballë të luftës së pambarimtë të së resë me të vjetrën, pa u dukur, pa u mburrur, që unë jam ai luftëtari përparimtar.

Vargjet e Zogajt të ngelen në mendje, sepse kanë shumë kuptime, të fusin në mendim dhe të frymëzojnë të bëhesh i mirë, i bukur dhe i dobishëm edhe në vjershërim, sepse siç u shpreh studiuesi i tij G. Basha “Përmbledhja e poezisë së zgjedhur të Preç Zogajt është një kaskadë gjuhësore mahnitëse dhe manifestim i plotë i maturisë estetike, që konfirmon jo vetëm vendin e autorit në hierarkinë kanonike të poezisë shqipe, por edhe kapacitetin e sotëm të shqipes për ta mbërrirë sublimimin poetik me spontanitet fluid”. 

Atë ditë, tek “Ali Asllani” në Universitet, në fjalën time të vogël për nderim të Preçit tonë të madh, si njeri, si mirësi, si letërsi artistike dhe estetike, si standard i lartë intelektual dhe qytetar, gazetar, politikan e shtetar, i urova me zemër mirëseardhjen në Vlorë dhe në emër tim, edhe të poetëve të Vlorës, që e vlerësojnë dhe e nderojnë. Ai ka arritje në poezi, sepse mbështetet me elegancë në folklor, pa u zënë në befasi nga folklorizmi, sepse pi ujë të kulluar nga gurra dhe i shijon. Dhe vijon Udhëtimin shkrimor e poetik në këmbë, me dinjitet, me emrin e tij të përveçëm. Por, si mund ta harrojmë ne që Preç Zogaj tha ato fjalë aq të mira dhe na vlerësoi shumë Ali Asllanin dhe Fatos Arapin e mua m’u bë zemra mal. Ai kujtoi engjëllorin Ndoc Gjetja dhe Rudolf Markun modern, duke u treguar pa u dukur një shembull i shkëlqyer i Mirënjohjes. Në parantezë, vlen të theksoj se Universiteti ynë ka krijuar një traditë të mirë për paraqitjen e poetëve më në zë para studentëve tanë, kolegëve të penës dhe miqve të shumtë. Kemi bërë përurime të autorëve të njohur si Rudolf Marku, Mero Baze, Vllasova Musta, Daut Gumeni, Odise Kote, e do ta vijojmë me dëshirë e mirësi stafetën, krahas autorëve tanë të Vlorës, patjetër. 

Para auditorit të përzgjedhur e shumë të interesuar, përmenda faktin, që unë kam nga Lezha tash e gjysmë shekulli Tonin Nikollin, vëllamin tim jo vetëm poetik dhe i kujtova, që ai, burri i lartë Preç Zogaj, sikurse Petraq Risto e Xhevdet Shehu, janë treguar dashamirës me ne, kur, në rininë e hershme studentore, apo më herët si nxënës të blertë në Tiranë, na botonin shkrimet e vjershëzat tek “Zëri i Rinisë” mua, Odise Kotes, Toninit, Adrian Lagjit, si letrarë të rinj të atyre viteve… 

Ndërkohë, ne në Vlorë, ndihemi mirë dhe bëhemi besimtarë shpirtërorë te shenjtëria e trinisë. Ku e kam fjalën. Fatmirësisht, na kujtohet, që nga tre qytete të vegjël “provincialë” si Lezha, Tropoja dhe Tepelena dolën nga tre trima atë poezisë së re, dhe, përkatësisht nga Lezha: Ndoc Gjetja (dritë kujtimi!), Rudolf Marku e Preç Zogaj, nga Tropoja Hamit Aliaj (dritë!), Ndoc Papleka e Skënder Buçpapa, nga Tepelena Petrit Ruka dhe Qazim Shemaj (dritë u pastë kujtimi), si dhe Iliran Zhupa, të cilët tronditën “bablokët e metropolit”, u hëngrën arrët ujqërve të Tiranës dhe qyteteve të mëdha… edhe pse nuk mund të pranohet si term akademik, 3 Trinitë themeluan shkollat poetike të Lezhës, Tropojës e Tepelenës, pa le të bëhen xhelozë “të rëndët”… 

Ne kemi Poetin e Vlorës, Hiqmet Meçaj e “Tokës së pagjumë”, identitarin tonë të ndritshëm në rrafsh kombëtar, i cili u shfaq lart qysh nga viti 1963, që në vitin 1983 fitoi çmimin kombëtar “Libri më i mirë poetik i Vitit”, që pati shumë, shumë dashamirës, por patjetër edhe ca të verbuar nga ligësia dhe paaftësia. Sikurse 3 lezhjanët, 3 tepelenasit, 3 tropojanët, edhe Hiqmeti Ynë na frymëzonte shumë dhe na frymëzon, aq më tepër për sfidat e tij nëpër dallgët dhe furtunat e kohës, që ka përballuar me stoicizëm, deri sot në moshën 81-vjeçare… 

Shkurt, atë ditë me Preçin u kënaqëm dhe mësuam shumë. “Është gëzim për mua, kur shoh Poet Preçin midis jush! Është bukur, kur Universiteti juaj bëhet zëdhënës i Shkrimit dhe Shkruesit! Është lumturi kur shoh Bashkimin Poetik të krijuesve shqiptarë”, më shkruan Tonin Nikolli nga Zvicra. “Takim mbresëlënës me mjeshtrin e poezisë shqipe, poetin Prec Zogaj në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, u shpreh poeti dhe shkrimtari Eqerem Canaj, sekretar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë. “Ishte një ndër takimet më moderne të kohëve të fundit, duke u nisur nga mënyra e organizimit, etika organizative dhe respekti që z. Preç imponon me atë çka prezanton në krijimtarinë e vet shumëplanëshe” tha mësuesja e devotshme dhe poetja e njohur e Vlorës Anila Toto. 

Dhe në fund të këtij takimi me vlera, si qershia mbi tortë u regjistrua në kujtesën e Universitetit dhe të Vlorës së kulturës edhe një kujtim i bukur i poetëve vlonjatë me poetin e njohur shqiptar Preç Zogaj, pas përurimit të vëllimit poetik “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati” në sallën “Ali Asllani”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, e premte, 10.01.2025:

Nga e majta në të djathtë: Ergys Alushi, dr. Aleksandër Çipa, prof. Gëzim Basha, Anila Toto, prof. Aurela Saliaj (Rektore e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, dr. Henri Çili (botues, themelues dhe drejtues i UET), Preç Zogaj, Eqerem Canaj, Ruzhdi Bajrami, Elma Rama dhe Albert Habazaj.

Faleminderit, Rektore për këtë mundësi që na dhe, që solle Poetin Preç Zogaj në Vlorë!

Filed Under: Analiza

Pavarësia e Kosovës në New York

January 15, 2025 by s p

Pavarësia e Kosovës në New York.

Filed Under: Analiza

“Surgical Decision Making”

January 13, 2025 by s p

Shtëpia botuese prestigjioze “Springer“ ka botuar në gjuhën angleze librin “Surgical Decision Making”, të autorit të njohur nga fusha e kirurgjisë Prof. Dr. Rifat Latifi, i cili me përvojën e tij të pasur dhe me ndikimin e tij profesional dhe akademik, që ka lënë gjurmë të pashlyera në analet e kirurgjisë globale, këtë libër e sjell për të gjithë adhuruesit, ekspertët, studiuesit e shumtë kudo në botë, si një sihariq për këtë fillim vit.

Profesor, Rifat Latifi tashmë konsiderohet si një ekspert me nam në arenën ndërkombëtare dhe çdo prezantim i tij shkencor e studimor, pritet me kënaqësi nga publiku dhe jo vetëm.

Ndryshe lajmin për botimin e librit e ka bërë të ditur vet autori profesor Latifi përmes një postimi në rrjetin social “Linkedin” i cili shprehet si në vijim:

Profesor Rifat Latifi: Me kënaqësi njoftoj se edicioni i ri i një prej librave të mi të preferuar që kam shkruar/redaktuar është publikuar dhe do të jetë i disponueshëm më 24 janar 2025: – Surgical Decision Making ..Marrja e Vendimeve Kirurgjikale“. Ky edicion i rishikuar dhe i zgjeruar trajton vendimmarrjen kirurgjikale në procedura të ndërlikuara kirurgjikale, duke përfshirë marrjen e vendimeve të vështira, ndërgjegjësimin e vazhdueshëm mbi gjendjen fiziologjike të pacientit, profilin biokimik, rikuperimin me parametra përfundimtarë dhe gjendjen fiziologjike të vetë kirurgut.

Diskutohen gjithashtu vendime specifike kirurgjikale, si kur duhet ndërhyrë dhe kur jo, ri-operacionet dhe operacionet në kushte dhe grup mosha të caktuara.

Ky edicion i ri adreson këto dhe elementë të tjerë që janë të rëndësishëm për procesin e vendimmarrjes intraoperative dhe perioperative, duke përfshirë pyetje bazë që nuk janë trajtuar siç duhet në literaturë.

Shumë prej nesh marrim vendime bazuar në prova aktuale, por shpesh ato bazohen në “ndjenjën e brendshme”, “intuitë” apo “efektin e flokëve të thinjur,” ndër teknika të tjera. Në këtë libër, anatomia e këtyre vendimeve eksplorohet nga një këndvështrim teorik si dhe përmes të dhënave objektive që ne si kirurgë përdorim për të marrë vendime kirurgjikale.

Askund tjetër, çështja e si marrim një vendim – shpesh me një sasi shumë të kufizuar të dhënash, vendime që vendosin mes jetës dhe vdekjes së dikujt – nuk është më e dukshme se në kirurgjinë e traumës dhe në operacionet komplekse, përfshirë kthimin e paparashikuar në sallën operatore. Përvoja jonë kolektive si kirurgë tregon se një kombinim faktorësh kontribuojnë në procesin tonë të vendimmarrjes perioperative dhe intraoperative, përfshirë arsimin, njohuritë klinike, mentorimin, si dhe kreativitetin dhe ekselencën që vijnë me praktikën e gjatë dhe disiplinën e rreptë.

Edicioni i dytë i Surgical Decision-Making: Evidence and Beyond ofron një burim të veçantë dhe të vlefshëm në fushën e kirurgjisë për kirurgët që janë aktualisht në trajnim dhe për ata që tashmë ushtrojnë kirurgjinë në nivel akademik apo në komunitet.

Për botën akademike shqiptare në fushën mjekësore – kirurgjikale ky libër ka vlerë të jashtëzakonshme, ndërsa profesor Latifit, i dëshirojmë suksese në rrugëtimin e tij, të ndritur në arenën botërore.

Urojmë të ketë sa më shumë lexues të këtij libri, e autorit suksese të tjera!

Filed Under: Analiza

Gjon Gjekë Lucaj – Pishtari i dijes shqiptare

January 13, 2025 by s p

Pjetër Lucaj/

Në tokën e malit, ku qielli prek majat,

Një burrë me zemër, me vizion të qartë,

Gjon Gjekë Lucaj, mësuesi i parë,

Hapi dritaret e dijes, mbi errësirën e gjatë.

Në 1917, në Triepshin krenar,

Hapi shkollën e parë shqipe, një akt madhështor.

Mes maleve e gurëve, një fllad drite nisi,

Në gjuhën e nënës, shpresa rilindi.

Më pas, në 1929, Dinosha përqafoi,

Shkollën e dytë shqipe, që Gjoni ndërtoi.

Një histori e re, në gjuhën e tokës,

Dhe populli ndjeu frymën e lirisë së kokës.

Në vitet ’50, me krenari të thellë,

Shkolla e Triepshit mori emrin e gjallë,

Gjergj Kastriotit, heroit të pavdekshëm,

Një nderim i madh për kombin e përjetshëm.

Por Gjoni nuk luftoi me shpatë as me armë,

Dija e tij ishte flaka që ngrohte çdo zemër.

Libri dhe penda ishin fuqia e tij,

Shpëtimtar i fjalës shqipe, pishtar në stuhi.

Këshilltar i Bajram Currit, në kohë të vështira,

Gjoni i dha zë, idealit të lirisë së vërtetë.

Me mendje të ndritur dhe shpirt të madh,

Ai qëndroi pranë, si prijës i paepur dhe i rrallë.

Me libra në dorë dhe zemër të kthjellët,

Ai ndriçoi errësirën e një epoke të thellë.

Shkolla e tij, strehë për çdo brez të ardhshëm,

Një tempull i dijes, një testament i ndritshëm.

Gjon Gjekë Lucaj, emër i pavdekshëm,

Mësues i kombit, vizionar i përjetshëm.

Gjurmët e tua ndriçojnë rrugën tonë,

Hero i dijes, frymëzim që s’na lë kurrë vetëm.

Filed Under: Analiza

SHBA-ja dhe Kosova duhet të finalizojnë sa më shpejt një marrëveshje për ‘dialog strategjik’ ndërmjet dy vendeve

January 11, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Krijimi dhe finalizimi i një marrëveshjeje për dialog strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës është një hap thelbësor për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe garantimin e qëndrueshmërisë politike, ekonomike dhe të sigurisë në rajon. Një dialog strategjik do të përqendrohej në disa fusha kyçe, të cilat janë mbështetur në përvojat e mëparshme dhe në rastet konkrete të bashkëpunimit SHBA-Kosovë.

1. Bashkëpunimi në Fushën e Sigurisë

SHBA-ja ka qenë partneri kryesor për ndërtimin dhe forcimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Një marrëveshje strategjike mund të forcojë:

   •   Tranzicionin e FSK-së në një ushtri të plotë: Deri tani, SHBA-ja ka dhënë ndihmë teknike dhe trajnim për FSK-në. Për shembull, në vitin 2023, programet e bashkëpunimit ushtarak rezultuan me pjesëmarrjen e FSK-së në stërvitjen “Defender Europe,” një nga stërvitjet më të mëdha të NATO-s. Një dialog strategjik mund të formalizojë këtë mbështetje dhe të përfshijë furnizimin me pajisje moderne ushtarake.

   •   Pjesëmarrjen e Kosovës në misionet ndërkombëtare të paqes: Duke ndjekur shembullin e shteteve të tjera të vogla aleate të SHBA-së, Kosova mund të përfshihet në misione të përbashkëta me SHBA-në. Kjo do të forconte pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe do të rrisë aftësitë operacionale të FSK-së.

2. Forcimi i Demokracisë dhe Sundimit të Ligjit

SHBA-ja ka luajtur një rol kyç në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Për shembull:

   •   Rastet e përfshirjes amerikane në reformën gjyqësore: Programet si USAID dhe ICITAP kanë ndihmuar në trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë së Kosovës. Një marrëveshje për dialog strategjik do të mundësonte ndihmë më të madhe teknike për luftën kundër korrupsionit dhe për reformat e sistemit gjyqësor.

   •   Rast konkret – lufta kundër korrupsionit: Në vitin 2021, ambasada amerikane mbështeti krijimin e Task-Forcës Kundër Korrupsionit. Një marrëveshje strategjike do të formalizonte dhe zgjeronte projekte të ngjashme.

3. Zhvillimi Ekonomik dhe Investimet Amerikane

Kosova ka përfituar shumë nga investimet dhe mbështetja amerikane, por potenciali i saj ekonomik mbetet i paplotësuar.

   •   Rastet konkrete të mbështetjes ekonomike: Korporata amerikane për Sfidën e Mijëvjeçarit (MCC) ka investuar miliona dollarë në projekte të energjisë së qëndrueshme dhe digjitalizimit. Për shembull, në vitin 2022, MCC ndihmoi në zhvillimin e projektit për ruajtjen e energjisë përmes baterive, një nga projektet më të mëdha të këtij lloji në rajon.

   •   Tërheqja e investimeve të huaja direkte (FDI): Një dialog strategjik mund të përqendrohet në krijimin e politikave që favorizojnë investitorët amerikanë, duke ndjekur shembullin e marrëveshjeve SHBA-Slloveni ose SHBA-Lituani për bashkëpunim ekonomik dhe teknologjik.

4. Diplomatika dhe Njohjet Ndërkombëtare

Një nga prioritetet e Kosovës është forcimi i pozitës së saj ndërkombëtare, dhe SHBA-ja ka luajtur rol kyç në këtë drejtim.

   •   Rast konkret – Marrëveshja e Washingtonit (2020): Kjo marrëveshje e ndërmjetësuar nga SHBA-ja rezultoi në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, duke hapur rrugën për më shumë njohje ndërkombëtare. Një dialog strategjik mund të institucionalizojë mbështetjen e SHBA-së për njohjet e reja dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare si INTERPOL dhe UNESCO.

   •   Një shembull i ngjashëm – Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe: SHBA-ja ka ndërmjetësuar marrëveshje të suksesshme në rajone të tjera, dhe kjo përvojë mund të aplikohet në avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

5. Bashkëpunimi në Iniciativat Rajonale

Dialogu strategjik mund të shërbejë për forcimin e pozitës së Kosovës në Ballkanin Perëndimor, ku Serbia dhe vendet e tjera shpesh sfidojnë sovranitetin e saj.

   •   Rast konkret – Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur: Me mbështetjen e SHBA-së, Kosova mund të përfitojë nga iniciativat ekonomike rajonale, duke rritur tregtinë dhe bashkëpunimin ndërkufitar, gjithmonë duke ruajtur integritetin e saj politik dhe ekonomik.

Pse Kjo Marrëveshje është Thelbësore?

   •   Stabiliteti në rajon: Një marrëveshje e tillë do të forconte rolin e SHBA-së si garantuese e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.

   •   Siguria ndërkombëtare: Në një kohë kur Rusia dhe Kina po zgjerojnë ndikimin e tyre, një marrëveshje për dialog strategjik do të siguronte që Kosova të mbetet pjesë integrale e kampit perëndimor.

   •   Përfitimet për të dyja palët: SHBA-ja do të përfitonte nga një partner i fortë dhe i besueshëm në një rajon strategjik, ndërsa Kosova do të forconte sovranitetin dhe zhvillimin e saj.

Një marrëveshje për “dialog strategjik” do të institucionalizonte mbështetjen amerikane dhe do të siguronte një plan të qartë për zhvillimin e Kosovës në të gjitha fushat. Rastet konkrete të bashkëpunimit deri tani tregojnë se ky dialog mund të sjellë rezultate të prekshme dhe afatgjata. Për të finalizuar një marrëveshje të tillë, është e nevojshme që qeveria e Kosovës të tregojë iniciativë dhe të kërkojë përfshirje aktive nga administrata e SHBA-së.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 985
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT